Nga Arjan Th. Kallço/
Panorama e botës sot nuk është ajo e viteve të shekullit të kaluar, as e shekujve të kaluar, ku shpesh herë në emër të hegjemonive kombëtare, të hegjemonive racore, apo hegjemonive politike ndodhnin përplasje të mëdha mes fuqive për interesa të caktuara ekonomike. Një nga kapitujt më mizorë të përplasjeve mes tyre kanë qënë luftrat dhe në veçanti Lufta e I dhe e II botërore ku u shpalosën në plan ndërkombëtar të gjitha egërsitë e regjimeve dhe diktaturave ushtarake të kohës. U vranë, u gjymtuan dhe u plagosën miliona njerëz, u shkatërruan qytete, trashëgimi dhe punë e brezave që vetëm luftrat janë në gjendje t’i bëjnë. Një goditje të madhe mori edhe kultura me pasojat e pallogaritëshme të shkatërrimit që preku jo vetëm anën materiale, por edhe atë shpirtërore të popujve. Ajo kulturë që iku me luftrat është praktikisht e parikuperueshme, e paprodhueshme, e patransmetueshme. Kush llogariti vetëm interesin ekonomik, duket se harroi të vlerësonte se bashkë me të do të luftohej edhe e gjithë trashëgimi kulturore që krijon një popull. Në kohët e sotme të tjera kushte po e degradojnë kulturën, të tjera mjete po e shkatërrojnë atë, të tjerë njerëz në dukje të qytetëruar po e marrin në qafë. Edhe kjo është një luftë, por jo në dimensionet e përplasjeve me armë, por me të njëjtin efekt shkatërrues. Jemi dëshmimtarë sesi gjuhë dhe kultura në të gjithë botën po zhduken në emër të dominimit të një kulture që vetë krizat ekonomike, poltike dhe shpirtërore po përcaktojnë rrjedhën e ngjarjeve. Zgjidhja në shumë vende të prekura nga kriza po sheh gërshërën e buxheteve të bjerë fort mbi të. Por nuk ndalet këtu, pasi të tjera ide të çmendura po i serviren kulturës dhe këto jo pa qëllime, si privatizimi i tyre gjoja në emër të mbrojtjes. Zëri i intelektualëve të shquar për rrezikshmërinë e shkatërrimit duke se bie në vesh të shurdhër në qeveritë përkatëse të cilat para krizave janë dorëzuar gjithmonë. Edhe pse sot më shumë se kurrë po kërkohet një vlerësim dhe ruajtje e kulturës nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, po shohim se plagët e vetëvrasjes po bëhen më të mëdha. Në këtë vorbull kaotike edhe Shqipëria nuk mbetet pas, ku edhe pse datat e rëndësihme të shpallura edhe nga Unesco-ja proklamohen dhe përkujtohen me forcë, shkatërrimet janë në rend të ditës, pak e nga pak çdo ditë të vitit asistojmë në humbjen e shumë vlerave të pallogaritëshme kombëtare. Në tunelin e errët shqiptar duket se një dritë shprese po hapet nga qeveria, por jemi ende larg nga mënyra sesi vendet rreth nesh apo edhe më larg përpiqen ta ruajnë dhe zhvillojnë kulturën. Është një mallkim tipik i yni që hamë vetveten sidomos në kohët e turbullta të tranzicioneve dhe kjo duket qartë në të gjitha këto vite ku dora e njeriut që e ndërtoi, po e zhduk në emër të një injorance që është mbjellë dhe po mbillet rëndom në shoqërinë tonë. Shoqëria është familja e madhe ku individët së bashku kanë një rol të madh jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor, pasi jemi të gjithë bashkë që krijojmë trashëgiminë tonë kombëtare e më tej botërore. Nëse brezat nuk do të jenë në gjendje ta ruajnë atë që shekujt krijuan, atëherë do të gjendemi gjithmonë tek hapi i parë i qytetërimit, i përsëritshëm sa herë ndryshojnë kushtet, ndërojmë dhe krijojmë e më pas e shkatërrojmë, pra nuk jemi në gjendje ta ruajmë atë që vetë ne e krijuam. Jo gjithçka e krijuar ka vlera dhe detyrimisht nuk do t’i rezistojë kohës, por nuk mund të fshihet gjithçka që të parët tanë krijuan. Vlerat e reja të krijuara rishtazi ende nuk e kanë marrë vulën e trashëgimisë, duhet që koha ta provojë dhe ta vendosë në vendin që meriton. E nëse do të ndaleshim në krijimtarinë material dhe shpirtërore, nuk mund të mos kujtonim dy data : pak kohë më parë Dita e Diversiteteve gjuhësore dhe sot ajo e Diversiteteve kulturore. Kemi një gjeokulturë gati të njëjtë në shumë vende dhe të anashkalohen disa rregulla bashkëjetese mes popujve, ngjarjet tragjike nuk i shkaktojnë popujt, është gabimi më i madh dhe padrejtësia që peshon shumë në ndërgjejgjen e një kombi. Pakicat kombëtare të mbetura si thika në shpirtin e një kombi tjetër dikur tash kanë një vizion të ri, barazie dhe lirie, të sanksionuara edhe në Deklaratat e shumta të Unesco-s. Nga kaosi politik dhe epshi i shfrenuar i mentaliteteve dominuese lindi dhe u shfaq fenomeni i pushtimit dhe më pas i copëzimit, por kjo nuk do të thotë se këto gabime duhet të shkojnë më tej dhe të çojnë në asimilim me çdo kusht të kulturave të të tjerëve. Shovinizmi është qëllimi i fundit i një nacionalizmi fanatik, prandaj është e patolerueshme që ende në mendjen e të fuqishmëve të planetit të skicohen ide apo teori të tilla.
Studiuesi me origjinë arbëreshe, Bruni, thotë se procesi historik është gërshetim i trashëgimisë dhe se gjuhët minoritare ruajnë histori dhe qytetërime të popujve. Janë një takim në realitetin e gjeografisë dhe politikave. Pakicat gjuhësore dhe identiteti, një raport që zë rrënjë në traditën e një kombi, por edhe në ndërgjegjen e një populli. Proceset historike që Italia ka jetuar kanë një rrënjë të artikuluar dhe komplekse që ka si rrënjë prioritare kulturën, sigurisht greko-romake, por në këto procese ka trashëgimi të thella mesdhetare që gjejnë tek Homeri një pikë të fortë referimi. Homeri nuk është vetëm kultura greke, ashtu si Virgjili nuk është vetëm i botës latine.
Në Shqipëri kohët e fundit po lindin shumë ide lidhur me gjuhën shqipe, me dialektet që duhet ta zëvendësojnë gjuhën standart apo edhe ide të tjera që zgjojnë tek disa orekse që sot nuk do të kishin kuptim. E nëse me ndonjë pakicë kemi bërë hapa të shkëlqyera edhe para viteve ’90, përmend këtu atë greke dhe maqedonase, qytetërimi shqiptar nuk duhet të ketë asgjë të përbashkët me histeritë kombëtare, kemi harruar dy të tjera të cilat mbijetojnë në sajë të vetë individëve, pa kurrëfarë përkujdesje shtetërore. Bëhet fjalë për atë rom dhe egjyptian, në vite të harruar dhe të lënë në kulmin e varfërisë. Edhe ata kanë një gjuhë dhe një kulturë që gjithmonë është parë nën një vështrim disi racist dikur dhe tash plotësisht i abandonuar, pavarësisht përpjekjeve të Europës që të ringjallë dinjitetin dhe identitetin e tyre. Krijimi i kushteve për formimin e njerëzve përkatës të ditur dhe më pas dëshira për t’i ndihmuar që ta shkruajnë gjuhën dhe ta zhvillojnë kulturën, janë sfidat e ardhshme me të cilat duhet të përballemi. Edhe Europa ka të njëjtin qëndrim për këtë problem, meqë një nga kushtet e statusit kandidat janë komunitetet në fjalë.
Më 21 maj, Dita botërore e Diversiteteve kulturore për dialogun dhe zhvillimin, është rasti i mirë që ta tregojmë këtë vullnet dhe tolerancë ndaj të drejtave të tyre të mohuara. Nuk është turp që në vëmendjen e shoqërisë sonë të jenë edhe ata, turp është të luash ende sot rolin e indiferentit. Kjo ditë është mundësi, e parë dhe nga vetë OKB-ja, për të reflektuar për kontributin e kulturës në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm, të respektueshëm të personave dhe mjedisit, në shërbim të dialogut dhe paqes. Në përcaktimin e Unesco-s diversitet kulturor do të thotë : Shumësia e formave përmes së cilave kulturat e grupeve dhe shoqëritë shprehen, ajo reflektohet edhe përmes mënyrave të dallueshme të krijimit artistik, të prodhimit, përhapjes, shpërndarjes dhe vlerësimit të shprehjeve kulturore, pavarësisht teknologjive dhe mjeteve të përdorura. Kjo ditë u shpall nga OKB-ja në fund të vitit 2001 me rezolutën 57/ 249, në një moment të veçantë historik, me tension të madh ndërkombëtar, menjëherë pas ngjarjeve të 11 shtatorit në Amerikë dhe pasi Unesco-ja adoptoi Deklaratën Universale të Diversitetit kulturor. Kjo deklaratë njeh vlerën thlbësore të dialogut mes kulturave që të garantojë paqen dhe një bashkëjetesë të harmonishme mes popujve. Prandaj kjo datë nuk duhet përkujtuar vetëm një herë në vit dhe me ndonjë takim apo festë u mbyll gjithçka, por do të duhet çdo ditë e vitit që të arrihen objektivat e një qytetarie gjithëpërfshirëse. Por vetë Unesco-ja nuk u ndal këtu, pasi krioji edhe kuadrin e vet të plotë ligjor dhe në vitin 2005 u aprovua edhe Konventa mbi mbrojtjen dhe promovimin e diversiteteve të shprehjeve kulturore ku thuhet : Diversiteti kulturor krijon një botë të begatë dhe heterogjene në gjendje t’i shumëfishojë të gjitha zgjedhjet e mundshme, aftësitë dhe vlerat njerëore. Objektivi i parë është mbrojtja dhe promovimi i diversiteteve të shprehjeve kulturore, duke krijuar kushte që kulturat të mund të begatojnë dhe ndërveprojnë reciprokisht në një dinamikë shkëmbimi të lirë dhe prodhues. Sipas organizatorëve të Unesco-s këtë vit Dita botërore merr një kuptim edhe më të madh, sepse futet në kontekstin më të gjerë ndërkombëtar të afrimit mes kulturave gjatë së cilës, siç ka deklaruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, do t’i bëhet homazh diversiteteve kulturore dhe do të tregohet, sesi mirëkuptimi dhe dialogu ndërkulturor janë esencialë për të realizuar një botë më paqësore. Për më tepër do të nënvizohet roli themelor që kultura luan në kuadrin e zhvillimit. Koha që do kalojë do të na tregojë sesa të mençur jemi ne shqiptarët, në shekuj e kemi vuajtur superioritetin e kombeve të tjerë, duke mos rënë në të njëjtat gabime, sidomos tash që globalizmi po i fshin kufijtë. Çdo vlerë e krijuar nga shqiptarë apo pakica është pasuri kombëtare dhe si e tillë duhet të marrë të gjitha ndihmat dhe përkujdesjet e shtetit shqiptar.