99-VJETË MË PARË U VRA ISA BOLETINI/
Nga Frank Shkreli/
99 vjetë më parë u vra nga xhandarët serbo-malazezë, Isa Boletini, njëri prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut. Isa Boletini posedonte vlerat më të mira të kombit shqiptar, vlerat fisnore të tij, nderin dhe burrërinë — por mbi të gjitha atdhedashurinë — të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve të kombit shqiptar si Isa Boletini.
Isa Boletini ishte në krye të përpjekjeve luftarake dhe diplomatike të shqiptarëve për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut të tyre. Kur ai nuk ishte duke lobuar në zyrat kryesore të diplomacisë evropiane — ku përpiqej të bindëte të bindëte fuqitë europiane të kohës që të heqnin dorë nga ndarja e tokave autoktone shqiptare, ai gjëndej në mal, në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave turke dhe serbo-malazeze. Mesazhi i Isa Boletinit, në zyrat e diplomacisë europiane të kohës, por edhe në fushën e betejës, ishte se “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim. Në qoftse Europa nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi.’’ Isa Boletini nuk i ishte futur kësaj pune për interesa personale, për ndonjë karrigë, për ndonjë interes që sot mund të konsiderohej si interes partiak ose ekonomiko-financiar, por ai ka thënë se ishte në krye të këtyre përpjekjeve duke pohuar se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”
Kur njeriu lexon sot lajmet e prëditëshme në mediat dhe portalet e internetit anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, besoj se Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij, kam drojën se sot do të thonte se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu siç do t’i dëshironteai dhe bashkohasit e tij rilindas. Nuk besoj se ai do konsideronte se shqiptarët sot, “lënë një përshtypje të shkëlqyer” në botë, siç kishte lënë ai me shokët e tij në Angli, fillim shekullin e kaluar. Fatkeqsisht, po t’i hidhte një sy botës shqiptare, Isa Boletini do të lexonte sot mbi protestat anë e mbanë trojeve shqiptare, kryesisht kundër vetvetes; do të lexonte për bojkote dhe përçarje midis partive dhe në radhët e klasës politike në mbarë autoktoninë shqiptare, pa dallim. Do të lexonte për mosmarrveshje politike dhe për sharje midis përfaqsuesve politikë të shqiptarëve dhe jo vetëm midis tyre — një diskurs politik që do të turpëronte atë dhe të gjithë rilindasit dhe bashkohasit e Isa Boletinit.
Ndonëse me dy shtete shqiptare të pavarura, do të lexonte për atë që disa media shqiptare e cilësojnë si falimentim shteti, kryesisht falë klasës politike dhe jo aq shumë për arsye të ndërhyrjes së Europës ose fqinjve që historikisht nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, e të cilët i luftonte dikurë Isa Boletini. Isa Boletini do lexonte mbi akuzat dhe kundërakuzat e ndërsjellta për korrupsion dhe për tregti me droga, si dhe mbi lidhjet e përfaqsuesve të popullit me botën e krimit. Do të lexonte fatkeqsisht, se ndonëse në liri e demokraci, pas shumë vuajtjesh e sakrificash në një diktaturë të egër, shumica e shqiptarëve kudo në trojet autoktone, se po të kishin mundësinë do të largoheshin nga trojet e veta — dhe ata që e gjejnë mundësinë largohen çdo ditë me autobusa drejtë Europës.
Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij do të thoshte se megjithë përparimet e bëra, Shqipënia, Kosova dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu si do t’i dëshironte ai. Dhe si rrjedhim ai do të thoshte se as ai vet nuk është mirë dhe nuk besoj se do mburrej me gjëndjen e krijuar sot në tokat autoktone shqiptare.
Përball kësaj situate, besoj se Isa Boletini do të ishte në krye të përpjekjeve për të ndryshuar për më miër gjëndjen në trojet shqiptare duke bërë thirrje me Gjon Kamsin (Scodrensis), “Zgjonju Shqiptarë”, do të bënte thirrje — sipas një artikulli të tij të shkruar gjatë viteve 1930, për krijimin e një organizate të madhe “Bijtë e Shqipnisë”, do të thoshte se “Jam për nji bashkim me nji mendje e me nji zemër, nën nji flàmur të vetëm, ai i kombit, që bashkon dhe vëllaznon popuj të nji gjaku e të njij fisi.” Isa Boletini do të këshillonte se, “Shqiptari, thotë historia, kje i fortë gjithë sa herë kje i bashkuem”, dhe se “Flàmuri i ynë, i kuq, âsht shêjë dashnije dhe jo ndasije…..Shqipja dykrenëshe e flàmurit tonë, mban në kthetra fjalën e të parëve tonë: Besa-Besën….Të lidhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnisë”, duhet t’ecin me flàmurin e kuq me shqipe para, shêj i kombit dhe i nderit tonë.”
Isa Boletini do të pajtohej me Gjon Kamsin i cili shkruante në fillim të shekullit të kaluar se “Kështu na pat folë Apostulli i jonë, deshmori kombtar: Luigj Gurakuqi; kështu na flasin shokët e tij lufte e lirije….Duhet të gjemë vetvehten, por si Nietzsche, kur gjet ligjen e evolucjonit të vet, là të shkruem: “banu ai që ti jé”, që për né do me thanë, të bahemi shqiptarë me at kuptim që kjo fjalë pat për të parët tonë e që e kemi trashigue për me ia kalue pa njollë pasardhësve tonë. E për me u bâ ata qi jemi, duhet t’i hapim luftë të gjithë atyne qi po mbyllin me rrasen e mohimit dhe të zhvleftsimit, vepren e deshmorëvet tonë, të luftarëve të lirís sonë.”
Për të përmirësuar gjëndjen e sotme të shqiptarëve në torjte autoktone, Isa Boletini do të shpallte, “Luftë, pra, kundra anmiqëve të kombit, luftë kundra shkatrrimit, luftë kundra zíshartuesve, luftë rreziqeve qi po i kërcnohen kombit dhe fisit, luftë kusarëve të pasunísë kombëtare, të pares së popullit, luftë të gjithë atyne që, edhè pse të huej i nderuem me êmnin shqiptar e na trathtuen në bukë e kripë:muhaxhirët.
Luftë dokeve të mbrapshta, njerzëve të natës e të turpit, klikave dhe shoqënive të mshehta. Luftë fjalëve të mëdhaja dhe rrence, diletantizmit dhe reklamit. Ketë misjon duhet ta kryejnë sot të mbledhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnise”, sidomos bijt e atyne që punuen, luftuen dhe vdiqen për Atme e lirí.” (Marrë nga artikulli i Gjon Kamsit (Scodrensis) botuar në vitet 1930 e ribotuar në revistën Phoenix, ne. 1-2, 2000)
Besoj se Isa Boletini do të pajtohej me përmbajtjen e shkrimit të Gjon Kamsit, ndonëse i shkruar pothuaj një shekull më parë, nuk është shumë larg realitetit të sotëm. Kështuqë, ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për të arritur objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat Isa Boletini luftoi dhe sakrifikoi veten dhe familjen e tij dhe që në këtë 99-vjetor të vrasjes së si — me plot bindje të ketë mundësi të pohojë nga ajo jetë se më në fund, ai është mirë sepse është mirë Shqipëria dhe shqiptarët!
SHTATORJA E ISA BOLETINIT PERUROHET NE MITROVICE
Në ceremoni Lulzim Basha, Ali Ahmeti dhe Hashim Thaçi/
Shtatorja e patriotit dhe atdhetarit të shquar Isa Boletini është inaguruar në Mitrovicë, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë personalitete të politikës shqiptare. Ceremonia është hapur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati i cili ka shprehur rëndësinë e një evenimenti të tillë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë është përuruar sot monumenti i patriotit të madh, Isa Boletini.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nderoi sot figurën e Isa Boletinit dhe ka çmuar lart veprën së tij në Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë ceremonisë së vendosjes së shtatores së Isa Boletinit, Basha theksoi se burra si ai vijnë rrallë e vepra e tyre mbetet përjetë.
“Ai ishte një vazhdim mali dhe çdo fëmijë e di se malet nuk çrrënjosen. Fshati Boletin prej kohësh ka qenë i famshëm, kulla e Isës do të faktonte edhe dije, zgjim dhe vetëdije kombëtare. Kjo kullë e madhe ishte si një vazhdim mali, edhe Isa Boletini si një diamant i historisë shqiptare shkëlqen si ngahera, burra si ai lindin rrallë dhe ata janë mes nesh ngahera. Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- tha Basha, duke e cilësuar atë një nga ata burra që janë hipoteka dhe gjeneza historike e pavarësisë.
Në vijim të fjalës së tij, Basha vuri në dukje se ndjehet krenar për figurën e Isa Boletinit.
“Jam krenar që kam gjak si gjaku i tij dhe jam shqiptarë e bashkëkombës i tij. Ne sot e mot jemi me Isa Boletinin e Isa Boletini është me ne”- ka thënë Basha.
Më tej fjalën e mori dhe kreu i BDI, Ali Ahmeti dhe kryeministri Hashim Thaci që ngritën lart figurën e patriotit shqiptar.
Ndërkohë që kreu i qeverisë fliste, mes turmës kaluan kalorësit e pavarësisë. Të rinj të veshur me rroba tradicionale popullore të krahinës mbi kuaj sollën në vëmendje të të pranishmëve misionin e patriotëve dhe luftëtarëve shqiptarë të vitit 1912 që luftuan dhe kontribuan për të sjellë pavarësinë e shtetit shqiptar.
Basha: Burrat si Boletini, gjeneza e pavarësisë
I pranishëm ka qenë dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha i cili në fjalën e tij ka përmendur faktin se Boletini luftëtar i lirisë që në moshën 17 vjeçare, së bashku me trimat e tij janë garda e parë shqiptare.
Në fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi rolin e Isa Buletinit në mbrojtjen e pavarësisë shqiptare të asaj kohe.
“Burrat si Boletini lindin rrallë janë gjeneza e pavarësisë”- u shpreh Basha.
Ahmeti: Boletini nuk reshti për aspiratën kombëtare
I pranishëm në këtë ceremoni kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerësoi figurën e Isa Boletinit, që u bë frymëzim për të gjithë luftëtarët dhe që nuk reshti asnjëherë së luftuari për aspiratën kombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka vend për të folur për ndarjen e Kosovës, pasi kjo është një çështje e mbyllur.
Thaçi: Sot Isa Boletini kthehet në Mitrovicën e tij
Pasi ka përshëndetur të pranishmit kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se 100 vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s, dhe Kosovën të pavarur, dhe se sovraniteti i saj nuk do të cënohet.
“Në këtë 100 vjetor, Shqipëria anëtare e NATO-s. Kosova ka hyrë në 5 vjetorin e pavarësisë së saj. Janë këto arritje historike për të cilat u flijuan brezat”- theksoi Thaci.
Gjithashtu i pranishëm ka qenë dhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili në emër të familjes së tij dhe pasardhësve të atdhetarit të shquar ka falenderuar të pranishmit dhe ata që bënë të mundur vendosjen e shtatores në Mitrovicë.
Aktiviteti është përmbyllur me një performancë të ansamblit të valleve Shota.(kronika u ndertua sipas shtypit)