• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse Isa Mustafa u përplas kaq ashpër me Edi Ramën?

December 3, 2015 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/ Isa Mistafa u ka terheq vëmendjen politikanëve qeveritarë të Tiranës që të rrijnë larg ngjarjeve në Prishtinë e të mos nxisin konfliktin në kryeqytetin e Kosovës. Në të vërtetë kjo deklaratë do të duhej qortuar në kushte normale të sjelljes dhe marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Por fatkeqëisht nuk ndodh kështu. Nuk ndodh më që prej më shumë se dy vitesh që përfaqësuesit dhe ekspertët e të dy vendeve tona të punojnë së bashku për axhendat e shumta që ato kanë. Nuk vjen më presidentja e Republikës së Kosovës, kryeministri apo zv. kryeministrat që të bisedojnë qoftë dhe larg kamerave për çeshtjet më me rëndësi të zhvillimeve në Kosovë e të marrëdhënieve të saj me Serbinë e shtetet e tjera të rajonit. Vinin dikur, madje pa u ekspozuar dhe Ylli Rakipi ka shansin t’i ekspozojë në emosionin e tij. Vinin e bisedonin me ish-kryeministrin Berisha e të tjerë ekspertë të këtij vendi, konsultoheshin, dëgjonin njëri-tjetrin dhe përcaktoheshin për qëndrimet që do të mbaheshin. Ka ndodhur kjo rëndom para se Rama të shfaqej në shoun e tij mediatik për “kthesën historike në marrëdhëniet midis Kosovës e Shqipërisë”. Por pas këtij shou mediatik dhe zhurmës së “mbledhjeve” të përbashkëta të të dy qeverive, gjithçka u zhduk, siç zhduket një flluckë sapuni. Sot kryeministri i Shqipërisë ka shpallur si aleat të tij Albin Kurtin. Ai mbron dhunën në parlamentin e Kosovës, sepse Albin Kurti i ngjan Edi Ramës, atij ish-kryeopozitari që dhunoi pamëshirshëm institucionet e shtetit shqiptar. E mbron për militantizmin e tij majtist, e mbron se themeluesi i Vetëvendosjes në Kosovë i duket si vetja e tij, anarkist, pa principe, demagog, spekullant me arësyetime të huazuara nga Edi Rama. Sigurisht që kreu i qeverisë shqiptare ka shumë të përbashkëta me aleatin e tij ideologjik në Prishtinë. Kanë të përbashkët etiketimin që i bëjnë aleatëve perendimorë, talljen e mosbesimin ndaj tyre, mburrjen me parimin “e mbështetjes në forcat e veta”, guximin për të sfiduar investimin amerikan dhe europian për ndërtimin e hartës së re gjeopolitike në Ballkan, ku shqiptarët dolën më të fituarit. Më pas kanë të përbashkët “luftën guerile”, aksionin e dhunshëm dhe fshehjen e qëllimeve të vërteta, luftën për pushtet. Isa Mustafa u kutoi udhëheqësve të Tiranës zyrtare se ata nuk kanë tagër të kujdesen e të japin këshilla për Kosovën, për shkak të dhunës që ata kanë ushtruar më 1997 kundër institucioneve të shtetit. Për herë të parë ose ndoshta për herë të dytë jam dakord me Isa Mustafën dhe e përshëndes guximin e tij për të thënë disa të vërteta të hidhura, por që duhen artikuluar, si një mësim i mirë për anarkistët dhe dhunuesit e institucioneve të shtetit. Megjithatë kjo nuk duhet përdorur si çertifikatë për burgosjen e opozitës. Nuk ndodhi kështu as më 1997-ën në Shqipëri. Por ai goditi në shenjë kur dha deklaratën e sipërpërmendur, kur i kujtoi Mimi Kodhelit se ju jeni ata të ’97-ës. Mimi u përpoq të luante rolin e Anton Çetës dhe këtë rol mund ta çonte deri në fund, nëse ajo do t’u thoshte politikanëve të Prishtinës se ajo dhe partia e saj janë autorët kryesorë të divergjencave dhe konflikteve kryesore në Shqipëri. Nuk ka asgjë të keqe të reflektosh. Por jo të predikosh e të luash rolin e priftiti, kur vetë je e zhytur në mëkat. Prandaj reagimi i Isa Mustafës pati vlerë të shumëfishtë. Kjo nuk do të thotë se kryeministri i Kosovës duhet të adresohet te dhuna për të zgjidhur krizën politike në vend. Kjo nuk e justifikon arrestimin e gjithë atyre deputetëve të opozitës, edhe pse ata kanë shkelur ligjin. Aq më pak ka tagër ta bëjë këtë një kryeministër që duhet mësë pari të ndëshkojë të korruptuarit dhe bashkëpunëtorët në krim e në trafiqe brenda radhëve të mazhorancës. Por ajo që ai tha për palën shqiptare ishte vërtetë mbreslënëse, e drejtë, e vërtetë. Ishte e tillë, sepse qeveria e Edi Ramës e ka injoruar Kosovën. Ai ka krijuar një lidhje të shkurtër me Beogradin dhe dëshiron që të marrë rolin e De Golit përballë një Aleksandër Vuçiç, i cili dëshiron të vetëquhet Adenauer. Ndërkaq midis De Golit dhe Adenauerit nuk kishte një Kosovë në mes. Rama dëshiron ta injorojë vendin e Kosovës në konfliktin shqiptaro-serb dhe kërkon miratimin verbal të Prishtinës dhe mbështetjen e saj në rolin e mesisë. Ai i ka dhënë fjalën homologut të tij serb se do ta injorojë, do ta mënjanojë dhe do ta zhbëjë faktorin Kosovë në marrëdhëniet e tij me Beogradin. Pikërisht kjo sjellje e ka acaruar jo vetëm Isa Mustafën, por edhe ish-mikun e Ramës, Hashim Thaçi. Dikur, më 2001, aleati i Ramës në qeverisje, Ilir Meta, i thoshte homologut të tij serb, Zoran Xhinxhiç “Hajde të punojmë bashkë e ta largojmë Rugovën nga pushteti, të sjellim Thaçin dhe do të të ndihëmoj t’i zgjidhësh problemet me Kosovën”. Tani Rama i thotë Vuçiçit “Hajde të punojmë bashkë ta largojmë Thaçin nga skena politike dhe të sjellim Albin Kurtin, me qëllim që të kesh ndihmën time për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb”. Dhe zgjidhjen e kanë të gatshme. Albini me radikalizmin e tij do të lehtësojë diplomacinë serbe në përpjekjet e saj ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës, ndërkohë që Rama e Albini do ta reklamojnë si nacionalizëm bashkimin e Kosovës së mbetur me Shqipërinë. Ky skenar duket se është tashmë prezent në tavolinën e politikanëve në Kosovë, prandaj ata kanë dalë kaq hapur e kaq ashpër kundër paternalizmit të Tiranës zyrtare ndaj zhvillimeve politike në Prishtinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, me Edi Eamën, Pse Isa Mustafa, u përplas kaq ashpër

Modeli autoritar i shtetit në festën e pavarësisë së shqiptarëve

November 30, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /Më 28 nëntor të këtij viti, pra ditën e pavarësisë së shqiptarëve, Kosova e thelloi ndarjen politike dhe krijoi kushtet për një krizë pa kthim. Themeluesi i Vetëvendosjes dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prangos nga ana e policisë së shtetit në zyrat e partisë që ai themeloi, pas një daljeje publike në manifestimin e 28 nëntorit. Prangat iu vunë edhe 95 aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Por shumica dërmuese prej tyre tashmë janë të lirë, përveç zotit Kurti, për të cilin masa e arrestiti është caktuar për 30 ditë. Policia bëri gjithashtu kontroll në zyrat e partisë dhe tha se aty u gjetën mjete, me të cilat ka operuar Vetëvendosja në Kuvend, si gazlotsjellës, sprajt, maska, e të tjera si këto. E njëjta kishte ndodhur në Shqipëri më 28 nëntor të vitit 2000, kur politika urdhëroi policinë e Tropojës të qëllonte kundër gjimnazistëve në protestë në këtë qytet dhe vrau një protestues e plagosi disa të rinj. Më pas, në orën 01.30 të natës policia ndali në kryeqytet kreun e opozitës, e rrethoi atë dhe e shoqëroi për në zyrat e drejtorisë së policisë së Tiranës. Sigurisht kushtet e rrethanat ndryshojnë. Por të bën përshtypje fakti se si guxon politika të përdorë 28 nëntorin për të ndëshkuar opozitën?! Prej këtij rasti dhe prej rastit të Kada Bujupit qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk dëshiron ta zgjidhë konfliktin përmes dialogut dhe kompromisit. Eshtë e vërtetë se Albin Kurti dhe deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin kur përdorën gazin lotsjellës në parlament. Eshtë gjithashtu e vërtetë se Vetëvendosja dhe partitë e tjera opozitare e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës me veprimet që bëjnë në parlament. Eshtë po ashtu e vërtetë se edhe mos pranimi në UNESKO, veç fajeve dhe përgjegjësive të diplomacisë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, është pasojë gjithashtu i këtij imazhi që përhapi opozita e Kosovës nëpër botë. Por një imazh akoma më të keq përhap qeveria e Kosovës, korrupsioni qeveritar dhe ai në drejtësi, tarafi dhe nepotizmi, favoret në tendera dhe në përdorimin e fondeve publike. A duhet që më parë se Albin Kurti të ishin në qeli të gjithë hajdutët e Kosovës?! Sigurisht që po. Atëherë më e pakta është se arrestimi i Albin Kurtit e Kada Bujupit është zbatim selektiv i ligjit në Kosovë. Mund të thuhet se në rastin e korrupsionit qeveritar “mungojnë provat”. Gjithmonë mungojnë provat, kur ato i administrojnë vetë hajdutët e kriminelët. Prandaj kjo nuk është arësye për të justifikuar kapjen e shtetit nga njerëz që punojnë për xhepin. Një shtet, një polici, një prokurori, një gjykatë, të cilat të gjitha së bashku ose veç e veç zbatojnë ligjin në mënyrë selektive, ky shtet nuk konsiderohet as shtet ligjor, as shtet i së drejtës. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë shtete të kësaj kategorie, kanë ndërtuar piramidën e ushtrimit politik e selektiv të së drejtës. Kjo është arësyeja pse arrestimi i Albin Kurtit do ta thellojë krizën politike në vend. Albin Kurti dhe veprimet e tij nuk po gjenin përkrahje te qytetarët, sepsë askush nuk dëshiron të bëhet kurban i politikës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan se kauza e opozitës nuk ishte e qartë dhe sidomos metodat e saj të dhunës ishin jo demokratike. Ky ishte lajmi më i mirë gjatë javëve e muajve të fundit në Kosovë, sepse nga pjesmarrja dhe mbështetja e qytetarëve varet drejtësia e kauzave politike. Ndërkohë ishte lajm i mirë edhe për shkak se qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen e të mos e lejojnë veten të keqpërdoren nga politika. Por nuk është me vend që mospërkrahjen e publikut qeveria ta shfrytëzojë si të drejtë të saj në vendimet që ajo merr e të dhunojë opozitën. Ndërsa arrestimi i 28 nëntorit ka mundësi që ta përkeqësojë këtë tregues, të rrisë mbështetjen e qytetarëve ndaj Vetëvendosjes, sepse ata nuk mund të pajtohen me dhunën e shtetit, aq më tepër në një ditë të shënuar kombëtare siç ishte dita e shpalljes së pavarësisë. Në një farë mënyre ky akt do ta shndërrojë zotin Kurti në një hero, duke i dhënë atij një vend të pamerituar në historinë tonë kombëtare. Aq më tepër në një vend e në një rajon kur heronjtë i thërrasin në skenë simbolikat dhe jo aktet që ata bëjnë për atdheun e për kombin. Qeveria e Mustafës dhe Hashim Thaçit me aktin e 28 nëntorit kanë përgatitur dështimin e plotë të qeverisjes së tyre. Nga frika, apo nga përceptimi se ata e kanë të drejtën në anën e tyre, këtë do ta provojë koha. Por se e drejta qëndron në anën e qeverisë, kjo nuk më rezolton e saktë, pasiqë kësaj qeevrie i ka munguar transparenca me qytetarët e saj sa i përket vendimeve që ajo ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes së Asosacionit serb dhe vijës kufitare me Malin e Zi. Askush nuk është i qartë se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto dy marrëveshje dhe me ose pa qëllim, këtë nuk e ka qartësuar as vetë opozita, e cila i kundërshton ato me retorikë patriotike. Kjo është arësyeja pse qeveria tashmë është e dështuar plotësisht dhe sa më shpejt të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë është për Kosovën dhe banorët e saj. Por le të presupozojmë se policia dhe prokuroria e Kosovës me arrestimet e tyre po zbatojnë ligjin. Po sikur pas këtyre dy deputetëve që gjenden prapa hekurave të përdorin gazlotsjellës në parlament deputetë të tjerë të opozitës, a do të thotë kjo se të gjithë deputetët e opozitës do të arrestohen?! A ka llogari politike në këtë aksion politik të qeverisë? Si mundet ajo që të burgosë të gjithë opozitën?! Ku ka ndodhur që pushteti të sillet kësisoj ndaj demokracisë, përveçse në vendet tipike diktatoriale e autoritare? Atëherë duhet të shkojmë te pasoja tjetër. Nëse burgoset opozita, çfarë sistemi ka ndërmend të aplikojë qeveria Thaçi-Mustafa?! Një sistem diktatorial apo autoritar të tipit rus?! Nëse ndodh kjo, lind pyetja se sa i sinqertë është konstatimi i zotit Thaçi se “prania ruse në rajon është rrezik për popujt ballkanikë”?! Apo kur bëhet fjalë për korrupsion, krim, veprim selektiv të ligjit na pëlqen modeli rus, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe sovranitetin na pëlqen të mbështetemi te Perendimi, SHBA-të dhe BE!!! Ky konflikt konceptesh, pretendimesh, modelesh, përcaktimesh, sjelljesh duhet të marrë fund. Por nuk besoj se këtij konflikti e këtij modeli i japin fund udhëheqës politikë e shtetërorë të korruptuar e të lidhur me interesa oligarkike, ashtu siç nuk besoj se Albin Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre, mund të sjellin ndonjë zhvillim të ri në politikën dhe qeverisjen e Kosovës, nëse ata marrin një ditë pushtetin. Sjellja arrogante në opozitë shumëfishohet me marrjen e pushtetit. Këtë po na e dëshmon përditë shembulli i Edi Ramës në Shqipëri. Kjo është arësyeja pse diplomacia shqiptare hesht në rastin e zhvillimeve në Kosovë, një heshtje e dubluar nga heshtja e Beogradit, e cila të vë në dyshim se mos midis dy kryeqyteteve ballkanike ka një marrëveshje të heshtur për heshtjen. Për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet besoj se është në integritetin e parlamentit të votojë amnisti për të gjithë ata që kanë shkelë ligjin gjatë protestave kundër marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi dhe të miratojë njëkohësisht një program bashkëpunimi politik për të çuar deri në fund transparencën dhe rishikimin e të gjitha vendimeve përkatëse. Pozita dhe opozita do të duhet të angazhojnë ekspertët e tyre më të mirë për të sqaruar eten dhe publikun rreth këtyre marrëveshjeve. Më pas do të duhej të shihej mundësia e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje përfundimtare për ta vënë vendin në binarët e një shteti normal. Ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike në pushtet ose në opozitë të përcaktoheshin qartë dhe prerë në interes të shtetindërtimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e sovranitetit të vendit, duke përcaktuar si ëlëmentë themelorë të reformave drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe transparencën e bashkëpunimin politik. Shkurt, nuk është e mjaftueshme ta duam SHBA-në dhe BE-në vetëm me fjalë e retorikë, por me vepra dhe qëndrime rigoroze demokratike në respekt të lirisë së qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i shtetit në festën e pavarësisë, Modeli autoritar, se shqiptareve

Situata në Kosovë dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!

November 19, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Këto dy ditët e fundit situata në Kosovë është tensionuar në kulm. Në parlament dhe para policëve opozita nuk përdori kësaj radhe vetëm gazlotsjellës, por edhe sprajt helmues. Madje vetë sprajthedhësja, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiaj, u dëmtua nga sprajti dhe gazi, sa u detyrua të shkojë në dyert e spitalit.
Përsëri autorë të gazit e sprajtit ishin deputetët Albin Kurti, Kada Bujupi, Albulena dhe një tjëtër protagonist i VV. U bllokuan punimet e parlamentit, buxheti i shtetit për vitin që vjen gjithashtu është bllokuar. Kërkesa e opozitës vazhdon të jetë anullimi i marrëveshjes së Asosacionit të komunave serbe dhe i marrëveshjes me Malin e Zi për kufirin. Ne vend të debatit e argumentit të munguar, në rrugët e Prishtinës ka protesta që shoqërohen me gurë e mjete të forta nga demonstruesit si dhe me gazlotsjellës nga ana e policisë. Gjykata ka urdhëruar arrestin e katër deputetëve, për shkak të të cilit një prej të cilëve, zonja Bujupi, tashmë gjendet në paraburgim, ndërsa tre deputetët e VV kanë ikur në drejtim të paditur, për t’u shfaqur ditën djeshme në protestë bashkë me përkrahësit e tyre e përsëri për t’u fshehur në ndonjë vrimë. Isa me Thaçin ia hypën avionit, se i kishte thirrur Mogerini në Bruksel. U takuan edhe me presidentin e Komisionit, Junker. Ndoshta për ta vazhduar pajtimin “historik” me Serbinë.
E si për çudi, në Beograd askush nuk është shqetësuar për atë që ndodh në Kosovë, edhe pse sa herë presidenti, kryeministri e shefi i diplomacisë serbe flasin, deklarojnë se “Kosovo e Metohi është territor serb”. Edhe unë kam filluar tani të besoj se “Kosova po shndërrohet pak nga pak në një territor serb”. Po të mos ndodhte kjo, pra nëse gazi, sprajti, protesta, korrupsioni i qeveritarëve, përfshi dhe këta të opozitës që kanë qenë në pushtet, do ta largonin Kosovën nga Beogradi e nga Serbia, me siguri që politika, akademia, kisha serbe do të jepnin alarmin. Përkundrazi, askush nuk ka folur kundër veprimeve të Albin Kurtit, madje duket se në Beograd ka një entusiazëm të justifikuar për atë që bën Albini në Prishtinë kundër institucioneve të Kosovës. Askush në Beograd nuk është shfaqur i shqetësuar për faktin se politikanët e qeveritarët, me përjashtime natyrisht, janë zhytur në korrupsion dhe basjkëpunojnë me krimin ekonomik, pa përjashtuar dhe bashkëpunimin me mafien serbe.
Beogrqdi po i vëzhgon ngjarjet në Prishtinë më një qetësi të pazakontë për të. Ndërsa në veriun e Kosovës, të cilën “e mbron” Albini, ekstremisti serb, Dardan Molliqaj është shfaqur solidar për ato që Vetëvendosja po kryen në Prishtinë. Si qeveria me korrupsionin dhe kapjen prej tij, ashtu dhe Vetëvendosja me arrogancën e dhunës kundër institucionit të parlamentit po i bëjnë Serbisë shërbimin e paimagjinueshëm disa vite më parë. Ndërsa bota e qytetëruar po sheh e po tallet me papjekurinë dhe inatin prej injorantësh të politikanëve në Prishtinë.
Miqtë e Kosovës e të shqiptarëve u shfaqën të shqetësuar dhe folën pa ngurim. Një ish-ushtar britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha troç se këto veprime po e bëjnë Kosovën gazin e botës dhe se UÇK nuk luftoi që politika në Kosovë të sillet në këtë mënyrë. Ambasadori amerikan për të disatën herë i ka kritikuar veprimet e opozitës dhe ka bërë thirrje për maturi nga të dy palët. Po kujt po ia kërkon ai këtë maturi? Ai e di se janë në përballje dy palë: Njëra e inkriminuar në korrupsion dhe pala tjetër e dehur nga deliri për të ardhur me dhunë në pushtet, me qëllim që t’i shijojë edhe kjo palë frutet e korrupsionit.
Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, ishte më e drejtpërdrejtë, Ajo konstatoi nëpërmjet një shënimi në faqen e saj të FB se kjo situatë e krijuar nuk është thjesht dhe vetëm për shkak të marrëveshjeve. Nëse kjo do të ishte për shkak të marrëveshjeve, iniciativa e Presidentes dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm do të ishte shfrytëzuar si një mundësi për t’u angazhuar në dialog dhe diskutim për këto çështje. Kjo mund të jetë një tentativë për të çuar vendin në zgjedhje të reja, për të dëshmuar se Qeveria është e pasuksesshme, tentativë për t’u përfshirë në pushtet ose një tentativë për të spostuar (shtyrë) disa procese të tilla si funksionalizimi i Gjykatës Speciale; hakmarrje ndaj Kryeministrit ose të gjitha këto së bashku. Ose ndoshta janë të tjera arsye, por jo dy marrëveshjet. Kjo është e qartë për ne”.
Unë jam i prirur t’i besoj zonjës ambasadore, jo thjesht se ajo përfaqëson një vend mik të Kosovës, Shqipërisë e shqiptarëve, por se i njoh gjermanët. Ata janë të drejtpërdrejtë, ata edhe diplomacinë e bëjnë të tillë, pa lajka, pa doreza diplomatike, pa patur frikë se humbasin ndikim, nëse shfaqen ashtu siçjanë e siç mendojnë. Por të tillë janë treguar të gjithë diplomatët e vendeve mike. Vetëm ndonjë diplomat mik i Rusisë dhe i Albin Kurtit, mund ta ketë këshilluar këtë të fundit që t’i vejë flakën i Kosovës, kësaj radhe jo për bashkimin e saj më Shqipërinë, por për “bashkimin” ose “ribashkimin” e Kosovës me Serbinë.
Vetëvendosja e shpall “armik” ambasadorin e SHBA-ve. Të shohim çfarë do të thotë për ambasadoren gjermane në Prishtinë. Natyrisht ideologjia, së cilës i përmbahet ajo e detyron të orientohet kah lind dielli e jo kah perendon dielli. Ndryshe nuk mund të ndodh që të shpallësh të padëshirueshëm ambasadorin e vendit që ka kontribuar miliona herë më shumë se Albini e albinët për çlirimin e Kosovës, pra ambasadorin e SHBA-ve.
Nuk e di deri ku do të shkojë kjo verbëri politike e njerëzore, por jam i bindur se policia do t’i ekzekutojë urdhërat e gjykatës për arrestimin e Kurtit, Haxhirajt dhe një tjetri deputeti të VV. A do ta zgjidhë konfliktin kjo masë. Jam dhe do të jem skeptik për këtë. Dhuna gjeneron dhunë. Por shpresoj se qytetarët e Kosovës nuk do të mbështesin aventurat e politikanëve të tyre në pushtet ose në opozitë. Nëse politikanët në rolin e gjeneralëve mbeten pa ushtarë, atëherë ata do të detyrohen të shkojnë drejt arsyes dhe të veprojnë sipas arsyes. Arsyen e veprimit politik e shpreh shumë qartë ambasadorja gjermane. Eshtë e tepërt të vijoj më tej më ndonjë argument shtesë.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe heshtja e pazakontë e Serbisë!, Enver Bytyci, Situata në Kosovë

Pse Vetëvendosja sulmoi Hajredin Kuçin?!

November 8, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Para tri ditësh aktivistë të Vetëvendosjes sulmuan me vezë ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Hajredin Kuçi. Të paktën krerët e partisë opozitare të aksionit revolucionar në Kosovë e kanë marrë përsipër këtë akt që dy të rinj kryen në rrugët e Prishtinës të premten e kaluar. Duke kaluar në intervistë të gjitha ato që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë, më duhet të ndaloj në disa momente kryesore, me qëllim që t’i afrohem sa më shumë logjikës në veprimet e partisë së zotit Kurti.
Së pari më duhet të them se largimi nga kreu i Vetëvendosjes i Albin Kurtit u provua të jetë manipulativ dhe jo i vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse një lider thirret si kryetar i një force politike, pasi ai të japë dorëheqjen. Me rëndësi është protagonizmi i tij. Albin Kurti dëshmoi se është de facto kryetar i Vetëvendosjes. Ai ka lënë në hije të gjithë lidershipin tjetër të opozitës, madje dhe Ramushin legjendar në raport me Albinin. Ai është bërë protagonist i të gjitha zhvillimeve në Kosovë dhe tashmë qytetarët janë vënë në dilemë nëse Visar Ymeri është apo nuk është kreu i Vetëvendosjes. Nëse shohim rrjedhat e zhvillimeve në opozitën e Kosovës, atëherë vërejmë shumë lehtë se aty ku ka tym dhe ku ka zjarr është Albin Kurti. Kur politika zhvillohet normalisht, atëherë del në skenë Visar Ymeri.
Edhe në rastin e Hajredin Kuçit, pak orë pasi ndodhi ngjarja, zëdhënësi i Vetëvendosjes mori përsipër aktin e sulmit kamikaz kundër një personi në detyrë, njëkohësisht profesor dhe doktor shkencash. Të njëjtën gjë bëjnë organizatat e shumta ekstremiste në botë kur ato kryejnë akte ekstremiste. Madje shpesh herë ndodh që akte të paorkestruara nga këto organizata merren si përgjegjësi e tyre, thjesht për të dëshmuar se janë gjallë në jetën politike e shoqërore. Nuk e di nëse drejtuesit e Vetëvendosjes kane ditur ose jo për sulmin e radhës kundër ministrit të drejtësisë. Por oponioni u njoftua se ajo është organizatore e këtij sulmi.
Së dyti, pse pikërisht Hajredin Kuçin? Mund të thuhet se janë gjuajtur me vezë edhe anëtarë të tjerë të kabinetit Mustafa. Por gjithçka pati ndodhur në ato ditë tensioni të paprecedentë në Kosovë. Ka disa ditë që Kosova duket se është rikthyer në jetën normale, ndonëse fragile të saj. Pikërisht kur është menduar se po rikthehet normaliteti dhe as vetë zotit Kuçi nuk i ka shkuar ndërmend se mund të gjendet pre e një aksioni të tillë, ai u përball me dy vezëgjuajtës aksionistë e revolucionarë të tillë, që vetë Leon Trocki do t’i kishte zili. Ndërkohë askush nuk ka dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve e javëve të krizës politike në vend, që Hajredin Kuçi të jetë shfaqur me qëndrime ekstremiste kundër veprimeve të opozitës. Ministri i Drejtësisë respektoi kodin etik të vendit të tij të punës deri në limitet e perfeksionit, me qëllim që të mos bëhej palë në konfliktin midis Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, megjithëse si anëtar kabineti ndoshta do të duhej të vihej në krah të kryeministrit. Por as këtë nuk e bëri ai. Atëherë pse e gjuajtën me vezë?
Unë besoj se Vetëvendosjes, disave në LDK dhe madje edhe në PDK nuk iu konvenon një ministër I aftë si Hajredin Kuçi. Mbaj mend para pesë vitesh, kur po bisedoja me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të asaj kohe, Ekrem Kryeziu, dhe ai më thoshte: “Ne i gëzohemi faktit që PDK nuk ka ndonjë tjetër me performancën e Hajredin Kuçit, se ndryshe kurrë nuk do të vinim në pushtet”. Sinqerisht m’u kujtua kjo bisedë, teksa po kërkoja të gjeja arësyet e sulmit kundër ministrit të Drejtësisë së Kosovës. Dhe nuk gjej do arësye tjetër veç faktit se ai është ministri më i aftë i qeverive të dhjetë viteve të fundit. Dhe nëse i përmbahemi fabulës se “Pema me kokrra gjuhet me gurë”, atëherë do të shkonim në një variant, sipas të cilit ministri Kuçi u sulmua si një pemë me kokrra për shtetin dhe qeverinë e Kosovës. Aftësia e maturia e tij i bën mesa duket hije jo vetëm opozitës, e cila duket se është instrumentalizuar nga një pjesë e pozitës, dmth është vënë në lojën e interesave personale e klanore në Kosovë. Nuk dihet me ose pa qëllim, me ose pa shpërblim, por fakt është se Vetëvendosja kishte njëmijë arësye psh të sulmonte ministrin e brendshëm, i cili drejton policinë e shtetit, me të cilën opozita është përballur dhunshëm. Nuk ishte ministria e Drejtësisë e përfshirë në asnjë akt antiopozitar. Megjithatë ministri i drejtësisë gjuhet sot me vezë e nesër nuk dihet me çka.
Por akti në fjalë mund të arësyetohet edhe në një drejtim tjetër. Albin Kurti dhe ndonjë deputet tjetër i Kosovës kanë kryer vepër penale, duke hedhur gazlotësjellës në parlament. Që t’i shpëtojnë drejtësisë ata kaën tri rrugë: Osë ta detyrojnë parlamentin në kushte jo krize të shpallë amnistinë e veprave penale të kryera nga këta dy-tre deputetë, ose ta çojnë Kosovën në gjendjen e Shqipërisë së vitit 1997. E treta mundësi është të përgjigjen para drejtësisë.
Por pikërisht këtë mundësi të fundit ata duan ta evitojnë. Prandaj, me qëllim që t’i bëhet presion drejtësisë, dmth prokurorisë dhe gjykatës, ata kanë përzgjedhur të qëllojnë me vezë ministrin e Drejtësisë. Me këtë rast “vrasin” dy zogj: Dëmtojnë kabinetin e Isa Mistafës, dhe duan të paralizojnë me presion rrugësh sistemin e drejtësisë. Dhe të dy këto aspekte i kanë lançuar si të ashtuquajtura shkaqe të aksionit të voeve. Kanë thënë se gjuajtën për shkak se Kuçi është pjesë e qeverisë që ka nënshkruar marrëveshjen me Serbinë dhe kanë specifikuar se “nuk kemi besim te drejtësia”.
Nëse i analizojmë këto du sebepe të Albin Kurtit, atëherë dalim te e vërteta se Hajredin Kuçi nuk ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë. Nënshkrimin e tyre e kanë bërë fillimisht Thaçi e pastaj Isa Mustafa. Po me Hashim Thaçin nuk ia mban Albin Kurtit të merret, prandaj merret me profesorët e qeverisë dhe të veprimtarisë akademike të Kosovës. Duhet të jesh rrugaç me diplomë që të sulmosh një profesor-doktor. Hajredin Kuçi është Fehmi Agani i qeverisë së Kosovës edhe pse kjo qeveri nuk ka të bëjë aspak me performancën e qeverisjes së Ibrahim Rugovës. Dmth zoti Kuçi mund të krahasohet me Fehmi Aganin, por në përmasa më të vogla, për shkak se përmasat morale të kësaj qeverie janë një milion herë më të vogla sesa të qeverisjes së Ibrahim Rugovës.
Nga ana tjetër përceptimi i Vetëvendosjes nuk është përceptimi i Zotit në qiell. Sipas logjikës së Albin Kurtit, nëse ai e përcepton diçka se është e keqe, ajo duhet sulmuar, linçuar dhe ndëshkuar. Dmth Albini vuan sëmundjen e diktatorëve: Ai vendos çka është e mirë e çka është e keqe, çka është patriotizëm e çka është tradhëti. Më bën përshtypje se në Gjermani këtë mënyrë përceptimi e zhvilloi një austriak si Hitleri. Në Serbi, një serb I Malit të Zi, si Milosheviçi, në Bosnjë një serb I Malit të Zi dhe një serb I Serbisë, Karaxhiç e Mlladiç. Tash në Prishtinë filozofinë e gjykimit e madje të ndëshkimit arbirtrar e zhvillon një shqiptar i Malit të Zi, Albin Kurti. Albini e zbuloi “grupin armiqësor” të Prof. Dr. Hajredin Kuçi! Po pse thirret në përceptimin e tij kreu faktik i opozitës së Kosovës? Sepse ka llogari me drejtësinë. Që llogarinë të mos e shlyejë, atëherë duhet sulmuar drejtësia. Ky është shteti që nesër do ta demonstrojë, nëse vjen në pushtet Albin Kurti. Kur një opozitar ose një opozitë i bën presion drejtësisë pa marrë pushtetin, çfarë do të prisnin qytetarët e Kosovës, pasi ajo të vijë në qeverisje? Kuptohet një system drejtësie të politizuar dhe për pasojë edhe të korrupptuar. Opozita e shpresës po shndërrohet kështu në opozitë të dhunës mbi drejtësinë.
Sulmi mbi Hajredin Kuçin ishte thjesht një sinjal, një shenjë, një akt më tepër për të dëshmuar se çfarë përfaqëson opozita e Albin Kurtit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Hajredin Kuçin?!, Pse Vetëvendosja, sulmoi

Kosova digjet, Beogradi dhe Tirana krihen!

October 24, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Ajo që po ndodh në Prishtinë këto kohë është i njëjti skenar dhe e njëjta filozofi e zhvillimeve të vitit 2010 – 2011 në Shqipëri. Albin Kurti ka deklaruar se kërkon një “Republikë të tretë” në Kosovë, duke rikujtuar Francën e revolucioneve të dhunshme, por me metodat bolshevike e staliniste të veprimit e aksionit politik të partisë së tij. Në vitin 2010-2011 kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, inicoi të njëjtën frymë e filozofi. Qëllimi final i Ramës ishte ta merrte pushtetin me dhunë, duke dhunuar institucionet, përkatësisht institucionin e kryeministrit. Qëllimi i Albin Kurtit është që Kosova dhe institucionet e Kosovës të paralizohen, që njerëzit të lodhen nga paraliza dhe nga lodhja e stërzgjatur t’i japun opozitës një shans me votë të imponuar për qeverisjen e Kosovës.
Prej këtij momenti Kurti do të flasë për “Republikën e Tretë” të Kosovës, sepse për këtë lloj politikanësh historia fillon, kur ata vijnë në pushtet. Nisja nga pika zero ishte dhe ende vazhdon të jetë filozofi e Edi Ramës, nisja nga pika zero është filozofia e Albin Kurtit. Si njëri dhe tjetri janë anarkistë, nihilistë, të pandreqshëm dhe destruktivë jo vetëm në opozitë, por edhe kur e marrin pushtetin. Të dy palët mashtrojnë, gënjejnë derisa marrin pushtetin dhe më pas bëjnë të kundërtën e premtimeve që kanë dhënë.
