Saimir Tahiri u shpëton prangave: 75 vota kundër arrestimit, pro-hetimit/
*Rrëzohet kërkesa për arrestimin e Tahirit/
E thënë dikur pas një aksioni policor, “Bravo çuna” e Saimir Tahirit sot mund të konvertohet dhe me një “Bravo shoqe e shokë”, referuar votën anti-arrest të kolegëve socialistë karshi tij.Grupi i PS-së, ka votuar kundër kërkesës së prokurorisë së Krimeve të Rënda të Tiranës, që të lejojnë arrestimin e deputetit Tahiri, në total 75 vota.Ndërkaq, 60 deputetë kanë votuar kundër, duke bërë të mundur kështu që Prokuroria mund të zhvillojë hetimet ndaj Tahirit me ndjekje në gjendje të lirë, si dhe duke e kontrolluar atë, kompiuterin, telefonin apo edhe banesën.Në fjalën e tij në sallë, Tahiri tha se mirëpret çdo lloj vendimi të deputetëve, duke shtuar se rruga e tij nuk ndalet këtu, por do vazhdojë përballjen me drejtësinë.“Kjo sallë ka dëgjuar shumë njerëz që janë betuar e përbetuar, kështu që unë do ia kursej çdo fjalë timen në lidhje me këtë. Nuk pres ta gjej të drejtën time këtu në Parlament, por para drejtësisë, kështu që mirëpres çdo vendim tuajin. Rruga ime nuk ndalet këtu”, tha Tahiri.Kështu, ish-kreu i Rendit i ka shpëtuar një rënie në burg, për të cilën ai nuk e fshehu ankthin e tij para publikut, gjatë një daljeje televizive në Opinion. /tesheshi
***
Rrëzohet kërkesa për arrestimin e Tahirit
Në Shqipëri, me votat e shumicës së majtë parlamenti rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për marrë autorizimin për arrestimin e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas dyshimeve për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, pjesë e një organizate krininale italo-shqiptare e cila u godit nga autoritetet italiane në Catania. Deputeti Tahiri, i cili sipas rregullores kishte të drejtën për të dhënë shpjegime në sallë, u mjaftua vetëm me një deklaratë të shkurtër. “Nuk pres ta gjej të vërtetën në sallën e parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe qytetarëve. Kështu që mirëpres çdo vendim tuajin. Përpjekja ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet këtu”, u shpreh zoti Tahiri i cili ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij.
Përpara se parlamenti të votonte, u lexuan dy raportet e deputetëve të shumicës dhe atyre të opozitës, në Komisionin e Mandatave dhe Imuniteteve. Sipas përfaqësuesve socialistë prokuroria nuk ka sjellë prova dhe se ajo nuk ka kryer paraprakisht hetime ndaj ish ministrit të Brendshëm. “Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”.
Por sipas opozitës parlamenti nuk duhet të hyjë në vlerësimin e provave, pasi në këtë mënyrë vlerëson fajësinë apo pafajësinë e deputetit nën hetim. Raporti i përfaqësuesve të opozitës thekson se provat e paraqitura nga Prokuroria janë mëse të mjaftueshme dhe se mos arrestimi i tij përbën rrezik për prishjen e provave. Mosdhënia e autorizimit për arrestim do të ishte sipas opoztës “pengim i drejtësisë dhe goditja më e energjike ndaj shpresës së publikut dhe aksionit politik për reformën në Drejtësi. Parlamenti nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo e mbështetësve direkt të tij”, mbyllet raporti i opozitës.(Kronika sipas VOA)
