• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ilia Vinjau-një jetë me kitarë e serenatën ndër buzë…

March 4, 2014 by dgreca

Profil i një serenatisti të shquar korçar…./

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Serenatat korçare janë shprehja e thellë e  gjendjes emocionale të shumëfishtë, e gëzimit të natyrshëm dhe e premtimit, ndjenja e serenitetit të qetësisë e lumturisë, dashurisë dhe  dhimbjes, romantike dhe  melkankolike, të vrullëshme e të ëmbla pafundësisht. Serenatat janë agundriçues dhe dritëndjeshëm  i triumfit shpirtëror të rilindjes, ku çdo varg e  fjalë fiton vlerat vitale dhe unike  në tërësi me akordet e ritmin muzikor, imazhi dhe melodia e tyre qetëson dhe transformon gjendjen dhe natyrën njerëzore, gjithmonë në kërkim të së bukurës, lirikes që u falin përjetësinë, nuk vdesin kurrë. Isha ulur në lokalin “Dajana” afër parkut “Rinia” në Korçë, dhe po pija çaj bliri, në pritje të një mikut tim, që e kishim lënë për t’u takuar aty. Ashtu sikundër ngrohtësia e pranverës fillon të shfaqet përsëri nga bora dhe koha e ftohtë, ashtu ndjeja dhe shijoja ajrin aromatik të blirit dhe  tingujt fisnikë të  serenatës, reflektuesë e nostalgjikë. I sillnin të dridhurat e një kitare që vinin nga magnetofoni dhe  ngrohnin ambientin përreth, qetësonin e ëmbëlsonin shpirtin e gjithsecilit, motivi dhe ritmi i tyre bëhej shpresë dhe liri, frymë e jetë;

“Korçë, o qyteti i bukur,

O qyteti i serenatave,

Një këngë dashurie,

Për ty po këndoj,

Këngët më të bukura,

për ty zgjodha,

kërcirin e shpirtit tim,

serenatave tek ty i këndova,

bashkë me shokët e brezit tim.

Po ashtu edhe trumcakët cicërinin gëzueshëm, herë fluturonin dhe herë qëndronin në parvazin e dritares të lokalit, si për të na treguar se edhe në mes të dimrit ka pranverë, trëndafilat çelin jo vetëm në pranverë, por edhe  në janar,  me gjithë apatinë e akullt të dimrit, na bëjnë të shpresojmë dhe e dimë se pranvera do të vijë gjithsesi. Dhe kështu ne e jetojmë jetën me të mirat e të metat e saj, nga premtimi deri në premtim, përmes mjegullës e qartësisë, nga bora në pranverë. Përmes lenteve të serenatës ne shikojmë jetën tonë, pranojmë dhimbjen e dëshpërimin, jo si fjala e fundit, por për ta  ngjyrosur jetën tonë me arin e ndritshëm të gëzimit dhe  dashurisë njerëzore. Fjalët i përcillte një zë melodioz e i ëmbël që i ngjason gurgullimës së lumit;

“Ty moj lule zoti, të zgjodhi,

Ta dha jetën plot alegri,

Korça, Korça ime,

Sa e bukur aq hyjnore, më je ti!

 

Rritesh ti e zbukurohesh,

Përherë, si gonxhe trëndafili,

E plot freski.

Për ty serenata kanë kënduar,

Djem e vajza rrite ti,

Përjetësisht me ty të dashuruar,

Korça e serenatave je ti!

 

Nuk ishin natyrisht vargjet apo melodia e serenatave të  Vivaldit, apo sonata e Bethovenit, as të Rite Stravinsky apo të Tchaikovsky-it, -jo, ishin tingujt e magjishëm të  serenatës korçare, muzikë e frymëzuar nga dashuria përtej madhështisë  të talentit absolut muzikor, të serenatistit veteran, -Ilia Vinjau.

Teksa nuk ja ndaja vështrimin trumcakëve, në derë u shfaq miku im, me borsalinën në kokë, ashtu virtuoz, enthusiast dhe  duke buzëqeshur, Virtyte këto, që i jepnin pamjen, tipike të  një aristokrati fisnik korçar. U çova menjëherë dhe i afrohem, jo vetëm për t’i lënë të  kuptonte, që unë jam Raimonda, gazetarja që i pata kërkuar takim dhe ta intervistoja, por respekti për moshën dhe artistin, do të më çonin pranë tij dhe t’i uroja mirëseardhjen.  Tokëm duart dhe një përqafim miqësor, sikur njiheshim prej kohësh.  Të tjerët rrotull po na shihnin buzagaz dhe e përshëndetën, dikush me emër, dikush e thërriste mjeshtër. Ç’është e vërteta unë e njihja,  e kisha parë në koncerte, në festivalet e serenatës, apo duke i rënë kitarës e kënduar në baret karakteristike korçare, rrugicat me kalldrëm dhe kodrat e qytetit tonë, për qejf të serenatës dhe muzikë, me miqtë e kolegët e tij. Ai nuk më njihte mua,  mëse e kuptueshme dhe normale, se jo çdo këngëtar apo artist i njeh fansat e dashamirësit e tij. Ishte artisti korçar nga më të admiruarit dhe të pëlqyerit, serenatisti i pandreqëshëm  dhe mjaft popullor, Ilia Vinjau. Nuk e tregonte moshën mbahej mjaft mirë. Si  u ulëm edhe ai porositi çaj bliri dhe filluam të bisedonim. Fillimisht, gjëra të përgjithëshme, për familjen, punën, artin dhe muzikën.  Pranë tavolinës sonë afrohet kamarieri, një djalosh i ri me kitarë në dorë: “ Mjeshtër, të lutem një serenatë nga ato të tuat.” Me atë mimikën e tij gazmore e babaxhane, “rrëmben” kitarën dhe pa e bërë fjalën dy fillon:

“Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,

Për mirësinë tënde, për të kaltrat sy.

Ti me tre  fëmijë,

e di si më ngjan,

si një trëndafil, me tre gonxhe pranëëë….

Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,….”

“ Bjere pra kitarën, moj e dashur,

do të këndoj për tyyyyyyy…..

“ Bjere pra kitarën, moj e dashur,

do t’këndoj për ty, për të kaltrat sy.

Bjere pra kitarën, do t’këndoj për ty,

për mirësinë tënde, për të kaltrat sy.

“Për shikimet e ndrojtura,

psherëtimën e parë,

për shamitë e përlotura,

Këndo pra kitarëëë…”

Ai talent i mrekullueshëm, ai interpretim me dinjitet, ai zë i kthjellët, melodioz ajo ndjenjë e bukur për t’i  kënduar, hymnit të dashurisë korçare, mbushi plot muzë frymë, jetë e dlirësi, gëzim e harmoni, në një minikoncert  lokalin “Dajana” dhe veten e pamë sakaq, të rrethuar nga njerëzit, që ishin aty dhe këndonin së bashku me mjeshtrin. E lë kitarën mënjanë dhe vazhdojmë bisedën tonë nën avujt e çajit të blirit, të qetë e të rrjedhëshme, me aksentin e këndshëm korçar. Gjatë bisedës nuk ngurroja dhe e thërrisja edhe unë Mjeshtër.

Pyetjeve ju përgjigjej me emocion, nostalgji dhe aspak nuk e ndante buzagazin e tij karakteristik. Kërshëria ime ishte, të dija se nga e kishte të trashëguar talentin për të kënduar, ishte në gen apo dhunti të lindur. Fillimisht nisi  të më tregonte për  origjinën  e tij, për prindërit. Këtu mjeshtërit fytyra i ndryshoi. Ndjehu një moment homazhi për mungesën e tyre, por dallohej edhe krenaria për origjinën dhe për ta.

Origjina, prindërit dhe talenti.

Babai  ishtë me origjinë nga Përmeti. Në vitin 1916-të, kur ra sëmundja e kolerës,  familjes së babait i vdiqën tre motra dhe i ati,(gjyshi i Ilias). Kështu nëna e Ilias mbeti vetëm me të dy fëmijët e tjerë dhe xhaxhain, vëllai i të atit. Babai,- tregon Ilia- në moshën 14 vjeçare punoi si çirak në zejtaritë e njerësve të tij, derisa krijoi familjen dhe kishte një zë shumë të bukur. Kur bëheshin dasmat dhe ahengjet në zonën e Përmetit, vinin orkestrantët dhe këndonte bashkë me ta në gëzime familjare, fejesa, lindje dhe martesa. Dinte aq shumë këngë popullore, sa këndonte tërë natën dhe pa përsëritur asnjëherë të njëjtën këngë. Me të ardhurat e fituara ndihmonte e mbante familjen. Më vonë ikën nga Përmeti dhe u vendosën në Korçë, se nëna ime ishte korçare, nga të Qafzezit, çupa e Andonit dhe e mbesa e Ligorit. Një nga nipërit e gjyshit, me mbiemrin Gregory në SHBA-ës, është kozmonauti  dhe aviatori i parë,  që fluturoi në kozmos. Nëna vazhdimisht këndonte nëpër shtëpi,  duke bërë punët e shtëpisë apo kur rrinim mbrëmjeve në shtëpi. E donte këngën dhe muzikën shumë. Mblidheshin së bashku me babanë, vëllezërit dhe nipërit e saj, gati çdo natë, njëri lahutës, tjetri gërnetës e  mandolinës, një familje e tërë adhurues të pandreqëshëm të muzikës dhe unë megjithëse isha i vogël rrija pas tyre dhe këndoja. Kështuqë talentin për të kënduar jo vetëm e kam dhunti,  por janë të dyja bashkë –edhe nga prindërit e mij, -familje muzikantësh.

Serenata…..

Në vitin 1951-ë ika të vazhdoja studimet në Teknikumin e Ndërtimit, Tiranë. Atje me grupin e korçarëve, këndonim këngë të ndryshme. Ishte koha e artë, kur lulëzonte e rritej serenata korçare në Korçë e këndohej ngado. Gjithmonë më insipironin ata që këndonin serenatën korçare, por artisti që i dha vlera të mëdha serenatës, ka qenë kantautori dhe serenatisti i shquar Sotiraq Mitre, të cilin,  fatkeqësisht e shtypi makina në vëndin simbolik të mërgimtarëve, të quajtur “Lëndina e Lotëve”, në vitin 1957. Ja një serenatë e Raqkës , që këndohej si homazh atë ditë që ai u nda nga jeta.

“Dashurova njëherë edhe unë,

Ja dhashë shpirtin e zemrën dikujt,

Me premtime e përkëdhelje,

Ajo më vuri në gjumë,

Ajo, që më ndodhi mua,

Mos i ndodhtë kurkujt.

Sa gëzime ajo më premtoi,

Helm u bënë për shpirtin tim,

Që atë ditë ajo më harroi,

Iku larg, mua më la në mjerim.

Mos dashuro, mos dashuro,

Fjalëve të ëmbla,

Kurrë mos u beso,

Në do i qetë të rrosh,

Këto dy fjalë të m’i zbatosh,

Mos dashuro, kurrë mos dashuro…!”

Në 1957-ën,  isha në vitin e dytë dega inxhinieri, Universiteti i Tiranës. Atëhere kam kompozuar e kënduar  serenatën e parë,  që këndohet edhe sot e kësaj dite dhe mbahet prelud i serenatave, “Lule në saksi”.

“Si se ujite, lulen dashuri,

Që atë ditë të mbiu në gji,

E shikon u tret, e shikon u tha,

Mjerë kush e pa, lulen vaj medet.

Katër vjet saksi, zemrën tënde pati,

Ti e thave ti, ti moj nga inati.

Folë mbi gjoksin tim,

Sa lotë të kanë rënë,

S’pate mallëngjim,

Për fjalën e dhënë.

Refr.,etj.”

Vargjet lirike të  kësaj serenate i ka shkruar, miku im i viteve studentore, poet dhe shkrimtar, ing. Gjeolog, Shadan Stërmasi. Po ashtu Shadan Stërmasi ka shkruar vargjet e serenatave “Dy plagë”, “Puthmë e besomë”, dhe të kompozuara nga unë, Ilia Vinjau.

Kam kënduar me serenatat e mija, në Festivalet e Këngës në Radio-Korça. Moment mbresëlënës ka qenë kur konkurova me këngën e “Gjeologes”, me tekst të Teodor Laços, dhe e kompozuar nga unë. Çmimin e Parë ma dha publiku, të tretin juria. Ajo ç’ka e bënte më interesante, të këndshme e të kënaqëshme ishte se; unë një kompozitor dhe këngëtar amator, konkuroja me  këngëtarët më të mirë të Shqipërisë. Me rastin e përvjetorit të martesës,  kompozova serenatën “Bjere pra kitarën”, me tekst të Shadan Stërmasit. Dua të theksoj se tekstet e serenatave të kompozuara nga unë, shumicën prej tyre mbajnë muzën e poetit e shkrimtarit Shadan Stërmasi. Me ndihmën e djalit tim Vangjushit e nuses së tij, të dy janë muzikantë, djali ka mbaruar kitarë klasike, nusja piano, mundësova nxjerrjen e disa CD-ve  origjinale.

Ndryshimi mes serenatës së vjetër dhe asaj të sotmes.

Serenata lindetë spontanisht  dhe këndohej nëpër rrugicat e Korçës, në dritaret e vajzave të dashuruara, ose pranë familjeve, që dilnin dhe dëgjonin serenatën e bukur që këndohej nga një këngëtar apo grup të rinjsh, djelmuria korçare,   të cilët e bënin për kënaqësi e të argëtonin bashkëqytetarët e tyre, pa asnjë përfitim material, thjesht përfitimi shpirtëror e moral. Në këtë qytet jetonte një komunitet njerëzish me kulturë të veçantë, të importuar nëpërmjet mërgimtarëve nga Europa e Amerika, që bashkë me kthimin e tyre në atdhe,  sillnin jo vetëm kulturën perëndimore, por edhe muzikën. Kjo është një nga veçoritë, që solli inspirimin dhe edukimin e brezave të ndryshëm korçarë, të cilët kënduan dhe prodhuan këngët e tyre autoktone-serenatën-që i këndonin shpirtit të vashës e djalit, të djalërisë e komunitetit korçar. Vetë arkitektura autoktone e Korçës,  të frymëzonte, të shkruaje e kompozoje serenata, me ato ndërtesat karakteristike dykatëshe dhe dritaret që shihnin në rrugë, avllitë e unjta dhe mbi të gjitha komuniteti i emancipuar, qytetëruar, inteligjent, fisnik e i kulturuar, i cili  dëshironte e mezi priste të dëgjonte  serenatën, dilte në rrugë lur  këndohej serenata mbrëmjeve të freskëta korçare. Sot dëgjoj serenata të deformuara, tallavaja po hyn në lokalet e Korçës, me këngë të vjedhura turke e bullgare, që po trazojnë dhe deformojnë serenatën. Ndjehem jashtëzakonisht keq,  ndaj ju them e ju lutem me shpirt artisti e qytetari, me shpirt korçari: Mos e shëmtoni e deformoni serenatën, lëreni ashtu sikundër ka lindur. Le të vazhdojë tradita dhe të këndohet serenata ky symbol i dashurisë njerëzore,  në çdo gëzim të jetës, të çdo komuniteti, nga jugu në veri, brenda e jashtë Shqipërisë tonë. Lëreni ashtu sikundër e kanë kompozuar të pavdekshmit serenatistët, Sotiraq Mitre, Ligoraq Qamo, Nasi Bicolli, Abas Hajro,  etj, dhe ashtu sikundër bëjnë Spanja Pipa, Mihallaq Andrea, Nona Kajno, Eli Fara, etj.

Mesazhi

Qyteti im i dashur Korça, i cili është pagëzuar, që të mbetet i përjetësuar, Qyteti i Serenatave, duhet që edhe shoqëria të ndërgjegjësohet dhe ta ruajnë si sytë e ballit, këtë pasion të  pastër muzikor, këtë trashëgimi të kulturës e qytetarisë korçare. Dëshiroj të transmetoj idenë e mbajtjes së një Festivali Kombëtar të këngës së serenatës korçare, me pjesëmarrjen  nga të gjitha trevat shqiptare, njëherë në tre vjet ose pesë vjet. Ajo ç’ka unë dua të theksoj ky festival të vazhdojë dhjetë ditë rresht në Korçë, të këndohet; në rrugicat me kalldrëm, në ballkonet e shtëpive antike e karakteristike korçare, dhe baret e lulishtet e qytetit tonë dhe rrethinat, si Drenovë,  Dardhë dhe Ziçisht, ku serenata është kënduar për gati një shekull. Festivali, të bëhet tradicional si Festival i Serenatës, pra epiqendra e një eventi madhështor të jetë Korça dhe  festivali i hymnit dhe dashurisë njerëzore. Kjo do të sjellë jo vetëm kulturën dhe shkëmbim eksperienca brenda artit e muzikës shqiptare, por edhe rritjen dhe mirëqenjen e jetës social-ekonomike –kulturore-historike  të qytetit dhe promovimit të vlerave të artit e kulturës shqiptare.

Raimonda MOISIU

HARTFORD CT USA

Shkurt 2014

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: e serante, Ilia Vinjau, nje jete me kitare, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT