
Kroatët votuan këtë të diel për qeverinë e re. Zgjedhjet e parakohshme janë fituar nga partia që ishte në pushtet, por mes 151 deputetëve në Parlamentin kroat do të ketë dhe një përfaqësuese shqiptare.
Ermina Lekaj-Prljaskaj ka arritur të sigurojë një mandat të tretë si përfaqësuese e Unionit të Shqiptarëve në Republikën Kroate.
E kënaqur për sigurimin e mandatit, në një lidhje për Euronews Albania ajo tha se, gjatë detyrës si deputete ka punuar për faktorizimin e komitetit shqiptar në Kroaci duke theksuar se shqiptarët janë bërë një faktor shumë i rëndësishëm.
“Avancimi i shqiptarëve, mbështetje e shumë studentëve shqiptarë që studiojnë këtu në Kroaci. Kemi arrit që të hapim tri shtëpi të kulturës që janë pronë e komunitetit tonë”, tha Lekaj-Prljaskaj.
Deputetja shqiptare e Parlamentit kroat thotë se, promovimi i mëtejshëm i shqiptarëve dhe ofrimi i një mbështetje për shteteve shqiptare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mbetet synimi për mandatin e ri.
Zgjedhjet e së dielës në Kroaci i fitoi partia e kryeministrit Andrej Plenkovic por pa arritur të sigurojë i vetëm shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
Ndërsa opozita mori një rezultat zhgënjyes, në një proces ku pjesëmarrja ishte e ulët për shkak të COVID-19.