• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROVË E MADHE QËNDRUESHMËRIE

November 30, 2019 by dgreca

“Ndërmjet të gjithë mjeteve të ngushullimit askush nuk I vlen më shumë nevojtarit se sa pohimi se për rastin e tij nuk ka snjë lloj ngushullimi. Ai i jep atij aq ndryshim sa ngre përsëri kokën.”- FRIEDRICH NIETZSCHE (1844 – 1900), filozof i njohur gjerman/

Shkruan: EUGJEN MERLIKA-ITALI/

            Ora 3.54 e datës 26 nëndor 2019 do të mbetet e paharruar në historinë e kombit shqiptar, për gjëmën e madhe që e pllakosi atë, nëpërmjet një tërmeti 6,4 shkallë Rihter, me pssoja rrënuese për dhjetra mijra qytetarë. Tablloja e gjëmës, e vizatuar me ngjyrat më të errëta, na paraqet dhjetëra jetë njerëzish të ndërprera para kohe, qindra njerëz të plagosur, qindra shtëpi e pallate të shembura apo të dëmtuara e të kthyera në të pabanueshme, një numur deri tani i pacaktuar njerëzish të bllokuar nën peshën e materialeve. Lotë dhimbjeje kanë shoqëruar këtë ditë feste kombëtare me flamurin në gjysmë shtizë në një ditë zie të bashkësisë shqipfolëse në të gjithë rruzullin tokësor. Të ngujuar para televizorëve në çdo cep të botës, duke ndjekur me zemër të pikëlluar reportazhet e gazetarëve e të gazetareve në frontin e rrënojave, që po e kryejnë detyrën e tyre me një shkallë të mbilëvdueshme cilësie, shqiptarët e vrarë në shpirt, marrin pjesë me mendim në veprën, do të thosha heroike, të skuadrave të shpëtimit për të kthyer mbi tokë ata që ndoshta ende lëngojnë në thellësitë e gërmadhave.

            Në këto çaste pikëllimi mbarëshqiptar, mendimi që nuk njeh caqe kohe e hapësire, shkon larg me valët e tij në të shkuarën e në t’ardhmen, duke mos u ndalur në të sotmen aq të trishtuar. E shkuara vlen për të bërë krahasimet, për të nxjerrë mësimet, për të ngushulluar, për t’u bërë shpirtërisht pjesë e përvojës shekullore të kombit të cilit i përkasim, duke trashëguar fitoret e dështimet, ditët e pakta me diell e tufanet e herëpashershme me re të zeza.

            Duke u futur në historinë e hershme, mësojmë se në vitin 1273 “në Durrës ka rënë një tërmet i tmerrshëm”. Atëherë nuk kishte matës të asaj dukurie, por vetë epiteti “i tmerrshëm” jep idenë se mund të ketë qënë si ai i 26 nëndorit, ndoshta edhe më i fortë. Përfytyrimi se si e përballuan atë dhe pasojat e tij stërgjyshërit tanë, n’ato kohë të pafund pushtimesh të huaja të qytetit më të lashtë të tokës ilire, ndoshta na jep edhe neve besim e shpresë. Besim në fuqinë e pashterrur të karakterit të racës, në genin e tij të mbijetesës, e shpresë se, në sajë të vlerave pozitive t’epokës sonë, me zhvillimin e saj të pakrahasueshëm do të arrijmë të përballojmë të gjithë problemet që kemi përpara e të rikthejmë normalitetin në jetën e atyre që u goditën ashpërsisht në gjithshka e kishin më të shtrenjtë.

            Në këto çaste të detyrueshme bilanci, në këtë përsiatje të thellë të asaj që na ka ndodhur e të udhës që duhet të ndjekim për të shëruar plagët e për të shmangur dëmet e pasojave, mendoj se duhet t’i bëjmë thirrje nga nënëvetëdija e jonë, secili e të gjithë së bashku, një ideje që mund e duhet të kemi si udhërrëfyes: jemi të gjithë udhëtarë të së njëjtës, anije pjestarë të të njëjtit popull, se plagët e atyre bashkatdhetarëve tanë që fati i goditi tmerrësisht, janë edhe të secilit prej nesh, se më fatlumët e kanë për detyrë jo vetëm t’i luten Zotit për ta, por edhe të japim ndihmesën e tyre modeste, secili simbas mundësive, për të lehtësuar jetët e tyre. Mendimi se për çdo gjë duhet të përgjigjet Shteti, se ai është i plotfuqishëm e në gjëndje të zgjidhë të gjithë problemet, nuk më duket plotësisht i saktë. Sigurisht Shteti, i cili në këto çaste të jashtzakonshme, duhet të jetë i pari që duhet të bëjë bilancin e punës së tij dhjetravjeçare, ka rolin kryesor në përballimin e gjëndjes traumatike në të cilën ndodhemi, si pasojë e forcës madhore të natyrës, por edhe të mungesave tona. Shpresojmë që ky Shtet, në të gjithë përbërësit e tij, politikë, shoqëri civile, institucione qëndrore e vendore, përfaqësues të jetës ekonomike, do të jetë në lartësinë e detyrës, duke nxjerrë mësime të vyera nga e shkuara, jo vetëm e tre dhjetëvjeçarëve të fundit, por edhe ajo e gjysëm shekullit paraardhës.

            Shëmbja e ndërtesave, veç fuqisë së pakontrollueshme të dukurisë natyrore ka edhe shkaqet e saj të mënyrës së të ndërtuarit. Bilanci në këtë drejtim deri tani, besoj se është mjaft ngushullues. Shumica dërmuese e ndërtesave i ka qëndruar forcës së tërmetit, i ka përballuar valët e tij me dinjitet e kjo gjë është ana më pozitive e këtij realiteti të hidhur. Për ato ndërtesa, të cilat u bënë të pabanueshme duhet të bëhet një studim i thelluar në nivel shkencor për të ftilluar arsyet që përcaktuan shëmbjen apo dëmtimin e tyre. Madje duhet te ishin bërë që mbas tërmetit të 21 shtatorit dhe është i pakonceptueshëm fakti që në pallatet e Thumanës ku vdiqën njerëz janë lejuar të banonin qytetarë edhe mbas konstatimit të pabanueshmërisë së tyre. Arsyet janë të njohura e kanë një emrues të përbashkët në mungesën e seriozitetit profesional t’atyre që i kanë ndërtuar, në rradhë të parë, duke përfshirë këtu projektuesit, drejtuesit teknikë, por edhe masën e madhe të fuqisë puntore të kualifikuar.

            Në këtë drejtim Shteti, nëpërmjet organeve të tij të kontrollit teknik, duhet të jetë jo vetëm i pranishëm në proçesin e ndërtimeve të reja e të mirëmbajtjes së atyre ekzistuese, sa i përket anës së qëndrueshmërisë strukturore, por edhe të jetë shumë kërkues në zbatimin e rregullave teknike, deri në masa të rrepta qortimi, simbas ligjit që ndoshta në atë drejtim mund të ketë nevojë edhe për ndonjë rishikim. Por aty ku Shteti duhet të bëjë një “mea culpa” të fuqishme në vetvete duhet të jetë edhe dhënia e lejeve të ndërtimit. Kjo jo vetëm duhet të respektojë parametrat shkencorë të hapësiravet, por  t’i japë përparësi edhe studimit gjeologjik të truallit mbi të cilin ndërtohet, duke i a përshtatur projektin e objektit karakteristikave të tij. Janë të gjitha çështje të stërnjohura, por mos zbatimi i parimeve shkencore të ndërtimit mund të na çojë edhe në t’ardhmen të përballohemi me dukuri si këto të sotmet.

            Përvoja tridhjetëvjeçare e pas komunizmit në fushën e ndërtimeve është e dështuar, mbasi Shteti, me dhe pa dashje nuk ka qënë në lartësinë e detyrës së tij për të sendërtuar një rindërtim të Vendit, në përputhje me planet rregulluese të studjuara simbas kritereve të përparuara të urbanistikës botërore, duke shkelur parimet e pronësisë së truallit, të respektimit të hapësirave e të rregullave parake të ruajtjes së mjedisit etj.

            Tërmeti dhe pasojat e tij janë një provë e madhe qëndrueshmërie të kombit tonë, jo vetëm përsa i përket solidarizimit të plotë shpirtëror me viktima dhe të mbijetuarit, por edhe të ndihmesës ekonomike për ta dhe familjet e tyre. Shqiptarët janë bujarë për natyrë, kanë qenë historikisht të tillë. Kur një fshatar, për një aksident apo fatkeqësi humbiste shtëpinë nga zjarri apo ndonjë motiv tjetër, i gjithë fshati mobilizohej e me harxhet e tij  i a ndërtonte përsëri. Ai shpirt përcillet gjenetikisht edhe se komunizmi, me varfërimin e tij të tejskajshëm i ktheu shqiptarët në hajdutë për bukën e gojës dhe mbas komunizmi, me tëhuajtjen e parimeve më të këqia të individualizmit dhe idenë e pasurimit me çdo kusht, disa prej tyre i lejoi të bëheshin kontrabandistë të llojit më të keq e shkelës të ligjit e të normave tradicionale shqiptare.   

            Gjëma e këtyre ditëve ka prekur në thellësi të zemrës të gjithë shqiptarët, përfshirë dhe ata që jetojnë jashtë Shtetit. Jam i bindur se valës bujare të qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe atyre të Kosovës motër, do t’i shtohet edhe ndihma e bashkatdhetarëve të mërguar. Besoj se shumica dërmuese e tyre dëshiron t’i ndihmojë vëllezërit e motrat e goditura nga fatkeqësia natyrore. Por ata duhet të kenë besim se sakrificat e tyre, sado të vogla, do të shërbejnë me të vërtetë për të përmirësuar gjëndjen e të dëmtuarëve. Druaj se shumica e tyre ka dyshimet e veta në sendërtimin e këtij qëllimi, mbasi besimi në ndershmërinë e strukturave shtetërore, prej kohësh ka pësuar një lëkundje më të madhe se tërmeti i 26 nëndorit. Kjo ndodh jo për fajin e një hamendësie fantastike që mund të pjellë dyshime të pavend, por nga e gjithë dialektika politike e gjithë këtyre viteve, gjatë të cilëve të gjitha forcat politike nuk kanë bërë tjetër veçse të padisin njëra tjetrën për gjithfarë llojesh grabitjesh të pasurisë publike.

            Për të bërë të mundur sendërtimin e veprës bujare të të mërguarv, ndihma e të cilëve duhet të jetë e inkuadruar në projektin shtetëror të rindërtimit të godinave dhe të asistencës për të dëmtuarit, mendoj se do të ishte e udhës që krahas një komisioni qeveritar të ngarkuar për mbarështimin e fondeve të ngrihet dhe një “këshill të urtësh”, një skuadër e përbërë prej dhjetë vetësh me integritet moral e intelektual shëmbullor, jashtë sferës së politikës, të administrimit të Shtetit, të bizneseve. Ky këshill duhet të ketë të drejtën dhe detyrën që të thotë fjalën e fundit në përdorimin e ndihmave gjatë gjithë kohës së rindërtimit. Nuk më duket një gjë tepër e vështirë të zgjidhen dhjetë burra e gra të ndershme brënda apo jashtë Shqipërisë, që nuk kanë qëllim pasurimi vetiak, për të krijuar besim e për të plotësuar deri në fund një aksion kombëtar të paparë deri tani e që do të hynte në histori si pritja e kosovarëve në vitet e përndjekjes mizore millosheviçiane apo ngjarje më të hershme të bujarisë së kombit tonë, si shpëtimi i hebrenjve në luftën e Dytë botërore. Vlera e këtij aksioni duhet të kalojë mbi sedrën e sëmurë të politikanëve, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë dështimin e tyre, përsa i përket besimit tek bashkatdhetarët e tyre.

            Është në nderin e kosovarëve fakti që ata qenë të parët që hynë në “tokën amë” për t’i ardhur në ndihmë skuadrave tona, që përballeshin me vështirësi të mëdha në nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, megjithë vetmohimin që treguan në orët e para të operacionit. Veprimi i tyre, ashtu sikurse dhe makinat e autobuzët e ngarkuar me vëllezërit e motrat shqiptare në vështirësi, duke i u hapur dyertë e shtëpive të tyre, vërteton se pavarësisht meandreve të politikës së improvizuar nga diletantët në të dy anët e kufirit, shpirti shqiptar është i gjallë dhe gjithmonë i gatshëm për të nxjerrë në pah qënien e tij.

            Por përvoja e këtyre ditëve tragjike pati edhe një tjetër shfaqje pozitive, solidaritetin e botës, pranë dhe larg nesh. Ekipet e shpëtimit, të ardhura kryesisht nga Vendet fqinjë por edhe nga Vende më të largëta, dëshmitë e solidaritetit e të mirëkuptimit të qeverive të ndryshme të Vendeve mike, që nga Italia, Gjermania, Franca e drei tek SHBA, mesazhi i ngrohtë e prekës i Kreut të Vatikanit, e të tjera shfaqje solidariteti, vërtetuan se ndryshe nga Shqipëria e “dimrit të vetmisë së madhe”, jemi një Vend që gëzon dashamirësinë e popujve e të qeverive të botës perëndimore, në të cilën duam të jemi gjithmonë pjesëmarrës.

            Po jetojmë çaste tepër të vështira, por duhet të gjejmë në vetvete ato forca që do të na çojnë përpara për të kaluar të keqen që na ka pllakosur. Duhet të jemi t’arsyeshëm edhe në vlerësimin e asaj së keqeje, mbasi siç shpprehet në gazetën “Corriere della Sera” të Milanos Alessandro Amato, një gjeolog e sismolog i njohur italian: ”Me një manjitudë të tillë mund të kishin qënë treqind të vdekur. Nuk mund të thuhet se “shkoi mirë”, por sigurisht mund të kishte shkuar dhe më keq.”     

            Pohimi i sismologut italian nuk mund të jetë një ngushullim për familjet e viktimave, por përbën një vlerësim real e objektiv të gjëndjes, i cili mund të shërbejë sado pak për lehtësim, mbasi në këto dukuri, siç ka provuar përvoja botërore, e keqja nuk ka fund. Tani duhet t’a kthejmë hidhërimin tonë në forcë, për të ndrequr sa më shpejt pasojat e rënda të tërmetit. Duhet të armatosemi me një durim të madh mbasi kohët e vështirësitë kërkojnë hapësirën e tyre. Ajo forcë nuk duhet të jetë e partisë apo e partive, por e gjithë shoqërisë, e gjithë botës shqipfolëse dhe duhet të shprehet në gjuhën e shifrave të ndihmave të gjithanëshme, që do të jenë në gjëndje të përgënjeshtrojnë individualizmin proverbial të shqiptarëve, të shprehur kryesisht në gjuhën e përjetëshme të politikës, e të nxjerrin në pah shpirtin e bashkësisë që trupëzohet më shumë në kohët më të vështira e që përbën provën e madhe të qëndrueshmërisë kombëtare.

            Nëndor 2019                                                Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika-Prove qendrushmerie

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT