MBI LIRINË E SHKRIMIT, TË BOTIMIT DHE KUFIJTË RESPEKTIVË*)/
Nga ALBERT HABAZAJ/ studiues/
Biblioteka Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”-Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë/
Përmbledhja/ Abstract: Përzgjedhja jonë për këtë punim nuk është e rastit, sepse respektimi i shenjtërisë së Fjalës është edukatë dhe kulturë për çdo qytetar; sepse ekonomia e nderit ndaj madhërisë së parë, që njeriu krijoi në botë- Fjalës, është detyrim dhe mision gati hyjnor për çdo punëtor të mirë ndaj fjalës në letër.
Kumtesa fokusohet në rëndësinë që ka liria e shkrimit dhe e botimit, si dhe kufizimet përkatëse, nga që vërehen jo pak anomali e paradokse. “Të jesh i lirë do të thotë para së gjithash të thuash të vërtetën. Vetëm e vërteta na bën të lirë”, thotë Umberto Eko.¹) Liria sjell mundësinë për të ndryshuar pozitivisht mendimin e konkretizuar në fjalë, që të përmirësohemi duke përparuar. Baticën e lirisë për të shkruar e botuar lirë, deri përtej kufijve të imagjinatës (në konteksin negativ) nuk mund ta gjykojmë si vlerë, por si antivlerë. Krijuesit duhet ta strukturojnë shkrimin e botuar drejt një letërsie të integruar në tre plane: në rrafshin ballkanik, mesdhetar dhe europian, me identitetin e saj origjinal, mbushur me vlerat e virtytet më të mira, më të bukura e më të dobishme të traditës, e shkarkuar nga veset që i gërryejnë palcën e cilësisë artistike; për të qenë në rezonancë me ritmet bashkëkohore të letërsisë që jeton e lë gjurmë.
Fjalët çelës: Liri e shprehjes, e drejta e botimit, kufiri shkrimor, kritikë letrare
Gjykojmë se ia vlen të kujtojmë se “të qenët i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes, e varësisë dhe e kufizimeve që pengojnë, vështirësojnë e ndrydhin veprimtarin딲) krijuese të letrarëve; liria demokratike për të drejtën e fjalës, shkrimit, shtypshkrimit dhe botimit; liria e mendimeve, e ndërgjegjes apo liria poetike etj., sidomos në hapësirat e mbushura me provincialitete romantike, në një kohë që sfidohet shpejtësia e dritës, po shpërdorohet në trajta të pakonceptueshme. Vërtet liria e shprehjes (ose e fjalës) është e drejtë e çdo individi për të shprehur lirisht mendimet e tij, përfshirë të drejtën për të marrë ose për të dhënë informacion nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv.Vërtet është një nga të drejtat e njeriut themelore, e përfshirë në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, dhe e shprehur në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA. Vërtet liria e shprehjes shihet si pjesë themelore e procesit demokratik, që ndihmon për shfaqjen e së vërtetës, si dhe që siguron mënyrat për vetëpërmbushjen e individit. Veçse liria e shprehjes nuk mund të cenojë moralin e tjetrit dhe as nuk mund ta kalojë cakun e prekjes së reputacionit të të tjerëve, me gjithë sjelljen e interpretimeve të reja “për parimin e proporcionalitetit”³), për të mos u shpuar nga asnjë gjemb i hidhur konfliktual e për të mos u hidhëruar nga asnjë thumbim i dëmshëm. Liria e shprehjes nënkupton lirinë e ndërgjegjes e të besimit, lirinë e shtypit dhe pjesëmarrjen e lirë në mozaikun ylberor natyral veprimtar, ndërkohë që në shoqëritë totalitare asnjëra prej tyre nuk lejohet. “Megjithatë, edhe në shoqëritë demokratike, liria e shprehjes nuk është e drejtë absolute. Ajo mund të kufizohet për arsye të sigurisë kombëtare, ose mund t’u nënshtrohet ligjeve që kanë të bëjnë me fshehtësinë e jetës ngushtësisht vetjake, shpifjen, pornografinë, nxitjen e urrejtjes raciale,… ruajtjen e sekretit dhe të drejtën e autorit”4).
Ndërkohë liria e shtypit, si liri për të shtypur e botuar infomacion dhe mendime pa marrë leje më parë dhe pa kufizime paraprake, duke iu nënshtruar ligjeve për çështje të tilla si shpifja apo pornografia, na kujton që të mos harrojmë urtësinë popullore: “Ndalu bek se ka hendek”. Në vende demokratike, liria e shtypit mund të bjerë ndesh me të drejta të tjera, si e drejta e individit për fshehtësi të jetës ngushtësisht vetjake, ose e drejta për t’u përgjigjur ndaj komenteve armiqësore të bëra nga shtypi
Telegrafisht, do të kumtojmë për tri piketa që kemi dalluar nga leximet e deritanishme: 1- mirësitë letrare, 2- prapësitë apo ligësitë jo vetëm artistike të letërharxhuesve, si dhe 3- disa teza, që gjykojmë t’ i shtrojmë si të vërteta, duke i mbrojtur me argumentat që na duken mbushmendëse:
1) Të merr malli e mbushesh me lëng poetik, sa ngopesh artistikisht dhe estetikisht me krijimet e Fatos Arapit, i cili vlerësohet edhe si “ më i mirënjohuri ndër poetët e sotëm shqiptarë 5), det i thellë i letërsisë shqiptare. Humanizmi universal, dashuria njerëzore dhe kodi moral “Liria ime mbaron po preka lirinë tënde” mishërohet në vargjet jo vetëm tejdukshmërisht të sinqerta: “Nuk i lyej kurrë këpucët/ te llustraxhinjtë!/ s’i dua njerëzit te këmbët e mia” 6), të cilat mjaftojnë t’i japin Visar Zhitit “liçencën” e lirisë së shkrimit dhe të botimit. Nuk e di se si fluturon koha dhe të duket vetja se je mençuruar, fisnikëruar artistikisht dhe zbukuruar shpirtërisht, kur lexon, fjala vjen romanin “Premtimi” me vetëm 160 faqe të shkrimtarit Fridrih Dyrrenmat; “I huaji” i Alber Kamysë me 137 faqe; “Të vdekurit” nga Xhejms Xhojs e vepra të tjera (s’ mund të bëjmë dot invetarin e vlerave artistike të librave, me të cilat tempulli i lirisë së shkrimit dhe të botimit global ndihet mirë në këmbë dhe me dinjitet. Iu riktheva një buzëmbremje novelëzës me 96 faqe “Lulet e mollës” të Xhon Gollsuorthit, të cilën e pata lexuar 10 vjet më parë kur isha në Itali. Në fund të libërthit kisha shkruar: “Coppito, L’Aquila, domenica, 8.06. 2003, ora 23:25’. Pa dashur më shkasin lotët, pasi mbarova së lexuari këtë prozë poetike brilante, të rrallë, të veçantë, esencë. Musht letërsie! Të lumtë Gollsuorth! “Mos nxitoni të bëheni shkrimtarë, djema”- na tërheq vëmendjen një nobelist ballkanas.
Në këtë krizë kulure, nën hijen e një fjale të madhe, edhe në Shqipërinë tonë të vockël shihet fytyra e epokës moderne tek emra të përveçëm si Petraq Risto e Mimoza Ahmeti, apo Linditë Arapi, Agron Tufa, Ervin Hatibi, Andi Bejtja, Virion Graçi, Alisa Velaj etj., por më falni, jo të shumtë janë shkrimartët e kësaj pjace krenarisht dhe lartësisht letrare, e aftë për ballafaqime rajonale, kontinentale dhe globale. Përveç funksionalitetit të harmonishëm të trinomit: ndjenjë, mendim, figuracion, këta krijues kanë favorin se jo vetëm e kanë shkelmuar kulturën e frikës, por e kanë shqyer atë, si nevojë identiteti krijues dhe ballafaqimi kulturor me të tjerët. Gjuha e shkrimtarit është e dashur si fjala e nënës, e ëmbël si mjali i bletëve që e mbledhin nektarin luleve të malit, e dallgëzuar si deti i thellë në fortunal. Gjuha e shkrimtarit ëshët gati hyjnore, sepse shkrimtari është mjeshtër i fjalës që shkruan vepra artistike. Bijtë e Homerit e të Dantes, të Shekspirit e të Gëtes, të Naimit e të Kadaresë e pasqyrojnë jetën përmes figurave artistike që ngrihen mbi faktet, njerëzit, ngjarjet dhe dukuritë e ndryshme. Gjuha e shkrimtarit ka për objekt pasqyrimi tipiken shoqërore, dhënien në mënyra të përgjithësuara të karaktereve tipike në rrethana tipike. Mjeshtri i fjalës së bukur është inxhinier i qetësimit të shpirtrave njerëzorë. Ndryshe janë shkrimtarucët. Ata janë të paaftë e të pavlerë, që shkruajnë për të holla a për t’i bërë qejfin dikujt. Ata janë demkëra, duke mos kuptuar se shoqëria e konsumit të librit po i thotë shoqërisë së prodhimit libror: “ Të lutem, hapëm pakëz krahun, se dua të ecë!”