Nuk ka tjetër arsyetim pse Albin Kurti të vetmin aleat në Tiranë ka Edi Ramën dhe pse Edi Rama punon për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës dhe mbështet aktet e Albin Kurtit. Nuk ka asnjë arësye tjetër pse qeveria shqiptare bën sehir ndaj asaj që ndodh në Prishtinë. Por interesant është fakti se edhe në Beograd shfaqet një lloj indiferentizmi ndaj ngjarjeve në Kosovë. Nuk flasin më politikanët e Beogradit për ekstremizëm të shqiptarëve dhe të vetëvendosjes, nuk shqetësohen nëse veprimet e Albin Kurtit trondisin interesat serbe në Kosovë, nuk kanë bërë asnjë protestë, si ato që u bënë më 17 mars 2004, për gjoja rrezikimin e jetës dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, nuk kanë thënë asnjë fjalë sa i përket të ardhmes së asaj që Albini e quan Zajednicë. Heshtja e Beogradit dhe heshtja e Tiranës zyrtare nuk është e rastësishme, kur dihet tashmë se të dy kryeqytetet e vëllazërim-bashkimit demokratik kanë reaguar dhe reagojnë për çdo deklaratë të udhëheqësve të Kosovës, përjashtuar deklaratave dhe veprimeve destruktive të Albin Kurtit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.
A është kjo një rastësi?! Në politikë nuk ka kurrë rastësi. Gjithçka që ndodh është pjesë e një skenari të parapërgatitur e të studiuar në detaje. Sjellja e Edi Ramës dhe e Aleksandër Vuçiç me zemërgjerësi ndaj veprimeve të Albin Kurtit është e akorduar, e mirëmenduar dhe e administruar nga një staf ekspertësh, të cilët kanë në dorë të dhënat për atë çfarë përfaqëson Albin Kurti dhe ata që i shkojnë pas dhe çfarë paraqet aksioni i tij i dhunshëm kundër institucioneve dhe policisë së Kosovës.
Ndërkohë, më duket se për këtë skenar ka dijeni edhe Isa Mustafa, sepse nuk ka si shpjegohet stoicizmi i tij përballë një skene, e cila do ta bënte edhe një të çmendur në krye të qeverisë të jepte dorëheqjen. Nëse përgjegjësia e Albin Kurtit për të ardhmen e Kosovës është zero, përgjegjësia e Isa Mustafa Mustafës ka rënë aktualisht në minus zero, sepse ai është
kryeministër dhe duhet të llogarisë më shumë se Albini interesat e shtetit. Nëse Isa mendon se është interes i Kosovës imazhi i krijuar këto javët e fundit nga gazi lotsjellës në parlament, atëherë ai gabohet rëndë. Edhe sikur kryeministri të mos kishte asnjë përgjegjësi, në kushtet e krijuara duhet të japë dorëheqjen. Kosova vlen më shumë sesa karrikja e kryeministrit Mustafa.
Nëse Isa Mustafa jep dorëheqjen, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Zgjedhjet do t’i japin zgjidhjen krizës. Rezultatin i zgjedhjeve do të përcaktojë të ardhmen e Kosovës. Nëse fitojnë partitë në pushtet, pra LDK dhe PDK, të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, atëherë ka fituar opcioni i qeverisë. Nëse nuk fiton ky kolaicion, do të thotë se qytetarët janë kundër marrëveshjes së ashtuaquajtur Zajednica. Dhe qeveria e re le të gjejë formulën për modifikimin e kësaj marrëveshje, e cila për mua do të duhej modifikuar që prej disa javësh dhe më pas të vinte në parlament, sepse marrëveshja në fjalë ka vend për spekullim. Së paku do të duhej shtuar një pikë, sipas së cilës të gjitha dokumentet e asosacionit të komunave serbe të miratoheshin me dy të tretat e votave në parlamentin e Kosovës, që ato të merrnin legjitimitetin kushtetues për veprim.
Por askush nuk e lodh trurin për zgjidhje. As Albin Kurti, as Isa Mustafa. Dueli është beteja e të dy palëve, duel në të cilin u tërhoq më në fund edhe kreu i parlamentit, Kadri Veseli. Me duel nuk fiton asnjëra palë. Por më së shumti e pësojnë shqiptarët në Kosovë, e pëson vetë Kosova dhe përgjegjësinë për këtë në historinë e saj do ta kenë të dy palët. Po të mos kishim një duel të pakuptimtë, palët së paku do të kishin inicuar një diskutim publik me ekspertë për përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar me Serbinë. Nevoja për duel dhe luftës pa pakompromis midis palëve, dëshira për të treguar muskujt e forcës, i ka bërë palët që të mos i nënshtrohen një diskutimi publik konkret e real sa i përket vijës së demarkacionit me Malin e Zi, vijë e cila ka një hartë dhe që mund të ballafaqohet lehtësisht me vijën ekzistuese kufitare. Por qeveria e fsheh këtë hartë dhe opozita nuk që do ta publikojë. Mesa duket të dy palët e dinë se janë në batak dhe druhen të ballafaqohen me publikun në Kosovë.
Lufta bëhet për marrëveshjen dhe vijën e demarkacionit, të dy dokumentet mbahen në sirtarë dhe as pozita, as opozita nuk duan të dëgjojnë ekspertët se çfarë mendimi kanë për to. Kjo është më shumë se mungesë aftësie, përvoje dhe vullneti politik për transparencë dhe ballafaqim faktesh, idesh e vizionesh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Beogradi, dhe Tirana krihen!, Enver Bytyci, Kosova digjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT