Elbasani nderoi poetin e vet, Milianov Kallupi, i cili nderroi jete te merkuren me 24 korrik. Qyteti i tij, qe i pat dhene titullin”Qytetar Nderi”, e percolli me nderime mjeshtrin e vargut. Ne nekrologjine percjellse koleget shkruan:Diten e mërkurë, më datë 24 korrik, mbylli sytë miku ynë, poeti, gazetari e botuesi Milianov Sofokli Kallupi, militant i shquar i kulturës së rrethit tonë e më gjerë.
Milianovi u lind më 18 janar 1948. Ai mbaroi Akademinë Ushtarake, Universitetin e Tiranës për gjuhë e letërsi, Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani” në degën histori-gjeografi.
Mbi 40 vjet u mor me krijimtari letrare, me poezi dhe ka fituar mjaft çmime lokale e kombëtare e përtej, si: në Elbasan, Tiranë, Sarandë, Korçë, Rumani, Maqedoni etj.
Në vitet 1983-1995 ka punuar gazetar në gazetat “Luftëtari” dhe “Fjala e lirë”.
Në vitin 1995 themeloi shtëpinë botuese “Egnatia” dhe deri në vitin 2010 ka qenë drejtues i saj. Synimi themelor i kësaj shtëpie botuese ka qenë nxitja, përkrahja dhe inkurajimi i talenteve të reja, të cilën e ka realizuar me sukses, duke botuar mbi 150 tituj librash.
Qe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”. Si rrjedhojë e punës së tij aktive të përhershme e me përkushtim, ka bërë të mundur që kjo shoqatë të jetë gjithmonë e ngritur e të funksionojë realisht, duke evidentuar dhe vlerësuar krijimtarinë e mirëfilltë letrare të krijuesve elbasanas e më gjerë
Me iniciativën e tij, në vitin 2000 në Elbasan krijohet KlubHaiku Shqiptar, shoqatë poetësh, të cilën e drejtoi me sukses. Ky Klub ka krijuar lidhje me KlubHaikun Botëror me qendër në Tokio, si dhe me Klubet e Haikut në Ballkan e në Europë. KlubHaiku Shqiptar nxorri periodikisht revistën “Haiku”, drejtor i së cilës qe vetë Milianovi.
Për të rritur ka botuar 27 libra me poezi dhe 28 libra me haiku.
Krahas kësaj krijimtarie dhe punës së veçantë krijuese, Milianovi qe bërë i njohur edhe si krijues në letërsinë për fëmijë, duke botuar 10 libra për moshën e njomë.
Për krijimtarinë poetike të poetit Milianov Kallupi kanë shkruar mjaft kritikë dhe analistë të njohur, të cilët kanë vlerësuar me të drejtë punën e tij të vazhdueshme krijuese, si dhe punën organizative për zhvillimin e veprimtarive promovuese e letrare.
Milianov Kallupi renditet në leksikonë, enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqiperi, Kosovë, Kroaci, Maqedoni, Greqi, Japoni dhe së fundmi në antologjinë “Letrat moderne shqipe” në gjuhën italiane. I është dhënë titulli “Qytetar i Nderuar” nga Bashkia e qytetit të Elbasanit.
Ky poet është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, greqisht, maqedonisht, kroatisht, rumanisht, italisht.
Miku ynë i shtrenjtë e i paharruar Milianov, të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!
Astrit Bishqemi, Mujë Bucpapaj, Fatmir Musai, Musa Vyshka, Bahri Myftari, Pandeli Koçi, Roland Lushi, Beatriçe Balliçi, Shefki Karadaku, Dhimo Tarusha, Ilir Mborja, Xhemal Lufta, Agim Bajrami, Elisabeta Myftari, Ahmet Mehmeti, Lida Lazaj, Nasuf Myftari, Bardhy Ajazi, Çlirim Gega, Vehap Xhindoli, Shpëtim Haxhihyseni, Mihal Disha, Nazmi Seitaj, Flamur Luta, Ferit Rama, Stavri Çipi, Bardhyl Toda, Alfred Molloholli.