
Nga ERVIN DINE/*
Së pari, më lejoni t’Ju falenderoj të gjithëve si anëtarë të Vatrës, që ma besuat detyrën e një prej Nënkryetarëve të kësaj federate historike, e cila i ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim gjithë zhvillimet e shtetit shqiptar dhe të krejt shqiptarëve, prej formimit të tij e deri në ditët e sotme. Prandaj edhe zgjedhjen time e konsideroj më tepër një përgjegjësi, të cilën do të përpiqem ta justifikoj me gjithë energjitë e mia.
Gjej rast ta uroj Kryetarin e ri të z. Berisha, për zgjedhjen e tij në krye të Vatrës dhe të besoj që angazhimi i tij të jetë një kapitulli të ri në jetën dhe aktivitetet e kësaj federate. Sigurisht do të falenderoj edhe kryetarin paraardhës, z. Mishto, për të gjitha përpjekjet e tij për të sjellë një model të ri komunikimi, si në trajtimin e problemeve edhe në afrimin e figurave të reja, një prej të cilëve jam edhe unë. Meriton të vlerësohet e të respektohet edhe vatrani i njohur, i zgjedhur President Nderi i Vatrës, zoti Rexhaj, i cili ndihmoi në mbarvajtjen e Kuvendit duke u hapur rrugë afrimit të njerëzve më aktivë në drejtimin e saj.
Prej vitesh e kam ndjekur nga afër, e më pas jam angazhuar seriozisht në aktivitetet e Vatrës. Sot mendoj se të gjithë duhet të udhëhiqemi nga figurat më me emër të saj si: Noli, Konica, Tromara, Pipa e plot të tjerë, dhe të japim më të mirën tonë, si në mbarëvajtjen e saj edhe në rritjen e nivelit të përfaqësimit.
Mendoj se Vatra duhet ta ketë qëllim të saj t’i afrojë të rinjtë dhe idetë e reja. Ajo duhet ta ketë prioritetet të saj gratë, intelektualët e figurat e suksesshme në këtë vend të mundësive për të gjithë.
Sa i përket metropolit të Neë Yorkut, ku ndodhet edhe përqëndrimi më i madh i shqiptarëve në Amerikë, mendoj se hapja e pesë degëve në këto qendra të mëdha si: Quins, Bronx, Broklyn, Manhattan dhe Staten Island, do t’i japë më shumë frymëmarrje dhe dinamikë aktivitete të saj.
Simbas mendimit tim, duhet të ngremë nivelin e aktiviteteve tona, të angazhojmë më shumë forca krijuese, dhe të veprojmë simbas një programi vjetor dhe mujor aktivitetesh, i cili duhet të jetë i detajuar dhe i ndjekur me rigorozitet.
Vatra duhet të afrojë njerëz me mendësi të hapura duke mbetur një federatë aktive apartiake, që do të komunikimin me gjithë shoqatat e tjera shqiptare, dhe asnjë herë s’do të heqë dorë nga mbrojtja e kauzave politike të drejta; të luftojë për të drejtat e shqiptarëve kudo që ata të jetojnë; të mbrojë lirinë dhe demokracinë; të kontribuojë me gjithë energjitë e saj për çeshtjen kombëtarë; të mospajtohet me fallsifikimin e historisë kombëtare dhe të jetë në ballë si të dënimit të krimeve të diktaturës komuniste edhe masakrave ende të pazbardhura në Kosovë.
Duhet të angazhohet brezi i ri i Vatrës në kompiuterizimin dhe dixhitalizimin e historisë së kësaj federate dhe gazetës së saj Dielli. Ajo të jetë më aktive në rrjetet sociale, si në komunikimin e aktiviteteve edhe në propagandimin e tyre. Për realizimin e këtij synimi, duhet të ngrihet një grup pune. Për këtë gjë do të flasë me gjerë z. Agustin Mirakaj.
E quaj mjaft me vlerë takimin e paradisaditëve me Departamentin ASH, dhe duhet të luftojë bashkarisht që të rrisim si cilësinë edhe sasinë e këtyre takimeve, duke luftuar që ta rrisim sferën e ndikimit në institucionet amerikane.
Nisur nga fakti që në zgjedhjet e fundit u zgjerua Këshilli i Vatrës me 72 anëtarë, të cilët së bashku me kryesinë dhe drejtuesit e saj prej 17 anëtarësh, afrojnë një shifër rreth 100 vetësh, na duhet të mendojmë seriozisht se ka ardhur koha që mbledhjet më të rëndësishme të bëhen në ambiente më të përshtatëshme, ku t’i krijohet mundësia dhe lehtësia e qëndrimit çdo pjesëmarrësi.
Në këtë fjalë timen, më lejoni të falenderoj edhe Degën e Vatrës së Michiganit me z. Grizhaj dhe Rakaj, për kontributin për organizimin me sukses të Kuvendit të fundit, pa harruar edhe z. Greca, editorin e Diellit, pikërisht sot në përvjetorin e 111 të numrit të parë, të kësaj gazete legjendë.
Në përfundim mund të them që s’duhet të harxhojmë shumë energji duke u marrë me veten, sepse do të lemë shumë prej angazhimeve tona pa realizuar. Unë besoj te fryma e tolerancës, mirëbesimit dhe kontribuimit të secilit prej nesh… prandaj po e mbyll fjalën time me një frazë të artë të Sami Frashërit që thotë: “Bashkimi i bën të mundëshme gjërat e pamundura, përçarja e bën të mundshmen të pamundur!”
Ju falenderoj për durimin tuaj!
* Diskutim në Këshillin e Vatrës, 15 Shkurt 2020