
Shkruan Elidon Lekë Nika prej Iballes Pukës/*

Fisi i lashtë i Thaqit, pasardhës të fisit të Brigjëve të lashtësisë si pjesëmârrës në Luftën e Trojës e gjithashtu vazhdimësi (pasardhës) të Pirustëve metalpunues e të pathyeshëm që jetuen kryesisht n’malet e Pukës së sotme, bregut Drinit.

📷HERALDIKA e THAQIT. nga Vittorio Gifra, 2014.

(Shkrimi â gegnisht, se gegnîsht foli Thaqnjâni At Gjergj Fishta, At Shtjefen Gjeçovi dhe Imzot Gaspër Thaçi. Tetân me prejardhje në Prêgjeç të Iballes.)
S’pari nji sqarim: na në Pukë e shqiptojmë Thaqi e jo Thaçi. Pra me “Q” e jo me “Ç”, prandaj n’shkrim do e gjeni në këtë trajtë: THAQI.
Ky shkrim do ketë nji qasje ndryshe nga ajo çfarë jemi mësue të lexojmë për Thaqin. …Pra, të njëjtat kallxime të përsëritshme, bajate e deri diku të rëndomta që nuk kallxojnë lodhje apo përkushtim të autorëve përkatës të cilët mârrin përsipër e shkruejnë për këtë fis antik e që na e nxjerrin 50, 200, apo 500-600 vjeçar. Jo-njâni vlla hangër mish thiu, tjetri jo, e këso gjânash bajate.

Shkrimi do përqëndrohet tek gjeneza, lashtësia dhe identifikimi i Thaqit me fiset antike prej nga rrjedh, autoktonia, vijimësia-pra geni i pandryshueshëm i popullsisë thaqnjâne, zhvillimi-shtrirja, dokë, zakone, besim, etj.

Fisi i THAQIT ka 4 vllazni: Buqa (Buqgjeqajt); Prêndi (Prêndgjeqajt/Prêgjeqt); Gega (Gegëgjeqajt); Doda (Dodëgjeqajt). Përqëndrimi hapësinor e krahinor mâ i madh i këtij fisi âsht Puka dhe epiqendra historike e tij âsht IBALLJA.
Prej Prêgjeçit vjen edhe trungu jem, i cili te Prêndi mbërrin në 13 breza, të cilët breza po i bí këtu t’u ia fillu prej te im bir, Troiylli. 1) Troiyll Elidoni, 2) Elidon Leka, 3) Lekë Marashi, 4) Marash Nika, 5) Nikë Zeqiri, 6) Zeqir Uka, 7) Ukë Mema, 8) Memë Hysa, 9) Hysë Basha, 10) Bashë Arifi, 11) Arif Biba, 12) Bibë Prêndi, 13) Prênd Gjeçi, 14) Gjeç Gjoni, 15) Gjon Prêndi, 16) Prê’ Biba, 17) Bib Loli, 18) Lol Bitri, 19) Bitër Bushati, 20) Bushat Cili, 21) Cil Vili, 22) Vil Kola, 23) Kolë Palushi, 24) Palush Pjetri, 25) Pjetër Leci, 26) Lec Alia, 27) Ali Begu, 28) Beg Piruni, 29) Pirun Mula, 30) Mulë Daka, 31) Dakë Ndreu, 32) Ndre Pogu, 33) Pog Murri, 34) Murr Deti.
Sa për me e cek, sepse vlen, asnji fis tjetër të cilët mbajnë paraardhës real apo fiktiv MURR DETIN, nuk i çojnë brezat kaq shumë në numër sa Thaqi. Berisha, Shala, etj., i numërojnë diku 18-20 breza deri tek Murr Deti.

*Tek Bushati lidhena me dinastinë Thaqnjâne të Bushatllijve të Shkodrës, por nuk do zgjatena këtu…
Nuk jam as i pari e as i fundit që ka shkrue apo do shkruajë apo do përmbledhë mâ mirë me thânë (pasi unë nuk jam historian), fakte e të dhâna historike rreth Iballes e fisit zâmadh të Thaqit të cilat bashkë jânë NJI.
Këtë përmbledhje do e bâj prej dashnie e krenarie që kam për Iballen teme ku lêva, e fisin zâmadh t’cilit unë i përkas: THAQIT.
Përmbledhja do jetë me ato njohuri që unë kam nga studimet e shumta mbi Iballen dhe Thaqin e normalisht që do bazohet në autorë të ndryshëm, historianë, albanologë, studiues, harta, libra shqipe e të huej, etj.
• ÇKA ÂSHT FISI?
“Gjak e fis janë të tân ata që brez mbas brezi i përkasin nji kryeati të vetëm prej kohësh që s’mbahen mend.” – Nikollë Gazulli.
Nikollë Gazulli shprehet se: “Për shka mujta me diktue unë, s’ka familje në Prefekturë të Shkodrës, në Kosovë, Lumë e Dibër, qi mos ta dijë fisin kúi përket”.
Po ashtu Bernadin Palaj thotë se: “Ai qi s’njeh fisin e vet, nuk â shqiptar.”
Atëhere, mos me njoftë fisin ku ti përket, i takon mos me njoftë baben as gjyshin e as babgjyshin, sepse tetân këta rrjedhin prej atij KRYEATI të përbashkët. Mos me njoftë fisin tând, nuk njeh gjakun prej nga buron (ti). Krahina ndërrohet; dikush lind në Pukë, dikush Shkodër, Tropojë, Mirditë, Korçë apo Kosovë, Amerikë e Kinë por fisi âsht NJI!
Pra, âsht i pandryshueshëm. Krahina e vendi ndryshohet, GJAKU E FISI JO!!!

FISI I THAQIT.
(Lashtësia, historia, etimologjia, prejardhja e rrugëtimi, gojëdhâna, etj.) Fisi i Thaqit âsht nji ndër 12 fiset e Kanûnit të Lek Dukagjinit, e madje shpesh herë nga disa studiues e historianë, sidomos ata të Kosovës, Thaqi haset si fisi kryesor i Kanûnit Lek’s.
“Fisi mbi të cilin e për të cilin na do të bisedojmë këtu âsht nga mâ të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga mâ bukë dhânësit e bujarët dhe nga mâ trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme.” ¹
Dokumentet shtetnore gjithashtu edhe ato kishtare, dihet se sidomos në zonën e Iballes, janë djegë, stërdjegë e përrzhitë, kjo nga luftërat e shumëta që Iballja zhvilloi vit për vit kundër osmanëve.

Këtë e vërteton edhe Frang Bardhi kur thotë: “Këto pak katunde të vogla t’Iballes kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë turke, megjithëse, pothuajse vjet për vjet ka dërgue sanxhakët e vezirët e vet tash me 5-mijë, tash me 6-mijë, tash me 10-mijë ushtarë për të muejt me ja shtrue furisé së vet dhe kurr nuk ka mujtë me u bâmë atyne ndonjë dâm, veçse me ua rrënue ato kishët e tyne dhe me ua kall shtëpitë, që me qëllim Iballsit i kanë bâmë me pak vleftë, dmth të mblueme me byk, pa mur, pa pullaz, pa asnjë stoli për shkak se përherë në gjendje lufte me osmanët.“ ²
Do të na interesonte për momentin sa i kaherëshem âsht fisi “Thaq” si dhe toponimi “Thaq” që deri më sot nuk ka marrë përgjigje të saktë. Mâ poshtë po citojmë: ….O Zot çfarë është kjo mrekulli që po ndërton princi në Butrintin tonë!!?? – Tha një ditë një plak duke kaluar më nipin për dore pranë vend punimeve, ku po ndërtohej pirgu (Obelisku) që kishte lëshuar shtat rreth 50 m i lartë. Rojtari që qëlloi dhe e dëgjoi pytjen e plakut duke buzëqeshur i tha: Xhaxha, punët e shtetit i din vetëm Zoti dhe Princi, e ti ec më nipin për dore e shiko punën tënde. O Zot, o Zot tha plaku me vete njeriu nuk guxon të mendojë as të flasi më veten. Eja nipash eja më shpejt.. e tërheq gjyshi për dore Dritanin e vogël të habitur që të iknin sa më parë nga rrethimi (rrethorja) e punimeve. Por roja nuk e kishte më të keq, ai i foli plakut më tepër nga kërshëria që të nisë bisedën më të. Ky ishte një plak simpatik më mjekër e flokë të bardha si bora, më tirçe zhguni të zi e shokë (brez) kuq e zi dhe më qeleshe të bardhë si bora. Rojës nuk ju durua pa e pyetur plakun. Nga të patëm o gjysh? – Nga Dardania iu përgjigj plaku. Aaa ! Po nga cili fis jeni xhaxha? I fisit të “Thaqit” përgjigjet më zë të lartë plaku. Edhe nipashi a ? – U mahit (bani shaka) rojtari. I gjakut tim është ia kthen më gjithë mend plaku dhe e shpejtoi hapin. Princ Loriku ka jetuar 300-400 vjet para Krishtit.³
Pra, toponimi “Thaq“ na del që para 2400 vjetësh.

“Rrânjët e Thaqëve janë thellë në të kaluemën e largët, në lashtësinë e formimit të fiseve të popullit tonë. Fisi i Thaqit ishte nga gegët e Shqipnisë veriore të Dardanisë së lashtë.” Prof. Bedri Pejani e shikon mâ ndyshe çështjen. Ai mendon së Thaqët bashkë me fiset e tjera u dyndën nga Dalmacia dhe Bosnjë-Hercegovina gjatë dhe mbas kryengritjes së Ilirve kundër romakëve nën prijësit ilir “BATO” i Desidiatëve dhe i Dasaretëve në vitet 6 dhe 9 të erës së re.’’⁴
“Fisi i Vokshit, që në të vertetë nuk âsht fis, por nënfis ose një vllazni e fisit Thaq. Fisi i Thaqit kishte zënë vend në Barbullush, Zadrimë, Bushat, Lezhë dhe një pjesë e madhe bregut të lumit të Drinit dhe në Postrripë. Në migrimin e parë Vokshi u nda prej Thaqit dhe u vendos në Postrripë në katundin Vorfë. Në migrimin e dytë që fillon prej viteve 40-50 mbas Krishtit, fisi Voksh përveç vendeve që përmendëm më sipër, tani futet në anën jugore të Drinit deri afër Vaut-Spas (Pukë) dhe kështu themelon katundin IBALLE si qendër të vetën. Kështu Vokshi i ndihmuar prej fistarve të Thaqit kalon nëpër Iballë dhe zbret në Drin duke e kaluar atë.”⁵
Po kështu e thotë edhe Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi që e përmendëm mâ sipër.

Versionin e Franz Nopcsa-s nuk po e përmendi hiç, sepse të njâjten gjâ që autorët e mâsipërm thonë, përmend edhe Nopcsa, por nuk e nis nga lashtësia udhëtimin e këtij fisi legjendar, por e nis direkt nga Anamali i Malësisë së Madhe çka na kurrë nuk e kemi ndigjue prej të parëve tonë.
Të shumtë janë ata autorë, albanologë, studiues e historianë që Thaqin e lidhin me Maqedoninë e lashtë dhe Thrakinë (kujto Murr Deti tek brezat e mi… Deti i murrëm/Deti i Zi), lidhje të cilat do mundohem t’i përcjell këtu. Popullsia thrakase e Thrakia janë pellazgë, për t’mos thânë bash zemra.. apo vetë pellazgjia. Gjakun e njëjtë të popullsisë tonë pellazge: thrako-ilire-dardane-maqedone-epirjote-dalmate, etj., nuk mund t’a cungojmë me hartën shqipfolëse të sotmen, POR, me atë çka ishim në lashtësi, pra, para se të fillojnë dyndjet prej tâna anëvet. E kjo përban nji hartë nga Sllovenia e Kroacia e deri aty ku fillon Azia e Vogël (në Turqinë e sotme) apo mâ thjesht me e thânë, bash aty ku ish TROJA e vjetër. (shih hartën)
📷Hartë e lashtësisë ku dallohet qartë ndërthurja Iliri-Maqedoni-Thraki. Të tân popuj Pellazgë = Pellazgji.

Të dhânat dhe teoritë që e lidhin fisin e Thaqit me Maqedoninë e lashtë e cila dikur shtrihej deri në Dri e Adriatik, e që dikur ishin krejtësisht nji popullsi pellazge, deri në Thraki e madje Azi të Vogël (Trojë), janë disa:
Simbas shumicës së historianëve, arkeologëve, dokumenteve apo librave, të huej e shqiptarë, po të lexojmë e thellohemi, thuhet se popullsia e shqiptarëve të sotshëm nuk âsht gjâ tjetër <<…Veçse mbetëzat e fiseve Thrako-Ilire.>> – At Shtjefen Gjeçovi / “Trashëgimi trako-ilire.”
Të njâjten gjâ pohon me vëndosmëri edhe Nikollë Gazulli ku thotë: “Kush i thotë vedit se din diçka, fiset shqiptare i njehë mbetëzat e trungut të madh iliro-thrak. Makedonët e Epirasit si me fis si me êmëna njerëzish përpiqen me ilirë e thrakë.”

Ekziston nji kompleksitet i mâdh (në shumicën e njerëzve prej pádijes) që na, shqiptarët e sotëm të quhena Thrakë apo le të themi edhe thrako-ilirë. Dmth, simbas ndjenjave dhe formimit të shumicës dërmuese, na jena ILIRË edhe pikë. Nuk dinë e as NUK donë me ditë mâ thellë, pavarsisht se të dhânat historike kallxojnë që sidomos Gegnia e fiset e saj mâ shumë anojmë nga thrakët sesa ilirët. Pra, ne s’jena as mâ të mençur se historianët e lashtësisë si Straboni, Tukiditi, etj., e as ata mâ të vonë. E as mâ të mençur se Gjeçovi apo Gazulli, etj., që i kushtuen tân jetën kulturës, origjinës e dokëve të origjinës e rracës tonë thrako-iliro-shqiptare. “Shqiptarët janë teprica të popullsive ilire e thrake” – Cvijq (albanolog kroat).
“Të drejtat mâ të hershme u përkasin, pa dyshim, shqiptarëvet, tue qenë se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtshëm të Trakëve e t’Ilirëvet.”
“Kur ilirët erdhen prej veriu, ata, në Shqipninë e sotme gjeten fise e popullsi thrake” – Hueppe(albanolog).
“Bashkëzânimi pra i auktorëve të çdo kombi përkah xânâfillja ilire a trako-ilire e shqiptarëve âsht i plotë, e s’mund të ndryshej. Pse? 1. Në njen’ anë shqiptarët na dalin para si nji popull në vehte, me shenja fisnike të veçanta, me gjuhë të veten, me dokë, me tradita të ndryshme nga fëqinjt e në luftë gjithmonë me ta. N’anë tjetër, historija qi na kallxon ardhjen e kalimin e sa e sa popujve ndër këto skajé të Ballkanit, nuk na thotë gjâ për ardhjen e popullit shqiptar. Pranija e tij pra s’ka spjegim tjetër veçse tue thânë se ky komb ishte ndër këto vende qysh herët, qysh para se historija të fillojë me regjistrue dyndjet barbare, dmth. qysh në kohën e romano-ilire. E mbasi historjakët e popullsitë e atëhershme të këtyne vendeve i qujshin ilirë kah perendimi e trakë kah lindja, nuk mbetet veçse të thomi se shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Trakëve. Gjuha shqipe paraqet me aq përkime me ilirishten e trakishten, sidomos ndër vokalizma e ndër mbrapashtesa, sa me i a mbushë menden edhe dijetarëve si Mayer, Pederson, Holger, Kretschmer, Jokl, Ribezzo, Tagliavini, etj., se shqipja âsht vjanimi i trako-ilirishtes.” – At Shtjefën Gjeçovi (Xânâfilla e Shqiptarëvet).

📷Hartë ku dallohet se Maqedonia e Lashtë hynte deri në Dri. Pukë, Lezhë, Mat, etj. merreshin me Maqedoninë, ndërsa Iliria apo ilirët janë diku te Kroacia e sotme.

📷Fisi pirust i Skirtonëve (Skirtari/Skyptari/Shkyptari) në Pukën e sotme. Maqedonia dhe Dardania që shtrihen deri në Dri.
Pra, kuptohet thjesht se etnitë e mëdha jânë ato Thrake dhe Ilire.
Maqedon, dardan, epirjot, dalmat, etj., janë tâna nândegë të këtyne dy trungjeve të mëdhaja.
Po qysh lidhet Thaqi me origjinën thrake apo thrako-ilire?!
Apo, mâ mirë me thânë qysh lidhet fisi i Thaqit me fisin e BRIGJËVE (Frigjë/Brigjë) që jetuen në Maqedoninë e Lashtë dhe Thrakinë e dikurshme? Këtë na e shpjegon gjuhëtari i përsosun dhe i madh, Dom Nikollë Gazulli, i cili me shkrimet e tij edhe m’ka shty të thellohem mâ shumë.
“Fisi i Thaqit në Iballe, ruen nji gojëdhânë qi tregon se janë të bijtë e GJÍBALES.

Janë pasardhës të Murr Detit, sipas brezave e gjithashtu gojëdhânave, por tëtân janë të bijtë e Gjíbales. Populli që besonte këtë Hyjneshë? …E tue e lidhë me hyjnin pagane: Kybéle nderue në Frygi (nga Frigjët).. me kaq fisi i Thaqit më lidhet me makedon.” “Kabashët lidhen me thrakë njashtû sikursé edhe Berishë.” “Êmëni THAQ âsht në veri i vetëmi êmën fisi e i kurrnji katundit a lagjes, a nierit.”⁶..”Kallxojnë se kur hînë Turqit së pari në Shkodër, pos armësh e mishit, lypshin edhe çikat mâ të mirat. I erdh rradha Thaqit. Këta ishin shumë vllazen e kishin edhe nji motër. Njâni vëllazënish, i hijshëm fëtyret (Thaqi janë në zâ për pashí t’burrnimît) .. u vesh si çikë, mshefi në gjî nji thikë të mprehtë, hîn te komandari turk, e ther, e vret e kthehet megjith fisin në Dukagjin (Pukë). Në kët gojëdhânë përsëritet shka na kallxon Herodoti në libër të vet Terzikore: Aleksandri, i biri i Amyntës, Mbretit të Makedonisë, ther të dërguemit e generalit persjan Megabizit, pse këta deshten me u dhunue gratë.”⁷
Simbas Herodotit, Frigjët në fillim quheshin Brigjë dhe fillimisht jetonin në Maqedoni. Maqedonia shtrihej deri në Dri e Adriatik po nuk e kalonte Drinin, pra linte jashtë Shkodrën.(Kushtojini vëmendje këtu.)
Mâ mbas duket se ata u përhapën nëpër Thraki e deri Frigji (Azia e Vogël sot/Troja e lashtë), gjithkund duke jetue brigjeve të liqêjve (psh. Ohri) apo deteve (psh. Deti i Zi) dhe lumenjëve (psh. Brigjeve të Drinit).
“Edhe Peonët edhe Frigjët, të cilët mâ parë në Maqedoni quheshin me êmënin BRIGJË (breg dhe bregorët) ishin po ashtu të ardhun nga Evropa në Trojë (Azinë e Vogël-Frigji). Brigjët, nga Maqedonia, kur erdhen në Trojë (Azi të Vogël) aty e moren êmënin Frigjë dhe popullonin nji pjesë t’madhe të Thrakisë, i cili vend mâ vonë do quhej Maqedoni.”⁸
Asnjëherë nuk janë gjetë prova (fakte, dokumente, të dhâna arkeologjike) që të dëshmojnë se Brigjët të kenë banue mâ parë në Azi të Vogël, por e kundërta ka ndodhë, se ata n’fakt nga Thrakia (Maqedonia) janë vëndosë në Azi të Vogël (Trojë).⁹
Pra, thânë shkurt, ashtu sikurse Brigjët, edhe Frigjët, Teukrët, Dardanët, dhe Trojanët, ishin vllazen dhe popullsi e nji origjine të njâjtë, e kjo do të thotë se këto fise popullore i përkisnin nji familje të madhe të popujve PELLAZGË, të cilët quheshin me êmënin THRAKAS.¹⁰
Të tân autorët e huej gjermanofonë, frankofonë e italofonë, kanë ardhë në nji përfundim të njâjtë e të vërtetë shkencor, se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të thrako-ilirëve, por kjo dihet se edhe ilirët edhe thrakët/thrakasit ishin popull pellazg.¹¹
Në librin me titull: “Herodots Geschichte – Frankfurt 1790” shënohet se Frigjët (Brigjët) ishin popullsi thrako-ilire, të cilët dikur banonin jo larg Maqedonisë. Nji pjesë (pra jo krejt) e këtij populli, ishin shpërngulë për n’Azinë e Vogël (Trojë) e atje quhej popullsi frigje. Të parët e Frigjëve të Azisë Vogël ishin nga Thrakia dhe quheshin me êmënin Brigjë. Grekët i qujshin Thrakasit me êmënin “Thirras” dhe “Theirris”. Autori Petro Katanesih në librin me titull: “De Istro eiusque ad colis, Comentatio in qua Autochtones Illyri ex genere Thracio” shkruan se fjala “thrakas” rrjedh nga fjala “thirra” (therrë) dhe ishin të bijtë e Japetit.¹²
Japeti ishte i biri i Qiellit (Vrânit) dhe Tokës. (Kujto bènë “Pashá Tokë e Qīll”. – Shënimi im E.L.N)
Brigjët apo Frigjët ishin popullsi ilire (thrako-ilire) nga malet e Sharrit. Shteti Trojan mâ parë u quejt Frigjia e Vogël e cila ish e banume nga pellazgë, të cilët erdhën nga Samothraka, Thraki. Brigjët (Frigjët) mbaheshin si popullsia mâ e vjetër e botës rreth tyne.”¹³
Thashë që të kushtohej vëmendje këtu, sepse: Edhe sot e këso dite, territori i fisit të Thaqit në Pukë ka nji pseudonim të vetin, pikërisht me êmënin “BRIGJÉ”!
Nuk âsht mahí!
J. Von Hahn, albanolog, shprehet se: “Shpati qi sheh nga lumi Drin mban êmënin BRIGJA, (nji formë shumësi e fjalës “breg” në kuptimin “kodër”. Ai banohet nga fisi Thaqi që numëron 5700 pjesëtarë, fisi mâ i madh në Pukë, të tân katolikë, i ndamë në dy bajrakë: Iballe e Bugjon.”
Pra, lumi Drin lag shume vende e krahina, por BRIGJA apo BRIGJET quhet vetem vendi çka lag në territorin e Thaqit.
Simbas Iliadës së Homerit, kush e ka lexue, dihet që Brigjët (apo Frigjët), morën pjesë në Luften e Trojës si aleatë të ngushtë të Trojanëve kundër Akejve. Pra, kallxohet qartë që Thaqjânët morën pjesë në luftën e Trojës, âni pse atëhere quheshim BRIGJE (pasi edhe sot si pseudonim, kët êmën kena.) Edhe Hekuba, gruaja e mbretit trojan Priamit, ishte nji princeshë frigjiane (brigjëse). Këto fakte janë shumë lehtë me u vërtetue kush dëshiron me lexue sadopak.
“Vëllau i Hekubës, quhej Asi, i cili qeveriste mbi vendin e quejtun Arisbe. Simbas shënimeve të Eurupidit, Hekuba-grueja e Priamit (mbretit fundit të Trojës) ishte bija e Kiseut i cili ishte mbret në Thraki (tek Brigjët). Mbas rânjes së Trojës, nji pjesë e Trojanëve mbesin nëpër malet e tyne, nji pjesë shkon në Thraki prapë e nji pjesë e tyne shkon në Epir (Shqipnî). ¹⁴
Pra, siç u tha nga Gazulli pak mâ nelt, êmënat e fiseve tona lidhen ngushtë me këto fise thrako-maqedonase.
“Popujt e lashtësisë êmënat e e vendeve të tyne i vendosnin simbas ndonji êmëni të Zotave të tyne apo herojve. Kështu ndodh edhe me nji pjesë të Maqedonisë e banueme me popullsi thrako-ilire ku udhëhoqi Oresti, quhej “Orestia” (Arest / Orestium).¹⁵
Kujto këtu êmënin DUKAGJIN që muer Puka në mesjetë nga dinastia e famshme e Dukagjinëve që prejardhjen e kanë nga fshati Dukagjin i Malziut të Pukës. Gjithashtu edhe êmëni i mâsipërm i heroit pellazg (thrako-ilir) “Oresti” që u cek në librin e prof. dr. Eqrem Zenelaj, e gjejmë në dy vende në Pukë: Arësti (Fushë Arrëzi) dhe Arsti (Arst-Miliská).
Kjo vërtetohet nga autorë e huej e shqiptarë të cilët thonë se: “Në çdo vend ku ka pasë popullsi pellazge (thrakase) aty e gjejmë edhe êmënin dhe nderimin për “Orestin”. Káhdo që këto popullsi lëvizen, muren me veti êmënat e Zotave, herojve, vendeve e besimeve të tyne.”
Disa ndër këto êmna që duhen veçue, janë: Gordioni, mbret i frigjëve. (Nyja e Gordionit lidhet edhe me Lekën e Madh të Maqedonisë së Lashtë, por këtu nuk po ndalem). Mos të iu duken përralla tetana këto, por studiojini dhe vërtetojini.
Êmëni i dytë âsht Midha. Midha ishte i biri i Gordionit.
Mida (Midha) ish perendesha që çka prekte, e kthente në ar (flori). Midhë ka edhe sot qé mijëra vjet në Pukë. Pra, kena fshatin Midhë, që edhe banorët e këtuhit e njohin veten pasardhës të Murr Detit.
Nikollë Gazulli âsht ai që ka gjetë para kûnd 80 vjetësh në Midhë të Pukës pikërisht monedha me nânshkrimin e Mbretit Gordion, të cilat asokohe ruheshin në muzeun e Shkodrës por edhe dergue nëpër muzetë jashtë shtetit. Pra deri tash pikërisht në Pukë vërtetohet edhe êmëni Midhë edhe Gordion.
Këto shembuj nuk kanë lidhje drejt për s’drejti me Iballen apo Thaqin, por ama Puka apo Pirusti i lashtë apo Dukagjini i Vjetër, duhet me u pá si nji “puzzle” ku çdo fshat apo copë e kësaj toke të lashtë, e çdo fis, toponim e êmën, përbân nji mozaik t’madh, t’larmishëm, KUPTIMPLOTË e jo të rastësishëm historiko-kulturor.
“Sibela“ apo “Kybele” që u përmend mâ nelt nga të dhânat e Nikollë Gazullit, ishte Kryeperendesha e Brigjëve/Frigjëve.
“Kybele-Sibaele, konsiderohej si perëndeshë e tokës. Qysh në shek. XIX para erës së re e hasim këtë êmën si Kybele…”¹⁶
Pra, ishte “nâna”, shêjtnesha e popullit të Brigjëve/Frigjëve. Tash kujto mâ nelt, ku gojëdhâna për fisin e Thaqit, thotë së “…janë të bijtë e Gjíbales.” = Sibela= Sibaele = Kybele.
Kujto edhe se Kybele/Sibaele âsht Kryeperëndesha e Brigjëve pra, ose Frigjëve e se tash Ibalea/Cybala/Sibaele/Kybele (pra Iballja) âsht edhe kryeqëndra dhe epiqendra, fshati âmë i Thaqit apo atyne që njihen si BRIGJET në Pukë.
Përsëri rikujtoni çka sapo u tha mâ nelt, se: “Popujt e lashtësisë êmënat e vendeve të tyne i vendosnin simbas ndonji êmëni të Zotave të tyne apo herojve.”¹⁷
Pra, “IBALLE” âsht êmën PERËNDIE – HYJNESHE PAGANE, që i njëjti popull, me të njëtin gen, fis e gjak, trashëgoi me mijëra vjet. Na vetë ia ngjitëm kët êmën prej n’krye t’herës e nuk na e ngjiti apo dha kush.
Bile-bile, Iballja, âsht edhe kryeqëndra e krejt atyne fshatrave e vendeve jo vetëm thaqnjâne, por e tân atyne që mbajnë paraardhës konkret apo mitik, Murr Detin. Madje në harta, shpesh herë të tâna këto fshatra (Berisha, Midha, Bugjoni, Fierza, Arsti, Truen, Dardhë, Xâth, Sakat, Blerim, Kulumri, Flet, etj.) dalin nën nënshkrimin “Ibali Popoli” = Popujt e Iballes.
📷IBALI POPOLI = POPUJT (katundet apo fiset) E IBALLES.
Tek nji numër i revistës prestigjoze “Hylli i Dritës”, shkruhet: “Popujt e Iballes e mârrin kët êmën prej katundit s’Iballes qi âsht qândra e atyne fisevet e kjuhen “3 Bajrakët e Epërm”. Fisi qi zotnon këtu âsht Thaqi mâ i pari, e fisi i Berishës i dyti, pse mâ i pakët.”
Pra, të bijtë e Gjíbales/Kybele/Kybala/Sibaele… popujt që dikur nderuen Perëndeshën Kybelen/Sibaela? E që jetuan rreth Detit Murrëm apo Murr Detit?
Lidhja dhe vijimësia prej genit Thrako-Ilir e deri tek Thaqi i sotëm mund të mbështetet edhe në ADN-në EV-13 që m’ka dalë mue përsonalisht në analizat e ADN-së zhvillue këtu në Amerikë, e tân atyne që i përkasin fisit Thaq në Pukë e mâ gjân.
Në veprën e madhe “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.” të botuem në vitin 1820 në Londër, disa êmëna shpjegohen kështu:
– PHRYGIA: Frigja, nji shtet në Azinë e Vogël i cili e muer êmënin nga Brigjët, nji komb apo etni në Thraki e Maqedoni, të cilët u ngulitën atje (pra në Azi të Vogël pasi migruan nga Maqedonia).
– Cybele: (Sibaele/Kibela/Ibalea/Iballja): Ishte Kryehyjnesha e këtij populli/kësaj etnie.
– Cybele: Perëndeshë. Nâna e Perëndive. E bija e Ceulus dhe Terra. (Tokës e Qilles/Qiellit)
(Vëreni etimologjinë këtu: pra, Cybela/Cybala/Sibela/Ibalea/Iballja ishte e bija e “Ceulus”, pra Qiellit dhe Tokës (Terra).
Ceulus kuptohet qartë që vjen nga fjala shqip “qiell”, por kjo bâhet edhe mâ e vertetueshme, sepse Ceulus në mitologji âsht i barabartë me Uranin (Vrâni), i cili (Urani) gjithashtu âsht Perëndia që përsonifikon Qiellin. Vrâni âsht qielli sepse qielli vrâhet.. prej reve.
Pra, nëse vutë re, diku nga fillimi i shkrimit, edhe Japeti, ati i thrakëve e gjithashtu edhe Cybele (Sibaele/Kibela/Ibalea), nânmadhja apo Kryeperendesha e Brigjëve (Frigjëve) po ashtu popullsi thrakase, të dy pra, rrjedhin apo janë bijtë e QIELLIT dhe TOKËS. Këtu kujto prapë bènë (betimin) që bâjnë Thaqnjânët e pukjanët në përgjithësi, që i dallon nga çdo krahinë tjetër e Shqiptarisë, bèja: “Pashá Tokë e Qīll”. Kjo bè padyshim që lidhet me prejardhjen, besimin, e trashëgiminë tonë thaqjane kulturore.
– Cybele: gruaja e Saturnit e cila adhurohej nga Frygët/Brigjët.
vijon.. “Kësaj Perëndeshe i kushtohen festimë e festivale tepër të mëdha, ku burrat kalonin në delir..” (e ka fjalën, se këtë natë, si nji natë hyjnore, mâ shumë se netëve të tjera, burrat jepeshin apo i kushtoheshin mâ fort grave e tyne…. mos t’u duket shaka apo banalitet, pasi âsht e vërtetë dhe do e shtjelloj mâ poshtë.)
– Cybélus: nji mal në Frygi, ku Perëndesha Cybele/Sibaele adhurohej. Bâheshin festa, flijime në kafshë, karnavale, etj., për hir të saj.
Meqë jena këtu tek malet dhe adhurimi në male, dua t’përmênd nji shpjegim interesant të prof. Kin Gegës prej Berishe, i cili nga gjuhësia dhe etimologjia âsht tepër i dijshëm i cili thotë: “Ubaldo, festa e tre qirave.. (U bâ lé ty) (Balë – rit i kryer në majen e malit Bales në Iballë, Pukë, Shqipëri), festime traditash teper të moçme pagane nga të cilat çdo gjë rikujton RISHPALOSJEN e JETËS dhe VIJIMIN e CIKLEVE TË SAJ.” – mbyll komentin prof. Kini.
Pra, ri-shihni çka shkruajta mâ sipër, rreth adhurimit ndaj Perëndeshës Cybele/Sibaele në mal, festivaleve… dhe përkushtimit të meshkujve pikërisht në këtë natë mâ shumë se kurdo herë.Në asnjë mënyrë kjo që sapo thashë nuk duhet tu duket banale apo qesharake, pasi në lashtësi, problemi dhe preokupimi kryesor ishte ripërtëritja, shumimi, shtimi. Këtu futet ripërtërimi në njerëz, me u shtu e me bâ fëmijë, pasi duhej krah pune dhe lufte; shtimi në kafshë të ndryshme (bêrré, dhênë e dhí, etj.), pasi duhej të kishin me çfarë me mbajtë robt; dhe ripërtëritja në bujqësi, edhe kjo për nevojat jetësore.
Pra, rreth shtimit, shumimit dhe ripërtëritjes zhvilloheshin edhe kulte, zhvilloheshin edhe festa apo netë e ditë të caktueme që i kushtoheshin nji Perëndie apo Perëndeshe, në këtë rast edhe në malin Cybela tek Brigjët/Frygët dhe tek mali Bale në Iballe tek Thaqjanët.
Të njâjtën gjâ pohon edhe profesor Kin Gega simbas shpjegimit të tij, thjesht kushtojini vëmendje.
Edhe êmënat janë po me të njâjtat rrânjë kuptimore.. (Ubaldo=U bâ lé ty) dhe (Cybele/Sibela=Si bâ lé)
Çfarë âsht shkrue deri tash, mund të thuhet se ka nji përputhshmëri të tejplotë në çdo êmën, rit, dokë, zakone, etimologji, kulturë, etj. Nuk munden të tâna këto çfarë folëm deri tash, të jenë rastësi.
Libri “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.” vazhdon mâ tej…:
“Qytetet mâ të shqueme të Brigjëve/Frygëve përveç (1) TROJËS, ishte edhe (2) Laodicé (Ludrica?), (3) Herapoli dhe (4) Sinada. *Ludrica âsht lagje e Iballes edhe sot me fis Berishë.
(5) Cybele ose Cybala ose Sibaele: (Ibalea…Iballe) Nji qytet në Frygi, i ashtuquejtun prej Perëndeshës Cybele.“
“Shpikja e fyellit dhe e punimeve të tjera qëndismtare (artit të të qëndisunit) i atribuohen kësaj popullsie, Brigjëve/Frigjëve, që nga shumë autorë paraqiten si shumë kryefortë.’’
Virgjili si të gjithë popujt e tjerë thrako-ilirë dhe jo grekë, thotë se edhe këta quheshin “barbarë” nga grekët.“
Pra, çka s’âsht grek, dihet që âsht ilir.. thrako-ilir.. maqedono-epirjot.. thrako-dardan.. dardano-ilir.
Edhe gjuhën e kishin ndryshe nga grekët.
Duhet mos të kalojmë në injorancë apo idiotizëm sikur disa autorë përtacë shqipfolësa e të mendojmë se Thaqi në këto anë erdh’ para 5 vjetësh, 50 apo 500 vjetësh, por bâhet fjalë për vazhdimësi të mirëfilltë, pasi në atë kohë jetuen Brigjët e mandej vimë tek Pirustët që jetuen në shek. I mbas Krishtit e mbrapa… e deri tek Dukagjini i Vjetër në mesjetë e tek Puka e sotme. Gjithçka folëm deri tash, vërteton se ka nji vazhdimësi në njerëz (nji gjak e fis) me të njëjtat dokë, êmëna, zakone e kulturë, që adhurojnë e besojnë njëjtë, e se sillen, pra kanë nji kulturë të njëjtë.
Siç e citova mâ nelt, Homeri në Iliadë, thotë se Hekuba, gruaja e Priamit – mbretit të Trojës, ishte brigjase/frigjase. Kjo bâni që Trojanët të mbajnë nji lidhje tepër të ngushtë me Brigjët/Frigjët përgjatë tân historisë e Brigjët siç e thotë Homeri, “..të luftojnë me ENTUZIAZËM kundër grekëve”.
Që dikush mos t’gabojë t’i quajnë Brigjët/Frigjët aziatikë, por pellazgë thrako-ilirë e vërteton edhe gjuha që ata flisnin. Gjuha e tyne simbas Homerit ishte indoeuropiane. Pra, njisoj si shqipja e sotme. Edhe autorët Claude Brixhe dhe Elia Bolaris në veprat e tyne, thonë se gjuha e Brigjëve padyshim që nuk i përkiste gjuhëve anatolike por indoeuropiane. Kjo pra, sipas shumicës së studiuesëve dhe shkolltarëve, e vërteton se origjina e Brigjëve/Frigjëve ishte europiane, nga Maqedonia e lashtë, të cilët emigruen në Anatoli (Trojë), dhe jo anasjelltas.
Brigjët shpesh herë na dalin nga historianët e antikitetit si popullsi edhe në Durrës e bile nga autori i mâvonë, J. Wilkes në veprën e tij “Ilirët” (The Illyrians), shprehet se “Brigjët e rrethuen dhe zotnuen Durrësin dhe territoret përreth”. Pra, çdokund afër brigjeve të ujit…… det, liqe, lumenj…
Gjithçka folëm mâ nelt, len me kuptue që nji degë pasardhëse e Brigjëve pra, ishte edhe ajo që sot njihet si Brigjet apo Thaqët në Pukë, bregut Drinit që përmendi mâ nelt edhe J. Von Hahn.
Prandaj në këto anë jena të lashtë, autoktonë, pasi dimë që Maqedonia e lashtë shtrihej deri në Dri here-herë, edhe pse ndarjet administrative kanë ndryshue vazhdimisht. Nuk jena të ardhun rishtaz sikur mundohen me na bâ disa autorë që nuk e lodhin veten të thellohen mâ shumë se 200-300 vjet, ose nga dashakeqësia ose nga pádija. Këto toka janë tonat me mijëra vjet. Ka pas migrime, vajtje e ardhje, por tokat kurrë nuk i kena lëshue përfundimisht e lânë PA ZOT!!! Edhe diçka, e cila vlen.. Pleqtë tonë, kurrë nuk i kemi ndie, as kurrë nuk mbajnë mend t’kenë ndie që dikush tjetër të ketë jetue në tokat e ne Thaqjânëve përveç pirustëve të para 2000 vjetve.
Ky fakt, që jena moti këtyne anëve e BRIGJEVE (të Drinit) vërtetohet edhe në bazë të numrit të madh të popullsisë që Thaqi ka kryesisht në Pukë, por edhe në Mirditë, Shkodër, Zadrimë, Has e deri në Kosovë.
Kjo popullsi e kjo mbushje masive e fshatrave nuk bâhet as për 5 vjet, as për 50 vjet e madje as për 500 vjet. Këtu mund të bâhet nji matematikë e thjeshtë e brezave, numrit të tejmadh të fshatnave me përkatësi fisnore THAQ, e të nxjerrim rezultatet.
Pra, tân kemi emigru, përgjatë krejt historisë së njerëzimit. Edhe unë sot jetoj në Amerikë, por gjaku dhe ADN e gjakut tem, mbetet shqiptar, ilir apo thrako-ilir, EV13: e cila mbizotënon në veri t’Shqipnîsë. Prandaj, edhe lëvizjet kanë ndodhë… largim-kthim-rikthim, etj., por, THAQI mbetet ai fis i lashtë me rrânjë thrake (pellazge) apo thrako-ilire që ka ardhë si gen i pandryshueshëm deri sot, autokton, në toka shqiptarësh, thrakësh, ilirësh apo pellazgësh, pavarsisht a në Maqedoni, Dardani, Thraki, Trojë, Durrës, apo BRIGJEVE TË DRINIT në Pukë ku edhe sot gjendet masivisht dhe mbetet origjina dhe përqëndrimi mâ i madh i fisit THAQ që i ka dhânë kombit BURRA BESE, PUSHKE, PENDE, MENDJE, ARTI, FLAMURI DHE KANUNI.
Pra, kaq përsa i përket lidhjes së Thaqit me Brigjët/Frigjët dhe genin Thrako-Iliro-PELLAZG.
Mâ tej tek vepra: “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.’’ thuhet:
“PIRUS: Êmën i nji kapiteni të Thrakëve gjatë luftë së Trojës (aleat i trojanëve).”
“PIRUSTÆ: Popull që mâ vonë përmendet në Iliri. Shek. II para Krishtit.”
PIRUSTËT
📷Ku â Pukë, â Pirust.
Këtu tash, mbasi jena tek Pirustët, do argumentoj, që n’bazë të t’dhânave historike rezulton se fiset e Pukës së sotme janë popullsia kryesore Piruste.
E di se shumë-kush ka qef me ua ndërru vendshtrimjen dhe zemrën e tyne Pirustëve por ajo padyshim që mbetet Puka e sotme, ose thânë ndryshi, bregu i majtë i lumit Drin.
Dikush i çon në Mal të Zi, dikush deri në Prishtinë e dikush deri në Mat.
Asgjâ të keqe nuk ka nga ana dashamirëse për me e zmadhu ket’ fis por ama kur vjen puna tek t’dhânat historike e ato hartografike atëhere puna ndërron krejtësisht e duhet të jena KORREKT!!!
Pirustët nuk u shtrinë n’Mal t’Zi edhe pse Mali i Zi ish popullsi shqiptare dikur, e as deri n’Mat.
Deri në Prishtinë…? S’ka të dhâna!
Zemra e Pirustit antik, pra përqëndrimi mâ i mâdh, âsht Puka e sotme me fiset e Thaqit, Berishës, Komanit, (pra zona e Komanit) dhe zona e Spasit.
“Në lindje nga Liqeni i Shkodrës, afër Lumit Drin, FILLIMISHT, jetoi fisi Ilir i Pirustëve, që mâ pas, me kalimin e kohës migroi në rajone të ndryshme.” – Vladimir Pesic & Gordan Karaman: “Mjedisi i Liqenit të Shkodrës.”
📷Pirustae, ekzaktësisht mbi Pukën e sotme. Ana e majtë e Drinit – Dukagjini i Vjetër.
”Pirustët, ishin nji fis, shpesh aleatë me Romën që banonin luginën e Drinit.” – “Luftërat Galike të Çezarit” botue nga Allen & Greenough’s Latin Series, në vitin e largët 1887.)
Fisi kryesor që mund të identifikohet sot nga ajo popullsi Piruste âsht veçanërisht fisi i Thaqit që gjithnjâ simbas të dhânave historike, âsht fisi kryesor i asaj popullsie apo fisi çka dikur quhej PIRUST.
Phrygians-Pryzh-Prush-Pirus-Prush-Prushtatët?
Sikur e cekëm disa herë mâ sipër, zakonisht êmnat e tyne – vendet, fshatnat, familjet e fiset i merrnin n’bazë të veçorive dhe karakteristikave dalluese etno-kulturore të tyne. Në bazë të Perëndive, herojve, kulturës, etj.
Pra, njerëzit e prushit: Prushtarët.
Po cilat janë të dhânat që vërtetojnë se fisi i Thaqit âsht gjeneza mâ kryesore piruste?
Âsht shumë e thjeshtë. Thjesht shih se kush i ka banue tokat e Pirustëve me shekuj.
E ai fis kryesor nga bregu i Drinit (Brigje, siç citova mâ nelt J. Von Hahn me 5700 banorë vetëm në rrethin e Pukës) e deri në bregun e lumit Fan e gjithashtu fshati Fan në Mirditë, janë shumica dërmuese Thaqnjânë. As nuk janë suljotë, as Krasniqe, as Shkrel, as Kelmend.. por janë Thaqnjânë pra.
Fshatra të cilat do i përmend mâ poshtë.
Nga ajo popullsi e dikurshme e Pirustëve, sot rrjedh fisi i Thaqit.
Edhe simbas antropologëve A. Dhima (shqiptar) dhe C. Coon (amerikan), vazhdimësia e popullsisë së Pukës duket në tiparet antropologjike të arbërve të shek. VI-VIII gjetë nëpër vorrezat e Komanit me ato të banorëve të sotëm të Pukës në masën mbi 70%. Pra, nuk dulem faret, vijimësia e jetës dhe së njëjtës popullsi nëpër malet e Pukës, âsht e qartë!!!
Fisi i Thaqit në Pukë e ruajti êmënin e tij mâ fort, gjâ që ndodh edhe sot ku tân ndihen krenar për fisin qysh nga Bugjoni, Gralishti, Fierzë, Arst-Miliska, Iballe, Mzi, Xâth, Kulumri, Truen, Sakat, Blerim, Flet dhe Gojan.
Kështu shprehet Karl Patsch në veprën “Gjëndja ekonomike e kulturore e Shqipnis në kohën e kalueme” përkthyer prej Karl Gurakuqit, profesor në shkollën teknike, Tiranë:
“Dashûnîja e Pirustëvet për gërmime malesh dhe zotsija e tyne në këtë mjeshtri na kallxojnë kjarisht se, se në viset e tyne në Shqipni gjindej ár i mjaftë. Ky fis kishte ndêjen e vet në hinterlandin e Lezhës, e përfshinte Malësinë e sotme të Lezhës, Mirditën (Fandin) e Dukagjinin (âsht fjala për Pukën, pra Dukagjini i Vjetër e jo Dukagjinët tjerë), deri në bashkimin e Drinavet në veri e deri në Drinin e Zi në lindje, të cillët formojshin kufinin natyror të Pirustëvet.“ Pra, këtu nuk u përmend as Mal i Zi, as Prishtinë e as Mat, se krejt s’kanë pasë me kânë Pirustë.
Kjo dashûnî ndaj metalit, e për me mbajtë ar apo argjend nëpër trup vërtetohet edhe tek veshjet e grave të Pukës, tek Xhubleta e ngushtë. Gjithashtu, vërtetohet edhe prej raportit që na sjell Frang Bardhi gjate vizitës tij në Dukagjin (Pukë) më 1637, i cili shprehet ekzaktësisht kështu:
“Të tân mâshkujt, të mëdhaj e të vegjël, mbajnë vâthë, kush argjânti, kush argjânti të praruem, si të jetë gjendja dhe fuqia e tyne, dhe nga kjo njihen se janë të krishtenë, dhe të ndryshëm prej turqve.”... Karl Patsch “Gjëndja ekonomike e kulturore e Shqipnis në kohën e kalueme” vijon…
“Gjatë rrugëvet themeloheshin qytete të reja ose zmâdhoheshin të vjetrat: të cillat, në pjesën mâ të madhe të tyne, jetojshin me mârrëdhânje. Këtu gjêjshin jetesën karrocarë, farktarë, shalbâsa, pronarë restaurantash, pêmshitës, etj., etj. Përveç kësaj, për sigurimin e marrëdhânjevet, qeveria ngrehte kështjelle, të cillat i ruente me garnizone të mdhaja e të vogla. Disa ndër këto kështjelle janë zbuluem si ajo në Iballe, ajo në Pukë mbrendë (në qytet) dhe ajo në Vig t’Mirditës.”..Kurse në Mirditë, me kalimin e kohës banorët e ruajtën êmënin e fisit vetëm në kujtesen e tyne por ama u quajtën Fandamâdhi ose Fandamdhéj (që në shqipen e vjetër dmth autokton/anas: pra, Thaqjanët në këto katunde të Fanit janë autoktonë e jo të ardhun, siç disa kanë dëshirë t’i bâjnë disa). Të tâna fshatrat e Fanit, pa dyshim, të tâna, origjinën dhe përkatësinë e tyne fisnore e dinë.
Këtu mund t’përmendim: Thirra, Sangu, Bishëza/Mishëza, Sholthi, Molla e Kuqe, Hebëja, Ferrëthi, Shtrungaja, Klosi, Bisakët e Domgjoni, të cilët të tân pa përjashtim mbahen me fis THAQ.
Fandamâdhi pra, u quejt kjo popullsi AUTOKTONE-piruste-thaqjane me fis, që vetë rrjedhat e historisë, shkaktuan që të distancohen sado pak nga pjesa tjetër e fisit dhe jo se këta muren êmënin nga lumi Fan, por nga autoktonia, sikur e tân pjesa tjetër e Thaqit nëpër Pukë e Mirditë. Pra, Fandamâdhi ishin Thaqjanë nga çka pamë në fshatrat mâ sipër e jo fis tjetër. E si mund të jetë Thaqi i ardhun rishtaz atëhere nëpër Pukë e Fan kur pikërisht këta (thaqjanët) janë Fandamâdhi e autoktonët në Mirditë? E se këta mbizotënojnë popullsinë e Fanit..!! Popullsia e Thaqit as në Pukë e as në Mirditë nuk njeh të ketë pasë njerëz e popullsi tjetër në tokat e tyne përpara tyne. Atëhere pse mundohen aq shumë t’na bâjnë sa mâ “t’ri” e sa mâ vonë t’ardhun ? Na jem autoktonë në këto toka e nuk njohim kând tjetër para nesh.
Êmëni i lumit Fan nuk ka lidhje me emërtimin e popullsisë si {Fandas}. Duhet sqarue dhe KUPTUE se lumi e muer êmënin prej popullsisë e jo popullsia prej lumit. Se njeriu êmënon lumejtë e jo lumejtë njerëzit.
Qé si i sjell Gazulli këto fakte interesante:
Pra, nuk du, as nuk po ja hjeku Mirditës së sotme kët’ pjesë, por thjesht për të nënvizue çka përmban historia, duhet ditë se lumi Fanë buron në malet e Pukës. Gjithashtu edhe për të kuptue që Fani nuk âsht Mirdita e fisit (Morinë: Orosh, Spaç apo Kuzhnen) por âsht popullsi vendase thaqnjâne-piruste dhe jo e ardhun po sjell këtë copëz shkrim prej gjuhëtarit Nikollë Gazulli.
“Fandi nuk âsht Merdita e fisit por i âsht mbështetë Merditës. Lumi Fandi i Madh xên fill në bjeshkë të Dardhës së Pukës, hin me nji herë në Kryezi, i shtuem prej shumë krojesh, prei Lumit të Zi, Lejthizës, e Lëpatit qi ulet prej Qafës Malit, rrjedh Fushës s’Arstit, nëpër Sh’mijë, Shkozë e Gojan, e mandej bashkohet me vëllan e vet Fandin e Vogel në katundin Ndërfandëna.” “Fandamâdhi: Fis ilir që e pat banimin, mbas goje së popullit, në Pukë e Merditë.”
(Lexo me kujdes! Pukë e Merditë thotë Gazulli. Pra Thaqjanët e Pukës dhe Mirditës. Rreth lumit që buron në Pukë e shtrihet në Pukë e Mirditë.)
…
“…Popull punëtuer metalash: u gjetënë shtonat e punueme ndën dhé kû grryejshinë rêmin e hekurin, e farkët kû punuenë shifën edhe sod në Bjeshkë të Kryeziut dhe të Kërrabit Pukës. Kjenë njerëz shtatmëdhaj, kersini i kâmbës së tyne mbërrijte në 70 qindësha metri. Vendi i tyne siç thamë përfshinte Merditën e Pukën. Dmth tokën shka e rrjedhinë luméjt Drini e Fandi, prandaj edhe nji pjesë të Lumës. Punimet e tyne janë të dishëmueme në sende të metalëta qi u gjetën në Kodër-vorrezë në Koman të Pukës. Historia s’na i përmend me këtë êmën (Fandamâdhi) qi ndoshta u kje ngjitë mâ vonë por me êmënin “Pirustë.”” Prei Fandamëdhajsh ka mbetë: 1) Shtangu i Konejvet të Fandit. 2) i dyti banues në Pukë e Merditë. 3) Gjithçka shka ngjeti e kjuejnë “Kaurri”. Në Pukë kujto Shpellën e Kaurrit.¹⁸
Konejt e Fanit dihet botënisht që me fis jânë 100% Berishë.
Pra, kujto se Thaçi e Berisha, në këto troje (nga Drini deri n’Fanë) janë fiset mâ të mëdha, pavarsisht se shtrirja e tyne kap dy krahina: Pukë e Mirditë.
Prandaj këto fise janë fiset kryesore PIRUSTE bashkë me zonën e Komanit që ka nji qytetnim t’lashtë e bashkë me zonën e Spasit (apo Malziut) që âsht edhe kufini i vjetër natyror i Pukës lashtë.
“Pra, me pak fjalë, êmënat “Barbar, Kaurri, Fandamâdhi”, për të diftue banorët e parë të tokës shqiptare, s’duen me thânë tjetër veç se “të moçëmit”.¹⁹
Lidhja e gjakut mes thaqjanëve të Pukës e Mirditës vërtetohet edhe se asnji thaqjan i Pukës nuk martohet me thaqjanët e Mirditës.
Kaq sa për Pirustët.
Përpilimi/shpjegimi i fjalës IBALLE.
Prapë, nga gjuhëtari i madh Nikollë Gazulli, vjen ky shpjegim.
“Iballe-Iballja: katund e flamur (bajrak) në Pukë. Si toponym êmëni Iballe, gjindet edhe në Postrripë. Krahasimi me illyrishten “Sibalis” ecë për arsye se ajo “S” përpara s’ka vështirësi mbasi êmëni i nji fisit illyr shkruhet “Vardae për Sardeates”, “Anderba për Sanderba/Sanderua), etj. Edhe në shqipen e sotme gjejmë psh: i sâmet, i âmet, pa u ndërrue kuptimi i fjalës. Skoçinë=koçitë; i skujmë=i lëkuqun. Këtë “S” parashtesë e gjejmë edhe te Skodra (Shkodra) që mbas gjitha gjasash mbëshef (fsheh) substantivin shqipe: Kodra. Dikush kujton se êmëni Iballe ka të bâjë me êmënin e mâlit: Bale (aty afër, në Iballe) por këtij i thonë zhvillim populluer. Nga ana tjetër njaqë të shumëta janë ngjasimet ndërmjet toponymevet të Shqipëtarisë e të Illyrishtes sa mos me mbetë dyshim aspak që shumë êmëna i kemi trashëgue prei so. (Prej Ilirisë).”²⁰
📷IBALLJA ORËMADHE!

Në Iballe, me fis Thaq: Pnîshi, Mushkaj e Cenaj, Buçaj, Kodërbuçi, Kodërmushku, Ndërlymëna, Shahin, Mirakaj, Gerja, Çurku, etj.
Fis Toplane: Koprat (Pemataj, Vataj e Papaj, Maquta, Vilë.
Fis Berishe: Ludrica, Arapi.
Fis Kabashi: Zotnitë.
Lagjet pra: Pnîshi, Arapi, Çuku, Gerajt, Gojani, Illija (êmën illlyr), Kodërbuçi, Kodërmushku, Koprati, Maçuta, Zotënit, Ndërlymëna, Prozhëmi, Qarrishta, Sapaçi, Vâthëzi dhe Tepëja. Banorët quhen Iballësa/Iballësit.
Toponimet janë: Qytetëza (çka kallxon ekzistencën nji qytezë (kështjelle) të lashtë.); Brraka e Qytetëzës; Mali i Qarramisë; Qafa e Qarramisë; Podi i Qarramisë; Mj. e Qopégut. Kroni i Tplânit; Kroni i Palajt; Kroni i Dilë Ukes; Hurdha e Vogël; Hurdha e Madhe; Qarrishte; Maja e Bales; Shpati i Dërrasavet; Krrut; Kneta; Fusha e Laçit; Prroni i Laçit; Kodra e Kishës; Kisha e Thaqit (e vjetra) e cila daton të paktën qysh nga shek. V mbas Krishtit; Shpati i Bojës; Qafa e Sharit; Bokat e Kopratit; Shalëza e Gojanit; Livadhi i Agrushit; Maja e Artkatit; Kryethiu; Bjeshka e Arapit; Sula e Arapit; Podi i Gavigjes; Livadhet e Bugjonit; Kryeqzat; Qafa e Hysen Markut; Livadhi i Priftit; Kodra e Fratit (gjindet midis fushës s’Iballes, kû moti Turkija ka pasë vra nji prift. Këtu edhe â kânë vorrue).; Podi i Qorromisë; Prêgjeç; Guri i Gjergj Ukës; Rrasa e Madhe; Pjâ; Podi i Brigjes (kujto Brigjët/Frigjët); Lumi i Bosetës; Shala e Vogël; Guri i Xhudhisë; Kisha e Jeremisë (truell); Kisha e Sh’Masjanit (dikur famullitare); âsht midis trojevet të Kalasë së Lekës e asaj të Pirustëvet, (mâ vonë quhet Kalaja e Skandërbegut); Sofra e Lekës (sofer guri për 10 vetë, shkâmb i gjallë). Kisha e Sh’Lleshtrit (Sh’Llezhdrit).
Rreshti i disa famullitarëve të Iballes: Dom Ndue Gega, mâ i vjetri me tirqë e xhurdi. Dom Gjon Naraci, Dom Shtjefen Naraçi, Patër Dedë Pasi, Patër Zef Mesi O.F.M., Patër Severin Lushaj, Patër Gjentil Biella, Patër Metod Mjekajsh, Patër Sebastian Hila, Patër Marjan Prêla, Patër Ndue Topalli, Patër Gjon Dema, Patër Mati Prendushi, Patër Pal Dodaj, Patër Gjon Di Salvo, Patër Bernadin Llupi, Patër Loro Mileta, Patër Nikollë Kolej.
Mârrë nga Gjon Karma “Ndër malet tona” dhe nga Revista Hylli i Dritës.
Për iballsit e Thaqnjânët âsht thânë:
“Iballja simbas disa historianëve të mesjetës, përbânte qëndren e dukagjinasëve të veriut dhe ishte njâ ndër malësitë kryesore në atë çka quhej “Malësia e Dukagjinit” (Pukës). Malësia e Dukagjinit përbâhej prej maleve Pukë-Iballe-Malzi.” – V. Hahnn.
📷Puka si Dukagjini i Vjetër e Iballja si kryeqëndra e Dukagjinit Vjetër (Pukës).
📷Stili i flokëve që dukagjinasit e mesjetës (pukjanët) mbajshin. I njëjti stil pak a shumë që edhe Lek Dukagjini na paraqitet nëpër portrete. Në foto: Malsorë t’Iballes.
“Malet e Thaqit dhe të Berishës ishin pronë e familjes së famshme të Dukagjinëve, ku tradita kallxon se kishin nji shtëpi a kullë e se ku ai vetë (Leka) kish zhvillue beteja me rivalët e tij” – At Giuseppe Valentini.
📷Princi ynë: LEK DUKAGJINI.
“Fisi i Thaqit, âsht nga mâ të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga mâ bukë dhânësit e bujarët dhe nga mâ trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme.” – Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq. 6.
📷Vnojmë oroe, djaloshin në të djathtë, i armatosun, pavarsisht se në moshe të vogël. Kreshnikë Iballje.
“Fisi i panënshtruem i Thaqit dëshmoi se sa vështirë ishte të nânshtrohej ky fis në periudhën osmane. Herë mbas here, pushteti turk i mbyllun në kalanë e Pukës, dërgonte ekspedita ndëshkuese kundër tyne, me 8000-10.000 ushtarë. Më 1744 u rrafshuan me tokë 105 shpi të familjeve të Iballes, e fisi u sistemua në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, s’shpejti, Thaqët u kthyen në vendlindjen e të parëve (Iballe).
Rivendosjet e këtilla të ekspeditave ndëshkuese (ushtrive) turke rrallë paten sukses.” – Robert Elsie (albanolog).
📷Malsorë / Luftëtarë Iballje. Vigâj…
“Këto pak katunde të vogla t’Iballes, kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë e vet Turkia, megjithëse, pothuejse vjet për vjet ka dërgue sanxhakët e vezirët e vet tash me 5, tash me 6, tash me 10 mijë ushtarë për të muejt me ja shtrue furisë së vet dhe kurrë nuk ka muejt me u bâmë atyne ndonji dâm, veçse me ua rrënue ato kishat e tyne dhe me ua ndezë shtëpitë, qi me qëllim ata (iballsit) i kanë bâmë me pak vleftë, sepse janë vazhdimsisht në luftë me turq.
Ata të Iballes i presin turqit, qi shkojnë kundër tyne, ndër rrugët e vendet fort të ngushta dhe i vrasin e i plagosin. Kështu turqit… të thyem… vêhen në ikje dhe malsorët i zhveshin (u marrin) petkash, armësh, kuajsh e çdo gjâje si triumfues.”
……
“Nân zotnimin e turkut në Evropë nuk gjinden as nuk janë kund burrat si këta qi kaq trazim dhe kaq rrenim t’u kenë sjellë turqvë sa këta popuj të Dukagjinit (Pukës) dhe prandaj besohet së në Evropë nuk mund të gjnden burra armësh mâ të mire së këta kundër turkut sepse 100 kësish vlejnë sa 1000 turq dhe jo fshehtas ose për së largut me zjarr por ballë për ballë dhe shpatë për shpatë, nji i vetëm shkon me guxim e futet në mes të 15-20 vetavë.” – Ipeshkv Frang Bardhi. Iballe 1637.
“Nëpër popujt e Pukës kalon për Serbi një rrugë e madhe e përbashkët tregtare, kështu prej rrugës ka marrë emnin populli, sepse (Puka) në gjuhën shqipe (të cilën e flet Puka dhe të gjithë popujt e vendet e sipërthanuna) don me thanë rrugët e rrahun e përbashkët. Ka shumë kohë që kjo rrugë asht mbyllë prej të krishtenëve shqiptarë, që kanë çue krye kundra turçvet, tu plaçkitun tregtarët turq, përndryshej sasi e madhe mallnash do të vinte nga Serbia dhe do të dilte nga Shqipnia për Serbi. Këta të krishtenë kryengritës kanë qenë sidomos ata t’Iballes, të vendosun ndër vende e male shumë të forta.” – Ipeshkv Frang Bardhi. Iballe 1637.
“Në tetor 1610, Ahmet Beg Cucca [Ahmet bej Kuka] mblodhi 1500 njerëz për të kryer nji sulm të befasishëm në Iballe, por meqenëse këta mësuen paraprakisht për sulmin, ata mblodhën thjesht 500 nga njerëzit e tyne dhe e detyruen anmikun të futet në nji grykë të ngushtë të vështirë, ku ata as nuk mund të iknin e as të luftonin. Ata ishin mbërthye atje të rrethuem nga burra që ose donin t’i vrisnin ose t’i zinin rob për të tregue fitoren e tyne. Këta burra të guximshëm të Iballes vranë kaq shumë ushtarë të hutuem dhe të mundur, duke i plagosur fillimisht nga larg me shigjetat e tyne dhe më pas duke i sulmue në luftime trup me trup, sa që edhe sanxhak beu u vra. Pak prej ushtarëve osmanë mbijetuen. Do të mbahet mend përgjithmonë se me atë rast, një kalë turk u ishte shitë fitimtarëve për dy bajoki [monedha papale] dhe një shpatë tejet me vlerë u shit për një bajok. Burrat e Dukagjinit (Pukës) kanë fitore të tjera të shumta të tilla, të mjaftueshme për të mbushë nji libër me aventurat e tyne të lavdishme.”– Pjetër Mazreku, viti 1633.
“Malsorët e Iballes e urrejnë tiraninë e turkut e nuk i paguejnë taksë. Turku këtu nuk ka shkelë kurrë.” – Gjergj Bardhi 1630.
“Iballja âsht e përmendun në Shqipni jo vetëm për shkak të pozitës ndaj Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës, por edhe për shkak të banorëve, të fuqishëm dhe guximtar. Iballja âsht “oaz” rrafshnaltë në bjeshkët shqiptare. Banorët, janë njerëz të vlefshëm dhe guximtarë, dashamirë të paqës, mirëkuptimit vëllazëror dhe arësimit.”– P. Lovro Mihacevic, “Po Albaniji – dojmovi s puta”, Zagreb, Kroaci, 1911.
“Malsorët e Iballes janë kânë edhe jânë gjallnikë që kanë jetue në rrasë të gjall딓 – At Gjergj Fishta.
Fisi i Thaqit ka si festë fisi që e feston me miq e bija e dashamirë natën e madhe të SH’MASJANIT me datë 19 janar.
Thonë se t’parët tonë, lodhë nga bora e shumtë dhe e përhershme që binte n’malet tona (edhe kah 2-3m), se mikun do e pritshe mirë, në çfarëdo kohe, borë-shi-brêshen e gurë n’raftë.. u mblodhën e pleqnuen që festen e tyne midis dîmnît, pra me 19 Janar, ta kalojshin në Gusht, se në Gusht nuk bjé borë e se do u lehtësohej puna e pritja. Ashtu u bâ! Sh’mâsjanin e kaluen me 19 Gusht, filluen përgatitjet për natën e madhe, e miq, bija e dashamirë me ardhë.. e t’filloi me rā borë qysh do Zoti vetë, midis Gushtit. Kët’ shêj e murën si hyjnore thaqnjânët e prapë u mblodhen krent e fisit e pleqnuen që festen me e kalu prapë me 19 Janar, qysh ish kânë, se borë rā se rā për Sh’mâsjan edhe me 19 t’Gushtit verës… Prandaj, Sh’mâsjani gjithmonë vjen me borë.
📷Kisha e THAQIT, IBALLE. Ndërtue mbi rrënojat e Kalasë së Pirustëve, mâ vonë Kalaja e Lek Dukagjinit e mâ vonë merr êmënin Kalaja e Skanderbegut.
Iballja âsht ajo që zyrtarisht ka hapë shkollën e parë shqipe në Pukë e ndër të parat në veri qysh mbas pushtimit turk.
https://www.facebook.com/pellazg.ilir.pirust.arber.pukjanodukagjinas.pukjan/photos/a.625311374634222/834321347066556/
📷Dalë para shkolle: Mësuesi i shkollës, malsore iballsa edhe prifti i fshatit me qenin e tij.
📷Kol Bib Miraka bashkë me Ernest Koliqin, me malsorë iballsa e klerikë.
Do burra t’mêndjes, t’pêndës, fesë e Atdheut e t’fortë e t’përmendun Thaqnjânë të Iballes: At Gjergj Fishta, At Shtjefen Gjeçovi, Imzot Gaspër Thaçi, Prêlë Mehmeti (pjesëmârrës ne Lidhjen e Prizrenit), Bibë Ndoja (prijës lufte, 1912), Sulejman Vokshi me origjinë nga Iballja, Ramush Haradinaj me origjinë nga Iballja, Kol Bib Miraka (ministër), Fran Miraka (martir), Anton Dukagjini, etj.
Tash edhe diçka përfundi, me e mbyll.
E di që dikuj ndoshta i pelqen ky shkrim, e dikujt jo, por këto janë përmbledhje që unë përsonalisht kam bâ për fisin e vendin têm në bazë të tâna leximeve e studimeve që kam bâ. Kush ka ndoj ankesë, byrëm…
Nuk po ja vnoj vulen kësaj teme dhe nëse dikush ka mâ shumë informacion, apo informacion mâ të saktë e të besueshëm, atëhere bâjini publike e mos i mbani në sirtar.
Ju përshëndes tânve kush ta lexojnë.
Elidon Lekë Nikë THAQI-IBALLJA.
New York, Tetor, 2020.
Bibliografia:
1) Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq. 6.
2) Ipeshkv Frang Bardhi, relacion 1637.
3) Kadrush Sulejmani, Udhëtimet e Princ Lorikut të Dardanisë, “Për besëlidhjen e fiseve dhe viseve Ilire” faqe 34.
4) Prof.Bedri Pejani, Strategu xhenial “Krisobulat”, bulat e arta, (Akt- dhurimet) Faqe 35-36; Prof. Dr.Shevqet Sahit Canhasi, Flakadani i Lirisë; Bajram Daklani, botim i revistës “DRITA” TRELEBORG – SUEDI” shtator 2017.
5) Prof. Mehmet Vokshi, Fisi -Voksh, viti 1931 faqe 28-30.
6) Nikollë Gazulli: Hylli i Dritës/Mars-Prill 1941. Fq. 178.
7) Hylli i Dritës / Marc – Máj 1941. Fq. 186.
8) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 41-42. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
9) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 42. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
10) Po aty.
11) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 42-43. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
12) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 43. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
13) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 44. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
14) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 69. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
15) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 82. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
16) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 40. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
17) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 82. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
18) Nikollë Gazulli, Hylli i Dritës, fq. 181. Viti 1941.
19) Po aty. 20) Nikollë Gazulli: Hylli i Dritës 11-12, 1942. Fq. 426.
* Me kerkesen e autorit Kumtesa nuk I eshet nenshtruar redaktimit dhe korrektimit Letrar…

