WORCESTER MA- ME DARDHARËT E SHOQËRISË “BLETA” NË PIKNIK
Nga Thanas L. Gjika/
Banorët e fshatit Dardhë me punën, mikpritjen, me karakterin e tyre të logjikshëm e të gëzueshëm, me këngët e vallet, i kanë dhënë këtij fshati një emër të bujshëm, që ka tërhequr dhe tërheq gjithë shqiptarët. Për shkak të këtyre karakteristikave të banorëve të saj dhe të ndihmave të mërgimtarëve të shpenzuara me mençuri, ky fshat arriti që në vitet 30-të të shekullit XX-të, të bëhej një qendër turistike ku kalonin pushimet shumë korçarë, madje dhe shqiptarë nga krahina të tjera. Në këtë drejtim Dardha la pas çdo fshat tjetër të krahinës, por dhe Voskopojën dhe Vithkuqin, këto dy ish-qytete që kanë pasur e kanë pamje natyrore shumë të bukura, deri diku edhe më të bukura se ato të Dardhës.
Banorët e parë të Dardhës ishin shqiptarë të grumbulluar nga fshatra e qytete të ndryshme për të mos u konvertuar në fenë e pushtuesit. Bashkëjetesa midis tyre ka arritur një mirëkuptim e fqinjësi për t’u lakmuar. Në historinë gati 400-vjeçare të këtij fshati, nuk është shënuar asnjë vrasje midis banorëve dhe as midis banorëve dhe vizitorëve. Mirëkuptimi dhe respekti ka sunduar dhe vijon të sundojë edhe sot midis dardharëve kudo ku jetojnë nëpër Shqipëri dhe në mërgim. Duke qenë një fshat i madh malor me toka të pakta, rrethuar me pyje të shumta, banorët e tij ushtruan që herët krahas bujqësisë e blegtorisë edhe zanatin e druvarit e të sharrxhiut. Së pari ata filluan mërgimin sezonal duke punuar si druvarë e sharrxhinj nëpër zonat rreth e rrotull deri në Greqi, e më vonë morën edhe rrugët e kubeteve të largëta, midis të cilave pëlqyen më shumë Rumaninë dhe Amerikën.
Karakteristikë e mërgimtarëve dardharë ka qenë prirja e tyre për t’u organizuar në shoqëri me programe mirëbërëse për fshatin e tyre. Këtu në SHBA ata e krijuan shoqërinë e parë më 1905. Një vit më vonë ishte dardhari Sotir peci që filloi botimin e gazetës “Kombi” së parës gazetë shqipe në SHBA me manaxher dardharin tjetër Gjolekë Konda. Ishin dardharët ata që ndihmonin më shumë se mërgimtarët e tjerë financimin e gazetës, krahas mbledhjes së ndihmave për të ndihmuar rregullimin e rrugëve brenda fshatit, e rrugës Dardhë-Korçë, vorrezat e fshatit, ujësjellsin dhe çezmat, shkollën shqipe, etj.
Më 1984 dardharët e Shqipërisë zhvilluan një sesion shkencor për historikun e fshatit dhe pastaj i mblodhën e i botuan kumtesat e atij sesioni. Zonja Adriana Koruni (Stefani) dhe z. Vaskë Bruko i kanë pasqyruar disa të dhëna kryesore të këtij historiku në website-in <Dardha.org>, ku përmenden shumë fakte me vlera njohëse, si rritja e fshatit gjatë shek. XIX-të në gati 500 shtëpi, përdorimi i 148 mbiemrave familjarë, përmendja e emrave të dardharëve më të shquar të mërgimit në SHBA, si William Gregory, astronauti që shpalosi flamurin shqiptar në Kozmos, Kosta Isak, Josif e Vasil Pani, Kosta Raci, Thoma Nasi (kompozitor dhe dirigjenti i Bandës VATRA), Thoma Vishnja, Kostë Mangëlli, Ilo Zdruli, Misto Millona, etj.
Aty mësova se dardharët e rinj Petro Vishnja, Thoma Nasi, Koli P. Kaçauni, Gaqi L. Qano, Nikolla K. Isak, Vangjush Çika, u diplomuan nëpër shkolla të larta amerikane dhe e nderuan veten dhe Shqipërinë duke shërbyer në punë të ndryshme. Dardha ka nxjerrë dhe disa piktorë e fotografë, nga familjet Zengo, Sulidhi, etj.
Shoqëria më jetëgjatë e dardharëve të SHBA-ve ka qenë shoqëria “Mbleta” e cila u krijua nga riorganizimi i shoqërive të mëparshme në vitin 1918 dhe vijoi veprimtarinë e saj për gati 70 vjet deri nga fundi i viteve 80-të të shekullit të kaluar.
Në vitet e para mbas ndërrimit të sistemit, dardharët që jetonin në Tiranë krijuan shoqërinë “Shpresa”, kurse dardharët që erdhën këtu në SHBA krijuan shoqërinë “Bleta” në respekt të shoqërisë “Mbleta”, me kryetar z. Sotir Pani. Rifilluan përsëri takimet për të nderuar shkrimtarë, gazetarë, etj, mbrëmjet dhe ja tani dhe pikniket e dardharëve. I paharruar do të mbetet ing. Jani Melka (1940-2004) si një nga veprimtarët më aktivë të këtyre rifillimeve.
Disa vjet më parë, gjatë drejtimit të kësaj shoqërie prej Prof. Dhimitër Skende u ndërmor mbledhja e ndihmave financiare për rindërtimin e kambanores së Kishës së Shën Gjergjit, këmbanore e cila u prish prej regjimit komunist kur u krijua kampi i pushimit të punëtorëve në Dardhë. Kryetari Skënde, i ndihmuar dhe prej shokut të afërm Frank Zdrulit, siguroi bashkëpunimin për këtë nismë dhe të besimtarëve të kishës “Fjetja e Shën Marisë” Worcester MA, sidomos të të ndjerëve Father Spiro Page dhe ing. Philip Giantri; Mitropolitit të Korçës Imzot Johan Pelushi. Nga ky bashkëpunim u arrit grumbullimi i shumës së nevojshme, e cila u dërgua në fshat. Me këto pare u rinovuan disa ambjente të kishës së Shën Gjergjit dhe u rindërtua këmbanorja e re në formën e saj origjinale. Sot kjo kishë është kthyer në një simbol besimi për banorët dhe vizitorët e Dardhës.
* * *
PIKNIKU I 16 QERSHORIT 2018
Më 16 qershor shoqëria “Bleta” sipas lajmërimit që kishte shpërndarë në facebook dhe me telefona, mblodhi tek pika çlodhëse “Purgatory Chasm” në Auburn MA anëtarë dhe miq të shoqërisë për të kaluar disa orë së bashku. Organizatorët e piknikut, Dhimitër Skende, Frank Zdruli dhe Klodi Melka, shkuan që në ora 8:00 AM, lajmëruan zyrtatët e pikës turistike dhe zunë vendin me më shumë tavolina pranë parkingut kryesor. Parkimi i makinës kushtonte $ 5:00 për gjithë ditën.
Njerëzit filluan të mblidhen aty nga ora 9:00. Shumë prej tyre erdhën me gjithë fëmijët të moshave të ndyshme. I papërtuari Klodi Melka mblodhi shkarpa dhe i vendosi mbi qymyrin e gurit, e ndezi zjarrin dhe priti me durim derisa u krijua prushi për pjekjen e mishrave.
Ndonëse ishte ditë kur kishte ndeshje të kampionatit botëror, aty erdhëm nja 50 dardharë nga Massachusets dhe Conecticut, burra e gra, disa me prindërit e disa me fëmijët.
Filluan lodrat me topa, bisedat në grupe, pastaj Jani Kotnani me kitarën e tij krijoi një grup që ia mori këngëve korçare. Kiço Zdruli, si zakonisht u muarr me filmime me aparatin e tij. Ai xhiroi mjaft momente nga bisedat e grupeve, këngëtarët, pjekësit e qofteve, salçiçeve, hamburgerve, tryezat e ngrënies etj. Me materialet që ka grumbulluar Kiçua, në të ardhmen duke bashkëpunuar me z. Sotir Millona mund të krijojnë një film dokumentar për veprimtaritë e dardharëve në Amerikë.
Në filim unë u takova me z. Dhimitër Skënde dhe gjatë bisedës me të mësova disa të dhëna të panjohura për Father Spiro Page (1930-2014), shqip i thoshim Atë Spiro Paze. Ai ishte prifti që shërbeu më gjatë në kishën tonë “Fjetja e Shën Mërisë”. Father Spirua ishte bir i familjes dardhare Paze, dhe ishte prifti i fundit i shugurar prej Peshkop Theofan Nolit në vitin 1962. Ai shërbeu gjithsej 52 vjet si prift orthodoks shqiptaro-amerikan. Nga këto vite ai shërbeu në kishën e Ustërit mëse 30 vjet dhe meriton ta përkujtojmë veçmas në ndonjë nga takimet e shoqërisë “Bleta” dhe t’ia vendosim foton në sallën e poshtme të kishës ashtu si kemi vendosur dhe foton e Atë Thimi Theodosit. Nuk dua të le pa përmendur edhe faktin se kisha orthodokse shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë” u projektua prej dy arkitektëve dardharë, vëllezërit Isak.
Më tej u hap biseda për shoqërinë “Vatra”. Dhimitri është nënkryetar i degës së kësaj shoqërie për qytetin Ustër (Worcester MA), kurse unë kryej detyrën e sekretarit. Dhimitri thirri të vëllanë e tij, z. Koço dhe i propozoi të bëhej anëtar i “Vatrës”, sugjerim të cilin ky e pranoi dhe premtoi se do ta dorëzonte çekun brenda muajit qershor. Pastaj iu drejtua z. Vaskë Bruko, por ky tha se nuk dëshironte të bëhej anëtar i “Vatrës”, mbasi kjo shoqëri nuk është thjesht një shoqëri patriotike e kulturore, por shpesh merret dhe me politikë. Mesa duket qëndrimi i djathtë i “Vatrës” nuk i pëlqen këtij dardhari…
E lamë Vaskën dhe iu afruam zjarrit ku futëm disa nga ushqimet tona për t’i ngrohur sepse i kishim marrë të gatshme nga shtëpia.
Njoha aty disa dardharë që nuk i kisha njohur më parë si djaloshin Kristi Pina (Raci) student për Computer Science, mekanikun Mondi Ballo nga Zheji, i cili është dhëndër në Dardhë. Ky më njohu me djalin e tij simpatik Tomin, për të cilin tha se e kishte marrë me revan procesin e amerikanizimit dhe lexonte shumë pak shqip…
Më interesoi shumë njohja me z. Sotir Karamelo nga Sinica, martuar dhe ky me një vajzë Dardhe. Sotiri më prezantoi me djalin e tij Janin, gjimnazist. Më intrigoi mbiemri Karamelo dhe e pyeta Sotirin a e kishte fis Thoma Karamelon. Me disa fjali ai më tregoi se ky kushëri i tij kishte qenë një nga ata gjemnazistët e Liceut të Korçës që bashkë me Raqi Qirinxhiun dolën partizanë. Disa vjet mbas luftës, Thomain e dërguan në Bashkimin Sovjetik për t’u specializuar si punonjës i Sigurimit. Mirëpo, ky pasi u kthye në atdhe, kur pa shkelje dhe krime që kryheshin prej punonjësve të Sigurimit u pendua që i kishte hyrë asaj rruge dhe u shpreh kundër politikës së partisë shtet. U dënua dhe pasi kreu shumë vjet burg dhe internim u lirua më 1990…
Kur i shpreha dëshirën për të mësuar më shumë për këtë komunist të ndershëm, që guxoi ta shprehte pendesën e vet hapur, Soriti më tha se ishte shkruar një libër për jetën e Thomait dhe do të ma japë ta lexoj. U ndamë pasi i mora shënim numërin e telefonit dhe e falenderova për gadishmërinë për të më dhënë librin.
Më tej në një tavolinë ku disa gra po provonin lakrorët e njëra tjetrës, takova zonjën Elsa Gjino (Peci), ish-bashkëshorte e gjeneralit Vaskë Gjino, një nga kuadrot më të përgatitur të ushtrisë sonë, por që Enver Hoxha e dënoi padrejtësisht me grupin e Beqir Ballukut. Elsa ka dy djem të martuar e me fëmijë, por ata janë dhënë pas punëve dhe familjeve të tyre dhe nuk afrohen nëpër veprimtari të shoqërisë dardhare edhe pse anëtarët e kësaj shoqërie, si dhe gjithë ne të tjerët, kemi nevojë për të mësuar nga jeta e tyre në internim, ku humbën vitet më të mira të rinisë së tyre pa asnjë shkak. Bisedat me ta do të ndihmojnë për çlirimin e shumë njerëzve që vuajnë ende nga nostalgjia ndaj sistemit komunist…
Aty nga ora 2:00 PM e mori fjalën Frank Zdruli, i cili doli përballë tavolinave dhe dha disa mendime për të ardhmen e shoqërisë. Midis tjerash ai tha:
“Këtë piknik e organizuam me rastin e 100-vjetorit të shoqërisë “Bleta”.
Shoqëria civile amerikane dhe ne si pjesë përbërëse e saj kemi kaluar shumë etapa emancipimi dhe zhvillimi. Në të njëjtën kohë shoqëria Shqiptare në atdhe, si pasojë e një shpërfytyrimi dhe degjenerimi gjatë viteve të diktaturës çnjerëzore, sot gjendet në nje amulli të plotë korruptimi dhe degradimi. Gjithashtu nëqoftëse 100 vjet më parë shqiptarët kishin nevojë për një rindërtim të institucioneve shtetërore dhe të një shteti kombetar, sot rruajtja e identitetit shpirtëror dhe territorial shqiptar nuk dëmtohet nga armiqtë e jashtëm por nga vetë papergjegjesia e elitës drejtuese brenda vendit dhe vendimeve të papërgjeshme që po e shtysin vendin në një greminë në mes të Europës spekulative. Sot ne Amerikanët me origjinë shqiptare, pas tre a kater breza emigrimi, shikojmë vetëm një mundësi për të risjellë në vend integritetin kombëtar shqiptar. Kjo mundësi qëndron në organizimin dhe veprimin tonë si Amerikano Shqiptarë për të ushtruar një trysni të plotë kundrër këtij degradimi, që po vijon të dëmtojë thellë dhe të pengojë integrimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri te civilizuar perëndimore. Ne sot punën dhe kohën tonë të çmuar, nuk mund ta harrxhojmë vetëm ne piknike dhe festivale shqiptare, por do t’i vemë në funksion të rruajtes dhe përtëritjes së traditave dhe trashegimnisë shqiptare duke shpalosur integritetin tonë amerikan në lidhje me çeshtjen shqiptare. Përpjekjet tona si Amerikano Shqiptarë do të jenë për të sjellë drejtësi në gjithë padrejtësitë që vijojnë kundrejt nesh si dhe anashkalimet e legjislaturës dhe rregulloreve ligjore nga administratat e shtetit Shqiptar dhe Amerikan. Gjithashtu do të vlerësojmë arritjet dhe kontributet e komuniteteve tona respektive në ecurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë Amerikane.
Qytetaria Amerikane e jona nuk është një kartë udhëtimi me avion por është dëshmi e integrimit që ne mund dhe duhet t’ua u trasmetojmë dhe shqiptarëve të Shqipërisë në përpjekjet e tyre për drejtësi.
Ky është i vetmi koncept që mund të drejtojë Shqiptarët drejt demokracisë së vërtetë dhe mund të realizohet vetëm kur ne Amerikanët me origjinë Shqiptare do të vlerësojmë si duhet interesin dhe integrimin tonë në këtë shtet të Lirisë si Amerikanë dhe më tej duke e rruajtur këtë interes mund t’ia transmetojmë edhe shoqerisë në Shqipëri për ta nxjerrë në rrugën e integrimit të vërtetë.
Së fundi, tha z. Zdruli, kryesia e shoqërisë “Bleta” mendon që në vjeshtë të organizojë një mbrëmje fondmbledhëse për rindërtimin e tremit rreth kishës së Shën Gjergjit, sepse muret e saj po dëmtohen nga lagështira.”
Më tej vijuan lodrat, këngët, të ngrënat e të pirat me shëndete dhe bisedat. Shumica u shpreh se do të ishte mirë që shoqëria “Bleta” ta caktonte çdo vit një ditë të djele për organizimin e piknikut, sepse bashkimi i njerëzve në të tilla ambjente i afron më shumë dardharët e këtushëm dhe miqtë e tyre, sesa mbrëmjet nëpër restorante…