Nga Prof. Dr. Ejup Sahiti*/
Sot po promovohet botimi i VI-të i plotësuar i librit të Prof. Dr. Nusret Pllanës, me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Në këtë libër Prof. Pllana si asnjëherë më parë, detajisht dhe bindshëm i argumenton krimet monstruoze të Serbisë të kryera për një peridhë kohore më shumë se një shekull e gjysmë.
Libri i Prof. Pllanës trajton në një masë masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit dhe dëbimin nga trojet e tyre. Pastaj u referohet masakrave të shumta që nga okupimi i Kosovës me 1912 e tutje. Vëmendje të posaçme i kushton masakrave të regjimit të Millosheviqit. Libri ka pak tekst, por në të prezentohen shumë fotografi tmerri, të cilat argumentohen me datë dhe vend të saktë të krimeve si dhe me emrat e të masakruarve, e herë herë edhe të masakruesve. S’ka dyshim se fotografitë e të torturuarve dhe të masakruarve e shprehin shumë më bindshëm gjendjen faktike se sa përshkrimi me fjalë.
Libri i Nusret Planës, i përkthyer në shumë gjuhë(anglsiht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, maqedonisht, japonisht e suedisht), mundëson njohjen e të vërtetës për barbarizmat e Serbisë në Kosovë. Në të përshkruhen dhe dokumentohen torturimet, dhunimet, djegëjet, vrasjet pa gjyq, deportimet masive, dhe vrasjet masive të popullsisë civile të pafajshme. Ndër të vrarët kishte nxënës, arsimtarë, studentë, bujqë, zejtar dhe me atë rast nuk kurseheshin as fëmijët, gratë, as pleqtë.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me vendosjen e masave të dhunshme në Kosovë, pushteti i Serbisë e kishte pushtetin apsolut në Kosovë. Atë botë me të madhe propagohej se po zbatohej shteti i të drejtës, mirëpo realiteti ishte krejt tjetër. Shumë persona u vranë dhe u masakruan pa gjyq. Gjatë viteve 1998-1999 u shfarosën 175 familje. Shteti ligjor nënkupton që, për rastet kur dyshohet se një person (personat) kanë kryer vepër penale, të zhvillohet procedurë penale ku do të vërtetohej nëse vërtetë është kryer vepër penale dhe kush është kryerësi i saj. (Ne e dimë se gjatë viteve të 90-ta janë zhvilluar shumë procese gjyqësore politike të montuara. Në mungesë të provave në proceset e tilla janë bërë torturime të llahtarshme për t’i detyruar të akuzuarit që ta pranojnë veprën penale që u ngarkohej. Pastaj pohimi i imponuar me dhunë përdorej si provë pë fajësinë e tyre. Në gjithë fatkeqësinë e këtyre proceseve gjyqësore të montuara, nëse mund të thuhet, kishte një fat – të akuzuarit mbetën gjallë).
Vrasjet masive pa gjyq bëheshin me qëllim që të nxitnin frikën dhe tmerrin tek popullata shqiptare, në mënyrë që ajo ta braktisë Kosovën, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë.
Librit që po promovohet, veç tjerash, ia shtojnë vlerën të dhënat faktografike konkrete për më shumë se 1.300 fëmijë të vrarë, bile një numër i konsiderueshëm i tyre ishte i moshës nën dy (2) vjeçare. Dihet se fëmijët janë e ardhmja e kombit. Konform të drejtës ndërkombëtare fëmijët gëzojnë kujdes të posaçëm, ndërsa në aspektin penalo juridik gjithashtu gëzojnë trajtim të posaçëm. S’ka dyshim se vrasja është akt i rëndë pavarësisht se kush është viktimë e saj. Mirëpo, vrasja e fëmijëve, pastaj vrasja e grave dhe e pleqve, e posaçërisht vrasja e fëmijëve, siç ndodhi në Kosovë, atakonte pikën më të ndjeshme të qenies kombëtare. Me këto vrasje pushteti i Serbisë kreu krime kundër të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Siç u tha, promovimi është organizuar me moton “Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike”. Prof. Pllana me librin e tij opinionit botëror dhe neve këtu në Kosovë (duke u nisur nga klasa politike deri te çdo individ) na ka ofruar material faktografik të konsiderueshëm për masakrat e bëra. Kurrsesi nuk bën të harrohet e kaluara, sepse harresa e të kaluarës rrezikon që të këqijat të përseritën. Këtë fakt të gjithë duhet ta kemi parasysh vazhdimisht.
Duke e përgëzuar autorin, i urojmë suksese në punën e tij të mëtejshme.
* Kumtese e mbajtur me rastin e promovimit të botimit të VI-të të librit:
”Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”
të Prof. dr. Nusret Pllana në Bibliotekën Kombëtare “Pjeter Bogdani”
Prof. Dr. Ejup Sahiti