Flet posacërisht për “Diell-in”, zoti Eduard Shehi, specialist i Arkeologjisë në Ministrinë e Kulturës dhe përfaqësues i saj për ndjekjen e këtyre punimeve në Durrës./
Intervistoi Shefqet Kërcelli/Pyetje:-Zoti Eduard, ju kemi parë që gjatë këtyre ditëve keni qenë prezent në gërmimet që po bëhen në sheshin para Portit të Durrësit. Cfarë përfaqsojnë në të vërtetë gjetjet e reja arkeologjike në këtë shesh?
Përgjigje:-Gjetjet arkeologjike i takojnë disa strukturave ndërtimore të cilat datohen në periudhën osmane. Me sa kemi zbuluar, fillimisht është ndërtuar një bastion mbrojtës, i shkëputur nga linjat e murit fortifikues, me qëllim mbrojtjen e skelës së qytetit.Më pas, kur funksioni mbrojtës kishte humbur për shkaqe natyrore, mbi të ishte ndërtuar një ndërtesë katër katëshe, që ka shërbyer për administratën osmane të kohës. Këtë funksion e ka pasur deri në fund të shekullit të XIX-të. Në vitin 1914, kjo ndërtesë ka qenë edhe “konaku” pritës i Princ Vidit.
Pyetje:-Si po menaxhohen nga Instituti juaj këto zbulime, cfarë pune konkrete keni bërë ju si specialistë?
Përgjigje:-Ne kemi për detyrë gërmimin dhe dokumentimin sa më të mirë të këtyre gjetjeve dhe këtë kemi bërë deri tani.
Pyetje:-A keni dhënë rekomandime për të ardhmen e këtyre gjetjeve, sa dhe si mund t’i shërbejnë ato pasurimit të fondit historiko-arkeologjik të qytetit të Durrësit?
Përgjigje:-Duke qenë se gërmimet janë ende në proces, është herët të flitet për rekomandime. Por, qyteti i Durrësit, është i gjithi mbi qytetin antik. Për rrjedhojë forma më e mirë është bashkëjetesa mes trashëgëmisë arkeologjike dhe zhvillimit modern.
Pyetje:-A mund të na thoni dicka se, si do të jetë ecuria e projektit “Veliera” mbas këtyre zbulimeve arkeologjike, si mund të integrohen ato për t’i shërbyer dhe turizmit në qytetin e Durrësit?
Përgjigje:-Forma dhe mënyra e integrimit është detyrë që i takon profesionistëve të fushës, arkitektëve dhe inxhinjerve të ndërtimit, jo arkeologëve. Detyra jonë si arkeologë përfundon me gërmimin, dokumentimin, identifikimin dhe datimin e gjetjeve.
-Faleminderit zoti Shehi dhe punë të mbarë në sektorin tuaj.