• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZHGËNJIME DHE SHPRESA

November 3, 2019 by dgreca

 

NGA EUGJEN MERLIKA/
            Kanë kaluar veçse pak ditë nga vendimi i fundit i Këshillit të kryetarëve të Shteteve e Qeverive t’Evropës së Bashkuar, përsa i përket fillimit të bisedimeve për hyrjen e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut në BE dhe Jo-ja e Brukselit shkaktoi një valë të gjërë diskutimesh, që përfshinë shoqërinë shqiptare. Me që u bë e njohur se pengesa kryesore, që përcaktoi mohimin e hapjes së bisedimeve, qe Kryetari i Shtetit francez, Emmanuel Makron, i mbështetur nga kryeministrat e Hollandës e të Danimarkës, ai qe emri që u lakua më shumë në bisedat e mjediseve të ndryshme të të gjithë niveleve, duke filluar nga profesionistët e politikës dhe të mediave e duke mbaruar tek qytetarët e thjeshtë në baret e panumurta të qyteteve shqiptare.
            Politikanët e ndryshëm e partitë e tyre përkatëse u munduan të nxirrnin përfitimet  nga ajo ngjarje, për konsum të politikës së brëndëshme. Opozitarët jashtë parlamentit u shquan për lavdërimet në drejtim të presidentit francez, duke ligjësuar kundërshtimin e tij e duke u munduar të “mirëkuptonin” arsyet e tij që, sipas tyre, ishin në të njëjtën hulli të padive që prej kohësh bëjnë rreth “keqqeverisjes”, “lidhjeve të shumicës qeverisëse me krimin”, “korrupsionit mbizotërues” e duke e quajtur vendimin e Brukselit si një dështim të hapur vetiak të kryeministrit Rama, të pasuar me refrenin e kaqë muajve, të largimit të tij nga posti.
            Kryeministri dhe mjedisi i tij vunë theksin mbi problemrt e brëndëshme të BE, viktima të flijuara të të cilave mbetën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke shpalosur me të madhe se ata i kishin plotësuar deri në një detyrat e tyre. Vlerësimet që erdhën nga shumë anë të Evropës politike, duket se i “shfajësonin” qeveritarët shqiptarë e maqedonas për veprimet e tyre, për më tepër se presidenti francez, në ligjësimin e qëndrimit të tij, u përqëndrua në “problemin e madh” të disa qindra shqiptarëve që paskëshin kërkuar strehim në Francë, madje vuri në dukje se “paska qënë një gabim edhe liberalizimi i vizave, pa filluar zyrtarisht bisedimet”, një vlerësim në kufijtë e qesharakes.
            Të dy këndvështrimet e ndërpretimeve të politikës shqiptare vuajnë nga anësia e subjektivizmi, duke thënë secili vetëm një pjesë të së vërtetës. Në rastin e Opozitës, janë të pajustifikuara lëvdatat për Makronin, në një kohë kur shumë drejtues shtetesh e organizmash evropiane e quajtën pa rezerva opinionin e tij që përcaktoi vendimin si “një gabim historik” të BE në kontekstin gjeostrategjik të Ballkanit e të perspektivave të tij politike. Shfrytëzimi i një fatkeqësie të përbashkët kombëtare, për të fituar kapital politik në luftën e brëndëshme për pushtet, nuk më duket një dukuri e lëvdueshme.
            Por a gjëndet një pjesë e së vërtetës së jetës shqiptare në paditë e Opozitës? Cila është përfytyresa e Shtetit shqiptar në vështrimin objektiv të qytetarëve të tij dhe t’atyre që e shohin prej së jashtëmi? Me keqardhje përgjigja është: jo ajo e dëshëruara dhe e duhura. Nuk mund të jetë i tillë një shtet, në të cilin nuk shihet asgjëkundi bashkërendimi i ideve e i veprimeve nga institucionet e ndryshme të tij, siç është parë kryesisht në këtë vit, kur ishte marrë premtimi zyrtar i Komisionit evropian për hapjen e bisedimeve. Gara për të prishur imazhin shqiptar nga tre përbërësit kryesorë të jetës institucionale si shumica qeverisëse, Opozita dhe Kryesia e Shtetit, ishte e pandërprerë. Pa hyrë  në hollësi të njohura për të gjithë, Shqipëria e vitit në vijim nuk bëri asgjë për të merituar premtimin që kishte marrë. 
            Ritmet e ngadalta e pothuajse të paqena të luftës kundër korrupsionit, të konceptuar nga shumica dërmuese e qytetarëve dhe e opinionit publik si krejtësisht të pamjaftueshme, kundërshtia e vazhdueshme ndërmjet qeverisë dhe presidentit, braktisja e paparimtë e parlamentit nga pothuajse gjysma e të zgjedhurve, vendime të pamenduara deri në ndërpretimin e kushtetutës nga ana e Kryetarit të Shtetit, pa asnjë vlerë praktike, zgjedhje të bojkotuara nga 80% e popullsisë, por të quajtura plotësisht të rregullta, përgjime telefonike që nxjerrin në pah, në mënyrë të pakundërshtueshme, shkelje të rënda ligjëshmërie në proçeset zgjedhore që kalojnë pa asnjë pasojë në sferat e larta të drejtimit, e mjaft dukuri të tjera negative janë pasqyrë e një shteti, klasa politike e të cilit, me gjasë, është e interesuar të fërgohet në dhjamin e saj më shumë se sa të hapet drejt Evropës. Me sa duket kushtrimi i të parëve të gjysëm shekullit komunist vazhdon të jetë i fuqishëm në nënëvetëdijen e drejtuesve të demokraturës pas komuniste, ashtu sikurse edhe në programin e veprimeve të tyre.
            Por, nëse kjo mund të jetë dëshirë e mbuluar e një klase politike, që nuk bën asgjë për të përgënjeshtruar vetveten, përposë demagogjisë e premtimeve të pambajtura, të cilët presin kalendat greke për t’u vënë në jetë, Shqipëria reale, ajo e njerëzve të thjeshtë e të ndershëm e jo e kastave të korruptuara, e vuajti në thellësi të saj përgjigjen negative të Brukselit zyrtar. Shqipëria është e lidhur me Evropën jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe shpirtërisht e kulturalisht. Në ndërgjegjen e saj ajo ka vështirësi të pranojë pamundësinë për të sendërtuar ëndrrën e saj të shekujve, për mungesa të klasës së saj drejtuese apo për teka politikanësh t’Evropës. Ajo ka nevojë për Evropën, për përvojën e saj demokratike, për të synuar që me kohë t’arrijë një standart jetese që t’i afrohet asaj të kontinentit, për ndihmat e kapitalet e këtij të fundit, të cilat duhet të ngjallin shpresën se edhe Vëndi i tyre DO TË BËHET. Ajo sheh se, me gjithë përparimet që janë bërë në keta tre dhjetëvjeçarë, në truallin e saj të lashtë ka humbur shpresa për “ditët më të mira”, që profetizonte dikur poeti kombëtar Naim Frashëri. Shqiptarët duan të shohin se mund të jetojnë si evropianë në Vendin e tyre, të sjellin Evropën në truallin e tyre, e jo t’a braktisin atë në kërkim të botës së madhe. Është një aspiratë e ligjëshme, të cilën askush nuk ka të drejtë të mos e përfillë. Por Evropa është edhe sinonim i disa parimeve, rregullave, kritereve, zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të njëjtë për të gjithë në bashkësinë shqiptare e më gjërë, n’atë evropiane.
            Nëntë kushtet që Bundestagu gjerman, në hullinë e respektimit tradicional të rregullave e shprehive të bashkëjetesës, na vuri përpara si shtet e si shoqëri, tregojnë se jemi ende larg parametrave evropianë, se nuk mund të ngrefosemi se i kemi kryer të gjitha detyrat tona, se kemi ende shumë për të bërë, duke filluar nga dialektika normale mes institucioneve, tek respektimi i meritokracisë, tek zgjedhjet e lira e të ndershme, tek njohja e rezultateve të tyre, tek moralizimi i jetës publike, tek hedhja poshtë e kundërvlerave të së shkuarës e njohja e nderimi për vlerat e vërteta të saj, etj, etj. Nëse në këto gjashtë muaj bëjmë përpjekjet e duhura për të plotësuar sendërtimin e atyre kushteve, madje duke shtuar edhe ndonjë nga vetja, mund të shkojmë në takimin e nivelit të lartë të Zagrebit, me shpresa, deri në siguri, se mund të na kumtohet n’atë qytet ballkanik të Bashkësisë hapja e bisedimeve.
            Na e japin këtë siguri pohimet e pjesës më të madhe të Evropës (25 shtete) në këto ditë. Shprehja “gabim historik” u lakua në gojët e shumë shtetarëve të kontinentit të vjetër, nga Kryetari i Komisionit Junker, komisarët Hahn dhe Mogerini, kryeministri italian Konte e të tjerë. Ja si u shpreh ky i fundit në konferencën e shtypit mbas vendimit:
“Shkoi keq. U thashë kolegëve të mij që ky është një takim me historinë. Në 1400 ato treva e ato bashkësi ranë nën perandosinë Osmane. Të nesërmen e luftës së Dytë botërore ranë nën regjimin komunist. Ka një jetë që duan të hyjnë n’Evropë, aspirata e tyre është të hyjnë n’Evropë. Ai i djeshmi do të kujtohet si një gabim historik e për këtë më vjen shumë keq”
            “Evropa, Komisioni, të gjithë ne kemi qënë deri në fund nismëtarë të një projekti reformues. Shpresoj se ky zhgënjim, ky ankth nuk do t’i hedhë në dëshpërim. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre, do t’i mbrojë, do të vazhdojë të jetë afër.”
            Ishte zëri i njërit prej themeluesve të Evropës, njërit nga kryesorët në Bashkësinë evropiane e, si i tillë, një mbështetje shpresëdhënëse për Shqipërinë. Por nuk është i vetmi. Para se të merrej vendimi grupi i Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Hungaria e Sllovakia) kërkoi nëpërmjet një mocioni të veçantë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryetarja e re e Komisianit, Ursula von der Leyen u shpreh para vendimit, në pajtim të plotë me parardhësin e saj me këto fjalë. “Ka një qëndrim shumë pozitiv, për të njohur përpjekjet që kanë bërë për t’u bashkuar me BE. Këta Vende kanë bërë përparime të jashtzakonshme dhe kanë treguar vendosmërinë e tyre: për ne vlejnë shumë dhe është e rëndësishme që t’u japim atyre një perspektivë të përbashkët.”
            Vendimi negativ i Brukselit u prit me një mos miratim të hapur nga DASH i SHBA. Ai, e quajti si një veprim që dëmtonte interesat e Evropës, duke i hapur rrugë zhvillimeve favorizuese të interesave ruse, kineze, apo turke, në një zonë të rëndësishme të saj. Parlamenti evropian ka votuar për hapjen e bisedimeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kërkesat, se Komisoni evropian kishte premtuar dhe bllokimi që u bë mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Nga 578 eurodeputetë votuan për rezolutën 412 përfaqësues të grupeve më të mëdha dhe kundër saj deputetët e partive sovraniste dhe euroskeptike. Për hapjen e bisedimeve u shpreh edhe Partia më e madhe, ajo popullore dhe kryetari i atij grupi, gjermani Veber, kandidat i saj për kryesinë e Komisionit.
            Në kaqë vite, në të cilët refuzimet kanë pasuar njëri tjetrin, nuk ka pasur kurrë një kundërveprim kaq masiv në dobi të Vendit tonë, si kësaj rradhe. Pa dyshim kjo është një gjë tepër pozitive, që duhet të davaritë mjegullën eventuale të mosbesimit kundrejt Evropës, duke na bërë të prapësojmë çdo sirenë mashtruese që mund të vijë nga Lindja e të na bëjë t’a shohim t’ardhmen e afërt me optimizëm të ligjshëm. Vlen të shtohet këtu se edhe opinioni publik evropian, nëpërmjet gazetave të tij të mëdha, ka mbajtur një qëndrim të qartë në dobi të Vendit tonë e të Maqedonisë duke e quajtur si kundërprodhues e të dëmshëm për interesat e Evropës vendimin e Brukselit të 18 tetorit.
            Një qëndrim i drejtë, i përgjegjshëm, i urtë, i vetëdijshëm për barrën që ka mbi shpinë politika shqiptare në tërësi, e përshkuar nga një motivim i thellë atdhetar që kalon sipër e mposht shemëritë e vogla e të mëdha politike, së bashku me bindjen e thellë se BE është e vetmja rrugë në të cilën duhet të përshkohen fatet e Shqipërisë, do të plotësonte kuadrin politik të aftë për të thyer çdo lloj mosbesimi të mundshëm kundrejt udhëtimit tonë evropian.
            Për të arritur këtë synim, që do t’ishte sendërtimi i dëshirës shekullore të dhjetra brezave, duke filluar nga Arbërit e Gjergj Kastriotit, politika duhet të bëjë një mea culpa  të thellë e të ndërgjegjëshme, në të gjithë përbërësit e saj, mbasi secili prej tyre ka diçka për të qortuar, për të korigjuar, për të ndrequr në qëndrimin e tij. Ky ndryshim duhet të bëhet në kohë të shkurtëra, mbasi atë në tridhjetë vitet e pas komunizmit e kemi shfrytëzuar shumë keq, jo me përfundimet e pritura. Edhe sot, si para tridhjetë vitesh, mbetet aktual një shkrim i botuar në shtypin e kohëve të fundit të regjimit. Autori ishte një mjek i njohur, një pjestar i elitës së shoqërisë, e shkrimi titullohej: “Në kërkim të kohës së humbur” dhe u quajt si një pishtar ndriçues në natën e gjatë që po linim mbas krahëve. Fakti që po e sjellim ndërmënd me respekt e mirënjohje, dëshmon se nuk e kemi mbajtur sa duhej parasysh e se na duhet përsëri të flasim për “kohë të humbur”, sepse, fatkeqësisht, ajo bisedë ende është aktuale.
            
            Tetor 2019                                                           Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika-ZHGËNJIME DHE SHPRESA

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT