NGA ILIR HASHORVA/New York/
Disa kohë më parë u përkujtuan dy masakra: 70 vjetori i masakrës së Borovës, të kryer nga nazistët dhe 65 vjetori i masakrës së Mirditës, të kryer nga komunistët. Përkujtimi u bë në mënyra krejt të ndryshme. Në rastin e parë pasardhësit e kriminelëve nazistë kokulur kërkuan ndjesë, në rastin e dytë pasardhësit e kriminelëve komunistë festuan kryelartë.
Masakra e Borovës ndodhi më 6 korrik të vitit 1943. Një autokolonë e madhe ushtarake gjermane ishte nisur nga Serbia, kishte kaluar nëpër Greqi, kishte hyrë në territorin shqiptar në Korçë dhe prej aty do të shkonte me shpejtësi drejt jugut, me qëllim, ndoshta arritjen në Greqi, për t’u bërë ballë forcave anglo-amerikane që mendohej se do të zbarkonin në jug të Greqisë. Gjatë rrugës, autokolona ndaloi në fshatin Borovë, nja 5 kilometra larg Ersekës. Drejtuesit e autokolonës biseduan me parinë e fshatit për të marrë vesh nëse kishte ndonjë rrezik rruga që do të bënin më tej. Paria e fshatit i siguroi se rruga nuk kishte asnjë rrezik dhe autokolona u nis duke përshëndetur parinë dhe fshatarët. Pak kilometra nga fshati, kur autokolona një pjesë të saj e kishte ende në Borovë, një pritë partizane, në vendin e quajtur Barmash, qëlloi mbi të duke vrarë e plagosur disa gjermanë dhe, pastaj, duke ia mbathur, e la fshatin nën hakmarrjen gjermane. Pas atij aksioni, autokolona u ndal dhe kreu një masakër mbi fshatarët e Borovës, duke vrarë pa dallim mbi 100 veta që nuk kishin asnjë lidhje me pritën partizane. Nuk dihet nëse ata u vranë si hakmarrje sipas rregullit gjerman që për çdo gjerman të vrarë do të vriteshin dhjetë të tjerë, apo të zemëruar nga prerja në besë e banorëve të fshatit që u thanë se rruga ishte e lirë. Nuk dihet, po ashtu, nëse partizanët kishin apo jo dijeni për bisedimet që kishin bërë në Borovë gjermanët me fshatarët dhe për garancinë që kishim marrë prej tyre për sigurinë që do të kishin në rrugë. Nëse partizanët e dinin se ç’kishte ndodhur në fshat, përgjegjësia e tyre për vrasjet e kryera nga gjermanët ishte shumë e madhe.
Masakra e Mirditës ndodhi më 17 gusht të vitit 1949. Më 7 gusht të atij viti u vra, nga grupimi antikomunist “Komiteti i Maleve”, Bardhok Biba, eksponenti më me rëndësi i komunizmit në Mirditë. Komiteti i Maleve, njëlloj si prita partizane e Barmashit, më pas ia mbathi, duke e lënë zonën nën hakmarrjen komuniste. Trupat ushtarake komuniste, nën urdhrat e Mehmet Shehut, bastisën me egërsi krejt zonën e Mirditës, arrestuan mbi 300 persona nga burrat më me ndikim të zonës dhe çuan në internim 300 familje, të gjithë pa asnjë lidhje me vrasjen e Bardhok Bibës. Nga personat e arrestuar, nga një gjyq i shpejtë i kryesuar nga Bilbil Klosi, u dënuan 14 veta me vdekje: 10 me pushkatim dhe 4 me varje. Në vendin ku qe vrarë Bardhok Biba, në Qafë të Valmirit, komunistët mblodhën mbi 2000 mirditorë për të parë ekzekutimet që do të kryheshin: këtë shfaqje të kriminalitetit dhe sadizmit komunist. Prej të arrestuarve, pak më pas, vdiqën nga torturat dhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin e të vrarëve për vrasjen e Bardhok Bibës në 17 veta. Në këtë mënyrë, komunistët shqiptarë ia kaluan për nga kriminaliteti edhe nazistëve gjermanë. Ka edhe një masakër tjetër komuniste edhe më mizore se ajo e Mirditës: është masakra që u krye me rastin e hedhjes së një sasie dinamiti në Përfaqësinë Diplomatike Sovjetike e cila nuk shkaktoi dëme në njerëz e, për të cilën, komunistë vranë 22 veta që nuk kishin fare lidhje me hedhjen e dinamitit, midis të cilëve edhe një grua, por masakra e Mirditës, për nga lloji, është më e ngjashme me atë të Borovës.
Ndryshimi midis masakrës së Borovës të kryer nga nazistët dhe masakrës së Mirditës të kryer nga komunistët është se ndërsa e para u krye në kushte lufte, në kushte kur njeriu kryen veprime që nuk i kryen normalisht në kushte paqeje, masakra e dytë, ajo komuniste e Mirditës, u krye në kushte paqeje. Ndryshim tjetër është se ndërsa e para kryhet nga një ushtri kundër një populli të huaj, masakra e dytë kryhet nga një ushtri kundër popullit të vet.
Të vijmë në kohën e sotme.
Në vitin 2013, me rastin e 70 vjetorit të masakrës së Borovës, erdhi nga Gjermania djali i njërit prej ushtarakëve nazistë që mori pjesë në atë masakër. Ai kishte lexuar në kujtimet e të atit për atë masakër dhe erdhi në Shqipëri dhe, para banorëve të zonës ku u krye masakra, kërkoi ndjesë në emër të të atit. Atë njeri nuk e dinte kush se ekzistonte dhe nuk mund ta vinte njeri para përgjegjësisë morale që të vinte e të kërkonte ndjesë. Megjithatë, ai erdhi, kërkoi ndjesë për atë që kishte kryer i ati i tij dhe në atë mënyrë u paraqit si një njeri që dënonte veprimet kriminale të të atit, si një njeri që ishte krejt ndryshe nga i ati. Një vit më pas, me rastin e 71 vjetorit të masakrës, shkoi po në atë vend ambasadori gjerman në Shqipëri dhe kërkoi edhe ai ndjesë në emër të popullit dhe shtetit të tij.
Në vitin 2014, me rastin e 65 vjetorit të masakrës së Mirditës, komunistët shqiptarë përkujtuan me ceremoni vrasjen e Bardhok Bibës, pa thënë asnjë fjalë për vrasjet dhe persekutimet që kryen paraardhësit e tyre mbi popullsinë e zonës së Mirditës si hakmarrje për atë ngjarje. Kjo është njëlloj sikur në Borovë të mos vinte djali i atij që mori pjesë në masakër, por të vinin djemtë e atyre që u vranë nga njësiti partizan komunist dhe të përkujtonin vrasjen e tyre.
Po e ndërpresim këtu shkrimin dhe po bëjmë një digresion të shkurtër, por të nevojshëm, për të vazhduar më pas për temën që nisëm:
Sa më primitiv të jetë njeriu, aq më shumë del në krah të species së tij, të llojit të tij, pavarësisht nëse specia e tij, lloji i tij, ka të drejtë apo jo. Një njeri i plotë, një njeri i moralshëm, nuk niset kurrë nga interesi i tij apo nga ai i të ngjashmit në lloj, për të përcaktuar qëndrimet. Tek ai instinkti i mbrojtjes së llojit, gati është shuar dhe është gjallëruar së tepërmi ndjenja e mbrojtjes të së drejtës dhe së vërtetës. Në këtë kuptim, kur ne nuk jemi të gatshëm të kritikojmë apo të dënojmë të afërmin tonë që ka kryer një krim, tregon se jemi ende në fazë primitive të zhvillimit njerëzor.
Kur është fjala për qëndrime ndaj të panjohurve, ndaj atyre që janë larg, përdorimi i kriterit të së vërtetës dhe të së drejtës, ndofta kryhet pa shumë vështirësi por, kur është fjala për interesa vetjake, për interesa të të afërmve, për interesa të të njohurve, për interesa të familjarëve, një njeri i zakonshëm e ka të vështirë të mos jetë përkrah tyre edhe kur ata nuk kanë të drejtë, pra e ka të vështirë të jetë i drejtë, të dalë në krah të së vërtetës. Ky qëndrim është instinktiv dhe rrjedh në përgjithësi nga natyra e njeriut e cila është në shërbim të mbijetesës së llojit.
Në një shkollë fillore amerikane u bë një vëzhgim për të vënë në dukje qëndrimin e fëmijëve ndaj njerëzve të tyre, qëndrim që do të tregonte nëse fëmija, i cili nuk është ndikuar ende nga kultura apo mjedisi, pra njeriu në formën primitive, vepron më shumë në bazë të ndjenjave, në bazë të instinkteve, apo në bazë të parimeve të drejtësisë. Të gjithë fëmijëve të shkollës iu dha nga një pyetësor në të cilin bëheshin këto pyetje: 1. A mendoni se duhen dënuar ata që prodhojnë drogën? 2. A mendoni se duhen dënuar ata që shpërndajnë drogën? 3. A mendoni se duhen dënuar ata që përdorin drogën? Të gjitha këtyre pyetjeve nxënësit e vegjël iu përgjigjën me një “po”. Për ta, të gjithë këta njerëz duhej të dënoheshin. Pyetja e fundit që u bëhej nxënësve ishte: Në qoftë se prodhuesi, shpërndarësi apo përdoruesi i drogës është: babai, vëllai, kushëriri apo shoku juaj, a mendoni se duhet dënuar? Kësaj pyetjeje gati të gjithë nxënësit iu përgjigjën “jo.”
Të vijmë aty ku e lamë:
Veprimet e gjermanëve të sotëm, ndonëse shtypi shqiptar i përshëndeti, janë ende krejt të pa perceptueshme për mendësinë, kulturën dhe ndjenjat tona. Duhet të jesh njeri me kulturë të vlerësimit suprem të së vërtetës, me kurajë morale dhe me ndjenja të forta fetare që të veprosh në atë mënyrë, gjëra që te ne ende mungojnë. Sjellja e gjermanit, e djalit të nazistit, në mediet shqiptare u interpretua më shumë si një dëshmi e fajësisë së gjermanëve, si një rast i pafajësisë së partizanëve, si një rast për të vënë në dukje martirizimin e banorëve të fshatit, sesa si një vepër e shkallës më të lartë të karakterit moral të gjermanëve të sotëm, si një dëshmi e denazifikimit të Gjermanisë së sotme. Ky veprim, përveç të tjerave, duhej të shërbente edhe për të bërë të mendonin mirë pasardhësit e kriminelëve komunistë që kanë persekutuar, torturuar e vrarë mijëra shqiptarë gjatë sundimit të tyre dhe t’i bënte të vepronin edhe ata si gjermani dhe si gjermanët. Këtu nuk kam parasysh pasardhësit e familjes së Enver Hoxhës, të cilët edhe sot e kësaj dite janë të bindur se sistemi kriminal që krijoi e zbatoi i pari i tyre ishte më i miri e më humani në botë, as ata që ishin dhe mbetën komunistë e mizorë, por kam parasysh njerëz të tillë si Gramoz Pashko, si Ardian Klosi, si Bashkim Shehu, si Edi Rama e shumë e shumë të tjerë si këta, të cilët e paraqitën dhe e paraqesin veten si demokratë, si kritikë të ashpër sistemit komunist, si kritikë të atij sistemi mizor e gjakatar, si kritikë të atij sistemi që ndërtuan dhe mbajtën me gjak prindërit e tyre të cilët persekutuan, dënuan, torturuan dhe vranë njerëz krejtësisht të pafajshëm.
Do të thoni ju, mirë të tjerët, por ç’ne Edi Rama, i ati i tij nuk ka qenë as gjykatës, as prokuror, as hetues kriminel, as anëtar i ndonjë skuadre pushkatimi, as spiun sigurimi, ai ka qenë artist. Po është e vërtetë, por ai ka qenë edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe si i tillë ia donte posti të vinte firma vdekjeje për persona që do të ekzekutoheshin. Do të thoni ju përsëri se firma e tij ka qenë formale, se ata që ishin caktuar për t’u vrarë, do të vriteshin me apo pa firmën e tij. Po. Kjo është e vërtetë, por ai megjithatë mban përgjegjësi. A e dini se me ç’kusht mori përgjegjësinë e të qenit anëtar i regjencës gjatë kohës së pushtimit gjerman Patër Anton Harapi? Përveç të tjerave ai vuri kushtin që të mos pritnin prej tij asnjë firmë për dënimet me vdekje.
Do të thoni prapë: sa para bën, si të kërkojnë ndjesë si të mos kërkojnë ndjesë pasardhësit e kriminelëve, ata që u çuan drejt vdekjes nuk do të ngjallen. Po edhe kjo është e vërtetë: ata nuk do të ngjallen, por pasardhësit e kriminelëve do të tregonin me atë rast se nuk ishin si prindërit e tyre, se ata tashti janë të ndryshëm prej tyre, se ata kanë kryer brenda vetes dekomunistizimin, se atyre u vjen vërtet keq për ata që masakroi komunizmi. A dini se ç’thoshte Gandi për lutjen? Lutja që bën dikush, nuk ndryshon planet e Zotit për të, por ndryshon vetë atë që lutet. Edhe kërkesa e ndjesës nga pasardhës të kriminelëve nuk do të ç’ bëjë atë që bënë paraardhësit kriminelë, por do të ndryshojnë vetë ata që luten për ndjesë, njeriun e sotëm, fëmijën e prindit kriminel.
New Jork, nëntor 2014 ILIR HASHORVA