2) Tek shumë të tjerë, që përbëjnë taborrin e letraharxhuesve të padobishmëm, të cilët dashur padashur shndërrohen në dëmtues të pyjeve, si duket akoma s’paska ardhur koha e kapërcimit të lodhjes historike. Për një arësye a një tjetër, pensionistëve, ish ushtarakëve, mësuesve, veteranëve, të persekutuarve, sidomos ata atyre të moshës së tretë u vijnë në dorë para, se dikush ka djalin apo vajzat në mërgim, dikush merr dëmshpërblim burgu, apo larg qoftë lekët e fëmijës së vdekur furtunave të kurbetit etj. Duke menduar ç’të bëjnë me ato lekë gjaku të pjellës së tyre, disa pleq, të cilët gjatë gjithë jetës nuk i ka lidhur asgjë me librin, mendojnë si të veprojnë me paret dhe rrufeshëm vendosin të bëhen shkrimtarër. Kemi shkrimrues fisi, mëhalle, fshati, krahine,që bëjnë monografira për hallën, tezen, gjyshin, babën etj., të cilët mund të jetë shumë të mirë në familje, si njerëz të zakonshëm me vlera familjare, por që nuk emetojnë cilësi artistike. Harrojnë fjalën e të parëve: “Nuk mëson kali revan në pleqëri”. Në vend të bëjnë një urë, një çezmë, një dhurim simbolik bamirësie, të hapin një kurs zdruktharie, hidraulikësh, elektricistësh, muratorësh, një rrobaqepësi, furrë buke apo një gjë tjetër të mirë, të bukur e të dobishme, na morën frymën me botime të pafundme, por magazinat e thasëve me krunde nuk i hyjnë kujt në punë, aq më tepër sot. Më e keqja është se këtë ves kopeja e shkrimtarllëkut ua mëkon brezave që ngrihen. Dhe prandaj Shqipëria jonë hallemadhe ngjitet majave të larta të kulturës nga moli në mol. Dhe prandaj Presidentin e letrave shqipe dhe Ambasadorin e kulturës tonë në globin njerëzor jo pak herë e shpërfillin, s’e nderojnë, s’e vlerësojnë, edhe pse emri Kadare ka kohë që ka dalë mbi re. Është kambanë kushtrimi për letrarët e vërtetë thirrja e të paharruarit Ali Podrimja : “ Të kanë rrejtur/ se je më i bukuri/ ndër trimat më trimi/ më i vjetri ndër të moçmit/ Tjetër kush do të ishe…/ Dhe unë do të kisha Atdhe” 7)
A nuk po vjen momenti, që nga gufosja e mbytjes së karbonit antiartistik, të lëshojmë thirrjen SOS-, se po na gërryen krimbi antiletrar, po na përdhunojnë të parën, të shenjtën, të shtrentjën, Fjalën. Sinqerisht, nuk më del koha të lexoj të gjitha fletët e grumbullura në tekste. Edhe sikur gjithë vitin të merrem vetëm me lexime, me këto lexime ”veprash madhështore” e asgjë tjetrër, s’më del koha, s’më mjafton. Si mund të zgjidhet ky ngërç? Vërtet flet për kullotën e imagjinatës Urata e Letrave Shqipe, Dritëroi, i cili dritëron me atë fjalë që gdhend dhe gurin, se poetin a shkrimtarin e quan kal hergjele, por kur është nevoja (kur s’ plotëson kushtet e letërsisë cilësore) kalit i vihet fre, se terreni letrar ka kullota të pafundme imagjinativë, por ka edhe hone, humnera e thepa nga ku gremisesh e s’të ngelet as nam e as nishan letrar. Si duket, prandaj porosit Plaku i Bardhë i Letrave: “Prit dhe pak” 8) sepse proza e kursyer, e ngjeshur apo vargu lakonik, ku të gurgullojnë metaforat, me strukturë, me stil, me ide duhet të zërë tharmin e brumit për të bërë një bukë të mirë letrare, që lexuesi ta shijojë e të ngopet me art.
Ustallarët e botimeve me babaxhanllëkun e tyre po e vrasin artin e vërtetë, po e shtrembërojnë lastarin e njomë të talenteve të reja, po e thyejnë pa çelur në gonxhe. Por kështu, veç i mëndjemadhësojmë fëmijët, djemtë, vajzat apo dhe të tjerë të papërgatitur për të realizuar atë që thotë Kanti: “Arti i poezisë zë radhën e parë midis të gjitha arteve”. Pse e them këtë? Vetëm pak kohë më parë (tetor 2012) na ranë në dorë 56 fletë me vjershurina, të lidhura në një libër, po i themi. Citojmë vetëm një strofë nga ky botim i autores N.H: “Një lexim jetës i bëra,/ që kur linda, deri më sot/ jam njeri nga gjithçka isha,/ kam jetuar me mund e djersë ” (f.7). M’u kujtua tallja galopante e Kadaresë në “Koha e shkrimeve” me “kryeveprën”, e cila qenkërkej “vjersha më e bukur e gjithë poezisë shqipe”: vetëm me dy strofa: “Kush punon/ Rahat shkon/ Detin e kalon. / Njeri s’e ndalon”. Dhe tjetra, “madhështore” fare: “Kush nuk punon/ Rahat nuk shkon Detin s’e kalon/ Njeri e ndalon”. Me entuziazëm e krenari pritej botimi në shtypin letrar, emri i madh që do të bënte jehonë. Dhe, vërtet doli, por diku në një cep, që mezi dallohej:”Ju shkruani një gjuhë që as në prozë nuk përdoret…Po të ishte kështu, do të bëheshin të gjithë shkrimtarë dhe poetë …Vetëm kini parasysh një këshillë: lexoni përpara se të vendosni të shkruani.” 9), por mos kopjoni e t’i botoni ato që kanë shkruar të tjerët se është turp e faqe e zezë e mandej më mirë është dalja finale nga qarkullimi më fillestar qytetar e jo më të ruash kontakte kulturore- letrare me tët tjerët. Qysh më shumë se një çerek shekulli, e ka parandjerë Kadareja këtë qorrollisje të jo pak asgjëbërsave përpara botës letrare, që i kalon gjithsesi indiferentshëm, në inekzistencën e tyre artistike, jo vetëm vigani i letrave, por mbarë komuniteti i kulturuar shqiptar. U lodh dita me ne. Koha s’ka kohën tonë!…Se, ja, të tilla janë lëndimet artistike që na shkaktohen nga “plagë librash”10). Një mik i mirë, sot shkrimtar i kujdesshëm dhe i respektuar më rrëfen se në Vlorë ka një fjalë të urtë: “Mos dil si kërriçi para gomarit”, kurse shkodrani e shpreh neverinë ndaj mëndjemadhit karabush e pa këmbë në tokë me thënien: “ Atij që s’e do, i thuaj: “Të hyftë vetja në qejf!” dhe më dha një revistë të vjetër “Nëntori”, ku, redaksia i kishte kthyer nëpërmjet revistës këtë përgjigje për mosbotimin e prozës që ai kishte çuar për botim: “ P.SH.- Vlorë. Tregimi juaj “Me trenin për në Vlorë” ka ide të mirë, por që nuk keni arritur ta materializoni artistikisht. Subjekti është i lehtë dhe mënyra e shtjellimit të tij tepër e konsumuar: bisedë në udhëtim, e cila i vjen lexuesit nëpërmjet një narrative të dyfishtë: tregimin e plakut Malo e ritregon një i tretë që identifikohet me autorin. Përveç kësaj, tregimi ka një mungesë të theksuar realizmi… Fabula është e stisur, ashtu si dhe plaku Malo, që është një tip arkaik…Arkaizmi i tij shihet si në botën shpirtërore, ashtu dhe në shprehjet që përdor. Ja, mendojeni edhe një herë: të vjen një i moshuar dhe të ulet përballë në tren dhe, pa e njohur e pa e pyetur, fillon të të hapë zemrën për njerëzit e ti të afërt. Dhe kush është ky? Një plak lab, sedërli. Përveç kësaj, në shtatë faqe që ka tregimi, tri të parat janë jashtë tij dhe fare mirë mund të reduktohen. Kuptohet që me këto të meta, nuk ka si bëhet fjalë për botim”11). Në shumë raste, sot mungon sinqeriteti artistik nga ata që shkruajnë e pretendojnë që bëjnë art; mungon po ashtu edhe sinqeriteti i kritikës letrare, profesionalisht skandaloze, në atë farë feje, sa që kur sheh emra të dëgjuar të kritikës letrare, nuk i beson se konkludon në përshirosje ndaj atyre që kanë në dorë fjalën dhe abuzojnë me të. Ky realitet i parë me sy, na detyron të shtrojmë pyetjen: “A do ta kapim trenin letrar për në Europë e për në Botën e Artit? ” Veç të tjerash, një grishje dinjitoze na vjen nga një poet dhe estet i njohur, se poezia ia detyron burimin e vet pothuajse krejtësisht gjenialitetit (talentit), dhe po aq ajo “nuk ia lë veten drejtimit të rregullave ose modelit”, pra gjësë së sjellë si shembull” 12), se poezia duhet ta pastrojë veten nga tepricat.
Për arsye etike bashkëkohore, realiste e tokësore, dhe në kontekst të gjendjes së sotme në bumbotimet shqiptare, nuk mund të jap më tepër informacion (për rastin e N.H, që përmenda në këtë vrojtim letrar), sepse deri këtu më lejon kufiri i lirisë. Një harmonizim midis vertikalitetit dhe horizontalitetit të shkrimit dhe botimit sjell dobi jo vetëm për letërsinë tonë, por për kulturën e vendit në tërësi, që të kemi mundësi të krahasohemi denjësisht me të tjerët. Ne kemi male letrare në relievin kulturor, kemi dhe kodra letrare, por jo shumë, kemi shumë fusha letrare, por, pak janë ato, të cilat prodhojnë e na falin cilësi, sepse, ndoshta, nuk e peshojnë dot Vlerën e Fjalës. Funksionaliteti serioz dhe me përgjegjësi i mbi 100 shtëpive botuesve ( pa harruar që nuk dihet statistika e kasolleve botuese e shtypshkronjave, që janë si ato banesat pa leje) është i domosdoshëm. Nuk merret vesh kush është libër me vlera e kush jo, nëpër promovimet që bëjnë botuesit apo nëpër panairet vjetore, sepse secili botues thotë se libri i radhës që prezanton është më i miri, i paparë më përpara e s’ka si ai!… Para nja dy vjetësh, kam qenë dëshmitar në dy promovime të një botuesi të njohur. Prezantohej libri i një autori me emër mesatar dhe botuesi tha: “Ky është libri më i mirë jo vetëm i këtyre 20 vjetëve të fundit, por më i miri që kur njihen botimet shqipe”. Edhe në rastin tjetër, (u ndodha për dreq), botuesi tha: “ Ky është libri më i miri…”. Tani, cili mund të ishte më i miri? Kërkohet seriozitet nga botuesi, se bëhet fjalë për libra, për dritë kulture e jo për domate e kastarvecë. Mendoj se botuesi duhet të jetë vërtet një furrëtar nikoqir, që të nxjerrë nga furra e botimit bukë të pjekura letrare, jo qullufice të shpifura. Paraja po rrënon artin. Redaktori, korrektori apo të ashtuquajturit e të vetëshpallurit redaktorë, recensentë e korrektorë për 5 lekë të qelbura shesin emrin, ulin dinjitetin e kritikut letrar apo kërkojnë të bëjnë emër, por në vend të vënë vetullat, siç thotë populli, nxjerrin sytë e tyre e kërkojnë të qorrojnë lexuesin. Harrojnë që lexuesi është me nivel arsimor e kulturor më të lartë se më parë; ka shumë burime informacioni edhe falë të dhënave digjitale që merr nga interneti; është shumë më i kualifikuar shpesh herë edhe nga stafi realizues i librit apo lumedetit libër. Ka më shumë çmime se shkrimtarë; ka më shumë shkrimtarë se lexues; ka më shumë dembelë që duan dekorata (si duket ndaj qenkërka krijuar edhe industria e dekoratave). Nuk më vjen mirë ta pohoj, por ka vërtet më shumë dembelë të lodhur e dallkaukë, që kënaqen me asgjë, se sa punëtorë të vyer të fjalës së artë, me shkëlqim diellor për ndërtimin dhe ngrohjen e shpirtrave njerëzorë. Nëpërmjet hyjnisë së Fjalës, vlen të klasifikohen si duhet ata që guxojnë e marrin penën të shkruajë, ata që turren të botojnë, librapjekësit dhe nestorët që kanë detyrë të orientojnë lexuesin e uritur për letërsi të vërtetë.
Se pastaj, edhe bufi e kupton që kreshnikërimi i tyre zbehet, venitet, fiket natyrshëm, si Riadi i zemëruar shumë që s’pati vijues që ta kreshnikëronin të famshmin çmim “Shpata e ndryshkur”. Përndryshe, mund t’ju vijë në ndihmë grotesku i V. Graçit: “Tha zoti Riat Matini: (sipas “CNN”)- Nuk kam çfarë të them!” 13)
__________
¹) Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë: Konferenca shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”; Tiranë, 20- 21 nëntor 1992: Tiranë: Shkenca, 2002; shih: Agim Vinca: “Gjuha e sotme letrare shqipe dhe konteksti socio-kulturor shqiptar”, f. 93
² ) Fjalor i gjuhës së sotme shqipe; Tiranë: Akademia e Shkencave, 1980, f. 1005
³) Macovei, Monica: Manualet e të drejtave të njeriut, Nr. 2: Liria e Shprehjes; Një udhëzues për implementimin e Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, [Tiranë, 2003], f. 44
4) Enciklopedia e Përgjithshme e Oksfordit; Tiranë: Instituti i Dialogut & Komunikimit, 2006, f.735
5) Elsie, Robert: Histori e letërsisë shqiptare; Tiranë- Pejë: Dukagjini, 1997, f. 417
6) Elsie, Robert: vepër e cituar, f. 426
7) Podrimja, Ali: Buzëqeshja në kafaz, Tiranë: SHBLSH; 1993, f. 65
8) Gazeta shqiptare. E diel 17 Tetor 2010, f. 8
9) Kadare, Ismail: Koha e shkrimeve, Tiranë: Naim Frashëri, 1986, f. 22- 23
10) Të drejtat e njeriut: nr. 4 (32)- 2002, shih: Visar Zhiti “Kur persekutohen e drejta e shkrimtarëve, e veprave të tyre, por dhe e lexuesve”, f. 71
11) Nëntori: organ i LSHA të Shqipërisë; revistë e përmuajshme letraro-artistike shoqërore politike. Tiranë, 11/1986, f. 207
12) Ozel, Ismet: Udhëzues për leximin e poezisë: Shkup, Logos-A, 2006, f. 67
13) Graçi, Virion: “Shpata e ndryshkur”; Tiranë: PHOENIX, 1999, f.15
*) Kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore Kombëtare “Në fillim ishte fjala”, organizuar nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë- në nderim të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare
Albert HABAZAJ
Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA