• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rreziku i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes” së Ramës për Vuçiç!

August 16, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sapo bëri betimin për kreun e shtetit serb, shpalli në një gazetë të Beogradit se do të nisë një diskutim brenda vendit të tij për Kosovën. Këtë lajm e morën dhe e përhapën mediat dhe gazetat europiane, përfshirë dhe atë gjermane, duke theksuar se “tashmë Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me fqinjët, sidomos me shqiptarët”! E përshëndetën deklaratën e presidentit të Serbisë mediat proqeveritare në Shqipëri si dhe vetë kryeministri i vendit, zoti Rama! Ky I fundit dha para dy ditësh një intervistë në gazetën beogradase “Blic” dhe shprehu keqardhjen që “Vuçiç gjendet në një pozitë të vështirë” për shkak të kësaj iniciative. Duke “e vendosur veten në këpucët e Aleksandrit”, Rama u shpreh se “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiqit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, duke shtuar gjithashtu një superlativë lavdëruese për presidentin serb “Iniciativa e Aleksandar Vuçiq për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë”. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Në Kosovë vetëm ministry I Jashtëm Hoxhaj ka reaguar ndaj disa deklaratave të homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por ende nuk ka një deklaratë serioze, e cila të shprehë qëndrimin e institucioneve të prishtinës për iniciativën e presidentit të Serbisë. Ndërkohë shtypi e media e Kosovës po e kalon në heshtje këtë nismë të Beogradit, vetëm sa transmeton lajmet dhe deklarimet reciproke. Në Shqipëri askush, përveç ndonjë diplomati jo në detyrë, si Shaban Murati, nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu qasur analizës për “iniciativën Vuçiç”. Zoti Murati para pak ditësh tërhoqi vëmendjen në faktin që politika shqiptare, diplomacia, mediat dhe opinion publik shqiptar nuk kanë pse entusizmohen nga një nismë e tillë.
E vërteta është se ne e kemi entusiazmin ashtu dhe dëshprimin si drogën! Menjëherë zgjohemi dhe qeshim, sapo dikush që ka një histori tragjike në marrëdhëniet me ne na ofron diçka dhe po aq lehtë dëshprohemi e hidhërohemi, sa herë dikush i tillë na provokon! I gëzohemi madje më shumë ndonjë iniciative në dukje pro nesh të kundërshtarëve dhe armiqve të kombit tonë dhe jo aq aksioneve politike të miqve tanë! Entusiazmi ynë është shpesh herë i pakufi, kur ata që në i quajmë armiq të shqiptarëve hedhin ndonjë dorashkë, që duket si e favorshme për ne. Nga mesi i viteve 2000 presidenti rus Putin i thoshte presidentit tonë shqiptar se “Ne nuk kemi gjë me shqiptarët”! Nënteksti: -“Ne nuk jemi armiq”! Dhe presidenti ynë ishtë shumë entuziast e i ngazëllyer nga kjo deklaratë e kreut të Kremlinit! Një entusiazem foshnjarak, sepse një president dhe lider duhet të ketë kapacitetet e formimit politik të atij niveli që realitetin ta përceptojë me shqisat e liderit!
Nga naiviteti apo miqësia e ngushtë me presidentin Vuçiç, zoti Rama u përfshi gjithashtu në një eufori që I kapërcen kufijtë e Serbisë, duke bërë thirrje që dialogu serb për Kosovën të shtrihet edhe në Kosovë e në Shqipëri, sigurisht në inversin e tij, si “dialog shqiptar për marrëdhëniet me Serbinë”!
“Ajo që është e domosdoshme në këtë fazë është vërtet ajo që presidenti juaj e ka nisur si dialog të brendshëm, i cili, meqë ra fjala, nuk do të ishte i parëndësishëm të ndodhte edhe në Kosovë e edhe në Shqipëri”, shprehet kryeministri ynë për “Blic-in: e Beogradit. (http://zeri.info/aktuale/157085/rama-per-gazeten-beogradase-blic-e-ndjej-dhembjen-dhe-vendosmerine-e-vuciqit-per-ta-zgjidhur-problemin-e-kosoves/)
Ne nuk kemi dhe nuk e dijmë saktësisht se çfarë fshihet në Hintergrund të iniciativës “Vuçiç”, por planin e presidenti të Serbisë po e shpalos çdo ditë ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiç. Ai e nisi shpalimin e planit serb për Kosovën, duke thënë se “Përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë, sepse ajo bazohet në të drejtën historike e etnike që vetëkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe të asaj që është shqiptare”. (http://zeri.info/aktuale/157188/daciq-ne-rajonet-ku-ka-serbe-kosova-mund-te-jete-e-pavarur-vetem-me-tanke/ Madje ministri i Jashtëm i Beogradit kërcënon se nëse nuk ndodh kjo, ndarja e Kosovës, atëherë hyjnë në veprim tanke.
Sipas zotit Daçiç, duhet të përcaktohen kufij të ri për Kosovën dhe Serbinë, shkurt duhet që një pjesë e territorit të Kosovës të kalojë nën sovranitetin e Serbisë. Veriu i Mitrovicës është pikëshënjestra e kryediplomatit të Serbisë. Kjo për dy arësye, njëra “demografike”, sepse në këtë pjesë të Kosovës shumica e banorëve janë të etnisë serbe dhe tjetra gjeopolitike, sepse “Fuqitë Perendimore synojnë që nëpërmjet veriut të Mitrovicës të krijojnë një lidhje territoriale të Kosovës me Sanxhakun dhe Bosnjën”, me qëllim izolimin e Serbisë nga Mali i Zi dhe pjesa perendimore e Ballkanit, shkruan Daçiç. Për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai shprehet se “Një lidhje e ‘Kosovës së islamizuar’ me Sanxhakun, do të ishte një dështim më i madh për popullin serb, më i madh se të gjitha dështimet e popullit serb në shekullin e 20-të.”
http://lajm.net/gazeta-gjermane-u-jep-hapesire-deklaratave-te-daciqit-per-shqiperine-e-madhe.html
Ndërsa sot shefi i diplomacisë së Beogradit ishte në Këshillin e Sigurimit dhe ka hedh dy “argumente” të tjerë në përpjekje për ta sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për ta mbështetur opcionin e tij të ndarjes së Kosovës. Në replikë më ambasadoren Vlora Çitaku, Daçiç thoshte sot se “në Kosovë nuk ka kosovarë, por ka shqiptarë” dhe se “kryeqyteti i parë i Serbisë ka qenë Prizreni”! Dy teza këto në ndihmë të argumentit historik dhe aktual, me qëllim që t’i thuhet botës se “Kosova duhet të ndahet”!
Nëse analizojmë gjithashtu interesat politike, gjeopolitike, ekonomike, financiare të Serbisë, atëherë nuk është vështirë ta zgjidhim ekuacionin “e panjohur” se cili është projekti i diskutimit të brendshëm serb për Kosovën. Këto na i zbulon zoti Daçiç dhe synimi është e mbetet ndarja e territorit. Eshtë e njëjta strategji si ajo e dy shekujve të fundit, me objektiv krijimin e Serbisë së Madhe. Kjo strategji ka lënë pasoja tragjike në Kosovë, masakra masive, djegje e shkatërrime, përdhunime, burgosje, vrasje, pushkatime, për të cilat as është bërë as nuk do të bëhet ndonjë dialog i brendshëm në Serbi. Dialogu do jetë përsëri nga pozitat e shovinizmit serbo-madh! Në tavolinën e diskutimit të brendshëm do të jenë territoret e shqiptarëve në Kosovë!
Se do të këtë në Beograd e në Serbi një dialog të tillë na e dha sinjalin vetë kryetari i Bashkisë së Beogradit kur para katër ditësh i dha një bulevardi emrin provokativ “Heronjtë e Koshares”! Nuk ka nevojë të jesh kryeministër a president që ta lexosh mesazhin e kësaj sjelljeje diversioniste të Beogradit ndaj shqiptarëve. Ndërkaq qeveria serbe nuk hezitoi të dërgojë zjarrfikësit e saj “për shuarjen e zjarreve në Shqipëri”. Veçse të gjitha veprimet e saj në vijim të deklaratës së Vuçiç dëshmuan se angazhimi në terren për shuarjen e zjarreve në Shqipëri ishte dhe mbetet në sytë e opinionit publik si perde për të mos parë ndezjen e zjarrit për Kosovën në Beograd. Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve.
Me këtë projekt Serbia në vend të diskutojë me vetëveten, kërkon kompromis me palën shqiptare në stilin e Koshtunicës dhe të Tadiç se “Nuk mundet që njëra palë t’i marrë të gjitha dhe tjetra të mumbasë gjithçka”! Me dialog dhe “me kompromis” Beogradi kërkon zgjerimin e territorit të Serbisë, duke realizuar në paqe, atë që humbi në luftë! Nëse shqiptarët dhe institucionet e Kosovës pajtohen me këtë, atëherë do të jetë rasti i parë në histori kur në nënshkruajmë kapitullimin, sepse për çdo vend dhe shtet në botë territory është i shenjtë!
Që të mos ndodh kjo, institucionet e Prishtinës duhet të pozicionohen dhe t’i thonë jo Beogradit si dhe tolerancës së kryeministrit të Shqipërisë. “Patriotët e mëdhenj” që dogjen Kosovën për demarkacionin me Malin e Zi po heshtin në rastin e projektit serb për ndarjen e territorit të vendit. Këta “patriotë” ndoshta presin çastin që pasi të bëhet fakt ndarja e Kosovës të shijojnë ndonjë “referendum” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe atëherë të thonë “Ja, ky ishte projekti ynë! Fitore! Rroftë Edi Rama”! Dhe mbas reziltatteve negative të një referendum të tillë të struken në atë shtetin e cunguar të Kosovës, simbilet e të cilit ende nuk I njohin e të thonë :Ne e bëmë tonën, ishte vendimi I qytetarëve JO-ja për bashkim”! Kjo JO është aq e sigurt, sa e sigurt është se kryeministri I Shqipërisë nuk e dëshiron në asnjë rrethanë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1998 epskpertë të partisë së tij i kishin propozuar bashkësisë ndërkombëtare shkëputjen e veriut të Shqipërisë dhe bashkimin e tij me Kosovën, me qëllim që në rastin e ndarjes së Kosovës të kompensohej ajo.
Pra të gjitha shenjat tregojnë se prapa indicativës së Vuçiç fshihen dy djajë: Njëri ka të bëjë me atë që në Europë e në SHBA të besojnë në një Serbi “tolerante”, “të gatshme për dialog e lëshime” dhe tjetri ka të bëjë me dremitjen e shqiptarëve, e kam fjalën të politikës, elitës akademike, shoqërisë civile, aktorë këta që shohin “ëndërrën e gomarit”!
Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit. Ajo bazohet në platformën e të gjithë kryeministrave dhe presidentëve serbë të mëparshëm përfshirë Sllobodan Millosheviç, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica, Boris Tadiç e Tomisllav Nikoliç. Kjo lëvizje bëhet akoma më e rrezikshme për shkak se në deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë nuk ka një përgjigje të prerë, pa ekuivok. Ai thjesht thotë se ndarja e Kosovës nuk është racionale e nuk na çon asgjëkundi, ndërkohë që Daçiç e thotë hapurr se “Mosndarja na çon ën përdorimin e tankeve”! Një disproporcion i madh në qëndrimet e palëve.
Keqardhja e zotit Rama për zotin Vuçiç, “për vuajtjet” e tij për këtë dialog të brendshëm serb, është ose hipokrizi, ose idiotësi! Zoti Vuçiç, megjithëse pjesmarrës aktiv në luftërat e Serbisë në Boanjë e në Kosovë, së paku në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kërkoi ndjesë. Ndërsa kryeministri shqiptar “i kërkon ndjesë” atij, pse “qenka vënë në vështirësi” për nëj diskutim, të cilin e ndërmerr për interesat e tij e nga i cili dëshiron të rikrijojë në kushte paqeje Serbinë e Madhe, duke realizuar kështu ëndërrën e Milosheviçit.
Prandaj e shoh të domozdoshme që në Kosovë dhe në Shqipëri të ketë kohezion dhe institucionet tona të reagojnë përmes të gjitha mjeteve adekuate kundër politikës dhe projektit të tillë të Beogradit. Një diskutim brenda Kosovës ose brenda Shqipërisë është jo vetëm i panevojshëm, por madje i dëmshëm, sepse do të kanalizohej në drejtim të plotësimin të interesave të Serbisë në Kosovë. Thirrjen e zotit Rama për këtë lloj diskutimi e shoh si një prapavijë të politikës së presidentit të Serbisë, zotit Vuçiç. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që “keqardhjen” e zotit Rama për zotin Vuçiç, ta shndërrojnë në një aksion ndihme e solidariteti të shqiptarëve të Shqipërisë me serbët e Serbisë, kundër shqiptarëve të Kosovës!

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, për Vuçiç!, Rreziku i madh i propozimit serb për Kosovën dhe “keqardhjes”, së zotit Rama

“Mos ma prekni Kadarenë”! Miti dhe realiteti…

August 10, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

“Mos ma prekni Kadarenë”! – është një thirrje të cilën e lexova thënë nga goja e një njeriu publik në Kosovë! U ndala dhe bëra disa paralelizma: “Mos e prekni Skënderbeun”! – Ishte pasthirrma më e përhapur javëve të fundit, pasi atë e preku një opinionist mesatar i ekranit dhe mediave shqiptare në Shqipëri! Këngë pa fund titullohen “Mos ma prek flamurin”, “Mos ma prek trollin shqiptar”! Këto dy të fundit lidhen me simolika jofrymore, por që janë sinetza e përvojës njerëzores te një kombi, shqiptarët. Flamuri, atdheu, heroi kombëtar janë tri simbolikat kombëtare që i lidhin ën përgjithësi kombet ballkanike. Serbët nuk duan t’ua prekësh Car llazarin, Shën Savën,e Shën Stefanin, deri te Beteja e Fushë-Kosovës, me të cilën ata formuan mitin serb të viktimizmit, tradhëtisë dhe vetëmohimit! Maqedonët janë marrosur pas figurave të lashtësisë si Aleksandi I Madh apo Filipi II, megjithëse e dijnë mirë se nuk janë pasardhës të tyre! Por miti u duhet dhe atyre, ata thërrasin në ndihmë historinë e maqedonasve të vjetër vëllezër të ilirëve për të sunduar mbi shqiptarët! Personalisht besoj se mitet e vejtra ndër ballkanasit janë të mjaftueshëm, madje të tepërt që ne të përballojmë sfidat e kohëve tona moderne. Disa duan të krijojnë mite të reja ideologjike e joideologjike, bazuar në besimin fetar ose në ndonjë besim tjetër pagano-atdhetar! Pikërisht këto përpjekje për të krijuar “Mitin Kadare” kanë prodhuar antimitin Kadare! Çdo aksion e ka një lloj reaksioni. Prandaj diskutimi i sotëm për Ismail Kadarenë është kontravers e me plot kategorizime pohuese e mohuese. Natyrshëm lind dhe zhvillohet një debat i tillë në kushtet e një shoqërie që thirret në mite dhe frymëzohet prej tyre, duke u i ngjarë kështu një shoqëri arkaike, e cila ushqehet me ëndërrat e së shkuarës, duke harruar të tashmen e të ardhmen e vet! Mitet janë dualitet i së shkuarës në vetëdijen njerëzore. Ky dualitet ndërtohet nga pikëpamja shpirtërore në ndeshjen e ndërgjegjes njerëzore midis dy kategorive, dashurisë dhe të kundërtës së saj, frikës, e cila shkakton urrejtje, mohim të së vërtetës e deri hakmarrje! Nëse njohim mitologjitë aty do të gjejmë vetëm dy kategori njerëzish: Të mirin dhe të keqin, lindjen dhe vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen. Në mitologji nuk gjendët në asnjë rast një mundësi e tretë e artë për mendim, veprim dhe gjykim. Mitologjia përmbledh gjithnjë skenarët e betejave dhe luftërave, në të cilat gjenden përballë tyre dy palë e dy forca, në njërën anë dhunuesit, sunduesit, mizorët, në anën tjetër engjëjt, viktimat, nga njëra anë të mirët nga ana tjetër të këqinjtë, në antitezë me njëra-tjetrën drita me errësirën e kështu me radhë. Kështu ka ndodhur që në kohën e Evës dhe Adamit, midis të cilëve “hyri djalli”! Mitologjia është përpjekje e njerëzve për t’i imponuar ngjarjet komike e të zakonshme në vetëdijen e njerëzimit dhe për t’i shndërruar ato ngjarje e personazhet e tyre në qenie mbinjerëzore! Religjionet janë gjithashtu burim i përpunimit dhe përhapjes së teorive dhe ngjarjeve e personazheve mitologjike. Popujt që ushqehen me mitet dhe mitologjinë janë popuj të harruar në skutat e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Popujt e civilizuar e mësojnë historinë e kombit në mënyrë kritike dhe jo mitike, siç e mësojmë ende ne shqiptarët. Një histori që shkruhet mbi gojëdhëna dhe legjenda nuk është histori. Një lloj histori si kjo ka për qëllim dogmatizimin e shoqërisë dhe e pengon atë të shohë sfidat e kohës në të cilat ajo jeton. Eshtë karakteristikë e mendimit unitarist e totalitarist të ushqejë shoqërinë me ngjarje dhe personazhe mitike. E ndërsa bota e civilizuar ka heq dorë nga mitologjia si botëkuptim, por jo si shkencë, ka mendje të ndritura në Shqipëri që bëjnë thirrje të krijohen mite të reja. Si një prej këtyre na shpërfaqet edhe shkrimtari shqiptar i përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ismail Kadare. “Mos ma prekni Kadarenë”! – thirret me pskamë një analist antimysliman. Dhe jam i bindur se ka ndër këta që Kadarenë nuk e njohin për veprën e tij letrare, sa e njohin për replikat e shumta dhe qëndrimet e tij kundër Islamit dhe Turqisë. E shohin Kadarenë si ushqim për të kategorizuar ngjarjet, fenomenet, personazhet sipas skemës mitologjike të të mirit e të keqit, pa vënë në lëvizje mendimin, gjykimin, eksperiencën, dhe shkencën. Në këtë mënyrë përjetimi i ze vendit dijes, përceptimi kufizohet në formën e disa ndijimeve dhe e vërteta nuk merr formë asnjëherë. Nga ana tjetër, duke hymnizuar njerëzit e duke i shndërruar ata në mite të gjalla ose jo të gjalla, humbet mundësia për të shkuar tek e vërteta. Njeriu që vihet në kërkim të së vërtetës është njeriu i kohës. Njeriu i të vërtetave i bën shërbimin më të madh kombit e shoqërisë. Dhe e vërteta del në pah përmes debatit. Ndërsa debate kërkon argument, fakte, të dhëna, gjithëpërfshirjen e ngjarjeve dhe personazheve të tyre. Aktualisht diskutimi kontravers për Kadarenë dhe veprën e tij, një diskutim që erdhi në jetë nga përpjekja e grupimit të rrjetit të madh kadareistë, për ta shndërruar shkrimtarin ashtu të madh, në një shkrimtar hyjnor e madje edhe në një personazh hyjnor. Me këto përpjekje të çmendura për ta shkëput shkrimtarin nga realiteti në të cilin ai ka jetuar dhe ka prodhuar letërsinë e tij, në vend që t’i vihen vetullat, duket se u krijua mundësia që disa t’i turren shrimtarit për t’ia nxjerrë sytë. Kësisoj erdhi në publik letra e shkrimtarit për korrektoren e veprave të tij, e motrën e tij, Kadrije Kadare, e cila në përkushtimin e saj për të vëllain dhe famën e tij jo vetëm desh përfundoi në burg, por mbeti edhe pa familje! Eshtë ndoshta sakrifica e motrës për vëllain, një rit ky që meriton të renditet edhe në mitologji. Grupimi i hyjnores në raport me Ismail Kadarenë është përgjegjës pse reagimi i kundërt ndoshta e tepron kur kërkon varrosjen e tij dhe veprës që ai ka krijuar. Sepse psh nëse për serbët Beteja e Fushë – Kosovës është një mit, për shqiptarët është antimit. Nëse ajo betejë ka diçka të vërtetë që duhet parë me objektivizëm, serbët e zhveshën nga njerëzorja dhe nxitën shqiptarët që ta shohin si të keqen e historisë së tyre për ekzistencë. E njëjta gjë ndodh në çdo rast kur tentohet të krijohen mite. Kjo po ndodh për fat të keq edhe në rastin e Kadaresë. Prandaj duhet besuar në realitetet që ekzistojnë, edhe kur ato cënojnë integritetin e shkrimtarëve ose njerëzve të mëdhenj. Ndryshe shoqëria shqiptare vetëm sa polarizohet dhe askush nuk mund të mbërrijë kurrkund!

Filed Under: Opinion Tagged With: “Mos ma prekni Kadarenë”!, Enver Bytyci, Miti dhe realiteti

E djatha shqiptare, Lulzim Basha dhe kundërshtarët e tij në PD

July 16, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Prej disa javësh në kampin e demokratëve po zhvillohet një betejë. Duke e vështruar nga larg ajo duket si një betejë për keun e Partisë Demokratike. Në substancë mbetet një luftë gladiatorësh se kush prej njërës palë ta fusë ose rifusë në dorë partinë më të madhe opozitare të sotme, e quajtur ndryshe si partia që themeloi pluralizmin politik në Shqipëri, që e çoi vendin në Këshillin e Europës, mbylli Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me BE-në, çoi në liberalizimin e vizave dhe e anëtarësoi Shqipërinë në Aleancën më të madhe të globit, NATO. Do të mjaftonin këto arritje që Partia Demokratike të bashkohej në qëllimet e përpjekjet e saj për të qenë edhe në të ardhmen jo vetëm pretenduese e pushtetit, por një subjekt politik i dëshmuar për një qeverisje të suksesshme, pavarësisht gabimeve të saj. Po të analizojmë rezultatin e votimit të vitit 2013 e deri te ai i 25 qershorit të këtij viti, duket qartë se kemi të bëjmë me një asimitri midis vizionit dhe përkushtimit të Partisë Demokratike për zhvillimin e Shqipërisë dhe numrave të saj në parlamentin shqiptar. Kjo diferencë kërkon një analizë të plotë, të veçantë, serioze, pa inate, pa hakmarrje, pa përjashtimin e palëve që sot janë në konflikt me njëra-tjetrën. Jam nga ata që e ndjek çdo ditë debatin në mesin e demokratëve. Përpiqem te secili që shfaqet në ekran të gjej pikën e fortë e të dobët të tij në fushatën që zhvillohet. E ndërkohë më është dashur të rikthehem në retrospektivën e zhvillimeve në Shqipëri e në PD gjatë këtyre 27 viteve, me qëllim që të shkoj deri te një analizë dhe përfundim logjik. Me të dy palët kam ndarë jetën time të një çerek shekulli, jo si politikan, por si studiues i politikës. Me disa kemi qenë kolegë në media, me disa të tjerë në fushatat elektorale, diku jemi takuar në përpjekjet për të dhënë ekspertizën tonë për çeshtjet e zhvillimit të vendit. Pra, nga kjo pikëpamje e kam shumë të vështirë të mbaj një qëndrim ndaj palëve, aq më pak të qëndroj mbi palët. Por kjo nuk më pengon të jap disa mendime, të cilat në ndërgjegjen time i shoh si të sinqerta. Së pari: Asnjëra palë, as zoti Basha, as zoti Selami, as grupi që i kundërvihet procesit, nuk shoh që të elaborojnë pikëpamjen dhe domozdoshmërinë e pozicionimit të qartë të Partisë Demokratike si parti konservatore e së djathtës. Ideja se me këtë pozicionim zvoglohet elektorati është ideja më rrënuese e PD-së dhe drejtuesve të saj. Madje këtë ide dhe mentalitet do ta quaja një klishe të së majtës, e cila ka mundur t’i bindë demokratët se “Shqipëria është e majtë”?!!! Një absurditet ky që ka zvogluar dhe dobësuar përpjekjet e PD-së për suksesin e saj politik dhe elektoral. Me logon “Shqipëria është e majtë”, PS dhe partitë e saj simotra në këtë vend kanë krijuar mitin e “pathyeshmërisë’, veçmas nëse e majta është e bashkuar. Prej këtij momenti fillon dështimi i Partisë Demokratike. Madje ky dështim merr shpesh herë format e pragmatizmit politik të flirtimit, kontrabandimit, blerjes e shitjes së deputetëve me mazhorancën e majtë, pa folur për votat e votuesit. Sot Majlinda Bregu paska drekuar me Vlahutinin. Nuk do shihja asgjë të keqe, nëse do ta kisha parë zonjën Bregu të shqetësuar e të përkushtuar për fatin e Partisë Demokratike, sa për fatin e qeverisë së zotit Rama. Ndërkaq shumë e ndoshta shumica e atyre që janë në krah të Bashës, Selamit apo Astrit Patozit i shoh aty jo si idealistë, por si njerëz pragmatistë që udhëtojnë nga një parti te tjetra, nga një fraksion te tjetri për interesa personale, për përfitime politike dhe materiale e financiare. Ata që e kanë shitur PD-në disa herë në këtë një çerek shekulli janë bashkuar rreth Astrit Patozit dhe akuzojnë Lulzim Bashën se paska shitur PD-në te Edi Rama. Ndërsa disa të tjerë, që Lulzim Basha i mban afër, si ish drejtorin e policisë bashkiake, përsëri qëndrojnë pranë tij për të përfituar materialisht dhe jo për idealizmin e tyre konservator. Ky konglomerat pragmatistësh e materialistësh militantë nuk i lejon grupet që të dalin me programe politike të djathta dhe konservatore para anëtarësisë së kësaj partie. Pikëpamja se “Çfarëdo të bëjmë ne, fitorja do jetë e së majtës”, është një pikëpamje disfatiste dhe kjo buron nga fakti se as Lulzim Basha, as Eduard Selami dhe as Astrit Patozi nuk kanë shfaqur deri tani një projekt ambicioz konservator për zhvillimin e Shqipërisë. Nëse do të ndërtohej një platformë konservatore në modelin euro-atlantik dhe sipas eksperiencës së të djathtës shqiptare nga viti 1920 e këtej, atëherë do të kishim një Parti Demokratike më solide, më të orientuar, më të bashkuar, me më pak fraksione dhe me më shumë konsensus brenda saj. Së dyti, ashtu si në ballafaqimin politik pozitë-opozitë edhe në këtë betejë brenda PD-së duket se politika te ne di të bëjë mirë vetëm një gjë: – Të denoncojë gabimet e palës tjetër dhe të mos marrë përgjegjësi për veten e saj. Debati politik është ndërtuar i tillë: – O burra të sulmojmë Lulzim Bashën dhe ta denigrojmë atë. Lulzim Basha ka faje dhe përgjegjësi të padiskutueshme. Ai nxiti dhe i çoi deri diku disa iniciativa politike të rëndësishme në pikëpamjen e zhvillimeve politike në Shqipëri, siç ishte dekriminalizimi, pengimi i kryeminisrtit për të kapur drejtësinë, lufta kundër krimit, drogës e trafiqeve dhe u përpoq të sensibilizojë opinionin e brendshëm e të jashtëm për deformimin e votës së shqiptarëve. Por në katër vite nuk u kujdes për të riorganizuar Partinë Demokratike, që ajo të funksionojë si një e tërë nga kryesia e deri te seksioni. Madje katër vjet i la disa degë në ditë të hallit. Si kryetar i PD-së ai solli një program politik konkret, por pa një frymë, dhe shumë vonë. Lulzim Basha ra në kurthin e Edi Ramës, së paku kaq di unë, jo kur nënshkroi marrëveshjen me të, por kur i lejoi vetes të bëhej bashkëfajtor për vjedhjen dhe deformimin e votës, edhe pse e dinte se nuk kishte ansjë fuqi praktike ta ndalonte këtë. Se një ministër i brendshëm, pa mandat për të urdhëruar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pa nisur punën do të dështonte. Shih si tallet një sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arësimit me ministren teknike që Basha dërgoi aty. Basha është në krye të PD-së për të bërë llogari të sakta dhe për të marrë vendime të drejta në favor të partisë që drejton. Edhe mënjanimi i forumeve të partisë ishte gafë e tij. Aq sa mundej ai kishte mundësi të bashkëvepronte. Por a mund të kthehet beteja për kreun e PD-së në një betejë sulmesh për gabimet që bëri Basha, duke mohuar disa fakte pozitive të punës së tij?! Eshtë një nga absurdet e markës shqiptare. Aq më tepër këtë e bëjnë ata që janë më shumë përgjegjës për dështimet sesa për sukseset, pasi për t’i ngrënë kokën kryetarit, i vune gurë nën rrota. Prandaj kjo betejë është e pandershme, e pakalkuluar qartë. Dhe kjo rrejrdh nga fakti se asnjëra palë nuk frymëzohet nga filozofia e të djathtës, nga doktrina politike konservatore e evolucionit. Ndërsa hiqemi të djathtë dhe konservatorë, bëjmë të fortin dhe udhëhiqemi nga dokrinat e majta revolucionare, se kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari duket si më e dobishme për eleminimin e kundërshtarit. Një parti, cilado qoftë ajo, që pranon luftën përjashtuese të rivalëve brenda saj, ajo ka probleme me programin, me doktrinën, me orientimin, pozicionimin e saj. PD është një përzierje e të gjitha rrymave dhe pikëpamjeve për politikën, por ende nuk është e nuk e di deri kur nuk do të bëhet përfaqësuese e denjë e konservatorizmit në Shqipëri, për të synuar që e gjithë popullsia e këtij vendi të ngrihet në shtresën e mesme e në statusin e të pasurve, si bartëse e kësaj filozofie.

 

Filed Under: Politike Tagged With: E djatha shqiptare, Enver Bytyci, kundërshtarët e tij, Lulzim Basha dhe, në PD

“Genocidi” gjuhësor ndaj identitetit shqiptar

July 7, 2017 by dgreca

“Genocidi” gjuhësor ndaj identitetit shqiptar dhe heshtja sui generis e shkencës albanologjike!/

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi/

Ne vitin 1998-1999 profesori shqiptar ne SHBA, Miftar Spahija solli ne shtepine time botuese “Koha” te botoje romanin “Hasimja” me 1200 faqe.
Punova vete disa kohe me kete roman, jo vetem e lexova, por edhe u mora pjeserisht edhe me redaktimin e korrektimin. Me beri pershtypje dialekti lumjan me te cilin eshte shkruar ky roman nga ana e Prof. Miftar Spahise. Por mbi te gjitha fjalori aq i pasur ne gegerishten lumjançe. Nga nje studim i siperfaqshem me doli se mbi 2000 fjale dialektore nuk i kishte Fjalori i Gjuhes Shqipe i hartuar nga dhjetra akademike dhe i botuar nga Akademia e Shkencave te Shqiperise ne kohen e diktatures.
Aftesia e perdorimit te kaq shume fjaleve te reja te paperdorura e te panjohura nga gjuhesia shqiptare eshte e e autorit Miftar Spahija. Por nga ky fakt duhen veçuar dy aksioma:

1. Se pari se gegnishtja eshte nje e folme e atyre qe shkenca antropologjike i kosnideron “Gjigande”, pra e gegeve dhe se kjo e folme eshte origjinale, e paster, e pasur, e trasheguar qe nga pellazgjikja. Kjo do te thote se gegnishtja eshte gjuha e pare ne Ballkan dhe ne Europe, madje siç thote Aref, gjuha me te cilen ka folur Zeusi, eshte gjuha e kohes se atlanteve.

2. Prej ketej rrjedh idiotesia se si vete ne shqiptaret nen trysnine e diktatures komuniste e tjetersuam kete vlere, kete gjuhe te paperseritshme ne historine e kombeve. Se si ne vete kryem nje akt “genocidi” gjuhesor, por kunder vetevetes, kunder qenies sone, kunder identitetit tone, kunder tiparit tone me dallues e me krenues!

Per me teper me ben pershtypje se pse shkenca albanologjike nuk deshiron te ngrihet mbi veten e ta pranoje fajin ideologjik te kurorezuar ne kongresin e Drejtshkrimit te vitit 1972. Akoma me shume eshte rast sui generis fakti qe gjuhetaret dhe shkenctaret e albanologet e Kosoves ku eshte levruar gegnishtja heshtin e madje e mbrojne ate kongres famekeq qe i hoqi bazen shkencore dhe identitare te formimit te gjuhes shqipe permes gegnishtes! Madje ka prej tyre qe ngrejne ne piedestal “unifikimin” e atij Kongresi famekeq, qe shkaterroi bazat e identitetit tone kombetar!
Te heqesh nga perdorimi, madje ta injorosh edhe ne rrafshin e studimeve shkencore gjuhen e Homerit te shekullit VII-VIII para Krishtit, eshte me shume sesa krim kombetar!
Hija e diktatorit dhe e diktatures, hija e Kongresit kriminal ne kulturen shqiptare te Drejtshkrimit i vitit 1972, i ndjek pas te gjithe gjuhetaret dhe albanologet shqiptare! Shans i madh qe merren me studimin e gegnishtes shkenctaret e huaj dhe na kujtojne se “Na ishte njehere nje gjuhe, e cila flitej para lashtesise dhe kjo eshte gegnishtja”!

Filed Under: Komente Tagged With: "Genocidi" gjuhësor, Enver Bytyci, ndaj identitetit shqiptar

Një replikë për të mirën e Albana Xharrës!

June 26, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga  Enver Bytyçi/ Albana Xharra ka shkruar para disa muajsh egër kundër Sali Berishës dhe ky i fundit ka reaguar vetë ndaj kritikave dhe shpifjeve të saj dashakeqëse. Prandaj nuk jam prononcuar aso kohe. Sot Albana, në ditë të keqe për Partinë Demokratike të Shqipërisë, është marrë prapë me Sali Berishën, duke aluduar se edhe për këtë humbje “fajin e ka Saliu”! Po për çfarë “faji të Saliut” shkruan ajo? Sipas saj Partia Demokratike e Shqipërisë ka humbur, sepse Berisha i paska thënë asaj “Ndrikull” dhe “Nëna e Zeqos”!! Kështu Albana gjithçka e rrotullon rreth kërthizës së saj, edhe humbjen e PD-së, të cilën prej sot katër vitesh nuk e drejton Berisha, por zevendësi i tij, Lulzim Basha. Aq shumë na ishte gëzuar Albana për këtë humbje, sa nuk sheh humbjen katastrofale që ajo i shkaktoi PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e lëshuar atë krahasuar me vitin 2014 shumë më poshtë sesa rënia e Partisë Demokratike krahasuar me vitin 2013. Nëse bëjmë këto krahasime, atëherë vërejmë se partia e Albanës ra me 14 deputetë e Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të bjerë me 5-6 deputetë. Dhe Albana e kërthizës së botës nuk merret me veten e partinë e saj, as me ndikimin negative që pati anëtarësimi i saj në PDK, por inatin e shfryn te Sali Berisha! Aq maniake e pakontrollueshme është, aq egoiste dhe arrogante shfaqet ajo! Kam shkruar shpesh, duke shpjeguar se “Egoizmi ka në themel hakmarrjen”. Përfundimisht shënimi i Albanës në mënyrën si është shkruar, me cinizmin e saj të pafre e të pakontrolluar, na dëshmon se ajo është e rrezikshme, njësoj siç është i rrezikshëm për shoqërinë çdo person egoist, që në vend të arësyetimit dhe gjykimit ve urrejtjen dhe hakmarrjen primitive. Rreziku i njerëzve të tillë rritet, nëse kemi parasysh se kjo kategori personash janë mjaltë për shërbime të caktuara në arritjen e qëllimeve që ato kanë në raport me Kosovën, Shqipërinë apo shqiptarët! Ndërsa sa i përket shpifjeve të saj të kaluara për kontributet, veprimtarinë dhe bëmat e Sali Berishës, ia siguroj asaj dhe çdo kritiku tjetër se historia do t’i shkruajë ato me realizëm pa u ndikuar aspak nga egoja e sëmurë e një njeriu që kujton se është kërthiza e botës, si Albana Xharra! Shkodranët thonë “T’u rittë mendja djalo!”, unë po të paralajmëroj Albana: “Mos hyp në majë të thënës se rrëzohesh një ditë e mund ta nxjerrësh gopin”! Dhe nuk e di nëse bëhesh apo nuk bëhesh soj, edhe po e nxore këmbën mbas qafe, duke nxjerrë gopin nga vendi! Kështu Bacë, meqenëse të pëlqen shumë ky nocion! Pse jo, edhe: -Kështu mixhë! Mos hapro, se ze n’thue e thyen qafën!

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Albana Xharrës!, Enver Bytyci, Një replikë për të mirën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT