
Një patriote dhe profesioniste e shkëlqyer Dr. Elisabet Peraj iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u shpreh shumë e gëzuar që i bashkohet profesionistëve e patriotëve të tjerë në Vatër dhe shprehu gatishmërinë që të ndihmojë Vatrën në të gjitha proceset dhe organizimet patriotike në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Dr. Elisabet Peraj punon si mjeke në spitalin St Barnabas Hospital në Bronx New York. Ajo u befasua me historinë e jashtëzakonshme të Federatës Vatra dhe të gazetës Dielli. Në bashkëbisedim me Editorin, Dr. Elisabet Peraj u mrekullua nga kontributi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës në 110 vite histori për kombin, kulturën e shtetin shqiptar. Dr. Elisabet Peraj vjen nga Vermoshi, ka lindur në Amerikë dhe vjen nga një familje e arratisur nga regjimi komunist në Shqipëri. Ajo është pjesë shumë aktive në rininë e Kishës Zoja e Shkodrës, e Shoqatës së Mjekëve Shqiptaro-Amerikanë dhe ndihmon komunitetin shqiptar, mjekët e rinj dhe studentët në fushën e mjeksisë. Vatra i uron mirëseardhjen dhe e falenderon për mbështetjen edhe me mjekë e profesionistë patriotë që falë Dr.Elisabet do të vijnë ti bashkohen Federatës Vatra. Shqiptarët patriotë e profesionistë janë krenari kombëtare. Vatra rritet çdo ditë, shqiptarizma forcohet çdo ditë.