NGA ASLLAN BUSHATI/Për përdorim të shpejtë, po përdor termat “Opinion dhe TV –Klan”, se aktualisht ky emision jepet në Klan dhe mban këtë emër, por që në fakt ka nisur në TVSH dhe me tjetër emër, vetëm se drejtuesi dhe konceptuesi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë gazetari dhe publicist i njohur Blendi Fevziu.
Si shumë teleshikues të këtij emisioni, edhe unë kam kujtime e ndiesi për shumë puntata të vecanta në këto dy dekada transmetimi . Por, po e nis me emisionin e parë që u transmetu më 31 Gusht 1997, pra njëzet vite më parë. Pak ditë para se të jepej ky emision më telefonoi ish Shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes dhe më thotë se:” a është e mundur të shkoni në një takim privat tip konsulte, për të biseduar me ish Ministrin e Mbrojtjes (sot të ndjerin) Safet Zhulali ,sepse është ftuar nga gazetari Blendi Fevziu në një emision për ngjarjet e rënda të këtij viti ( 1997-të)“? Pas një hezitimi të vogël, pranova dhe i thashë “po, do të shkoj “. E thashë pas një hezitimi të vogël se unë tashmë isha liruar nga ushtria dhe nga detyra e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes ,që më 6 gusht 1997 dhe kisha filluar pune si Kryetar i Departamentit të Mbrojtjes në Partinë Demokratike.
Pasi kontaktova me të ndjerin Zhulali, e lamë takimin në orën 11 paraditen e datës 30 Gusht në shtëpinë e tij. Në orën e caktuar shkova në shtëpinë e Familjes Zhulali ku më pritën me shumë respekt ish Ministri dhe bashëshortja e tij (Manushaqe).Biseda zgjati katër orë pa ndërprerje vetëm me ish Ministrin. Në bisedë diskutuam me detaje shumë ceshtje të fushës mirfilltë ushtarake që kishin dalë sheshit në publik dhe që mendohej se do të diskutoheshin në emisionin e Blendi Fevziut. Pa e mbyllur pjesën ushtarake të bisedës i ndieri Zhulali më pyeti: “si epror i lartë ushtarak (Drejtor ne Ministri e Komandant Divizioni) , si mendon, pse ushtria nuk qëlloi kundër atyre që rrëmbyen armët nga depot e ushtrisë? I thashë :”E para mendoj se ushtria nuk pati përgjegjesi për ngjarjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër,( sepse gjykoj se ajo ishte vepër e shërbimit sekret te regjimit komunist), por megjithatë ushtria u ndot padrejtësisht nga kjo ngjarje, dhe në kujtesën kolektive ushtarake ajo ishte një përvojë negative. E dyta po të kishte qëlluar ushtria, kjo klasë politike e të dy krahëve do të ishte në varreza dhe unë e kolegët e mi do të konsideroheshim kriminelë. Sot s’ka të drejtë dhe as fakte ,askush të më quaj kriminel se nuk kam vrarë askënd.
Si përfundim për pjesë ushtarake pothuaj përafruam mendimet gati për gjithcka biseduam, kurse për pjesën politike, ai kishte më shumë njohuri, detaje e specifika dhe insistonte në konkluzionon se” fajin e ka politika dhe se ushtria nuk duhet ngarkuar me pergjegjesi për atë që ndodhi në 1997. Ngjarjet e këtij viti janë një dosje e zezë që nuk ka për tu hapur kurrë”. Por në detaje ai kishte qefmbetje për një mbeshtetje të paktë në vitin e fundit nga ish Presidenti Berisha, (ose më saktë Berisha nuk e kishte mbrojtur nga disa sulme të padrejta që ai i quante shpifje). Kishte shume vrejtje e ngarkesa për punën e mardhëniet me Aleksandër Meksin,por edhe një dozë negativiteti për Gazideden . Vec këtyre kishte një farë mllefi me gazetën Albania dhe e quajti atë”gazetë personale të Berishës dhe armike të Minisrtit të Mbrojtjes”. Po ashtu doza negativiteti, kryesisht për paaftësi drejtuese më shprehu edhe për ish Sekretarin e Shtetit për Mbrojtjen. I thashë se në se e gjykon të arsyeshme, ju sygjeroj që problemin e gazetës Albania dhe të Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, mos i përmend në emission. Te tjerat unë nuk i di dhe s’mund t’ju jap asnjë këshillë. Kërkesën time ai nuk e mori parasyshë dhe të nesërmen të dy këto problemet e fundit i ceku në bisedë.
Pas emisionit të parë (për të cilin fola gjatë) ,e të cilin disa e kanë konsideru si shumë te vështirë dhe disa e kanë quajtur edhe të dështuar, kam parë një gamë të madhe puntatash që kanë rrokur problemet e ditës,por edhe të historisë e të perspektivës, etikës, estetikës, ekonomisë, kulturës, arsimit,shkences, sportit, shëndetsisë, rendit, mjedist, gjeografisë, gatimit, erotikës e shumë e shumë të tjera. Po të hidhej në letër cdo gjë që është thënë e bërë në këtë e për këtë emission, do të ishte një libër qindra mijëra faqesh dhe ndoshta me të drejtë do të quhej “enciklopedia e emisionit televiziv Opinion”.
Njerëz të ndryshëm kanë këndshikimi e gjykim të ndryshëm për këtë emision. Por për mu ai ka qenë i dobishëm, informues, konkret, i prekshëm, i drejtpërdrejtë, jetëgjatë,e në mbrojtje të interest publik . Pikpamjet e mia politike janë të djathta dhe shpesh në “Opinion” kam gjetur vehten.Por edhe lëvrimi i pikpamjeve të së majtes shqiptare për mua kanë qenë një gjë e drejtë dhe i pranueshem. Më kanë mbetur në kujtesë disa puntata specifike (kujtime, përshtypje, analiza..) për politikanët e shtetit shqiptar: Ismail Qemalin, Ahmet Zogun (dhe Familjen Mbretërore Shqiptare), Enver Hoxhën,Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Ibrahim Rugovën, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti dhe kohët e fundit edhe për Esat Pashë Toptanin etj. Këto puntata në shumicën e rasteve kanë qenë të balancuara me të mirat dhe të metat e secilës figurë.Transmetimi dhe ritransmetimi i tyre mendoj se ka patur vlera historike dhe shpesh paqtuese për opinionin publik. Por po ashtu ruaj në kujtesë me shume respect intervistat me Ismail Kadarenë, Isuf Vrionin, Dritëro Agollin e shumë e shumë të tjerë të fushës artit e kulturës. Kurse ( përvec specialistëve të fushave të vecanta të cilët janë vërtetë të shumtë),disa gazetar dhe analistë , në gjykimin tim ,e kanë mbajtur gjallë, i kanë dhene shpirt , i kanë dhënë frymarrje, e kanë bërë më të pranueshëm emisionin për një masë të madhe njezish duke e cuar shikueshmerinë në nivelet më të larta në raport me emisionet e tjera. Shpresoj të mos ketë qefmbetje askush, por dëshiroj të ve në dukje disa emra të vecantë si: Zheji, Shkullaku, Lubonja, A.Hoxha, Zogaj, Frangaj, Bejtja, Peka, Dervishi, Rakipi, Balliu, Bushati, Vangjeli, i ndjeri Stefani, Nazarko, Buzhala e shumë të tjerë që për momentin s’po më kujtohen. Këto, krahas të qenit personalite publike me formin të gjërë intelektual e me dije të qëndrueshme i dhanë emisionit “opinion” një fytyrë të re.
Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, gazetari , publicisti dhe shkrimtari Blendi Fevziu që e ideoi e planifikoi dhe e realizoi per njëzet vite emisionin televiziv”Opinion”, meriton shumë. Prapa tij është i pa dukshëm edhe një staf gazetarësh profesionist e me integritet (emrat e tecileve nuk më kujtohen përvec Drini Zeqos), të cilët me punën e tyre e kanë ridimensionuar natyrën dhe vërtetësinë e emisionit. Unë jam tërësisht në kundërshtim me pikpamjen e Zotit Edi Rama që e quajti “kazan” si emisionin por edhe gazetarin Fevziun . Emisioni nuk mund të them se ka qenë i përkryer ne cdo puntatë, por i dobishëm dhe në shumë raste i domosdoshëm për teleshikuesit. Ndoshta drejtuesi në disa raste e ka tepruar me ndërhyrjet vend e pa vend, ka lejuar që zhurma dhe personalizimi ti bëjnë të qortueshme disa puntata të vecanta, por këto nuk e zvoglojnë këtë emission në përvjetorin e njëzetë të tij. Dëshiroj dhe shpresoj se edhe në të ardhmen (me shume se deri tani) ,emisioni do të ketë integritetin e duhur, pavarsinë nga politika, kërkimin e së vertetës në interes te publikut.