PAGËZIMI MË I BUKUR I RAMIZ KELMENDIT*/
Në 83 Vjetorin e Lindjes së Shkrimtarit Ramiz Kelmendi/
Shkruan: Xhemail Peci/
Prelud/
Koha gjithmonë vihet në kërkim të një balli të lartë dhe të mençur që rri i menduar përmbi tavolinën e punës, që thërmohet ndër kujtime, përmbi letra dhe dorëshkrime.
Letërsia është pasioni i shpirtit të tij, sepse letërsinë dhe gazetarinë (siç e ka pohuar vetë) i ka në gjak. Fjala është balsam i shpirtit e në faqe letre ai ka hedhur faqe jete.
Një natyrë e ndieshme që shiun e ka për metaforë në shkrimet e tij, në rrëfimet dhe në romanet e tij sepse hiu ia ka ngacmuar shpesh kujtimet e tij.
Në gjirin e mermerit e ka kërkuar letërkëmbimin shqip nëpër thellësitë e shekujve, e letrat e rilindasve si të gdhendura në mermer, na i ka sjellur përpara kujtesës sonë kulturore dhe historike (fill pas Pranverës së Përgjakshme të Vitit 1981).
E kur koha po tallej me fatin e vendit të tij që ndodhej në agoninë e pritjes, të ankthit e të shpresës, ai përdori satirën, ironinë dhe sarkazmën.
Në fushën e monodramës ai shfaqet si një Luigji Pirandello, në fushën e romanit ai na e kujton mjeshtrin e prozës italiane Alberto Moravia.
Rugova dhe Peja u bënë burim i frymëzimit të tij përshkruar me heshtjen e armëve e me shtigje drite. Fjala mbarti në vete gurgullimën e krojeve dhe mëtoi ta thoshte etjen që digjej në çurgjet e ujit burimeve ku Lasgushi kërkonte fillin e etnisë sonë.
Vepra e tij përfshinë shumë shtresa të shoqërisë së kohës së tij dhe se ai ka shkruar për temat që i ka njohur thellë, për motivet që i ka dashur me shpirt.
Dishepujt e tij e kanë ngrohur me zjarrin e shpirtit të tyre e vrulli i jetës ka nisur sërish tek zemra. Kur mbi shkrepat e majave të Rugovës është varur muzgu, ishte sërish koha ajo që iu bind lutjeve të një shpirti të trazuar.
Pena rrezaton dritë e zemra mba në vete zjarr të pashuar për të shkruar. Pena hidhet në një mallëngjim shpirti, shoqëruar me vështrime të largëta e përplot kujtime të fëmijërisë, gjithë vija dhe vrragë.
Kur ai hesht, flet pena e tij. Kur ai kundron, flet vepra e tij.
Përjashta frynte tufani e përmbi tavolinën e punës përkulej ai, njeriu që ka shkruar dhe përkthyer vepra – gati sa vitet e moshës së tij.
Njerëzit dhe rrugët, ritmin dhe shtigjet. Këto ka dashur dhe i do ai në paraljmërimin e penës së tij, e cila e ka rujatur në vetminë e stilit ramizian bardhësinë e majave të Bjeshkëve.
Për te rrezja e diellit ka më shumë vlerë se shkëlqimi i arit. Në dashurinë e tij proverbiale për librin dhe për jetën, si dhe në etjen për dritë dhe dituri, ai i është falur dhe përfalur artit të të shkruarit, në ndërkohë që dy sy e kanë ndjekur vazhdimisht: Sytë e Mona Lizës, sepse për te Luvri është Parajsa, sepse Peja është Maki-a e tij dhe se Ulqinakja për te është: E Bija e Kallogresë.
Ai është Pagëzues i Brezave, Nestor i Urtë, Shijues Bukurie, Njeriu që u Falet Mësueve të Tij Ernestkoliqianë, Rilindas i kombit të tij, Senator i mendësisë shqiptare që morri vendime të drejta për heshtjen e armëve dhe për shtigjet e dritës e të diturisë.
Lapsi dhe letra janë gjakimi dhe mishërimi i tij krijues, e dy janë frymëzues të pandashëm dhe të pandalshëm të cilëve u falet dhe u përfalet, të cilëve në shenjë respekti dhe krenarie të ligjshme u bie në gjunj: Jaku Brahimi (Babai i tij) dhe Faik Konica (Babai i “Albanias”).
Ai është klasiku i gjallë i një letërsie dhe i një kulture në të cilën ka lënë gjurmë, ka trasuar rrugë e ka hapur shtigje. Ai e ka gdhendur fjalën shqipe me durim shenjtori dhe me qëndismë filigrani.
Ai është konicologu i devotshëm që e pagëzoi Fakultetin e Gazetarisë me emrin e Princit të Gjuhës Shqipe “Faik Konica”, duke ngrituar armatën e re të gazetarëve të Kosovës, duke mjellur dashuri e duke bërë thirje për pajtim e paqetim, duke mbetur kështu në gjakimin dhe në dëshirën e tij: Ligjërues i Përjetshëm i këtij Fakulteti.
Ramiz Kelmendi. Njeriu dhe shkrimtari, publicisti e kronisti, veprimtari e pajtimtari, që për shumëçka më kujton thënien e njërit prej poetëve më të mëdhenj të lashtësisë së Persisë: Përpara krijuesit të perlave: Falem!
I
Kur e dënuan me 80 vjet Vinçenc Prendushin, ai ishte 76 vjet!
(Lasgush Poradeci: Ismail Kadaresë)
Jeronim De Rada, Fan Noli, Lasgush Poradeci
Në periudhën e letërsisë së Rilindjes, tre janë krijuesit që kanë pasur fatin të jetojnë më gjatë se të tjerët, sa për fatin e tyre po aq edhe të letrave shqipe: Jeronim De Rada, Fan Noli dhe Lasgush Poradeci.
Në periudhën e letërssië së modernitetit, tre janë krijuesit fatmirësisht ende të gjallë të letrave shqipe, të cilët me vitet e moshës bartur mbi supe u shëmbëllejnë pararendësve të tyre: Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe Ramiz Kelmendi.
Jeronim De Rada dhe Fan Noli do të jetonin pjesën kryesore të jetës së tyre jashtë larg Shqipërisë, dhe si në një koincidencë ndoshta nga më të çuditshmet, që të dy do të shkruanin kujtimet e tyre autobiografike në një moshë të shtyrë, dhe që të dy do t’i titullonin ato njësoj: Autobiografia.
Jeronim De Rada do të mbyllte sytë në këtë jetë në një varfëri të skajshme (ashtu si edhe Jani Vreto) e me thërmia të bukës nëpër xhepa! Fan Nolit i shkonte poetika dhe muzika por jo edhe politika, prandaj do të detyrohej që të syrgjynosej përfundimisht në Amerikë. Pa dyshim njëri nga kryeministrat më të ditur në historinë e Ballkanit, me një erudicion të veçantë dhe me një kulturë gjuhësore prej poligloti të lindur, nuk do të mund të bënte në një rreth gati hermetik të monarkive ballkanike, e ku siç shprehej vetë në një nga ato Introduktat e holla, numri i Don Kishotëve dhe i Sanço Pançove ishte i stërfishuar.
Lasgush Poradeci do të jetonte për ca kohë jashtë Shqipërie, ku edhe do të studionte (në Vjenë e në Bukuresht), por pjesën tjetër të jetës së tij do ta kalonte në atdheun e tij ku për njëzet e pesë vite, kishte mundësinë të blente vetëm një palë rrobe! Si për ironi të kohës, Nositi i Poezisë Shqipe, do të kujtohej se ishte ende i gjallë në një kohë kur shumica pandehnin se ai kishte vdekur!
Për dallim nga De Rada e Noli, ndonëse edhe vetë poet, Lasgushi nuk na la ndonjë autobiografi në përmasat e dy të parëve. Ashtu si Gëte me Ekermanin, Lasgushi – poeti që për 15 vjet gdhendi e latoi vetëm 14 poezi, do t’i thoshte rrëfimet e tij autobiografike në bashkëbisedimin me Petraq Kolevicën, por edhe në një nga shkrimet e tij më të bukura me thekse autobiografike, të titulluar: Vizitat e Zonjushës Ana X. në Kullën time.
Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ramiz Kelmendi
Ismail Kadare do ta shkruante letërsinë e tij artistike në Shqipërinë komuniste, dhe do të largohej nga Shqipëria për në Francë fill pas shfaqjes së proceseve demokratike. Ftesë në Studio është libri me premisa autobiografike, kurse një nga librat e tij do ta shkruante edhe autobiografinë e popullit të tij në vargje.
Rexhep Qosja dhe Ramiz Kelmendi do të krijojnë dhe jetojnë në Prishtinë. I pari do të shkruajë kryesisht kritkë letrare, dramë e romane, do të merret kryesisht me historinë e letërsisë shqipe, por nuk ka lënë ende ndonjë autobiografi në kuptimin e një zhanri të mirëfilltë. I dyti, Ramiz Kelmendi do të lë një krijimtari të pasur letrare dhe artistike, dhe së këndejmi edhe na ka lënë kujtimet e tij të shpalosura në formë të një ditari, të titulluar Nga Ditari Im.
Në memoristiken e tij, Ramiz Kelmendi na ka mundësuar për të kuptuar më drejt kohën në të cilën ka jetuar dhe krijuar si shkrimtar. Në mënyrë të veçantë, memoristika e Kelmendit mundëson që ta njohim më mirë, më bukur dhe më nga afër profilin e tij krijues dhe njerëzor.
Ramiz Kelmendi ka shkruar skica, tregime, reportazhe, rrëfenjëza, novela, drama, melodrama, romane, kolumne, çapitje mes rreshtave, kritikë, studime letrare dhe monografi studimore, ka hartuar libra leximi dhe antologji letrare, ka përkthyer vepra të autorëve të huaj dhe ka marrë pjesë në aksionin e pajtimit të gjaqeve, por në mënyrë krejt të veçantë ai ka gjakuar për të përjetësuar historinë dhe traditën, letërsinë dhe atdhedashurinë, të bukurën dhe të madhërishmen: duke pagëzuar!
Pra e ka bërë një gjë të tillë, në një mënyrë në të cilën jo të gjithë e kanë pasur një fat dhe njëkohësisht një privilegj si ai. Mënyra se si ka pagëzuar ai dhe gjakimi se si ka dashur për të përjetësuar ai, është një frymëzim më shumë dhe si i tillë ai është frymëzim i përhershëm.
Duke e njohur mirë historinë e kombit të tij, duke e shkruar dhe duke e lëruar me dhuntinë e tij të lindur letërsinë, por edhe duke e njohur ate në hollësi e edhe duke e ligjëruar ate, duke e ditur mirë traditën e kombit të tij ai ka dashur që ta përtërijë ate, ai ka dashur që visaret dhe thesaret shpirtërore të kombit të tij, t’i përjetësojë me prirjen prej rilindasi. Pra ai e ka bërë këtë nëpërmjet një mënyre të cilën ia kanë besuar të tjerët dhe të cilin ai e ka arsyetuar në plotni.
Duke qenë mbi çdo gjë një shijues bukurie, lërues dhe adhurues i fjalës së bukur shqipe, të cilën e ka gdhendur me durim prej shenjtori e të cilës ia ka falur qëndismën prej filigrani, Ramiz Kelmendi e ka pasur dhe e ka pagëzimin: ligjërimin e tij fjollor.
Si një prej konicologëve më të përkushtuar, si një prej adhuronjësve më të devotshëm të mësuesve të tij ernestkoliqianë, e si një prej shkrimtarëve të rrallë bashkëkohorë – ndoshta më të rrallët që është frymëzuar edhe nën tingujt e lahutës së Arif Zhujit, prej të cilit siç na e ka pohuar vetë për herë të parë dëgjoi emrat e Ajkunës e të Dylbere Gjelinës, Ramiz Kelmendi e ka pasur kështu shtegun e hapur për të kërkuar ato copat më të bukura të mermerit monumental që natyra ia ka falur Rugovës, perlat e të cilës shkriheshin në një -tok me imazhet ylberore në kërkim të një penë aq të hollë dhe po aq elegante, për të cilën dy bashkëkohanikët e tij do të shpreheshin se e ka talentin epik (profesor Hasan Mekuli), prandaj edhe i falej epiteti aq fisnik: Pena e tij e artë (akademiku Rexhep Qosja).
Në emrat e personazheve të tij, në titujt e librave të tij, në fjalimet e tij të rastit – si për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare apo edhe për Pajtimin e Gjaqeve, në emërtimin e Fakultetit të Gazetarisë Faik Konica, Ramiz Kelmendi e ka dëshmuar thënien e njohur të Rene Shatobrijanit se shija është rregullator i talentit, mendja më e shëndoshë e gjenive.
Ramiz Kelmendi ka shije për të bukurën dhe për të madhërishmen, prandaj edhe është: Shijues Bukurie. Ai e ka ditur dhe e mba mend shumë mirë në memorien e tij të kthjellët, thënien e lashtë latine se çka ka në emër, ka edhe në zemër. Ai e ka dëshmuar dhe e dëshmon se e don, e çmon dhe e adhuron ritin e lashtë të Arbreshëve të Italisë, sipas të cilit 500 vjet më parë, pra sot e mot: sa herë që u lind një fëmijë ata e kthejnë me fytyrë kah Arbëria matanë detit, andej kah lind dielli…
Ai pra e lartëson, e nderon, e himnizon, e përjetëson, e hijeshon edhe më një rit të tillë e në përmasa të tilla, sepse ai është njeriu që ka pagëzuar dhe pagëzon brezat, sa me emrat po aq edhe me fjalën e tij të urtë, me bisedën e tij të shtruar e të projshme, me porosinë e tij të madhe.
Ramiz Kelmendi duke e ligjëruar letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nuk ka mundur të rrijë indiferent ndaj frymëzimeve dhe mësimeve, por edhe ndaj vlimeve që ngjallë kjo letërsi në qenien tonë dhe në gjakun tonë, e ku siç thoshte Ernest Koliqi: rrijnë muzat që na bëjnë të shkruajmë.
As Ramiz Kelmendi e as bashkohaniku i tij Rexhep Qosja, nuk kanë mundur të rrijnë asnjanës: as përpara të bukurës dhe as përpara të madhërishmes si kategori estetike.
Dr. Zymer Neziri: Rugova – Magje e Gjakut
Ramizi ka Rrënjë të Lisit të Gjakut
Duke iu referuar shkrimit afirmativ të studiuesit Dr. Zymer Neziri, Ramiz Kelmendi u kthehet rrënjëve të tij, më saktësisht u kthehet rrënjëve që nisin me vendin e quajtur: “Guri i Ndre Nikës…I moçëm rreth treqind vjet…Ndreu ishte shumë i madh, thonë. Kreshnik nuk ishte, e kreshnikëve u gjasonte…Qe treqind vjet nuk e lëkundi më askush. Aty prêt dhe e ruan emrin e Ndreut qe treiqnd vjet. E ruan edhe për ndonjë Ndre të ri, ndoshta, po edhe për Ramiz Kelmendin – shkrimtarin dhe stërnipin e Ndre Nikës.”
Si shkrimtar i cili ka besuar dhe beson se fjala mba gëzimet dhe pikëllimet e jetës, ai ka besuar dhe beson se pagëzimi është Ogur i Bardhë që në vete mba dëshira e zemrës njerëzore; ai beson fuqishëm se: “është autori ai që shkruan, më njëfarë mënyre, biografinë e heroit të prozës së vet…vepra shpjegohet përmes heronjve të saj, e heronjtë e shpjegojnë autorin.”
Zakja – Zemërbardhë e Zemërdjegur
Nuk është pagëzuar kot pena e Ramiz Kelmendit si pena e tij e artë. Me penën e tij, Ramiz Kelmendi ka nderuar pelerinatën e gjakut, dhe se në shiun e shpirtit të tij (çuditërisht bie aq shumë shi në prozën e Ismail Kadaresë e të Ramiz Kelmendit) ka diçka nga bekimi i madh i Zake Zhujit e Jakup Brahimit, ka diçka nga Rrënjët e Lisit të Gjakut, ka diçka nga Shamibardhat e Lokemadheve të Rugovës, të cilat mes zjarrit dhe flakëve, mes terrorit dhe tmerrit, mes plojës dhe gjakut, mes reprezaljeve dhe masakrave, shpalosën me gjithë fuqinë e shpirtave të tyre të bardhë – shamitë e bardha si himne shekujsh drejtuar në lutjet kah qielli, pa dyshim memeri më monumental që Perëndia ua ka falur në bekimin e vet, e me të cilat ato përkundën djepat dhe rritën brezat…
Ka shumë të ngjarë se personazhet e romanit “Heshtja e armëve”, Rekë Zhuji dhe Vakja, të jenë portretizuar me tiparet dhe me virtytet e prindërve të shkrimtarit. Vakja, “Zemërbardhë e Zemërdjegur”, pa pikë dyshimi, është njëra prej personazheve më zemërbardha, më fisnike dhe më bujare në gjithë letrat shqipe. Lutja e saj është simbol i paqes dhe i bekimit, është një ogur i bardhë i shpresës dhe i ngadhënjimit.
“Mbase mu këtu, edhe pse, them jo vetëm këtu, unë qysh me gji të nënës rugovase dhe me të folmen rugovase të babait, të njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time, u dashurova çmendurisht, rrënjësisht, shpirtërisht dhe moralisht, me gjuhën shqipe dhe s’e flaka kurrë, derisa të vdes…E Vinçenc Prenushi, vjershën e tij aq të bukur, “Am’ e bijë” e kam të vetmën që e di përmendësh sot e kësaj dite. E kështu me radhë…Pse, ç’shpjegim í veçantë u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së nënës.”
Ramiz Kelmendi e di se: “Gjuha prêt helmin, çan gurin, thyen shkëmbin. Më shumë vret fjala se thika. Fjala e rëndë jo rrallë, është më e fortë se pushka.” Ai është njeriu dhe shkrimtari që e ka thënë hapur: “MENDOJ DHE SHKRUAJ SHQIP”, prandaj nga ky prizëm kaq i veçantë, na lë edhe një Porosi të Madhe: “Edhe sot, në këtë moshë të shtyrë që kam, nuk kam pushuar ta dua Atdheun, me gjithë fuqinë e zemrës e të shpirtit.”
Stdiuesi i përkushtuar i etnofolklorit tonë Dr. Zymer Neziri, na ka shpalosur të vërtetën se lahutarët e Rugovës nuk e lëshonin lahutën nga dora për dekada të tëra. E mbanin dhe i binin aq thekshëm edhe përtej 30 vjetëve, tek gdhendnin në drurin e zgavruem të qershisë si në copa mermeri, historitë dhe trimëritë që na mbajtën gjallë si komb. Në një traditë të tillë epike, as Ramiz Kelmendi s’e ka lëshuar e s’e lëshon penën nga dora për 60 vjet.
Origjina e Fymëzimit
Gjuha në të cilën u frymëzua të shkruante, shpesh edhe nuk lejua! “E mbi të gjitha këto, mu ashtu edhe siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme dhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, me atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone (jehonën e ndonjërës syresh e ndjen edhe në vetvete, përmes gjakut të babit tënd të Drelajve dhe të nënës sate të Haxhajve), me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen burrërore, me atë natyrë të virgjër, që shëmbëllehet aq bukur në sytë e tyre, me ato këngët e lahutave, të cilave ua thoshte aq melankolisht dhe aq bukur, daja yt, Arif Zhuji, nga i cili të zuri veshi së pari Gjeto Basho Mujin e Halilin, Gjergj Elez Alinë e Zukë Bajraktarin, si dhe ato dy femra, më të parat femra që i regjistroi veshi yt nga kënga e dajës në lahutë – Ajkuna e Dezdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina” (Dashuria për Pejën).
Dy Dashuritë e Mëdha të Ramiz Kelmendit
Dy janë dashuritë e mëdha të Ramiz Kelmendit: Shqipëria dhe letërsia.
Dy janë dashuritë e mëdha të Ramiz Kelmendit: lapsi dhe letra.
Lapsi, sepse ai ka besuar dhe beson, sepse ai ka gjakuar dhe gjakon se çka s’e bën pushka e një luftëtari e bën pena e një shkrimtari, sepse ai ka besuar dhe beson fort, se letra ka shumë më shumë fuqi se floriri, siç e ka thënë edhe Bajroni: rima ka fuqinë e një perandorie.
Dy janë dashuritë e mëdha të Ramiz Kelmendit: Ulqini dhe Gjakova.
E para ia ka mbjellur dashurinë për letërsinë, e dyta ia ka falur mundësinë për të pagëzuar e për të përjetësuar emrat që deri atëherë nuk ishin dëgjuar edhe aq shumë…
Dy janë mbishkrimet që Ramiz Kelmendi i ka nxjerrur nga pluhuri i harresës, duke i nënvizuar thekshëm në publicistikën e tij antologjike: Mbishkrimin që e formojnë fjalët e qartësisë transparente dhe lapidare, me të cilat Elena Gjika i shkruante Jeronim De Radës: Të mos vdesim pa e parë të valojë i lIrë Flamuri i Skëndërbeut mbi Kështjellën e Rozafatit; si dhe Emblema që Jeronim De Rada ia ka falur në mënyrën më të hijshme dhe më të madhërishme në gjithë letrat tona, Elena Gjikës: MIRËSIA ENGJËLLORE E ZEMRËS SUAJ! Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë, Nderim më të madh dhe më të bukur për dike sesa ky: as në artin tonë, as në kulturën tonë, as në letërsinë tonë!
Dy janë figurat embelmatike të cilave u është falur dhe u falet edhe sot, e edhe mot, Ramiz Kelmendi: Babait të tij Jakup Brahimit, të cilit na e ka pohuar vetë se i ka rënë e i bie në gjunjë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufi; dhe babait të “Albanias” Faik Konicës, të cilit edhe në këtë moshë i ngritet në këmbë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufi!
Dy janë femrat të cilat e kanë nxitur neurasteninë krijuese të Ramiz Kelmendit: Ajkuna e Desdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina – për emrat dhe për bukurinë e të cilave kishte dëgjuar (siç na e ka pohuar vetë në Ditarin e tij) nga daja i vet: Arif Zhuji.
Dy janë qytetet të cilat ngado shkon e ngado vete, ashtu si edhe Shqipërinë, Ramiz Kelmendi i merr me vete: Peja e fëmijërisë dhe e rinisë së tij, Peja me bukuritë e saj dhe me historitë e saj, si dhe Ulqini – vendlindja e tij letrare.
Me të drejtë është thënë se Kafka është Praga, dhe Praga është Kafka. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin dhe për Pejën.
Dy janë qytetet e tjera të cilat ai i don dhe adhuron shumë, Shkodra (Zonja Shkodër virëgjëri, Lutju Zotit për Shqipëri!), dhe Tetova – qyeteti ku Mit’hat Frashëri parashihte se do të zgjidhet përfundimisht çështja shqiptare, pasi që ushtritë aleate do të vendosen në Prishtinë…
Për Ramiz Kelmendin “Luvri është parajsa” e artit, por ashtu siç thoshte Ernest Koliqi se: “Shqipëria është nusja e shpirtit tonë”, edhe për Ramiz Kelmendin, gjithsesi Shqipëria është nusja e shpirtit por edhe parajsa e vargut, prandaj ai ka lëshuar zemër-klithjen e tij që të heshtnin armët. Pra, të heshtin armët, e të flasin librat, në mënyrë që ta shijojmë këtë Parajsë të Humbur!
Dy janë shpërblimet më të dashura për Ramiz Kelmendin, Qytetar Nderi i Pejës, dhe Shpërblimi Azem Shkreli për Vepër Jetësore.
Dy janë epietet më të bukura të cilat i shkojnë aq shumë jetës dhe veprës së Ramiz Kelmendit: Rugova – është Magje e Gjakut, dhe: Ramizi ka Rrënjë të Lisit të Gjakut. Shprehje këto kaq të bukura dhe po aq domëthënëse të studiuesit të përkushtuar Dr. Zymer Neziri.
Kalorës i Letrave dhe Arteve
Të parët e Ramiz Kelmendit kanë sjellur andej e këtej kufirit – arka me municion. Ramiz Kelmendi do të sillte ato që për pushtuesit shekullorë të tokave tona, u bënë arka me dinamit: “Unë i solla për herë të parë nga Shqipëria librat e shumta të të gjitha zhanreve”.
Ramiz Kelmendi është Kalorës i Letrave dhe i Arteve, por edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë: Gazetaria dhe letërsia më hyn në gjak. Ai është Luftëtar i Dritës e Shijues Bukurie. Ai është, siç e ka thënë aq bukur dhe në mënyrë aq domethënëse: NJERI I LETRAVE PËRBALLË PËRBUZJEVE.
Në Penën e Ramiz Kelmendit: Gjuha Shqipe është Gjuha Zonjë
Ramiz Kelmendi është mjeshtër i gdhendjes së fjalës shqipe me durim shenjtori e me qëndismë filigrani. Në penën e tij, ashtu si edhe në ligjërimin e tij, gjuha shqipe është gjuha zonjë. Ai është njeriu të cilit e kanë nderuar kur ia kanë besuar për të pagëzuar brezat me emrat që u ka vënë. Ai është shkrimtari dhe intelektuali që ka bërë thirrje për një dashuri të barabartë dhe të sinqertë mes shqiptarëve: 100 për qind. Ai, siç e ka thënë miku i tij, poeti Xhevahir Spahiu, ka mbjellur dashuri dhe ka korrur dashuri.
Ramiz Kelmendit atdheu ia ka dhënë dorën e tij të djathtë për të shkruar për Faik Konicën. Dhe se duke e pagëzuar Fakultetin e Gazetarisë me emrin e Faik Konicës, Ramiz Kelmendi ka bërë pagëzimin dhe përjetësimin më të bukur dhe më domethënës në kulturën tonë kombëtare shqiptare.
Nuk do të jetë e largët dita, dita për të cilën Naim Frashëri sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë: Lum kush të ronjë, ta shohë zonjë! – dhe kur Shqipëria do t’ia kërkojë të dy duart e tij, për ta ngritur obeliskun e të gjithë brezave dhe të gjeneratave të shqiptarëve atdhetarë, obeliskun e breznive orëmira: për një dashuri më të barabartë mes shqiptarëve, e për dashurinë që nënkupton vëllazërinë e gjakut, po aq sa edhe “shijen e qumështit të amës së përbashkët” (Ernest Koliqi) e që do të shpaloset edhe përtej simbolikës që ka: Rruga e Kombit.
Darling Ismail Vlora: Një Urim si Një Pagëzim Brezash
“Rasti e pruri t’i shtrëngoja dorën, ta dëgjoja teksa ligjëronte e të bisedoja pak çaste me të…Këto ditë, ndërsa lexoja mbi Panairin e 12-të të Librit në Prishtinë, do më tërhiqte vëmendjen, në mënyrë krejtësisht të veçantë, një shprehje e bukur e shkrimtarit tonë të madh, i cili, në shenjë respekti ndaj veprës së Gjergj Fishtës, Zekeria Rexhës, Anton Çettës e Nënë Terezës do të shprehej se po të ekzistonte mundësia do t’i kishte dhuruar të 80 vitet e tij, mjaft që këta kolosë të jetonin. Kush tjetër, veçse Ramiz Kelmendit, mund të bënte një urim të tillë?”
Kush tjetër do të falte një pagëzim të tillë prej Breznive Orëmira?
Falë u Qofsha të Gjithë Mësuesve të Mi Ernestkolqianë
Gjuha në të cilën u latua fjala e hollë e në të cilën folën Rrënjët e Lisit të Gjakut, është e një frymëzimi dhe e një përjetimi të thellë: “Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë. Atdheun tim. Me të cilën më njohën mësuesit e Ernest Koliqit. Ata që ma mbollën në zemër, që më mësuan se unë nuk jam pa atdhe, se unë nuk jam ‘jetim’, se kam gjuhën time, kam shtetin tim, kam popullin tim, kam historinë time, kam gjeografinë time – Shqipërinë. Falë u qofsha gjithë mësuesve ernestkoliqanë…Gjithmonë, sa isha i ri, edhe mendoja dhe thoja: po të mos e sheh Shqipërinë, do vdes syhapur…Sepse atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu, e nëna, mëma, mund të jetë edhe e çalë, fjala vjen, e verbër, e shëmtuar, po mëma gjithmonë mbetet mëma” (KUR ISHA 18 VJEÇ).
Pra për shkrimtarin Ramiz Kelmendi kujtimet janë hijet që zbresin e që nëpërmjet fjalëve hidhen në letër: “rrëmbyer nga tonet që depërtojnë shpirtin.”
Të Ligjërosh Përjetësisht do të thotë se e ke Pagëzuar edhe:
Ardhmërinë e Kombit Tënd
Të jesh edhe simbolikisht Dekan i Përjetshëm i Fletorarizmës Shqiptare në Kosovë, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215 intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për mëse 60 vjet rrjesht, nëpër libra, revista, gazeta, monografi, e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe e rreze drite – të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kurreshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më ndryshe, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht do të thotë se e ke pagëzuar edhe ardhmërinë e kombit tënd, do të thotë se edhe kjo dëshirë, siç do të thoshte Naim Frashëri për gjuhën shqipe, kaq e ëmbël dhe kaq e mirë, gjithsesi: është e plotësuar.
II
As Perëndi e Mëshirës: Mëshirë nuk ka!?
Zef Serembe dhe Kodi i Pazbërthyer në Letrat Shqipe
Bota e Syve si një Atlantidë në vete
Sytë e Lumnijes, të Zojës, të Mona Lizës:
“Sytë si të jashtëtokësorëve, në kuptimin më të mirë!”
Engjëlli Atar: Një Pjesë e Hojeve të Mjaltës!
Në Persinë e lashtë, një poet qe dashuruar aq shumë në një vajzë të cilën e quanin Shakh-i-Nabat, që e përkthyer shqip do të thoshte “Një Pjesë e Hojeve të Mjaltës”! Aq shumë ishte rrëmbyer nga bukuria e saj dhe aq shumë e kishte dashur ate Poeti í Shiriazit sa as nuk hante, as nuk pinte dhe as nuk flinte dot! Një ditë vajti tek Tempujt e Shenjtorëve të Shiriazit dhe iu shfaq një pamje engjëlli, zëri i të cilit i tha: Në qoftë se mund të rrish 40 ditë rrjesht pa ngrënë dhe pa pirë, vajza do të takojë ty dhe jo Princit të Persisë! Pas 40 ditësh Engjëlli e vizitoi prapë për të parë nëse Poeti e kishte mbajtur zotimin. I bindur për një gjë të tillë Engjëlli i dha atij një kupë me pije që quhej uji i pavdekësisë! Para se ta pinte, Poeti i Shiriazit ishte habitur me pamjen e bukurisë dhe të magjisë së Engjëllit që i ishte rishfaqur. Engjëlli e pyeti sërish se kë donte tani. Ai çuditërisht iu përgjigj: “Dua Zotin.” I habitur, Engjëlli Atar e pyeti përse? Sepse nuk kam asnjë dëshirë tjetër veçse të pres që të përmbushë dëshirën e Krijuesit – i qe përgjigjur! I prekur nga një përgjigje e tillë, Engjëlli Atar e liroi ate nga rrethi i 40 ditëve. Pas 40 vitesh po i njejti Engjëll e kishte vizituar prapë dhe e kishte pyetur se a ishte ngopur me verën dehëse, do me thënë me bukurinë e vajzës që donte? Më shumë se kaq, jam dehur në gjakimin për ta bërë të përjetshme!
Mbi kopshtin e trëndafilave dhe të qiparisave, pos emrit të tij ishte edhe libri që kishte shkruar për te! Dymbëdhjetë shekuj më pas pelegrinët duke e admiruar një dhunti të tillë, përveç se përkuleshin, ata edhe shfletonin fletët e librit, pa dyshim njëra prej kryveprave botërore…
Diçka e përkundërt me Taxh Mahallin dhe me Piramidat e Egjiptit, ku mbretërit donin të përjetësonin dashurinë e tyre e ku forma ishte pa dyshim shumë më e ashpër, e pamëshirshme: sa jetë njerëzish kishin përfunduar aty, sa duar arkitektësh ishin prerë, sa koka kishin rënë në muret e tyre të trasha, sa shumë gjak mbi mermerin e bardhë: për ta dëshmuar dashurinë e mbretërve! Dashuri tiranësh! Dhe se tiranët nuk mendojnë kurrë për ate që shkruan në Librin e Shenjtë: Askë nuk do të kesh më pranë sesa veprat e tua! …
Elegji në Mermer siç u quajt Taxh Mahalli, apo edhe: Mishërim Ëndrrës! Gurë të çmuar e gjysëm të çmuar për të reflektuar dritën e Hënës si dhe lindjen e perëndimin e Diellit. Arkitektë, skulptorë, piktorë, latues të gurit, inxhinierë nga Azia, Afrika dhe Europa, burra e gra – 20,000 që punuan njëzet e dy vjet, ditë dhe natë! Filigranë që rrezatonin verbueshëm. Kristali i sjellur nga Kina, deri edhe nga Tibeti e Afganistani, e nga Oqeani í Indisë gurët e çmueshëm, korale, guaca, diamante. Përmendore e Dashurisë për gruan e dytë të perandorit Shan Xhahan: Arijumand Banu Begun – Mumtaz Mahall (E Shquara e Pallatit)…Më tej, dyvargëshi mbi varrin e perandorit të famshëm: Ndërtuesi nuk ka mundur të jetë prej kësaj bote, sepse është e qartë se projekti i është dhënë nga hyjnia! E pastaj? Pastaj prerja e kokave për arkitektët, verbim për shkronjësit e latuesit, dhe prerje duarsh për mjeshtrit: Përmendore e Dashurisë apo Dashuri Tiranësh?!…
As Taxh Mahalli me historinë e trishtë e të dhimbshme dhe as Piramidat e Gizës nuk e thonë kurrë ate që e thotë një fjalë e vetme, shumë më e bukur dhe shumë më paqësore, sa njerëzore po aq edhe hyjnore: Dashuria është më e fortë se vdekja! Dhe nuk shkakton as duar të prera e as duron tiranët! O gjaku im, o hir i Zotit, kujt si ty i qenë hapurt dy herë Portat e Qiellit?! E thonë dot Piramidat a edhe Taxh Mahalli më bukur se Dante kur ia tha Betariçes?! As Taxh Mahalli dhe as Piramidat si mrekulli të botës nuk thonë dhe nuk do të mund të thonë kurrë më shumë se ajo që e tha Gëte – Zeusi i Vajmarit, përmes Vuajtjeve të Verterit: Një dashuri e pafajshme e gëzon dhe nuk e lëndon as Perëndinë! A ka se si të thuhet më bukur?! Pra duke e thënë ashtu nuk e lëndon dot ate që e do, ndryshe do ta lëndonte vetë Perëndinë! Më bukur dhe më pafajësisht, më pafundësisht dhe më përjetësisht, më butësisht ndoshta mund të thuhet vetëm përmes përgjërimit i cili nuk do që të lëndojë as me gjuhën e luleve, as me këngën e zogjve, as me pikat e shiut që bien pa pushim në dhimbjen e tyre të lashtë sa vetë gjakimi – ndoshta me një destinacion që në gjithë atë rrugëtim nuk kanë asnjë qëllim tjetër veç se në bekimin e tyre hyjnor të zbusin shpirtrat, ashtu siç e tha Poeti i Shiriazit: Asnjë pushtet nuk vlenë më shumë se një mëshirë dashurie!
Engjëlli Atar…
Ndjeshmëri Njëlloj të Fuqishme
Onore De Balzak i shkruante Z. Evelina Hanskaja, Paris – janar 1833, nga letërkëmbimi i tij prej 17 vitesh me të (ndoshta letërkëmbimi më i gjatë pas atij të Xhorxh Bernard Shout, i cili I shkroi aktores Elen Terry për hiç më pak se 28 vjet):
“Jam kënaqur gjithmonë për t’Ju përfshirë gjithmonë të thuash përherë në të mbeturit e pafat të një populli të torturuar, të një populli që rrallë të ketë qenë i qetë në këtë tokë, ndoshta të një populli që e kanë përzënë edhe nga qielli, por se çdo qenie etij e ka edhe të shprehurit e tij dhe të ndjenjurit e tij që nuk shëmbëllen me të ndjenjurit dhe me të shprehurit e njerëzve të tjerë; e këto janë butësia, gjakimi i shpirtit dhe fisnikëria që është e pranishme më shumë se tek krijesat më të përkryera. Ka diçka të shenjtë bile edhe në frymëzimet e tyre, ka qetësi edhe në afshet. Që të gjithë këta të përndjekur dhe të cfilitur kanë në zërin, në të folurit dhe në të menduarit, diçka që nuk e di se ç’është por që i dallon nga të tjerët, që i lidhë mes veti edhe përkundër distancës, vendit dhe gjuhës: Një fjalë, një fjali, ndjeshmëria që u shfaqet qoftë edhe në të soditurit, sikur janë thirrje të cilave u betohen si bashkatdhetarë të tokës së panjohur, por dhuntitë e së cilës ngjallen në kujtimet e tyre; Ata njihen dhe duhen në emër të Atdheut të tillë të cilin e gjakojnë. Poezia, Muzika dhe Të Besuarit janë Tri Hyjnitë e Tyre, Dashuritë e Tyre më të Mëdha, kusre secila prej këtyre ndjenjave zgjon tek ata edhe tek zemrat e tyre: Ndjeshmëri Njëlloj të Fuqishme…”
Apo edhe siç do të shkruante Jainis Rinis: “Rrjedhshëm si mjalta rrjedhin me bollëk fjalët në arin e errët e të rënduar, bëhen të ëmbla nga lulet dhe të hidhura nga pikëllimi. Të gjitha format në këtë ar jetojnë dhe shpirti tingëllon në këtë poezi memece! E shpirtërave të tjerë: Vetveten ua Dhuron!”
E Bija e Kallogresë
Ernest Koliqi në një nga esetë e tij më të bukur të shkruar për Jeronim De Radën, do të vinte në pah në mënyrë të përmbledhur se De Radës: „Vajza e Kallogresë me buzët e kandshme i recitonte kangë dashnie në gjuhën shqipe; prej këtyne kangëve ai mësonte shprehitë zjarrmuese, t’përshtatshme për me nxjerrë në pah regëtimet e një zemre të trazueme nga tronditja e ambël dhe e beftë e dashunisë së parë. Buzë të trëndafilta vajznore e fjalë mrekullore në gjuhën e moçme të stërgjyshërve, shkëndija sysh të zjarrtë e magji imazhesh ylberore të poezisë shqipe, shkrihen midis tyne. Shqetësimet e ambla të zemrës, të cilat për herë të parë i shijon misteri i dashunisë, ndërthuren me andjen enigmatike e dehëse që ai shijon në fjalët e shqiptueme prej saj e që po asaj ia përsëritë me zjarr n’atë vjeshtë të lumtun. Ai gjithnji kishte folë shqip por pa mund me e hetue veçantinë e kësaj gjuhe, porse tashti ai e gjente menjëherë vetëdijen mbi lidhjet që ajo gjuhë kishte me gjakun që i rridhte ndër deje…
Dhe De Rada, po e përsëris, shijion me një ndjesi të përhershme mahnitjeje këto pamje të reja e të moçme, të cilat i zbulon në përditshmërinë e një jete të zakonshme. Së brendshmi thërret: ‚Po, kjo qenka Shqipnia!’…Fillon dhe vijon poetizimin e vet tue na ba me e ndi Makien si epiqendër të kombit shqiptar…
Bija e Kallogresë merr, kësisoj, vlerën e një simboli pranveror, mishnon idenë e rilindjes shqiptare, përfaqëson alegorikisht gjuhën shqipe të ringjallun në virtytin letrar: asht imazh mitik i vashës Shqipni, të skajueme e të panjoftun…
Me tematikën e frymëzueme nga vrulli i gjakut të tij, Jeronim De Rada hap epokën e krijimtarisë artistike të racës së vet e rrjedhimisht, siparin e letërsisë së kultivueme të Shqipnisë.“
Më e Bukura që ish në Strigari
Kundruall De Radës, Zef Serembe sa lirik është po aq edhe Poet Tragjik. Këngëtari i rrembave të dashurisë, e i thelpinjve të hollë të saj, shkruante duke u prirur nga një frymëzim hyjnor, sepse siç e thoshte vetë: “Lutja dhe Mëshira janë Zana të Natyrshme.” Pafajësia e pagëzimit dhe pafajësia e frymëzimit për Zef Seremben janë një. E megjithatë, Serembe shkruante në shtratin e prehrit të vdekjes! Dashuria e tij është fatale, frymëzimi i tij është sa i papërsëritshëm, po aq edhe tragjik. Megjithatë, Zef Serembe priret të vihet pas frymëzimit në të cilin zemra i pikon gjak, priret pra ta pijë deri në fund kupën e fatit farmak.
Arbëria dhe arbëresha janë dy dashuritë e tij të mëdha. Arbëresha – Më të Bukurës që ish në Strigari. Serembe gjakon për lirinë e të parës dhe ëndërron për dashurinë e së dytës. Arbëria i ndezë mall prej poeti i cili e di mirë se s’ka liri pa pasur atdhe, kurse dashuria ia përvëlon zemrën, sepse duke e pasur të parën përtej brigjeve dhe larg arritjes e përmbushjes së ëndrrës për ta parë të lirë, të paktën shpresonte ta kishte të dytën!
As Arbëria e as arbëresha nuk ia përmbushin ëndrrën, ndonëse që të dyja e frymëzojnë njëlloj.
Sermebe është Paridi i letrave shqipe. Ai është poeti i parë i frymëzimit tragjik të një dashurie të pafajshme dhe të përmasave të pafundshme. Ai është poeti që për dallim nga bardi i lashtë i epeve klasike, mbishkrimin “Më të Bukurës” ia falë një arbëresheje, emrin e të cilës as nuk e tha e as nuk na e la!
Pinjoll i denjë i një kombi të lashtë heroik por të pafat sa edhe vetë poeti, Zef Serembe siç u shkruante “Të shquarve dhe të nderuarve Mr. Kornelius e Mr. Arturus Vanderbilt”, më 25 shkurt 1885 nga Nju Jorku, kishte një gjakim të veçantë në dellin e tij krijues: “duke pasë rifituar gjakftohtësinë dhe qetësinë shpirtërore të viteve të para, në mes të shkëlqimeve të kënaqshme dhe melankolike të perëndimit të diellit, do të mundja t’i përqafoj meloditë e muzës së virgjër shqiptaro – greke me akordet e lira dhe sublime të bardit anglez…”
Ky është portreti i arbëreshës së tij, i asaj që ai na e la si: Më të Bukurës që ish në Strigari: “Dhe Zemra ty mjaft të dëshironte,/ Dhe gjak pikonte, se nuk të takonte/…O mollë e ëmbël që në degëz rri,/ O gozhdë ari që më shpon në gji/…Përse më bën të qaj me ngashërime?”. E poeti është “bilbili bjerrafat”, ai është Narcisi që mbytet në auto-portretin e tij, do me thënë mbytet në lumin e lotëve dhe në lumin e lutjeve që ka për dashurinë e tij të madhe: “Trëndafiles dalë nga gjëmbi, / Që e ka zemrën porsi shkëmbi.”
Serembe dashuron fort sepse së pari e ndjenë dhembjen pastaj përmes dhembjes ai e ndjenë dashurinë. Përmasat e tilla e shtyjnë të japin një portret të asaj që ai e donte aq shumë (poezia Fytyra e saj):
Të krehur mirë, flokët vë si rreth
Gërshetin që shkëlqne krejt në të zi.
Dhe balli lëshon rreze dritë, shkrep
Si grykë e detit agut plot freski.
Të zinj plot me mendim, me amull të thellë
I ndrijnë sytë si hëna mbi pellg
E në mes faqesh i qesh hunda e hollë
Ka buzët si korale, faqet mollë,
Në alabastër derdhur dorë e zverk
Kur buzëqesh të ngre lart gjer në qiell.
Më bukur mund ta ketë përshkruar portretin e një femre, ndoshta vetëm Rapsodi i Dukagjinit, kur pat klithur për Tanushën: E unë, Tanushën e kam pa! Gjë ma t’bukur s’sheh Dielli në këtë tokë!
Më bukur, Serembe është shprehur ndoshta vetëm për Elena Gjikën:
Oh, do vë me timen dorë,
(Me qiellin do merrem vesh)
Yje, yje një kurorë,
Për mbi ballë moj perendeshë! …
Të hapur zemrën ta sillja ndër duar (Serenatë) … vazhdonte kështu kangjelat e mallit të zemrës së tij gjeniu i lirikës shqiptare Zef Serembe, me shpirtin herë në kangjela e herë në sonete, pararendësi i Lasgush Poradeit: Princit të Poezisë Shqipe e Këngëtarit Finok të Dashurisë.
Zef Sermebe është Poeti i Dorëshkrimeve të Humbura, është Poeti i Arbërisë e cila ia kujton se “ne të huaj jemi te ky dhe”, është gjithashtu Poeti i Dashurisë së Plagosur.
Tundimet e shpirtit të tij nuk kanë të sosur: “Me gjak e lagur një shami të vjen, / Me të kam lidhur plagën që sfilit/…Ti, që të desha më fort se sytë.” (Këngë malli); “Hirplotja vashë, ku je, ku rri, ku bredh?/ Ç’po ëndërron, ç’mendon edhe ç’kërkon?” (Kujtim).
Ai është këngëtari i dashuruar, i cili, siç i shkruante Rinisë italiane, shpresonte të arrinte të bëhej: “Zot i hyjnisë në shprehjen e tij të trefishtë, të së Vërtetës, të së Bukurës dhe të së Mirës.” Serembe është poeti që lëshon thirrjen: “Por le të kujtohet çka ka thënë Grossi i ynë i ëmbël për letërsinë: Është një bimësëz e butë, e hijeshme dhe e ndjeshme, që don flladin dhe vetminë, që të mund të zë rrënjë e të përparojë, nuk dëshiron trokëllima dhe keqtrajtime.”
E megjithatë, fati nuk ia ka lejuar një paqe të tillë frymëzimi, sepse poeti e ka shprehur klithjen e shpirtit të tij të hollë lirik: “e dashuria ish gjeniu im” (Atij që desh nga unë varg spontan). Dhe sërish shfaqet porteti mbi të cilin binin një lum lutjesh e një lum lotësh, një grusht pëllumbash në ndërrim motesh (Një vajzë të panjohur refugjate):
Lule e hijshme, mbirë në tokën time,
qielli vetëtin në ballin tënd të pastër
e zemra më rreh fort sa herë më hedh vështrime
e gjoksi im gufon si flaka në një vatër.
Ec e ëmbla flakë e dashurisë së fshehtë
Zbuloje ballin dhe zemrën e zbulo
Nga Buenos Aires, në shkurt të vitit 1897, Sermebe kujtonte me mallëngjim e me një stil të papërsëritshëm lirik: “Gjithë trojet e vendit tim janë hijeshuar me ullinj të lulëzuar, të fuqishëm dhe madhështorë, që i bëjnë çuditërisht piktoreske dhe magjepëse ato vise vetmitare të lindjes sime, të ngazëllyera prej buzëqeshjeve të vetëtimta dhe nanuritëse të deti Jon.”
Ai është poeti që e do lirinë, por edhe lavdinë e atdheut të tij (të shprehur në vjershën Fantazi):
Po qan Shkodra…se flamuri
Otoman po ndrit në diell.
Qielli ftohet, errësohet
Nga një dhimbje mjaft e thellë.
Rrjedh e skuq Drin i përgjakur
Nga kaq plagë e hordhi,
Robëria e pllakosi
Këtë vend me Perëndi.
Po kush e përhapi zjarrin
Nëpër qiell të Arbërisë?
Kush Flamurin e përndriti
Të Skënderit të Lirisë?
Zef Serembe është Orfeu që e kërkonte Euridikën e tij qoftë edhe në botën e nëndheshme (Ushtari i kthyer):
Veshi rrobat më mortore
Vuri velin e trishtimit,
Theu ai harpën gazmore,
Heshtën këngët e gëzimit…
Bukuroshja, shpirtfisnike,
E shkëputur nga kërcelli,
Porsi luleja u fishk,
Vdiq, u shua si ylberi…
Zambakbardha në fytyrë,
E lëmuar – cipë molle,
Ndrin e gjitha si pasqyrë,
Shtatebrishtë prej mënjolle…
Në kupolat e kështjellës
Pikturoi i frymëzuar
Sytë blu të virgjëreshës,
Nën një ballë të mrekulluar…
Vargjet e Zef Serembes janë copa të një mermeri monumental në të cilat ai e shpalosi dashurinë dhe përgjërimin për ate që e donte: “Të dua si agimin e prarur (Një vashëze); “Qerpikut ngriu loti i përvëluar” (Një zotërie kalabrez);
‘o ti e humburës parajsë: Molla më e mirë!
…
Ballët e qëndisur me rreze dielli,
te dritarja jote unë më s’e pashë,
as buzën me atë fytyrë, së cilës i qeshte qielli,
se të errta m’i mbuluan nga tërë anët shumë re.
(Këngë lumturie)
Por një dhembje e thellë dashurie nuk kishte se si të ishte një këngë “lumturie”, prandaj në vjershën Këngë dashurie, lutjet bëhet edhe më subtile:
S’qe bukuria që më rrëmbeu,
jo begatia që më gënjeu,
po jotja zemër mendtë m’i ktheu,
më ngriu gjakun, shpirtin më vodhi…
yll i ndezur mos më harro.
Kujtomë te dita, kur vete e vjen,
kur rri, kur bredh e kur punon,
kujtomë te nata, kur ule e fle,
se unë të vi në ëndërr, të më thuash diçka;
e në se vërtet ti më dashuron,
kujtomë ngaherë e mos më harro.
…
ti rri në paqe, unë në rrufera,
ti rri në gaze, unë në psherrëtimë,
…
Altar në zemër unë të ngrita,
dhe në u rrënoftë, gjendem në Ferr
Dashuria e Zef Serembes është një Këngë trishtimi, në të cilën Ai klithë:
O ballëqëndisura me rreze dielli
Dashuria e Zef Serembes është gjakim dhe frymëzim romantik, që mëton të ngre altar për dashurinë, ndonëse platonike (Këngë Dashurie):
S’qe bukuria që mend m’i shqeu,
As begatia që më rrëmbeu,
po zemra jote dhe mall i valë,
gjakun e ngrirë e ndezi zjarr.
Po të kujtoj në se më do,
dhe njëherë të lutem mos më harro.
Por psherrëtimat e thella të shpirtit të tij nuk janë vetëm për dashurinë. Edhe për Arbërinë, ai kishte ndiesitë më të holla:
Pasi e desha tokën amëtare
Dhe zemra fërgëlloi për Italinë,
Kam qarë nga gëzimi, kur kam parë
Në Romë zot të vetes njerëzinë.
(Një zotërie kalabrez)
Në letrën drejtuar Dhimitër Kamardës, më 30 gusht 1871, Serembe në shkrimet e tij projektonte të ardhmen e Shqipërisë: “Se kur të fryjë veriu dhe ta shkundë Shqipërinë, kështu që përsëri do ta shihte veten Zonjë (dhe jo më skllave) në ditën e re të lumtur (të kërkesës dhe të revolucionit liberal dhe kombëtar të të gjithë popujve)”. Pra përkundër jetës e cila i ngjante me një “det gjithë helme”, përkundër jetës në mjerim dhe varfëri (“Shita pallto e mantel për të jetuar gjatë udhës…familjen e gjeta të shterruar të hollash nga shkaku i mungesës së bukës së këtij viti”), Zef Serembe Shqipërinë e donte: Zonjë!
Zef Serembe është poeti i madh lirik, i cili e ka parandier fundin e tij: “Do të zhdukem si meteor!” Ai është Poeti që si rrallëkush e shprehu me aq qartësi shprehjeje dhe me po aq dlirësi shpirti, vuajtjen për dashurinë e plagosur (vjersha Virgjëreshës Shën Mëri):
I grisa gjunjët edhe gjuhën e thajta
sytë nga lotët që derdha m’u thanë,
ma therën shpirtin, zemërën ma vranë,
e se keq e më keq pë ditë vajta.
Dita më helmon, kurse nata më vret.
Pa dyshim se pyetja që shtrohet është kjo: Ku ishte Ajo që ia shkaktonte gjithë ato vuajtje, që nuk ia ndiente gjithë ato lutje, që ia këpuse gjithë ata lot? Përgjigjen na e jep vetë poeti:
“…I xixëllojshin sytë dhe qeshja që të rrëmben i rrëshqet prej goje; i shkrepën floku dhe i ndriçon balli si qielli i zbukuruar me yje…” dhe më tej një shpalosje tjetër e kujtesës së gjallë:
“Pa papritur pashë një vashë drite: ishte e purpurt si trëndafili dhe dashuria i rrinte afër. Ajo vinte duke ndjellur një rosë dhe duke i thënë Papare!
Shpirti më rilindi, dhe një flakë m’u ngjall në kraharor…Ndoqa gjurmët e saj, që dukej si hënë e ndritshme, edhe e pashë në buzë të thoshte: Papare! I pashë gojën prej së cilës i dilte mjaltë, sytë që shuanin yjet dhe ballin e mendueshëm që errësonte qiellin.
Shpërndava mendimet e mia të trishtueshme, harrova brengat: u vura të qesh e jeta më ngjau e bukur.”
Zef Serembe e ka dashur jetën dhe se jeta i ngjante e bukur vetëm kur Ajo ishte pjesë e jetës dhe e frymëzimeve të tij, por, siç e ka thënë me vargjet e tij: “Aspak s’iu ëmbëlsua fati i hidhur”, sepse: “Përballë të ligut fat, nuk vlen qëndresa”, dhe se: “As Zoti i mëshirës nuk ka mëshirë.” Një rreth vicioz, një çark i mbyllur, kahdo furtunë e fatit të pafat! Duro zemër, gjakun ma qëlloi fati! Kështu do klithe Shehrezadja në 1001 Netë. Duro zemër, e duro! Sa duroi, mali me borë! Kështu do të klithte Jeronim De Rada.
Në mes Arbërisë dhe arbëreshës, Zef Serembe ka dhembjen, mallin dhe përgjërimin e përjetshëm. Në ballin e soneteve të tij të papërsëritshme, ai vuri ballin e më të bukurës në Strigari. Poeti strigarioten e qau me lot! Iu lut Qiellit e Tokës, drurit dhe gurit! Ajo kishte emigruar bashkë me familjen në Brazil, për kafshatën e gojës e për shkak të varfërisë, e Serembe për të ishte gati të shkonte edhe në skaj të botës. Lotët si lum e lutjet si lule bien mbi zemrën e saj…
Zef Serembe, me ndihmën e Elena Gjikës, hyri edhe në oborrin perandorak të Brazilit, por aty u ndesh me Mbretërinë e Djallit, e ai gjakonte Mbretërinë e Dashurisë dhe ate të Artit.
Ironia e fatit e deshti që dorëshkrimet t’i humbnin në Francë, por edhe gjetiu. Zjarri i pashuar i dashurisë e çoi drejt çmendisë: Ai vajti pas asaj, edhe në Amerikë, edhe në Argjentinë, e edhe në Brazil. Në Nju Jork, në Buenos – Aires dhe në San – Paolo.
Gjeniu i lirikës shqipe, u shua në një çmendinë të San Paolos: 31 dhjetori i vitit 1901. Një krizë nervore, pastaj çmendia! Ai ishte poeti që dashurinë e kishte ushqyer si Nositi zogjtë e vet – me gjakun e tij, dhe se ai ishte poeti që kishte ikur, ashtu siç kishte parandier: Me qiellin do merrem vesh!
Vetmi kozmike, ku s’ishte askush tjetër, pos: Ai dhe Ajo!
Në qoftë se për Shqipërinë, ai do të klithte: “Në shpirt të Arbrit gjëma prap gjëmon”, për Më të Bukurës në Strigari, ai do të klithte: O BALLËQËNDISURA ME RREZE DIELLI. Por ky nuk është epitafi për Zef Seremben! Një dashurie të tillë, asgjë nuk do t’i rrinte më bukur se mbishkrimi nga Një zemër në gur (tek romani i Viktor Ygosë Të Mjerët):
“Ah sikur të isha bashkë në një varr, e të kisha qoftë edhe vetëm pranë gishtit tënd të vogël të dorës sate – dorën time, kjo do t’i mjaftonte Amshimit!”
Asgjë më bukur se kjo klithje (sa patetike po aq edhe sentimentale) e heronjve të romanit të Ygosë, nuk do t’i shkronte për shtati përmasave të një dashurie serembiane.
Por në filokserën e çmendurisë së dashurisë së Zef Serembes ka diçka tepër të veçantë. Poeti arbëresh ka kaluar në Buenos Airesin e Borhesit, për të cilin është thënë se arti është ajo çka pa Borhesi kur u verbua. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dashurinë e Serembes: Dashuria është ajo që pa Serembe kur u çmend!
Zef Serembe është edhe poeti kryengritës. Ai është poeti që i prinë kryengritjes së engjëjve. “Një lëvizje e çuditshme drite”, në sytë e tij bëhet pika orientuese e gjithë kësaj. Ai nuk e kishte “luksin” që do ta ketë pasardhësi i tij lirik Lasgush Poradeci, i cili për dallim nga Zef Serembe, do të vente pas “hollandezes leshverdhë” nga Aeroporti i Tiranës e ngado që shkonte ajo, udhëtim ky me aeroplan që u shndërrua në Vallen e Yjeve.
Zef Serembe është Poeti i Parë i Letrave Shqipe që Çmendet pas Dashurisë! Ai nuk bën vetëvrasje, dhe se siç thoshte Lsgushi, letërsia shqipe është ndoshta e vetmja ku nuk ka vetëvrasje poetësh a shkrimtarësh. Ka vuajtje, burgje, atentate ndaj poetëve dhe shkrimtarëve, por fatbardhësisht nuk ka vetëvrasje.
Zef Serembe është poeti, të cilin si lexuesit, ashtu edhe kritikët, e pyesin ende: Kush ishte Ajo? Të paktën, nuk na e the: si quhej, si e kishte emrin?! Serembe ndoshta do të kishte lënë një përgjigje sikur të mos e kishte parandier fundin e tij. Ai çmendet sepse çmendet edhe zëri i dhembjes. Çmendet sepse çmendet edhe shiu i shpirtit në dashurinë e pafat. Por tek Serembe ka diçka që nuk e gjejmë as tek poetët e mëdhenj. Dante tha për Beatriçen: O gjaku im, o hir i Zotit,/ dikue me aq mbushëllim,/ kujt si ty,/ i qenë hapur dy herë Portat e Qiellit?! Petrarka, shkroi për Laurën se: Dielli shoi yjet,/ e Ajo shoi Diellin! Për dyzet vjet Laura e sfidoi Dashurinë e Poetit, dhe se për dyzet vjet, Petrarka nuk ia tha asnjë fjalë që nuk do t’ia duronte letra. Franc Presherni, poeti romantik slloven e mjeshtër sonetesh, thuhet se në Portretin e Julia Primicovës e përfytyroi: Slloveninë e Përparuar! …
Zef Serembe shkoi më larg se të gjithë! Ai nuk besonte se Ajo nuk ishte më në këtë botë. Ai s’e donte për zemrën sa e donte për shpirtin. Ai nuk besonte se Ajo s’ishte më, sepse Ai e donte ate me gjithë shpirtin dhe me zjarrin e pasionin e tij krijues, e donte: Përjetësisht sa dhe Pafajësisht. Prandaj, Zef Serembe çmendet, jo vetëm pse nuk realizohet dashuria e tij, jo vetëm pse Më e Bukura që ish në Strigari e bëri zemrën gur e shkëmb, por pikërisht pse përpara lumit të lotëve që dalin nga dy dritat e syve të tij gjithë shkëlqim, ai sheh një pamje ndoshta nga më të pamundurat qoftë edhe për t’u imagjinuar: janë pikat e shiut që ngjajnë me lotët e zemrës së Poetit, prandaj përballë një dhembjeje të tillë dhe përgjërimi të pafund, në filokserën e çmendurisë, Ai sheh se si Engjëjt zbresin dhe ngjiten Qiellit (me të cilin Ai merret vesh) duke përdorur lotët si litarë! Dhe për më tepër se kaq, Zef Serembe Çmendet më së shumti, kur projekton, kur përfytyron, kur imagjinon në ekstazën e mendjes e cila veç e kishte kryer misionin e parathënë që në ballin e soneteve të vinte ballin e saj (e ku pa dyshim vetëm Hëna e kishte fronin), kur projekton pra se ndoshta edhe pas tre mijë vjetësh, e edhe pas viteve që maten me yjet, ai ishte Kryengritësi i Parë që i Printe Kryengritjes së Engjëjve:
Më të Bukurës në Strigari, Zef Serembe ia kishte falur epitetin të cilin Homeri në heksametrat e tij e shpalosi tek miti grek. Strigariotja nuk i ndjeu kurrë lotët e shpirtit të tij të madh, ashtu siç nuk i ndjeu as Beatriçja e Dantes, as Laura e Petrarkës, as Julia Primicova e France Preshernit! Ato, secila në mënyrë e vet, u patën dhënë fund shpresave të poetëve, e vdekja u jep fund jetës së të katërtave, me çka dhembja e dashurisë bëhet edhe më e madhe, bëhet fatale.
Më e Bukura që ish nga Strigari e çoi deri në fund sfidën e saj dhe e bëri zemrën guri. Ajo nuk i ndjeu kurrë lotët e Zef Serembes, por ishin engjëjt ata që për hir të pikave të shiut të një shpirti sa finsik po aq edhe romantik, e ndjenë dashurinë e madhe të poetit të madh lirik dhe si në një vegim hyjnor pikërisht për shkak të një shiu të tillë që dilte nga shpirti, pikërisht pse ai e deshti aq shumë, aq pafajësisht dhe aq përjetësisht, engjëjt më parë pranuan të ndëshkoheshin vetë se sa të ndëshkohej Më e Bukura që ish në Strigari – që të mos mbetej përgjithmonë përpara Portave të Parajsës!
Ndryshe, Zef Serembe nuk do të mund të realizonte kurrë dashurinë e tij të madhe, tragjike e platonike, por mbi të gjitha dashuri aq fisnike e njërit prej poetëve më të mëdhenj që ka dalur nga portat tragjike të dashurive të mëdha.
Kjo ishte pika ku Zef Serembe e përjetoi tragjedinë e tij, si dhe çmendinë e tij, dhe se kthimi i tij ishte i pashmangshëm! Konstatntini qe kthyer për të sjellur Doruntinën. Zef Serembe po kthehej për ta takuar sërish Më të Bukurën në Strigari! Ai e dinte se kthimi do të ndodhte, herët a vonë. Se a do të kthehej si Kalorës i Letrave a si Kalorës i Plagosur i Dashurisë, kishte pak rëndësi. Se a do të kthehej nga Amerika, nga Argjentina, nga Brazili, nga Deti Jon, apo se a do të kthehej në pyetjet që do të bënin studiuesit e letërsisë dhe shkrimtarët me lexuesit në Tiranë a në Prishtinë, se a do ta takonte Strigarioten tek Ura e Psherrëtimave, se a do ta pranonte apo do ta sfidonte Ajo sërish, se a do ta lente t’i përgjërohej e t’i lutej qoftë edhe vetëm një herë, gjithashtu kishte pak rëndësi.
Megjithatë, për dallim nga epi grek, ai kishte vënë të njëjtin mbishkrim Më të Bukurës, por dallimi ishte edhe më i thellë. Pa dyshim që kishte më shumë vuajtje, por nuk kishte gjak. E përjetshmja që kishte projektuar Serembe, mbante edhe mbishkrimin Më të Dashurës, e që hapjen e portave të syve të saj, e krahasonte me portat e parajsës… Duke përshpëritur përgjërimin e përjetshëm Të Dua me Shpirt (pika tjetër pse Serembe – Çmendet, meqë i thonë se Ajo – Dashuria nuk është më dhe se praktikisht ai nuk mund t’ia thotë ate që e ndjente e për të cilën i lutej me shi shpirti), Sermebe po çmendej sërish!
Ndryshonte vetëm koha. Frymëzimi ishte po ai. Klithja po ajo: Ndonëse më pandehnin të çmendur dhe ndoshta po aq edhe të harruar, jam kthyer në rrugëtimin e largët, të gjatë, sa edhe të mundimshëm. Pavarësisht se nuk kam as bust dhe as përmendore, jam kthyer: që t’ua them Emrin e Saj! Ua thashë se do të ikja si meteor, dhe se po kthehem në heshtje, pa bujë dhe pa zhurmë, sepse unë nuk u kam kërkuar kurrë asgjë, kurse ju më kërkonit gjithmonë: Emrin e Saj!
Atij i thonin kot se Ajo nuk ishte më! Në përfytyrimin që përpunonte mjeshtri i sonetit, Ajo – Bukuroshja në Sheshin e Trëndafilave, kishte shkuar për të fjetur!
Duke rendur pas saj, Zef Serembe e ndiqte yllin e zemrës së tij!
Më të Bukurës në Strigari…
Një Emër me Zemër Dielli! …
Tanusha e Sokol Halilit
E unë Tanushën, e kam pa! Send ma të bukur nuk sheh nën Diell! Në eposin e kreshnikëve, ajo herë do të shafqet si zanë e herë si shtojzovalle. Tek Lasgush Poardeci ajo do të shfaqet si Ana X. me vizitat e saj në kullën e tij prej fildishi. Tek Ismail Kadare do të shfaqet në po të njëjtat përmasa, por edhe si Margarita në mes trëndafilave “e bukur gjer në mrekulli” , në romanin Kronikë në Gur.
Nga Zana në Kullën e Malësorit
e deri tek
Ana X. në Kullën e Lasgush Poradecit
Ismail Kadare e zbërthen Mitin e Zanës në një qasje tjetër: “Në prozën mitologjike shqiptare tregohet për një malësor të ri, të cilit çdo natë nisi t’í vinte në kullë një zanë. Kjo nuse e bënte ate të lumtur, me kusht që ai të mos fliste për të, ndryshe do ta humbiste gojën. Por malësori nuk e përballoi dot tundimin dhe e këmbeu një çast çlirimi, d.m.th. rrëfimin për zanën, me memecllëkun e përjetshëm” (Ftesë në Studio)…
Zonjës Shqipe Lasgush Poradeci
Lasgushi e ndjenë vetminë dhe dhembjen e heshtjes në po ato përmasa në të cilat e ndjente dhe e shprehte dhe Gëte: Mërzi – Nënë Muzash! Por, siç e ka thënë prapë Gëte: Perëndia nuk m’i morri të gjitha! Të paktën, edhe Lasgushit ia kishte falur një rreze shprese, ndaj ai duke e identifikuar dashurinë me atdheun – Shqipen e tij me Shqipërinë e tij, do të shkruante:
“Zonjës Shqipe Lasgush Poradeci, Durrës. Tiranë, më 16 Nëntor 1939, ora 10, 5’ natën,
Shqipja ime e dashur,
Jam i lumtur që po e shkruaj letrën e parë me emrin Shqipe, të dëshëruar prej meje dhe të pranuar me aq gëzim dhe kryelartësi prej teje vetë. Më je lutur kaq herë të të shkruaj me këtë emër, nuk të shkrojta gjerë më sot sepse nuk e dinja mirë në e pranon nga gjithë fuqia e shpirtit t’ënd. Lutjet e tua të përsëritura më dhanë arësye të t’a përmbushë dëshirën më në fund sot. Ky është emri yt i vërtetë tashti e paskëtaj, do t’a mbash me mall dhe me durim, është simboli i pavdekur i atdhedashurisë s’onë, bashkimi më një i shpirtrave t’ona kështu të përvëluara.
Shqipe! T’a dish sa gëzim, sa ngushëllim më falë ky emri yt i ri! Si më ra mua ndërmend! Pse e prite ti me aq dashuri? Desha të çmall një mallin t’im të brendshmë, t’a kem Shqipërinë gjithnji të gjallë dhe të bukur dhe si nuse e re që është, t’a kem përpara syve të gjallë në veten t’ënde, prandaj më ra nërmënt ashtu. Ti e prite ashtu si mendove gjith si mua, je gjith vetëm Shqipëri, trup i pastër prej vashe shqiptare dhe shpirt fisnik shqiptar, je kështu drita jonë e të dyve në dashurinë e të shentit Atdhe.
Mbaje tashi këtë kurorë me mburrjen t’ënde të dashur, është themeli i bashkimit t’onë kombëtar, kulmi më i lartë i dhembjes dhe i gazit dhe i ëndrrës s’onë së përzemërt atdhesore…”
“Lasgushi Dashuron Fatalisht dhe Perëndishëm”
Lasgush Poradeci, pa dyshim se është këngëtari më i hollë lirik i rrembave të dashurisë. Lirizmi i tij ashtu si i pararendësit të tij të madh Zef Seremebes, por në mënyrën më të veçantë ashtu si edhe lirizmí i De Radës shpalosin një shpirt sa të ndieshëm, po aq edhe delikat. Lasgushi, në rrëfimet që ia ka shpalosur Petraq Kolevicës, ka bërë të ditur se sa ishte student në Vjenë, rrinte pa ngrënë – vetëm e vetëm që të kursente ca para për të blerë rrobe të bukura, në mënyrë që vajza e cila e mësonte gjuhën shqipe nga ai, të mos thoshte se ja, Lasgushi s’paska rrobe të hijshme. Ironia e fatit deshti, që në Atdheun e tij, për 25 vite ai i kishte vetëm një palë rrobe! Ai që për 15 vite shkroi e latoi, gdhendi e stilizoi vetëm 14 poezi. Ai mjeshtri í rrallë i poezisë shqipe. Ismail Kadareja ka shkruar me aq mirënjohje kur ka thënë se Lasgush Poradeci ishte njeriu më modest që kishte ecur ndonjëherë rrugëve të Tiranës.
Lasgushi qe dashuruar pas një holandezeje bjonde dhe e ndoqi ate me aeroplan nga Aeroporti í Rinasit e deri në Bukuresht, dashuri që e shndërroi pastaj në Vallen e Yjeve. E pararendësi i tij, poeti arbëresh Zef Serembe e kishte pirë deri në fund kupën e helmit të jetës së tij (siç ka shkruar me të drejtë Rexhep Qosja në Dialogje me Shkrimtarët). Serembe kishte vajtur pas të dashurës së tij deri në Argjentinë dhe në Brazil, sa shëndetin e tij e pat shembur dhembja për dashurinë, apo siç do ta thoshte vetë, ai kishte rënë viktimë e poshtërsive të kohës. Një dashuri e madhe shpesh ka qenë edhe një dashuri tragjike, dhe se një shpirt delikat, shpesh i pakuptuar apo edhe i injoruar, di të projektojë përmasast e pafundshme të një dashurie ideale a platonike, si fjala vjen: Dante, Petrarka, Presherni a Serembe.
Pafajsinë dhe dlirësinë, madhështinë dhe bukurinë e një dashurie e cila shpesh sa e pafajshme mund të interpretohet edhe si e pafalshme – për Lasgushin dhe madje jo vetëm për te, e ka mbrojtur askush më mirë se sa studiuesi Dr. Ardian Kyçyku:
“Lasgushi ishte një qenie poetike e shajnitur nga fshehtësitë e vetëqenies. Poeti flet me gojën e hyjnores dhe anasjelltas…Muzgu i Poradecit është muzgu i përhershëm, i falur nga Zoti…Poradeci kthehet. E di se kthehet në një far ferri, por atij nuk i shkon për shtati parajsa e huaj…Mërgimi – ndëshkim me prejardhje hyjnore. Për Lasgushin ky është ndoshta bekimi më i madh i jetës së tij…Ai e shmangu tiraninë e identitetit të përkohshëm duke u mirëkuptuar përzemërsisht me njeriun që mbarti drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes. Vetmi kozmike në të cilën vetëm Zoti ia di shqipen…Vetmia e Poradecit është një tjetër përmasë e heshtjes së tij, një përmasë e hyjnores brenda tij…Sa herë heshtë duhet kuptuar se po kuvendon me Zotin, me gjuhën që vetëm ata dy e dinë…Lasgushi është kalorësi më i hijshëm i dashurisë…Lasgushi dashuron fatalisht dhe Perëndishëm. Lasgushi dashuron fatalisht dhe jashtë çdo parashikimi…Për herë të parë heshtë falas, gadi i shndërruar në shpirt…Smira endet në kërkim të një rivali si Lasgush Poradeci. Lasgushi ishte nga raca e atyre që lindin vetëm një herë, në një gjuhë të vetme. Do të harrohet edhe ai njëherë, por vetëm në u harroftë gjuha shqipe.”
Pafajësia e Dashurisë
Në romanin Ahmet Koshutani: (“Libri që dua më së shumti” – siç e ka pohuar shkrimtari Ramiz Kelmendi) sikur e ka skicuar vetë portretin e Tanushës së Sokol Halilit: “Vajza kish një fustan të bukur me vija, flokët i kish lëshuar si rëndomë, ata flokë të saj të zez, por në majë të kokës kish vënë një fjongo të bardhë dhe dukej edhe më e re nga sa ish. Tani kisha marrë dorën e saj të vogël dhe e mbaja në timën, duke luajtur me gishtërinjtë e saj të hollë e të gjatë, me thonjtë që i mbante me kujdes.”
Vallë, kush më bukur se Ramiz Kelmendi ka ditur ta thurë pafajësinë për dashurinë: “Ajo kërkoi vetëm një akullore, e unë kisha qejf me ia dhanë krejt një ambëltore!” (Rrëfimi Xhita në Qiell). Ja që ka pasur të drejtë Gëte kur thoshte se: Një dashuri e pafajshme nuk e lëndon, por e gëzon Perëndinë! Ramiz Kelmendi i ka besuar dhe i beson thënies së madhe të Gëtes, se femra është: kurora e krijimit!
Ulqinakja: E Lumja Ajo!
Dy janë shkrimtarët, tek të cilët Ulqinakja ka ushtruar ndikim dhe ka ngjallur frymëzim të veçantë. Në letërsinë spanjolle tek Miguel de Servantes Saavadera, dhe në letërsinë shqipe tek Ramiz Kelmendi. Përderisa për të parin mund të shtrojmë pyetjen se vallë a ka qenë ulqinakja ajo që e shtyri të thoshte atë shprehjen e famshme: “midis po-s dhe jo-s së një femre, nuk guxoj të fuse as gjilpërën”, i dyti na ka lënë përshtypjet e tij të paharruara: “Një ulqinake sa e këndshme aq edhe e mençur”, siç do të shprehej me mallëngjim shkrimtari, duke vazhduar: “Është shumë e vërtetë se dashuria, lindja dhe lidhja me letërsinë e ka zanafillën pikërisht siç thatë – jo në NDONJË gocë, po te – NJË GOCË. Madje edhe ajo – ulqinake. Ndaj edhe më i pari tregim në jetën time u frymëzua nga ajo dhe mban titullin Barka e peshkatarit. Isha student asokohe dhe një – djalë i dashuruar.”
Edhe Miguel Servantes de Saavadera, e edhe Ramiz Kelmendi kanë qenë njëlloj të bekuar, sepse dashuria ndaj ulqinakeve, e them me modesti, i ka bërë që të dy prozatorë të shquar, ndërsa fjollësia e fjalëve më të cilat ata kanë shpalosur edhe ndiesitë e tyre më të holla, gjithsesi na kujton edhe poetët më të talentuar.
Ulqinakja: E Lumja Ajo! …
Unë flas shpesh me sytë e saj
Duke qenë njëri prej shkrimtarëve të parë shqiptarë, i cili e futi shiun si metaforë në tregimtarinë e tij poetike (Shiu dhe Lotët është tregimi me të njëjtin titull, dhe se shiu e lotët janë si vëllezërit siamezë në tregimtarinë poetike të Ramiz Kelmendit, janë si dhembja dhe dashuria – pra si dy motra binjake), duke qenë shkrimtari i cili ka ditur të depërtojë aq thellë në botën e syve (për shembull në gdhendjen e portretit të Lumnijes, në rrëfimin Thellë janë rranjët, bota e syve shfaqet me butësinë e pikave të shiut: “Unë flas shpesh me sytë e saj”, apo duke e përshkruar Zojën si vajza më e lakmuar në Rugovë për “sytë e saj të bukur, sytë e saj të shkruar” tek romani Heshtja e Armëve; apo edhe duke e përshkruar Mona Lizën në udhëpërshkrimin me titull Letra nga Parisi: “Më joshin mbi të gjitha, sytë e saj, një palë sy që mbeten enigmaë ndër shekuj…Sy që qeshin…Luvri është muze muzesh. Luvri është Parajsa”, duke qenë shkrimtar tek i cili emocionet kalojnë nga truri e drejt tek zemra (siç e ka pohuar vetë), Ramiz Kelmendi e ka shtruar pyetjen enigmë: si e ka pasur emrin “e dashura” e Zef Serembes?
Pse Zef Serembë as nuk na e tha, e as nuk na e la emrin e saj?
Më e Bukura që ish në Strigari. Kaq tha Serembe si rikujtimi i thënies së poetit të lashtë persian se asnjë pushtet nuk vlenë më shumë se një mëshirë dashurie. Në një persiatje të tillë Lasgush Poradeci thoshte se profesorët e letërsisë i thonë të gjitha, poetët nuk i thonë!
Si ligjërues i letërsisë, Ramiz Kelmendi ka dashur jo vetëm t’i thotë të gjitha, por edhe t’i shpaloste të gjitha, që t’i dimë ashtu siç duhet: të gjitha. Mundësisht, të gjitha.
Zef Serembe i goditur nga pena e fatit të pafat: As Perëndi e Mëshirës, Mëshirë nuk ka! Poeti që e piu deri në fund kupën e fatit farmak. Princi Tragjik i Poezisë Shqipe. Gjarpri do të zbukurohej në dhembjen time! Një thënie si kjo e Tomas Manit në romanin Dr. Fausti, i përshtatet aq shumë dashurisë tragjike të Zef Serembes.
E ndërsa Ramiz Kelmendi shtronte një pyetje të tillë, në një tribunë letrare të organizuar në Prishtinë (pas Pranverës së Përgjakshme të Vitit 1981) me rastin e përurimit të një vepre studimore për letërsinë e periudhës së Romantizmit, pyetjes tjetër se vallë a mund të shfaqej prapë romantizmi në letërsi, bashkëkohanikët u përgjigjen shkurt dhe ftoht: Jo!
Bashkëkohanikët sikur kishin harruar paralajmërimi që kishte bërë Gaetano Pikoni: “Romantizmi s’i ka dhënë fund vdekjes së vet e as që do të pranojë kurrë të vdes plotësisht, sepse ka shumë poetë që ndjejnë dënesje dhe klithje në fyt.”
Një Ulqinake, sa e këndhsme po aq edhe e mençur
Dante Aligerit ia hijeshonte vargjet Matelda Hyjnore në Lumin e Lethes në Komedinë Hyjnore, Ernest Koliqit do t’ia trazonte gjakun dhe do t’ia ngjallte frymëzimin Matelda Ilire tek Kroi i Bardhanjoreve, e Ramiz Kelmendit: Ulqinakja.
“Ai edhe dashurinë e parë ëndërrore, edhe librin e parë e kish pasur për një ulqinake dhe Ulqinin! Ankohej se Ulqini e kish harruar! Bukuroshja, – e bukur edhe sot, – ish aty në Sheshin e Skllevërve”, do të shpaloste kaq hijshëm kujtimet e tij poeti Xhevahir Spahiu në shkrimin Udhëtimet e mia me poezinë.
Një Ulqinake, sa e këndshme po aq edhe e mençur. Ky është portreti i saj të cilin me pak fjalë na e ka dhënë Ramiz Kelmendi. Përveç se e dehte me zërin e saj si një magji skofiare e si krojet gurgulluese të parajsës, pa dyshim se Ulqinakja është një nga ato për të cilat thuhet se emri iu rrëfye engjëjve, se drita e syrit është më e bukur se drita e diellit, se engjëjt nuk iu ndanë në vetminë e saj dhe se mbuluan me fletët e tyre, se buzët janë perdet e gjuhës, se veshi është si fener që i çon fjalët në zemër, se syri është si porta ku rrijnë gjërat që shkojnë drejt e në zemër, se bartë dy diej mbi supe, se butësia është një këmbë mbarësie, se me një dashuri aq skofiare sikur e lajmërojnë edhe mirësinë engjëllore, se të tillës edhe Zoti vet ia zbret një engjëll në zemër ndaj edhe frymëzimi për te është një engjëll që rri përherë në anën e djathtë të zemrës, prej ku dalin fjalët e perlave të këngës popullore: Edhe gurët e sokakut, për ty, për ty, po këndojnë; përmbi degë, përmbi degë të qerpikut tënd, do të ulem të pushoj…
III
PAGËZIMI MË I BUKUR NË LETRAT SHQIPE
Mirësia Engjëllore
Por pagëzimi që do të falte Ramiz Kelmendi as nuk do të niste këtu, e as nuk do të mabronte këtu. Duke ia hequr pluhurin si askush më parë letërkëmbimit të rilindasve tanë, ai pa dyshim se është prekur thellë por edhe është frymëzuar njëlloj tek e ka nxjerrur nga pluhuri i harresës një nga shprehjet dhe një nga epitetet më të bukura në të gjithë kulturën kombëtare shqiptare, të cilin Jeronim De Rada do t’ia falte Elena Gjikës, duke e quajtur ate: MIRËSIA ENGJËLLORE E ZEMRËS SUAJ!
Bir i shekullit të dritës, Fransua Mary Arue Volteri do të përdorte shprehjen: kur ia dhanë trupin dhe shpirtin perënditë, për vete ruajtën vetëm pavdekësitë! Por De Rada, një pavdekësi të tillë do ta mbillte mu në zemër, prandaj nuk ka dhe nuk mund të ketë Pagëzim më të bukur! Nuk ka dhe nuk mund të ketë nderim më të madh që mund të meriton një emër dhe një zemër.
Duke përjetësuar visaret dhe thesaret mendore e shpirtëtore të një kombi:
Migjen, Visar, Nita, Arbresha…
E megjithatë, Ramiz Kelmendi kishte kohë që ishte vënë në kërkim të një Pagëzimi. Kalorës i hijshëm i letrave dhe arteve, ai do të ngritej kështu në lartësitë e një misioni sa fisinik po aq edhe bujar, e të cilin koha ia kishte ngarkuar sa simbolikisht po aq edhe me modesti me peshën e saj mbi supe.
Shkrimtari i cili e ka thënë me krenarinë e tij të ligjshme prej klasiku të gjallë por edhe prej rilindasi se: Mendoj dhe shkruaj shqip, do të vendoste që emrat shqip të zëvendësonin emrat e huaj. Çlirimi i gjuhës është edhe çlirimi i tokës, prandaj ai nuk do të lejonte që Lulja të quhej: Sulltane!
Ramiz Kelmendi ka dashur që duke nderuar me respektin më të thellë, por edhe me kulturën e veçantë dhe me dhuntinë e rrallë traditën kombëtare, të përjetësonte visaret dhe thesaret mendore e shpirtërore të kombit tonë, madje në atë mënyrë sa edhe i ka pagëzuar fëmijët e tij nga një pikënisje e tillë.
Duke pagëzuar me emrin Migjen, Ramiz Kelmendi ka gjakuar për të përjetësuar dashurinë e tij të madhe dhe tepër të veçantë për njërin prej poetëve më të shquar të letërsisë shqipe.
Duke pagëzuar me emrin Visar, Ramiz Kelmendi ka gjakuar për të përjetësuar visaret dhe thesaret shpirtërore të kombit tonë.
Duke pagëzuar me emrin Nita, Ramiz Kelmendi ka gjakuar për të nderuar njërin prej shkrimtarëve më të shquar të Arbëreshëve të Zarës, por edhe njërën prej kryeveprave të Josip Relës e edhe të dramaturgjisë shqiptare, me po të njëjtin emër.
Zemrën e kemi t’arbreshtë!
Duke pagëzuar me emrin Arbresha, Ramiz Kelmendi ka gjakuar për të përjetësuar dashurinë e tij për Arbëreshët e Italisë, për Arbëreshët e Greqisë e për Arbëreshët e Zarës, madje deri në ato përmasa sa zemër-klithjen e Jeronim De Radës: Gjaku i Arbërit po Shkon, Ramiz Kelmendi që në takimin e tij të parë me Arbëreshët e Italisë, e shndërron në zemër-thirrjen e re: Gjaku i Arbërit Rron!
Zemrën e kemi t’arbreshtë! Fjasim arbërisht. Këndojmë arbërisht…Po zien. Po vlon. Po gurgullon…Të përmend më parë lotët e gëzimit apo këngët dhe vallet arbëreshe…Gjaku i Arbërit, këto ditë po vlon. (Me Arbëreshët e Italisë: Shtegtimet e mia & Nga Ditari Im, tek i ka vizituar ata në vitin 1978).
Pagëzimi dhe Përjetësimi:
Duke pagëzuar Fakultetin e Gazetarisë me emrin Faik Konica, Ramiz Kelmendi ka gjakuar për të përjetësuar me obeliskun e tij një pjesë të mohuar padrejtësisht, e që përbën majat e kulturës shqiptare në penën brilante të Princit të Gjuhës Shqipe.
Ramiz Kelmendi është pa dyshim shkrimtari që e njeh jashtëzakonisht mirë anatominë krijuese të shkrimtarëve shqiptarë, vijat dhe vrragët e jetës së tyre, pasionet dhe tundimet, frymëzimet e tyre letrare por edhe zhgënjimet e tyre, ai i njeh edhe dashuritë e tyre në përpjekjet e rralla për ta zbëthyer kodin e fshehtë që la tek ta mbretëresha e zemrave!
Pagëzimi për Dritën
Një ndër faqet më të bukura të shkruara, pa dyshim është ajo për Rugovën si një Pagëzim për Dritën, të cilën e do aq shumë dhe të cilën e futi edhe në veprën e vet letrare:
“E gëzoi me lot Rugova sot dasmën e vet të madhe: nguljen solemne të shtyllës së parë, që do të sjellë dritë edhe në ato bjeshkë krenare.
Pashë koshutanasin në Haxhaj, edhe plakun e Drelajve, edhe shoqin e tij të Rekës s’Allagës, me të vetmet mburroja të kokës së tyre dinjitoze e të mustaqeve burrërore – shallat karakteristike – tek u shkonin lotët çurg n’ato ditë shiu e dasme mes pishash e rugovasish që preknin qiellin.
Derdhi lot gëzimi sot Rugova. Edhe qielli me të bashkë. Lot e gaz. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çojnë përpara.
Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës…”
Pagëzimi për Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare
Shkruajeni, u thoshte Bajroni ligjvënësve anglez të kohës së tij, drejtësinë e vendimeve tuaja me gjakun tuaj – si ligjvënësit e Athinës!
Shkruajeni si Mbishkrim atë Monumentin e Papërsëritshëm, kur foli me 25 nëntorin e vitit 1982, si: “Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror, “tempull mbi tempuj”, “vatër mbi vatra” është Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës”, të cilën me të drejtë e ka pagëzuar edhe vetë “si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuarve si unë”. Ai pra me të drejtë e ka quajtur tempullin e dijes, “faltore shpirtërore”, e “tempull të rritës sonë”, “faltore e tempull dritëdhënës”, ku do të shërbente literatura e gjërë, e për të cilën ai ka cituar Franc Kafkën ta ketë quajtur literaturën “ditari i një populli.”
Shkruajeni, sepse: “Nuk ka kulturë pa th e m e l i n e saj: gjuhën amnore”, siç thekson Ramiz Kelmendi duke bërë thirrje që ta mësojmë njëlloj edhe gjuhën amtare, ashtu si edhe gjuhët e huaja, nga njohja e të cilave doemos “të rritet zemra, të kënaqet shpirti”, por duhet mësuar edhe gjuhën e nënës…
Mbretëresha e Skenës: Melihate Ajeti – Meli
Rexhep Qosja do ta shkruante dramën Vdekja e Një Mbretëreshe që ajo të luhej enkas nga një aktore si Melihate Ajeti – MELI (vallë çka ka pasur Me West më shumë prirje që t’i frymëzonte pilotët amerikanë që emrin e saj ta bartnin me vete?!)…
Ramiz Kelmendi për aktoren e madhe Melihate Ajeti, në librin e tij Kokrra Kripe, me pak fjalë të përzgjedhura si ca margaritarë vezullonjës, do ta skaliste të mermertë figurën e një aktoreje të papërsëritshme në hapësirën shqiptare: “Meli i Maries. Maria e Melihate Ajetit. Është një tjetër rruzë smeraldi në xherdanin e kësaj aktoreje të madhe. Edhe një tjetër lule në kurorën e saj të begatë me dafina.”
Pagëzimi për Ofelinë
Ramiz Kelmendi do të shkruante një nga Poemat e tij më të bukura për njërën prej aktoreve më të talentuara të kohës: Drita Boshnjaku. Ai do ta pagëzonte ate me emrin aq të bukur: Ofelia.
Shkruajeni gjithashtu të ardhmen e Teatrit Kombëtar, me fjalët që nderojnë çdo aktor e çdo aktore, ate që pa hezitim mund ta quajmë Poema për Ofelinë:
“Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe.
Ca nga këto i fali për kujtim.
Ca i fali për mejtim.
E unë po i fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë.
Një kurorë me dafina për të parin hap të saj.
Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali.
Një kurorë me dafina për të nesërmën e saj.
Paç nder, prandaj, moj Ofeli, e mirë se na erdhe!
Edhe – mirë ardhësh!”
Shkruajeni qoftë edhe vetëm një herë, se po shfaqet pas aq kohe, të paktën monodrama Dantes nuk ka kush t’i shkruajë! (e cila po u kthye në një tekst poetik, pa dyshim se do të jetë për një kohë të gjatë në ballë të reportoarit të Teatrit Kombëtar).
Shkruajeni si pjesë të shfaqjeve të dramaturgjisë kombëtare, të cilën sa ishte Ramiz Kelmendi në krye të Teatrit, kishe se çka të shikoje….
Çafrë borxhi kam?!
Pyetja e pritshme: “Çfarë borgji kam?!”, merr përgjigjen që nisi me futjen e shiut si metaforë në tregimtarinë poetike të Ramiz Kelmendit, e që në nderim të Zef Sermbes dhe të dashurisë së tij të madhe (ashtu si në rastin e zemër-klithjes së De Radës për gjakun që po shkonte), Trishtimin e Zef Sermebes: AS PERËNDI E MËSHIRËS, MËSHIRË NUK KA! Ramiz Kelmendi nëpërmjet Pagëzimit më të bukur – si një ndër kronikat më të bukura që gdhend shiu në kalldrëmet e kujtesës, ia ka falë një mëshirë tepër të rrallë dhembshurie, ia ka falë pra poetit që në një vegim poezie e veshte me vello nusërie një engjëll perëndie: o ti e humburës parajsë: Molla më e mirë!
Ramiz Kelmendi në vlerësimin e njërit prej dishepujve të tij mendor dhe shpirtëror – Ernest Koliqit, është shkrimtari i cili “përshtypjen ta len të gdhendur në shpirt”, ndërsa me pagëzimin e tij më të bukur, ashtu siç do të shkruante Salih Kabashi, e ka dëshmuar se “sa e hirshme është gjuha shqipe. Sa e hyjnueshme.”
Ramiz Kelmendi e ka filluar krijimtarinë e vet poetike dhe letrare, duke e pagëzuar penën e tij me pseudonimin Hija e Lirisë (tek botonte tek gazeta Drita e Lirisë), e ka themeluar dhe pagëzuar me një emër sa poetik po aq ede domethënës, teatrin e poezisë Sofra, e ka pagëzuar Faik Konicën si “mendimtari më i madh i botës shqiptare”, e ka përjetësuar aq shumë emrin e dishepullit të tij duke e pagëzuar Fakultetin e Gazetarisë me emrin Faik Konica (dhe ashtu siç do të përkulje Dante përpara Virgjilit, ashtu siç do të përkulej Bajroni në Ravena përpara Dantes, Ramiz Kelmendi do të përkulet përpara Faik Konicës si përapra Jakup Brahimit), dhe ashtu siç i kishte pagëzuar De Rada personazhet e poemave të tij (edhe duke ua vënë për tituj emrat e tyre) si: Rina, Imotoe, Parayllja, Vantisana, Nasta, Agata e Provatës, Diana, Serafina Topia, Anamaria Kominiate, Adina, Videlaida e të tjera; ashtu siç do ta pagëzonte poeti arbëresh Françisk Anton Santorin njërën nga kryeveprat e dramaturgjisë kombëtare, me ermin poetik Emira, ashtu siç do ta pagëzonte përmbledhjen e tij poetike poeti arbëresh Zef Skiro di Maxhoi, me titullin Orëmira, Ramiz Kelmendi do të ndiqte një traditë të njëjtë të emërtimit/pagëzimit të personazheve me konotacione poetike, pra nëpërmjet emrave i thërriste të së nesërmes që do të vinte: Lulja, Shpresa, Fatmirja, Afërdita, Bukurija, Vera, Eliza, Besa, Shota, Zoja, Bege, Vakja, Diana, Suzana, Merita, Florina, Drita, Shpresa, Zoja, Zelka e Bukur, Shqipja, Lumnija…Emra të bukur kanë vetëm femrat e bukura! (Xhita në Qiell):
Pejanja
Peja e fëmijërisë së tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen krijuese të Ramiz Kelmendit: “Si shpjegohet kthimi kaq i vonë kah vendlindja, kah fëmijëria…Sa tregimi, sa romani, sa drama me një të vetmen temë: Peja. Më afër: pejani. (Po pejanja? Pse jo edhe pejanja? Kush druan të shkruan për pejanen?). “
Ramiz Kelmendi e ka dashur Gjakovën dhe fati nuk ia ka kthyer shpinën, prandaj edhe dashuria për Gjakovën iu ka përjetësuar: “Vendlindja ime, po, është Peja. Por, venddashja ime është Gjakova.”
Pagëzimi më i Bukur në Letrat Shqipe
Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje për Heshtjen e Armëve, dhe Kuvendi i Pajtimit të Gjaqeve tek Verrat e Llukës, ia ka plotësuar edhe këtë dëshirë, tek i ka parë të tubuar gjysëm milioni shqiptarë – si kurrë më parë.
Stevan Cvajg besonte fuqishëm se libri është porta e botës. Për Ramiz Kelmendin libri është hyjni e dijes. Për te bota e librit është si bota e syve të bukur: përjetësisht frymëzonjëse. Dante thoshte se dashuria i mëson njerëzit për të parë tek veprat krijuesin e tyre: Zotin. Ulliam Foulkneri me rastin e marrjes së Çmimit Nobel do të thoshte se njeriu është i pavdekshëm sepse ai ka një shpirt të aftë për mëshirë. Ernest Koliqi shprehej: Urti – Hyjni e moshës së pjekun, vetëm ti na shpëton. Ramiz Kelmendi ka besuar dhe beson se shiu është bekim, është mëshirë hyjnore, është shpëtim…
Ernest Koliqi për Faik Konicën, ka thënë aq hijshëm se ai kishte një ligjërim fjollor dhe se fjalët i shndëronte në diamante. E në një ndër pyetjet ndoshta më komplekse të shtruara ndonjëherë, është ajo për Zef Seremben. Një pyetje që rri ende e trishtë përmbi jetën e Ergjendit të Poezisë Shqipe, siç është qujatur me të drejtë Serembe. Duke e bërë pagëzimin e tij më të bukur, Ramiz Kelmendi vetvetiu ishte përgjigjur në pyetjen enigmë të letrave shqipe.
Një pagëzim i tillë ishte parathënia e parathënieve, dhe sërish si në një koincidencë të çuditshme, një pagëzim i tillë nga më të bukurit: sa i thërrsite kujtesës historike, po aq trokiste edhe në portat e letrave shqipe.
Një pagëzim i bukur ngjan me një vetëtimë të mëndafshtë e me lenta ylberi. Një emër me zemër dielli!
Ramiz Kelmendi ka një pagëzim nga më të bukurin, një pagëzim fjollor të cilin pa dyshim se mund ta ketë kërkuar nëpër shekujt letrarë, dhe të cilin e ka gjetur tek e ka sjellur sa e sa herë nëpër kapilarë e nëpër stendat e muzeut karhëror, dhe të cilin vetvetiu na e tha si një alkemi fjalësh e emrash që shëndrohen shekujve në një diamante të vetëm, në një margaritar aq të rrallë vezullonjës sa dhe frymëzonjës:
Kush druan të shkruan për Pejanen!?
Nga Bukuroshja në Sheshin e Trëndafilave tek Bukuroshja në Sheshin e Skllevërve; nga Ulqinakja tek Pejanja…Hasjanja: Më e Bukura Sibilë (Pjetër Bogdani)
Mund të thuhet kushtimisht se poetit, filozofi dhe atdhetari Pjetër Bogdani, mbase bëri përpjekjen e parë që Dheut të Arbërit Nuse Malesh, t’ia falte një nga vellot më të bukura të poezisë lirike shqipe: Veshur me Diell, Mbathur me Hënë! Në kapërcyejt e shekujve koha gjeti tek pena e madhe e Jeronim De Radës (“kronologjikisht i pari ndër tre poetët më të mëdhenj me gjak dhe gjuhë shqiptare”-Ernest Koliqi) të Bijën e Kallogresë, të përfytyruar në përmasat e një vajze mitike. Zef Serembe bëri përpjekjen e radhës që e Bukura që ish në Strigari, të kalonte caqet e një dashurie romantike e të shtrihej tejpërtej Arbërisë së tij të dashur matanë detit. Arbëresha për te ishte vetë Arbëria, ashtu si për poetin romantik e po aq tragjik slloven France Preshernin: Julia ishte Sllovenia, dhe anasjelltas. Naim Frashëri në panteizmin e tij do ta identifikonte bukurinë me Perëndinë! Faik Konica do të klithte: Unë jam Shqipëri, unë jam Dashuri! Një poet tjetër, me origjinë nga Peja, Mehmet Akif Pejani (Mehmet Akif Ersoy – 1813-1936), autori i Himnit Kombëtar të Turqisë, me origjinë nga fshati Shushicë e Pejës, vinte dhe e vizitonte shpesh Pejën e tij të dashur, por njëkohësisht ai kishte dhe një arsye tjetër që ta vizitonte Pejën: të paktën ta shihte qoftë edhe vetëm hijen e asaj të cilën e donte dhe për të cilën gjakonte. Lasgush Poradeci, poeti i thelpinjve të hollë të dashurisë i cili me 16 korrik 1978 në Poradec, në Vizitat e Zonjushës Ana X. në Kullën Time, do të shkruante: “Ajo më bëri ta ngjëroj ambrozinë e perëndishme dhe të pi nektarin e perëndishëm!”), jo rastësisht do ta kërkonte gjeografinë e entisë së Shqipëricë atje tek buron Drini – në Radac të Pejës; poeti tjetër pejan, Emrush Myftari (i pushkatuar si një patrioit zemërzjarrtë, më 21 dhjetor 1945 në Tauk Bashqe) do ta kërkonte Beatriçen shqiptare tek Lulja e Rugovës. Në vjershën Beatriçes Shqiptare, ai do të shkruante: “Unë po të isha bletë, / do të fluturojsha me krah t’lehtë.” Poeti Muhamet Kërveshi, në një nga poezitë e tij, Pejën do ta quante “Bukuri e Shumëllojshme.”
Është e qartë se përderisa Jeronim De Rada e bënte Makjen një qendër shqiptare, Peja është vënë prej kohësh në kërkim të një Betariçeje, prandaj nuk është aspak befasuese pse do të thuhet: “Atë ditë m’u përzien romani me realitein” (Në Lulishten e Qytetit), apo: “Emra të bukur kanë vetëm vjazat e bukura…Një gurrë e kandshme dhe e freskët prej saj, nisi me ujitë shqisat e mija të lulëzueme në këtë ditë të bukur…Kurrë s’kam besue se ekzistojnë dashuri që lindin në shikim të parë…Madje dëshirojsha edhe frymë me marrë si ajo.” (Xhita në Qiell)…
Me pagëzimin e tij më të bukur në letrat shqipe, Ramiz Kelmendi po hapte siparin e një letërsie e cila si në një reth të habitshëm përsëritjesh ku asgjë nuk është e rastësishme, do të vinte së pari si një frymëzim i pafajshëm dhe mëpastaj edhe si një përgjërim i përjetshëm, në përmbyllje të aktit final të cilin poeti i tij më i dashur Migjeni, veç e kishte pagëzuar: “në agim të shekullit të ri.”
Pagëzimi më i Bukur i Ramiz Kelmendit.
Pa dyshim: Pagëzimi më i Bukur në Letrat Shqipe.
Strigariotja?
Ulqinakja?
Pejanja?
MADJE DËSHIROJSHA EDHE FRYMË ME MARRË SI AJO! …
Stefan Cvajg i cili e ka quajtur “symprehtë e mendjendritur” birin e shekullit të dritës, ka shprehur njëkohësisht gjithë ndjenjën e respektit, të mirënjohjes dhe të admirimit: Nëse do të harronim t’i shprehnim nderimin Volterit, nuk do të ishim të denjë për liri.
Le të thuhet e njëjtë gjë edhe për Pagëzuesin e Brezave.
Pagëzimi: Frymëzimi më i Pafajshëm!
Poema e Madhe e Letrave Shqipe!
“VESHUR ME DIELL, MBATHUR ME HËNË!”
NJË EMËR ME ZEMËR DIELLI! …
* Fragmente nga Libri: RAMIZ KELMENDI DHE PAGËZIMI MË I BUKUR NË LETRAT SHQIPE
(Vëllimi i V-të i Monografisë Studimore: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i Letrave Shqipe, II – E Bukura dhe e Madhërishmja në Penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit, IV – Ramiz Kelmendi dhe Porosia e Tij e Madhe, V – Ramiz Kelmendi dhe Pagëzimi më i Bukur në Letrat Shqipe, VI – Ramiz Kelmendi për Shkrimin dhe Shkrimtarët)