(Vëllimi “Një vjeshtë pa ty”, i Enkelejda Kondit)/
Nga: MURAT GECAJ/
1.
Ndoshta, është “përjashtimi” i vetëm , që po bëj me këto shënime modeste për vëllimin e ri me poezi, të mikes e poetes Enkelejda Kondi-Massboeuf. E them këtë gjë, pasi është hera e tretë që shkruaj për librat e saj. Ajo është me origjinë nga Gjirokastra dhe vetë ka lindur e është rritur në rrethin e Korçës, ku banojnë prindërit e saj. Me profesion është mësuese dhe ka shërbyer disa vite në zonën e Maliqit e në Lozhan. Ndërsa edhe atë e “perfshiu” vala e emigracionit e ka disa vjet, që punon mësuese dhe jeton familjarisht, në një qytet të Francës. Megjithatë, ajo i mban të pashkëputura lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, ku vjen herë pas here. Kjo ka qenë arsyeja edhe e njohjes sime me të, përmes Internetit.
Pa e zgjatur, rikujtoj këtu se, pak vite më parë, Ledi më dërgoi një mesazh me dëshirën që t’ia lexoja dy vëllime të saj me poezi. Kështu, ajo m’i dërgoi ato me postë, në Tiranë dhe pastaj u shpreha me disa fjalë modeste, të cilat edhe i kam publikuar, kohë më parë.
2.
Ndërsa para pak ditësh, përsëri na dha një lajme tjetër të gëzuar, Ledi. Pra, publikoi vëllimin e ri poetik, “Një vjeshtë pa ty”, me redaktor Albert Zholin. Siç e kam theksuar edhe në shkrimet e mia të mëparshme, largësia e saj nga Atdheu, ka bërë që në vargjet poetike të jetë mjaft e ndjeshme, përcjell emocione dhe mendime paksa të trishta. Me sa kam vërejtur, kështu veprojnë edhe poetë të tjerë, jo vetëm të rinj, por edhe të moshuar, ndër të cilët po përmendi këtu Përparim Hysin, i cili jetoi për shumë vite në mërgim dhe tani u rikthye në Shqipëri.
Libri I Ledit është i ndarë në katër cikle. Në të parin, është dhe vjersha, nga e cila e ka marrë titullin gjithë vëllimi poetic, që na prekë me ndjesitë, që përshkon: “Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,/m’u duk një vit, një vit i gjatë./ Në stolin bosh gjethembuluar,/ka mbetur vetëm një degë e thatë…”. Me ndjenjat “ e lagështa” të kësaj stine, janë mbushur edhe poezitë pasuese: “Vjeshta” , “Shi vjeshte” , “Qiej malli” e “Pemët. Na duket edhe ne, lexuesve, se ajo do të na futet deri në palcë, por dhe na mundon heshtja e melankolia e asaj stine: “S’ dëgjohet asgjë, vetëm heshtja,/një heshtje e kthjellët si uji…”. Janë ditë të zymta, kur “Pemët krahëlakuriqe/ i ngrenë duart qiellit, nga kjo erë e fortë…”.
E ulur e vetme në bregun e detit dhe e zhytyr në mendime, poetja shpërthen me vargjet e saj: “Unë s’jam prej këtu, por nga të tjera brigje…/ Jam guri, që kërkon rrënjët e veta”. Ajo e njëson veten me stinën e vjeshtës dhe prandaj i përshpërisin në vesh njëra-tjetrës dhe: “Një rrëkezë loti u derdh nga dashuritë e trishtuara të verës” (“Sekrete vjeshte”).
Të gjithë ëndërrojnë në këtë botë, por ndoshta më ëndrrimtarët janë poetët. Pra, e tillë na paraqitet Ledi, në ciklin e dytë të këtij libri, “Ëndërrime”. Në këtë botë vetmie, ajo shkruan: “është vonë,/por sonte paskam dëshirë të shkruaj,/si kalë i bardhë të humbi kujtimesh” dhe më tej: “Sonte qenkam fëmija, që shëtitë pyjeve të kujtesës” (“Vonë”). Si një ëndërr e bukur, që është bërë realitet, i shfaqet djali i saj, i cili rritet dita-ditës dhe ia mbushë shpirtin me mirësi: “U rrite, biri im, u bëre burrë!/Vitet ikin/ dhe unë s’i vura re”. Puthja e mamit për të birit iku larg, si “e turpëruar” dhe “u ndal në degën e një ëndrre” (“Djalit tim”).
Poetja shkruan me dhimbje për ditët, që kanë ikur dhe nuk kthehen kurrë më, të cilat i shkaktojnë vuajtje në shpirt. Prandaj shkruan: “Bie shi sot,/ shi lotësh nga qiej të zbehtë./ Ndiej dimër në shpirt, në këtë pranverë të vonuar…” (“Me dhimbje”). Bile edhe kur shkruan për bukurinë, poetja trishtohet, se ajo e ka ndërruar fomën e saj: “E panë dhe thanë, se bukuria ishte venitur…”! Me gjithë këtë “pesimizëm” e trishtim, poetja gjen forca ripërtëritjeje, përmes një rrezeje drite dhe thotë: “Kokën do ta vë në gjoksin tënd të çlodhem,/ faqen dhe mirësinë aty do të gjëj” (“Do të vij”).
Në ciklin “Mall”, që është vazhdim i natyrshëm i mendimeve dhe ndjenjave, që poetja ka shprehur më parë, përsëri na e paraqet veten pranë detit. E kam vërejtur se Ledi përherë gjen prehje, qetësi e ngushëllim shpirtëror, kur ndodhet e shkruan buzë detit. Ndoshta, kështu, mendimet i përkunden asaj si valët e shkumbëzuara dhe shushurima e ujit të kripur. Duke e barazuar veten me dallgët e detit, shkruan: “Ashtu edhe malli im me tallaze,/si dallgët turret, në gji të mbledhë”.
Gjithashtu, për mallin e së shkuarës dhe të tanishmes, ajo shkruan te poezitë “Kujtimet” dhe “Pranë e larg”. Për ndjenjat njerëzore të dashurisë, por dhe trishtimin e përjetuar prej saj, shprehet në poezitë vijuese, “Puthmë” e “Pa njëri-tjetrin” ose “Kurrë nuk e kuptova, kur çelin mimozat” e “Parfum dashurie”: “E shkon një ditë e shkon një jetë,/ digjem në mall e thahem në lotë!…”.
Një motiv i bukur i kësaj poeteje është malli e dashuria për Atdheun, të cilat i ka shprehur me vargje plot emocione. Se kjo ndjenjëe bukur është mbi të gjitha të tjerat dhe asnjëherë nuk e lejon emigrantin të qetësohet, sado mirë të jetojë. Këtë gjë e gjejmë të pasqyruar edhe te poezitë “Atdhe” e “Po kthehem”. Ja, se si e shprehë ajo trishtimin e dhimbjen e ndarjes: “Atdhe, t’i ktheva krahët,/dhe mora rrugën e gjatë!…”. Ndërsa rikthimin e përjeton me gjoksin e mbushur plot gëzim: “Po kthehem në Atdhe,/ po vij të ngrohi shpirtin e të qetësoj mallin…”. E njëjta gjë na jepet edhe përmes vargjeve, kur ajo fluturon me avion mbi re, duke e ditur se kthimet janë “të përkohshme”: ”Drejt teje, përjetësi, Atdheu im”. I duket se, për këtë gjendje të saj, “fajin” ia kanë aeroportet, për të cilat thotë: “Aeroportet më ngjajnë me /buzëqeshjet, që thyhen si kristali…/Mall botësh të brishta,/pranë dhe larg”.
Në ciklin e fundit, “Pa adresë”, janë 20 poezi të shkurtëra. Poeten Ledi Kondi e kemi aty, si në të gjitha krijimet e saj: pak të bishtë, melankolike, me mendime të heshtura dhe me kokën e kthyer pas. Prandaj, e dëshpëruar, ajo na drejtohet me çiltërsi e sinqedritet: “Përkohësisht, mos më kërkoni…po shkoj/ pak larg, ku zemra ime të gjejë qetësi”. E ndodhur në vetminë e saj, kur “dashuria ka ftoftë”, ajo kujton të shkuarën, si një lodër fëmijësh: “Atëherë, kush ndjeu më shumë mall,/nga kjo heshtje-largësi:/ unë apo ti?” Plot meditime dhe mendime në vetëvete janë disa poezi tjera të këtij cikli, si: ‘Robëria”, “Dimër”, “Ikën apo vjen”,’Po bie” ose “Premtimi”, “Janari” etj.
Vëllimi mbyllet me poezinë kushtuar dhimbjes së përhershme për ndarjen nga Atdheu, kur veten e ndien vazhdimisht të huaj”: “Aty dhe këtu,/me dy tokë, pa tokë,/me dy atdhe, pa atdhe,/ndër kohera, ndër vite!…”.
..Është lajm interesant ai, që na dha këto ditë Ledi, përmes Internetit: “Të dashur miq, përsëri kam kënaqesinë t’u njoftoj se libri im më i ri, “Një vjeshtë pa ty”, u botua në trajtë elektronike, nga z.Albatros Rexha, në Prishtinë…Jam e nderuar, që
botuesi përzgjodhi edhe librin tim. Faleminderit, Albatrosit!”
E urojmë nga zemra Enkelejda Kondin për këtë libër të ri dhe jemi të bindur e shpresojmë, që me shpërthimet e vrullshme, frymëzimet poetike dhe ndjenjat e pasura të saj, do të na dhurojë libra të tjerë edhe më të bukur!
Tiranë, 10 prill 2013