Ajo është mbesë e një shqiptaro-amerikani, i cili kishte jetuar në Nju Jork për 45 vjet dhe në ditët e fundit të jetës kërkoi të vdiste në atdheun e vet. Ai quhej Nikoll Mëlyshi, i damkosur nga komunistët si “reaksionar”, babai i Pal Mëlyshit, i vlerësuar po nga komunistët si Hero. Nikollë Mëlyshi pas arratisjes u rikthye më 1989 në Shqipëri, në moshën 90-vjeçare. Kishte ardhur për të vdekur e varrosur në atdhe, por e përzunë. Asokohe në krye ishte Ramiz Alia. U kthye përsëri në Nju Jork, pa përmbushur dëshirën e fundit. Këtu merr udhë historia e familjes Mëlyshaj, e rrëfyer në një roman biografik nga pasardhësja Albana Mëlyshi (Lifschin). Një histori e treguar në gjithfarë variantesh në Mirditë, një histori e pazakontë pabesish, internimesh e vrasjesh. Historia e komunistëve dhe reaksionarëve të një gjaku që, pavarësisht kujtimeve të shkruara deri tani e fakteve që kanë dalë në dritë duket se ende nuk është zbardhur plotësisht. Këtë në fakt merr përsipër ta bëjë pasardhësja e Mëlyshajve, Albana, e cila ka punuar si gazetare në televizionin shtetëror për 15 vjet. Ka qenë e para gazetare televizive që intervistoi konsullen amerikane Barbara Cummings, menjëherë pas hapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë. Botuese tashmë e shtatë librave, Albana Lifschin vjen me librin “Yjet nuk janë të kuq (Saga e Mëlyshajve)”. “Këtë libër ia kushtoj familjes sime, që megjithëse e ndarë më dysh nga politika, i mbijetoi e bashkuar dramës së kohës”,- thotë Albana Mëlyshi.
Si e përzuri Ramiz Alia, bajraktarin
Në historinë e familjes së saj, Albana Mëlyshi shprehet se gjyshi, i arratisur pas luftës dhe i ndaluar të kthehej në atdhe, pas 45 vjetësh larg familjes e pa asnjë komunikim
me të, papritur kishte dërguar një telegram ku shkruante“Mbusha 90 vjeç. A mundem me ardhë me vdekë në vendin tem? Baba”. Lajmi, siç rrëfen Albana, shkaktoi në familje një
turbullirë ndjenjash të ndryshme habie dhe gëzimi të përzier me ankth e frikë. “Telegrami kalohej dorë më dorë si diçka përcëlluese. Njerëzit flisnin pak, por ndjenin shumë. Së
fundi pushoi në prehrin e nënës. “Oh!” rënkoi nëna ime duke zënë kokën me të dyja duart. “S’jam ndjerë kurrë më ngushtë në jetën time! Të të kërkojë leje babai për të vdekur në atdhe dhe të mos jesh në gjendje t’i thuash: ‘Po, baba, eja’.”- kujton ajo. Me atë telegram në dorë nëna e saj kishte trokitur në derën e Ministrit të Brendshëm, Simon Stefani. “Le të vdesë atje ku është, si qen!”- i qe përgjigjur ai. Nikollë Mëlyshi kish qenë për më tepër oficer i mbretit Zog. Ai u arratis nga Shqipëria, duke lënë pas familjen që më pas do të internohej. Në këtë libër biografik Albana Mëlyshi sjell bashkë dëshmitë e familjarëve të mbledhura pas viteve ’90. Gjyshi i saj, një ish-partizan i Brigadës së 7-të, do të arratisej nga Shqipëria nga frika e burgimit. “Dëgjova se dy kolegët e mi i kishin arrestu. Ishin miqtë e mi të vjetër që para lufte. Patëm studiu bashkë artin ushtarak. Edhe ata kishin qenë në luftë si unë. Pata një ndjenjë sikur kisha ra në kurth. M’u kujtu baba. Ai kur pa me sytë e tij shkatërrimin e shumë gjanave, prishjen e traditave, dëgjoi lajmet e përdhunimit të grave dhe dajakut të burrave, na mblodhi një natë të tanëve, djem e nipër, e na tha: “Unë jam i vjetër e nuk po duroj dot çka po më shohin sytë e çka po më dëgjojnë veshët.
Nuk i përballoj dot fizikisht, por ju shkoni në mal e më mirë të luftoni sesa t’i nënshtroheni hurit komunist”, kujton ai. Pas arratisjes së tij u internua gjithë familja, kurse kulla e Bajraktarit të Kthellës së Mirditës u dogj për të tretën herë. Dy herë ishte djegur nga turqit e herën e tretë nga partizanët. Nuk e prisja kurrë të digjej kulla jonë nga partizanët, nga shokët e luftës. Kulla e bajraktarit të Kthellës”. Kur u dogj nga partizanët Gjon Mëlyshi, gjyshi i Pal Mëlyshit, u ishte drejtuar partizanëve: “Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë: tim bir Nikollin e tim nip Palin, i biri i tim biri. Nuk rujtët të paktën as dy dhoma për ta… Dhe ca ma keq, ua internoni familjen”. Si mund të ndodhte kjo me dy partizanë në shtëpi? Kjo, për familjen Mëlyshaj ishte një pyetje shumë e vështirë. Ata e kaluan një pjesë të jetës së tyre në kampet e internimit: Lezhë, Berat, Kuçovë, Turan, Bënçë dhe në kazermat pranë kalasë së Ali Pashë Tepelenës, një internim që zgjaste 12 vjet. Mëlyshajt herë shpalleshin tradhtarë e herë heronj. Kështu ndodhi dhe me Pal Mëlyshin. I infiltruar në çetën antikomuniste me pseudonimin “Fortuna” ai vra në përpjekjet me forcat e kufirit dhe deri më 1957 konsiderohej tradhtar. Kjo do të zgjaste deri në shpalljen e Pal Mëlyshit Hero, më 1957. Heroi kishte babë e vëlla të arratisur dhe familja do të ndahej më dysh; disa trajtoheshin si familja e heroit e të tjerë si reaksionarë, edhe pse ishin të një gjaku.
Si u vra Pali? Kush e vrau?
Ditën që u vra shoku i tij i idealit, Bardhok Biba, me urdhër të Komitetit të Maleve, (grupit antikomunist që endej në malet e krahinës, i udhëhequr nga Ndue Pjetër Gjomarkaj (me të cilët ishte fis Bardhok Biba), Pal Mëlyshi vendosi të hakmerrej. Ishte një hakmarrje “e pabesë” për mirditorët. Ai vendosi të infiltrohej brenda çetës e ta shkatërronte atë nga brenda. Kështu për t’u bërë i besueshëm se kishte ndërru kah, meqë të gjithë e njihnin si komunist edhe pse me babë e vëlla, xhaxha, dhe një kushëriri të parë të arratisur, ai inskenoi një plagosje dhe kështu u bë pjesë e bandave nën pseudonimin që i kishte vënë Sigurimi i Shtetit, “Fortuna”. Por Pal Mëlyshi u vra në një përpjekje me forcat e Sigurimit dhe vrasja e tij mbetet ende sot një enigmë për familjarët. “Ky qe një merak, që nëna ime e ka mbajtur gjithë kohën në shpirtin e saj. Askush nuk i ka thënë deri më sot se si u vra. Ajo lëngonte për të vërtetën”,- kujton Albana Mëlyshi në librin e saj. “Mbaj mend, kur na erdhi për vizitë më 5 maj ministri i Brendshëm, nëna e pyeti drejtpërdrejt: ‘Si u vra Pali? Si është e mundur që askush nuk e di se si u vra?’ Ministri u përtyp dhe foli për punën e një gëzhoje. U soll përreth saj, por nuk ia nxori kokën bisedës. Vrasja e të vëllait për të mbeti enigmë”,- thotë mbesa e heroit. E vërteta sipas saj për vrasjen e Pal Mëlyshit do të merrej vesh shumë më vonë, në shtëpinë e Enver Hoxhës. “Nëna ime ato ditë ndenji në shtëpi. Nuk iu bashkua asnjë grupi për t’i bërë respektin e fundit Enver Hoxhës. Nuk e pyetëm pse. Në një nga ato ditë, në shtëpinë tonë erdhi gruaja e Bardhok Bibës. ‘Marie, ti hala s’paske shkuar për ngushëllim te shoqja Nexhmije për Enverin?- e pyeti ajo. ‘Jo. E ç’rëndësi ka nëse shkoj apo nuk shkoj unë?” – tha nëna. Po sepse Nexhmija më pyeti: “Po motra e Palit, ku është?” Duhet të shkosh, -i tha ajo.” Pas kësaj ajo u ngrit e shkoi për ngushëllim. Dhe aty mori përgjigjen për të cilën kishte lënguar tërë kohën. Vejusha, në bisedë e sipër kishte thënë: “Enveri luftoi e duroi shumë… Prapaskenat e Mehmetit e lodhën”. Dhe pasi heshti disa sekonda, tha: “Edhe Palin, Mehmeti e vrau!” Ishte Mehmeti që e vrau Palin.”- shkruan Albana Mëlyshi. Sidoqoftë, ajo shton e bindur se edhe sikur kjo të mos e mbante peshën e së vërtetës, fakti ishte që Pali u vra brenda ‘bandës diversioniste’, domethënë së bashku me armiqtë! E vranë shokët!. Kur babai i Pal Mëlyshit, Nikolla kish dëgjuar në Amerikë se të birin komunistët ia kishin shpallur Hero, i ishte dukur e pabesueshme. Siç rrëfehet në këtë libër, kishte dy dëshmitarë që kishin përjetuar rrethimin dhe kishin mundur të arratiseshin. Ata ishin arratisur në Nju-Jork dhe i kishin treguar Nikoll Mëlyshit se i biri qe vrarë prej forcave rrethuese. Sipas dëshmive, Pali është vrarë vetëm me një plumb në kokë. Ka qenë goditje snajperi. “Pushkatarë” quheshin atëherë….
Pjesë nga libri
Nikoll Mëlyshi: Vrasjet dhe përdhunimet e Hodo Habibit në Mirditë
Toger Baba, që Mehmet Shehu e solli në Mirditë për me nënshtru mirditorët, ka qenë faqja e zezë e partisë komuniste. Ai ia vuni emnin vetes ‘Babë’, a thu se Mirdita kishte nevojë për ’baba’. Emrin që i kish vu e ama e kishte Hodo Habibi dhe ishte prej Kurveleshi. Ishte një njeri mizor, imoral, pa nder e pa princip. Erdhi me kartabiankë në Mirditë me shtru në hu djemtë e burrat e me çnderu femnat. Kishte me vete 200 partizanë dhe dorën të lirë me pushkatu kë të donte ai, pa gjyq fare. Në atë kohë, viti ’46, në malet e Mirditës ishin rreth 500 burra të shpërndamë në çeta të vogla. I kishin lanë shtëpitë e tyre pasi nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës. Ishin në hall se për t’u hedhun përtej kufifinit në Jugosllavi, kishin frikë se Titoja mund t’i dorëzonte te qeveria e Tiranës. Toger Baba kishte për qëllim gjetjen dhe arrestimin e tyre. E filloi misionin e tij me terror në popull, pa dallim. E nisi fillimisht në Fan. Dha urdhën që katundarët të mos i mbyllshin shtëpitë as ditën e as natën, se ishin për kontroll. Burrat i mblodhi dhe dha urdhën t’i shtronin në hu, pasi t’i zhvishnin. Të zhburrnum e të lidhun dorë për dorë i shtynin pranë një zjarmi të madh të ndezun, ndërsa i rrihnin. E sa për gratë… mjerë ajo grua që ia vinte syrin toger Baba, se nuk dilte nga duart e tij pa u përdhunu. Kur hynte nëpër pyje në ndjekje të të arratisurve, merrte me veta gra (jo burra) që t’i tregonin rrugën. Pasi mbaronin misionin, ato të shkretat ktheheshin në shtëpitë e tyre të turpnume e pa guxu të thoshin një fjalë. Populli jetonte në panik. Qeverisë i shkuan raporte për punët e tij të zeza, por ato mbeten nëpër sirtarët e zyrave, deri sa i erdhi fundi kësaj pune. Në tetor të vitit 1946, ai mbërriti në Kodrën e Spaçit dhe arrestoi krejt burrat e katundit, 40 vetë. Të lidhun dorë për dorë, ata i detyrun të ecnin tri orë më kambë, të zhveshun. Në katundin Mushtë të Bjeshkës së Munellës përdori si burg për ta një stallë lopësh, ku balta kishte shku deri në gju. Të nesërmen burrat i vunë përsëri përpara deri në Kimëz. Atje kishte mbledhun burra e gra nga katundet e tjera. Aty i ra në sy gruaja e Preng Gjon Markut. Quhej Dilë. Ai e arrestoi dhe pastaj dha urdhën që ta zhvishnin. Gruaja kundërshtoi me fjalë të forta dhe atëherë togeri urdhnoi të bahej një zjarm me dëllinja të thata dhe ta hidhnin grun në zjarm. Burri i saj, ngaqë nuk duroi më, shpërtheu lidhjen e duarve dhe u arratis nëpër mal ashtu siç ishte, i paarmatosur. Policia dhe partizanët e toger Babës iu vunë pas dhe e vranë. Një kushërinit të tij, që atë kohë studionte në Moskë, Pal Nikoll Prendit, i shkoi fjala se ç’po ndodh në Mirditë. Ai mori dy javë leje, u kthye prej andej dhe e raportoi gjendjen në qeveri. Raporti i Pal Nikoll Prendit i shkoi në dorë ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Koçi Xoxes. Toger Baba e la Mirditën e shkoi në Zadrimë. Mendoi se me Zadrimën do ta kishte ma lehtë, tue mos e ditun se zadrimasit përbaheshin ma së shumti nga mirditorë. Në Hajmel vendosi qendrën e tij. I ra në sy një vajzë e bukur. Ishte e motra e Kol Simonit, Luçia. Për ta pasë ma të lehtë me e shti në dorë të motrën, Luçien, arreston të vëllain me pretekstin se ky ka strehu çetat e malit. E torturoi djalin me pyetje, por nuk nxori gja prej tij. E vërteta ishte që Kola s’ishte marrë me këtë punë. Atëherë arrestoi Luçien dhe i kërkoi të bjerë në shtrat me të. Kur ajo nuk pranoi, atëherë ai i u hodh për ta përdhunu. Vajza rezistoi me gjithë fuqinë e saj duke ia çjerrë fytyrën me thonj togerit dhe i shpëtoi nga duart. Iku me vrap dhe u fsheh në një shtëpi në katund. Aty priti sa të dilte drita dhe u nis për në Shkodër. Ndërkohë togeri kishte dhanë urdhën që katundi të dorëzonte vajzën ose përndryshe do t’ia vriste të vëllain, Kolën. Dhe ashtu bani. Porositi që ta dërgonin djalin në burgun e Lezhës e rrugës ta vrisnin nën pretekstin se u kishte ikur nga duart. Luçia, me të mbërritun në Shkodër, shkoi drejt e tek familja e Tuk Jakovës, me të cilën familja e saj kishin miqësi. Prova se çfarë i kishte ndodhun ishte ajo vetë, boll që ta shikoje të shkyme rrobash e të rrahun. Tuku e këshilloi të shkonte në Tiranë dhe i dha vajzës një letër për t’ia dhanë në dorë Koçi Xoxes. Koçi, kur e pa vajzën në atë gjendje dhe lexoi letrën, dha urdhën që të shkohej në Hajmel e të vërtetoheshin në vend të tana sa ishin raportu për Hodo Habibin, të ashtuqujtunin “toger Baba”. Gjykata e Shkodrës kishte marrë informacionet për veprimet e togerit në Mirditë. Toger “Baba” u var në konop. Më kanë thanë se ma vonë, pasi Enveri e dënoi Koçi Xoxen, “Babën” e bani hero.(Pergatiti: Aida Tuci.Kortezi Gazeta Mapo)