ENCIKLOPEDIA E PROF. DR. ANDRESA SHUNDIT- NJE TRAKTAT I VYER PER KULTUREN SHQIPTARE/
NGA ILLO FOTO-STUDIUES/
Libri “Enciklopedi për Vreshtarinë dhe Verëtarinë” (Tiranë 2012) me autor Prof. Dr. Andrea Shundi, përbën një traktat të vyer për botën mbarëshqiptare të kulturës dhe të shkencës e teknikës, për vreshtarët e verëtarët, për njerëzit e biznesit dhe dashamirët e verës. Në 870 faqe shpalosen njohuri për historinë dhe kulturën vreshtare-verëtare mbarëshqiptare e më gjerë, shtjellohen mendësi dhe praktika për këto dy veprimtari sa të moçme e tradicionore aq edhe të dobishme për ekonominë dhe jetesën e njerëzve.
Trojet shqiptare janë ndër vatrat dhe tranzitimet kryesore nga Lindja e Afërt në Europë, të këtyre dy veprimtarive me zanafillë 9.000 vjeçare. Praktikimi i vreshtarisë-verëtarisë do të thotë kulturë pune, prodhimi, jetese. Shqiptarët, të privilegjuar edhe nga klima mesdhetare, u kapën fort mbas vreshtarisë-verëtarisë, duke spikatur edhe me një fakt shumë domethënës: kryesisht në mërgimet e shekujve 15-17 (arbëreshët në Itali, arbërorët në Greqi, arbnorët në Dalmaci etj.) i zhvilluan këto veprimtari në përmasa të tilla sa që tani i kapërcejnë nivelet përkatëse të tyre në Shqipëri, Kosovë e troje të tjera shqiptare. Në këtë suazë evoluimesh dhe zhvillimesh, në kontekstin e kërkesave për shtrirje më të madhe dhe për cilësi rrushi e vere, botës shqiptare i duhej një botim i tillë sikurse “Enciklopedi për Vreshtarinë dhe Verëtarinë”, që numërohet me gishtat e dorës në botimet nëpër botë të kësaj gjinie. Përbën një vepër të mirëfilltë shkencore, jo vetëm në fushën e bujqësisë dhe të teknologjisë agroushqimore, por edhe në fushat e tjera të botimit shqip.
Në lirinë e pakufizuar të shtypit që po gëzojmë, kushdo mund të shkruaj libra të natyrave të ndryshme dhe që lexuesi i mirëpret, por me emërtimin dhe përmbajtjen e një Enciklopedie, jo cilido mund të shkruaj dhe veçanërisht nga vetëm një autor. Enciklopeditë janë botime të nivelit të lartë dhe zakonisht pronë e akademive të shkencave apo e intitucioneve të tjera akademike të mirënjohura. Përmbajnë materialin më të plotë e të gjithanshëm enciklopedik, ku mbështeten lexuesit e studiuesit por edhe çdonjëri i cili është i etur për njohuri e praktika në një veprimtari të caktuar.
“Enciklopedi për Vreshtarinë dhe Verëtarinë” që kemi në dorë, nënshkruhet nga vetëm një autor, profesor Andrea Shundin i cili mban Urdhrin “Mjeshtër i Madh” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Njihet si autor i shquar i 43 librave dhe teksteve universitare, ku pjesa më e madhe kanë vlera traktatesh për tematikën që trajtojnë. Trashëgimia botuese e tij, tashmë i ka kaluar dhjetëmijë faqet dhe renditet ndër shkencëtarët shqiptarë elitarë. Curriculum Vitae e profesor Shundit i jep të drejtën e autorësisë për të botuar një libër enciklopedik, lidhur me një veprimtari ekonomike nga më të rëndësishmet në Shqipëri. Fakt shumë domethenës është se kjo Enciklopedi është recensionuar dhe redaktuar nga pesë profesorë të mirëfilltë: Renata Kongoli (dekane në Universitetin Bujqësor të Tiranës), Agim Zajmi e Bashkim Koronica (Universiteti i Prishtinës) dhe dy gjuhëtarët e mirënjohur Emil Lafe e Stefan Bulo.
Rilindësit dhe iluministët shqiptarë të viteve ’30 në shekullin e kaluar, veprimtaritë i përqendruan në përcaktimin e rrugëve për të dalë nga prapambetja, e diktuar kryesisht nga pushtimet shekullore. Të tilla janë veprat e Samiut, De Radës, Hoxha Tahsinit, Fishtës, Mjedës, Mit’hat Frashërit, Jakov Miles etj. Këta paraardhës edhe të shkencave natyrore shqiptare, gjithashtu kanë orientuar zhvillimin e bujqësisë, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të zhvilluara. Madje Mjeda krijoi një fermë didaktike, ku fshatarët mësonin elemente të përparuar të agro-zooteknisë moderne.
Bujqësia në kuptimin e gjerë, duke përfshirë vreshtarinë dhe blegtorinë, kanë përbërë alternativat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Aforizmi shqiptar “Toka, lopa, vreshtëza: tri shtyllat e shtëpisë fshatare”, ka marrë jetë nga kushtet klimatike dhe tokësore të Shqipërisë, duke u shtrirë pothuaj në tërë trojet e tjera shqiptare, si edhe tek arbëreshët e kudo banojnë shqiptarët nëpër botë. Në këto 100 vjet shtet shqiptar, vreshtaria dhe prodhimi i verës janë shtuar me ritme të leverdishme. Shqipëria dhe shumica e trojeve të tjera shqiptare, shtrihen në klimë mesdhetare të përkryer; kemi 250 ditë me diell në vit dhe pak ditë me ngrica. Zhvillimi i vreshtarisë e verëtarisë po përbën investim kryesor në zhvillimet rurale vendëse dhe për investitorët e huaj, sepse lidhet jo vetëm me mirëqenien e njerëzve dhe begatimin e mjedisit, por edhe me eksportin e turizmin.
“Enciklopedi për Vreshtarinë dhe Verëtarinë”, krahas vlerave shtjelluese për teoritë dhe mendëstë vreshtare e verëtare, ka rëndësi praktike për investitorët sidomos për ata të rinj, për vreshtarët e verëtarët e prodhimit shtëpiak dhe të atij industrial të madh. Tregu ndërkombëtar i verërave, tashmë i globalizuar edhe sa i përket konkurrencës, me natyrë të sofistikuar dhe cinike, kërkon që bizneset të kenë përgatitje maksimale edhe në vështrimin praktik e shkencor. Këto mund të arrihen, gjithashtu duke përthithur nektarin e njohurive që përmbahen në këtë Enciklopedi. Madje kjo shërben edhe për neve shqiptarët në mërgim e diasporë: nëpër kopshtet e shtëpive tona ose duke marrë me qira apo blerë një ngastër toke, mund të fillojmë biznesin vreshtar-verëtar ose ta zhvillojmë më tej prodhimin shtëpiak të rrushit-verës-rakisë.
Më konkretisht si janë materializuar vlerat e sipërshënuara për këtë Enciklopedi?
Në vështrimin agronomik dhe ekologjik, spikat thellësia dhe gjerësia e larmishme së bashku me cilësinë e përmbajtjes, nëpërmjet 3200 artikujve me mesatarisht rreth gjysmë faqe secili. Në mënyrë metodike dhe thukët, paraqiten një shumësi njohurish dhe të dhënash. Përmbajtja plotësohet duke u shoqëruar me sinonimet përkatëse të termit, me ndonjë fjalë të urtë që lidhet me artikullin përkatës, me barasvlerësit e termit shqip në gjuhët angleze dhe italiane. Lexuesit dhe studiuesit, menjëherë mund të gjejnë njoftimin dhe kulturën e dijeve, por edhe një hallkë ose hollësi lidhur me mendësinë dhe praktikën vreshtare e verëtare. Këto mundësojnë që përdoruesit e Enciklopedisë të drejtohen për nga zgjidhjet më të leverdishme.
Me shumë vlera është paraqitja e visarit gjenetik të hardhisë, me artikuj të posaçëm për 135 kultivarë dhe ekotipe vendës, si edhe për 15 kultivarë ndërkombëtarë e rajonorë të mirënjohur. Në Enciklopedi gjithashtu trajtohen 15 institucione shqiptare dhe ndërkombëtare që lidhen drejtpërdrejt me këto veprimtari, prezantohen 38 kantina shqiptare dhe arbëreshe, paraqiten veprimtaritë e 60 agronomëve, enologëve, someljeve shqiptarë më të shquar.
Në vështrimin historik-kulturor dhe të kulturës së prodhimit e përdorimit të rrushit e të verës, tek kjo Enciklopedi mund të gjinden një mbushullim treguesish. Mjafton të përmendim 3800 sinonimet e termave përkatës që përdoren në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare: Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri; po ashtu, 800 fjalët e urta, nga të cilat 250 përdoren prej arbëreshëve. Terminologjia dhe sinonimia shqipe e dëlirë dhe tejet e larmisme, përbëjnë ndër risitë themelore të kësaj Enciklopedie. Shqipërohen një varg termash dhe fjalësh të tjera teknike si buket me tufë amësimesh, kordon me litarth, macerim me zbrujtje, spalierë me shpatullore, toçitje me rienësim, vinifikim me verëzim etj. Po ashtu, përtëriten terma shqipe të moçme që po përdoren rrallë: almise, amësim, kandërr, krëndim, larosje, mbëltim, mesarak, mëlcimi, ngjërim, rrufla, selitje etj. Autori ka përpunuar edhe terma të reja sikurse barim, pjekurim dhe moshim vere, shishezim, vozëgim etj.
Pjesë e kulturës vreshtare dhe verëtare mbarëshqiptare është paraqitja edhe e asaj të arbëreshëve për këto dy veprimtari. Arbëreshët përdorin terma dhe sinonime, që mund të bëhen pronë e shqipes standard, si për shembull: biljezë = fidan, kryerinë = bucelë, lisarjel = pjergull, nxitë = shartesë etj. Domethënëse është se si rrallë herë, në të njëjtin libër teknik trajtohen së bashku, shqipja amë dhe arbërishtja, me vlerat përkatëse në praktikat vreshtare e verëtare.
Kjo Enciklopedi pasuron dhe nderon bibliotekat tona, të institucioneve, të biznesit etj. Mbart vlera teorike dhe praktike të gjithanshme, mundëson kulturë teknike dhe gjuhësore më të plotë, përbën burim të vyer për praktikën e përditshme dhe për referencat e studiuesve. Në hyrje, autori ia përkushton Enciklopedinë: “Shqipërisë amë, në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe të Ditës së Flamurit. Vreshtarisë dhe verëtarisë në troje shqiptare”. Si dëshmi e historisë dhe e traditës, në ballinën e Enciklopedisë është vënë shprehja e një personaliteti romak: “Si për çudë, këtu në Scadrion (Shkodër) pinë verë edhe gratë”. Më vjen mirë të nënvizoj se profesor Shundi e mirëpret kuvendimin me lexuesit edhe përmes e-mailit andreashundi@hotmail.com, në shërbim të sqarimeve teknike për to dhe të pasurimit më tej të Enciklopedisë në rastin e botimit të dytë. Në përfundim, një përgëzim për Botime “VLLAMASI” në Tiranë, që ka nxjerrë një botim më se cilësor, duke e shpërndarë nëpër libraritë e qyteteve kryesore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi; madje e tregton anekënd botës nëpërmjet postimit të Enciklopedisë.
Na duhen më shumë vepra të tilla.
NY, janar 2013.