Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.
Mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj i Nokshiqit të Plavës, tashma edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që daton pas ramjes të Murit të Berlinit, saktësisht, sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, fillton prej nga viti 1991. E gjithë krijimtaria e tij me “dritëshkronja” ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti Alex-i (Aliu) duket se është rikthye pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike. Aty, në qytetin e Gucisë, po e ringren moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës. Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij.
Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare. Fjalën po e çangi: kush don me dit’ ma tepër e ma mirë për një pjesë sado të pakët nga fototeka e tij e madhe, plot art e dritë, le t’i kqyrin disa nga websajtet e tij: www.alexselimaj.com, www.plaveguci.us (faqehapur edhe në facebook), etj.
Natyrisht, fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, nga Nju Jorku i selisë së OKB-së, nga Uashingtoni i Shtëpisë së Bardhë e i Senatit e Kongresit Amerikan, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqitin madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e të paktit, (për të mos thanë i vetmi) që e promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.
Fjala vjen: Vuthajt, si bajrak i dikurshëm apo bashkësi lokale e sotme, si njësi gjeo-fizike territoriale me vrri e bjeshkët truplidhuna e majelarta, me Synin e Sheun e Skavkaçit, me Krojet e Vuthajve, me Gërlen ujëvarore (e dyta në botë me ujërrjedhje të tillë nëntokësore), liqenin e “fshehur” të Shtarës, ringritjen e kalasë së rrënuar të Ali Pashë Gucisë; me një funksionim gjithëvjetor të Qëndres Kulturore e Sportive tek Beglleku, me gjithato vila e kulla të bukura e moderne si kulla e vllaznëve Ahmet e Bashkim Ulaj, vila e Avdyl Dedushajt, kullat e Rexhep e Isa Qosajt, etj., Memoriali i Isuf Kamer Çelajt, ai i martirëve Çung e Isuf Dedushaj, etj., është pothuaj ma e bukur se lugina e Valbonës. Veçse me i ndryshim: lugina e Vuthajt në tanësinë e vet nuk është aq e hapët sa ajo e Valbonës. Përndryshe: Valbona e Vuthajt janë nën një bajrak shqiptar i ndamë rreth njëqind vjet ma herët në dy shtete. Gjithashtu, në Vuthaj ka edhe një mangësi: nuk ‘a pa gati kurrnjiherë me sy e shpirt, me pikësynim perspektiv e përkushtim total, si vend i turizmit alpin edhe gjatë verës e dimrit, i një turizmi të dyfishtë – i gjelbër e i kaltër. Edhe liqeni i Plavës më duket se është ma i bukur se ai i Shkodres, e ma thotë mendja deri në tepri se ia kalon edhe atij të Ohrit, veçse po e shëmtojnë me aneksime e ndertime do’ soj Turkoviçësh malazezianë në të shmajtë e për faj edhe të shqiptarëve e boshnjakëve po e flliqanojnë mbetjet gjithqyshe nga ndotjet mjedisore në skeje e deltina të prurjeve ujore sheu e lumi, që shpesh herë dalin përmbytës prej shtratit të vet.
Gjithkush i sheh në faqe interneti apo gjetkë fotot e mjeshtrit Alex Selimaj me pamje fokusuese e befasuese nga këto madhështi bukurie natyrore të Vuthajt, liqenit të Plavës, etj. e deri në Vermosh të Kelmendit i kënaqet syni, i mbushet mendja e ia don zemra me ardhë nga çdo cep i botës në këto vise të mrekullueshme.
2.
Jeta, ma së shpeshti e ma së forti, është imazh. Ka i’herë edhe imazh me shkëlqim të rremë. Me raste edhe nji imazh i sforcuar, i mangët. Jo rrallë ky imazh, i thirrun si reklamë, merr trajtat e tregtisë, e shpirtnon atë me ose pa të drejtë. Krejt ndryshe nget me mjeshtrin e fotografisë artistike Alex Selimaj. Ai me fotot e tij na e jep një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Bajram Selimaj është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit për secilën foto është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.
Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike.
Fotot e Alex Selimaj kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.
Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.
I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek peendja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.
3.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj. Ky album mund të pagëzohet “Plavë-Gucia” e të jetësohet për Plavë-Gucinë e Shqiptarinë, për të sotmen e ardhmërinë.
Një ekspozitë fotografike lëvizëse e Alex Selimaj për Plavë-Gucinë e lavdive e bukurive mund të ishte tejet e mirëpritur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Edhe në Shkodër, Pejë, Prishtinë. Edhe në Podgoricë e Çetinë. Edhe në Shkup e Preshevë. Edhe në Nju Jork. Kudo tjetër.
Dy institucione përkatëse në Malin e Zi: si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria për Të Drejtat e Njeriut e Pakicave, munden sigurisht e duhet pashmangshërisht ta kenë projekt të tyre, tekefundja për vitin e ardhshëm, botimin e një Albumi Fotografik apo një Ekspozite Fotografike të mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj. Për këto projekte i plotëson kushtet, po nuk është nga ato personalitete shqiptare që të kushtëzohet nga askush. Ai ka lind e u rrit burrnisht në qytetin e Gucisë deri më 1989 kur emigroi me hapin e së ardhmes në Amerikë dhe tashti, prapë, është rikthye krejt triumf. Ky talent jo vetëm i arteve është edhe shtetas i Malit të Zi. Kështu, kësisoj, nëse nuk i jepet financim për këto dy projekte mjeshtrit Alex Selimaj do të thotë se Mali i Zi nuk e ka kapërcye ofertën e mendësinë shovene të pushtimit e aneksimit të trojeve e asimilit të shqiptarëve etnik nga Krajl Nikolla, që asokohe, në kryevjetin 1879, i shkruante Kongresit antishqiptar të Berlinit që nuk më duhen gja shkrepat e shkreta të Kuçit para pllajave të bukura të Plavë-Gucisë (!)
Artisti talent rrallë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e në botë. Ai ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “Toch Magazine”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, “Neë York Daily Neës”, etj. dhe në ato shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Zvicër, Amerikë, etj. si dhe foto dokumentare ilustruese në disa libra të kohëve të fundit.
4.
Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, pamëdyshje, është një ndër 200 fotografët shqiptarë ma të shquar në tre shekujt e fundit kalendarik të udhës së fotografisë shqiptare. Sigurisht, kjo nuk është e pakët. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak-Tregu i Ri, Greqi, Itali, Amerikë, etj. janë me mijëra fotografë profesional e amatorë.
Ky përcaktim klasifikimi për mjeshtrin Alex Selimaj nuk është apriori apo i rastit, po nji konkluzion i para disa muajve nga një vështrim analitik i udhës së fotografisë shqiptare në tre epokat e saj në tre shekujt e fundit, i personaliteteve të shumta të saj. Këtu, veç tjerash, kam parasysh edhe veprën madhore dorëshkrimore të historianit elitar Shpëtim Sala “Enciklopedi e fotografisë shqiptare 1858-1939”, ku pasqyrohen 500 fotografë shqiptarë profesionistë, shetitës, me studio fotografike nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan e kudo në botë. Gjithashtu kam parasysh botime të studiuesve Qerim Vrioni, të mikut tim – mjeshtrit Besim Fusha, të Ilia Terpinit – Artist i Merituar, etj.
Në periudhën e parë të saj (1858-1944) kemi dinastinë Marubi-Kodheli në Shkodër me Pjetër Marubin (1834-1903) nga Piaçensa e Italisë sëbashku me dy vllaznit zadrimorë si jetëshkurtëri Matia Kodheli (1862-1881) e punëgjati Mikel Kodheli (1870-1940) i mbiquajtur Marubi (Kel Marubi) e Gegë K. Kodheli-Marubi (1909-1984); dy vllaznit fotografë e kineastë Manaqi të pagëzuem si “Lymierët e Ballkanit” si Milto (1882-1964) e Janaqi (1880-1940) që çelën më 1898 studio fotografike në Janinë; Familja Zengo – ndër të cilët prifti ikonografik Jani nga Dardha e Korçës, Kol Idromeno (edhe piktor), Petro Dhimitër-Fotografi, Vani Burda – autor i portretit të Ismail Qemalit, vllaznëve Frashëri, etj., Kristaq Sotiri, Shan Pici, Ymer Bali, vëllezrit Ristani, Rakip Veseli, etj. Në periudhën e dytë (1945-1990) kemi fotografët Mehmet Kallfa, Jani Ristani, Pleurat Sulo, Zamir Miraka, Besim Fusha, Nikolin Pici, Petrit Kumi, Piro Naçe, Niko Xhufka e dhjetra të tjerë.
5.
Mjeshtri i fotografisë artistike, shqiptaro-amerikani Alex Selimaj, është personalitet i disa rekordeve të mëdha, i denjë për të hyrë në enciklopedi shqiptare të kohës, për t’iu jetësuar emri në breza.
Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës. Atij i qesh syri në aparatin fotografik e në biseda shoqërore me miqtë. Ai është i lexueshëm e i kuptueshëm si vet fotot e tij tejet të veçanta.
Natyrisht pa i dhanë hapët e duke qënë sa ma të saktë, në koft se do të anketonim apo klasifikonim “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”, patjetër që emri i mjeshtrit Alex Selimaj do të ishte në dhjetshet e para. Emri i tij i nderuar zenë vend nderi. Puna e tij meritore e kap kit’ meritë elitare. Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Nju Jorku, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Viçit, Kol Idromenos etj., po e di se nuk i ka për qejf krahasime të tilla. As ma pak e as ma shumë: Alex Selimaj është vet Alex Selimaj. Ai është vetvetja në realitet e në perspektivë. Mjeshtri Alex Selimaj është një emër i ri e me lartësi në historikun treshekullor të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.
Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.
Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në Amerikë, ndër shqiptaro-amerikanët e tre shekujve të fundit, doemos Alex Selimaj hyn në dhjetshën e parë, ndër të parët.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolis me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkin që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.
I pari i prejkohshëm e ndoshta i përhershëm është Gjon Mili (1904-1984) prej Korçe, i shkuem në Amerikë në vitin 1923, mik i Konicës, për 15 vite fotoreporter i revistës “Life” të Nju Jorkut, i cili përdori për herë të parë fleshin elektronik dhe dritën stroboskopike të shpikura nga prof. Harold Exherton (Edgertton), etj. I dyti, pa mëdyshje, vjen Dhimitër Mborja me fotot e tij nga koha e luftës, të cilat kanë zanë vend rreth 45 mijë foto e diapozitiva në Qëndren Muzeale “Douglas MacArthur” në Norflok dhe në Japoni janë botue dy albume fotografike të tij. Kristaq Sotiri qëndroi në Amerikë mbi dy dekada (1900-1923) ku e mësoi profesionin e fotografit e me talentin e tij ndër vite edhe në Shqipëri krijoi një fototekë më 12 mijë xhama fotografik të cilat ruhen në studion me emrin e tij në Korçë. Në kapërcyell të shek. XXI ka ba emër të madh edhe shqiptaro-amerikani njujorkez Fadil Berisha me origjinë nga Tropoja, i cili ka një spektër të shumanshëm veprimtarie e një galeri tejet të pasur me personazhe emblematike si Bill Klinton, Donald Trump, etj. Në historik hyjnë edhe Perikli Kaçauni, fotografi dardhar që jetoi në Boston të Amerikës, i cila ka lanë trashëgimi të paktën 80 pllaka xhami të fototekës së tij, fotografët George Tamas, Sadri Kortoçi nga Gashi i Gurit të Malësisë së Gjakovës, etj.
Sigurisht, në tre shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Mili, Mborja, Sotiri e Berisha, vjen i pesti në rradhë medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.
6.
Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtarë tue nis tek ma i pari, flamurtari, biznesmeni shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj, që ka dhanë kontribute deri në kufij të jashtëzakonshmes për Kosovën e Shqiptarinë, ndaj ACABS në Tiranë i ka akordue Çmimin e madh “Konica”, një çmim me të cilin janë nderue edhe presidentë shtetesh të botës euro-atlantike.
Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo e Termopileve. Në kit’ Luftën e madhe të Nokshiqit të historisë u luftue kundër 7 krajlive të kohës që në Kongresin e Berlinit kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi. Në Luftën e Nokshiqit u ngrit për herë të parë në betejë luftarake Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lufta e Nokshiqit ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës. Nokshiqi nuk pati vetëm luftëra me trimni e heronj me lavdi, po edhe njerëz të shquar të artit e të kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili ka në fondin kombëtar dhjetra vepra me studime, artikuj, poezi, përkthime, etj. U burgos tri herë nga rregjimi sllav jugosllav. Përpos këtij personaliteti formatmadh, vjen në piedestal të kohës një tjetër fuqi e madhe intelektuale prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. Në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”.
Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Tashti kryetar aktual i këtij Fondacioni është Esad Gjonbalaj, me mandat dyvjeçar në përmbyllje. Sigurisht, Alex Selimajt, mjafton t’ia përmendësh kit’ funksion si president i FPG dhe e kie cek e neltë një nga piedestalet e punës së tij. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.
Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap websajtin tematik e funksional www.fondacioniplaveguci.com. Përveç websajtet që ia cekëm krye shkrimit, para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një websajt krejt të veçantë: www.Kosovasovrane.com, në të cilën flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. Kjo i ka dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.
Këto ditë gushti takohena për herë të parë ndërveti në qytetin e Gucisë me personalitetin shumëdimensional Alex Selimaj e djalin e tij Jetonin, një trashgimtar i denjë i derës së Selimajve të Nokshiqit. Alex-i ka ardhë në takim miqësor e pune me laptopin e tij, ku i shohim fotot e tij mjeshtërore, të cilat m’i shoqëron me këngë me za të ulët e kur hesht kanga ritmon me dorë apo kambën e tij. E ndjen në shpirt artin e tij. E shfaq sy nesh në një nga klubet e Gucisë. Ai më zbulon edhe një tjetër pasion të tij që nuk e kam ditë kryeherët: kangën. I bie edhe çiftelisë. Ai nuk më thotë gja rreth kësaj vlere të tij, po nuk muj e mshef pasi e pashë në foto e nëse nuk gaboj, diku tjetër edhe në video. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci, e cila sëbashku me Shoqatën “Alpet Shqiptare” të Ahmet Gjonbalajt e organizojnë veprimtarinë e përvitshme të 1 gushtit në Vuthaj, e cila ka për nismëtar e kryefjalë Tahir Gjonbalajn, një nga personalitetet e kurorës të krenarisë së krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
Pasi e kaluam një paradite gushti tue ndejt bashkë në qytetin e Gucisë Alex Selimaj u largue drejt Nokshiqit, tek trualli i ri i blemë anës rrugës së madhe, ku nuk e di se çka ka me ndërtue, po biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë. Pak pa u nda me Alex-in foli me dikë në telefon celular për një shkrim rreth mafioziteteve të Podgoricës zyrtare në grabitjen e re të pronave të shqiptarëve të Dolit e të krejt Plavë-Gucisë nepërmjet marifeteve shovene të kadastrimit, tue ua marrë tokat shqiptarëve mërgimtarë që s’janë aty të pranishëm kur kryhen matjet kadastrale,etj. E, me u ndreq ky akt tinzar qeveritar duhen vite bredhjesh nëpër gjyqet malazeze nga Plavë-Gucia në Podgoricë. Ai më sugjeron që edhe unë ta kap penën e ngrej zërin për kit’ çështje me randësi jetike e etnike. Të nesërmen Alex-i ka një tjetër rrugë: ka me shkue në Vermosh (Kelmend) afër Gucisë në veprimtarinë tejet e veçantë “Logu i Bjeshkëve”, ku përzgjidhet “Mis Kelmendi”, etj. Pasnesër Alexi ka me i prit mjeshtrit ndërtimtarë me punue në rikonstruksionin e kullës së tij të Selimaje, një kullë alpine me elementë modern në qytetin e Gucisë. Ku ka me shkue Alex Selimaj pastjetrit…?! Unë e di: atje ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.
Guci, 10 gusht 2014