Nga Fuat Memelli/Festat e këtij fundviti, shqiptarët e Bostonit i çelën me koncertin e vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti. Këngëtarët e shquar , i filluan nga Bostoni koncertet që do japin për shqiptarët e Amerikës, me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2017. Pjesëmarrësit pritën me duartrokitje hyrjen në sallë të dy këngëtarëve të shquar që vinin nga larg. Pas falenderimit për ftesën dhe urimit për festat, ata nisën “gurgullimën” e këngëve të tyre, që zgjati deri në mesnatë. Si korçarë që janë, e filluan me këngët korçare, të cilat tashmë këndohen jo vetëm në Shqipëri e trevat shqiptare, por edhe nga shqiptarët në emigracion. Pas disa këngëve korçare , e kishin rradhën këngët nga krahinat e tjera të Shqipërisë. Nuk munguan edhe këngët greke, pasi ata kanë jetuar aty e i këndojnë bukur edhe këngët e fqinjëve tanë. Pjesëmarrësit këndojnë e kërcejnë nën ritmin e tyre. Një çift me origjinë nga Korça, nuk rresht së kënduari e kërcyeri.- Këngët e anëve tona na lumturojnë , na çmallin. I këndojmë shpesh kur mblidhemi me njerzit tanë, por ato na “ngjisin” edhe më shumë, ku kemi edhe Endrin e Stefin, bilbilat e këngëve korçare, thonë ata.(Është çifti i qeshur që shikoni në fotografi, të cilëve nuk ia mora dot emrin.) Për një moment Endri dhe Stefi, këndojnë këngën ”Happy Birthday”. Kishte patur ditlindjen shqiptarja Entela Tase me origjinë nga Fieri dhe ishte për atë kjo këngë.-Kam festuar shumë ditlindje , thotë ajo, por kjo e sivjetmja do mbetet e paharruar, pasi e festova në këtë mbrëmje të bukur mes shqiptaëve, thotë Entela.
Teksa dy këngëtarët pushojnë pak, bisedoj disa minuta me ata.-Po i festoni Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, larg familjeve , në Amerikë, i them unë.-Vërtet nuk do jemi pranë familjeve tona, por do jemi në familjen e madhe të shqiptarëve të Amerikës, thotë Endri. Ne kemi këtu edhe mjaft të afërm e miq, kështu që do kënaqemi. –Shqiptarët ju njohin si këngëtarë, por dy fjalë për karierën tuaj, e pyes Stefin.-Kemi mbi 20 vjet që këndojmë , thotë ai. Nuk u bëmë rastësisht këngëtarë. Krahas traditës së familjeve dhe qytetit tonë, ne edhe kemi studjuar për muzikë. Unë kam mbaruar Institutin e Arteve për violinë ndërsa Endri ka mbaruar Shkollën e Mesme të Muzikës në Korçë, për oboe. Pas viteve ’90, si shumë shqiptarë , edhe ne emigruam në Greqi . Kënduam aty për 10 vjet, pastaj menduam të vijmë në Shqipëri. Filluam të japim koncerte në Korçë e më pas në Tiranë, etj. Tani nuk i përballojmë dot kërkesat.-Cila është kënga juaj e fundit? –Është ajo me titull ”Jeta ime” , kompozuar nga Aleksandër Gjoka, me tekst të Pandi Laços. E këndojmë tok me Aleksandrin.
Endri dhe Stefi, vazhduan të këndojnë deri në mesnatë. Shqiptarët pjesëmarrës, u larguan me mbresat më të bukura. Dy organizatoret, Mirela Mero dhe Kledia Mezini, ishin kujdesur që gjithçka të shkonte sa më bukur. Vëllezrit korçarë, do vazhdojnë të këndojnë për shqiptarët e Amerikës, edhe në qytete të tjerë si në Çikago, Neë Yersi, Detroit, Florida dhe Kenerika, ku do qëndrojnë për 20 ditë. Do të çojnë edhe aty këngët e tyre të bukura. Por, jo vetëm këngët. Do të çojnë edhe shpirtin e tyre. Se, që të “ngjisë” kënga, duhet edhe shpirti i këngëtarëve. Dhe ky shpirt, nuk i mungon, Endrit e Stefit.