• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IDEJA E VËSHTIRË E GURUS!

June 22, 2016 by dgreca

(Epope mbi martirët e rinj)/

Shkruan:REXHEP KASUMAJ, BERLIN/

1.  “Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet prishja jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe për organizma të tjerë të uritur”.

Pikërisht kësisoj fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por, thelbësisht, këtu nuk ka asgjë pesimiste. Shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të thrilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe librat e shenjtë, të paqësonin njeriun. Ta bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm. Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kozmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç.

Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues jo pse ky njeri, duke qenë në kufi të t'mbinatyrshmes, është i paimitueshëm, por pse, meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave te vobektë politikë. Që këtej dhe rrjeshtat mendimthellë të autorit të “Kimisë …”, të lartë si yjet, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për ta disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.

2.
Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi inspirativ që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste të përfshihej në garën e mëhershme zgjedhore për legjislaturën e Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i kishte dalë nami si konservativ e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk është se bën një lajm të veçantë.

E ndryshmja e nominimit të tij është filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i japin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari i drejtohet ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur të kemi spastruar shpirtërat tanë, pohon ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj, një Indi e shpëtuar do të shpëtojë rruzullimin. Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai, në rast fitoreje, premton një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!

3.
Anipse i ashpër e drakonik, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke persiatur mbi përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do ta humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ka një shpërpjestim krejt të kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë, tepër i ngushtë është landi verior i shqiptarëve. Për pasojë, do të shfaqej një problem madhor: ata do iknin – por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të dëndura, të kudoshfaqura dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin vrânshëm gjithandej Kosovës së vogël. Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve prej gjahtarësh të pashpirt të ligjruajtësve e drejtësiprerësve europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.

E pra, ku do të merrnin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pamatë, gjithë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve, kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veçse braktisja dhe mohimi i atdheut…

Ndërkaq, nismërisht, do të rrjedhonte natyrshëm hapja e një diskursi, të madh e të lodhshëm, kombëtar për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve indipendente”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!), këtij veterani robnie që i zbardhi vonë dita në fushën e mëllenjave! Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, të gjitha bashkë bëjnë një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!.. Mandej, po të mungonte dhe filtrimi i stërholluar, shtjella e pluhnajës së ngritur nga kallja e çdoditshme (se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, ata që merren oficialisht e të tjerë që janë adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.

Mandej do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes atdhetare” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit…

Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar me prijës të tyre nga jeta profane civile, do të ndjenin detyrimin, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës, edhe për përuljen, kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur…Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!

Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme. Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe ndër shqiptarë, e veçanërisht në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund, do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë!

Berlin, qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: E GURUS!, IDEJA E VËSHTIRË, Rexhep Kasumaj

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT