NGA PËLLUMB GORICA/
Të kesh dëshirë e pasion për të pikturuar do të thotë se atë që ndjen e kthen në art. Kjo vlerë e pamatë krijon një botë eksidenciale krejtësish të veçantë. Pikturat e Mervan Mustafës janë interesante jo vetëm për këndvështrimet origjinale, por edhe për tendencat e reja, që ky krijues i ri arrin të shpërfaq. Në një cikël pikturash, të titulluar “Jeta në kuadrat”, e Mervan Mustafës të ekspozuara kohët e fundit, shpërfaqen dy element të veçantë me një trajtim modern: porta dhe femra të konceptuara brenda botës së tyre, duke bërë përpjekje për të dalë në dritë. Janë tabllo kryesisht të krijuara dy vitet e fundit, të cilat flasin për një talent dhe ambicje artistike, si paralajmërim i bukur i rrugëtimit krijues dhe prezantimit të botës shpirtërore të autorit. Ndaj, krijimet e Mervan Mustafës mbajnë në vetvete aromë përjetimesh. Një frymëzim i sinqertë nën shtysën e mbresave dhe përshtypjeve nga vëzhgimet dhe zhbirimet e thella. Habinë që të shkakton mënyra e tij e të pikturuarit tanimë e kanë pranuar shumë kritikë dhe studiues arti kudo në Kosovë. Dr. Hivzi Muharremi shprehet se “Burim frymëzimi i botës shpirtërore të autorit anasillet nga kuadrati, simbol filozofik i izolimeve botërore, përkatësisht një miniaturë e jetës, ku njeriu përballet me sfida të formave të ndryshme jetësore. Andaj, edhe shprehja e tij figurative mplekset nga momentet e përjetësimeve që nga të dy skajet e margjinave të jetës, të cilat herë herë synojnë të afrohen, por diametralisht qëndrojnë larg njëra tjetrës.”
Arti i veçantë i Mervan Mustafës sikur të largon nga monotonia dhe mediokriteti. Inspirimin ai e merr nga ngjarjet kudo në botë, por edhe luftrat, fenomenet, trazirat, botkuptimet. Ngjyrat me ndërthurjen e lehtë të tyre, ku dominojnë grija, e zeza dhe portokallia, ndonëse paraqiten të pakta, ekspresionet dhe prirja për të depërtuar vertikalisht në brendësi të qënies, por edhe objektit virtual, flasin jo vetëm për qenësinë e formës, e cila është një karakteristikë e dukshme e artit të tij të bukur, por edhe të larmisë e lirisë së shprehjes, pasi liria është ajo që dikton mendimin e artistit në ndjesitë e thella. Tabllot i ngjajnë poezive me ndjenjë, figuracion, intimitete, me thellësi mendimi, kontraste, përjetime e emocione të përthyera, në dëshira, dhimbje, koncepte për jetën, dashurinë, mosqënien për të shkuarën, të djeshmen dhe të ardhmen. Ato janë të thjeshta, të sinqerta me prirjen për të pasqyruar në këtë cikël jetën në kuadrat, problemet, shqetësimet, thjeshtësinë dhe kërkesat e kohës depërtuese në llogjikën e objektit. Ndjen veçanërisht në disa punime thellësi shpirtërore, thellësi psikologjike dhe një ngarkesë emocionale dinamike. Spikat kjo thellësi e ndjenjave në trajta interesante të hedhura në penelata të shpejta. Këndvështrimet e freskëta, por edhe teknika me një vëzhgim të çiltër dhe strukturë të kompozicionit të impresionojnë, edhe nga një brishtësi drite me hollësi të vogla të jetës rreth nesh. Sfondi i bardhë me ndjeshmëri poetike i shkrin natyrshëm komponentët e mësipërm në teknika të reja, me mjete lakonike bashkohore ku mbizotëron rrethi pa formë dhe i ndryshëm nga njëri – tjetri. Autori ka përdorur akrilik, pastel, laps, si edhe grafik digitale, një teknikë e kombinuar me letër.
Njerëzit me fuqinë e tyre kanë krijuar kuadrate, duke shpjeguar kështu konturet e botës reale, vazhdimësinë në dekada e shekuj. Kur vështron këto punime ke përshtypjen se ndodhesh në të kaluarën e ndonjë rrugicë shkodrane me porta të rënda, apo pranë kullave të Anamoravës në Kosovë, të cilat përbëjnë thelbin e ndërtimeve origjinale të këtyre trevave, si gjetje interesante, kur çdo gjë sot po shkatërrohet e shkon drejt modernizimit në emër të globalizmit. Detajet e gjurmëve të suvasë së rrëzuar zbulojnë kuadratet e tullave si dëshmi vjetërsie. Të impresionojnë portikët me reflekset e mureve gri, si pjesë e parë dekorative e një ndërtese, mbishkrimet, por edhe motivet e gdhendjeve.
Në pikturën e Mervan Mustafës, vëren edhe një gërshetim të jetësuar dhe fantazi në trajtimin e temës së femrës, por edhe zbulesën e një vëzhgimi të hollë, të një kohe me simbolikën e dhimbjes përmes imazheve të padukshme, të diktuara nga deformimet shpirtërore. Në balsamin e jetës nuk vështrohen plagët e dhimbjes tërsisht, veç ndjehet vuajtja shpirtërore dhe në këtë kohë të plasaritur përballja është indeks reflektues brenda saj. Dëshirat, ndjenjat, shpirtizimi janë shprehur me një shumësi kodesh në këto punime, duke shpalosur zbehjen universale të dashurisë. Me një trishtim të pakapshëm, por që përbrenda tyre ndjen lëvizje jete e dritëhije të përmbajtur, kalvari i dhimbjes shpirtërore të pacak të femrës më shumë shihet si objekt epshi e jo si një krijesë e lirë brenda kuadratit jetë. Depërtimi në skuta të fshehta të kaluarës ndikohet nga grimca dhimbje dhe frustacioni (zemërimi, zhgënjimi), e cila kërkon të prek ëndërrat e detajuara imtësisht.
Pikturat e Mervan Mustafës fokusojnë jetë në shpërthim, dimesione të paevidentuara, dhe mesazhe të tilla se jeta asnjëherë nuk është e hapur, por e mbyllur në kuadrat. Kornizat që e kufizojnë atë, shpesh janë aq të vështira për tu shembur, sa një njeriu të zakonshëm do t’i duheshin qindra vite dritë. Piktori është në kërkim të lirisë së mjaftueshme, por edhe kuadrateve të qiellit të tij fluturues. Dhe pse në fillimet për një pikturë në vijmësi të brendisë e zhbirimit estetike, individualiteti i tij është impresionues.