Intervistoi: Eneida Jaçaj
Një komb pa histori, nuk mund të ekzistojë! Historia e kombit tonë na dallon nga kombet e tjera, duke përbërë vlera të veçanta të pamohueshme si nacionalitet, duke nxjerrë në pah karakterin këmbëngulës dhe sfidues të shqiptarit, përpjekjet titanike për bashkimin e Shqipërisë, moscopëtimin e saj nga orekset e Fuqive të Mëdha, dhe ndërtimin e shtetit shqiptar me të gjitha insitucionet e nevojshme. Ervina Toptani, studiuese dhe njohëse e mirë e ngjarjeve historike të popullit tonë që kanë bërë epokë, në një bashkëbisedim ekskluziv për gazetën “Dielli”, rrëfen rolin e Federatës Panshqiptare Vatra, me personalitetet e saj, së bashku me SHBA, në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare. Personalite të shquara si brenda dhe jashtë vendit krijuan lobet e tyre për të penguar copëtimin e vendit, e më pas u bashkuan në një shoqëri të vetme, për një qëllim të përbashkët. Gjatë bisedës, Toptani do të flasë edhe për rolin e Zogut në ndērtimin e shtetit shqiptar. Ajo thekson se roli i tij ishte i padiskutueshëm, por mund të kishte bërë edhe me shumë.
-Çdo pjesë e historisë, e shtrirë në kohë të ndryshme, ka rëndësinë e saj të veçantë për ta diskutuar dhe, e marrë si e tërë, përbën në vetvete vlerë historike për kombin. Por, unë do të doja që biseda jonë të niste me nacionalizmin shqiptar dhe rolin e diasporës shqiptare. Cilën periudhë kohore do të veçonit kur nacionalizmi shqiptar arrin majat?
Unë mendoj se diaspora shqiptare ka nisur të zhvillohet e organizohet që prej shekullit të 19-të, sidomos pas gjysmës së dytë të tij. Diaspora e organizuar, besoj nis me italo-shqiptarët e Italisë Jugore, me shkollat e tyre të mendimit dhe veçanërisht me punën e përpjekjet e tyre në favor të idesë kombëtare shqiptare. Njerëz të shkëlqyer si De Rada etj, ishin pionierët e ideve nacionale, prej nga ku u frymëzuan edhe të tjerë patriotë më tej. Nuk mund të lëmë pa përmendur grupet shqiptare të Bukureshtit e të Egjiptit, që dhanë shumë ndihmë, përfshirë këtu dhe kontributin lidhur me shkrimin e gjuhës shqipe. Një tjetër ndër pionierët e shqiptarizmit është edhe Said Sermedin Toptani, veprën e të cilit e vijuan djemtë e tij Refik e Murad Toptani, edhe me fillimin e shekullit të 20-të.
Në diasporën shqiptare jashtë trojeve kombëtare, zhvillonin aktivitet më së shumti ato personalitete që për arsye të ndryshme nuk kishin marrëdhënie të mira me Portën e Lartë, apo ishin dënuar prej saj. Mbi të gjitha do të veçoja këtu Pashko Vasën, të cilin në një shkrim timin disa kohë më parë, unë e kam quajtur si “Fichten e Shqipërisë”, për sa i ka dhënë ai mendimit kombëtar me përpjekjet e tij për ndërgjegjësimin e kancelarive europiane për Shqipërinë dhe nevojën e formimit të shtetit unitar shqiptar në Ballkan (lidhur me përpjekjet e patriotëve në periudhën e Lidhjes së Prizrenit). Ndërkohë që edhe më shumë rëndësi kishte bashkësia shqiptare e Stambollit me komitetet e saj politike, gjuhësore e kulturore. Ndër ta mund të përmendim figura si vëllezërit Frashëri, sidomos Sami Frashërin, i cili me veprën e tij madhore mbi idenë e paanshmërisë kombëtare shqiptare “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, mund të quhet ndër themeluesit e idesë politike shqiptare.
Më pas vijnë figurat e tjera të mëdha si Konica e Noli, etj., aktiviteti i të cilëve lidhet me punën konkrete politike për formimin e shtetit shqiptar në vitin 1912.
Por, thënë kjo, nacionalistët e kohës do i shihja në dy këndvështrime: ata që jetonin larg vendit amë dhe ata që jetonin brenda territoreve shqiptare. Kjo gjë kishte anë pozitive, sepse u jepte mundësi të gjithëve tëkontribuonin për vendin e tyre në dimensione të shumta, edhe duke ditur se kjo gjë solli përplasjen e ideve në disa raste e jo gjithnjë me rezultate të dobishme për çështjen e përgjithshme.
Personalisht mendoj se patriotët me dimensione ndërkombëtare ishin intelektualë të shkëlqyer të kohës, figura të njohura ndërkombëtare, gazetarë, botues, shkrimtarë, etj, që dhanë gjithçka duke u përpjekur të sillnin përvojën e jetës së tyre në botën perendimore në vendin e të parëve, me sakrifica të shumta e deri edhe në humbje. Por, ndonëse këta burra përfaqësonin mendje gjeniale, aftësira të mëdha e përvoja të gjera, bazuar në kërkesat demokratike të kohës, ose kishin ide të bukura e dëshira të mëdha për përmirësime të shpejta e të forta të jetës së brendshme të popullit e shtetit të ri shqiptar, ata pothuaj nuk e njihnin jetën brenda Shqipërisë, mënyrën e jetesës së përditshme të njerëzve aty, përvojën e eksperiencave të tyre me problemet e ndryshme me të cilat ata përballeshin në kushtet e një politike jo normale. Ndaj edhe fatkeqësisht, përtej dëshirave e përpjekjeve të këtyre figurave, suksesi i tyre në aktivitetet patriotike mund të konsiderohet relativisht modest.
Nga ana tjetër ishin figurat e tjera patriotike shqiptare nga brenda vendit, të cilët edhe pse ndonjëherë nuk zotëronin forcën intelektuale të të parëve, zotëronin njohjen perfekte të territorit e të njerëzve, të mentalitetit popullor, me njohjen e zakoneve e mentalitetit të shqiptarit të kohës. Këta burra kishin edhe njohjen shumë të rëndësishme të jetës së brendshme të perandorisë osmane dhe të institucioneve të saj, që herë pas here arrinin edhe të gjenin mundësinë e bashkërendimit të interesave dhe nevojave shqiptare me ato të Stambollit.
-Në kuadër të përpjekjeve të mëdha të patriotëve dhe personalieteve të shquara, për ndërtimin dhe organizimin e shtetit shqiptar, a ka një periudhë që do ta veçonit si sukses, por edhe dështim të luftës së tyre për një Shqipëri të bashkuar etnike?
Nuk mund të harrohet suksesi i madh i arritur në gusht të 1912 kur Stambolli më në fund, pas shumë përpjekjesh, njohu idenë kombëtare shqiptare duke pranuar parimin e bashkimit të trojeve shqiptare të 4 vilajeteve në një entitet të ardhshëm me institucione të brendshme, gjë e cila solli edhe ndërhyrjen e fuqive ballkanike, situatë që solli humbjen osmane në luftën ballkanike dhe copëtimin e trojeve tona.
Unë besoj që mos koordinimi i intelektualëve të ardhur nga Europa e SHBA, me personalitetet e brendshme shqiptare, njohës perfekt të jetës dhe popullit tonë, mund të jetë ndër shkaqet kryesore të dështimit të shumë përpjekjeve për ndërtimin e shtetit shqiptar, që solli edhe një sërë lëvizjesh e kryengritjesh që nuk e lanë të përparojë qetësisht shtetin e sapoformuar në Tiranë.
-Ashtu siç e përmendët edhe ju më sipër, nacionalizmi i kaloi kufijtë duke punuar fort për çështjen shqiptare edhe në dhe` tē huaj. Veprimtarët, personalitetet e shquara si Faik Konica dhe Fan Noli, lobuan fort nëpër sallonet e botës, deri në Amerikën e largët për moscopëtimin e Shqipërisë, demokratizimin e vendit, për uljen e analfabetizimit, etj. Kemi krijimin e Vatrës në Boston, më 28 prill të 1912 në Boston, e cila i pati nisur mbledhjet që një vit më parë, ku gjithashtu loboi fort për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës në Kongresin e SHBA. Cili ka qenë roli i Nolit, Konicës, por edhe personaliteteve të tjera, në çështjen shqiptare?
Shoqata Vatra është me shumë rëndësi në historinë tonë, pasi ajo u bë qendra në të cilën emigrantët shqiptarë, personalitete të fushave të ndryshme ose jo, nëpërmjet saj mund të kërkonin forma organizimi për të dhënë mbështetjen e tyre për çështjen tonë kombëtare. Mendoj se përtej kontributit që dhanë shumë individë me forcat e tyre, format e organizuara të kontributeve u rritën vetëm pasi u shtua forca dhe prestigji politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën që po zhvillohej në Europë. Sidomos me hyrjen e SHBA në luftën botërore përkrah Antantës, kur anglo-francezët e kuptuan qartë se pa ndihmën e gjithanshme ekonomike, industriale e ushtarake amerikane, ata nuk do të mundnin të fitonin ndaj Gjermanisë, rritet edhe roli i Vatrës, në bashkërendim me politikën zyrtare të Uashingtonit.
Problemi i madh i elitës shqiptare të kohës, si edhe më pas në Luftën e II Botërore, ka qenë ndarja ideologjike e saj: me kampin e atyre që besonin se gjeopolitikisht Shqipëria do të përfitonte nëse fitonin luftën austro-gjermanët, kah në të cilin shumë shqiptarë të kohës ndienin edhe një lloj borxhi moral ndaj politikave të Vjenës, pa të cilën zor se do të formësohej Shqipëria si shtet në Ballkan dhe, kampi i dytë, ata që mendonin se fitorja do të anonte në anën e anglo-francezëve, aleatë të rusëve, grekëve dhe serbëve, gjë e cila krijonte edhe dyshime në shumë nga personalitetet e kohës. Kampet kishin edhe kundërshtime të forta herë herë, pasi vështirë se puqeshin bashkë ata që vuajtën për të krijuar shtetin unitar shqiptar me ata që vuajtën politikat e ruso – francezëve në favor të klientëve të tyre serbë e grekë, që kërkonin të zgjeroheshin sa më tepër në kurriz të trojeve shqiptare.
Me hyrjen e Amerikës në konflikt në krah të Antantës, sidomos me publikimin e 14 pikave të famshme të Uillsonit, shqiptarët nisën të mbështesin idetë që vinin nga SHBA e të shpresonin në dashamirësinë e Uashingtonit, rrjedhimisht edhe të mbështeteshin më shumë te patriotët e përtej Atlantikut. Nga ky moment del edhe më në pah roli i rëndësishëm i figurave si vëllezërve Konica dhe Fan Nolit, ndërtuesi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, që tentuan me çdo mënyrë të sillnin ide të reja në vendin tonë, të ndikonin në demokratizimin e jetës së brendshme në Shqipëri e të ideve politike shtetformuese dhe veçanërisht në rikrijimin e shtetit të pavarur gjatë Konferencës së Paqes në Paris, në mes të vështirësive të shumta të politikës së kohës. Unë mendoj se edhe takimet e Nolit me Presidentin Uillson në Uashington kanë ndikuar në vendimet e mëpasshme të tij për ndalimin e politikave të aleatëve të tjerë të Antantës me zhvillimin e ideve e politikavetë tyre personale për copëtimin e Shqipërisë, me kulmin e saj në fillim të 1920, kur Presidenti i SHBA ndikoi të anullohej marrëveshja e arritur për të copëtuar vendin tonë.
-Meqenëse jemi në periudhën e pushtimit osman.. Një dokument i dalë nga arkivat turke tregon se gjatë pushtimit osman u lejua feja e krishterë, përdorimi i gjuhës shqipe, u ngritën shkolla, vendi pati lulëzim ekonomik, etj. Sa do ta mbronit këtë dokument, duke u bazuar në studimet që janë kryer nga historianë, aq sa ju jeni në dijeni? Megjithatë, pavarësisht se Turqia e thotë me zë të lartë, ata do të mbeten pushtues…
Pushtimi nga një popull i huaj mbetet gjithnjë i tillë, pavarësisht nga emri i përdorur, feja, idetë, interesat, etj. Çështja është gjithnjë nëse mundesh të përballosh atë situatë apo jo, si e përballon, kostot e kërkuara, mundësia për t`ia dalë këtyre kostove, etj. Mendoj se pushtimi osman mund të ndahet në dy ose tre periudha më të mëdha, e lidhur kjo edhe me vetë historinë e tyre të zgjerimit ushtarak dhe krijimit të shtetit. E para, përkon me fillimin e pushtimeve ushtarake, nën princin Osman e deri afërsisht me mbretërimin e Sulejmanit të Madhërishëm, ose më në përgjithësi në shekullin e 16. Kjo ishte kohë e pushtimeve të dhunshme osmane, kur perandoria zotëronte fuqinë maksimale për zgjerim; më pas, deri në rrethimin e dytë të Vjenës, në fund të viteve 1600, kemi një epokë stabilizimi të perandorisë, që nuk ka më pushtime të mëdha dhe kur përpjekjet osmane ishin më tepër në drejtim të forcimit të shtetit të tyre; pas kësaj date nis rënia graduale e perandorisë osmane, deri me të “sëmurin e Bosforit”, kur perandoria e vjeter osmane u kthye në një “kufomë” shtetërore, në pritje të vdekjes së ngadaltë.
-Shumë shqiptarë kanë mbajtur funksione të larta drejtuese në Portën e Lartë. Cilat kanë qenë marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit? Cili ka qenë roli i tyre në Perandorinë Osmane?
Paraardhësit tanë kanë qenë ndër popujt më të preferuar për turqit. Shqiptarët janë popull i aftë për t`u përshtatur shpejt e mirë, siç e kemi treguar edhe 30 vitet e fundit, ku shumica jonë është përshtatur perfekt kudo ku ka shkuar në Europë apo Amerikë. Edhe me osmanët, stergjyshët tonë janë përshtatur mirë, duke ndërruar edhe fenë kur iu kërkohej kjo gjë. Në mënyrë të veçantë do të shtoja diçka mbi karakterin e shqiptarëve, gjë që e kam cilësuar edhe në librin tim të parë, si pjesë e studimit antropologjik të shqiptareve e si tipar të veçantë tonin. Shqiptarët mbi çdo gjë duan lirinë e tyre. Për lirinë, shqiptarët gjithnjë kanë qenë në gjendje të japin çka kishin më të shtrenjtë, edhe fenë e të parëve. Duke vepruar kështu, ata mundën të shpëtonin jetën duke i garantuar vazhdimësinë e ekzistencës brezave të ardhshëm, mundën të ruajne lirinë dhe vazhdimin e veprimtarisë së tyre. Por kjo gjë u dha atyre edhe mundësinë e karrierave te shkëlqyera nën flamujt e perandorisëmë të madhe të kohës, të paktën kur Porta e Lartë ishte në ngjitje e sipër. Mos harrojme se nga barku shqiptar kanë dalë në histori dhjetra vezirë e qindra pashallarë për osmanët, duke komanduar perandorinë turke për kohë të gjata. Dhe kjo jo për çështje simpatie, por për meritat e vetë shqiptarëve, që ishin burra tëfortë e të mençur, tamam si shqiponjat e maleve të tyre. Të mos harrojmë se edhe një nga kryeministrat e fundit të perandorisë osmasne ishte bir i familjes Vlora, Ferid pashë Vlora, apo edhe garda personale e sulltanëve të fundit ishte vetëm me shqiptarë në përbërje të rradhëve të tyre. Sa i përket fesë, nuk më habit zbulimi i dokumentit që ju tregoni. Ishte zakon i perandorisë osmane që popujt të kishin një lloj lirie në besimet e tyre fetare, ndonëse atyre jo myslimane u kërkoheshin edhe taksa speciale të natyrës fetare. Unë do të doja që Shqipëria të kish qenë një vend gjithnjë europian e perendimor, siç po mundohemi të jemi edhe sot. Me sytë drejt Perëndimit e me dëshirë për të bashkëpunuar e bashkëjetuar në këtë kah. Si edhe vetë turqit e sotëm, që duan në çdo rast të shkojnë e të studiojnë në SHBA e BE. Mjaft të shohësh se sa milionësh është sot komuniteti turk në vende si Gjermani, Belgjika e Austria etj, dhe kuptohen fare qartë aspiratat e tyre.
-Më 1912 shpallet pavarësia e Shqipërisë dhe më 4 dhjetor krijohet qeveria e parë, me kryeministër Ismail Qemalin, deri në 22 janar të 1914. Qeveria dështoi, më pas kemi ardhjen dhe largimin e Princ Vidit, që u pasua me krjimin e disa qeverive të tjera. Kjo situatë bëri që Ahmet Zogu të forconte pozitat e tij, duke kaluar nga Ministër i Punëve të Brendshme, në president, e më pas shpallet mbret, më 1 shtator të 1928. Pra, vendoset mbretëria kushtetuese parlamentare e trashëgueshme. Në gjithë zhvillimin e këtyre përpjekjeve për të ndërtuar shtetin shqiptar, kur mendoni se u hodhën bazat e forta për krijimin e shtetit shqiptar?
Historiku i formimit të shtetit të pavarur është i lidhur ngushtë edhe me figurën e Mbretit Ahmet Zogu, përtej rolit të shumë burrave të tjerë të kohës. Qeveria e parë e Ismail bej Qemal Vlores nisi mirë si bashkim i shqiptarëve më në zë të kohës nën hijen e dy kryeqyteteve të mëdha, si Vjena e Roma. Por kjo risi dështoi shumë shpejt, si prej interesave të ndryshme që lidheshin me shtetet e tjera me interesa të drejtperdrejta e jo mbi bregdetin Adriatik apo kufijtë e papërcaktuar të shtetit të ri, ashtu edhe prej politikave deri diku të pakujdesshme të qeverisë së Vlorës përkundrejt pjesës tjetër të elitës shqiptare të kohës, që sollën në përçarjen e saj, me rezultat dështimin e kësaj pervoje të parë qeveritare. Sipas meje, kjo periudhë është fare pak e studiuar nga autorët tanë ose aspak, ose edhe e studiuar me “syze” ideologjike në epoka të mëvonshme.
Edhe qeveria e Princ Vidit ishte pa të ardhme, e miratuar nga koncerti europian vetëm për të evituar një luftë të mundshme midis Austrisë dhe aleatëve serbë të Moskës në Ballkan, çka do detyronte edhe më të mëdhenjtë të ndërhynin në këto “halle ballkanike”. Princi gjerman, Vilhelm Vid, (Ëilhelm Friedrich Heinrich Prinz zu Ëied), ishte tërësisht i lidhur me politikat e atyre që e miratuan. I mbështetur realisht vetëm nga Austro-Hungaria e Italia, në emër të interesit madhor gjeopolitik që asnjera palë të mos e zotëronte direkt brengdetin tonë Adriatik, ai u fundos menjëherë sapo nisën kontradiktat e tyre. Shto këtu edhe ndikimet e tjera greke e ato turke, dobësitë organike të princit dhe mosnjohjen e territorit e njerëzve në Shqipëri. Përvoja e tij qeverisëse, ndonëse nisi me shumë premtime, përfundoi në 6 muaj. Nisja e Luftës I Botërore i vuri vulën më pas gjithçkaje dhe princi u detyrua të kthehej nga kish ardhur, duke lënë gjithsesi një zbrazëti të madhe në vend. Pa i hyre katastrofës së gjithanshme në të cilën u gjend Shqipëria e vogël gjatë luftës, nën pushtimin e disa ushtrive të huaja, vendi i humbi shpresat për shtetin e vet.
Përfundimi i luftës botërore e ktheu vëmendjen në lojën e interesave gjeopolitike të shteteve të kohës, në Europe e Ballkan, çdokush kërkonte të realizonte aspiratat e tij minimale e maksimale, sipas kontributeve reale në luftë. Kështu, edhe Shqipëria e kohës bëri përpjekjet e saj në Paris, por pa shumë sukses. Gjithsesi, gjatë 1920 e pas një kalvari të gjatë u rinjoh ekzistenca e Shqiperisë së pavarur nga të mëdhenjtë, dhe Tirana zyrtare rifilloi jetën e vet politike.
Në vorbullën e interesave, kundërshtive, ideve dhe dëshirave të figurave politike vendase të kohës, mendoj se shkëlqeu Ahmet Zogu i ri. Ai kishte formim ushtarak kryesisht në Stamboll e më pak ne Austri, por gjithsesi i pajisur me zgjuarsi natyrore për të kuptuar dhe zbërthyer lojërat e politikës së ditës në Shqipëri, qoftë edhe për të kuptuar se nga frynte era e interesave të Fuqive tëMëdha. Mbi të gjitha ishte një njeri i dalë nga kultura jonë popullore që i jepte aftësi të interpretonte dëshirat më intime të njerëzve në atë kohë, aspiratat e politikanëve dhe grupeve të interesit shqiptar. Ai ishte një timonier i mirë në ato kushte të vështira e të turbullta tëjetës së brendshme, në kushtet e mungesës totale të shtetit e kur influencat e ndryshme pothuaj nuk lejonin një jetë normale politike.
Gjatë kryengritjeve të organizuara në fillimet e jetës demokratike, Zogu dëshmoi aftësi të mira komanduese, se ai gezonte mbështetjen e njerëzve që kerkonin stabilitet, kërkesa më themelore e shumicës së popullit shqiptar në ato momente. Kjo solli që gradualisht Ahmet Zogu të rritet në detyra e përfaqësim politik deri ne kryeministër, president e mbret.
Mendoj se roli i tij në proceset e shtetformimit është i pamohueshëm në çdo fushë. A mund të bënte më shumë? Sigurisht që po, por duhet marrë parasysh edhe se cila qe pikënisja e aktivitetit të tij dhe, në ato kushte, gjykoj se ishte një punë titanike për të ndërtuar institucione të respektueshme e funksionale në Shqipërinë e kohës.
Në fund, më lejoni të shtoj se dhe vetë interesi i SHBA në këto vite të para të formimit të shtetit shqiptar, erdhi duke u zbehur shpejt. Fillimisht mendohej se Shqipëria ishte e pasur me naftë dhe kompanitë amerikane kishin shumë interes. Por pasi u kuptua se nafta jonë nuk ishte e cilësisë më të lartë, amerikanët ua lanë britanikëve vendin dhe europianëve, duke u tërhequr edhe ne sensin gjeopolitik nga rajoni. Londra ushtroi ndikim kryesor në Tiranën e kohës, duke mbështetur edhe qeveritë e A. Zogut, duke marrë edhe disa kontrata për nxjerrjen e hidrokarbureve. Por edhe anglezët u tërhoqën shpejt nga Shqipëria në emër të interesave të tyre më të larta mesdhetare e të aleancës me Romën e Musolinit, duke e lënë Shqipërinë tërësisht në sferën e politikës italiane.
Me takimin e vitit 1926, midis Ministrit te Jashtëm Britanik, A. Chamberlein dhe Musolinit, u vendos që përfundimisht Shqipëria të mbetet në sferën e interesave perandorake italiane, preludi që më pas çoi në traktatet e tjera italo-shqiptare, deri në pushtimin e mëvonshëm të vendit nga fashizmi, pushtim që nuk u kundërshtua vërtet nga Londra, Uashingtoni apo të tjerët më 1939, nën dritën e interesave shumë më të mëdha gjeopolitike në prag Luftës së II Botërore.Vetëm me hyrjen e Italisë në luftë përkrah Boshtit, fuqitë perëndimore nisën të mbajnë qëndrimet e tyre lundër Romës. Vlen për t`u theksuar se vendet e vogla, siç ka qenë e mbetet Shqipëria, janë gjithnjë nën ndikimin e vendimeve politike të më të mëdhenjve, në të gjitha kohët.
-Të zhvendosemi më përpara në kohë, kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Ka një debat mes shqiptarëve sa i takon datës historike se kur u çlirua Shqipëria, më 28 apo 29 nëntor 1944. Cila datë duhet festuar si Dita e Çlirimit?
Siç e theksova më lart, nbz nbz nbz nbz unë nuk jam historiane, ndaj besoj se është detyrë e specialistëve të fushës dhënia e shpjegimeve të kësaj natyre për datat historike.
Por me sa dimë, ushtarët e fundit gjermane u larguan nga qyteti i Shkodrës me datën 28 nëntor 1944, datë që përkon me ditën tonë kombëtare. Besoj se kjo rastësi është shumë e bukur në çdo rast, pasi është dita e flamurit tonë dhe mendoj se është pa dyshim dita më e rëndësishme e kalendarit tonë kombëtar. Edhe nëse ka mbetur ndonjë ushtar “ diku rrugës” deri në datën 29, në mos gabohem historia zakonisht iu referohet datave apo qendrave të rëndësishme, qyteteve të mëdha. Por mbi të gjitha data 28 nëntor është dita jonë e flamurit dhe kjo është arsye e fortë për ne si shqiptarë. Nga ana tjetër, data 29 nëntor ishte festë kombëtare e jugosllavëve, ndaj kjo datë respektohej nga diktatori shqiptar dhe partia e tij. Thënë këto, mendoj se janë specialistët e historisë që duhet të japin argumentet e duhura historike.