-Stërmbesën e Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Sofie Kastrioti: Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest/
Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj dhe përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit HardhFest dhe të bodrumit Stone Castle/
PRISHTINË, 29 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”, Sofia Kastrioti, e cila është pasardhësja e brezit XIV të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.Zëvendësministri Demaj tha se është një kënaqësi dhe privilegj i veçantë që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres stërmbesën e heroit tonë Skënderbeu.
Ai i dëshiroi mirëseardhje stërmbesës së heroit tonë kombëtar dhe e falënderoi për vizitën e saj në Kosovë. “Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë për mua, që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres në Aeroportin Ndërkombëtar stërmbesën e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha zëvendësministri Demaj. Ai shtoi se vizita e saj është nder për Kosovën pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër Sofia Kastrioti u shpreh tejet e lumtur për vizitën e saj në Kosovë, duke falënderuar zëvendësministrin për pritjen që iu bë në aeroportin e Prishtinës. “Jam e gëzuar, po ndihem mirë dhe e lumtur për pritjen dhe faleminderit shumë të gjithëve”, ishin fjalët e para të stërmbesës së Skënderbeut pas zbritjes nga aeroplani dhe takimit me zëvendësministrin Demaj. Më pas zëvendësministri Demaj organizoi për mysafiren edhe një pritje në zyrën e tij. Sofia Kastrioti do të jetë mysafire e festivalit tradicional HardhFest që organizohet në Rahovec për nder të ditës së rrushit.
Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit “HardhFest” dhe të bodrumit Stone Castle.Vet Sofia u shpreh e ngazëllyer që po qëndron në atdhe dhe për faktin se do të jetë pjesë e HardhFest 2016.“Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest”, u shpreh Sofie Kastrioti me të arritur në Kosovë.
Ndërsa, për vet organizatorët e HardhFestit si dhe Komunën e Rahovecit, vizita e saj është nder pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës dhe e cila do të përformojë veprat e saja.Sofie Kastrioti, do të qëndrojë deri më datë 5 shtator në Rahovec.
Festa e Vjeljes së rrushit HardhFest do të mbahet me 2,3 dhe 4 shtator, ku gjithashtu edhe këtë vit festivali mbështetet nga Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Rahovecit. Ndërsa Partner i festivalit këtë vit do të jetë StoneCastle, të cilët festojnë 10 vjetorin.