Kosovë-Verrat e Llukës përfshihen në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme/

PRISHTINË, 4 Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar sot kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Ministria deklaroi sot se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore. Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.
Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi me 1 maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.
Ministri i Kulturës Kujtim Shala u shpreh se me këtë akt Institucionet e Kosovës tregojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën duan ta marrin në mbrojtje, ta promovojnë dhe t’iu përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës.
Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë s ë Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettë s me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 18 viteve – në mars 1999.
Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar nga Verrat e Llukës, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova” për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.