• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi vezë e veza komb

August 13, 2015 by dgreca

SHKRUAN:KOLEC TRABOINI/
-Fejton-/
E pafrytshme do të qe çdo përpjekje për ti mbushur mendjen ndonjë artikullshkruesi se nuk ka kurrfarë zbulese në teorizimet e tyre se prej një kombi na u krijuakan edhe kombe të tjerë si në lojën e kungulleshës që “kam një komb dhe e ndaj në dy pjese, pse dy, po sa , tre” e kështu me radhë. Kjo për faktin se këtu kemi të bëjmë me njerëz që e kanë marrë seriozisht këtë punën e pjelljes së kombeve në laboratorin e tyre krijues. Po nuk janë dhe aq të vjetra këto histori me pështjellime kombesh, sepse edhe para një shekulli, kur kishin dy vjet pavarësi, u bë një komplot nga një agjent ushtarak i Stambollit me origjinë nga Grebeneja, për ta na bashkuar sërish me sulltanët, sepse mendja e tij e çartur na konsideronte një komb turk.
Mjerisht krijuesi i teorisë famëkeqe të kombit kosovar, Nexhmedin Spahiu, analist e mësimdhënës nga Mitrovica, këto kohë në rrjetat sociale po del nga loja si intelektual e zbret të flas si një i zakonshëm që grindet në një kafene rruge tek i drejtohet publicistit Fahri Xharra në Gjakovë:”…kujt i referohesh kur thua “Kombi i ardhmërisë, Kombi Kosovar? Përzierje me kënd?.” Për të qenë komb mjafton të kesh shtetin tënd, nuk është e thënë të përzihesh me askënd. Kombi kosovar është monoetnik, përbehet vetëm nga pjesëtaret e etnisë shqiptare, përfshi edhe idiotët dhe zagarët si ti.”.
Le te shohim cilët janë disa nga titujt e veprave të analistit Nexhmedin Spahiu para se të japim dy mendime mbi nulitetin historik të ideve të tij: “Drejt Kombit Kosovar”, Mitrovicë, 2004.,”Kombi në Inkubator”, Prishtine, 2010, “Foshnjëria e Kombit Kosovar”, Prishtinë, 2014. Për çdo shqiptar atdhetar këta tituj janë iritues, me ti shti dreqnit do të thoshnim, e nuk mund të mos shoqërohen nga një ironi si reflektim i absurditetit që përcjellin. Kësisoj pra, në këtë turr të pjellakombësve mund të vazhdohet të dalin edhe vepra të tjera si “Adoleshenca e Kombit Kosovar”, “Puberteti i Kombit Kosovar” “Martesa e Kombit Kosovar” “Andropauza e Kombit Kosovar” si dhe së fundmi “Pleqëria e bjerramendja e Kombit Kosovar”, sepse, meqë krahasimi është bërë me jetët njerëzore, kush plaket qe besa edhe rrjedh bukur mirë. Po jo ama të rrjedhë aq shumë e aq shpejt siç po terrahupet tërë kjo sajesë që na kujton një vezë të prishur, të cilën ngrohe sa të duash, kurrë prej saj nuk do të dalë ndonjë zog pule me emrin Komb Kosovar. Por problemi tashmë është jo efekti i këtyre teorive që po konsiderohen përralla me komb, por zbritja nga teoritë konfuze të librave të tillë në debate të një niveli të ultë në rrjetat sociale, çfarë tregon shumëçka nga qerthulli ku marrakoten teoricienët e krijimit të kombeve në inkubator. Me sa duket tashmë u janë shkarkuar bateritë e inkubatorit të sajesës komb e po merren me vulg-biseda që më shumë të qorrollepsin se sa të kthjellojnë. Kësaj i thonë as më pak e as më shumë, por kur pula nuk po na bën më vezë, të paktën të kënaqemi me glasat. Duke parë rrethanat e kësaj sajese komb kosovar, që kundërshtohet nga çdo mendje e kthjelltë shqiptare, ndoshta gjenden dhe arsye që autorët e kësaj sajese ka kenë humbur qetësinë e të shpërthejnë si nëpër zënka adoleshentësh gjaknxehtë. Se vërtetë ka qenë tepër e lodhshme mbi një dekade të rreket një profesor për të sajuar kombin kosovar. Kaq aventuror e kaq i pamend ky përkushtim sepse nuk ka e nuk ka për të pas kurrë komb kosovar. U duhet thënë hapur tashmë se po behën anakronikë: Lërini këto hamendësime se periudha historike e krijimit të kombeve është e kryer në këtë botë. Kombi nuk krijohet si robotët në laborator. Ah po, përpiqen të sajojnë një komb islamik të fandaksurit e Kalifatit në Irak e Siri. Po a ja vlen te imitohem këto injoranca të shoqërisë njerëzore që po përgjakin popujt me kokëprerje si në epokën më të errtë të mesjetës. Mos vallë ky është inspirimi edhe i pjellakombësve tanë nga Kosova?! Ta kthesh historinë së prapthi, të nisesh e të jetosh me mendje në kohën e krijimit të kombeve është si të marrësh Rosinantin e Cervantesit e ti biesh pash në pash Kosovës e Shqipërise duke kaluar edhe nëpër Iliriadë e Maqedoninë e Shkupit. Është mirë të lihen në një anë përpjekjet alogjike, naive e destruktive, qëllimkëqija, që në thelb janë antikombëtare e rrjedhimisht antishqiptare. Është një përçapje absurde që nuk i nderon, ju humbet edhe ato çfarë kanë fituar si autor shkrimesh. Kjo gjithsesi mund të shtojë një lloj vëmendje mediatike, por nuk është e mirë për ta si përçues teorish konfuze e pa taban. Pa ne si shqiptarë në një komb të përbashkët me shqiptarët e tjerë në gjithë Ballkanin nuk po kemi dert se po na dalin do guriçka në rrugë a shkopinj nën rrotë. Kësisoj teoricienësh plëngprishës ka pas gjithmonë, edhe tradhtar kemi pas gjithmonë, edhe njerëz që punojnë për shkatërrimin e kombit shqiptare copëzimin e tij kemi pasur e vazhdojnë të kemi, por kauza shqiptare ka ecur përpara. Mirë është tu thuhet që të mos i bashkohen mjerimit intelektual, shterpësisë, atyre që e shesin shpirtin për pak para tek qarqet antishqiptarë të fqinjëve e që përfaqësohet së pari nga Kapllan Resul (Buroviçi) e do të tjerë. Të vjen keq kur po tollovitet mjerueshëm edhe një intelektual e analist si Halil Matoshi, madje me fill të humbur edhe i nderuari Rexhep Qosja. Çfarë po ndodh me këto njerëz që me teoritë e tyre po sjellin aq moskuptime e marramendje në popull, që po kërkojnë të ndajnë trungun shqiptar, që po kërkojnë ta na tjetërsojnë e te na nxjerrin krejt ndryshe nga se jemi. A mund të thuhet se Gjermania na paska pas deri sa ra Muri i Berlinit, dy kombe. Apo Koreja e Vietnami për shkak të ndarjes shtetërore administrative na qenkan dy kombe. Është absurde të mendohet. Ashtu dhe Shqipëria e Kosova. Ndaj të mos shkojnë humbës këto analistë. Jemi një komb e nuk mund të na ndajë askush me kësisoj teorish artificiale e pa taban. Ja si e merr nën mbrojtje këtë teori analisti Halil Matoshi në debatin për çeshtjen e Kombit Kosovar:
“…Teorite e Nexhit u perkasin dijeve sociologjike dhe politike, pra për me i rrëzu ose forcu duhen argumente nga këto dije, mosni burra me albanocentrizëm të shekullit 19”. Pra sipas Halil Matoshit, të thuash se nuk mund të krijohen kombe të reja përderisa procesi i formimit i kombit shqiptar është kryer, do të thotë sipas tij që intelektualët kombëtar shqiptar notojnë në albanocentrizmin e shekullit të 19.” . Kjo në të vërtetë është një pasqyrë me reflektim të mjerueshëm në çfarë ujërash kanë rënë teoricienët e krijimit të kombit kosovar. Këshilla jonë për këta kombpjellsa, që sillen si beduinët në shkretinë duke kërkuar një identitet të ri, është se nuk duhet tu bashkohen “Muhaxhirëve” të satirizuar nga Konica, si njerëz me kujtesë historike të shuar sepse mund të shkojnë vërtetë vulëhumbur si një fare intelektuali i njohur në kohën e vet, por tepër konfuz e aventuror me emrin Beqir Grebeneja. Grebeneja udhëhoqi një përpjekje për marrjen e pushtetit për të kthyer sulltanët në trojet shqiptare në vitin 1914. Për këtë u kap bashkë me ushtarët komplotistë turq. E gjykuan dhe dënuan me vdekje, por Princ Vidi e fali. Po atë vit, shkoi e luftoi për Turqinë në frontin rus ku dhe gjeti vdekjen. Por më e rëndë se vdekja për Beqirin nga Grebeneja paska qenë harrimi nga populli i vet, megjithëse ka edhe zëra që lodhshëm përpiqen ta glorifikojnë këtë agjent anadollak. E natyrshëm kjo në kohën tonë kur nuk mbeti tradhtar kombëtar pa u shpallur hero. Dhe paradoksalisht kujtimin e halldupit Beqo e ruan Turqia. Prandaj kush është shqiptar, mirë është të mos i shkojë asaj udhe si Grebeneja, që në Shqipëri u shfaq si mercenar i huaj, e me ketë shkak për shqiptarët është i shkuar e i harruar. Nderi i çdo atdhetari është të punojë për kombin e vet, për bashkimin e përparimin e tij e jo të punojë për të tjerët, jo të përçojmë ide e mendime panikndjellëse e kryekreje të mos hallakatemi si mizat pa kokë.

12 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: e veza Komb, Kolec Traboini, Kombi veze

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT