Shënime të dokumentueshme/
Nga Alfons Grishaj*/
E vërteta sido që të jetë mbetet fakt!
Në shoqërinë shqiptare, historia merret mbarë e mbrapsht dhe pothuaj të gjithë kanë të “vërtetat” e tyre mbi ngjarje, në të cilat e për të cilat, as kanë qenë pjesëmarrës apo dëshmitarë okularë, as posedojnë ndonjë dokumentacion autentik dhe as bazohen mbi burime arkivore, siç mund të jenë përveç atyre dokumentare, gazetat e kohës, monografitë, fotografitë, xhirimet filmike etj. Për të mos folur pastaj për çështjen e metodës…
“The spirit of Democracy is not a mechanical thing to be adjusted by abolition of forms . It requires change of heart” (Mahatma Gandhi)
Historia nuk bëhet me biseda apo thashetheme kafenesh nga njerëz të vegjël, as me fallsifikime letrash si në komunizëm, as me mungesë serioziteti apo “ngut për…”, por me burime të besueshme dhe dëshmitarë të besueshëm që kanë kontribuar jo thjesht për emër dhe karrige, por për demokracinë e vërtetë. Demokracia e vërtetë fitohet prej heronjve dhe gëzohet nga populli. Tek ne, lëvizja demokratike u realizua me kontributin e heronjve, por sukseset po gëzohen prej parazitëve, që si morrat krijojnë folenë e tyre për të pirë gjak. Në vendet demokratike parazitët fishken vetiu nga sfida e proceseve të shpejta dhe qarkulluese, në vendet diktatoriale dhe me demokraci të dobët, lulëzojnë në përmasa të rrezikshme! Ky është paradoksi më i çuditshëm në shoqërinë shqiptare.
Ndërkohë që Partia Demokratike po kërkon nëpërmjet një procesi shkencor historik të njohë dhe vlerësojë kontributet e demokratëve në vite, nismë që është përshendetur nga demokratët e vërtetë, ndodh që në hapat e parë të këtij procesi, për motive që ende nuk janë bërë të qarta, të shtrembërohet e vërteta mbi themelimin e degës së PD-së Shkodër. Nga sa kam parë në një dokumentar mbi këtë temë, (shfaqur nga TV Rozafa), duke e krahasuar me tekstin e botuar nga Eduard Grishaj, (i shfrytëzuar pjesërisht nga dokumentari) rezulton që teksti është cunguar dhe se dokumentari nuk është pregatitur me seriozitetin e duhur! Kështu, krejt pavend nga objektivi i dokumentarit, paraqitet si dokument lista e të zgjedhurve në Komisionin Drejtues të degës së PD-së Shkodër në Konferencën e I-rë të saj, zhvilluar në shtator 1991, pothuaj një vit më pas nga ngjarjet për të cilat bëhet fjalë. Së dyti, në vend të nismëtarëve rezultojnë të kooptuarit, njerëz të cilët meritojnë respekt, por që nuk mund të nderohen për atë që nuk kanë bërë, çka do të thotë që nuk mund të përfshihen si kontribues nismëtarë. Nga lista e nismëtarëve hiqet emri im dhe i vëllait tim Eduard Grishaj, që kemi punuar si pak kush tjetër në PD. Po kështu nuk përmenden kontributi si nismëtar i z. Arben Lika, i zgjedhur si koordinator mes degës së PD-së Shkodër dhe Qendrës në Tiranë, i z. Mark Mëhilli, i z. Tefalin Malaj, z. Viktor Kasneci, z. Ibrahim Bilali dhe disa aktivistëve të tjerë jo më pak të rëndësishëm, (edhe pse dokumentohen nga fotografia e mitingut 3 Janar 1991. Dikur Bonoparti thoshte : “ Një foto është e barabartë me njëmije fjalë” ) lufta dhe përpjekja e të cilëve nuk kishte synim përfitimet vetjake, por vendosjen e demokracisë dhe fitoren e PD-së, si forca që ndërmori përgjegjësinë historike për këtë mision. Ne luftuam, jo vetëm për krijimin e PD-së, por dhe rritjen e konsolidimin e vlerave të saj ndër vite.
Dokumentari i realizuar me ngut dhe pa konsulencën intensive të nevojshme mbi historinë e krijimit të degës së PD-së në Shkodër, në mënyrë specifike, nga dita e parë e themelimit të PDSH me 12 dhjetor 1990 deri në formimin e Komisionit Nismëtar të Degës së PD-së Shkodër me 11-12 Janar 1991, përbën në thelb të kundërtën e asaj çka i nevojitet PD-së sot më shumë se kurrë e që mund të përkufizohet si nevoja për të njohur vetveten. E në këtë rast çka nevojitej ishte një përmbledhje e një periudhë prej 31 ditësh përpjekjesh intensive në një situatë të jashtëzakonshme, një objekt pune studimore që meriton një studim të thellë e kompleks, datash, çështjesh të shtruara e të debatuara, personalitetesh e individësh, rrymash e botkuptimesh, por kurrsesi një “punë” disa ditësh, apo më keq disa orësh, sa për të kryer një aktivitet përkujtimor sipas rutinës, që nuk justifikon përmbajtjen dhe qëllimin.
Krijimi i Komisionit Nismëtar dhe shënime plotësuese
Për hir të së vërtetës, Komisioni, u mblodh me 11 Janar 1991 dhe jo me 12 Janar dhe është zhvilluar në shtëpinë e z. Mark Mëhilli. Të deleguar kanë qenë Arben Imami, Azem Hajdari dhe Arben Demeti. Takimi zgjati deri pas mesit natës, jo thjesht sepse po merrnim vendime historike, por për pajtuar hatërmbetësit, dhe kjo duhet theksuar për t’u kuptuar më mirë historia, e cila është mbuluar jo rrallë nga thashethmnaja e neveritshme dhe komentet e “rrugës”. Në këtë “mjegull” ka rolin e vet edhe ndonjëri prej “shokëve” tanë, duke e tjetërsuar thelbin e debatit të zhvilluar në mbledhje rreth zgjedhjes së z. Pjetër Arbnorit në detyrën e Kryetarit. Pjetër Arbnori ishte takuar dhe më parë me 12 Dhjetor në Tiranë me Dr. Berishën dhe Arben Imamin, ashtu siç ka shkruar dhe në librin e tij, fakt që e kanë konfirmuar vetë Berisha dhe Imami më vonë. Për këtë çështje nuk do të zgjatem më tej. Unë, Kolec Ndoja, Eduard Grishaj, Mond Bushati kemi kembëngulur që ai të aderonte definitivisht në PD, për të jetësuar bashkarisht edhe idetë e tij si ish i burgosur politik. Këtë, ai e ka pohuar dhe në librin e tij: “Lufta Për Të Mbetur Njeri”.
Ne e dimë se thashethemet i përhapte Sigurimi i Shtetit duke shtrembëruar thelbin e debateve tona. Por as atëherë dhe as sot e kësaj dite nuk mund të akuzohet njeri, sepse falë dosjeve që qendrojnë ende të mbyllura, nuk mund t’i drejtosh kujt gishtin. Ka pasur sigurisht dhe të tjerë shtrembërues të së vërtetës për qëllime të ngushta karriere. Mjerisht, ka në çdo kohë njerëz mendjelehtë që pranojnë më parë gënjeshtrën se të vërtetën. Prandaj dhe janë përhapur disa gënjeshtra rreth thelbit të asaj mbledhjeje. Në funksion të zbardhjes së të vërtetave po i paraqes lexuesve një pjesë të shënimeve të mia të mbajtura pikërisht atë ditë. Shënimet i kam të gatshme për analizë shkencore që janë bërë në atë kohë, megjithse se ne, nuk është nevoja për këtë se shumica e të pranishmëve janë ende gjallë dhe mund t’i konfirmojnë ose dhe mund t’i pasurojnë me ndonjë detaj.
Z. Xhemal Uruçi hapi mbledhjen , duke theksuar rëndësinë e takimit. Mond Bushati foli në emër të studentëve dhe nismëtarve , duke bërë një ekspoze të atyre ditëve. Në vazhdim të rendit të mbledhjes, Edmond Bushati dhe Eduard Grishaj propozojnë për Kryetar të Komisionit Nismëtar z. Pjetër Arbnori. Arben Broci, me një sjellje prej xhentëlmeni (dhe jo si thotë apo shkruan ndonjë gënjeshtar dashakeq), ndërhyri me pyetjen: “Ne po e vendosim Pjetër Arbnorin për Kryetar, po a e pranon Shkodra një ish të burgosur politik”? Pyetja e tij ishte e sinqertë dhe me të, të gjithë sa ishim, kuptuam se shqetësimi i tij lidhej me idenë se me zgjedhjen e z. Arbnori kryetar nënkuptohej një kalim i PD-së në ekstremin e djathtë. Ai kishte parasysh se në programin minimal të PD, njihej zyrtarisht se, lëvizja studentore zhvillohej në kuadër të reformave që kish ndërmarrë Ramiz Alia. Megjithse, Arbeni ishte i vetmi person që injoroi Ramiz Alinë, në takimin e tij me përfaqësinë e studentëve, ai tërthorazi ua kujtoi atë. Pas Arben Brocit, e merr fjalën Arben Imami : “Dhe në Vlorë ka ndodhur një fenomen i tillë, por është refuzuar që një ish i burgosur politik të dalë në krye të Degës së PD-së ”!
Pas A. Imamit, u ngrit Eduard Grishaj duke thënë: “Këtu jemi mbledhur për politikë e jo për probleme ordinere. Në Shqipëri ka ndodhur një ndryshim politik, ne këtij ndryshimi duhet t’i rrijmë. Pjetër Arbnori, si i burgosur politik aspiron dëshirat e Shkodrës, e cila duhet ta ketë për nder t’a ketë në krye. Shkodranët, nuk janë si njalat, por u qendrojnë pikëpamjeve të tyre politike, këtë duhet ta ngulisë në mendje çdonjeri që vjen këtu”! Fjala e tij ndikoi për reflektim… Azem Hajdari, duke e vlerësuar fjalën dhe kurajon e Eduardit, me akcentin karakteristik tropojan, pyet: “A mundet Pjetra me e ba detyrën e kryetarit, nga qi ka vujt shumë nën thundrën e hekurt”? Pas Azemit e merr fjalën Mond Bushati: “Pjetër Arbnori, duhet të jetë mëndja jonë që të na orjentojë për të mos gabuar, ne bëjmë punën”! Eduard Përjaku, deri atëherë ishte i heshtur dhe vështronte herë njërin e herë tjetrin, hyri në dialog: “Pjetër Arbnori le të jetë ati jonë shpirtëror, dhe një pikë refërimi ne rrugëtimin tonë”. – “Le ta dëgjojmë Pjetrin”, – ndërhyra unë.Pas meje Arben Imami, tha të njëjtën gjë… Pjetri, duke na kundruar, mori fymë thellë dhe filloi fjalën e tij me akcent shkodran : “ Asht e vërtetë se burgu asht i rand, jo vetëm për mu, por për të gjithë ata që kan kalu një pjesë të jetës atje. Ne, sa herë rrëzoheshim, ngriheshim ma të fortë. Personalisht, kam përballu momente të vështira dhe jam mësu. Përsa i përket fjalës së Imamit, du me than se psikologjia e Shkodrës asht ndryshe me at’ të Vlonës …Shkodra përbahet nga nji popullsi tansisht antikomuniste. Falenderoj të pranishmit që më propozun dhe më dëgjun me vëmendje. Në qoftëse votimi më nxjerr mu kryetar, të jeni të sigurt se nuk do ju zhgënjej”. Pas votimit, Pjetri u zgjodh Kryetar i Degës PD Shkodër. Komisioni nismëtar u deklarua i ngritur pas leximit të emrave nga Mond Bushati:
Emri Mbiemri
Pozicioni
Pjeter Arbnori-Kryetar,
Syrri Dizdari,Sekretar,
Arben Broci – Antar
Alfons Grishaj-Anetar
Eduard Perjaku-Anetar,
Ilirjan Idrizi-Anetar
Kolec Ndoja -Anetar
Xhemal Uruçi_Anetar
Nikolin Thana_Anetar
Edmond Bushati-Anetar
Zhani Sekuj-Anetar
Fran Gjergji-Anetar,
Arben Lika_Anetar, koordinator mes degës së PD-së Shkodër dhe qendrës në Tiranë
Bashkë me Arben Likën Komisioni numëronte 13 antarë. Numri mbeti tek për arsye që në çdo votim të arrihej dhe vendimarrja. Lista e paraqitur në dokumentarin e PD Shkodër është e mangët. Ndërsa lista e Eduard Grishaj, (botuar tek Minerva dhe Dielli ) është e pasaktë vetëm në emrin e Arben Likës.
Video-dokumentari i PD-së Shkodër, edhe pse pajiset me dokumentacion e shënime, pikërisht nga nismëtarë që kanë pasur rol kyç në atë proces, injoron fakte dhe momente domethënese si tërheqja e z. Eduard Grishaj nga zgjedhja në komisionin nismëtar, për të mos krijuar imazhin e një subjekti politik që po klanizohej ende pa lindur mirë, (pak a shumë atë dukuri që synon të parandalojë ligji për konfliktin e interesit në të gjithë botën demokratike, me qëllim reduktimin e pushtetit familjar mbi institucionet), e po kështu edhe tërheqjen e z. Mark Mëhilli, Tefalin Malaj, dhe të tjerëve për të lënë hapur vende për të kooptuarit që pritej të aderonin në ditët në vijim. Më duhet të theksoj, se edhe pas njëzet e pesë vjetësh, siç shihet edhe nga shtrembërimet dhe injorimet e fundit, përsëriten të njëjtat “gabime” si dhe më parë. Mjerisht, në këto pozita, nxitur nga subjektivizmi, kanë rënë ndonjëherë edhe vetë nismëtarët, madje edhe nga ata më seriozët e më të përkushtuarit siç ka qenë rasti i Eduard Perjakut në librin e tij “Qyteti i Tre Miteve” ku gabon jo vetëm për datën e mbledhjes dhe pjesëmarrësit në votim, por dhe bisedat i tregon me mungesa ose ua ndryshon kontekstin. Sot ndaj atyre burrave që u tërhoqën me qëllim fisnik për t’iu bërë vend të tjerëve, duhet treguar shumë respekt, pasiqë ata u larguan nga karriera, por jo nga lufta për demokraci. Ata punuan më shumë se disa antarë të Komisionit Nismëtar!
Në zbatim të vendimeve të mbledhjes së 11 janarit, pas pak ditësh u kooptuan Ferid Hafizi, Dashamir Peko, Agostin Shqalsi. Ali Spahia u kooptua me 17 Shkurt 1991, me propozim të Sali Berishës. Arben Haveri, u propozua nga Kolec Ndoja si financier, duke i ardhur në ndihmë llogaritares Linda Kajushi, e cila kryente edhe funksionin e daktilografistes. Fatmir Bërdica, u propozua nga Frano Gjergji. Shofer i PD ishte Kujtim Asllani, i cili sëbashku me Kolec Ndojen dhe të tjerë, u ndeshen shpesh nëpër prita e anti-mitingje. Me 23 Shkurt 1991, Syrri Dizdari u zëvëndësua me Xhemal Uruçin.
Nën drejtimin e këtij Komisioni Drejtues u fituan zgjedhjet e para pluraliste në rrethin e Shkodrës. Të tjerat, në rastin më të keq nuk janë të sakta, dhe në rastin më të mirë, kronologjikisht të pasakta.
Disa ditë pas zgjedhjeve të para, me 12 Prill 1991 janë kooptuar Fadil Kraja, Tonin Ujka, Paulin Radovani. Paulini erdhi në vend të Arben Brocit, pas rënies së tij Martir. Ata njiheshin bashkë. Arbeni punonte inxhinjer tek ndërmarrja që drejtonte Paulini .Ky i fundit kishte zmadhuar foton e Arbenit dhe e mbante gjithmonë me vete në çantën e tij të dorës. Intelektualë të tillë i duheshin PD-së…Asnjëherë nuk jam pënduar, që atë natë i propozova Arbnorit ti kalonim me votë për kooptim. Dikush shkruan pasaktësi. Pati me këtë rast, hatërmbetje deri në fyerje, por ne vazhduam punën. Mendoj se gënjeshtra është esenca e karakterit dhe karakteri pasoja e deformimit të tij!
Mitingu madhështor i 3 Janarit, ngjarje me rëndësi historike për demokracinë.
Barrën organizative të Mitingut madhështor të 3 Janarit e morëm përsipër kryesisht një grup miqsh të ngushtë, pasiqë të tjerëve po u “fluturonte” koha për fjalimet. Pikërisht për to patëm përplasjet e para të natyrës ideologjike. Vendosëm që fjalimet të lexoheshin në prani të nismëtarëve kryesorë, të bëheshin vërejtjet dhe sugjerimet, të korrigjoheshin për t’u mbajtur pastaj para popullit në miting. Dikush pati dëshirë ta paraqiste Ramiz Alinë si hero të demokracisë, por fjalimi i tij u kundërshtua nga Shenasi Rama, dhe më pas u shqye nga nismëtarët Viktor Kasneci dhe Cesk Bici. Kolec Ndoja, u përzgjodh për të mbajtur fjalimin që pregatitëm në grup. Ai fjalim u konsiderua si një “Fjalim luftarak”! dhe hapi mitingun. Sali Berisha e quajti Shkodren, “Krye urë e qytetrimit Shqiptar”. Shenasiu me Mondin shpalosen flamurin pa yllë që ishte ngritur 70 vite më parë mbi Rozafat. Fjalimet e tjera ishin si limonata në dimër… Data e 3 Janarit u njoh më pas edhe si data zyrtare e themelimit të PD-së Shkodër. Kjo ditë u festua në vite. Por më pas u ndryshua pa ndonjë spjegim duke e injoruar atë ngjarje si një fakt kuptimplotë historik kur populli demokrat i Shkodrës i ofroi drejtuesve të rinj të PD krahas mbështetjes edhe një kauzë të vërtetë opozitare, të cilën PD e porsaformuar ende nuk po e gjente. Mjafton të kujtohen parullat e shumta që mbante populli i Shkodrë atë ditë. Ngjarje të tilla, kur populli tejkalon pritshmëritë e liderëve, shënohen dhe studiohen nga akademikët e katedrat më në zë të historisë. Por tek ne, çështjet që përbëjnë dije, u krijojnë bezdi e kokëçarje atyre që drejtojnë.
Shënime për reflektim
Për gjithçka po flas ka mjaft dëshmitarë që janë gjallë e besoj ende të freskët në memorie. Ata janë dëshmitarë autentikë dhe mbeten burimi më i besueshëm, natyrisht kur shmanget subjektivizmi. Unë jam i gatshëm t’i ballafaqoj shënimet e mia me cilindo që ka diçka për të thënë lidhur me këtë temë, natyrisht nisur nga baza metodologjike historike si shkencë. Nëse dikë e ka lënë kujtesa, ose ka dëshirë ngatërrojë kronologjinë me paçavuret e Ramiz Alisë, gabon rëndë! Dhe e them pa mëdyshje, nuk do të ia fal kurrë!
Energjitë që kemi shpenzuar për të mposhtur makinerinë shtetërore të Partisë së Punës në zgjedhjet e 31 Marsit janë të pallogaritshme. Për to, kam ndërmend të flas në një rast tjetër por nuk mund të rri pa përmendur se na është dashur shpesh të shpenzojmë energji edhe për të ndrequr punët e brendshme, që shpesh shkaktoheshin nga vogëlsira. Personalisht, nuk jam lodhur asnjëherë me qaramanët, që largoheshin me javë nga Komisioni Drejtues për hatërmbetje. Herë më duhej të shkoja për të pajtuar njërin, e herë tjetrin antarë kryesie. Në dy raste kam qenë i shoqëruar nga Mond Bushati dhe Blerim Çela.
Nuk jam lodhur dhe nga pabesia e ndonjërit prej tyre… Nuk jam lodhur dhe kur nuk dinin të përpilonin një deklaratë apo të shkruanin një artikull. Nuk jam lodhur dhe kur u fshehën pas 2 Prillit e nuk vinin në PD… Nuk jam lodhur dhe më vonë, kur drejtimin e PD-së e “populluan” agraristët, socialdemokratët, populloro-fetarët e “djathtistët e DBSh” (E Djathta e Bashkuar Shkodrane). Kam shpenzuar dhjetë vjet jetë për Demokraci në Shqipëri dhe nuk kam reshtur së bëri të njëjtën gjë as në emigracion. Kam rrezikuar jetën time dhe të familjes dhe kam shkrirë pasurinë time për çështjen e lirisë, ndërkohë që të tjerët zgjasnin duart për të bërë plaçkë me asetet publike. Tani, në emër të respektit ndaj kontributeve dikush që ka për detyrë t’i njohë e vlerësojë këto kontribute na nxjerr fytyrat por na heq emrat! Do të doja që kjo të mos ishte e qëllishme por shkarje nga ngutja. Përndryshe, s’më mbetet veçse ta konsideroj hile me pasoja. Dhe unë i njoh mirë edhe hilet edhe hileqarët. I kam njohur me kohë ata që ia kishin e ia kanë me hile PD-së! I njoh në rradhë të parë si tipologji. Janë të njëjtët, pavarësisht nga origjina. Marrin nga një karrige, bëjnë plaçkë me pasurinë publike, dhe kur u mbaron mandati, ose shndërrohen në kundërshtarë të PD, ose zhduken derisa u vjen koha e riciklimit. Këta janë dhe me të rrezikshmit edhe pse nuk u janë parë kurrë në mënyrë transparente “faturat”! Ky tip ka infektuar rëndë partitë dhe demokracinë shqiptare dhe pikërisht për këtë shkak Shqipëria hiqet zvarrë në baltë si asnjë vend tjetër në rajon! Me këta elemente nëpër këmbë, PD, do të vazhdojë të humbasë terren dhe vota! Ajo duhet të dijë të distancohet nga ky kontigjent, ndaj të cilit, shoqëria shqiptare ka sot neveri. Nëse PD do të dinte ta bënte këtë, do t’u jepte garanci zgjedhësve shqiptarë për një ndryshim rrënjësor në moralin politik dhe ky hap do të bënte shumë më tepër sa ç’do të mund të bënte edhe vetë e ashtuquajtura reformë në drejtësi, sepse sikundër dihet të “korruptuarit e pushtetshëm”, në fakt janë shumë më pak se partnerë në ndarjen e pushtetit, madje shumë prej tyre zor të mbërrijnë nivelin e klientit politik.
Unë shpresoj në lidershipin e ri të PD-së, në mënçurinë, energjinë dhe strategjinë e realizimit të misionit historik të lirisë dhe demokratizimit të vendit.
John F. Kennedy says , “The ignorance of one voter in a democracy impairs the security of all”.
* Ne Foto: Kolec Ndoja me 3 Janar 1991 duke hapur mitingun e madh te Shkodres.Botohet per here te pare