Ekspozitë retrospektive e Blerim Luzhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës/
-“Puhi freskuese mes petalesh” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë – ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në një ceremoni me shumë pjesëmarrës/
-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI-organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, Behlul Jashari, ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, nga e cila raportoi/
-Media e Kosovës: Ekspozita e artistit Blerim Luzha, spektër artistik plot ngjyra e florë pranverore/
PRISHTINË, 25 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ “Puhi freskuese mes petalesh”, ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
“Blerim Luzha ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni”, u shpreh kuratori Shyqri Nimani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku theksoi “punën rreth gjashtë dekada art e bukuri”.
Shyqri Nimani për Blerim Luzhën ka shkruar: “Rëndësi parësore për të ka zhvillimi i perceptimeve të ndryshme të përdorimit të ngjyrës, yrnekut, trajtës dhe vijës, herë me kompozicione multiplikative, herë me trajtime asimetrike e herë-herë edhe me shfryrje të lira shpirtërore. Në këtë mënyrë autori përcakton filozofinë e konceptimit të krijimtarisë vetanake sipas parimit ‘simbiozë e traditës dhe e kontemporanes me vlera të mirëfillta’. Kështu, gjatë frymëzimeve nga flora natyrore krijohet një vargan me glosar të gjatë të luleve nga më të bukurat dhe nga më të llojllojshmet…:
“I urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha drejtoresha e Galerisë, Arta Agani, duke shtuar se disa nga veprat në ekspozitë janë të para shumë vitesh, “por çuditërisht janë bashkëkohore”.Artisti me studime e specializim edhe në Paris, Luzha nuk ka folur për veprën e vet, derisa pjesëmarrësit e shumë në hapje të ekspozitës, të cilët i falënderoi, shihnin në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe “dizajnimet me një spektër të frymëzuar piktural që ka aromën e florës së lulëzuar pranverore”.Ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës “Puhi freskuese mes petalesh” do jetë e hapur për një muaj, deri në 24 prill 2017.
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI- organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, për të cilën ka raportuar edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.
Media kosovare vlerëson ekspozitën, KultPlus ka shkruar:
EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE
Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.
Arbër Selmani
Çka panë sytë e tij nëpër Paris, në Beograd e në qytete tjera ku qëndroi për vizita studimore, kjo duke u ndërlidhur edhe me kontaktet e tij me piktorin Ibrahim Kodra, dashuria për natyrën por edhe ajo për artin si diçka që nuk ka fund, sollën lule e petale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Frymëzimi nga flora i doli në lule: në lulekëmborë, në luleshpatë, zogparajse, në orkide e në tulipanë, në luledielli e jasemin, jo më pak krizantemë. Blerim Luzha erdhi i tëri i kompletuar dhe me sekuencën e krijimtarisë së tij në ekspozitën retrospektive, sonte në kryeqytet.
Ekspozita retrospektive e artistit u hap në praninë e artdashësve të Luzhës. Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës tregoi për ekspozitën e cila sjellë në retrospektivë punën e artistit.
“Së pari i urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare si kurator i koleksionit. Veprat që po i shihni sonte kanë elemente nga art nouveau e deri te op-arti, me teknike të jashtëzakonshme dhe dizajn të veçantë. Disa prej tyre janë punuar para shumë vitesh por çuditërisht janë bashkëkohore”, tregoi Arta Agani në hapjen e ekspozitës.
Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.
Shyqri Nimani, kuratori i ekspozitës, derisa foli mbi jetën e artistit tregoi se ai i përket plejadës së shkollarëve që u larguan për studim në Akademitë e mëdha të Beogradit, Parisit, Ljublanës e Beogradit por u kthyen për të kontribuuar në vendin e tyre, shkruan KultPlus.
“Dhe e vërteta është se u kthyen në këtë vend, pasi specializuan në vende të ndryshme. Për Luzhën, është interesant se ai pati afinitet me Francën, artin e këtij shteti dhe e vizitoi shpesh Muzeun e Luvrit atje. E kjo ekspozitë që është hapur sonte, në fakt është koincidencë që po mbahet pikërisht në Javën e Frankofonisë në Kosovë” tregoi mes tjerash Nimani, në fjalën e hapjes së ekspozitës “Puhi freskuese mes petalesh”.
Kuratori Nimani pohoi në hapjen e ekspozitës së artisti Blerim Luzha, me punën e tij që kapë rreth gjashtë dekada art e bukuri, ka krijuar një floriadë të madhe, me trajtat, elemente, e me ngjyrat që ka përdorur.
“Ai ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Për ata që janë sonte këtu ose edhe ata që do të kenë rastin ta vizitojnë studion e artistit, gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni” thotë mes tjerash kuratori Shyqri Nimani.
Vetë artisti duke përshëndetur familjen dhe bashkëpunëtorët, sidomos bashkëshorten e tij, nuk ka dashur të flasë mbi veprën e tij, por vetëm është falënderuar për të pranishmit që e çmojnë dhe kësisoj e vlerësojnë karrierën e tij, një pjesë e mirë e së cilës erdhi e shpalosur në muret e Galerisë Kombëtare, nga e premtja e 24 marsit.
Blerim Luzha është ndër krijuesit e rrallë shqiptarë që tërë karrierën e tij ia ka kushtuar fushës së tekstileve. Krijimet e tij në Cikli i dezenëve shquhen për imagjinatën e pasur të stilizimeve të motiveve florale me kolorit gamash të ngrohta e të freskëta dhe me struktura atraktive.
Luzha ka punuar në projektet për pëlhura dekorative, për pëlhura të veçanta, të mëndafshit, të pambukut dhe për veshje solemne. Dy vite përfundon specializim në Paris ndërsa udhëtimet e tij studimore janë realizuar në Gjermani, Francë, Çeki, Belgjikë e në shtete tjera.