– Ish gazetari i Zërit të Amerikës për 32 vjet, autori i librit “RRËFIME LIRIE- Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zeri i Amerikës”- Vizitoi Vatrën në Ditën e Pavarësisë/
– Ai dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin”RRËFIME LIRIE”; për arkën e Vatrës $500.00 si dhe punimin në dru”KOSOVA”/
Ish gazetari i Zërit të Amerikës, vatrani Shaqir Saliu, kishte zgjedhur 28 Nëntorin e Pavarësisë për të vizituar Vatrën, si pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë, e themeluar 7 muaj para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Z. Saliu tha se ndjehej i respektuar që pritej nga bordi i Vatrës me Kryetarin Dritan Mishto. Vatra historike e Nolit dhe Konicës, tha ai, është ylli polar për pavarësinë e Shqipërisë. Qoftë për jetë një VATËR e ngrohtë dhe udhëheqëse në shtegtimin e Kombit tonë!
Mysafirit ia uroi mirëseardhjen kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto. Ai tha se Vatrës i bën nder vizita e një vatrani si z. Shaqir Salihu, që ka punuar shumë vjet në Zërin e Amerikës. Jeta e tij nga izolimi dhe represioni serb në liri, dhe puna në Zërin e Amerikës, është një histori interesante. Më pas z. Mishti i preznatoi mysafirit veprimtarinë e Vatrës. Në fokus të Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra”, krahas të tjerave, janë vendosë marrdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe shumë veprimtari të organizuara nga Vatra, ose në bashkupunim me organizatat e tjera që veprojnë këtu në SHBA ose në vendlindje. Kemi ftuar dhe kanë ligjëruar këtu në Vatër edhe figura të njohura të Zërit të Amerikës si Dr. Elez Biberaj, redaktor përgjegjës për redaksitë në gjuhët Evropiane në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli, ish drejtor për Euro-Azinë, anëtari i Këshillit të Vatrës , ish gazetar i Zërit të Amerikës Idriz Lamaj e të tjerë. Vatra ka konstatuar se Shqipëria ka pasë më shumë se një rast kur ka paraqitë votë kundër Amerikës, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë aq shumë për Kombin shqiptar.
Nuk e kam lexuar librin tuaj, me përjashtim të disa fragmenteve në mediat online, prandaj dhe nuk mund të bëj një vlerësim, tha kryetari i Vatrës, por tash që na e dhuruat do ta lexoj.
Më pas e kanë marrë fjalënë Agim Rexhaj -zv/Kryetar i Vatrës, Lek Mirakaj, Pashko Camaj, Mehmet Kadrija, Sylë Lajçi,Frederik Ndoci, Asllan Bushati dhe editori i Diellit, Dalip Greca.
Gazetari Shaqir Salihu është autor i librit”RRËFIME LIRIË- Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zeri i Amerikës”. Duke folur për librin dhe motivet që e shtynë për ta shkruar, ndër të tjera autori u shpreh:”-DEMOKRACIA VDES NË ERRËSIRË”- Kjo thënie ndodhet në ballinën e një prej gazetave më të mëdha e më të mira në botë “The Ëashington Post” dhe është motoja e kësaj gazete. Është kjo arsyeja, që kjo gazetë, dhe media të tjera të mëdha, luftojnë përditë për të nxjerrë në dritë ato që të paktën një ose disa njerëz nuk duan që të dalin. Thelbi i Demokracisë Amerikane, që është më e madhja dhe më e konsoliduara në botë, është motivi që shtyn gazetarët që në një mënyrë ose një tjetër të tregojnë të vërtetën.Më ka intriguar shumë historia dhe mençuria e një burri të moçëm, Atë Zef Pllumi. Vuajtjet e tij nga diktatura komuniste në Shqipëri, i hodhi në letër në librin e tij të famshëm”Rrno për me tregue”. Arsyet që më shtynë që të shkruaja librin tim ishin të ngjajshme. Rrova dhe mbijetova për të treguar. Natyrisht nuk vuajta sa dom Zefi, por ama vuajta, dhe vuajta goxha.Vuajta dhunën dhe represionin serb. U flaka në burgjet serbe në qeli të lagështa e të errëta, ku nuk hynte aspak rrezja e diellit.U torturova dhe u detyrova të degdisem përtej Atlantikut. Mendova se vuajtjet e mia do të merrnin fund, kur pas shumë vitesh me vështirësi, u rehatova në një punë që më sillte më pranë Atdheut, por për fat të keq konstatova se kishim probleme të mëdha si popull. Armikun më të madh e kishim mes njeri-tjetrit.”
Më pas ai ka treguar për punën e tij 32 vjeçare në Zërin e Amerikës dhe krenarinë që ndjenë për kontributin modest që ka dhënë si shërbim në gjuhën shqipe.
Duke analizuar gjendjen e shqiptarëve në Ballkan ai përcolli mesazhin: Vetëm nëse identifikojmë dhe demantojmë përçarësit mund të bashkohemi si Komb i fortë në Ballkan. Edhe në librin”Shtigje Lirie” shtoi ai, flitet shumë për bashkimin dhe përçarësit. Flitet për ne si Komb në përgjithësi, por edhe për ngjarje e përjetime personale në veçanti. Nuk është vetëm përplasja me të ndryshmin ajo që na ka lënë pas, por edhe ajo me të ngjajshmin.Jo vetëm lufta me hasmin, por edhe me vëllanë. Këto mbeten plagë ende të pashërushme për Kombin tonë fatkeqsisht dhe na bën që të mbetemi pas.
Rrfëime Lirie:”Shtegtimi i një mësuesi shqiptar nga burgjet serbe te Zëri i Amerikës”, i ka të gjitha. Është histori personale, është roman, është poezi, ka dramë dhe romancë; ka luftë dhe paqe; ka pranga dhe liri, ka intrigë dhe çiltërsi; ka gjak; ka lot dhimbjeje dhe lot gëzimi. Mbi të gjitha, tha ai në mbyllje të fjalës së tij; në këtë libër gjithkush mund të gjejë një histori të detajuar të një prej mediave më të mëdha shqipfolëse dhe që ka më shumë ndjekës; Zëri iAmerikës.
- Shaqir Salihu dhuroi për bibliotekën e Vatrës librin”RRËFIME LIRIE”; për arkën e Vatrës $500.00 si dhe punimin në dru”KOSOVA”-
Gazetari Shqir Salihu shkroi në librin e mysafirëve :
“Ishte kënaqësi e veçantë që u takova sot, në këtë ditë të shenjtë për shqiptarët, me Vatranët në selinë e Vatrës historike.Vatra është një monument dhe tribunë kombëtare. Jam krenar që jam antëtar i saj.
Me respekt
Shaqir Salihu
28 Nëntor 2018.