• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Te Lugina e Orës, ku Zvicra i paraprin së ardhmes energjitike të planetit

March 13, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Emër vendi Watch Valley a nuk të kujton Silicon Valey? “Watch Valley” përfshin gjithë harkun zviceran të Maleve Jura, nga Bazeli në Gjenevë, ku është e përqëndruar industria zvicerane e orëve. Ky emërvend

është shumë më i hershëm se Silicon Valley  (Lugina e Silikonit) i Kalifornisë. Ai daton nga fillimi i Shekullit XV në Gjenevë, djepin e industrisë evropiane të orëve, duke u shtrirë në 200 kilometra vijimëse përgjatë Maleve Jura, ku spikatin prodhues të famshëm zviceranë të orëve si Breitling, Corum, Gallet, Girard-Perregaux, Movado, Patek Philippe, Rolex, TAG Heuer, Tissot, Ulysse Nardin, Chopard e të tjerë. Ndërsa Silicon Valley është shumë më e vonë, daton nga viti 1899, duke shënuar rajonin jugor të Gjiut të San Françiskos në Karolinën Veriore, quajtur më herët Lugina e Santa Klarës, e cila shërben si qendër globale për teknologjine e lartë, novacionin, mediat sociale e tjerë. Është një emërvend i përveçëm i pandashëm me një emër të madh të përveçëm si Steve Jobs.

E dimë të gjithë se Zvicra është një ndër paraprirëset kryesore të teknologjive të reja të përparuara në rrafsh planetar. Pak nga ne e dinë se në pararojë të kësaj sfide qëndron CSEM, Qendra Zvicerane e Elektroteknikës dhe Mikroteknikës.

CSEM dhe Strategjia Zvicerane e Energjisë 2050

Jemi këtu, në një veprimtari njëditore të APES në selinë qendrore të CSEM, në Neuchâtel për të biseduar me ekspertë të komunikimit, për të vizituar drejtpërdrejt proceset e përditshme të kësaj qendre dhe për të mësuar rreth sfidave me të cilat përballet dhe me vizionet që e udhëheqin.

Katastrofa bërthamore e vitit 2011 në Fukushima të Japonisë e vuri botën përballë pikëpyetjesh të mëdha rreth së ardhmes së tregjeve energjitike. Qeveria Zvicerane më 4 shtator 2013 miratoi një projektligj të ri për energjinë. Më 30 shtator 2016 u votua në Parlament. Qytetarët zviceranë reaguan me një iniciativë popullore që kërkonte tërheqjen e menjëhershme të Zvicrës nga centralet bërthamore (Nuclear Withdrawal Initiative). Më 27 nëntor 2016 populli e hodhi poshtë iniciativën. Por Qeveria e Zvicrës filloi të punojë për një vizion të ri të quajtur Strategjia Zvicerane e Energjisë 2050.  Kjo synon që, brenda kësaj date, e gjithë energjia që përdoret në vend të jetë nga burime të pastra.

Zotëri Lukas Gutzwiller, nga Zyra Federale Zvicerane e Energjisë, sektori i çështjeve Ndërkombëtare të Energjisë, na paraqet vizionin zviceran për messhekullin XXI. Zvicra, shpjegon ai, pas Norvegjisë dhe Austrisë është vendi i tretë evropian që përdor më shumë energji të pastër dhe kjo bazohet kryesisht në hidrocentralet. Norvegjia 95.8 për qind të energjisë e bazon në hidrocentralet, 1,8 për qind në erën, 1.5 për qind në termocentralet. Austria respektivisht 62.1 në hidrocentralet, 28.9 për qind tek termocentralet, 7.5 për qind tek centralet bërthamore, 1,5 për qind tek energjia e erës. Zvicra 59.7 për qind tek hidrocentralet, 33.4 për qind tek centralet bërthamore, 5 për qind tek termocentralet dhe pjesën tjetër tek energjia e erës. Pason Suedia e cila bazohet kryesisht tek hidrocentralet dhe centralet bërthamore, pastaj Italia që bazohet kryesisht tek termocentralet, Franca që bazohet gjerësisht (76.5 për qind) tek centralet bërthamore, Gjermania kryesisht tek termmocentralet (62.2 për qind). Si hapësirë e Bashkimit Evropian mbizotërojnë termorcentralet (48.1 për qind) dhe centralet bërthamore (26.4).

Ndonëse shumë i pasur me burime ujore, vendi nuk mund të mbështetet në të ardhmen tek hidrocentralet, për arsye që kanë të bëjnë me mbrojtjen e peizazhit. Ndërtimi i liqeneve të shumta e dëmton peizazhin, shpjegon ai. Prandaj orientimi i ri i vendit është tek shfrytëzimi gjerësisht i energjisë diellore, një energji e pashterrshme, e pastër dhe me një zgjerim të jashtëzakonshëm të fushëpërdorimit të saj. Kjo strategji përfshin, hap pas hapi, përdorimin gjithnjë e më të gjerë të automjeteve me energji diellore, rinovimin e ndërtesave duke i përshtatur për panelet diellore

Kolegët tanë i bëjnë pyetje nisur kryesisht nga veçoritë e sfidave energjitike me të cilat përballen vendet e tyre. Ndërsa pyetja jonë është e lidhur me të ardhmen energjitike të Shqipërisë, tejet e pasur me lumenj të rrëmbyeshëm, por që kundërshtohet për shkak të synimeve të mbrojtjes së mjedisit, pra, për të mos lejuar dëmtimin e peizazhit. “Jam në dijeni të debatit që vazhdon në Shqipëri rreth ndërtimit të hidrocentraleve të rinj. Shqetësim kryesor përbëjnë hidrocentralet e vegjël, pikërisht sepse dëmtohet peizazhi, na thotë z. Gutzwiller. – Megjithatë, ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël pa liqene, por vetëm me turbina, është i pranueshëm.”

Sistemet fotovoltaike dhe procesi i shndërrimit të dritës diellore në energji elektrike

Zonja Aline Di Iullo-Basin, nga Komunikimi i Strategjisë i CSEM, përqëndrohet tek panelet diellore, si objekti kryesor i kërkimeve të këtij institucioni dhe tek ardhmja e energjisë diellore në përgjithësi, me shtrirje gjithnjë e më të gjerë në fushat e ndryshme të jetës. CSEM, na thotë shpjegon më tej ajo, është një përshpejtues i novacionit teknologjik të vendit, një katalizator për transferimet e teknologjive dhe dijeve nga kërkimet tek industria. Roli i institucionit përfshin katër qëllime kryesore: – zhvilimin dhe ruajtjen e platformave teknologjike, integrimin dhe kombinimin e teknologjive në sisteme zbatuese, përkryerja e teknologjive deri në marrjen në dorëzim të tyre nga klientët induastrialë dhe procesi i transferimit të vazhdueshëm të teknologjive tek industritë.

Ndërsa zonja Laure-Emmanuelle Perret-Aebi, kryetare seksioni në modulet dhe sistemet fotovoltaike të CSEM na flet për vetë procesin e shndërrimit të dritës diellore në energji elektrike. Këtë proces e realizojnë pikërisht qelizat fotovoltaike, të cilat prodhohen në mënyrë laboratorike në repartin e posaçëm të këtij institucioni. Prej tyre krijohen panelet diellore që vendosen në fasadat e shtëpive, në çatitë e tyre dhe në mjedise të tjera të posaçme për prodhimin e energjisë elektrike nga drita diellore. Vetë termi photovoltaic është i përbërë nga fjala greke “photo” (foto) – dritë, dhe fjala voltaike, që vjen nga mbiemri i shkencëtarit Aleksandër Volt, zbulues i madh në fushën e elektricitetit.

Ne vizituam repartin e mikroteknologjive. Shoqëruesit tanë na shpjegojnë se mikroteknologjitë janë më të përparuara se nanoteknolgjitë. Në ordinatorët e shumtë pamë mikro-robotë që punonin pa pushim me grimca të pakapshme nga syri i njeriut. Secili prej këtyre, na thanë, është një fabrikë me vete. Ata punonin në projekte të reja orësh super të sofistikuara, të cilat pastaj iu dorëzohen kompanive zvicerane sponsorizuese të CSEM. Të tjerë punonin në projekte të tjera për mjekësinë, matës të sakë të parametrave jetësorë të pacientëve, projekte të tjera për të cilat janë të interesuara kompani të tjera zvicerane, edhe ato bashkësponsorizuese të institucionit.

Vizituam gjithashtu sektorin më të rëndësishëm, atë të qelizave fotovoltaike, falë të cilit industria fotovoltaike e Zvicrës qëndron në ballë të novacionit teknologjik në rrafsh botëror. Në një sallë të madhe, në një mjedis të pastër absolutisht steril, janë të vendosur reparte të teknikave të larta, reparte ku provohet funksionimi i moduleve të qelizave fotovoltaike, laboratorët ku kryhet krejt cikli i prodhimit të paneleve diellore. Ne pamë procesin: si prodhohen qelizat, si ato grupohen pastaj në bashkësi të ndryshme, sipas funksioneve që iu besohen, deri në prodhimin e plotë të panelit diellr. Në këtë repart mund të qëndrosh vetëm i veshur me uniformë të posaçme, ku pjesët e trupit të kenë sa më pak komunikim me mjedisin e repartit. Nuk lehohej asnjë fotografim, sepse gjithçka përbën sekret absolut.

Mikpritësit na shpjeguan se objektivi kryesor i sektorit fotovoltaik është mbështetja nga industrisë zvicerane në zhvillimin e produkteve të reja për 3 deri në 5 vitet pasuese. Mbi të gjitha, ky sektor synon zhvillimin e qelizave fotovoltaike sa më të lira, sa më të zbatueshme në prodhim dhe sa më të përkryera teknikisht. Në fasadën e CSEM ne pamë një panel gjigant diellor. Dhe përfytyruam për një të ardhme të afërt çdo shtëpi me fasada të tilla. Shoqëruesit na shpjeguan se përdorimi i energjisë diellore po shtrihet në industrinë mjekësore, në industrinë e automjeteve, deri në industrinë e aviacionit, ndërsa në një të ardhme jo të largët ajo do të ketë monopolin e energjisë elektrike.

Në mënyrë që qelizat diellore të kenë kapacitet më të madh dhe kosto më të ulët prodhimi, vitet e fundit CSEM po punon me partnerët industrialë për të zëvendësuar qelizat fotovoltaike të silikonit me një material të ri fotovoltaik të quajtur perovskite, çka do të mundësojë që kapaciteti i qelizave diellore të rritet 25%, duke lejuar kështu shfrytëzimin më të mirë të spektrit diellor.

CSEM – vizionet industriale zvicerane

CSEM është një organizatë jofitimprurëse e krijuar më 1984 nga bashkimi i tri institucioneve kërkimore në fushën e mikroteknologjisë. Qeveria zvicerane në atë kohë ishte e shqetësuar se Zvicra po humbe terren krahasuar me vendet fqinje në fushën e teknologjive të reja. Ajo nxiti krijimin e një qendre të re kërkimore dhe zhvillimore. Neuchâtel, i famshëm tashmë për traditën e gjatë në prodhimin e orëve dhe në mikroteknologji, u pa si vendi ideal për qendrën e re të novacionit.

E përbërë nga 450 punonjës nga 40 vende të botës, kjo qendër kërkimi dhe zhvillimi përqëndrohet sidomos në mikroteknologji dhe nanoteknologji, si dhe në teknologjinë fotovoltaike. Financimi i tij bëhet 32 për qind nga qeveria federale, 29 për qind  nga kompanitë industriale, 12 për qind nga kantonet, 9 për qind nga projektet e Bashkimit Evropian, 13 për qind nga industria e kompjuterëve dhe telefonave, 5 për qind nga projekte të veçanta publike. Personeli i CSEM është tejet i kualifikuar: 37 për qind është me doktoraturë shkencore, 29 për qind me mastër, 12 për qind është me diploma të larta, pjesa tjetër teknikë të mesëm, personel ndihmës e tjerë.

Siç e tregon emërvendi, Lugina e Orës, “Watch Valley”, CSEM u parapri nga tradita e gjatë e industrisë së orëve. Në vitet 1960, kur mikroelektronika ishte në fillimet e saj, personalitete vizionare krijuan qendrën e orëbërjes në Neuchâtel (CH). Ata kishin ndjesinë se kjo teknologji e re mund të kishte perspektiva të forta. Më 1967, ora elektronike me kuarc që zhvilluan ata, u paraqit në ekspozitën e përvitshme të Swiss Chronometry Society, ku konkurronte saktësia e orëve japoneze dhe atyre zvicerane.

Për rrjedhim, më 1968 orët zvicerane fituan çmimet e para. Industrializmi dhe tregtimi i orëve me kuarc gjithsesi ndeshi në vështirësi, orët zvicerane përjetuan një krizë të rëndë në vitet 1970, e cila përfundoi me daljen e Swatch, orë zvicerane kuarci në vitet 1980.

Përkryerja e orëve me kuarc vazhdoi në mënyrë të pashoqe në aspektin e mikroelektronikës. Tiparet e veçanta të saj përmblidhen në këto tri terma: saktësi, zvogëlim i vazhdueshëm dhe konsumim gjithnjë e më i pakët i energjisë.

Duke qenë të vetëdijshëm se kjo përvojë mund të zhdukej përballë krizave të mundshme të prodhimit të orëve, ekspertët kantonalë dhe në shkallë vendi u mobillizuan në vitet 1980 dhe krijuan një institucion të tërë kërkimor dhe zhvillues. Kështu mori formë CSEM i sotëm, një organizatë e bazuar në partneritet publik dhe privat, kantonal dhe konfederativ, ku partnere të rëndësishme janë kompani të fuqishme të prodhimit të orëve, mjekësore dhe energjitike.

Synimi i CSEM është gjithashtu zbulimi i hapësirave të reaj të aplikimit. Sot institucioni punon për industri që përdorin teknologji sa më të imta me sa më pak konsum të energjisë. Kështu CSEM e gjen veten tashmë në teknikën mediatike, energji, transporte dhe telekomunikacion. CSEM ka 5 qendra në Zvicra dhe bashkëpunon me 200 patnerë industrialë në Zvicër dhe jashtë vendit. Politika e institucionit është përparësia ndaj kompanive zvicerane, përderisa misioni i institucionit është transferimi i teknologjive të reja të përparuara tek ekonomia zvicerane. Zvicra kështu do të vazhdojë të jetë një ndër paraprirëset kryesore të teknologjive të reja të përparuara në rrafsh planetar. Dhe në në pararojë të kësaj sfide do të jetë gjithnjë CSEM, Qendra Zvicerane e Elektroteknikës dhe Mikroteknikës./ Fotot Jean Musy

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadori Kyle Scott, Elida dhe Skender Bucpapaj, Lugina e Oreve

Pikëtakim i ri me Tiçinon, tek e famshmja Lulja e Gurit

October 3, 2017 by dgreca

Nga Elida dhe Skënder Buçpapaj/

1 BucpapajtMe kolegët tanë të APES-it, javën që shkoi ishim në Tiçino. Ishte një udhëtim i organizuar në partneritet me Swissturismus, nëpërmjet një bashkëpunimi të shkëlqyer me APES. Në Lugano grupin e gazetarëve e pret vetë Mr.Turizmus Federico Sommaruga, që më vonë do të na tregonte për vizitën e tij zyrtare në Tiranë, udhëtimin me teleferik në Malin e Dajtit, kështjellën e Krujës dhe për bregdetin shqiptar që priste ta shihte në një udhëtim të ardhëm.

Portali jonë Zëri i Shqiptarëve, megjithëse më i lexuari shqiptarofolës në Zvicër dhe në gjithë diasporën shqiptare në botë, nuk ka marrë asnjë informacion. Kryeministri Edi Rama flet pastaj për diplomaci ekonomike apo krijon portofol ministrie për emigracionin, kur, në mantatin 4 vjeçar pararendës, nuk ka treguar as interesin minimal për diasporën shqiptare në zemër të Europës dhe në botë.

Por le të kthehemi në kantonin e Tiçinos që të ofron diçka të re sa herë e viziton. Kësaj here grupi jonë do të ishte i përqëndruar kryesisht në qytetin Luganos e rrethinat e tij.

Sapo mbërrijmë pas një udhëtimi komod në klasin e parë befasohemi nga stacioni i trenit ndërtuar tërësisht i ri, i vendosur si në një ballkon mbi lartësi përballë pamjes magjike të Liqenit të Luganos.

Në hotel me të arritur na japin bileta gratis për të lëvizur me mjetet e qarkullimit publik, bus, tren, anije nëpër të gjithë Tiçinon gjatë gjithë kohës të qendrimit. Kjo është një risi tiçineze në mbështetje të turizmit lokal.

Udhëtimi ynë këtë herë në Tiçino përkon me ndërrimin e stinëve, kur vera gjithandej ia ka lëshuar vendin vjeshtës. Por këtu është ndryshe, këtu të dyja stinët duket se kanë bërë një kompromis, për të qenë të pranishme në të njëjtin vend dhe kohë. Me një fjalë, vjeshta ka ardhur, por vera nuk ka ikur. Këtë na e thotë Liqeni që shkëlqen prej rrezeve të diellit; njerëzit që shëtisin të shpenguar rrugëve nën shoqërinë e mjellmave, duke u ndalur nëpër bare e restaurante; jeta e natës alla Dolce Vita.

Tiçino po na pret mrekullisht me ngrohtësinë e qytetit të Luganos dhe mënyrën e organizimit nga ana e mikpritësve për ta prezantuar kësaj here zonën e tyre sa më bukur përmes enogastronomisë të traditës.

Grupi jonë i gazetarëve e nisi mbrëmjen duke ndaluar nëpër bare, restaurante dhe tavernat më pikante të Luganos nisur nga emri i njohur Bernasconi duke shijuar verën dhe specialitetet gastronomike të gjitha me markë nga Tiçino.

Kryefjala e darkave ishte vera Merlot, e llojeve të ndryshme, diku e shoqëruar me lardo të prerë hollëz si fletëza transparente, me llojëra të pafund proshutërash, mishrash të tymosur, djathrash me qumësht dhie e duke mos harruar polentën me kokrriza në ngjyrë të kuqe e të zezë gatuar me kërpudha pylli.

Vera e cilësisë më të lartë arriti kulmin me një Merlot të bardhë përgatitur duke e zhveshur rrushin nga lëkura, një prodhim origjinal vendas.

Teksa na e shërbejnë, të zotët e lokaleve na e shpjegojnë se sekreti i shijes së papërsëritshme të Merlotit tiçinez nuk është vetëm tek teknologjia, por pikësëpari tek toka që e prodhon atë dhe dielli, që ia japin shijen unike.

Lëvizja nga njëri lokal tek tjetri nën shoqërinë e verës bëhet edhe më e magjishme pranë palmave dhe xixëllojave të dritave nga zonat e banuara për rreth liqenit. Përballë na shfaqet Mali Bré krejtësisht i mbuluar nga ndriçimi duke i dhënë një pamje surreale atmosferës mesdhetare të këtyre mbrëmjeve luganeze.

Në qytet ka jetë të pasur kulturore. Përgjatë spostimeve si shëtitje në këmbë nga reklamat dhe nga Patrizia, guida jonë shumë e përkushtuar mësuam se këto ditë në Lugano po kujtohej aktori komik italian Toto.

E reja tjetër është Qendra e Kulturës e Luganos, LAC – Lugano Arte e Cultura e inauguruar me 2015, një ndërtese gjigande me një arkitekturë të jashtme dhe të brendshme nga më modernet e më origjinalet e dizajnuar nga Ivano Gianola. Momentalisht aty po mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrove. Në këtë qendër kulturore është inkorporuar salla e koncerteve, e shfaqjeve teatrore, ka biblioteke, salla për ekspozita dhe evente si dhe aty është i vendosur edhe muzeumi i ri i artit me një koleksion permanent nga Muzeumi i arteve i Zvicres italiane. Vizitën tonë në Lugano e nisëm pikërisht prej këtej.

E përtërirë është edhe Kisha Shën Maria e Engjejve, të cilën e kishim parë kur ishte në restaurim. Është ndër më të vjetrat, pothuaj e ka themeluar Luganon, ndërsa afresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit.

Kulmin e udhëtimit tonë e shënon vizita në Monte Generoso (Mali Bujar), ku u takuam nga afër me një nga kryeveprat arkitekturore, firmosur nga akitekti i famshëm vendas Mario Botta.

Në lartësinë 1705 metra mbi nivelin e detit qendron Fiore di Pietra, Lulja e Gurit, një metaforë që nuk ka si të mos i shkojë kullës së ngritur në një nga pikat më piktoreske jo vetëm në Zvicër, por edhe në botë.

Vera që kishim pirë deri në mesnatë nuk na pengoi të zgjoheshim herët sepse programi i ngjeshur fillonte menjehere pas ngrënies të mëngjesit.

Në Stacionin Qendror në Lugano u nisëm për në Capo Lago. Këtu priste treni i vogël dhe nëpërmjet linjës së posaçme hekurudhore bëjmë 9 kilometër rrugë në ngjitje deri tek Fiore Di Pietra.

Për në Capo Lago treni kaloi stacionin e Melides, ku ndodhet Swissminiaturë. Ngjitur me Melide ndodhet Morcote, ku ne për të shkuar atje tre vjet më parë morëm nga Lugano anijen nëpër liqen.
Në Morcote vizituam varrin e Aleksandër Moisiut dhe bashkoshortes së tij. Vjet, më 2016 Morcote u shpall qyteza më e bukur në gjithë Zvicrën.Por kësaj here kishim destinacione të tjera.

Në Capo Logo, bashke me ne në tren kishte plot turistë të huaj dhe zviceranë. Zvicra vizitohet nga rreth 36 milionë turistë në vit, nga këta rreth 20 milionë janë të huaj dhe 16 milionë zviceranë. Tiçino nga rreth 3 milionë.

Treni ku hipëm është i veçantë. Edhe shinat ku ec po ashtu, të përshtatura për sigurinë e ngjitjes në lartësi.

Lexuesin tonë edhe më herët ne e kemi njohur me këtë mjet dhe me këtë infrastukturë të jashtëzakonshme udhëtimi në Zvicër.

Në Lucernë, për shembull, ku pati përdorimin më të hershëm, ky lloj treni i vogël quhet Pilatus, për shkak të emrit të malit të Lucernës, nga kulmi i të cilit mund të shikohen 73 maja malesh. Ideatori për ngjitjen e maleve ishte inxhinieri Eduard Locher në shekullin e XIX. Shumë njerëz e quajtën atë të çmendur, duke parë relievin e thepisur dhe defektet që mund të kishte mjeti në ato vende. Por ideja e tij e çmendur u bë realitet me inaugurimin e linjës hekurudhore. Kjo vepër u ndërtua në 400 ditë nga 600 njerëz. E gjatë 4618 metër, që të çonte nga Alpnachstadi në Pilatus Kulm. Linja u përdor nga një tren me avull deri më 1937. Ajo që sot mbetet një nga vendet më të thepisura në botë është konsideruar një kryevepër inxhinjerike.

Kjo mënyrë udhëtimi është edhe për në Monte Generoso, 125 vjet e vjetër, që pati periudhën e saj të krizës gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur, me rënien e përkohshme të interesit turistik, pronari i atëhershëm e shiti dhe më 1941 atë e bleu themeluesi i Migrosit, Gottlieb Duttweier. Prej atëherë Migros ka përqindjen e saj të aksioneve në këtë infrastrukturë dhe në industrinë përkatëse të turizmit.

Ngjitja nga Capo Lago deri në kuotën 1705 metër të Monte Generoso është më se mahnitëse. Para syve tanë kalojnë të gjithë brezat pyjore dhe të bimësisë. Një adrenalinë të veçantë japin zonat e zhveshura, tejet të rrëpirta. Pika më e lartë e udhëtimit, ku ndodhet edhe Fiore di Pietra, maja më panoramike e Tiçinos dhe nga më të magjishmet e Zvicrës, lejon një shikim 360 gradësh ku spikat Liqeni i Luganos, Lugina e Lumit Po deri tek Apeninet, masivi alpin i Gotthardit dhe Bernina. Më të pasionuarit vijnë këtu për të parë lindjen e diellit dhe gjithë shndërrimet që pëson natyra gjatë trajektores së diellit deri në perëndimin e tij, në një mori të pafundme ngjyrash dhe nuancash. Turistët e dhënë pas aspektit aventuror ndalin në stacionet e ndryshme për të shkelur me këmbë shtigje të vështira malore.
Linja hekurudhore e Monte Generosos, përuruar më 1890, është një ndër të parat e ndërtuara në Zvicër. Ndër vizitorët më të famshëm të saj janë Mbretëresha Margerita e Savojës, Princi i Kurorës më vonë Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III, Princesha Enriketa e Saksonisë, Mbreti Boris i Bullgarisë, Mbretërsha Xhovana e Savojës, romancieri francez Hektor Malot, poetesha italiane Ada Negri e shumë të tjerë.

Hotel restoranti Vetta, i ndërtuar në truallin ku deri atëherë ndodhej Hoteli Kulm, do të mbyllej më 2010 për shkak të një fundosje që ndodhi poshtë ndërtesës, nga rrëshqitja e një shkëmbi. Prishja e ndërtesës zgjati deri më 2014 dhe Migrosi vendosi të ndërtojë një restorant të ri panoramik. E kjo iu besua kujt tjetër post arkitektit tiçinez me famë botërore Mario Botta.

Fiore di Pietra është një ndërtesë tetëkëndëshe e përbërë nga tetë “petale”. Tetë “petalet” janë prej gurësh gri. Në pesë katet e kullës ka dalje nga të gjitha anët tek dritaret e gjera që përshkojnë gjithë katet. Në mjediset e brëndëshme ndodhet restauranti, një tjetër restaurant self-service, të dyja me kapacitet për 120 vetë, salla e konferencave e të tjera ndërsa pjesa e posaçme është tarraca në majë të ndërtesës nga mund të kundrosh nga të gjitha anët panoramat, duke të krijuar ndjesinë se je në avion dhe me dorë mund të prekësh qiellin.

Arkitekti Mario Botta e konsideron realizimin e këtij projekti që ka kushtuar 25 milionë franga zvicerane si një kthim në zanafillën e tij. Kur ai ishte i ri dhe me miqtë e tij organizonin shpesh udhëtime aventurore duke i kaluar ditët dhe netët e verës në këto lartësi. Që atëherë brenda tij rritej dëshira që të bënte diçka për të rinjtë e vendlindjes.

Fiore di Pietra u përurua më 29 mars 2017 dhe u hap për publikun më 8 prill.

Grupin tonë të gazetarëve e pret një tjetër surprizë. Ne jemi të privilegjuar sepse tek Fiore di Pietra na pret i biri i arkitetit Mario Botta, Tobia Botta, edhe ky arkitekt, tejet i pasionuar dhe i dashuruar pas veprës së babait të tij që na e zbërthen metaforën e Lules së Gurtë. Në tren, gjatë rrugës të kthimit Tobia Botta, i jep një intervistë të plotë kolegut tonë dhe presidentit të APES Jean Musy.

Ndersa në Lugano temperatura ishte 25 gradë C, në Monte Generoso shënonte 12-13 gradë C. Po kjo është e bukura e Tiçinos.

Prej Monte Generoso në rrugën e kthimit u ndalëm në Capo Lago për të ngrënë drekë. Prej aty morëm trenin drejt Belinconës, kryeqendrën e kantonit, në ceremoninë përuruese të Ignazio Cassis. politikanit.56 vjeçar tiçinas, me profesion mjek i cili prej 1 nëntorit merr detyrën e Ministrit të Jashtëm të Zvicrës, 20 vjet pasi këtë post e mbante një tjetër tiçinas, Flavio Cotti. Ignazio Cassis (Injacio Kasis) u zgjodh në këtë detyrë më 20 shtator, i propozuar nga Partia Liberale Zvicerane, duke pasuar në këtë detyrë Didier Burkhalterin e dorëhequr. Ai ka njëzet vjet karrierë politikë të suksesshme në parlamentin kantonal e pastaj atë federal. Zgjedhja në këtë detyrë e këtij politikani shumë popullor është pritur me entusiazëm në Tiçino. Ai është ministri i tetë në historinë e Zvicrës me prejardhje nga Tiçino.

Tiçino ka një sipërfaqe 2812 kilometër katrorë me rreth 350 mijë banorë, pra dhjetë herë më e vogël se Shqipëria. Në këtë sipërfaqe sektori i turizmit ofron 438 hotele me rreth 20 mijë shtretër ndërsa 30 mijë shtretër të tjerë i ofrojnë shtëpitë e pushimit, pensionet, hotelet për rininë etj. Duke kalkuluar pak që Shqipëria të ketë një turizëm duke patur si model atë zviceran, i duhet të ofrojë rreth 500 mijë shtretër, me këtë infrastrukturë si kjo që ofron Tiçino, ku në çdo cep edhe më të largëtin shkojnë mjetet e qarkullimit publik, dhe ku do të gjesh kudo sigurinë dhe shërbimin me cilësi të garantuar.

Në grupin tonë të gazetarëve dominonin gazetaret kinezë sepse Zvicra është për turistët nga Kina një destinacion që i përmbush të gjitha kriteret. Si model dhe destinacion turizmi Tiçino dhe Zvicra mund të jetë edhe për shqiptarët kudo ku ata ndodhen.

Turizmi i Tiçinos meqë ka një larmi të madhe për shkak të laryshisë së relievit do të ishte një model i shkëlqyer për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, një vend i bekuar nga Zoti dhe i mallkuar nga politika.

Nëse Zvicra do të kishte klimën që ka Shqipëria, do të ishte një parajsë. E megjithatë Zvicra është parajsë nga dora e Zotit dhe e njeriut.

Duke falenderuar Swissturizmus dhe veçanërisht Mr.Turizmus Federico Sommaruga që e shoqëroi grupin tonë përgjatë gjithë guidës turistike, hypim në tren duke e mbajtur kokën prapa sepse sapo treni u nis ne na mori malli rishtas për Tiçinon.

Me shumë të drejtë shkrimtari Herman Hesse, fitues i çmimit Nobel për Letërsi, i cili e pati zgjedhur Zvicrën si atdheun e tij të dytë dhe Tiçinon vendin për të jetuar pjesën më të madhe të jetës deri kur dha frymën e fundit në Montagnolo, thoshte se : “Tiçino është mrekullisht e pasur e tejet e bukur dhe ka gjithçka që nga Alpet deri në pikën më jugore.”

Falenderojmë kolegun tonë, fotografin Pierre Virot për fotografitë e këtij reportazhi.

Ëmbëlsira tiçineze e mikpritjes

LAC – Lugano Art e Kultura

Mr-Turizmos Federico Sommaruga (d) dhe presidenti i APES Jean Musy (m)

 

Patrizia e përkushtuar, njëra nga guidat tona

Aafresku qendror është më i madhi i periudhës të Renesansës në gjithë Zvicrën pikturuar nga Bernardo Luini, studenti i Leonardo da Vinçit

Stacioni i ri i Trenit në Lugano

Merloti i bardhë ?

Lugano natën

Mjellmat të bëjnë shoqëri

Treni që të çon në Monte Generoso

 

Fiore di Pietra kryevepër e Marco Botta-s

Me Arletën, gazetaren zvicerano-braziliane

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida dhe Skender Bucpapaj, Pikëtakim i ri me Tiçinon

NË LOZANË, KRYEQYTETIN OLIMPIK E BURGDORF 2013

October 2, 2013 by dgreca

Nga Lozana: ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/Reportazh/

Mbresat nga udhëtimet që institucionet zvicerane organizojnë me APES janë sa të larmishme aq dhe të pashlyeshme. Si ky i rradhës që organizoi Presence Switzerland, pranë Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Nga natyra, gazetarët janë shtegtarë të përhershëm, por pa stinë të caktuar shtegtimesh dhe pa ligje përkatëse shtegtimesh. Më të veçantët, gjithsesi, jemi ne të APES-it, nga të gjitha anët e botës, nga të gjitha llojet e mediave të sotme, përherë e më të shumëllojshme, veçse me një bosht të përbashkët – sa të bukur, aq dhe të papërsërishtëm – i falemi së vërtetës dhe jetojmë në Zvicër.
Pas çdo udhëtimi ne vazhdojmë të shkëmbejmë fotot dhe regjistrimet që kemi bërë nga veprimtaria jonë e radhës, dita ditës i plotësojmë ato dhe, një ditë prej ditësh, detajet krijojnë një përfytyrim të plotë, reportazhi, eseja, dokumentari, udhëpërshkimi, merr përfundimisht formë. Më shumë se subjektive, veçanësitë e akteve të tilla krijuese, janë objektive. Sapo bashkohemi në një veprimtari, sekush nga ne fluturon në një tjetër veprimtari, në një kënd tjetër të rruzullit, me shërbim të ngarkuar nga qendra apo diku me pushime stinore apo vjetore.
Kjo e shpjegon mirëfilli edhe faktin që përbërja e ekipeve tona, nga njëri udhëtim në tjetrin, është e ndryshme, nganjëherë shumë e ndryshme. Jo se nuk do të donim të konfirmonim pjesëmarrjen e plotë në të gjitha udhëtimet, por thjesht pse axhendat e këtyre udhëtimeve jo gjithherë përkojnë me axhendat tona. Kësaj radhe, në përbërje të ekipit tonë janë gazetarë e gazetare nga Thomson Reuters, ANSA, AFP, Deutsche Welle, VRT NIEUWS, Belgjikë, Asahi Shimbun, Guanming Daily China, KUNA, Agjensia e Lajmeve të Kuwaitit, La Suisse russe monthly; Europe Novelle, The Star, Afrika e Jugut etj. etj. Janë agjensi lajmesh e tituj gazetash me emër në gjithë botën, me të cilat është mësuar veshi dhe syri i lexuesit apo dëgjuesit. Ne po ju sjellim një emër jo aq të dëgjuar për veshin, për shembull, The Asahi Shimbun, gazetë japoneze, një nga pesë më të mëdhat kombëtare që ka Japonia, me botim mëngjes e mbrëmje, e cila në vitin 2010 ka arritur tirazhin 12 milionë kopje në ditë ! Me ta jemi dhe ne, dy editorë shqiptarë të The Voice of Albanians – www.voal-online.ch, platformë online, që po e rrit për çdo ditë numrin e vizitorëve dhe klikimeve, në saj të profesionalizmit dhe besueshmërisë të informacionit. Opinioni shqiptar është i etur të mësojë të vërtetën dhe të jetë i orientuar jo politikisht, por se si mund të bëhet qytetar i përgjegjshëm për të patur një shtet ligjor dhe një demokraci Perëndimore.
Grupin tonë e shoqëronte një ekip nga Presence Switzerland, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, me një axhendë të përpiluar si broshurë, me foto e ngjyra, model i seriozitetit dhe kujdesit ndaj gazetarëve dhe imazhit të institucionit që ka bërë ftesën.
Në çdo udhëtim, natyrshëm, vijnë edhe njohje të reja, ngaqë APES është një shoqatë në ndryshim e në përtëritje të përhershme, një shoqatë që shtohet vazhdimisht me anëtarë të rinj. Një njohje e re, e veçantë për ne, është zonja Paola Ceresetti, zyrtare e shtypit në Misionin e Përhershëm të Zvicrës pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Është një fytyre familjare për ne ngaqë për shumë vite ishte një nga gazetaret kryesore të lajmeve në televizionin zviceran në gjuhën italiane, RSI1. Me Paolën hyjmë menjëherë në bisedë, si të njohur të vjetër, ajo ka qenë në vendin tonë dhe komplimenteve tona iu përgjigjet në çast me komplimentet e saj, aq të natyrshme për një zvicerane me rrënjë italiane.
Gjithnjë nën moton “Të shikosh diçka me sytë e tu, ia vlen më shumë se nëpërmjet njëqind burimesh” (proverbë japoneze), tema njohëse e këtij udhëtimi është roli përherë në rritje i Zvicrës në sportin ndërkombëtar dhe roli përherë në rritje i sportit në jetën e Zvicrës e të zviceranëve. Shumë organiza dhe federata ndërkombëtare të sporteve kanë qendrat e tyre në Zvicër, si FIFA, në Zyrih; UEFA, në Nyon; Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, në Gjenevë; Bashkimi Evropian i Shoqatave të Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull, po ashtu në Zyrih, Bashkimi Ndërkombëtar i Ciklizmit, në Aigle. Ne e dimë të gjitha se të gjitha shortet dhe zarat e eveneve sporteve kryesore ndërkombëtare, duke nisur nga kampionatet e futbollit botëror, atij Europian etj etj, hidhen pikërisht këtu në Konfederatën Helvetike!

LOZANA KRYEQYTETI OLIMPIK

Ndërkaq Lozana, e ndodhur përkatësisht në kantonin Vo (Vaud) është kryeqendra e Lojërave Olimpike, thënë ndryshe Kryeqyteti Llimpik, ku e ka selinë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv etj. etj. Këtë rol Zvicra e luan edhe falë infrastrukturës së veçantë moderne në përkryerje të përhershme, ku vetë sporti bëhet faktor në infrastrukturën e jetës zvicerane, shkencës zvicerane, sistemit arsimor zviceran, nga më të mirët në kontinent dhe në botë. Kjo është pjesë e imazhit dhe realitetit të Zvicrës!
Profesor Jan-Anders Manson, një emër brilant me famë botërore në Universitetin Politeknik Federal të Lozanës, ( Zvicra ka dy Univeristete të kësaj kategorie, bashkë me Universitetin Politaknik të Zürich-ut), midis të tjerave, duke na treguar për veten na tha: „Jam suedez, kam studjuar në Siatëll, (Seattle), SHBA, po vendi më i mirë për të jetuar e punuar është Zvicra.

* * *
Ndalesën e parë e kemi në Shtëpinë e Sportit Ndërkombëtar, The House of International Sport, një kompleks unik që sjell nën të njëjtën çati disa faktorë të administrimit të sporteve ndërkombëtare, kryesisht seli të rreth tridhjetë e sa federatave dhe organizatave të sportit ndërkombëtar dhe të nja njëzet kompanive aktive në fushën e sportit. E ndodhur përgjatë brigjeve të Liqenit të Gjenevës, kompleksi i pagëzuar si Shtëpia e Sportit Ndërkombëtar, përfshin një ndërtesë pritjeje dhe tri blloqe zyrash, të cilat shtrihen në një sipërfaqe prej 5752 metrash katrore, me kafeteri, palestër gjimnastikore, si dhe shërbime të ndryshe makinash fotokopjimi, faks,, interneti, telefonash e tjerë.
Kjo infratrukturë e re jep një mundësi të shkëlqyer për organizatat sportive që të punojnë së bashku, të kultivojnë kontakte, të shkëmbejnë përvoja dhe të zbulojnë e shfrytëzojnë përbashkësitë e tyre. Këtu është duke na pritur zonja Cosima Deluermoz, Delegate e Sportit Ndërkombëtar e Kantonit Vo, për të na bërë një panoramë të përgjithshme se çfarë është Lozana për sportin ndërkombëtar, se çfarë është kantoni Vo si organizator e mikpritës i Lojërave Olimpike Botërore, se cilat janë infratrukturat që ecin bashkë me zhvillimin e sportit botëror, ku iu paraprijnë ato këtyre zhvillimeve e dukurive, cilat janë sfidat e reja të sportit botëror për infrastrukturat teknike si dhe për shkencat e dijet përkatëse të kohës së sotme e në ardhmëri.
Kthehemi rishtas tek imazhi. Për të patur një imazh të tillë, Zvicra punon, investon, përkushtohet, angazhohet. Këtë gjë e themi edhe nisur nga ky Media trip, i organizuar enkas për ne gazetarët, ku na presin kudo e na hapin kudo dyert.
Ajo që mësuam në lidhje me Shtëpinë Ndërkombëtare të Sportit dhe na u duk me shumë vlerë është fakti se të gjitha ata që dëshironin të hapnin këtu, në kuartierin kryesor të Kryeqytetit Olimpik, federatën ndërkombëtare të ndonjë sporti, qyteti i Lozanës dhe kantoni i Vaud, ndihmon duke nisur që nga sigurimi i lejeve të qëndrimit deri tek oferta gratis për dy vjet e qirave të zyrave! Kuptoni!

TEK GJYKATA NDËRKOMBËTARE E ARBITRAZHIT OSE ‘HAGA E SPORTEVE NDËRKOMBËTARE’
Nga një mjedis i supersofistikuar dhe modern i Selisë së Sporteve Ndërkombëtare, ndodhemi para Château de Béthusy, një kështjelle jashtëzakonisht e bukur dhe për minuta të tëra duam vetëm të fiksojmë gjithçka në kamerat dhe aparatet tona. Kush jeton në këtë kështjellë ? Ndonjë supermilioner, ndonjë guru, sheik apo yll Hollywood-i ? Jo, ndodhemi përballë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sportet, Court of Arbitration for Sport, e konsideruar ndryshe si Haga e sporteve ndërkombëtare. Selia qëndore e saj është në Lozanë, ndërsa gjykatat i ka në Lozanë, New York dhe Sideny. Këtej kalojnë proceset e atyre që cënojnë Kodin Botëror të Anti-Dopingut. Mikpritës është zotëri Matthieu Reeb, Sekretar i Përgjithshëm. Biseda zhvillohet në sallën ku mbahen seancat dëgjimore mes palëve ankuese dhe palëve të paditura.
Gjykata e Arbitrazhit e Sporteve është themeluar më 1984 nga Këshilli Ndërkombëtar i Arbitrazhit të Sporteve nën autoritetin administrativ dhe financiar të të cilit është. Është një organizëm privat që ka fituar famë dhe kredibilitet botëror. Ka rreth 300 arbitrues nga 80 vende, të zgjedhur si dijetarë specialistë për ligjin e arbitrimit dhe të sportveve. Rreth 200 procedura në vit janë regjistruar pranë kësaj gjykate. Rekordi u arrit në vitin 2008 me 318 raste. Gjykata krijon trupa gjykuese jo të pëhershme në Lojërat Olimpike, në Lojërat e Komënuelthit dhe në veprimtari të tjera të tilla të mëdha ndërkombëtare. Zotëri Reeb nuk ndodhet përballë avokatëve, por përballë gazetarëve, zeja më e përditshme e të cilëve janë pyetjet. Një dëshirë e jona për të dëshmuar kulturën sportive, plus shqetësimet që mbart secili për problemet e sporteve në vendet prejardhëse, e bën bisedën tejet të gjallë dhe interesante. Për më tepër, kur me rastet gjyqësore lidhen shpesh emra të mëdhenj në sportin botëror.
Ne e pyesim, për shembull, rreth rastit të çiklistit amerikan Lance Armstrong, tetë herë fitues i garës më të madhe botërore në këtë fushë, Tour de Francë. Zotëri Reeb na përgjigjet se z. Armstrong duhej të paraqitej para kësaj gjykata, por ai pranoi se trofetë e tij ishin fryt i dopingut, kështu që ato u vlerësuan të pamerituara nga kjo gjykatë. Rasti i tij është shumë i veçantë se Gjykata nuk kishte patur asnjë provë kundër tij.

Pyetjet variojnë nga ato statistike, lidhur me ngarkesën e kësaj gjykate, kohën e zgjidhjes së çështjeve, zbatueshmërinë, raportet me legjislacionin ndërkombëtar, me ligjshmërinë civile dhe me atë penale. Gjykata ka rol ndërmjetësues, ka rol vendimarrës, nëpërmjet tyre rol edukues për sportin dhe sportistët. Dhe detyra e saj nuk do të përmbushej as ndikimi i saj nuk do të vinte në rritje nëse nuk do të kishte bashkëpunim sa më të përkryer me ekspertët e shumë të kriminalistikës të fushave të caktuara, me laboratorë nga më modernët e kohës. E pyetëm patjetër edhe për pagasat, të cilat janë në varësi të të ardhurave, nga 100 franga deri 25 mijë, kur të ardhurat për vit i kalojnë 10 milionë frangat.

PIKËTAKIME TEKNOLOGJIKE DHE SPORTIVE

Drekën e kalojmë në një restaurant të shkëlqyer, Starling Restaurant, me një meny të shkëlqyer me shoqërinë e shkëlqyer të kolegëve dhe ekipit nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, në shoqërinë e verës dhe shoqërinë jo larg prej nesh të Liqenit Leman. Me ne drekon edhe Prof. Jan-Anders Manson, i Teknologjisë Bazë dhe Polimere, President i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave dhe Teknologjisë së Sporteve, specializuar në kërkimet arsimore dhe të zbatuara në studimet e sporteve, i cili pastaj na shoqëron në auditorin pranë Universitetit Politeknik Federal të Lozanës. Prof. Jan-Anders Manson e kemi përmendur në krye të këtij reportazhi.
Profesor Manson ka doktoruar në inxhinerinë mekanike në Universitetin Teknologjik të Goteburgut të Suedisë, ka marrë titullin profesor në Universitetin e Uashingtonit, Siatëll për Inxhineri Kimike dhe për teknologjinë polimere në Universitetin e Stokholmit. Prej vitit 1990 është profesor dhe Drejtor i Laboratorit në Institutin e Materialeve në Universitetin Federal Politeknik të Lozanës. Kërkimet e tij janë të përqëndruara në strategjitë e reja të zbatimit të teknologjive në kontekstin industrial. Partnerë të tij kërkimorë janë industritë e automjeteve, hapësinore, mjekësore dhe sportive. Ai ka mbi 500 publikime shkencore dhe është anëtar i bordeve të disa revistave shkencore bashkëkohore, është anëtar aktiv i disa akademive dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare shkencore. Në aspektin sportiv ai është anëtar i Bordit të të Besuarve në Fondacionin Antidoping të Zvicrës, Kryetar i Akademisë Ndërkombëtare të Sporteve, anëtar i Asamblesë së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera sportive. Për kureshtjen e lexuesve, mund t’iu themi se është përgjegjës shkencore në Universitetin e Lozanës për projektin e Bertrand Piccard në Solar Impuls, avionin që punon me energji diellore. Pra figurë e vërtetë jo shaka!
Universiteti Politeknik Federal i Lozanës është i pari në renditjen e universiteteve të Evropës dhe ndër të parët në renditjen e universiteve botërore, na sqaron profesori. I vetmi universitet tjetër federal i këtij lloji është ai i Zyrihut, edhe ai ndër më të mirët e kontinentit dhe më gjerë. Duke e dëgjuar Profesor Manson në ligjëratën e tij, me një shpjegim brilant – na hyp dëshira që të kthehemi e të bëhemi rishtas studentë. Por koha nuk na pret dhe na sfidon. I ngrejmë duart lart! I dorëzohemi kohës!
* * *
Drekat dhe darkat gjatë udhëtimeve të APES kanë natyrë çlodhëse e përtëritëse sa dhe njohëse dhe bashkëpunuese. Vendet në restaurante herë janë të përcaktuara e herë jo. Aty improvizohen biseda sipas interesimeve të përbashkëta të grupeve të gazetarëve. Në tryezën tonë gjatë drekës në Starling restaurant pranë nesh patëm kolegun japonez Ishiguro Yutaka, nga The Yomiuri Shimbun, një tjetër gazetë japoneze, që botohet në Tokio dhe disa nga qytetet më të mëdha të Japonisë, në grupin e pesë gazetave më të mëdha që dalin në vend, me një tirazh rreth 14 milionë kopje në ditë, ekspert i zhvillimeve politike dhe ekonomike sidomos atyre të Kosovës. Na tregoi se e kishte intervistuar edhe Sali Berishën. Gazetari japonez na la pa gojë, aq në brendësi të proceseve politikave ishte dhe njohje rreth procesit të privatizimit e të përparësive të investimeve në Kosovë. Folëm edhe për tërheqjen e grupit Albright në privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ishim me një mendje. E ku do t’i gjente Kosova investitorë më të besueshëm se ai i Grupit Albright! Folëm edhe për dashurinë që ka populli i Kosovës për Zonjën Albright. Me kolegun japonez ndanim të njëjta mendime.
Në darkën me grill në një restaurant të bukur brënda në qytetin e Lozanës patëm një bisedë shumë të bukur me Uehara Akiko, gazetare japoneze, e lindur dhe shtetase në Zvicër. Me zonjën Uehara, nga The Asahi Shimbun folëm veç të tjerave për letërsinë dhe përkthimet. Kur po i tregonim se djemtë tanë i kanë shumë qejf Mangat japoneze, ajo na impresionoi kur na tha se poezitë e Charles Baudelaire i ka lexuar për të parën herë pikërisht kur ishte fëmijë përmes Manga-ve. Shikoni se çfarë bën Japonia për të edukuar dhe kultivuar brezin e ri. Se si e përçon kulturën nacionale dhe botërore që të asimilohet sa më mirë. Ndërsa tek ne në Shqipëri shkollës po i vihet kazma, një dramë e përmasave kombëtare që na trishton pa fund.

Në një kënd të veçantë të Lozanës, ndodhet Instituti i Shkencave të Sportit, Qendra e Sportit dhe Shëndetit, pranë Universitetit Federal të Lozanës, pikërisht ajte ku ndodhen laboratorët më modernë dhe më të pagabueshëm të botës bashkëkohore. Instituti ndodhet në një mjedis natyror të veçantë, nga ata që mund të ndeshen vetëm nëpër filma hollivudianë të fantashkencës. Dhe ne përfitojmë sërish të fiksojmë veten në kuadrin e këtyre mjediseve. Jo larg nesh, bile shumë afër ndodhet Liqeni Leman, në një përzierje të magjisë shkaktuar nga bukuria e natyrës dhe përkujdesjes të dorës të njeriut. Drejtori Grégoire Millet, ndërkohë na shpjegon rritjen e pagabueshmërisë së këtyre laboratorëve dhe teknologjive të reja në përgjithësi në fushën e sporteve, lidhjet përherë e më të fuqishme midis instiucioneve të shëndetit dhe botës së sportit, rolin e sportit në rritjen e shëndetshmërisë së shoqërisë, pjesën e sportit në kulturën e përditshme dhe në kulturën shëndetësore të individit dhe një mori të pafundme ndërlidhshmërish të tjera.

KOMITETI OLIMPIK – KËSHTJELLA OLIMPIKE E ZHYTUR NË GJELBËRIM

Dhe, natyrisht, çatia e gjithë kësaj bote sportive, Himalaja e saj, është pikërisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Një ndërtesë e konsideruar tip kështjellë, por e zhytur në gjelbërimin e një pylli të moçëm mbi njëqindvjeçar, tejet çlodhës, na fton të përmbyllim një ditë veprimtarish tejet të dendura njëra pas tjetrës.
Në zanafillën e saj, diku në thellësi të mesjetës, e famshmja Château de Vidy ishte kishë, ndoshta nga më të hershmet e zonës, këtu në brigjet e liqenit Leman. Në vitin 1669, kisha u bë shtëpi banimi, e cila kaloi nëpër zotërues të ndryshëm, nëpërmjet blerjesh, nëpërmjet trashëgimish ose nëpërmjet martesave. Shndërrimin e parë rrënjësor ajo e ka pasur në Shekullin e XVIII, kur nga Gjeneva erdhi për të banuar këtu Familja de Loys. Me ripërtëritjen e ndërtesës u muarën dy arkitektë të famshëm të kohës. Punimet përfunduan plotësisht më 1774. Më 12 maj 1880, Napoleon Bonaparti, i cili në atë kohë ishte konsull i parë i Francës, pra kryesundimtar i saj, i cili po iu bënte kontroll të përgjithshëm trupave të tij, para se të
marshonin në qafën e Shën Bernardit, u prit këtu në dhomën më të madhe të miqve. Më 1919, familja de Loys ua shiti ndërtesën bashkë me sipërfaqne rrethuese prej 27 hektarësh institucioneve të ndryshme zvicerane, kryesisht atyre të sistemit ushtarak. Për dhjetëra vjet ajo kaloi në duart e bashkisë së Lozanës, duke iu nështruar punimeve të ndryshme përshtatëse. Deri më 1 mars 1968, kur këtu vendosej Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ajo kishte shërbyer për Qendrën Evropiane të Kërkimeve dhe pjesërisht për zyrat e Institutit të Kërkimeve të Komunikimit Masiv pranë Universitetit të Lozanës.
Kjo është edhe periudha e kulmimeve të para në marrëdhëniet mikpritëse të Zvicrës ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, zanafilla e të cilave daton prej vitit 1908, në të cilin sot aderojnë 205 komitete olimpike nacionale, përbërë nga 126 vende, që mblidhet një herë çdo vit, me një president me mandat tetë vjeçar. Presidenti aktual është Thomas Bach i zgjedhur këtë vit. Këtu në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar zhvillohen sesione shkecore, simpoziume, konferenca, kongrese, festat jubilare, këtu nënshkruhen marrëveshje të panumërta, të cilat do të shënojnë edhe rritjen e këtij institucioni dhe forcimin e lidhjeve me Zvicrën, veçanërisht me Lozanën, Kryeqytetin Olimpik. Ciceroni jonë kësaj here është zotëri Patrice Chollet, kryetar i Bashkërendimit të Strategjisë Rinore në krye të programit të ri të këtij Komiteti, i cili na kalon nëpër sallat muzeale duke interpretuar simbolet figurative në muret dhe në mjediset e institucionit, duke kaluar nëpër historikun dhe figurat kryesore të olimpizmit botëror dhe rolin e Zvicrës, që është fondamental sepse ka krijuar të gjitha kushtet dhe infrastrukturën. Kur takimi ka përfunduar i gjithë grupi i gazetarëve bashkë me zotëri Patrice Chollet fiksohemi në foton përballë hyrjes kryesore të Komitetit Olimpik.

LARTËSITË E BURGDORFIT

Megjithëse ishim befasuar pa fund, befasia e befasive, megjithatë, do të ishte e nesërmja e udhëtimit tonë. Pasi jemi larguar nga hoteli ynë, me autobusin tonë shuttle, duke përshkuar pamje nga piktoresket e mundshme, jemi në Burgdorf të lokalitetit Emmental, sipas markës të njohur të djathit, të kantonit të Bernës, ku është duke u zhvilluar «Fédérale» një nga ngjarjet më të mëdha popullore festive që mbahen në Zvicër, një herë në tre vjet në vende të ndryshme. Kësaj here qëlloi në Burgdorf. Një lloj mundje , si një Wrestling zviceran, dhe Steinstossen, një sport i vjetër me hedhje guri. Këtu ishim të ftuar edhe ne. Bashkë me gazetarët zviceranë ishim të privilegjuar, pasi na ishte rezervuar vendi në tribunën e « Emmental Arena »-s, stadiumi i hapur, më i madhi në Zvicër dhe nga më të mëdhenjtë në Europë. Këtu përmbajtja sportive është zvicerane, një lloj tradite të cilën zviceranët e konservojnë me kujdesin më të madh. Në përfundim të aktivitetit, do të dilte fituesi, i cili do ta mbajë trofenë për tre vjet. Siç e thamë, kjo është veprimtaria më e madhe sportive dhe një nga festivalet me domethënëse zvicerane – një veprimtari shumëdimensionale, sportive, shpirtërore, kulturore, komerciale, turistike, me vlera unikale. Kërkon mot të mirë, do këshillim paraprak me meteorologët, për të gjetur javën më të qëndrueshme të stinës së verës. Dhe kjo e tanishmja është përzgjedhja më e pagabueshme. Asnjë fije reje nuk guxon të shfaqet diku larg apo diku afër nëpër qiellin zviceran, aq më tepër në qiellin e këtushëm lokal. Po lahemi prej rrezeve të diellit.

 

Kur hymë në zonën e festës, automjeti ynë është i vetmi që lëviz. Të gjitha lëvizjet e tjera janë këmbësore. Pjesëmarrësit në veprimtari i kanë parkuar veturat e tyre nëpër livadhet pranë, me mijëra sosh, të tjerët i kanë rreshtuar në varg pa mbarim biçikletat e tyre. I gjithë rrjeti i qarkullimit publik të zonës – ai i trenave, i tramave, i busëve – është përshtatur për veprimtarinë kombëtare. Ndërkohë, në një rreze prej 50 kilometrash largësi rreth e rrotull, prej ditësh të gjitha vendet në hotelet janë zënë prej kohësh.
Mikpritësi i gazetarëve, atyre të APES, atyre të mediave të huaja, qendrore dhe lokale, është zotëri Fabio Lorenzet, Zëdhënës i Medias Ndërkombëtare, i cili na shpjegon se punonjësit e paguar që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë janë vetëm 230, ndërsa ata që punojnë vullnetarisht, pa asnjë pagesë janë 3500. Burgdorfi është një qytet i vogël, me 17 000 banorë, por këto ditë ai është populluar nga 250 000 deri 300 000 vetë. Buxheti i veprimtarisë shkon në 25 milionë franga zvicerane. Në mensat e ngritura, gjatë tri ditëve kryhen 70 000 orë punë, konsumohen 23 mijë kilogramë mish, 105 mijë litra ujë mineral, 6000 mijë litra shnaps (pije e fortë), 70 000 kafé, pa llogaritur pijet, lëngjet, frutat dhe ushqimet e tjera që konsumohen këtu.
Mediat e Zvicrës i japin papushim gjithë këto ditë publicitet veprimtarisë që po zhvillohet në Burgdorf, reklamat e pafundme të firmave zvicerane, nga ato shumëkombëshe me shtrirje globale, deri te ato lokale, janë të afishuara gjithandej nëpër mjediset ku zhvillohet kjo veprimtari. Në reklama kemi parë edhe vajza të reja që garojnë në sportin e mundjes. I pyesim organizatorët nëse tashmë kjo së shpejti do të jetë risi e kësaj gare. Na përgjigjen se ende mbetet në nivel lokal, por synimet janë që festivali i mundjes popullore të përfshijë edhe femrat garuese në këtë sport dhe sportet e tjera alpine.

Fituesi i garës së mundjes, kampioni i ri, shpërblehet me një dem njëvjeçar që peshon 1200 kilogramë dhe që kushton 22 000 franga, fituesit e tjerë marrin shpërblime dema, kuaj dhe lopë. Të gjithë garuesit janë amatorë, nuk janë pjesëmarrës në sporte të tjera, merren me profesione të thjeshta të bujqësisë dhe të fshatit. I vetmi që i ndryshon jeta pas këtij akvititeti është kampioni i ri, i cili është në qendër të mediave me intervista, në qendër të reklamave, por edhe ai nuk shkëputet nga profesioni që ka. Sivjet Mbreti i kësaj gare është 27 vjeçari Matthias Sempach. Në ceremoninë festive mori pjesë edhe Presidenti i Konfederatës Ueli Maurer, ndërkohë që gjithë vemendja e publikut zviceran i mbante sytë e mbërthyer në Burgdorf. Analistët sportivë i krahasojnë këto sporte me ato që zhvillohen në Japoni, në Kinë apo në vende të tjera aziatike me kulturë të lashtë. Në fakt, ato kanë evropianitetin e tyre, burimësinë e tyre të kontinentit tonë.

Ne grupi i gazetarëve të APES e lamë Burgdorfin në kulmin e ngjyrave dhe festimeve, duke marrë me vete impresionet më të bukura se si një komb i civilizuar e mbron, e ruan dhe e vazhdon me krenari kulturën e vet, qoftë ajo materiale apo shpirtërore. Dhe ne shqiptarëve nuk ka si të mos na dhembë prapë zemra kur kemi parasysh se si kultura shqiptare është lenë në mëshirën e fatit.

Aty edhe u ndamë me kolegët dhe ekipin e DFPJ, duke marrë trenin në klasit të parë, nëpër destinacione të ndryshme, një palë në Gjenevë, të tjerë në Zyrih, Bernë apo Bazel. Me atë përshëndetjen tonë tashmë si refren: Mirupafshim herën tjetër! Tschüss bis bald ! A bientôt ! Till the next time!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida dhe Skender Bucpapaj, Kryeqyteti Olimpik, Ne Lozane

TA DUASH, TA NDËRTOSH DHE MBROSH TË VËRTETËN!

May 7, 2013 by dgreca

Nga Dr. PËRPARIM KABO*/
E vërteta ka dishepujt e vet, ka popullin e vet, ka kodet e saj, ka moralin dhe ruajtësit e saj të përditëshëm. Media dhe mediatarët janë vigjilentët e palodhur të së vëretës, ata që e duan atë, që e ndërtojnë dhe që e mbrojnë atë. E tillë është për mua gazetarja Elida (Skënderi) Buçpapaj./
Ky është më shumë se një postulat, është filozofi ekzistenciale që ndryshe konvertohet në atë që quhet cila është rruga, cilat janë parimet dhe ku fillon dinjiteti?! Marëdhënia me të vërtetën është më e vështira, aq sa dëshmori i saj në kryq e mbylli frymën në tokë duke mos u tërhequr nga thënia e tij: ”Thuajeni të vëretën që të ndjeheni të lirë!” Binomi e vërteta-liria, janë themeli i dinjitetit njerëzor dhe sfida e shoqërisë njerëzore në të gjitha kohërat. Demokracia në udhëtimin e saj kalvar deri sa mbërriti tek sistemi i sotëm i demokracisë që në qendër ka liritë dhe të drejtat e njeriut, është dashur që në frymë të saj të ketë treguar kujdes të thellë për të vërtetën dhe lirinë, për njeriun dhe individin, për autoritetin dhe mizorinë, për shpresën dhe për vrasjen e jetës, duke mbajtur në gji të vet gjithçka progresive dhe duke u ndehur e fituar me gjithçka autoritariste dhe antihumane.
Në këtë hulli kaq të vështirë dhe fisnike ecet edhe në ditët tona, sepse nuk ka një betejë të fundit që përcakton vijën e gjelbërt përtej së cilës ne themi se jemi duke mbretëruar në “ruajalitetin” e së vëretës që nuk rrezikohet!
Njeriu jeton edhe me jehonat e thella të brezave që nuk janë me fizikisht. Ai dhe institucionet qofshin edhe në ditët e sotëme, nuk janë të imunizuara në“eternita” si të parrezikuara nga gënjeshtra, fallciteti, imoraliteti apo informaliteti korruptiv! Një shoqëri e tillë sterile është pjellë e fantazisë fëminore.
E vërteta ka dishepujt e vet, ka popullin e vet, ka kodet e saj, ka moralin dhe ruajtësit e saj të përditëshëm. Media dhe mediatarët janë vigjilentët e palodhur të së vëretës, ata që e duan atë, që e ndërtojnë dhe që e mbrojnë atë. E tillë është për mua gazetarja Elida (Skënderi) Buçpapaj.
Një sy vigjilent që nuk fle! Nje mendje qe punon pa u lodhur, sepse dashuron njeriun që ushqehet nga e vërteta. Një shpirt kritik që “rebelohet” krenarisht për të mbrojtur të vërtetat e rëndësishme principiale por edhe ato të voglat e përditëshme sepse “metri” i saj etik është dinjiteti njerëzor. Tek e lexon shkrimin e saj në faqet e bardha të jetës por edhe në dritëhijet e ndeshjes së përditëshme, ke arsye që të kujtosh një thënie të Nënë Terezës, që “në vend që të mposhtesh nga mërzia, ndiz një dritë të vogël të shpresës!”
E kam ndjekur Elidën në këto dy dekadat e fundit dhe libri që ajo sjell para lexuesit është një pjesë e jetës së saj të përditëshme në peshoren e shqetësimit njerëzor, civil dhe atdhetar, ku shtrirja është sa lokale aq edhe globale, sa institucionale aq edhe njerëzore, sa e ditës aq edhe anticipuese! Në librin e saj me publicistikë të përzgjedhur ne marrim në dorë si të thuash një ditar të pulsit të jetës, të fatit dhe sfidës, të shqetësimit dhe protestës, të oponencës dhe demaskimit, sepse Elida Buçpapaj jeton me shqetësimin e njeriut në nevojë, me brengën e lodhjes për fatin e shqiptares si universale, kudo ku ajo ndodhet; ajo është vigjilente për gjithçka që hidhet në harresën denigruese, dhe për atë që e pret të ardhmen e shoqërisë shqiptare kudo ku ata jetojnë si unitet kombëtar por edhe si segmente social dhe kulturor të bashkësive më të gjëra.
Në gjykimin tim personal Elida Buçpapaj në të gjithë “materien” e librit të saj ravijëzon një arkitekturë solide dhe me densitet, gati si një manual rrëfyes se si duhet të sillemi me faktin, me ngjarjen, me dukurinë, me realitetin, me kundërthënien, me informimin, me dizinformimin, me alternativën, me vijat e kithta të pseudoinformimit që shpërndajnë mjegull dhe iluzion. Në besë të kësaj sjelljeje ajo nuk shkon të vizitojë disa të vërteta që njihen dhe janë certifikuar e më tej të na i sjelli të spërkatura me “erëzat” dhe “salcat”pikante të “guzhinës” politike të protagonistëve të ditës që “bëjnë orgji” me disa media që vetëm të tilla nuk janë. Elida është besnike e të vërtetës që godet, që rrezikon, që shpotit, që rrëfen, që këlthet, që proteston, që paralajmëron dhe që me kurajo civile dhe me peshë “Sizifiane”, akuzon duke vënë gishtin mbi plagën. Në këtë kuptim ajo është një reportere në frontin e rrezikut dhe të ndeshjes.
Kjo do të thotë ta duash të vërtetën si veten dhe ta mbrosh atë jo për veten por për socialen, për publiken, për humanen, për zhvillimin, për dinjitetin. Në librin e saj ne ndeshemi me dukuri që kanë ndodhur kohë më parë por nëse arsyetimet e saj në të shumtën e rasteve kanë qenë parashijonjës dhe paralajmërues, kjo shpreh se analiza e saj, gjykimi dhe drejtpeshimet paskërkan qenë në ekuilibër dhe në zemër të ciklonit. Ajo ka folur, ka sjellë mesazhin e saj, si të thuash “ka folur dhe ka shpëtuar shpirtin e saj” – si thoshin latinët; por se ka dhënë kontributin si një “dishepulle e së vërtetës” që gjërat të ishin gjykuar dhe projektuar më mirë në kohën e duhur.
Besnikëria me të vërtetën është provë karakteri, është kujdes në vijueshmërinë që verifikon, është syçelësi në përplasje e papritura, dhe gjetje e peshores historike për gjithëkohësi. Në këtë gjithëgjykim, Elida ka treguar se nuk bën kompromise me konjunkturën, nuk lyp strehë alibish si kovalishencë të politikës së ditës dhe “kuajve të rradhës” mprehur në “karrocën e ekzekutivit” në kohën konkrete. Larg interesave të tilla ajo është e lirë të takojë lirinë, ajo është e lirë të na sjelli lirinë e informimit pa censurë dhe pa vetëcensurë, ajo është e lirë të gjykojë me kokën e saj dhe të peshojë me arsyen e saj pa tabu.
Një mediatare e tillë është e plotësuar me formimin intelektual, dhe adresuar në mënyrë speciale me kulturën publicistike, ku spikat fjala e gjallë, mendimi virulent, stili luftarak, forma joshëse, lundrimi me begati i fjalës, dhe dinamika e shpalosur “katër kanat” ku asgjë nuk fshihet, çdo gjë në dritë të diellit!
Ndokujt kjo kurajo dhe shpirt proteste nuk i ka pëlqyer, i ka krijuar bezdi dhe një lloj urrejtje shpagimi, por se ajo nuk është frikësuar nga sulmet e hapura apo të “ambalazhuara”, nuk është mikluar nga joshjet shkurajuese që dhurojnë“puthje jude”, nuk është tronditur në boshtet e saj edhe nga kundërshtimet arogante që jashtë kostumit zyrtar në pafuqinë e tyre sillen me arrogancën e (mos)kulturës së rrugës. Si një “skllave” e lirisë e dinjitetit dhe së vërtetës, ajo ka vijuar punën, duke ndërtuar profilin që ka sot.
Dinjitoze, e vëmendëshme në çdo grimë të kohës, mbajtëse e rregullt e bilanceve të ngjarjeve dhe një penë kurajoze që flet me zërin, që di të dëgjoj jehonën e vet por edhe të kombinohet në koralet serioze që media ka sot.
Gjeografia e këtj zëri është globale. Lëvizet në Shqipëri në meridianet dhe paralelelet gati kapilare të shoqërisë shqiptare. Në institucionet, partitë, aleancat, intrigat dhe poshtërsitë, në fitoret reale dhe arritjet e atdheut. Zgjerohte kjo gjeografi në Kosovë, dhe kudo ku janë shqiptarët. Elida është në Bruksel, në Strasburg, në Hagë apo në Paris, në Londër apo në New York, në Beograd apo Athinë, ajo është kudo me syrin e saj vigjilent ku globi përpiqet të çajë me kalimin e vështirësive drejt së ardhmes dhe paqes. Është atje ku institucionet ndërkomëbëtare rrahin mendimet, përballin versionet, dhe ndeshen pro dhe kundër në sitsteme ku” gijotina” e vetos ndal rrjedhat historike! Ky puls shqetësimi dhe ky kujdes qelibar e shembullor, e ka bërë punën e përditëshme të gazetares Elida Buçpapa një arkiv të çmuar të historisë së dy-tre dekadave të fundit. Në këtë këndëvështrim librin që kemi në duar dhe që do ta kemi si një alamanak në gjithëkohësin e pasme, do duhet ta çmojmë edhe si një lloj biografie të historisë sonë Brenda asaj 100 vjeçare të Shqipërisë si shtet i pavarur!
Vlerësoj tek Elida edhe kuptimin mbi kujtesën historike. Ajo e kombinon atë me qëndrimin kritik ndaj adresës historike. Elida është kundër amnezisë historike, jo në udhë dhe frymëzim të shpagimit për kalvarin e saj dhe të familjes gjatë rregjimit komunist! Kurrsesi jo në atë kahje! Ajo ka një bindje të thellë civile dhe formim intelektual që e mbajnë larg dallgëve të tilla turbullonjëse.
Për Elidën të mos harrosh do të thotë të njohësh rrethanat, subjektet, individët, protagonistët, xhelatët, spiunët, mashtruesit, “shumëfytyrësit” të cilët nuk kanë humbur, por se kanë ndryshuar kostumet dhe llojin e humorit. Nga ai i ziu tek ai rozi, nga ai gri tek ai laramani! Në këtë gjendje ajo nuk e fsheh neverinë e përligjur. E mbron me forcë të drejtën sepse ndryshe ne jemi në gënjeshtër të plotë me veten, me demokracinë, me të ardhmen.
Në lirinë e gjykimit secili ka në posedim të plotë veten dhe përjetimet e tij. Edhe kur të lexojë librin është i lirë të thotë me këtë jam në një mendje, me këtë nuk jam dakord, kjo më duket e motivuar, kjo nuk më bind.
Vetëm kështu jemi në ujërat e rrjedhave plurale dhe të diversitetit. Argument i autores është udhërëfyes, argumentet tanë janë komplementarë. Ne jemi të lirë të gjykojmë me mendjen tonë, por nëse jemi në sinergji me mesazhet që përcjell autorja Elida Buçpapaj, qoftë edhe si ndryshim qëndrimi dhe argument, edhe në këtë rast ne jemi në demokracinë e mendimit, të barabartë si të ndryshëm. Këtë kontrastim ia kemi për mirënjohje autores Elida Buçpapa dhe librit të saj.
* * *
Të sjellësh një libër në jetë është ngjarje për autorin/autoren. Në të gjen shqetësimin dhe jetën e saj në puls të shqetësimit qytetar dhe intelektual.
Bashkë me të ne si lexues marrim me vete edhe një pjesë të vet autorit që si peng respekti dhe miqësie na vjen për të nyjëzuar lidhjen reciproke.
Për ata që e kanë njohur me kohë Elidën (ky është rasti im) janë në gjendje të thellojnë miqësinë përmes prurjeve të reja të ndërsjellta dhe miqësi të tilla vjetrohen si vera. Për ata që njohjen e kanë të kohëfundit ky libër është një shans më shumë për komunikim që thellojnë njohjen sepse kështu bëhet e mundur që të bashkohen kontributet.
Për lexuesin që e takon autoren për here të parë, është e thjeshtë, nga dita që ai merr në dorë librin e saj ka mundësinë që të zgjerojë njohjen për problematikën e rrokur dhe të celebrojë një miqësi të re, sepse Elida është një personalitet mendjehapur, që i shton humanizmit nga humanizmi i saj bujar. Nga sot ne kemi një libër më shumë në qarkullim, pra një doracak më shumë në udhëtimin që për fatin tonë të mirë është i përbashkët.
Libri dhe shqetësimi i Elida Buçpapajt e ka brënda natyrshëm edhe këtë shqetësim apo mesazh, si do të jetë udhëtimi ynë i ardhshëm, le të mendojmë që sot në mënyrë që nesër të mos themi të zënë në përgjegjësinë e fajit të mosveprimit, përse nuk e bëmë dje këtë gjë!
Të faleminderit Elida!
Tiranë më 07.12.2012
*Parathënia e librit ‘Tirania e tranzicionit” të Elida Buçpapajt

Filed Under: Kulture Tagged With: dr. Perparim Kabo, Elida dhe Skender Bucpapaj, libri, Tiranai e Tranzicionit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT