DUKE SHPËRNDARË E PROMOVUAR LIBRIN E RI
(Shënime udhëtimi)
Thanas L. Gjika
Gjatë muajit maj të këtij viti Shtëpia Botuese JOZEF në Durrës botoi librin tim të ri “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie” (374 faqe). Krahas postimit të disa kopjeve, që bëri Z. Aurel Kaçulini, pronari i shtëpisë botuese, shkova dhe vetë për ta shpërndarë edhe në disa miq e qytete të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi dhe për ta promovuar në Durrës dhe Prishtinë.
Kur u nisa mendova se kjo do të ishte vajtja ime e fundit në atdhe, mirëpo mbas tri javë udhëtimi, kur u ktheva, vendosa që të mos humb asnjë rast për të shkuar në trojet shqiptare sa herë të kem mundësi, sidomos pas botimit të ndonjë libri të ri.
Më kanë mbetur në mendje mikpritjet e zotërinjve Ali Bega në vilën “BEGA” në plazhin e Durrësit, Spiro e Margarita Bimbli në Korçë, Shpëtim Pollozhani në Strugë, Prof. Salajdin Mehmeti dhe vëllai i tij Muhameti në Tearce të Tetovës, Prof. Isak Shema në Prishtinë, Arbër Berisha në Pejë, etj. Konforti i hoteleve dhe sjellja e qytetëruar e personelit dhe kamarierëve /kamariereve i Hoteleve “Prishtina” në Prishtinë, “Coloseo” dhe “Geg e Tosk” (i Z. Gjon Dukgilaj) në Shkodër dhe “Palata Venezia” në Ulqin (i Z. Gani Resulbegu), i Hotel-Restorantit “Tirona” te Plazh i Durrësit, ishin të nivelit europian. Për nga sistemi rrugor, Kafe-Klube, Hotele, ndërtsa shumkatshe, Restorante dhe paraqitja e sjellja e personave të shërbimit, Shqipërisa është një vend Euro-Atlantik. Njerëzit, sodomos fshatarët, i janë futur punës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndomor bie në sy lulëzim i bujqësisë dhe i blegtorisë. Kurse nëpër qytete ka nevojë për investime në industri, dhe hapje vende pune, sepse rinia që jeton në qytete nuk pëlqen të punojë në bujqësi e blegtori.
“Ajo që i mërzit shqiptarët, më thotë Z. Bega gjatë bisedave, është sjellja e korruptuar e zyrtarëve të qeverisë, e gjykatësve dhe e mjekëve. Mos paç të bësh me të tillë njerëz se ta nxijnë jetën. Në plan moral e ligjor Shqipëria është për të qarë hallin”.
Promovimi në Durrës.
Nën përkujdesjen e Drejtoreshës së Bibliotekës Popullore Durrës, Z-njës Mirela Ylli, u organizua më 10 qershor 2021 në një nga sallat e Pallatit të Kulturës promovimi i librit “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie”. Morën pjesë krijues, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm, midis të cilëve më kujtohen: Shpendi Topollaj Vaso Papaj, Nikolla Spathari, Doranin Agalliu, Mira Kauri, Mela Moisiu, Abdulla Deliallisi, Arjola Kondakçi, ing. Pasho Beqiri me bashkëshorten Z-njën Merushe, A. Bega, etj. Nga Tirana kishin ardhur studjuesja Emrie Krosi, gazetarja Kozeta Zavalani me bashkëshortin Dr. Gjergjin, studjuesi i fotografisë Qerim Vrioni, shkrimtari Kristaq Nanushi e poeti Qazim D. Shehu. Vlerësimet kryesore i dhanë gazetari e studjuesi Hasan Ulqini, punonjësja e bibliotekes moderatorja Teuta Dhima dhe shkrimtari Shpendi Topollaj.
“Libri i ri i studjuesit Thanas Gjika, tha misdis tjerash Z. Hasan Ulqini, është libri i tij i nëntë. Tërësia e studimeve, analizave, portreteve dhe kujtimeve të tij janë punë me vlera për kohën tonë dhe të ardhmen. Përpjekja kryesore e këtij libri është që të ndihmojë në korrigjimin e shtrembërimeve historike të së kaluarës, si njohja e 15 dëshmorëve të 7 prillit 1939, dënimi i hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, vlerësimi i arritjeve artistike të krijuesve që vijnë nga jeta e burgjeve dhe internimeve, si Visar Zhiti e Jozef Radi, etj. Ai vlerëson shkrimtarë të suksesshëm si Eglantina Mandia e Kristaq Nanushi, që meritojnë vlerësime më të spikatura për veprat e tyre. Nge lart karakterin e panënshtrueshëm të ish-komunistit Dino Martiko, të poetit Lazgush Poradeci, etj. Përkrah dhe vlerëson evoluimin e shkrimtarit Luan Rama dhe arritjet e tij artistike. Ai ka theksuar nevojën e një politike dhe kulture kombëtare të unifikuar në mbarë trojet shqiptare. Gjuha e shkrimeve të tij është shkencore, e pastër dhe e pasur, gjithnjë e thjeshtë dhe e kuptueshme.
Megjithëse jeton në Amerikën e largët, Thanasi, shoku e miku im që nga koha universitare, zemrën e ka në Shqipëri, jeton atje, por përjeton ngjarjet kryesore të popullit tonë dhe i trajton në shkrime, boton me shpenzimet e veta libra dhe vjen, si pak kush në atdhe për t’i shpërndarë e promovuar, gjë që i jep jetës sonë intelektuale impulse për ecje përpara”.
Punonjësja e Bibliotekës, Z-nja Teuta Dhima, pasi përmendi disa nga shkrimet e librit, theksoi se studjuesi Th. Gjika të tërheq për gamën e gjerë të problemeve që trajton, për realizmin dhe qartësinë e mendimeve, për guximin qytetar dhe dashurinë ndaj popullit tonë.
Shkrimtari Shpendi Topollaj, autor i mbi 50 librave me poezi, tregime, novela, drama, romane dhe artikuj të ndryshëm, pasi vuri në dukje disa nga vlerat e librit, theksoi: “E përgëzoj studjuesin Gjika sepse në shkrimet e këtij libri gjeta pikpamje të njëjta me pikpamjet e mia për vlerësimin e të përndjekurve dhe të së djathtës në shoqërinë dhe politikën shqiptare”.
Në fund m’u dha fjala edhe mua. Pasi falenderova Drejtoreshën e Bibliotekës, Z-njën Mirela Ylli, Z. Aurel Kaçulini dhe moderatoren Z-njën Teuta Dhima, për organizmin e këtij takimi, si dhe pjesëmarrësit e folësit, u tregova dy nga shtytjet kryesore që më nxitën të vijoja studimet në mërgim: “Kur shkova në ShBA me lotarinë Green Card më 1996 nuk dija anglisht, përgatitja ime si studjues i letërsisë dhe i historisë së popullit shqiptar nuk më hynte në punë. U punësova ku munda për të rritur e shkolluar dy fëmijët (13 dhe 18-vjeçarë). Shkova dy vjet në shkollë mbrëmjeje për të mësuar anglishten. Më bënë shumë përshtypje dy thënie autorësh amerikanë: 1- “Puno atje ku ndjehesh më i përgatitur e mund të japësh më shumë” dhe 2- “Më shumë se dashurinë, se pasurinë dhe lavdinë duaje të vërtetë”. I ngula në kokë këto thënie dhe pas punëve për të fituar jetesën, iu futa studimit të jetës së Shën Palit/Pavlit, për të cilin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse Shqiptare pranonin se ky apostull kishte punuar edhe në troje ilire, por nuk kishte studime konkrete për të përcaktuar se ku dhe kur kishte punuar ky apostull dhe a kishte shkruar ndonjë letër në këto troje. Përgatitja ime si historian dhe analist i tekstit letrar më ndihmuan që të arrija të zbuloja një të vërtetë të lënë në hije: Shën Pali/Pavli kishte punuar në disa fshatra e qytete ilire, dhe se në Durrës (Dyrrachium) kishte krijuar bashkësinë e parë të krishtere dhe se këtu kishte shkruar letrën e tij më të rëndësishme drejtuar të krishterëve të panjohur të Romës (letrën “Romakëve 1-15”). Këto arritje u pranuan prej Katedrës së Teologjisë së Atlantic Union College, prej Peshkop PhD Joan Palushit – Mitropolit i Korcës, prej Prof. Akademik Jorgo Bulosh, etj. Por në Shqipëri nuk ka studjues të mirëfilltë të historisë së Krishtërimit dhe kështu studim im ka mbetur pa u përkthyer në anglisht që të mund të bëhet problem i shkencës botërore…”
Moment nga promovimi i librit ne Durres
Një nga dëgjuesit kërkoi të dinte se çfarë kuptoja unë me të djathtën shqiptare. E sqarova nocionin tim për të djathtën shqiptare: “Me të djathtë shqiptare unë kuptoj njerëz që punojnë për t’u pasuruar në përputhje me ligjet, duke qëndruar larg korrupsionit, njerëz që kanë ndërtuar familje me moral të shëndoshë, njerëz që synojnë krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Për mua ajo që përfaqëson Partia Demokratike, nuk është e djathtë e vërtetë, sepse udhëheqja e kësaj partie është palë me udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe të Partisë LSI, të cilat së bashku sundojnë Shqipërinë përmes korrupsionit, mungesës së moralit, pa çarë kokën për krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Të djathtën e vërtetë e duan shumica e shqiptarëve të ndershëm që nuk kanë lidhje gjaku e interesi me klasën politike. Këta mund të jenë jo vetëm demokratë, por edhe eurosocialistë, ballistë e nacionalistë”…
Promovimi në Prishtinë
Me nismën e Prof. Dr. Isak Shema dhe mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës më 15 qershor në sallën Amfiteatër të kësaj biblioteke u organizua promovimi i librit tim të ri. Për shkak të Pandemisë në këtë takim erdhën pak studjues, gazetarë, mësues, studentë, etj. Midis tyre më kujtohen poeti Prof. Xhemil Bytyçi, gazetari e analisti Shaqir Foniqi, Ing. Bashkim Bordoniqi, Z-nja Vlona Bordoniqi, Oliver Sedaj, poeti Agim Gjakova, etj. Drejtori dhe Zv.Drejtori i BKK nuk mundën të vinin për shkak të një takimi tjetër.
Fjalën e hapjes e mbajti poeti Agim Gjakova, intelektual që ka qenë shembull i rrallë i qytetatisë shqiptare në kohën e diktaturave komuniste në Jugosllavi e Shqipëri. Midis tjerash Z. Gjakova tha se e kishte njohur autorin e librit në Tiranë që në vititet studentore dhe më vonë. Ai dallohej për prirjet e tij liberale. Pasi më falenderoi për vajtjen në Prishtinë për të promovuar librin e ri, ia dha fjalën Profesorit Isak Shema.
Prof. Shema përmendi me hollësi shkrimet e përmblodhur në këtë libër si portrete, ku vlerësohet jeta dhe vepra e krijuesve të talentuar Jozef Radi e Luan Rama; jeta heroike të ish-komunistit Dino Martiko dhe e bashkëshortes së tij Sofia, minoritare greke nga Pogoni; analiza për vepra letrare të Visar Zhitit, të Eglantina Mandisë e Kristaq Nanushit; vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të veprimtarit të shquar politik Shpëtim Pollozhani i Maqedonisë së Veriut dhe për antologjinë “Pena të arta franceeze për shqiptarët – 1332-2007” të studjuesit Fotaq Andrea, libër madhor ku spikat ideja se Shqipëria gjatë shekujve ka qenë për vizitorët dhe miqtë francezë vend i heronjve dhe i njerëzve të bukur e të talentuar.
Pastaj u ndal në artikujt analitikë kushtuar nevojës së katarsës kombëtare, që lidhet me dënimin e krimeve të diktaturës komuniste; artikullin ku vlerësohen dy ideologjitë – nacionalizmi borgjez dhe komunizmi. Vijoi me kujtime për personalitete të ndryshme të letërsisë si Lasgush Poradeci, të shkencës si Prof. Kristo Frashëri, të arsimit për disa pedagogë të gjimnazit, etj. Theksoi se ka vlera ideore dhe njohëse dhe letërkëmbimi i këtij studjuesi me disa personalitete të letërsisë e gazetarisë shqiptare si Visar Zhiti, Prof. Sami Repishti, Lek Pervizi, Jozef Radi, Frank Gj. Shkrelit, Ismail Kadare dhe Ilir Demalia.
Pjesa vijuese e librit përmbledh vlerësime të gazetarëve dhe analistëve Frank Gj. Shkrelit e Astrit Lulushit, dhe të studjuesve Ilia Karanxha e Fotaq Andrea për librin tim të mëparshëm “Një letërsi kombëtare një atdhe i vetëm” Botimet KUMI Tiranë 2018 (459 faqe). Këtë paraqitje, Prof. Isak Shema e mbylli duke përmendur dhe kronikën e shkruar prej mësuesit Muhamet Memeti për promovimin e librit “Një letërsi kombëtare…” që u organizua në Universitetin Shtetëror të Tetovës “Fadil Sulejmani” më 3 nëntor 2018 me pedagogët dhe studentët e këtij universiteti.
Si konkluzione Prof. Shema theksoi: “Puna studimore e Prof. Thanas Gjikës, ka karakter shumdimensional. Ajo përfshin tema studimi që nga antikiteti, Rilindja dhe deri në ditët tona. Ky libër i tij, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, me lëndën e gjerë e të shumllojshme që trajton, me guximin qytetar që e përshkon, përbën një pasuri me vlera të shumanshme, si nga tematika, problematika, llojet letrare, studimore e publicistike”.
Më tej m’u dha fjala, për të përshëndetur pjesëmarrësit. Pas falenderimeve të rastit, vura në dukje se gjatë vizitave të mia në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kam parë nga afër një përparim ekonomik dhe qytetar kudo ku kam ndalur gjatë viteve 2006-2021. Shqiptarët ndjehen më të sigurtë edhe pse politikat e Serbisë dhe MV përpiqen të ndalojë përparimin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në MV. Pastaj ma këkoi zemra të vija në dukje vlerat e veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të letërsisë, poetit Agim Gjakova, që nuk u mburr kurrë për vuajtjet e tij nën regjimet diktatoriale të J.B. Titos dhe E. Hoxhës, por që me jetën dhe veprën e tij letrare na ka dhënë shembullin e një qytetari me ndërgjegje të lartë. E mbylla bisdën me fjlaët: “Ai ka luajtur rolin e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, kurse bashkëshortja e tij Z-nja Naime, bashkë me simotrën e saj Zyma Barisha, kanë luajtur rolin e Konsullit të Kosovës, kur Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur. Prandaj mendoj se Qeveia e mençur e Z. Kurti do të gjejë rast ta vlerësojë si e meriton me titullin e lartë “Nder i Kombit” poetin e talentuar dhe luftëtarin Agim Gjakova.
Prof. I.Shema, mesuse V. Bordoniqi, autori i librit dhe poeti A. Gjakova.
Në mbyllje fala disa kopje të librit, kurse me Prof. I. Shema, poetin A. Gjakova, O. Sedaj, poetin Xhemil Bytyçi dhe dy gazetarë dhashë një drekë në përkujtim të mikut tim Prof. Sadri Fetiu, i cili ishte ndarë nga jeta prej Covidit-19 pak javë më parë.
Mbas këtij takimi shkova në Pejë, ku vura një tufë me lule te varri i Masueses Zyma Berisha, bujta te familja e Z. Arbër A. Berisha dhe të nesërmen kalova në Shqipëri, ku pata rast të bashkohem me grupin e rotarianëve të qytetit të Korçës, për të bërë një vizitë në qytetin e Shkodrës dhe në Ulqin të Malit të Zi, ku përjetova emocione po aq të fuqishme…