Nga Ilir Levonja/Dikur një i përndjekur politik, me emrin Pjetër Arbnori, i quajti specialistë. Jo socialistë. Këta janë specialistë, tha, jo socialistë. Po, po kështu tha. Dhe si ai mjeku që ka zbuluar diagnozën e një rruge pakthim për pacientin, e la në shenjtërinë e vet. Drejt fundosjes, drejt shpërbërjes çikë e nga një çikë.
E gjitha kjo mu kujtua nga këto, replikat brenda qeveritare, me qentë dhe karvanin e ”progresit”. E me skenarë për futje droge në makinat e njëri-tjetrit. Modele të përkryra nga telenovelat bum nga tregu turk. Ku edhe pse të gjithë i thërrasin njeri-tjetrit, vëlla. Të gjithë për një synim vdesin…., të therin, të rjepin, ta pjekin.., t’ia fusin njëri-tjetrit.
Pra vëllai, vëllait. Modele që, aq sa të pabesueshme i duken dikujt. Aq të vërteta janë për palën tjetër. Një kulturë marrosje që reflektohet hera-herës në hollin e së dielës shqiptare. Me gjyqet midis birit e nënës. Dhe jo më…, mes socialistit me socialistin e ri. Apo shpurën e atyre lopçarëve me çizme, që, pasi molën mirë e mirë lopën e fqinjit, iu përveshën të nesërmen lopës së hasmit të tij.
Eshtë kjo e gjitha që ne sot karakterizohemi nga një shoqëri me një humnerë mosbesimi karshi njëri-tjetrit. Ku, për pak pushtet, për një palë çelësa, nuk e kemi vështirë të falim edhe kovat me gjak të vëllait. Nuk e kemi të vështirë t’i biem shkurt.
Ai që na mëson të njohim hasmin. Ai na mëson se si mund të marrim edhe kthesa të shpejta.
Megjithatë mua më dhimbet kjo mpirja kolektive që kemi fituar. Duke u bërë spektatorë inatçor se kush nga shefat ka të drejtë.
Madje me kollajllëkun më fin, u këpusim nga një të fshirë gome nga memoria. Se si i falim kaq lehtë qentë. Dhe se si qeverisim me ta.
Ndërkohë që na dhembin brinjët për pak komoditet njerëzor.
Sot plot qytetarë mendojnë se partitë janë një prurje intelekte e masave. Me forume, vendimarrje dhe programe për të përmisuar jetën e shoqërisë. Dhe plot prej tyre atashohen me këtë mendësi.
E vërteta është e kundërta. Janë seli forumesh plot intriga. Me mure klithmash nga thikat pas shpine. Nga prerja në besë. Nga prishja e pazareve të drogës. Ose komoditet nga tenderat e vjedhur prej parave tona. Ku mbi gjithçka, mbi çdo gjë, më shumë se përpjekja programore për përmisimin e jetës sonë, dominon lufta e kardashëve. Siç i thërrasin rëndom shoqi-shoqit aktorët turq.
Kjo është e gjitha.
Ndaj dhe ai, i perndjekuri i moçëm i quajti specialistë.
Dhe duam apo nuk duam ne, kjo frymë specialistësh, u përhap nga të gjitha anët.
Aq sa sot një shef partie më përpara se të prezantojë një program social a politik. Pret frymëmarrë prishjen qenve. Ndarje e qenve që kanë ngecur. Edhe pse i quan qen. E nuk lë pikë pështyme pa ua sprucuar fytyrës. Prapë kështu duhet, kësisoj bëhet. Jo ndryshe.
Pret prishjen e pazareve. Pastaj u thotë forumeve se do qeverisim së shpejti. Do kthehemi fitimtarë. Dhe flet për fitore qensh. Për karvane qensh.
Dhe duam apo nuk duam ne, vetëm aty një shefi partie nuk ia bën syri tërr nga drejtësia. E përse t’ia bëj.
Kemi çimentuar sistemin parti e drejtësi një e të pandarë.
Dhe çfarë tha partia e nuk e bëri drejtësia?!
Kujt qeni i doli fjale drejtësia?
Që partitë tona në tërësi, kanë humbur fillin e pluralizmit. Nuk ka më asnjë diskutim. Por që ta humbi dhe një popull i tërë. Ky është fakt i gjallë që po ndodh në Shqipërinë e sotshme. Ndaj marrëveshjet e heshtura, kolektive. Kur qentë zihen e grihen. Nuk janë asgjë tjetër, por pakt pajtimi me për një pluralizëm të vdekur. Me një demokraci, po të vdekur.