• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NARKOTIKA” DHE PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË NË BOTË

August 11, 2019 by dgreca

“Mjerë ai brez në të cilin gjykatësit meritojnë të gjykohen”- Talmud (Kodi i lashtë i ligjeve hebraike)/

Nga Eugjen Merlika/

            Më 7 gusht, para mesnatës, TV shtetëror italian Rai 3 përcolli në ekranin e tij një film dokumentar të titulluar “Narkotika”. Ishte një bashkëpunim i i televizionit me Rojen e financës dhe Autoritetin e kundër drogës.Filmi trajton problemin e mprehtë të përhapjes së drogës n’Evropë e në botë, të burimeve të saj, të industrisë së prodhimit, të mënyrës së shpërndarjes, të fitimeve financiare e të bashkëpunimit të organeve të ndryshme gjyqësore e policore të Vendeve të ndryshme në luftën kundër prodhimit e përhapjes së saj.

            Shqipëria nuk ishte objekti i vetëm i shtjellimit të kësaj dukurie të përbindëshme me pasoja rrënuese për miliona qënie njerëzore e për familjet e tyre. Por Shqipëria , është njëri ndër Vendet kryesore ku ishte përqëndruar vëmëndja e kamerave të prodhuesve të filmit. Ishte një shfaqje tepër e dhimbëshme dhe e shëmtuar për cilindo që ndjen sado pak shqetësim  për fatet e Vendit tonë. Nuk e  di nëse e kanë parë atë film ata njerëz që për gati tridhjetë vjet, në nivele të ndryshme, kanë qenë në drejtimin e tij e, për më tepër ata që, drejt për së drejti, mund të quhen përgjegjës për anë të ndryshme të dukurisë, për të mos folur për ata, jo të pakët, që kanë përfituar e përfitojnë çdo ditë nga kjo mynxyrë njerëzore.

            Përfytyresa që krijon filmi është ajo e një Vendi që është kthyer në një depo të stërmadhe të lëndëve narkotike që vijnë nga prodhuesit më të mëdhenj si Kolumbia, Meksika, Afganistani etj. Në këto Vende, simbas autorëve të filmit, veprojnë drejt për së drejti banda shqiptare të organizuara deri në përsosje, për të cilat nuk ekziston asnjë skrupull moral, të inkuadruara tashmë organikisht në krimin global, madje duke ngjitur me shpejtësi shkallët drejt qëllimit të zotërimit të tij me mënyrat më të sofistikuara. Filmi vë në dukje fuqinë e veprimit të bandave shqiptare të drogës në Hollandë, n’Angli, në Itali e gjetiu.

            Njëri ndër personazhet e intervistuar në film është gjykatësi i kundër drogës italiane Nicola Gratteri i cili, ndërmjet të tjera vështirësive që paraqet lufta kundër trafikut botëror të narkotikëve, thekson si pengesë kryesore për dukurinë shqiptare faktin se “ata nuk luftohen në Vendin e tyre”. Mendoj se është ky pohimi më i rëndësishëm e më emblematik në kontekstin e asaj dukurie. Ai ngre para opinionit publik të huaj dhe atyre që shqyrtojnë kërkesën shqiptare për të filluar bisedimet për antarësi në Be një mal pikëpyetjesh që mund të dëmtojë të gjithë proçesin. Ai pohim ve në diskutim gjithë punën e organeve shtetërore që, gjatë të gjithë këtyre viteve, kanë qenë të ngarkuara të luftojnë dukurinë, duke hedhur një hije të errët mbi vetë shtetin shqiptar.

            Nëse bashkëpunimi i organeve përkatëse shqiptare me organizmat e antikrimit botëror, në këtë rast italian, lë aq për të dëshiruar sa që të krijojë jo thjesht dyshime, por bindje se shqiptarët nuk e luftojnë krimin në Vendin e tyre, tregon se kemi arritur në pikën e vlimit e duhet një kthesë rrënjësore për të ndryshuar drejtim. Një gjë është e sigurtë: ata që kanë drejtuar Shqipërinë në njëzet vitet e fundit e që, qëllimisht apo për negligjencë, kanë lejuar të arrijë sistemi në këtë gjëndje majisjesje e kutërbimi duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të përgjigjen para dikujt. Se çfarë natyre do ketë ajo llogaridhënie nuk mund të përcaktohet me hamëndje gazetareske, por duhet të jetë, ndërmjet të tjerash, madje në krye të tyre, lëndë për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen si pasojë e reformës së saj. Ndërsa në planin politik pasojat duhet të jenë në përfundimet e votimeve të cilat, për arsye të ndryshme përfshirë edhe teka të drejtuesve politikë, janë bërë për shqiptarët “mollë e ndaluar”.

            Filmi flet mjaft për Lazaratin, duke pohuar se të ardhurat prej kanabisit që kultivohej aty arrinte shumën prej 2 – 3 miliard euro, sa një e katërta e PPB të gjithë Shqipërisë. Ai nuk shtjellon se si e ku mbarështoheshin këto shuma marramendëse në kohën e qeverimit PD e PD – LSI, por tregon se si kjo veprimtari u ndërpre mbas ardhjes së “rilindjes” në pushtet më 2013. Në të flitet, nëpërmjet intervistave me banorët e fshatit, se si u zhvillua ndërhyrja e forcave të rendit në Lazarat e madje përmend edhe vrasjen e një oficeri te policisë. Por gjithashtu pohon se fundi i përvojës së Lazaratit, dikur “strategjike”, nuk qe fundi i dukurisë që madje mori përmasa shumë më të mëdha me qeverinë e vitit 2013.

            Në film flitet për ish minstrin Tahiri, të paditur për bashkëpunim me trafikantët e drogës, por për të cilin, deri tani, organet hetuese nuk po krijojnë dot një impiant padije bindëse për gjykatën. Paaftësi e organeve hetuese, përfshirë dhe e atyre italjanë, fshehje me mjeshtëri e gjurmëve të krimit, prirje për t’i mbuluar ato, apo mungesë e plotë e tyre? Fakti që prej disa vitesh opinioni publik shqiptar përpëlitet në këtë mëdyshje tregon se ka shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet në sistemin e drejtësisë, një tjetër sinjal ky që forcon tezën e filmit.

            Ky i fundit çuditërisht nuk përmend një tjetër fakt dëshmues të padisë së tij, atë të ish ministrit Xhafaj që strehonte në familje vëllanë e tij, edhe se kishte një kërkesë nga drejtësia italiane për ekstradim, si pasojë e një dënimi për trafik droge përtej Adriatikut. Nuk duhet të harrojmë trajtimin që i u bë një tjetër trafikanti të drogës nga shteti shqiptar,Klement Balilit. Qindra policë, për muaj e vite vinin vërdallë pa mundur të gjenin strehën e tij brënda Shqipërisë, deri sa i kërkuari me një mandat ndërkombëtar nga gjykata greke, në mënyrë qesharake, “u dorëzua” vetë në dorën e shefit të përgjithshëm të policisë së shtetit, për t’u dënuar në një proçes të përshpejtuar e për të marrë një dënim, për të thënë pak, bujar.

            Filmi ve në dukje edhe një tjetër dukuri. Nga vrojtimet ajrore të Rojes së financës italiane vihej re se në vitin 2018 ishte pakësuar shumë toka e mbjellë me kanabis, por në këtë vit ishte shtuar përsëri deri në rreth 20 % të sipërfaqes. Si shpjegohet kjo luhatje e ndjeshme nga një vit në një tjetër i kultivimit të narkotikëve? A ka dorë shteti për mirë apo për keq në këtë dukuri? Cila është përgjegjësia e tij në këtë rast? Apo ai mund të shkarkojë përgjegjësinë, si gjithmonë, duke mohuar faktet e dhëna?

            Filmi “Narcotika”, në thelbin e tij, nuk përbën diçka të re e të padëgjuar, mbasi bëhet fjalë për dukuri të njohura, të cilat janë objekte të padisë publike mes dy krahëve të politikës shqiptare, kryesisht nga ana e Opozitës jashtë parlamentare. Por ai, që shikohet nga italianë apo evropianë, i ve si qëllim vetes të japë një radiografi të dukurisë botërore të drogës, të shtrirë në të gjithë sistemin e saj të arterieve e kapilarëve të ndërlikuar. Fakti që Shqipëria është një nga arteriet më të rëndësishme të këtij organizmi infernal e të stërmadh, është një goditje e fuqishme përfytyresës së saj në botë, është një grusht fytyrës së qindra mijra e milionë shqiptarëve të ndershëm në botë e në atdhe, që jetojnë me djersën e ballit e që në të voglën e tyre e nderojnë emrin e tij. Shqetësimi me të cilën përcolla deri në fund atë film më solli ndërmënd shumë bashkatdhetarë që ndoshta shikonin të njëjtin spektakël e provonin të njëjtat ndiesi e kishin të njëjtat mendime si ata që shpreha në këtë shkrim.

            Por filmi trajtoi edhe një tjetër vështrim të realitetit shqiptar, për të cilin flitet pak ose aspak në jetën e përditëshme, i lënë në heshtje krejtësisht nga politika. Është problemi tejet i dhimshëm i njerëzve të ngujuar vite me rradhë në shtëpitë e tyre, kryesisht në fshatrat e Shqipërisë së Veriut, si pasojë e gjakmarrjes. Si gjithmonë shpjegimi për evropianët gjindet te ligji i lashtë i malësive, kanuni, pa u munduar të thellohen në thelbin e dukurisë që është ngadalësia apo mungesa e drejtësisë shtetërore, si hallka më e rëndësishme e zinxhirit kriminal të gjakmarrjeve.

            Kjo plagë e hershme e shoqërisë malsore shqiptare, për të cilën u munduan t’a zvogëlojnë apo t’a shmangin fare prej kohësh klerikë e shqiptarë të mëdhenj në shpirt, sado e kufizuar në territore të caktuara, përbën sot një problem madhor që duhet të shqetësojë opinionin mbarëshqiptar. Për të liruar qindra shqiptarë nga ngujimi disavjeçar, për të kursyer jetët e qindra djemve të vegjël që rrezikojnë ngujimin në një moshë të re, për të sjellë normalitetin në jetën e qindra familjeve, duhet një zotim i madh në nivel të përgjithshëm, në rradhë të parë të organizmave shtetërore, por do të ishte një mision i lëvdueshëm për të gjithë kombin. Nuk duhet të jetë “Narkotika” që të na e kujtojë atë detyrë të madhe.

            Figura e mësuese Lilianës që, me lotë ndër sy, flet për nxënësit e saj të vrarë apo të  ngujuar, me çiltërsinë e dhëmshurisë e të ndjenjës, mbetet figura më e dashur për spektatorin, një përfaqësuese e denjë e Shqipërisë fisnike e të traditës, e braktisur nga një kohë shumë e gjatë lufte kundër saj.

            Filmi është një pasqyrë që na vihet para sysh si shoqëri e si shtet, për t’u vetëdijësuar për problemet tona, por është dhe një fletë llogarie që na vjen mbas 28 vitesh demokracie, një bilanc me të cilin duhet të ballafaqohemi në botën në të cilën duam të bëjmë pjesë. Nuk është ende një gjyq me vendim të pakthyeshëm, por nëse nuk do të jemi në gjëndje në pak kohë të ndryshojmë kursin e ecjes sonë 180°, rrezikojmë të përfundojmë me një përjashtim fatal nga proçeset evropiane me pasoja rrënuese edhe për brezin e ardhshëm.            Gusht 2019               

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Narkotika-Shqiperia

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT