• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diferenca e PD-së dhe Flamur Hoxhës me kundërshtarin politik ….

June 17, 2017 by dgreca

…duhet të përkthehet në votë/

Nga Enver Bytyçi /

1 Flamur-400x400

Në Foto; Kandidati për Republikën e Re, Flamur Hoxha/

Nesër pas një jave Shqipëria do të votojë. Bashkë me Shqipërinë do të votojnë edhe qytetarët e Kamzës, Paskuqanit dhe të Bathores e gjithë qarkut të Tiranës, të cilët kanë përballë tyre përfaqësuesit e dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Demokrati Flamur Hoxha kësaj radhe përballet me oligarkun socialist, Sadri Abazi. Diferenza midis tyre nuk është thjesht ideologjike, as në alternativën që përfaqësojnë. Ajo shkon përtej kësaj. Sadri Abazi është përfaqësues i oligarkisë politike e financiare që kryeministri i Shqipërisë e instaloi më 2013-ën në parlamentin shqiptar. Ai është abuzuesi më i përfolur me fondet publike, pikërisht për shkak të privilegjit të të qenit deputet i partisë së rilindjes në pushtet. Flamur Hoxha është kandidat për deputet, me një përfaqësim dinjitoz, larg lobeve dhe oligakisë së llojit çfarë Rilindja instaloi. Sadri Abazi është një person pa ndonjë kualifikim serioz, pa dije, pa kulturë, i dhënë thjesht mbas kulturës së rendjes pas tenderave dhe koncensioneve shtetërore. Flamur Hoxha është bartës i një kulture të trashëguar me shekuj nga paraardhës të shkolluar, që i kanë dhënë shumë emancipimit të shoqërisë shqiptare. Ai vetë është produkt i një përkushtimi të jashtëzakonshëm për të realizuar projekte të paimagjinueshme. I shkolluar madje në Itali, i stërvitur në shkollën moderne të biznesit, i papajtueshëm me fenomenin e të bërit biznes dhe lidhjes së suksesit me pjesmarrjen në pushtet. Sadri Abazi erdhi në politikë pas dështimit në biznes, edhe pse kurrë nuk hoqi dorë nga fshehja e taksave dhe bilancet dublikatë. Flamur Hoxha vjen në politikë pas një suksesi të paimagjinueshëm në beznesin ekonomik. Sadri Abazi e shijon suksesin tek fitimi, tek paratë që grumbullon. Flamur Hoxha e shijon atë kur rrit punësimin, kur zgjeron prodhimin, kur rrit cilësinë, kur kënaq shijet dhe kërkesat e konsumatorit. Ndërkohë thelbi i diferencës qëndron në principet e ndryshme sa i përket përmbajtjes humane të biznesit. Sadri Abazi mund të japë para për zyrtarë të shtetit, me qëllim që t’i korruptojë ata për përfitime të shumëfishta nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Mund të japë para edhe për t’u kandiduar si deputet dhe kjo ka ndodhur rëndomë. Flamur Hoxha është filantrop, ka një botë tjetër shpirtërore. Ai ndihëmon nevojtarët, mbi të gjitha ndihëmon trurin e kombit, investon në krijimtarinë letrare, në zhvillimin e shkencës e të mendimit shkencor dhe si i tillë shfaqet në politikë si një njeri që kërkon mandat për ta thelluar këtë veprimtari fisnike, që në përgjithësi i mungon biznesit shqiptar. Flamur Hoxha ka kuptuar thelbin e zhvillimit të një kombi: – Vetëm bashëkpunimi i biznesit me trurin mund ta zhvillojë një komb. Nëse ai sot shihet si një nga dallëndyshet e para të konceptit modern të zhvillimit të kombit shqiptar në apektin e kontributeve në zhvillimin e kulturës e të dijes, në të vërtetë është dhe mbetet frymëzim për gjithë shtresën e biznesit shqiptar. Shqipëria në statistikat ndërkombëtare renditet si vendi i fundit në rajon sa i përket kontributeve që jep biznesi në këtë fushë. Kjo ka ndodhur se një pjesë e madhe e biznesit shqiptar ndjek modelin e Sadri Abazit si pasqyrë mediokre te zhvillimit të vendit. Ndërsa Flamur Hoxha vjen në politikën shqiptare si një model krejt i ri, me një frymëzim të veçantë, me një përkushtim atdhetar, me një dedikim human. Kjo direfencë në formimin dhe veprimtarinë e të dy kandidatëve, atij demokrat dhe atij socialist, do të duhej të pasqyrohej në votat e 25 qershorit. Duke qenë se diferenca midis Flamur Hoxhës dhe Sadri Abazit është si maja e malit me fundin e detit, atëherë po kaq i madh do të duhej të ishte hendeku i votave që merr secili prej tyre në Kamzë, Paskuqan, Bathore dhe në të gjithë qarkun e Tiranës. Ndërkaq diferenca midis dy subjekteve politike është po kaq ose edhe më e madhe sesa diferenca që të dy këta kandidatë për deputetë kanë midis tyre. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare me Flamur Hoxhën përfaqësojnë Republikën e Re me taksa të ulura, me ndryshime rrënjësore strukturore në funksionimin e shtetit të së drejtës, me përkushtim ndaj ligjit dhe të drejtës njerëzore, me lidhje të qëndrueshme me SHBA-të dhe Bashkimin Europian, me politika të ekuilibruara të zhvillimit. Republika e Vjetër e Rilindjes, të cilën e përfaqëson Sadri Abazi, është dhe mbetet Republika e mashtruesve, e oligarkëve që nuk lënë kacidhe të buxhetit të shtetit pa e keqpërdorur dhe përvetësuar, Republika e koncensioneve për miqtë dhe shokët, Republika e kanabisit, e trafiqeve dhe e krimit të organizuar, Republika e diferencimit në trajtimin e shoqerisë shqiptare, Republika e ushtrimit të dhunës dhe padrejtësive. E nga të gjitha këto, nuk ka asnjë dilemë se çfarë e kë duhet të zgjedhin shqiptarët si dhe banorët e qarkut të Tiranës, parasëgjithash Kamzës, Bathores dhe Paskuqanit.

Filed Under: Politike Tagged With: Diferenca me kundershtarin politik, Enver Bytyci, Flamur Hoxha

Harta e re e qeverisjes në Kosovë dhe fatipolitik i Isa Mustafës

June 15, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Në Kosovë po vijon debati për krijimin e qeverisë së re. Të drejtën e e mandatit për qeverisje e ka partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota dhe sigurisht që kjo ka të bëjë me partitë PDK-AAK-Nisma. Presidenti i vendit ka detyrim kushtetues t’i japë mandat këtij koalicioni që ai ta krijojë qeverinë e re. Po a do të mund ta bëjë këtë Ramush Haradinaj?! Eshtë pak e komplikuar. Atij nuk i mjafton vetëm lista serbe, e cila ka deklaruar se nuk do të koalicojë me këtë grupim. Me listën serbe dhe pakicat e tjera numri i deputetëve në parlament shkon në 59. Zotit Haradinaj i duhen 61 vota për t’u bërë kryeministër. Nuk po hamendësoj për ndonjë abstenim në radhët e PDK-së, e cila e ka traditë krijimin e vështirësive në kësi procesesh. Atëherë atij i duhet si partner LDK ose Vetëvendosje. Të dyja këto parti kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi e zotit Veseli. Vetëvendosje për shkaqe të pozicionit të saj antikorrupsion, program të cilin ia paraqiti elektoratit të saj. Ndërsa LDK për shkak të paqëndrueshmërisë së koalicioneve të mëparshme fajëson për këtë pikërisht PDK-në. Megjithatë ka eksponentë të LDK-së që do të duan ta realizojnë për të disatën herë një koalicion LDK-PDK, në rastin konkret edhe me AAK-në dhe Nismën. Këta zëra mesa duket duan që të nxjerrin nga përgjegjësia e humbjes kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Zoti Mustafa nuk kandidoi në listën e deputetëve të LDK-së. Fillimisht kjo u mor si modesti e tij. Në fakt po rezulton se ai nuk donte të thellonte dështimet e mëparshme. Po të kandidonte do të merrte aq vota sa Sabri Hamiti e Vjosa Osmani do të ishte shume më lart se sa kreu u partisë. Në këto kushte Vjosa do të kishte asin nën mëngë për ta larguar menjëherë Isën. Ndërsa moskandidimi ia ka krijuar atij mundësinë që të mjegullojë situatat. Në këtë lloj mjergulle ai dhe përkrahësit e tij nxisin partinë të bëjë koalicion me PDK-në, me qëllim që zoti Mustafa t’i thotë anëtarësisë së “Ne nuk kemi humbur, ne jemi në pushtet”. Ndoshta ai ka ofertë nga zoti Veseli për detyrën e kryetarit të parlamentit ose të zv.kryeministrit. Zoti Veseli do ta dëshironte shumë një bashkëqeverisje me zotin Mustafa, sepse e sheh atë si aleat për të eleminuar një ditë në formën e një puçi institucional kryeministrin e kandiduar, zotin Haradinaj. Pra në këtë pikë përputhen interesat dhe intrigat e politikës së djeshme. Por LDK duhet të ndryshojë, duhet të rinovohet, duhet të ketë një lidership të ri, i cili të afrojë figurat kontribuese të saj, të bashkëpunojë me këto figura, t’i respektojë ato, sepse në këtë mënyrë respekton trashëgiminë e saj dhe veten e saj. Në këto kushte një koalicion me PDK-në do të ishte vetëvrasje. Do të pengonte për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe do ta sillte në një situatë të eleminimit si parti parlamentare. Më e mira është që LDK të mësohet të qëndrojë në opozitë. Në këtë mënyrë do të rritej, do të freskohej, do të kishte kohë dhe mjete të mjaftueshme për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të Kosovës. Ndërkaq një koalicion i saj me Vetëvendosjen nuk do t’i sillte dëmet që sjell një koalicion me PDK-në, gjithësesi do bëhej pengesë për rritjen e saj. me Vetëvendosjen PDK ka më shumë afërsi sesa me PDK-në. Lidhja Demokratike ka qenë besnike e koalicioneve, ka programe progresive zhvillimi në ekonomi, kurse Vetëvendosja ka një vrull të padëshmuar për qeverisje. Kombinimi i eksperiencës së LDK-së dhe vrullit të Vetëvendosjes do të ishte mundësia e vetme e zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm të Kosovës. Në këtë kuptim, është interes i Kosovës që LDK dhe Vetëvendosje të bëhen bashkë për qeverisjen e vendit. Por do të ishte interes i LDK-së qëndrimi i saj në opozitë, duke e lënë Vetëvendsjen t’i bashkëngjitet koalicionit ë partive të dala nga lufta. Megjithatë një koalicion midis Vetëvendosjes dhe LDK-së do të vinte në rend, vetëm pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re. Kjo natyrisht kërkon kohën e vet, por jo pa limit. Më pas duhet ardhur te formula Vetëvendosje-LDK, gjithnjë nëse Albin Kurti do ta refuzonte një lidhje me PDK-në, siç edhe ka deklaruar. Skemën për të pranuar zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm zoti Kurti nuk ka gjasa që ta pranojë. Me LDK-në ai është e do të duhet të jetë kryeministër i vendit, së paku përmes një rrotacioni 2+2 vite. Këtë skemë mund t’ia ofrojë edhe PDK, por nuk ka për ta pranuar zoti Haradinaj. Përfundimisht duket se qeveria e re do të ketë dy aktorë, njëri i ri, Vetëvendosja, dhe tjetri i vjetër, LDK plus pakicave. Me këtë numër deputetësh vendimmarrja në parlament do të ishte solide dhe e pacënuar. PDK, AAK dhe Nisma do të mbeteshin në opozitë, e ndërkaq me kalimin e kohës mundet që zoti Hardinaj dhe zoti Limaj të shkëputeshin prej opozitës, duke iu bashkëngjitur koalicionit qeverisës. Kosova do kishte kështu një shans më shumë për të ndryshuar në rrugën e zhvillimit dhe integrimeve euro-atlantike. Natyrisht që zoti Kurti do të duhet të pozicionohet qartë në vijën politike të njohjes dhe konsolodimit të shtetit të Kosovës, gjë që kushtëzon edhe ndryshimin e koncepteve sa i përket bashkëpunimit rajonal, si kusht i integrimeve Euro-Atlantike.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Enver Bytyci, fati politik i Mustafes, Harta e re qeverisjes

Disa mësime nga rezultati i zgjedhjeve në Kosovë

June 13, 2017 by dgreca

1 zgjedhjet Kosove

Moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes./

1 enver BytyciNga Enver Bytyçi/ Kosova e filloi dhe e përfundoi procesin e zgjedhjeve parlamentare në një hark kohor shumë më të shkurtër sesa Shqipëria. Edhe rezultati zgjedhor në Prishtinë iu njoftua publikut në një kohë rekord, çka deri më sot nuk ka ndodhur në Shqipërinë e një tranzicioni të gjatë e të vështirë. Kësaj radhe ankesat për parregullsi ishin minimale, gjë që i jep legjitimitet të plotë rezultatit zgjedhor, ndërkohë që Shqipëria asnjëherë nuk u shkëput nga sindromi i kontestimeve dhe dyshimeve për manipulimin e procesit zgjedhor. Të gjitha këto diferenca në kryerjen e zgjedhjeve çojnë edhe në krijimin e një hapësire diferencuese në sistemin e qevereisjes, sepse në përgjithësi zgjedhjet dhe legjitimiteti i tyre përcakton gjithashtu sistemin e qeverisjes në katër vitet e ardhshme . Ndërkaq rezultatet zgjedhore nxorën Lëvizjen për Vetëvendosje si parti të parë në Kosovë. Nisur nga kjo, moralisht të drejtën për qeverisje do të duhej ta kishte Vetëvendosja, edhe pse ligjërisht PDK-ja bashkë me koalicionin e gjerë të saj ka më shumë vende në parlamment sesa Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës ishte zhgënjim i madh, sepse për herë të parë u rendit në vendin e tretë, pas PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kjo erdhi si rezultat i konsumimit të saj në një bashkëqeverisje të gjatë dhe si pasojë e një drejtimi jo efektiv nga ana e lidershipit të saj, drejtim që ka favorizuar grindjet e brendëshme dhe krijimin e disa fraksioneve. E vetmja gjë pozitive që mund të shënohet në këtë fushatë zgjedhjesh ishte kandidimi i një kryeministri të ri për zgjedhjet parlamentare. Asgjë tjetër nuk u pa si faktor inkurajues që LDK të ishte parti fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit. Por jo më pak humbëse mund të konsiderohen partitë e dala nga lufta. PDK e zotit Thaçi mori rezultatin më të ulët në dekadën e fundit, nën 30 përqind. Ndërkohq që një ulje të ndjeshme pësoi edhe AAK e zotit Haradinaj dhe Nisma e zotit Limaj. Koalicioni i partive të dala nga lufta nuk morën të gjitha së bashkë aq vota sa kishte marrë PDK e vetme në zgjedhjet e vitit 2014. Në këto kushte presidenti Thaçi është i detyruar që të mandatojë koalicionin e kryesuar nga partia e tij, me zotin Haradinaj si kryeministër. Natyrisht që ai këtë do ta bëjë me dëshirë të madhe. Por ky koalicion nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve që të krijojë qeverinë e re. LDK dhe Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi. Mesa duket besueshmëria politike e nivelit të ulët në partneritetin me PDK-në ka zhbërë mundësinë e krijimit të një aleance midis këtij grupimi politik dhe dy partive që vijnë pas saj. Kurse votat e deputetëve minoritarë, sidomos atyre serbë mund të kushtëzohen me moskandidimin e zotit Haradinaj për postin e kryeministrit. Por edhe sikur ata të jepnin përkrahjen e tyre për koalicionin e PDK-së me partitë e tjera, numri i deputetëve shkon në 59, nderkohë që një koalicion i mundshëm Vetëvendosje-LDK me 61 deputetë do të siguronte votimin e një qeverie të re. Sipas të gjitha gjasave Vetëvendosja dhe LDK i kanë të gjitha shanset të krijojnë një qeveri të re me Albin Kurtin kryeministër. Por edhe në këtë rast mbeten dy çeshtje për diskutim: Së pari, nëse LDK mbetet në qeverisje ajo do të konsumohet edhe më tej dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të konsolidojë përfundimisht qenien e saj në vendin e tretë. Ndaj dhe interssi politik i LDK-së është e duhet të jetë të qëndrojë në opozitë, me qëllim që ajo të reformohet dhe të krijojë një bazë solide për të ardhur në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse ajo qëndron përsëi në pushtet rrezikon të mos reformohet e për pasojë të shndërrohet në një dekor të papërfillshëm për partitë politike të shumicës. Së dyti, një problem tjetër që dëmton këtë koalicion ka të bëjë me reagimin e pakicës serbe në parlament, sa e gatshme do të jetë ajo të bëhet pjesë e një qeverisjeje me kryeministër Albin Kurtin, i cili në platformën e tij politike është shprehur kundër dialogut me Serbinë, megjithëse nuk e ka kontestuar asnjëherë dialogun me serbët e Kosovës. Deputetët e pakicës serbe në fakt janë në dilemë: Aq sa nuk besojnë te zoti Haradinaj, thuajse në të njëjtën masë nuk i besojnë as zotit Kurti. Megjithatë LDK-në mund ta shohin si garanci për interesat e tyre e për këtë arësye mundet që bashkësia ndërkombëtare të imponojë një koalicion qeverisës, pjesë e të cilit të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Duke u ndalur te ndikimi i ndërkombëtarëve, mund të thuhet se ata do ta dëshironin kësaj radhe ta shihnin në qeverisjen e vendit koalicionin e PDK-së me zotin Haradinaj kryeministër dhe për këtë do të duhej t’i bënin presion LDK-së të merrte pjesë në këtë qeverisje. Kjo për shkak se një pjesë e komandantëve të luftës do të përfundojnë në gjyqin special dhe qenia në pushtet e partive nga ata vijnë e favorizon dhe lehtëson këtë proces. Por ndërkombëtarët do të pranonin edhe pjesmarrjen e vetëvendosjes, me kusht moderimin e qëndrimeve të saj sa i përket raporteve rajonale në politikën e jashtme. Zoti Kurti ka mundësi që të moderohet në këtë aspekt edhe për faktin se e njeh mjaft mirë teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por do t’i duhet të heqë dorë nga një vijë politike dalluese të përdorur në opozitë e për pasojë edhe të lëkundë besueshmërinë te qytetarët. Nga ana tjetër Vetëvendosje shihet si çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në Kosovë. Në këtë kuptim ajo do ta luante këtë rol në paritet, nëse Albin Kurti do të merrte postin e kryeministrit të vendit. Kësisoj Vetëvendosja do të testohej për premtimet e saj në këtë aspekt. Vështirë është të thuhet se Vetëvendosje do ta luante këtë rol në një koalicion me PDK-në të akuzuar prej saj në vijimësi për abuzim me pushtetin, aq më tepër me një kryeministër të nominuar nga vetë PDK. Nga e gjithë ajo çfarë zhvillohet në periudhën postzgjedhore duhet besuar se natyrshëm, pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re, ky besim do t’i jepej automatikisht liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Nëse vijmë deri te ky akt ritunë të kërkuar nga ligji, atëherë natyrshëm do të rezultonte një koalicion i Vetëvendosjes me LDK-në. Këtë formulë do ta favorizonte edhe Isa Mustafa, sepse pjesmarrjen në qeveri do të shiste te anëtarësia e tij si sukses për t’i shpëtuar ndëshkimit për humbjen e tij të pakontestueshme. Tiranë, 13.06.2017

Filed Under: Politike Tagged With: Disa mësime nga rezultati, Enver Bytyci, i zgjedhjeve, ne Kosove

Pas sondazhit gjerman Thaçi thërret në ndihme Ramën!

June 7, 2017 by dgreca

1 enver BytyciNga Enver Bytyçi/Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkuar dje në Tropojë, por nuk ka denjuar të qëndrojë gjatë, sepse i duhej të drekonte në Gjakovë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Para pak ditësh në një prezantim Rama u foli disa pjesmarrësve nga Kosova me shprehjen e dikurshme “miqtë tanë kosovarë”, por në Gjakovë ai e ka takuar zotin Thaçi “vëllazërisht”! Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe që dy liderë shqiptarë të takohen “vëllazërisht”. Por të jesh vëlla me presidentin dhe “armik” me kryeministrin e Kosovës, ky do të quhej paradoks dhe absurditet! Në këtë kontekst takimi i Gjakovës mesditën e 6 qershorit 2017 do të shënohet si një ngjarje tipike politike dhe elektorale. Sipas konceptit marksist e stalinist aleatët ideologjikë janë sekt “vëllezërish”! Si të tillë u takuan në Gjakovë kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës. Ndoshta ishte një takim i papritur, i diktuar nga sindazhi i fundit i kompanisë hulumtuese gjermane SDR për zgjedhjet në Kosovë. Ky sondazh nxjerr si fitues të zgjedhjeve në Kosovë të datës 11 qershor kandidatin për kryeministër të LDK-AKR-Alternativa, Abdullah Hoti me 40.4 përqind të votave, ndërkohë që kandidati i zotit Thaçi, pra Ramush Haradinaj, renditet i dyti me 34.2 përqind dhe Albin Kurti i treti me 25.4 përqind. Po ashtu edhe në përgjigjen e pyetjes se “Kush është më i ndershëm nga kandidatët për kryeministër, Hoti ka fituar 27.30 përqind, Kurti 25.30 dhe Haradinaj 21.90 përqind të votave të atyre 3000 qytetarëve që janë pyetur në Kosovë. Interesant është gjithashtu testi i besueshmërisë, pra se cili prej kandidatëve është më i besueshëm. Edhe në këtë test garën e fiton kandidati i LDK-së, Abdullah Hoti me 30.12 përqind, ndërkohë që Albin Kurti vlerësohet me 24.10 pikë dhe Ramush Haradinaj me 19.10 pikë. Rënia e liderit të përndjekur nga Beogradi në kuotat më të ulëta të besueshmërisë sesa rivali i tij I LDK-së duket se lidhet me qëndrimet e dyfishta të tij ndaj Partisë Demokratike të zotit Thaçi, të cilën tashmë e kryeson zoti Kadri Veseli. Anketimi me shifrat e lartpërmendura duket se ka përmbysur pritshmëritë dhe ka prishur humorin e presidentit Thaçi. Në vend të një fitoreje të sigurt të menduar pas koalicionit të gjerë me AAK-në dhe Nismën, PDK duket se ka shënuar rënie në vlerësimin e opinionit publik. Në zgjedhjet e kaluara edhe pse me disa aleatë të parëndësishëm, ajo mbajti vendin e parë në rezultatin zgjedhor, ndërkohë që kësaj radhe rrezikon të jetë në vendin e dytë, duke siguruar statusin e të qenit në opozitë. Pse ka ndodhur një përmbysje e tillë? Së pari, qytetarët e Kosovës nuk e kanë pritur mirë “pabesinë” politike të PDK-së, e cila pasi siguroi të gjitha privilegjet e marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në, e prishi koalicionin, duke e dërguar vendin për të dytën apo të tretën herë në zgjedhje të parakohshme. Kjo kulturë politike e moskorrektësisë në sjelljen me partnerët politikë shihet nga votuesit e Kosovës si shenjë e paqëndrueshmërisë jo vetëm në karakter e në moralin politik, por edhe si premisë negative për konsolidimin e institucioneve të Kosovës. Para 15 vitesh kam shkruar se intuita politike dhe disiplina politike e shqiptarëve në Kosovë e bashkë me këtë edhe kultura e tyre politike është në një nivel shumë më të lartë sesa e shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni e gjetkë ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Prandaj dhe ata nuk pajtohen me hilet, prapaskenat, mizaskenat, intrigat dhe nërskëmbsat në marrëdhëniet politike në një koalicion të caktuar. Për ta ilustruar këtë do të doja të sillja një situatë të hamendësuar: Imagjinoni Edi Ramën të bënte një fushatë elektorale batutash në Kosovë, çfarë e bën në Shqipëri! Do të merrte jo më shumë vota sa kishte marrë në vitin 2000 partia e Rexhep Qosjes. Por kjo do të ndodhte në Kosovë, nuk ndodh në Shqipërinë e frustuar që rend pas më të fortit e jo pas më të drejtit e më të urtit! Së dyti, për të njëjtën arësye shqiptarët në Kosovë duket që nuk i besojnë koalicionit PDK-AAK-Nisma. Ata u gjendën papritmas përballë një koalicioni, në të cilin vunë re ambicjen për kreun e ekzekutivit dhe jo afërsitë programore ose bashkëpunimin tradicional. Pikërisht kjo i bën votuesit kosovarë skeptikë ndaj këtij koalicioni parazgjedhor. Së treti, ishte abuzimi me pushtetin dhe ligjet e Kosovës nga ana e disa eksponentëve të PDK-së, arësyeja kryesore e “ndëshkimit” elektoral, të cilin e parashikon kompania gjermane SDR. Ndërkaq është më interes të thuhet pse Abdullah Hoti është më i besueshëm, më i ndershëm dhe shihet si kryeministër i ardhshëm i Kosovës? Ndoshta zoti Hoti do të kishte kuota më të larta vlerësimi, nëse nuk do të shihej si “hije” e Isa Mustafës. Por duket se shqiptarët në Kosovë besojnë se me marrjen e detyrës së kryeministrit ai do të dijë të shkëputet nga influenca e tij, madje besojnë se do ta marrë nën drejtimin e tij Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zoti Hoti edhe pse anëtar i Kabinetit Mustafa si ministër i financave, është i papërfolur sa i përket ndonjë afere korruptive. Ai shihet gjithashtu si një personalitet i urtë, i matur, i aftë në menaxhimin e financave të vendit. Ndërkaq qytetarët e Kosovës kanë ndjesinë se tashmë do të duhet t’i besojnë një brezi të ri politikanësh me shpresën se ky brez do t’i ndryshojë gjërat dhe do të hapë një faqe të re të perspektivës së shtetësisë. Dhe këtu ka diçka reale e substanciale. Abdullah Hoti i takon një gjenerate pa komplekse, pa paragjykime, i pa mësuar me kategori të tilla psiqike negative si urrejtja, inati, hasmëria, për pasojë krijon mundësitë për krijimin e një harmonie dhe ekuilibri të ri në shoqërinë politike të Kosovës. Si bartës i disa tipareve pozitive, zoti Hoti u jep njerëzve energji positive, çka do të thotë i bën ata të jenë optimistë dhe të motivohen në veprimtarinë konkrete të së tashmes. Nisur nga këto premisa sondazhi e ka shqetësuar kryetarin de facto të PDK-së, presidentin e Kosovës, zotin Thaçi, e për pasojë ai ka thirrur në ndihmë kryeministrin shqiptar, zotin Rama. Po sa mund ta ketë ndihëmuar atë kryeministri a Shqipërisë, pavarësisht takimit “vëllazëror” në Gjakovën e 6 qershorit, takim që ka për synim të reflektojë demonstrimin e forcës “së bashkimit” ideologjik për përfitime elektorale?! Kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, nëse kemi parasysh reagimet e ministrave të zotit Thaçi, (të Enver Hoxhajt psh) ndaj kryeministrit Rama, atëherë mund të thuhet se impakti i këtij takimi nuk do të jetë aq pozitiv. Nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma shihet në aparencë si “repart antiserb”, marrëdhënia e ngushtë e zotit Rama me zotin Vuçiç flet për një imazh tjetër. Kjo do të thotë se mesazhi që jep zoti Rama dhe ai mesazh që jep koalicioni i zotit Thaçi në Kosovë nuk konvergojnë. Dmth se besueshmërinë ndaj zotit Haradinaj nuk mund ta rrisë një drekë e këndshme midis presidentit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Për rrjedhojë nuk do të pritet që zoti Hoti të dobëzohet në pozicionin politik që ka fituar. Abdullah Hoti pritet që t’i prijë rezultatit zgjedhor dhe është për t’u besuar se ai do ta ndryshojë pozitën e brendshme të Kosovës si dhe raportin e ngrirë që ajo trashëgon në raportet e saj me faktorin vendimmarrës ndërkombëtar si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Pas sondazhit gjerman Thaçi, RAMEN, thërret në ndihme

“Të Paekspozuarit” – Jozefina kundër Jozit!!!

June 3, 2017 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi /

Josefina Topalli u shfaq në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipitshumë e ashpër me Lulzim Bashën. Por jo vetëm më kryetarin e PD-së, ajo në thelb e tillë u shfaq edhe me Partinë Demokratike. Nga mënyra si foli, nga stili, etiketimet, akuzat, kritikat, Josefina m’u duk mbrëmë njësoj e mllefosur sikur të ishte përballë Gramoz Ruçit e Skënder Gjinushit. Megjithë përpjekjet e Fatos Lubonjës dhe të Robert Rakipllarit për ta ndalur turrin e saj, Jozi nuk u ndal asnjë çast, sulmoi ashpër dhe pa mëshirë kryetarin e Partisë Demokratike për gjithçka. Kandidatët për deputetë i cilësoi si pjestarë të familjës Basha. Çadrën, Republikën e Re, Partinë Demokratike, gjithçka e konsideroi “të rreme”?! Madje nuk nguroi të shprehë arrogancën e saj kur tha se “Më ktheni statutin, me ktheni forumet dhe une ju kthej kusur Bashen”. Ndërkaq u përpoq që ta ndajë Bashën nga Berisha, jo vetëm duke bërë diferencën në metodën e drejtimit të PD-së, por edhe në çeshtjet e vendimmarrjes së fundit për marrëveshjen me Partinë Socialiste të Edi Ramës, gjë të cilën vetë lideri historik e ka përgenjështruar.. Që të bësh një rezyme të asaj që Josefina tha mbrëmë në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, duhet shkruar gjatë. Por aq sa shpreha më lart, besoj së përbën bërthamën e debatit të ri që ka lindur në Partinë Demokratike pas shpalljes së kandidatëve për deputetë prej zotit Basha. Të them të drejtën pas shpalljes së listave, kur në to pashë disa ish-ministra, thashë se mund të kishte vend edhe Jozi dhe Astrit Patozi. Vetëm kaq! Më pas besimi te Jozi u venit brenda pak orësh, sepse ajo bashkë me Ben Imamin dolën dhe kërkuan të mblidhen forumet e PD-së për të shkarkuar kryetarin?! Në kulmin e fushatës?! Menjëherë mu shfaq pyetja e natyrshme: A mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit nga kushdo qoftë ai, thjesht për faktin se emri i tij nuk gjendet nuk gjendet në listat e kandidatëve për deputetë?! Nëse ky emër do të gjendej në këto lista, siç ndodhi psh me Lefter Maliqin, kush do të siguronte se Jozi nuk do jepte dorëheqje e përsëri të kërkonte shkarkimin e kryetarit?! Prandaj u dorëhoqa nga mendimi se “Jozi do të duhej të ishte në listë”! Por jo vetëm për këtë. Edhe për faktin se Josefina ka ardhur direkt nga Shkodra në majë të Partisë Demokratike, me një të kaluar të admirueshme për këtë parti, por pa ndonjë sakrificë në emër të saj. Më shumë se 20 vite I ndriti fati dhe korri të gjitha provilegjet e pushtetit legjislativ. Madje disa herë edhe duke kërcënuar liderin historik, ndërkohë që mbrëmë u përpoq të thoshte se ‘Berisha nuk di gjë për ato që ndodhin në PD”. Kaq shumë vitë në Partinë Demokratike nuk ishin pak për të krijuar dhe Jozi tarafin e saj, ku bën pjesë dhe një grup gjigand pushtetarësh, shumica prej të cilëve edhe pse nuk u kandiduan nuk kanë guximin të dalin hapur kundër ose në mbrojtje të Partisë që u dha pushtet e pasuri. Ndonjë prej tyre gjithë jetën në PD, prej fillimit të viteve ’90, e ka sharë dhe atakuar Dr. Berishën në stilin e tij, në formë anekdotash e thashethemesh, 30 herë në ditë, me njerëz të formatit të ndryshëm, ndërkaq që bënte pjesë në klan-pushtetin e Jozefinës. Kurse Jozi është shfaqur në publik si fansja më e madhe e doktorit. Diçka kontradiktore duket kjo, por më duhet të besoj se grupimi i Jozit nuk ishte grupim idesh dhe idealesh, përkundrazi një grup i njëjtë me modelin e të gjithë politikanëve të të gjitha partive në pushtet në vendin tonë. Gjatë gjithë këtyre viteve ajo krijoi imazhin e “zonjës së hekurt”. U ballafaqua ashpër me partitë kundërshtare, sidomos kur ishte në opozitë. Krijoi një staturë të sajën kur iu desh të ballafaqohej me publikun. Edhe mbrëmë ta jepte këtë përshtypje. Por çfarë mund të lexosh përtej kësaj? Jozefina ishte mbrëmë e frustuar, agresive, e pamëshirshme dhe dukej se kishte akumuluar shumë urrejtje, mllef, gati-gati e shihte Lulzim Bashën si armik. E vërteta është se ajo kurrë nuk e ka dashur Bashën. Dua të besoj për shkak të egos së pushtetit, për të mos patur konkurentë në Partinë Demokratike. Moskandidimi ia preu të gjitha shpresat se mund të rikthehet ndonjë ditë në pozitën e pushtetit që kishte më parë. Bashkë me pushtetin humbasin kështu edhe përfitimet që rrjedhin prej tij. Veç kësaj ndjesia e humbjes së autoritetit politik e bën të mos e pranojë sfidën. Në fakt në paraqitjen e mbrëmshme u duk sikur ajo po sfidon, por më duket se pashë fundin e përpjekjeve për sfidë të mirëfilltë. Pikërisht pamundësia për të sfiduar e bën Jozin aq agresive dhe të papajtueshme me “humbjen”, aq sa të akuzojë Bashën për shitjen e kandidimeve, një ves që është përfolur dikur për ndonjë nga grupi i klanit të Jozit, sidomos në rastin e kandidimeve për bashkitë e komunat. Gjithçka në emisionin dhe fjalën e Jozefinës dukej qartë si një komunikim pa projekt, pa ide, pa alternativë, sidomos në kushtet kur vendi ndodhet në proces elektoral për zgjedhjen e parlamentit të ri. Dukej “e shqetësuar” për demokracinë në parti, kur demokracia në partitë shqiptare ka marrë fund edhe me votën e Jozit. Ajo që prisnin dhe presin demokratët lidhet me rritjen e përpjekjeve të opozitës dhe PD-së për të fituar zgjedhjet e 25 qershorit. Lënia menjëanë e pakënaqësive është imediate për këdo, hatërmbetës, ambicioz, apo i menduar si kundërshtar i kreut të kësaj partie. Në demokraci asnjë lider nuk gëzon simpatinë e të gjithëve atyre që e rrethojnë. Por lufta brenda vetes nuk ka ndodhur ndonjëherë të fillojë në kulmin e fushatës elektorale. Vetëm një ego e shkallës më të lartë, e pariparueshme mund ta shtyjë njeriun deri në këtë pikë. Jozefina i është përvesh punës të luftojë kundër Lulzim Bashës, ende pa njohur rezultatet e tij të 25 qershorit. Në fakt ajo po e ndihëmon zotin Basha, sepse Jozi është vënë kundër vetë Partisë Demokratike dhe në këto kushte nëse ajo humbet zgjedhjet, përgjegjësinë do të duhet ta mbajë Jozi. Në këtë mënyrë Jozefina i është kundërvënë Jozit dhe jo kryetarit Basha. Në vend të priste datën 26 qershor, Jozi i dogji etapat, përfundimisht u vu kundër Partisë Demokratike dhe u duk qartë se ajo më 25 qershor ose nuk do të shkojë të votojë, ose do të shkojë të votojë një parti tjetër e jo Partinë Demokratike. Mesa duket Jozi nuk e ka mësuar aksiomën e Eskilit, sipas të cilit “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e saj”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Jozefina kundër Jozit!!!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT