Ja cilat janë mundësitë e kualifikimit të Shqipërisë?
Nga Gjergj Vyshka
Jemi vetëm një ditë përpara ligës së evropës në volejboll për meshkuj dhe syri e veshi i të gjithë shqiptarëve duhet të jetë në sallën e re olimpike në mbështetje të djemve të rrjetës dhe të trajnerit Jani Melka. Por cilat janë mundësitë e kualifikimit të Shqipërisë për në finalet e Ligës së Evropës? Nëse marrim të mirëqenë që Maqedonia do të fitojë 3-0, apo 3-1 ndaj Suedisë, dhe ne me të njëjtin rezultat sot ndaj Azerbajxhanit, atëherë forcojmë vendin e dytë në renditje. Sepse thellojmë diferencën në pesë pikë 8 ne dhe 3 Suedia. Që do të thotë se të shtunën edhe sikur të na mundi 2-3 Suedia, sërisht jemi të dytët, 9 pikë Shqipëria dhe 5 pikë Suedia. E në këtë mënyrë ndeshja e fundit me Maqedoninë është thjesht honorifike për dy vendet e para që do të shkojnë në Glentofle të Danimarkës në finalet e 1-2 korrikut. Ajo që nuk na ndihmon është fitorja e Suedisë me vlerën e tre pikëve ndaj Maqedonisë, 3-0 dhe 3-1, apo 3-2. Sepse duke qenë dy deri në tre pikë pranë do të thotë se duhet të luajmë gjithçka të shtunën ndaj Suedisë, pa thënë që duhet menduar ndryshe dhe e diela ndaj Maqedonisë. Madje çdo lloj humbje me nordikët na prish punë, sepse Suedia ngrihet sipër nesh dhe duke luajtur përballë Azerbajxhanit dhe ne ndaj Maqedonisë sërisht ka më tepër prioritete për të qenë ajo në finalet e Ligës së Evropës. “Kapak floriri” do të ishte fitorja e tre ndeshjeve, sepse kështu nuk do të kishte fare llogari. Kurse shuplaka më e madhe do të ishte humbja e të tria ndeshjeve, që do të thotë se nuk do të kishte laps ta kapte, i cili do të ishte me majë të thyer dhe pa gomë. Një që do të mund të na ndihmonte ndoshta me një përqindje më të madhe është humbja jonë 2-3 me Maqedoninë dhe fitorja 3-0 apo 3-1 e Suedisë, si ndaj nesh, ashtu dhe ndaj Azerbajxhanit, sepse në pikë të barabarta do të mund të shihej setavarazhi, aq më tepër që në ndeshjet direkte do të ishim barazim po të mundeshim 2-3 me nordikët. Por shpresohet që edhe me mbështetjen e të gjithë Shqipëria t’ia dali dhe historia e volejbollit shqiptar merr tjetër vlerë. Sepse ëndrra vazhdon dhe duhet të vazhdojë.