Nga Arshi Pipa/
Vdiq flamurtari i moçëm!/
Si rrojti vdiq: me nder./
I pastër, i devoçëm,/
E pa u-përkulë nji herë./
Ndër çela u-sos t’ Burrelit,/
Me dhunën e trathtarit,/
Me njoll’n e kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit.
A u-pezmatue, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fmija pranë s’ju ndodh,
Se vorr, as vorr, nuk pati?
Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për flamur!…për atdhe!”
O shok, o prind i shtrenjtë,
Qi len familjen tonë,
Kjo porosi e shenjtë
Për ne do t’jetë gjithmonë!
Nga burrat qi themelin
Shqipnis i patën kallë
Sot ca të pakët ngelin:
Ti qe nga numri i rrallë.
Me përnderim dashnuer
Përkul’mi para teje.
Me flamur ti n’krahnuer
Sulmove n’ball beteje.
Besnik para çdo prove
Sa pate frymë s’e lae,
Krenar për te luftove
Dhe me te s’bashku rae.
At flamur nji ndër shokë
E ngren, ma nalt e shtiell.
Pusho, kufomë, nën tokë!
Ngushllou, o shpirt, ti n’qiell!