Qeveria: Dënojmë dhunën e opozitës në seancën e Kuvendit/
PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Partia opozitare kosovare, AAK deklaroi sot se “dhuna policore kundër deputetëve, në hapërsirat e Kuvendit të Kosovës, është e pafalshme, e papranueshme, plotësisht e ngjashme me shtetet diktatoriale dhe e pashembullt në Kosovë”.
“Pamjet filmike që dëshmojnë sjelljen e dhunshme të Policisë ndaj deputetëve të popullit tregojnë gjendjen tepër të rëndë të kapjes së shtetit dhe vendosjes së Shtetit Policor”, sipas AAK-së.
“Urdhërdhënësit politikë të kësaj sjelljeje diktatoriale duhet ta kenë të qartë se as Serbia e Milloshevicit nuk ka mundur të ndalë vullnetin e shqiptarëve në Kosovë. Nuk do ta ndalin as këta që në forma të ndryshme i kanë shërbyer regjimit diktatorial të Serbisë gjatë okupimit apo në vitet e 1980-ta, dhe as ata që kanë zhvatur, kriminalizuar qeverisjen në Kosovë dhe kanë vjedhur Dhomën e Dëshive në Polici”, shprehet AAK.
“Urdhërdhënësit politikë duhet ta kenë të qartë se janë përgjegjës për këtë gjendje që kanë shkaktuar në Kosovë dhe duhet të përballen me pasojat.
Tashmë, këta kanë kaluar çdo kufi dhe për këtë do të mbahen përgjegjës, si urdhërdhënësit ashtu edhe zbatuesit!”, përfundon AAK që ka dhënë edhe këtë lidhje për video:
https://www.youtube.com/watch?v=F_1X24mjOQs
Qeveria: Dënojmë dhunën e opozitës në seancën e Kuvendit
PRISHTINË, 17 Nëntor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi se dënon dhunën e skajshme të ushtruar sot nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët përmes përdorimit masiv të gazrave helmuese, rrezikuan seriozisht shëndetin dhe integritetin personal të pjesëmarrësve në seancë, duke tentuar posaçërisht të sulmojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.
Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme, janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim.
Qeveria e Kosovës çmon vendosmërinë dhe përkushtimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët, përkundër rrezikut me të cilin u ballafaquan, votuan në lexim të parë Buxhetin e Shtetit për vitin 2016, duke qenë në shërbim të plotë të interesave madhore të shtetasve të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës e ndjen të nevojshme të bëjë apel te ata deputetë të opozitës, të cilët, pa vullnetin e tyre janë bërë pjesë e veprimeve meskine të disa individëve të ndëshkuar në vazhdimësi me votë nga qytetarët e Kosovës, që të distancohen nga këto akte ordinere të drejtuara kundër shtetit tonë.
Qeveria e Kosovës, duke shprehur mirënjohje të parezervë për qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet e BE-së, që po e mbështesin fuqishëm Republikën e Kosovës, thekson përkushtimin e saj për të avancuar zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, për liberalizimin e vizave dhe integrimet tjera evropiane, përkundër përpjekjeve të disa individëve në opozitë, që t’ua mohojnë qytetarëve të Kosovës realizimin e këtyre aspiratave.
Qeveria e Republikës së Kosovës, fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme dhe të mos tolerojnë akte që cenojnë shëndetin dhe jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të tjerë, si dhe të mundësojnë kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare e ligjore nga bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës
Ne Foto:Sot ne Kuvendin e Kosoves