Nga Bajram Karabolli/
Secili nga ne ka një emër, një emër të vetëm që ia kanë vendosur të tjerët, pa e ditur se do t’i pëlqejë apo jo, kur të rritet. Ndërsa unë, mos u habitni, kam pasur katër emra, përfshi këtë që kam sot. Sipas një mikut tim historian, emrat e mi mund të shërbenin fare mirë si kapituj kryesorë të historisë moderne të vendit tim…
Im atë përherë kishte qenë njeri ëndërrimtar dhe përherë pat ëndërruar majat e larta. Kur ime më, me barkun te goja, priste fëmijën e parë, im atë ëndërronte që ky të ishte djalë. Dhe djalë u lindi. Ky djalë isha unë. Kjo ndodhi aty nga fundi i shtatorit të vitit 1943, kur tashmë ushtria gjermane kishte hyrë në Shqipëri. Siç do ta shikoni, kjo ngjarje nuk do të shënonte kushedi çfarë në të ardhmen time, me përjashtim të emrit, ose më mirë të emrave.
Im atë, pak ditë para se të lindja unë, kishte zbritur në qytet për një hall të tij dhe kishte bujtur te një i afërmi i tij, i cili, duke qenë qejfli filmash, kishte vendosur të shkonte në kinema për të parë një film të ri. Për dreq, të zotit të shtëpisë iu shkrep ta merrte edhe tim atë në kinema. Siç ndodhte asokohe, para se të fillonte filmi, u shfaq një dokumentar. Dokumentari, për të zezën time (unë atë natë, akoma notoja i lumtur në ujërat e ngrohta të mitrës së nënës time), i kushtohej heroit të asaj kohe Adolf Hitlerit. Im atë, që përherë i kishte pasur qejf ushtarakët (në fakt gjithë krahina ime i ka lakmuar dhe i lakmon ushtarakët, kryesisht për uniformën dhe armët e tyre), kur pa lëvizjet dhe sjelljet frenetike të Hitlerit, ecjen me hap të shtrirë dhe dorën e tij që ngrihej e ulej prerazi, uniformën e bukur ushtarake dhe mustaqet e çuditshme të tij, menjëherë ra në dashuri me të, dmth, e adhuroi me gjithë forcën e qenies së tij. Figura e Hitlerit dhe emri i tij nuk iu hoqën nga mendja ato tri-katër ditë dhe net, deri sa dola unë në dritë.
Shkurt, unë linda dhe im atë e kishte ndarë mendjen që do të më vinte emrin Hitler. Dhe kështu u bë. Në krahinën time nuk ka qenë zakon që babai të përkëdhelte fëmijën e sapolindur, le të qenkësh ky edhe fëmija i parë e madje djalë aq i dëshiruar, siç isha unë. Por, im atë, për këtë ju siguroj, kur kthehej nga ara apo nga kopeja, i afrohej gjithë gëzim djepit tim dhe, pasi shikonte tej e këtej se nuk pikaste njeri, më hidhte dorën në fytyrë dhe më lëmonte faqet me gishtat e ashpër që mua, me siguri, do të më kenë lënduar cipën e hollë e duhet të ia kem plasur të qarit. Kushedi sa ëndërronte i ziu baba që unë të bëhesha qoftë edhe sa mustaqet e Hitlerit. Por kjo ëndërr, për dy muaj e gjysmë u bë hi.
Vëllai i nënës sime, kishte dalë malit me kohë dhe qe bërë komisar batalioni. Kuptohet që për të Hitleri ishte njeriu më i zi. Dhe si mund të mbante emrin Hitler nipçja i tij i dashur? Heqja e këtij emri për të qe më shumë se detyrim. Qe mision partie.
Daja ishte i shkolluar dhe babai e donte dhe e dëgjonte shumë, megjithatë nuk e pati shumë të lehtë t’ia mbushte mendjen tim ati që të ma ndërronte emrin. Një natë vjeshte me shi e suferinë ai zbriti nga mali vetë i dytë dhe u sos në shtëpinë tonë.
Duhet të dini se në krahinën tonë dajua i fëmijëve është njeriu më i rëndësishëm në një familje. Ai respektohet dhe nderohet shumë më tepër se xhaxhai i fëmijëve. Për më tepër që kishte edhe autoritetin e një komisari. Kësisoj, ai i shfrytëzoi të gjitha epërsitë e tij dhe u fut drej e në thela. Nxori nga xhepi një kuletë të rrallë, e hapi dhe andej nxori një fotografi:
– Shikoje këtë, – i tha babait.
Im atë, me sy të picërruar, vuri re një ushtarak me grada të mëdha. Ishte më i dukur dhe më buzagaz se Hitleri, ama nuk kishte mustaqe.
– Kush është ky? – pyeti im atë.
– Ky është marshalli Josif Broz Tito, – i tha i kunati, tërë krenari. – Është udhëheqësi i popujve jugosllav dhe miku më i madh i Partisë dhe i popullit tonë. Prandaj djali yt dhe nipi im, këtej e tutje, do të quhet Tito. Hitleri është armiku më i egër, jo vetëm yni po i tërë i njerëzimit. Kështu që, yt bir dhe im nip nuk do ta mbajë asnjë minut më këtë emër. Nuk është vetëm turp i madh për ne, por është edhe rrezik për ty, sidomos për atë që mban këtë emër, – përfundoi, gati me inat, daja im.
– E pse na qenka rrezik? – pyeti me çudi im atë.
– Kunatoll, ti e di mirë se partia nuk e kursen gjysmën e lekut për gjëra më të vogla e jo për çështje të tilla parimore.
Pasi shkoi ashpër kurrizin e dorës mbi mustaqe, im atë pyeti:
– Ç’do me thënë marshall, o kunatoll?
– Marshall është grada më lartë që arrin një ushtarak.
– Vetëm dy burra janë në botë që kanë arritur këtë gradë: ky dhe Stalini, – u hodh miku, ai që shoqëronte dajën dhe që kishte zënë qoshin e djathtë, duke u vënë vulën fjalëve të dajës.
Dhe babai u dorëzua. Ai u foli grave, së ëmës, dmth gjyshes time, dhe nënës sime të vinin te oda e miqve.
– Hidhi dru oxhakut! – urdhëroi të shoqen. – Ja, uluni edhe ju këtu, se kemi një muhabet për të bërë… – Pastaj u drejtua nga i kunati e i tha: – Thuajua ti.
Dhe daja u foli grave të shtëpisë për punën e ndërrimit të emrit tim. po ashtu, i sqaroi ato për emrin e ri, emrin e mikut të madh Tito.
Ime më, me një trazim të trishtueshëm habie dhe gëzimi (në fund të fundit, ata dinin se ç’bënin), buzëqeshi hidhur dhe iu vu punës për t’u bërë darkën, ndërsa gjyshja u ankua:
– Qyqja, nga m’i gjeni këta emra të pahair! Pse nuk i vini djalit emrin e merhumit?
Ajo kurrë nuk i pati folur në emër të shoqit, gjyshit tim. As tani që kishte njëzet vjet i vdekur nuk e përmendte emrin Mevlan, sepse respektonte zakonin.
U shtrua sofra me një pulë të pjekur në saç, me gjizë e djathë dhe me një shishe raki. U ngritën dolli, së pari për marshall Titon dhe pastaj për mua. Pasi kishte rrëkëllyer disa gota raki, i ngrohur, im atë i thotë të kunatit:
– Do ta them, se do të më mbetet merak. Pse nuk më the t’ia kishim vënë emrin Stalin. Ti e di, xhanëm, po më duket se ai Stalini qëndron një çikë më lart…
Dhe komisari, edhe ai i ngrohur nga rakia, i përgjigjet:
– Dëgjo, kunatoll, po ta them me xhani-hak. Emrin e Stalinit e ruaj si sytë e ballit për vete. Fëmija i parë që të më lind, do ta quaj Stalin.
– Po sikur të lind vajzë, – ia ktheu im atë.
– Prapë atë emër do të ketë, këtë s’e lot as topi, – e mbylli atë muhabet im ungj.
– Aman, nga m’i gjeni këta emra të sertë! – tha nëpër gojë gjyshja
Gjithsesi, gëzimi i emrit tim vazhdoi…
Ama unë do ta ndërroja përsëri e përsëri emrin, por veç procedurës zyrtare nuk do të kishte një klimë të tillë festive, si atë natë të gjatë dhjetori, kur unë ia kisha marrë me gjumë për shtatë palë qejfe. E ku ka gjumë më të ëmbël, kur mbi çati shiu ia kërcet defit e juga klarinetës?!
Lufta mbaroi dhe im atë, tashmë, i veshur nënoficerë në ushtrinë popullore, qe mbartur familjarisht në qytet.
I kisha mbushur pesë vjeç, kur një natë tetori, daja u sos në shtëpinë tonë. Nuk ishte vetëm. Erdhi me të shoqen dhe vajzën dy vjeçe, Stalinen (ç’davet qe bërë në vënien e emrit të saj të shumëpritur!). Daja vërtet më mbajti pranë e më përkëdheli (unë i përkëdhelja lilat e bukura të uniformës së gjeneralit, dmth, gradat dhe dekoratat), por dukej i shqetësuar. Diç biseduan me tim atë, kokë më kokë, në dhomën e pritjes, pastaj me nënën. Gjyshja kishte vdekur para dy muajsh. (E shkreta gjyshe! Kur u bëra katër vjeç, sikur ta dinte ç’do të vinte për pak muaj, i qe lutur tim ati: Bir, na gjej një xherah e bëje synet Titon se i ka ardhur vakti. Po babai, tashmë komunist, nuk dëgjonte nga ai vesh.)
Të nesërmen, më veshën e më ngjeshën dhe im ungj, pasi më mori përqafe, më dha një kartëmonedhë njëqindlekëshe. I lumturuar, por edhe i habitur, pa dashje më doli pyetja:
– Pse m’i jep këto dajo?
– Sepse, ke sebep. Do të vëmë emër të ri. Do të shkojmë bashkë në gjendjen civile, për ta hequr atë emër të keq.
Ime më, aty për aty, më mori në prehër, si të më mbronte dreqi e di nga kush.
– Titua tradhtoi. Është armiku më i rrezikshëm i komunizmit… – vazhdoi daja. – Po mos e vra mendjen, e kam gati emrin tjetër.
Nuk e di pse, por unë, sa mora vesh se do të më ndërronin emrin, një gëzim i çuditshëm më pushtoi të gjithin. Ndoshta është bota e fëmijës që gëzon kot, vetëm se i japin diçka të re. Kështu gëzoja sa herë më blinin gjëra të reja për t’i veshur apo për t’i mbathur. Sot e kam të qartë se edhe emri është një lloj veshjeje. Ndërsa nëna, më shumë se e hutuar, prapë buzëqeshi hidhur e i tha të vëllait:
– Ti e di, xhani i motrës.
Ndërsa mua nuk m’u durua të pyesja:
– Çfarë emri do të më vini, dajo?
– Zhukov, – u përgjigj daja menjëherë, duke më përkëdhelur flokët gjithë dashuri. Dhe, kur pa vështrimin e së motrës, njëherazi pyetës e të habitur, sqaroi: – Është ushtaraku më i lartë i Bashkimit të Lavdishëm Sovjetik, është heroi i dy luftërave botërore, është komandanti më i shquar i Luftës së Madhe Patriotike të popujve sovjetikë. Edhe ky, siç të thashë, ka gradën marshall, – përfundoi daja, duke ia drejtuar tim ati fjalinë e fundit.
Kur ime motër, më drejtohej shkurt Kovi, im atë i kthehej:
– Çështë ai emër?! E quajnë Zhukov. Ka emrin e marshallit Zhukov.
Por s’qe e thënë që historia e emrave të mi të mbaronte këtu. Kur tashmë isha rritur e po më dërsinin mustaqet, isha në maturë, ndodhi prishja me Bashkimin Sovjetik.
Edhe pse parullat e shkruara gjithandej na siguronin se nuk paskësh forcë në botë që ta cenonte miqësinë e popullit tonë me popujt e Bashkimit Sovjetik, ajo miqësi u pordh menjëherë, sikur s’qe. Këto qenë fjalët që tha një kushëri i largët i tim ati. Lumëmadhi, bëri nja tetë vjet burg për ato fjalë.
Kësisoj, edhe emri i marshallit armik duhet të zhbëhej, siç u zhbë edhe miqësia e madhe.
Një pasdite të nxehtë vere, vetura GAZ e dajës, me targa ushtarake, u sos në qytetin tonë jugor. Edhe pse tashmë isha zot i vetes dhe do mendohesha për një emër tjetër, ai ishte autor i padiskutueshëm i emrave të mi.
Daja na mblodhi të gjithëve, me urgjencë. Nuk do të rrinte për darkë, pasi do të shkonte më në jugë për një inspektim.
– Dëgjo, kunatoll, – iu drejtua babait. – Emrin e kam gati, por kësaj radhe do marr edhe mendimin e nipçes. Tani ai është koshient (pikërisht këtë fjalë përdori, si për ta hutuar babanë dhe për të më bërë qejfin mua). – Dhe pasi rrufiti një gllënjkë kafe, mu drejtua mua: – Më thuaj nipçe, cilët janë klasikët e marksizëm-leninizmit?
– Marksi, Engelsi, Lenini dhe Stalini, – iu përgjigja aty për aty.
– Atëherë merr tre shkronjat e para nga emrat e tre të të parëve: Mar – Eng – Len. Ja sa emër i bukur na del: Marenglen. Ky do të jetë emri yt i ri. Dhe këtë emër s’e luan dot as topi, sepse teoria e këtyre burrave, marksizëm-leninizmi, është e ardhmja e gjithë njerëzimit, sepse partia jonë, me në krye…
Ç’ta zgjat, unë ende quhem Marenglen, edhe pse atdheu im tani i ka kthyer shpinën marksizëm-leninizmit.
Duke qenë se emrat e mi janë lidhur ngusht me historinë e vendit tim, tani duhet të quhem: Bill, Helmut, Blair, apo diçka e tillë, siç e kërkon kapitulli i ri i kësaj historie.
Por autori i emrave të mi ka gati një çerek shekulli që nuk jeton më.