• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse ndodhin incidente midis dy shteteve fqinjë?

November 13, 2018 by dgreca

Sepse Greqia nuk ka hequr dorë nga Vorio-Epiri-Rasti Bularat/

1 Kacafi Varrim

Nga Nuri Dragoj/Qendra e Studimeve Albanologjike- Instituti i Historisë/

1 Nuri Dragoj.JPGVrasja e shtetasit grek, Kostandinos Kacifas, nga fshati Bularat i nënprefekturës së Gjirokastrës, i cili kreu një akt terrorist në territorin e Republikës së Shqipërisë, ka ndezur debate në të dy shtetet fqinje, duke nxitur shpesh herë dhe qarqet nacionaliste ekstremiste. Zhvillimet rreth kësaj çështje janë të pakuptimta. Kacifas, me veprimin që kreu, duhej të konsiderohej terrorist, sepse ishte i tillë. Kush përdor forcën e armës për qëllime politike, apo për të terrorizuar qytetarët, është terrorist. Ky është ligj ndërkombëtar. Nëse Athina zyrtare do të mbështeste aktin e tij kriminal, pas shpalljes nga pala shqiptare të Kacifas si “terrorist”, nënkuptohej se terrorizmi mbështetej me qëllime të mbrapshta politike. Nëse Greqia përfaqëson një shtet normal, me dëshirë për të patur marrëdhënie të mira fqinjësore, qeveria e saj duhej të vihej në mbështetje të Tiranës zyrtare, pasi terrorizmi luftohet vetëm në mënyrë të organizuar dhe të bashkuar. Mirëpo ngjarjet nuk ecën në rrjedhën e vet. Qeveria shqiptare nuk e cilësoi veprimin e Kacifas “Sjellje terroriste”, edhe pse ishte i tillë. Policia shqiptare u sulmua me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake, madje u dëmtua automjeti i policies, ndonëse për fat nuk pati policë të vrarë. Në rrethanat e krijuara, policia shqiptare ka vepruar derjt dhe, në këtë mënyrë, ka bërë vetëm detyrën.

Po përse ndodhin incidente të tilla? Ngjarje të këtij lloji ndodhin sepse ende në Ballkan sundon urrejtja në vend të arsyes, sepse varfëria ekonomike shoqërohet me varfërim të trurit, sepse etja për të rrëmbyer nga tjetri është kthyer në akte çnjerëzore. Politika në Ballkan, në vend që të punojë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe të ushqejë dashurinë fqinjësore, i frynë armiqësisë. Në vend që të hartojë një histori të vërtetë dhe të nxjerrë mësime prej saj, duke e parë realitetin në sy, pse jo të kërkohet dhe ndjesë për veprimet e të parëve, vazhdohet në të njëjtën rrugë. Kjo ndodh për shkak se politika në këto vende është ende e paemancipuar, tërësisht e korruptuar, pa dinjitet, sepse nuk respektohen normat e reciprocitetit. Këto ngjarje të turpshme ndodhin në një kohë që Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s, anëtarë me të drejta të barabarta, por njëkohësisht dhe në gjendje lufte me njëri-tjetrin! Dhe për çudi NATO pajtohet me këto raporte të dy shteteve anëtarë të Aleancës së Atllantikut të Veriut. Ndodhin kur ne presim të hyjmë në Europë, në atë Europë që ka hyrë Greqia, madje të kërkojmë dhe ndihmën e saj. Të hyjmë, ashtu të paqytetëruar. Të hyjmë pa u bërë “europianë”. Greqia ka hyrë. Por edhe ajo ende nuk është europianizuar. Jemi ballkanas. Ndoshta do të na duhen dekada të bëhemi “europianë”. Por do të bëhemi. Mbase jo ne, shpresohet për fëmijët tanë. Le të presim. Siç duket, deri atëherë, do të na ndjekin pas histori të tilla me kufij e varre, me kërcënime e vrasje, kur luajmë futboll e kur festojmë. Megjithatë jemi fqinj. Këtë fat nuk na e ndërron kush. Ndaj le t’i shohim gjërat më qetësisht dhe të jetojmë në paqe.

Reagimet politike dhe e vërteta e marrëdhënieve dypalëshe

Pas kësaj ngjarjeje ka patur deklarata të ndryshme nga Athina dhe nga Tirana. Mirëpo ngjarjet në Bularat, ditën e ashtuquajtur të varrimit të personit të vrarë, morën karakter politik me nota të larta antishqiptarizmi, me tipare të një nacionalizmi shovenist, pasi qenë të organizuara. Ata që duhej të përcillnin me qetësi funeralin, shpërthyen në urrejtje duke i quajtur shqiptarët “qënë” dhe shkuan deri aty sa të thoshin hapur se Vorio-Epiri ishte i tyre dhe se do të digjnin Tiranën. Eurodeputetja Eleni Theocharous, e cila u shpall penson “non grata”,  me fjalët dhe veprimet e saj nxiti urrejtjen midis dy kombeve dhe shpalli hapur pretendime territoriale. Dhe kjo nuk është hera e parë që shprehet në mënyrë të organizuar urrejtje ndaj shqiptarëve. Më 4 mars të vitit 2007, u publikua një video, me pamje makabre, ku ushtarët grekë këndonin këngë për vdekjen e shqiptarëve. Ishte një marsh urrejtjeje, i kënduar prej ushtarëve grekë gjatë stërvitjes, i cili acaroi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo video u publikua në internet, ndërkohë që teksti i këngës u botua nga gazetat greke dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh…”! Ky ishte teksti i këngës që shkaktoi reagime në disa qytete të vendit. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë i kërkoi Athinës të dënonte skandalin, gjë që u bë prej zëvendësministrit të Jashtëm grek.

Politika shqiptare u përpoq ta paraqiste këtë rast në mënyrë të moderuar, duke e quajtur atë të veçuar, që nuk influencon në marrëdhëniet midis dy vendeve. Nga përvoja gjermane, dimë se ksenofobia është më e fortë atje ku kontakti me të huajt është më i pakët. Pra, sa më shpejt që të intensifikohet ndërveprimi dhe komunikimi, aq më shpejt shuhet ksenofobia. Mirëpo në këtë rast, është e kundërta. Në Greqi punojnë e jetojnë mijëra shqiptar. Janë kurorëzuar martesa të shumta me njëri-tjetrin. Grekët që punojnë në Shqipëri nuk kanë asnjë shqetësim. Minoriteti grek gëzon të drejta më shumë se çdo minoritet tjetër në botë. Atëherë përse shfaqet një urrejtje e tillë? Në një bisedë për Dojçe Vele (Deutsche Ëelle), më 7 tetor 2006, Prof. Ilias Kadsoulis, sociolog në Universitetin e Athinës, e konsideron rast specifik dhe shton: “Njësitë speciale janë një rast më vete në ushtri. Këto forca stërviten për të qenë agresive, në mënyrë që ato të jenë gjithmonë të gatshme të ndërhyjnë në situata të veçanta. Por kjo lloj kulture nuk praktikohet në njësitë e tjera dhe në sektorët e tjerë të ushtrisë…”.

Pra këto nuk janë veprime rastësore, por të organizuara, gjë të cilën do ta shohim dhe pak më poshtë. Gjithsesi, kryeministri grek, Cipras, e cilësoi ngjarjen jo normale. Të njëjtën gjë bëri dhe kryeministri shqiptar, dhe të dy nuk i shmangën termat nacionaliste. Fillimisht nga Greqia u trajtua si çështje e familjes së të ndjerit, më pas Parlamenti Helen mbajti 1 minutë heshtje për shtetasin grek që kreu terror në territorin shqiptar. Ish ministri i Jashtëm i Greqisë, Pangallos, u tregua më racional, kur tha: Kush qëllon mbi policinë, vritet! Kështu ndodh në të gjithë botën. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, përmendi këshillën e dhënë nga kryeministri anglez, sipas të cilit: “Rrethanat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja është pjesë e fuqisë tonë. Ne politikanët gjykohemi vetëm nga veprimet tona për të nxitur ose urtësuar situatat”.

Këshilla është me të vërtetë e vlefshme për të gjithë. Mirëpo, gjatë gjithë histories, politika shqiptare ka mbajtur qëndrim të moderuar, ka lëshuar në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa politika greke ka bërë gjithçka për të përfituar politikisht, ekonomikisht dhe deri në gllabërim terriroresh. Greqia vetëm kërkon nga Shqipëria. Kërkon më shumë det, lëvizen piramidat kufitare, mban në fuqi ligjin e luftës, përdor minoritetin si shkak për presione dhe konflikte. Kërkon të hapen shkolla greke, jo vetëm në minoritet, por në gjithë Shqipërinë. Janë hapur të tilla, duke filluar nga kopështet dhe deri te universiteti, programet e të cilëve nuk njihen nga shteti shqiptar. Pra Athina vetëm kërkon. Nuk ka reciprocitet midis nesh. Greqia nuk e njeh çështjen çame. Shqiptarët që përbëjnë minoritet të madh në shtetin grek, nuk gëzojnë asnjë të drejtë, pasi nuk njihen si të tillë. Në një shoqëri, e cila nuk është në gjendje të kontrollojë fatin e vet, lulëzojnë teoritë e komplotit. Absurditeti shitet për racionalitet, hipoteza për realitet, hajvanëria për patriotizëm, spekulimi për hulumtim. Të gjitha këto i ngjajnë psikoanalizës përverse të pushtetit totalitar. Natyrisht, brenda saj qëndrojnë dhe mendësitë shtetërore.

Përse e gjithë kjo zhurmë për një terrorist? Më 4 shtator 2004 u vra në Athinë 20 vjeçari Gramoz Palushi vetëm pse ngriti flamurin shqiptar për fitoren e skuadrës së tij ndaj Greqisë dhe nuk u bë zhurmë e tillë. Kjo ndodh sepse historiografia greke e ka konsideruar Shqipërinë e Jugut, si pjesë të Greqisë, ndërsa historiografia shqiptare interesohet në mënyrë të vakët për krahinën e Çamërisë, si territor në të cilin kanë banuar shqiptarët në shekuj. Qeveria greke ka hedhur hapa konkret, pasi ka ravijëzuar vijën Venizellos me anë të varrezave të ndërtuara, ndërsa pala shqiptare është mjaftuar me ndonjë fjalë të thënë foltoreve e mitingjeve çame, por pa platformë konkrete. Këto trajtime historike e politike kanë ndikuar në ulje-ngritjet e vërejtura në marrëdhëniet ndërshtetërore midis Shqipërisë e Greqisë, varësisht nga zhvillimet politike, apo ngjarjet e vërejtura në terren. Politika shqiptare nuk duhet të bëjë rolin e strucit. Gerqia e ka kërkuar Vorio – Epirin në Konferencën e Londrës 1912-1913, në Konferencën e Paqes së Versajës (Paris 1919-1920), në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 dhe vazhdon ta kërkoj përditë, pasi nuk ka hequr dorë. Pikërisht platforma e tyre e qartë, Kishë-Qeveri, për të marrë jugun e Shqipërisë, raviojëzoi vijën Venizellos me anë të varrezave të ushtarëve të rënë në Luftën Italo – Greke 1940-1941, rajon në të cilin, me para dhe 1000 forma të tjera, thuhet se operohet me një shtet paralel grek, strukturat e të cilat mund të jenë më të fuqishme se ato të shtetit shqiptar. Është gjykim foshnjarak të mendosh që Greqia ka hequr dorë nga Vorio-Epiri.

Çfarë ka ndodhur në vite?

Më rënien e sistemit njëpartiak, politika greke u hodh në mësymje, për të rizgjuar endërrën e vjetër të Vorio-Epirit. Në vitin 1991, një grup gazetarësh grekë, pyetën Presidentin shqiptar, në lidhje me çështjen e pakicave kombëtare, kryesisht për ato greke në jug të vendit. Ramiz Alia u kujtoi gazetarëve se ka pakica shqiptare edhe në Janinë dhe Çamëri, të drejtat e të cilave janë mohuar nga qeveria greke. Të nesërmen, ministria e Jashtme greke e cilësoi provokacion politik deklaratën e tij. Mediat helene, për disa ditë rresht komentuan nëpër faqet e gazetave kundërshtimet e tyre për deklaratën presidenciale ndaj minoriteteve.

  • Më 28 qershor të vitit 1993, prifti grek, Kristostomu Maidonis, u shpall person non grata, pasi zhvillonte aktivitet të paligjshëm, për të cilën u dëbua nga Shqipëria. Sipas autoriteteve shqiptare, shkak ishte propaganda antikombëtare që bëri ky prift në Gjirokastër, duke shpërndarë në kishat ortodokse shqiptare harta të “Vorio-Epirit”, ku jugu i Republikës së Shqipërisë paraqitej si Greqi. Pas këtij dëbimi, Athina zyrtare reagoi ashpër, duke akuzuar presidencën shqiptare për këtë incident.
  • Një muaj më pas dhe pikërisht më 14 korrik 1993, kryeministri grek, Kostandin Micotaqis, paraqiti një platformë të re prej 6 pikash, hartuar prej këshilltarit të tij, Nikolas Gejxh, në të cilin kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë, me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë dhe Epiri të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova.
  • Në vitin 1994, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës u ftohën më tepër, për shkak të një neni të Projekt-Kushtetutës, i cili përjashtonte mundësinë e zgjedhjes në krye të kishës shqiptare, të një peshkopi i cili nuk kishte nënshtetësinë shqiptare. Më pas ata mundën ta hiqnin një nen të tillë nga dokumenti themeltar i shtetit shqiptar, të rrëzonin Statutin e Kishës Ortodokse të Fan S. Nolit dhe atë të kohës së Mbretërisë së Ahmet Zogut. Bënë Statut të ri, ashtu siç u nevojitej.
  • Më 10 prill të vitit 1994, një komando greke prej 8 personash, me uniforma të ushtrisë greke, hyri në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi, dhe vranë në befasi ushtarin Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Shehu dhe plagosën tre shqiptarë. “Këto i keni dhuratë për “Vorio-Epirin”, – thërrisnin ata, ndërsa gjuanin me armë. Gazeta Elefterotipia publikoi lajmin, sipas të cilit vrasja ishte marrë përsipër nga grupi terrorist MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit), i financuar nga Nikolas Gejxh. Prokuroria greke nuk e zbardhi plotësisht ngjarjen dhe Athina zyrtare ende nuk u ka kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë masakër terroriste.
  • Në muajin shtator të vitit 1994, u arrestuan pesë krerë të njohur të organizatës minoritare “Omonia” për spiunazh në favor të Greqisë, për të cilën u gjykuan dhe u liruan një vit më pas, në saj të presionit të ndërkombëtarëve. Në përgjigje të kësaj mase qeveria greke organizoi operacionet “Fshesa”, duke përzënë me dhunë nga territori grek dhjetëra-mijëra shqiptarë që patën shkuar si emigrant ekonomik.
  • Më 27 shtator 1995, në një nga gazetat më të mëdha greke, “To Paron”, një zyrtar i lartë i Athinës deklaroi se “Kryepeshkopi Janullatoas duhet të qëndrojë në Shqipëri, pasi homogjenët e Shqipërisë kanë më shumë nevojë për të, si i vetmi mbrojtës i tyre dhe i pazëvendësueshëm për kishën shqiptare. Nëse ai qëndron, me gjithë sulmet që shteti shqiptar u bën minoritarëve, ata do të jenë të sigurt”.
  • Në vitin 1997, në qytetet e jugut të Shqipërisë o hodhën trakte me përmbajtje antishqiptare: “Vorio-Epiri është grek. Grekët e Shqipërisë të bashkohen me Greqinë”. Sipas gazetës greke “Stohos”, datë 5 mars 1997, “oficerë vorio-epirotë… shpallin autonominë, në Himarë dhe Tepelenë… dhe ngrihet flamuri grek. Shtabi i andartëve të Epirit bën thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhtoni prapë”.
  • Në 5 mars 1997, disa gazetarë grekë, jepnin pamje në televizionet më të ndjekura, ku grupe të armatosura në jug, sipas tyre, ngritën për herë të parë flamurin e “Vorio-Epirit”. “Kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në jug, ku popullsia është greqishtfolëse. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës se jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena dhe duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”, thuhej në mediat greke.
  • Në mars të vitit 1997, një nga organizatat greke për çlirimin e “Vorio-Epirit”, bëri thirrje publike për marshimin drejt Shqipërisë, sepse: “Situata e vështirë në të cilën ndodhet Epiri i Veriut, u bën thirrje të gjithë epirotëve të Veriut të kthehen në vatrat e tyre për të mbrojtur pronat. Në këtë moment të vështirë, vetë epirotët duhet të marrin përgjegjësinë e fatin, në duart e tyre”.
  • Për opinionin italian, ajo që po ndodhte në Shqipëri, në vitin 1997, kishte lidhje me çështjen e “Vorio-Epirit”. Kështu, gazeta Corriere Della Sera, më 12 mars 1997, shkruante se trazirat në Shqipëri, ishin koordinuar prej avokatit të njohur grek, Aleksandros Lykourezos. Sipas gazetës, “përfshirja e këtij personi në Shqipëri, mund të shkaktonte rreziqe të paparashikuara për vendin”.
  • Një nga incidentet ku kanë marrë pjesë ligjvënësit grekë, është edhe ai i zgjedhjeve parlamentare, në tetor 2000, në Himarë. Deputetët kanë ushtruar presion propagandistik mbi votuesit, kanë hyrë nëpër qendra votimi, kanë organizuar protesta përballë kamerave të televizionit grek, te ardhura enkas në ditën e votimit, kanë premtuar viza në këmbim të votave për kandidatin e PBDNJ-së.
  • Në vitin 2003, në Himarë u shënuan disa incidente mes simpatizantëve të PBDNJ-së dhe partive të tjera. Kryeministri grek, Georgios Papandereu, deklaroi: “Himara është një pakicë solide greke dhe duhet të konsiderohet si e tillë”. Kjo deklaratë u prit keq në Tiranë, kur ende në Himarë dëgjoheshin thirrjet antishqiptare.
  • Në pranverën e vitit 2005, në Grykën e Këlcyrës, në një prej pikave më strategjike të jugut të Shqipërisë, kishte filluar ndërtimi i një objekti, i cili ruhej me roje dhe aty nuk mund të hynte askush pa leje. Flitej se ndërtohej një kishë prej grekëve. Të tjerë bënin fjalë për një manastir. Pushteti vendor, gjatë kohës që ndërtohej memoriali në Grykën e Këlcyrës, është shprehur se nuk qe ne dijeni për një gjë të tillë dhe se nuk ishte firmosur asnjë leje ndërtimi. Më 10 maj 2006, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pati takim me homologun e tij grek, Vangjelis Meimaraqis, por ky i fundit, sipas mediave, e anuloi vizitën me argumentin se “autoritetet shqiptare ende s’e kanë zgjidhur çështjen e varrezave të ushtarëve grekë në zonën e Këlcyrës”. Në fakt ndërtuesit kishin leje gojore për të ngritur manastirin grek, pasi në një vend pa rregulla loje, pa shtet të konsoliduar, jepen leje gojore për ndërtim, jo vetëm pë rata që ngrenë një kasolle banimi, por edhe për një shtet që kërkon të nguli Gozhdën Nastradinit në territorin shqiptar. Dhe vërtetë varrezat e ngritura pa leje në Këlcyrë, u legalizuan në vitin 2009, njëlloj si ndërtimet pa leje të qytetarëve.
  • Qeveria greke kishte planifikuar të ngrinte disa manastire, brenda të cilëve të fuste eshtra të “ushtarëve grekë”, por duke ditur që nuk kishte të tilla, organizoi zhvarrime të eshtrave të shqiptarëve në disa fshatra të Përmetit, duke filluar nga Kosina në Bubës e deri në Malëshovë. Varrezat e familjeve të larguara nga fshati u dhunuan natën dhe eshtrat e tyre iu dorëzuan të dërguarëve grekë që donin të mbushnin arkivolët e prurë bosh nga Athina, kundrejt një pagese që luhatej nga 50 në 200 euro, në varësi të numrit të eshtrave dhe distancës. Më 9 qershor 2006, në emër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Prof. Dr. Sokrat Meksi dhe Fatos Harito, pohuan se nga ekspertimi i bërë  në disa prej “skeleteve të gjendura brenda arkave prej inoksi, shumica e tyre nuk kanë të bëjnë me ushtarë të vrarë në luftë. Mes tyre bien në sy eshtrat e të paktën dy grave, njëra në moshë të thyer dhe nënë e dy fëmijëve”.
  • Në datën 1 nëntor 2005, Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, do të takohej me homologun shqiptar, Alfred Moisiu, në Sarandë. Papulias kërkoi që më parë të shkonte në konsullatën e Gjirokastrës, por në hyrje të saj protestues të Shoqatës Çamëria, kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre. Kreu i shtetit grek e interpretoi këtë si një provokim dhe e anuloi takimin me Moisiun.
  • Në 18 maj 2008, në qytezën e Konicës, prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, mori pjesë në një tubim, ku kërkohej zbatimi i Protokollit të Korfuzit. Ky protokoll antishqiptar, i datës 18 maj 1914, pa dijeninë e shtetit shqiptar, parashikonte që dy prefekturat jugore të vendit tonë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, pavarësisht se formalisht do të bënin pjesë në gjirin e shtetit shqiptar, do të administroheshin më vete, në mënyrë autonome. Spiro Ksera, përfaqësues i shtetit shqiptar, del në mes të sheshit i mbështjellë me flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir” dhe kërkoi publikisht, domosdoshmërinë e kthimit në “identitetin grek” të jugut të Shqipërisë. Pas kësaj ai u bë deputet në parlamentin shqiptar dhe ministër.
  • Më 23 korrik 2008, ministri i Mbrojtjes, Meimaraki, pas një takimi me përfaqësuesit e “Vorio-Epirit”, deklaroi se grekët që jetojnë në Shqipëri, mund të kryejnë tre muaj shërbim ushtarak në Greqi.
  • Organizata Omonia, në një njoftim të saj, pas mbledhjes së datës 9 gusht 2008, bëri publike në Gazeta Shqiptare, datë 11 shtator 2008, se Këshilli i Përgjithshëm ka kërkuar njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë në Shqipëri. Ata bënë paralelizëm midis shqiptarëve në Maqedoni, të cilët përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë, dhe minoritetit grek në Shqipëri, i cili zë 2 deri në 2.5 për qind të popullsisë. Në këtë deklaratë për shtyp, Omonia nënvizon: “Duke iu referuar vendimit të fundit të Parlamentit të Shkupit, për të njohur si gjuhë zyrtare ato të komuniteteve etnike, Këshilli i Përgjithshëm i Omonias, fton qeverinë shqiptare që të përmbushë detyrimin e saj, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar si palë, edhe për përdorimin e gjuhës së minoritetit etnik grek në Shqipëri në dokumentet zyrtare, ashtu siç theksohet në konventën kuadër të Këshillit të Europës për minoritetin grek”.
  • Në muajin shkurt të vitit 2011, konsulli grek në Korçë, Theodhoros Ikonomos, me rastin e 20 vjetorit të degës së Omonias në atë qytet, u shpreh: “Grekë të Korçës! Mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë. Ju duhet të shpallni origjinën tuaj reale dhe të gjithë ata që janë me dyshim dhe që kanë frikë, duhet të pyesin veten e tyre, dhe me siguri, që do ta kuptojnë se janë grekë”. Ai u bëri thirrje vllehëve të Korçës, që të regjistroheshin si grekë. Kryetari i Omonias për Korçën, Ligoraq Karamelo, po në atë takim pohoi: “Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullsisë greke. Ju e dini se ekzistojnë të drejta të minoriteteve, por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë “Vorio – Epirin”. Ndërsa dy deputetë grekë, të pranishëm në këtë takim, Mihalis Pandulas i Janinës dhe Stathis Theodhoris i Follorinës, u kanë lënë banorëve korçarë “detyrën kombëtare”, sipas së cilës ata duhet “të deklarojnë kombësinë greke, gjatë regjistrimit të tyre në Korçë”.

Deputeti Vangjel Dule, tha atë ditë se Athina nuk ka bërë sa duhet. “Greqia, akoma nuk ia ka kthyer borxhet Korçës për helenizimin e saj. Helenizimi kur është i bashkuar, bën gjëra të mëdha dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë dhe ta pengojë”. Me fjalë të tjera, ai u tha banorëve të Korçës, të vazhdonin në rrugën e helenizimit të qytetit të kulturës së lashtë. “Juve, shumë shpejt do t’u dalin pengesa, të cilat duhet t’i përballoni me frymën që ju thashë dhe pengesa e parë do të jetë, regjistrimi i popullsisë, ku përfshihet feja, gjuha dhe kombi”.

Deklarata të tilla nuk mbështeten mbi asnjë të vërtetë dhe duhej dhënë alarmi në të gjitha strukturat shtetërore shqiptare, të cilat duhet t’u thonë “ndal” fushatave për helenizimin e Jugut të vendit. Ndërsa, personat që i deklarojnë ato, duhet të shpalleshin “non grata”. Deklarime të tilla janë me impakt të rrezikshëm për integritetin territorial të vendit dhe për unitetin tonë të brendshëm kombëtar. Deklaratat e konsullit Ikonomu nuk kishte asnjë të vërtetë, pasi përbërja shqiptare e Korçës dhe e zonave jugore të vendit është vërtetuar nga ndërkombëtarët, nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës më 1913 dhe më pas nga Komisioni Hetimor i Lidhjes së Kombeve në vitin 1923.

I dhamë disa prej këtyre ngjarjeve për të kuptuar se ato nuk janë rastësore. Lista e incidenteve greke kundër shqiptarëve është tepër e gjatë. Janë shumë të vrarë padrejtësisht. Dje na u shfaq Bularati, nesër do të përballemi me bllokimin e rrugës në Grykën e Këlcyrës, pasi ka qenë vet qeveria shqiptare që ka pranuar teorinë e politikës greke për Vorio-Epirin.

A ka mendime ndryshe në politikën greke? Të shohim çfarë thoshte Pangallos

Aktualisht janë të shumë qytetarët grekë, gazetarë dhe politikanë, që nuk pajtohen me një politikë të tillë. Ata e dinë se po të qëllonte dikush me armë në Greqi, kundër policisë së atij vendi, do të vritej në vend. Ndërsa pot ë ishte shtetas shqiptar apo turk, krahas vrasjes së tij, do të kishte protesta të fuqshme në të gjitha kancelaritë e Fuqive të Mëdha dhe shkundje të diplomacisë europiane. Por nuk kanë fuqi të veprojnë sepse, terrori mbi politikën shqiptare dhe Shqipërinë, është në programin e qeverisë greke, ngaqë në çdo kohë duhet të përmendet Vorio-Epiri, për të cilin presin rastin që ta marrin, ashtu siç kanë marrë dhe pjesë të tjera të territorit të populluar me shqiptarë.

Teodoros Pangollos, një nga personalitetet më të shquara politike dhe ushtarake të historisë së Greqisë për shekullin e 20-të, president i vendit në vitet 1925-1926 dhe gjyshi i një prej politikanëve të njohur grekë, me të njëjtin emër (Teodoros Pangollos), në atë kohë shkruante: “Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht (ishte vajzë e më të madhit pasunar të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit, në Salaminë, la frymën e fundit mareshali i paharruar, Karaiskaqi). Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë… Admirali Kundurioti, tre brezat e Nikolaidhëve (gjyshi, biri dhe nipi), gjeneral Kunduli, admirali Saqellariu, heroi i nëndetëses L. Kaconi, V. Lasko, dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut”.

Pangallos ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj njerëzve të afërm të tij, të cilët kërkonin të nxisnin një “luftë” artificiale midis shqiptarëve me banim në Greqi. Po në këto kujtime, ai shkruan: “Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke, në mënyrë të dhunshme dhe pa marrë parasysh marrëveshjet, përzënë banorët shqiptarë të asaj zone dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël, dhe protestave të tyre u përgjigjen duke thënë se ata (çamët; shënim i përkth.), janë të shkëmbyeshëm. Shqyrtova dokumentet përkatëse dhe u binda, se interpretimi i Ministrisë së Jashtme greke nuk qëndronte, pasi në Marrëveshjen e Lozanës përcaktohej prerë, se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm si turqit e Thrakës.

Historia dëshmon qartë, se kemi të bëjmë me një tejkalim të të drejtës nga ana e grekëve, qoftë në lidhje me identitetin, autoktoninë, territoret, përmasat e heronjve të tyre, qoftë me mungesën e mirënjohjes për ndihmat që i kanë dhënë njëri-tjetrit gjatë shekujve. Pra, këtu duhet parë shkaku i kësaj tabloje negative midis dy popujve më të afërt të Ballkanit. Të gjitha këto lloj mosmarrëveshjesh, në shumicën e rasteve orientohen nga politikanët dhe amplifikohen prej historianëve të angazhuar, por në të gjitha rastet këto mosmarrëveshje janë të përkohshme. Shumë rrallë ka ndodhur që politikat e një vendi të standardizohen me keqdashje periodike, ndaj fqinjit të tyre, siç po ndodh sot me politikën greke.

Por nuk kanë munguar dhe nxitjet e së keqes. Pangallos nuk i fsheh vështirësitë e hasura. Shpesh porositë e tij, në drejtim të kujdesit që duhej treguar në trajtimin e shqiptarëve, nuk zbatoheshin. Janë dhjetëra institucione, ku secili duhet të bëjë detyrën për shmangien e këtyre “ngërçeve”. Në të vërtetë, Pangallos ka reaguar, siç mund të shihet në vijim: “Një drejtor kompetent më tha: “Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo, arsye emergjente, si edhe qëllimi kombëtar, na imponojnë të dëbojmë shqiptarët, për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë, që kanë ardhur prej Azisë së Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë, z. President”. Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta diplomatin. Dhashë urdhër që shqiptarët të kthehen të lirë në fshatrat e tyre. Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona, u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do të shohim, pothuaj trajtën e një konfederate”.

Nëse popujt lihen të qetë, pa ngarkesa nacionaliste e shoviniste, janë aq të afërt shpirtërisht, sa do ta gjejnë vetë rrugën e miqësisë e të bashkëjetesës, pa pasur nevojë për klithmat e politikës dhe demagogjisë. Jo vetëm kohë më parë, por edhe në ditët tona, numri i martesave midis grekëve dhe shqiptarëve është rritur dukshëm, gjë që tregon për mungesën e kompleksitetit midis popujve dhe afeksionin shpirtëror midis tyre. Popujt, natyrshëm, përherë janë më të emancipuar se sa vetë politika e shteteve ku ata bëjnë pjesë. Lidhjet me popullin grek janë të pandara prej thellësisë së shekujve, për shkak të elementëve të përbashkët të kulturës, këngëve dhe dokeve. Idetë e njerëzve, afeksionet e tyre shpirtërore, dëshira për harmoni e paqe, ngjasojnë me ditët plot diell, me rrezet që lindin mbi mal, që përplasen në shkëmbinj, dete dhe oqeane, që bien në baltë, por asnjëherë nuk përlyhen. Mbeten gjithnjë rreze të praruara. Veprat e njerëzve me mendje të ndritur, na mësojnë të kemi guxim për të kaluar kufijtë e shteteve, për të kapërcyer nacionalizmin primitiv, që e karakterizon fuçinë e barutit ballkanik e, mbi të gjitha, për të kapërcyer vetveten, që shpeshherë na lë pas, në kohë e hapësirë, duke mbetur në bisht të historisë.

Po të mos kishte ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit, nëse nuk do të kishte pretendime territoriale, atëherë marrëdhëniet midis dy vendeve do të ishin shumë më të mira. Vetë Pangallos nënvizon: “Po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, ajo do të ishte, jo armike, por do të mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongoloidë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar, se ata janë ilirë, pasardhës të pellazgëve. Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët e bullgarët, por, përkundrazi, gjaku, tradita dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek”.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Epiri në historiografinë mesjetare dhe moderne, Nuri Dragoj, Shqiperi-Greqi, Vorio-Epiri

Epiri në historiografinë mesjetare dhe moderne

January 28, 2016 by dgreca

SHKRUAN:NELSON CABEJ-New Jersey/
Thuajse me bashkëndijesi, pranohet nga thuajse të gjithë historianët e Greqisë së lashtë dhe Romës se epirotët ishin një popull ‘barbar’, dmth i ndryshëm nga grekët e lashtë e që fliste një gjuhë tjetër. Në burimet e lashta nuk ka të dhëna që të tregojnë se ata u helenizuan, se humbën gjuhën, strukturën shoqërore ose shtetërore dhe identitetin e tyre etnik.
Nga mesin e shekullit XII kemi një njoftim se “Mbretëria e Epirit” u nda midis principatave të Maqedonisë dhe të Albania-s (Shqipërisë). Nga kjo ndarje Albania i takoi të sundohej nga Konstantin Dukas. Sipas Lorenzo Miniati-t : “Nga respekti për këtë mbretëri, dhe gjuhën e veçante, që është shumë e ndryshme nga greqishtja (shkrimdoret janë të mijat – NRÇ), vëndasit ndruan mbiemrat, në përputhje me gjuhën e vëndit” (1). Ky njoftim i Mesjetes së Mesme pohon sa s’ka si bëhet më qartë se epirotët në atë kohë flisnin një gjuhë të ndryshme nga greqishtja.
Një njoftim tjetër interesant mbi identitetin etnik të epirotëve [banorëve të Epirit klasik, dmth të ish-provincës romake Epirus vetus (Epiri i vjeter)] jep perandori bizantin Joan Kantakuzen (1292-1383), që sundoi nga 1347 deri në 1354. Duke rëfyer në Historinë e tij për banorët e Himarës (kështu quhej në atë kohë territori me 54 fshatra i Labërisë së sotme – NRÇ), i quan ata shqiptarë dhe shton se “Shqiptarët jane nomadë të pavarur”. (Άλβανοὶ αὐτόνομοι νομάδες) (2, 24). Pasi jep citatin e Kantakuzenit, dijetari gjerman Karl F. Merleker shton: “Himariotët, ashtu si të parët e tyre, të cilët perandori Kantakuzen i quan shqiptarë të pavarur nomadë, janë barinj të pavarur, një race trime dhe pretuese të krishterësh shqiptarë, që herë pas here dalin nga shkëmbinjtë e tyre dhe nxjerrin në tokë anijet që qëndrojnë në det…” (2, 3).
Nga fundi i shekullit XIV juristi Italian Nikolo de Martoni (Niccolo de Martoni) në rrugë për Lindjen e Mesme dhe vëndet e shënjta, bëri një ndalesë në ujdhesën Leukas të detit Jon, që gjëndet përballë skajit jugor të Epirit, vetëm pak kilometra larg tij, dhe e quajti atë – Albania (Shqipëri) (3).
Përshkrimin e parë të qartë për gjëndjen etnologjike në Epirin mesjetar e gjejmë në një burim Bizantin të paemër të shekullit XV. Informacioni që ai përmban përputhet plotëësisht edhe me njohuritë tona mbi gjëndjen etnologjike të Epirit në Lashtësi, si një vënd që banohej nga një popullsi vendase ‘barbare’, ndërkohë që në disa qytete bregdetare banonin edhe kolonë greke, e më vonë edhe romakë. Kështu, i paemri (Anonymous Panegyricus) shkruan për Epirin: „Në të gjithë atë vënd, rajonet bregdetare banohen nga grekë, kurse mbi ta, në brëndësi të vëndit, ashtu si në të shkuarën, edhe tani jetojnë barbarë“(5) dhe shton: „Akoma tani vendi banohet nga shqiptarët, një popull ilir, i shpërndarë në grupe të vogla njerëzish dhe fshatra“ (6, 7, 8).
Studiues të sotëm grekë, po kështu, flasin për mbizotërimin në Epir të elementit musliman (lexo: shqiptarëve) “nga shekulli XV deri në shekullin XIX” (9).
Edhe në “Kronikat e Janinës” të shekullit 14, që janë shumë përçmuese ndaj shqiptarëve, lexojmë: “vetëm qyteti i Janinës nuk ishte nën sundimin e shqiptarëve sepse ai banohej nga njerëz të shquar e të zotë” (10) [prania e grekëve në Janinë në shekullin XIV është rrjedhim i migrimit të mirënjohur në Epir të popullsive greke nga Konstantinopoli, Thesalia dhe Peloponezi në vitin 1204, si pasojë e persekutimit dhe masakrave që kryen mbi popullsinë greke kryqtarët frankë të kryqëzatës IV].
Por burimet më të besueshme për gjëndjen etnologjike të Epirit nga shekulli XV e më vonë, janë ato që vinë nga mbikqyrjet kadastarale dhe të dhënat e taksimit të administratës osmane.
Nën presionin e shtuar të kryengritjeve të shqiptarëve, despotët e fundit italianë të Epirit “u detyruan të bënin marrëveshje me turqit dhe faktikisht iu nënshtruan Sulltanit” (11). Pas pushtimit osman të Epirit, në vitin1420 sulltan Mehmeti I i bashkoi thuajse krejt ish-provincat romake të Epirus vetus dhe Epirus nova në një provincë (sanxhak) të vetëm, në sanxhakun Arvanid, që do të thotë në sanxhakun e Shqipërisë, që shtrihej nga Tirana e sotme deri në lumin Thyamis (Kalama) (12), në tërritorin e Republikës së Greqisë.
Nga shekulli XVII shqiptarët që banonin në provincën e Çamërisë kishin fituar statusin administrativ të sanxhakut (13). Ne nuk dimë se sa thellë në territorin e Republikës së Greqisë shtrihej sanxhaku i Çamërisë, por mjafton të mbajmë mënd se, në atë kohë, ndër njësitë administrative të perandorisë Osmane, sanxhaku ishte i dyti, pas elajetit, persa i përket sipërfaqes.
Një prirje e përgjithshme e dinamikës demografike të Epirit gjatë sundimit osman, sidomos gjatë shekullit XV, ishin lëvizjet e popullsisë drejt rajoneve natyralisht të mbrojtura, kodrinore dhe malore, për shkak të sundimit osman (14).
Një shëmbëll tipik i kësaj është lëvizja e banorëve shqiptarë drejt malësive të Sulit në shekullin XVI. Sipas traditës gojore të vetë suliotëve, ata e kanë prejardhjen nga Kardhiqi i rrethit të Gjirokastrës (15), që përputhet me zonën qëndrore të ish Epirit klasik.
Nga shekulli XVII e këndej shumë historianë të mirënjohur të kohëve moderne e kanë përshkruar Epirin si një rajon të banuar në shumicë dërmuese nga shqiptarë. Kështu, në vitin 1686 gjeografi Filip Klyver (Philipp Clüver) e përshkroi Epirin fare qartë si një vënd që kufizohej me Greqinë, dmth si një territor jogrek. Po e citoj: “Epiri ndahet nga maqedonasit nga lumi Celydnus dhe nga vargmalet e Pindit, kurse me Greqinë ndahet nga lumi Akelos” (16).
Në shekullin XVII, autorët gjermanë J. Buno (1617-1697) dhe F. Heckel (1640-1715) shkruanin se banorët e Epirit e quanin veten Arbonarë, një variant i qartë i emrit etnik mesjetar të shqiptarëve Arbënorë/Arbërorë, që ruhet ende në ditët tona në të folur e në folklor në rajonin e Gjirokastrës, ndërkohë që turqit i quanin ata arnautlerë (17).
Në vitin1771 në botimin frëngjisht të librit të Plinit Plak Naturalis historiae (Historia e natyrës), redaktorët francezë theksojnë se turqit, të cilët e kanë njohur Epirin që në shekullin XIV (1338), kur erdhën në Epir të paguar nga perandori bizantin Andronik i Tretë Paleologu dhe shtypën me egërsi kryengritjen e shqiptarëve të Shqipërisë së jugut (Epirus nova), e quanin Arbanos Epirin klasik (Epirus vetus ) (18).
Në vitin 1774 historiani suedez Johann Thunmann (1746- 1778) shkruante se vetë grekët i njihnin si shqiptarë banorët e Epirit dhe të ‘Ilirisë Greke’ (Shqipërinë e mesme dhe të veriut): “Grekët, të cilët ishin të parët që erdhën në kontakt me shqiptarët si një popull i pavarur luftarak, i dhënë pas blegtorisë, e përdorën emrin e tyre për të treguar të gjithë banorët e rajoneve malore “të Ilirisë greke dhe të Epirit, që kishin të njëjtën gjuhë e të njëjtat zakone me shqiptarët (19). Thunmani tregoi gjithashtu se duke marrë parasysh rritjen e fuqisë së shqiptatëve, perandori bizantin Kantakuzen mori një vendim politik për t’i shkëputur këto rajone nga Nikefori dhe caktoi prijsa vëndas për të qeverisur Epirin. Kështu, sipas tij, Gjin Bua Shpata u bë princ i Janinës dhe Muzak Topia – princ i Artës (20).
Zhvillimet e mëtejshme politiko-ushtarake në Epir treguan se perandori Kantakuzen nuk ua fali pushtetinprijsave shqiptarë të Epirit, por ishte i detyruar tua dorëzonte Epirin për shkak të rritjes së fuqisë së tyre.
Pas vdekjes së Stefan Dushanit, ne vitin 1355, filloi një luftë për luftë për të zënë vëndin e tij midis gjysëm-vëllait të tij dhe të birit të tij, Uroshit. Kjo i dha guxim të birit të Joan Orsinit, Nikiforit II Orsini që të shfrytëzonte rastin për të rimarrë shtetin e atit të tij. Ai mori Thesalinë, por hasi një rezistence të fortë nga shqiptarët në Epir. Pasi bëri gati një ushtri dhe e përforcoi atë me trupa mercenare turke, në vitin 1356, ai ndërmori një sulm të madh kundër shqiptarëve në jug të Epirit, në brigjet lumit Akelos, ku ushtria e tij u shpartallua dhe ai vetë u vra (21).
Një informacion ‘nga brenda’ për gjëndjen etnologjike në Epir nga fundi i shekullit XVIII na jep nje grek etnik i lindur në Janinë, kryeqyteti i vilajetit të Janinës në atë kohë. Emri i tij ishte Athanasios Psalidha (Αθανάσιος Ψαλίδας, 1767-1829). Pasi kishte kaluar 10 vjet studime dhe punuar si redaktor në Vjenë, ai u kthye në Janinë ku punoi si mësues dhe drejtor i shkollës Maroutsia, shkolla më e mirë e qytetit. Pas rënies së pashallëkut të Janinës, me vrasjen e Ali Pashës, ai u vendos në ujdhesën Leukas, ku edhe vdiq, në vitin 1829.
Si etnik grek i shkolluar, lindur e rritur në Janinë, njohuritë e tij mbi përbërjen etnike të qytetit të lindjes dhe të Epirit në përgjithësi nuk mund të vihen në dyshim. Ai shkruante: “Shqipëria (e njohur më parë si Ilirikon dhe Epir) kufizohet në lindje nga pjesët fushore të Maqedonisë dhe Thesalisë, në veri nga Bosnja dhe Sërbia, në perëndim nga deti Jon dhe në jug nga Gjiri i Ambrakisë (Artës – NRÇ) “ (21). Me këtë autori grek na thotë sheshit e pa dykuptimësi se trojet e Epirit nga fundi i shekullit XVIII vazhdonin të banoheshin nga shqiptarë.
Kështu, 23 shekuj të të ashtuquajturit “proces i helenizimit”, “romanizimit” dhe “bizantinizimit” të mëvonshëm të Epirit, edhe pas ardhjes së një popullsije greke në 1204, nuk arritën dot ta përmbysin gjëndjen etnologjike të rajonit që mbeti gjithë kohën e mbizotëruar nga elementi shqiptar. Më tej, Psalidha shpjegon gjithashtu se : “Shqipëria përbëhet nga dy mbretëri, njera është ajo e Epirit dhe tjetra – ajo e Ilirikonit” (22). Duke përdorur termin bizantin toparki [nga greqishtja toparches (τοπάρχης) “sundues i vëndit”], ai na dëshmon për dy njësitë administrative të perandorisë osmane, të banuara nga shqiptarë, ‘Epirin’ dhe ‘Ilirikonin’. Në atë kohë ‘Epiri’ ishte nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës kurse ‘Ilirikoni’, rajoni në veri të lumit Shkumbin – nën sundimin e Bushatllinjve të Shkodrës.
Megjithatë, burime të reja greke njoftojnë se, pas pavarësisë së Greqisë, Psalidha ndroi mëndje dhe u tërhoq nga pohimet e tij të mëparëshme. Meqënëse unë nuk kam mundur të gjej thëniet që tregojnë se Psalidha ka “ndruar mendje”, jam i detyruar të mbështetem në një botim grek të kohëve të fundit nga i cili po citoj deklaratën e tij kundërthënëse: “Shqipëria në perëndim kufizohet nga deti Adriatik, në lindje nga pjesët perëndimore të Maqedonisë, në veri nga Bosnja, Dalmacia dhe Mali i Zi dhe në jug nga Epiri me të cilin ndahet nga lumi Vjosa” (23).
Është e pamundur të përfytyrohet dhe të besohet se një grek etnik i shkolluar, i lindur dhe rritur në Epir, u ngatërrua në shkrimin e tij dhe iu deshën disa vjet që ta gjente në se epirotët ishin shqiptarë apo grekë.
Dikotomia e Psalidhës shpjegohet lehtë dhe bindshëm po të mbahen parasysh rrethanat në të cilat ai “ndroi mendje”. Ndryshimi ndodhi në një kohë ngritje të paparë të nacionalizmit, gjatë kohës së revolucionit grek, kur hidheshin bazat e shtetit të pavarur grek, në apogjeun e ngasjes nacionaliste për zgjerimin e kufijve të atij shteti në territore të huaja të banuara jo vetëm nga shqiptarë, por edhe bullgarë, maqedonë e turq, prirje që do të formalizohej në nivel institucional në projektin e famshëm të “Idesë së Madhe” (Megali Idhea) (Shih hartën ne figurën 1).
Konferenca e Paqes pas Luftës së Parë Botërore në Paris. Greqia dhe Epiri në këndin veri-perëndimor janë shënuar me të zezë. I vijëzuar është rajoni ku ndesheshin interesat greke me ato franceze.
From the New York Times, Current History 1919.
Për fat të keq, duket se objektiviteti dhe ndershmëria intelektuale e Psalidhës nuk mundi ti qëndronte dot emocioneve dhe trusnive nacionaliste të kohës.
Ia vlen të shënohet se Psalidha nuk e fshehu dot brejtjen e ndërgjegjes dhe ndrojtjen, siç kuptohet nga fakti që ai nuk flet fare për kufirin e Shqipërisë me Greqinë, siç bën për Bosnjën, Maqedoninë dhe Sërbinë, kur flet për Epirin si për një territor të paidentifikuar ose neutral, as grek e as shqiptar.
Dy shekuj më parë gjeografi danez-francez Conrad Malte-Brun (1755-1826), në vëllimin IV të Gjeografisë universale (Universal Geography) e identifikon qartë Epirin me Shqipërinë ose, më saktë, me atë që ai e quan Shqipëria e Poshtme (“lower Albania”): “Shqipëria e Poshtme ose Epiri i lashtë shtrihet në jug të paralelit 40, andaj ne do ta shohim atë si një rajon të veçantë” (24). Në nënkapitullin “Klima dhe bimësia – Shqipëria e Poshtme” të botimit të Londrës të kësaj vepre, ai shkruan: “Tërë Epiri ose Shqipëria e sotme është e plot me male, shumica e të cilëve janë gëlqerorë e të brazduara nga hone të thella” (25).
Dhe përsëri në vitin 1841 Karl Friedrich Merleker (1803-1872) identifikon Shqipërinë me pashallëkun e Janinës, i cili përfshinte të gjithë Epirin klasik (Epirus vetus), kur shkruan “Pashallëku i Janinës ose Shqipëria” (26).
Përcaktimi që i bën Merlekeri kufijve të popullit shqipfolës përputhet bukur me trojet e sotme shqipfolëse në Ballkanin perëndimor: “Shqipëria e sotme kufizohet në veri me Bosnjën, në lindje me Maqedoninë dhe Thesalinë, në jug me Akarnaninë dhe Gjirin e Artës kurse në perëndim me detet Jon dhe Adriatik” (27).
Dijetari gjerman theksonte gjithashtu se, duke u bazuar në të dhëna të parëndësishme, të tilla si prania në shqipen e fjalëve latine, disa autorë kanë hamëndësuar se shqiptarët kanë ardhur në trojet e sotme nga Alba e Italisë, kurse të tjerë, duke u bazuar në ngjashmërinë e emrit me Albanian e Kaukazit (27), një eksonim për vëndin në Kaukaz që banohej nga populli i aluanëve (28), kanë spekulluar se shqiptarët mund të kenë ardhur nga Kaukazi.
Edhe gjeografi gjerman L. Schmitz nga mesi i shekullit XIX në Manualin e Gjeografisë së Lashtë e identifikoi Pashallëkun e Janinës me Shqipërinë (29).
Në vitin 1855 historian anglez William Cooke Stafford shkruante: “Shqipëria përfshin mbretëritë e lashta të Ilirisë dhe të Epirit…Shkodra është kryeqyteti i Shqipërisë së Sipërme ose Veriore dhe Janina është kryeqyteti i Shqipërisë së Poshtme ose Epirit të lashtë” (30).
Radhës së identifikuesve të Epirit me Shqipërinë në vitin 1860 u shtohet edhe mesjetaristi gjerman Jakob Philipp Falmerayer, një nga themeluesit e bizantinistikës, që i përshkruan shqiptarët si “një degë e popullit të madh ilir, që është njëkohësisht i lidhur nga gjaku dhe gjuha me epirotët dhe maqedonët e lashtë, dy popuj që u përkasin barbarëve ilirë, e jo helenëve” (31).
Theodor Mommsen (1817-1903), një nga historianët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, në kryeveprën e tij ende të patejkaluar, Histori e Romës (Römische Geschichte) e ka shprehur në mënyrë monumentale bindjen e tij për identitetin iliro-shqiptar të epirotëve duke i quajtur epirotët “shqiptarë të i lashtësisë”: “Epirotët trima, shqiptarët e lashtësisë, ndoqën djaloshin e guximshëm (Piron e Epirit – NRÇ), “Shqiponjën”, siç e kishin zakon ta quanin atë, me besnikërinë e trashëguar dhe me ngazëllim të përtërirë”(32).
Nga fillimi i shekullit XX, historiani I.S. Clare e përmbledh në këtë mënyrë gjëndjen etnologjike të Epirit, nga lashtësia deri në kohët e reja: “Gjatë tërë periudhës historike Epiri ishte më shumë shqiptar se sa grek” (33). Duke i bërë jehonë pikpamjes se Clare-s, edhe historiani britanik Graham Shipley, tani vonë, nga fundi i shekullit XX ka ardhur në përfundimin se “Trakët, paionët, epirotët dhe ilirët ishin kryesisht popullsi jourbane me elita (shkrimdorja është e imja – NRÇ) pak a shumë të helenizuara” (34).
Duke u mbështetur në burimet e lashta greke, dhe duke shprehur një mendim të përgjithshëm, në vitin 1917, klasicisti dhe gjeografi gjerman Eugen Oberhummer (1859-1944) gjithashtu konfirmoi identitetin ilir të epirotëve, duke theksuar se ata flisnin një gjuhë që ishte e ndryshme nga greqishtja: ”Epiri vetë deri në Greqinë veri-perëndimore, banohej nga fise ilire që flisnin një gjuhë të pakuptueshme nga grekët” (35).
Dallimin e theksuar të epirotëve nga grekët e ka shprehur në mënyrë elokuente edhe autori britanik E.L. Clark: “Epirotët ishin aq të dallueshëm nga helenët, sa janë dhe shqiptarët nga grekët e sotëm” (36).

Prejardhja e suljotëve
Një vështrim i shkurtër rreth prejardhjes së suljotëve është i nevojshëm, ndër të tjera, edhe për shkak të famës që kishte ky fis që mundi të ruante pavarësi të plotë brënda perandorisë osmane si dhe për rolin e shquar të asaj popullsije në Revolucionin grek.
Shumë autorë besojnë në traditën gojore suljote, sipas së cilës ata e kanë prejardhjen nga rajoni i Labërisë (Kardhiqit të rrethit Gjirokastër), pjesë e Epirit klasik të lashtësisë ose Epirus vetus. Ata u vendosën në malet e ashpra dhe të papushtueshme të Sulit, dikur gjatë pushtimit osman, për shkak të shtypjes ekonomike shoqërore (37).
Me bashkëndijesi sot pranohet se “Suljotët ishin shqiptarë nga prejardhja dhe ortodoksë nga besimi”(38). Ata mirreshin kryesisht me blegtori. Gjuha e tyre e nënës ishte shqipja e nëndialektit çam të toskërishtes.

Natyrën jogreke të Epirit dhe epirotëve, madje dhe të fqinjëve të rajoneve të Etolisë dhe Akarnanisë në jug të Epirit, e ka ritheksuar gjeografi historik britanik N.J.G. Pounds në vitin 1976: “Epiri nuk ishte pjesë e Greqisë, dhe në shekullin V p.e.s. tregëtia dhe kultura greke kishte ndikuar fare pak në fiset epirote. Është e dyshimtë në se mund të konsiderohen grekë edhe fiset e Etolisë dhe të Akarnanisë” (39). Pikëpamja e Pound-it rreth karakterit jogrek të Etolisë dhe Akarnanisë mund të gjurmohet thellë që në Lashtësinë klasike, mbi dy mije vjet më parë te Tuqididi, në shekullin V p.e.s., i cili na bën të ditur se euritanët, fisi më i madh i etolëve flisnin një gjuhë të pakuptueshme për grekët (40).
Edhe kartat etnografike të Epirit dhe rajoneve fqinjë të përgatitura në shekullin XIX nga kartografë rusë, francezë dhe gjermanë vërtetojnë pikëpamjen e Pounds-it.

Fig. 2. Hartë etnografike e Ballkanit nga Ami Boue (1847), që tregon trojet shqiptare në ish-provincat romake Epirus nova, Epirus vetus dhe Akarnani me xhepa popullatash vllahe ne malet e Pindit etj. Në hartë popullsia shqipfolëse është ndarë sipas besimit mbizotërues në ortodoksë lindorë (ngjyrë e gjelbër) dhe në muslimanë (bojëkafe), deri në gjirin e Korinthit
Internet:
https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Ethnographic_map_Ami_Boue_1847.jpg

Figure 3. Harte etnografike ruse e mesit të shekullit XIX ku shihen trojet e banuara nga popullsi shqiptare në Ballkanin perëndimor, në ish-provincat romake Epirus nova Internet: https://commons.wikimedia.org/ëiki/File:Ethnic_map_of_Balkans_-_russian_1867.jpg

Në vitin 1999 historiani francez Alain Ducellier, bizantolog në Universitetin e Tuluzës, na siguron se jo vetëm prapavëndi (hinterlandi) i Epirit, por edhe bregdeti i tij, ku kishte pasur kolonë grekë e romakë, kishte mbetur etnikisht shqiptar gjatë tërë Mesjetës. Në përshkrimin e gjëndjes së Epirit të shekujve XII-XIII në The New Cambridge Medieval History vol 5 – c.1198-c.1300, ndër të tjera, lexojmë: “bregdeti i Epirit, edhe pse u ndodh nën kontrollin e grekëve dhe të sërbëve, mbeti i banuar kryesisht nga shqiptarë” (41).
Unë do t’i mbyll këto shënime me një përfundim rreth identitetit etnik të epirotëve që ka dalë nga diskutimet në një konferencë ndërkombëtare të historianëve dhe arkeologëve të mbajtur në Clermont Ferrand të Francës, në vitin 1984, ashtu siç e ka paraqitur atë Edwin E. Jacques:
“Në tetor 1984, 70 historianë dhe arkeologë nga Greqia, Shqipëria, Rumania, Italia dhe disa vende të tjera u mblodhën në Klermon Feran të Francës. Ata mbajtën një kolokium me një grup specialistësh të historisë së lashtë, të cilët punonin nën drejtimin e profesor Pjer Kabanit, ekspert i njohur për Epirin. Ata krahasuan studimet e kryera mbi grupet fisnore dhe etnike, të cilat gradualisht kaluan në jetën qytetare e pastaj u federuan në organizma shtetërore. Ata krahasuan institucionet e së drejtës, të tilla si e drejta familjare e pronësisë, roli i gruas në familje dhe në lirimin e skllevërve. Ngjashmëritë e qendrave epirote si Dodona dhe ato të Ilirisë së Jugut u vunë re në dizenjot, arkitekturën dhe në organizimin politik, por edhe në qarkullimin e monedhave, ndërtimin e varreve, ritet e varrimit dhe sendet që vendoseshin në varre. Dijetarët erdhën në përfundimin se, që nga lashtësia hershme deri në kohën romake, kultura e Ilirisë së Jugut dhe Epirit, duke përfshirë Mollosinë, ishte krejt e ndryshme nga ajo e Greqisë klasike që shihet në Athinë e Spartë” (42).

Referimet
1 Miniati, L. (1663). “Le glorie cadute dell’antichissima, ed augustissima famiglia Comnena…p. 44.
2 Merleker K.F. (1841). Das Land und die Bewohner von Epeiros. Erste Theil. Dalkowski, Königsberg, p. 7-8.
3 Merleker, K.F. (1841). Das Land und die Bewohner von Epeiros. Erste Theil. Dalkowski, Königsberg, p. 7-8: “Die Chimarioten sind, ëie ihre Vorältern, welche Kaiser Kantakuzenos selbstherrschende albanische Nomaden (2, 24. Άλβανοὶ αὐτόνομοι νομάδες), nennt, unabhängige Hirten, eine kühne und räuberische Art albanischer Christen, die zuëeilen aus ihren Felsen hervorkommen und die Schiffe, welche ëährend der Ëindstille vor ihrer Küste liegen, an das land ziehen”.
4 Pelegrinage a Jerusalem de N. de Martoni: Notaire italien (1394-1395). Revue de l’Orient latin, vol. 3, Paris, p. 662.
5 Anonimi. In Burime Tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë – Shek. X-XV. Përg. K. Bozhori and F. Liço. Tiranë, p. 318 (in Albanian).
6 Anonimi. In Burime Tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë… Ibid.
7 Bojatzides,, I.K. (1926). Symbole eis ton mesaioniken istorian tes Epeirou. Epeirotica Chronika I, 79-80.
8 Lambros, S. (1926). Anonymon Panegyrikos. Palailogia kai Peloponnesiaka, 3, pp. 194-195. Cited by Xhufi, P. (1994). The Ethnic Situation in Epirus During the Middle Ages. Studia Albanica 1/2, 41-58.
9 The Muslim Presence in Epirus and Western Greece (2008). In Elevating and Safeguarding Culture Using Tools of the Information Society: Dusty traces of the Muslim culture. Earthlab Greece. p. 278.
10 The Muslim Presence in Epirus and Ëestern Greece (2008). Ibid. p. 307.
11 The Muslim Presence ….Ibid. p. 307.
12The Muslim Presence …. Op cit., p. 328.
13 Ibid., p. 331.
14 Ibid. p., 309.
15 von Lüdemann, Ë. (1825). Der Suliotenkrieg nebst den darauf bezüglichen Volksgesängen. F.U. Brockhaus, Leipzig, p. 1.
16 Philippi Cluverii Introductio in universam geographiam, tam veterem quam novam. J. Wolters, 1686, p. 329: “Epirus, nunc dicitur Kanina, separatur”.
17 Philippi Cluverii Introductio in …Ibid. p 329.
18 History naturelle de Pline (1771). Traduite en françois, Veuve Desaint, Paris, pp. 233-234.
19 Thunmann, J. (1774).Untersuchungen über die Geschichte der östlichen Europäischen Völker I. p. 242: “Die Griechen, die zuerst die eigentlichen Albaner, als eine unabhängiges, kriegerisches und dem Hirtenleben ergebenes Volk kennenlernten, machten ihren Namen zu einem allgemeinen Namen der übrigen Bergbewohner des Griechischen Illyriens und des Epirs, die mit den Albanern von gleicher Sprache und Lebensart waren”.
20 Thunmann, J. (1774). Untersuchungen…Op. cit. p. 306: “Kantakuzen hatte zu der Zeit, da er diese Länder dem Nicephorus entriss, einige Albanische Herren so gar zu Statthaltern darinnen verordnet. Guini de Spata erhielt die Gegenden um Jannina, und Musacchi Topia das Gebieth von Arta. Spata machte sich bald unabhängig, und nahm auch dem Topia zugleich mit dem Leben seine Statthalterschaft (Spandugin. ap. du Cange dans l’Hist. de Constantin L. VIII, p. 139)”.
21 Papacharisis A. (ed.), Kosma Thesprosian and Athanasios Psalidas, Geography of Albania and Epirus. Ioannina 1964, 49-50 (in greek).
22 Papacharisis A. (ed.), Kosma Thesprosian and Athanasios Psalidas. Ibid: Ëith this revision he places the river Aoos as a border betëeen Epirus and Illyricon – Ano Arvanitia (upper Arvanitia), a notion ëhich his student Kosmas the Thesprotian also adopts to define Albania.
23 Papacharisis A. (ed.), Kosma Thesprosian and Athanasios Psalidas, Geography of Albania and Epirus, Ioannina 1964, 49-50 (in greek).
24 Malte-Brun, C. (1929). Universal Geography: or A Description of All the Parts of the World on a new Plan IV. Laval and Bradford, Philadelphia, 1829, p. 103.
25 Malte-Brun, C. (1827). Ibid., p. 176.
26 Merleker K.F. (1852). Historisch-geographische Darstellung des Landes und der Bewohner von Epeiros: Tl. III. Jahresbericht der königlichen Friedrichskollegium, Königsberg, 1841, f. 4: “dem gegenwärtigen Paschalik Janina oder Albanien”.
27 Merleker, 1852, p. 17: “das heutige Albanien gegen Norden von Bosnien, gegen Westen von Macedonien und Thessalien, gegen Süden von Akarnanien und dem Golf von Arta, und gegen Westen von dem ionischen und adriatischen Meere begrenzt wird”.
28 The name “Albania’ for the people of Caucasus seems to be a misspelling of the original name of the people by ancient Greeks and then Latins.. This is indicated by the fact that their ëestern neighbors, ancient Armenians called them Aluans (Ałuank) and their language ałoëanic; their eastern neighbors, medieval Persians knew them as Arran;and Georgians in the north called them Rani.
29 Schmitz, L. (1859). A Manual of Ancient Geography. Blanchard and Lea, Philadelphia, p. 84-85. In author’s definition, Epirus “embraces the modern Pashalik of Ioannina or Albania”.
30 Stafford, Ë.C. (1855). History of the war in Russia and Turkey… Jackson, London – Liverpool, p. 120.
31 Fallmerayer, J.P. (1860). Das albanesische Element in Griechenland. Verlag der K. Akad., München, p. 4: “Zweig des grossen Volkstammes der Illyrier und zugleich für Bluts- und Sprachverwandte der alten Epiroten und Macedonier zu erklären, welche beiden Völker ihrerseits ebenfalls den Illyrischen Barbaren, nich den Hellenen angehören”.
32 Mommsen, T. (1854). Römische Geschichte I. Weidmannsche Buchhandlung, Leipzig, f. 257: “…die tapfern Epeiroten, die Albanesen des Alterthums, hingen mit angestammter Treue und frischer Begeisterung an dem müthigen Jüngling, dem ‚Adler‘, wie sie ihn hiessen.”.
33 Clare, I.S. (1906). Library of universal history III. Union Book Co, NewYork – Chicago, p. 706: “During the entire historical period Epirus was more Illyrian than Greek”.
34 Shipley, G. (2000). The Greek World After Alexander 323–30 BC. Routledge, London-New York, p. 111.
35 Oberhummer, E. (1917). Die Balkanvölker. Verein nat. Kenntn. LVII. Bd. pp. 263-279: ”Auch in Epirus selbst und bis in das nordwestliche Griechenland hinein wohnten Stämme, die als illyrisch bezeichnet werden und eine den Griechen unverständliche Sprache redeten”.
36 Clark, E.L. (1878). The Races of European Turkey. Dodd, Mead and Co., New York, p. 167-168: “The Ancient Epirots were as distinct from the Hellenes as the Albanians are from the modern Greeks”.
37 von Lüdemann, Ë. (1825). Der Suliotenkrieg nebst den darauf bezüglichen Volksgesängen. F.U. Brockhaus, Leipzig, p. 1.
38 Trencsényi, B.Kopecek, M. (2006): Discourses of Collective Identity in Central and Southeast Europe (1770-1945): In The Formation of National Movements. Central European University Press, p. 173: “The Souliotes were Albanian by origin and Orthodox by faith”.
39 Pounds, N.J.G. (1976). An Historical Geography of Europe 450 B.C.-A.D. 1330. CUP Archive, p. 30: “Epirus formed no part of Greece, and in the 5th century Greek commerce and culture had made little impression upon its tribes. It is doubtful whether the tribes of Aetolia and Acarnania should be considered Greek”.
40 Thucydides History of the Peloponnesian War III, 94, 5.
41 Ducellier, A. (1999). Albania, Serbia and Bulgaria. In The New Cambridge Medieval History V – c.1198-c.1300. Ed. D. Abulafia, Cambridge University Press, Cambridge – New York, p. 780: “the coasts of Epiros, despite their control by Serbs and Greeks, remained primarily inhabited by Albanians”.
42 Jacques, E.E. (1995). The Albanians: An ethnic history from prehistoric times to the present. McFarland and Co. Inc. Publishers, Jefferson, N. Carolina, pp. 79-80: “In October 1984, 70 historians and archaeologists from Greece, Albania, Romania, Italy and several other countries of Europe convened in Clermont-Ferrand, France. They held a colloquium with a group of specialists in ancient history who were working there under the direction of Professor Pierre Cabanes, the renowned expert on Epirus. They compared studies on the tribal and ethnic groups which gradually organised into urban life, then federated into state organisations. They compared juridical institutions such as family right of ownership, the role of the woman in the family and the procedure in freeing slaves. Similarities of Epirotes centers like Dodona and those of Southern Illyria were evidenced by the layout, architecture, and political organisation, also the circulation of coins, the structure of groves, the burial rites and articles found in the tumuli. But scholars concluded that from early antiquity until the Roman times that culture of Southern Illyria and Epirus, including Molossia, was quite different from that of classical Greece as found in Athens and Sparta”.

Filed Under: Histori Tagged With: Epiri në historiografinë mesjetare dhe moderne, Nelson Cabej

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT