• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(3)

September 18, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY-

Shkruan:Eugjen MERLIKA-*Dy vite bisedime, një ditë e tërë trysnie ndërkombëtare për të mos ndryshuar asgjë, megjithëse kishte shumë për të ndryshuar. Së pari sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, së dyti sistemi i numurimit të votave nga komisione jashtë politikës, së treti vota e të mërguarve, që priste tridhjetë vite. Por për përfaqësuesit e demokraturës asnjëra prej këtyre nuk kishte rëndësi. Nuk ishte e rëndësishme që kandidatët t’i nënështroheshin shqyrtimit vetiak nga ana e zgjedhësve e të merrnin përgjegjësinë vetiake për zonën që do të përfaqësonin, nuk kishte rëndësi depolitizimi i komisioneve zgjedhore, kthimi i tyre në organe qytetarësh si në të gjithë botën e qytetëruar, nuk ishte e rëndësishme vota e bashkëqytetarëve jashtë Vendit, sepse mund të lëvizte barazpeshat e politikës shqiptare, të ngurtësuara prej tre dhjetëvjeçarësh.

            Demokratura i bën qëndresë të fuqishme edhe vetë logjikës së dukurive. Pranohet nga të gjithë se ka probleme në ecurinë e proçeseve zgjedhore të Shqipërisë, se ka dhjetëvjeçarë që vota tjetërsohet edhe se është përbërësi i parë i vlerësimit të vetë qenësisë së demokracisë e, njëkohësisht,  motori lëvizës i vetë ecjes përpara të saj. Prej një të katërt shekulli bëhen padi e kundërpadi për tjetërsimin e saj, por në vend që të gjindet një ujdi për t’a shëndoshur gjëndjen, përsosen vazhdimisht metodat e rëndimit të patologjisë.

            Në këtë amulli politike e institucionale meriton një vëmëndje të veçantë Opozita kuvendore, që ka kërkuar me forcë, brënda mundësive të saj, ndryshimet që e afrojnë më shumë shtetin me nënshtetasit se sa me kastën drejtuese në pushtet apo n’Opozitë. Por, çuditërisht, ai qëndrim nuk ka patur vlerësimin e duhur, jo vetëm nga Opozita jashtëkuvendore, por edhe nga një pjesë e opinionit publik që, në një mënyrë apo në një tjetër, është e lidhur me kastën…..

            Sa i përket reformave të paqena zgjedhore, besoj se meriton një vëmëndje të posaçme propozimi i Bashës për të hapur 100 % listat e kandidatëve. Po t’ishte i bindur ai dhe partia e tij në dobinë e një veprimi të tillë, do të duhej t’a kishin kërkuar me kohë në rrahjen e mendimeve biblike në Këshillin politik, gjërat do të kishin shkuar më mirë e ajo kërkesë nuk do t’i shëmbëllente sot lojës së kungulleshkave. Uroj që të jetë me të vërtetë një bindje drejt meritokracisë e PD, në të njëjtin kah me ngritjen e Komisionit vlerësues të kandidatëve për deputetë, edhe se për përbërjen e këtij të fundit mund të ketë mjaft vërejtje.

            Shumë pritje e shpresa ka ngjallur në opinionin publik shqiptar  reforma në drejtësi, e marrë në mbikqyrje nga faktori ndërkombëtar.  Janë më se të ligjëshme ato pritmëri, sepse mali i shpërdorimeve, i pasurimeve të paligjëshme, i çrregullimeve të çdo tipi, në grumbullimin e tij tridhjetëvjeçar ka arritur Korabin. Organet e reja të Drejtësisë, SPAK-u apo BKH duken si Davidi para Goliathit për të arritur të shkërmoqin Korabin e prapësive të politikës shqiptare në tetëdhjetë vitet e fundit, kryesisht në çerek shekullin e mbramë. Vështirësitë objektive për të çrrënjosur të keqen nga sistemi i politikës shqiptare janë aq të mëdha e të ndryshme, sa që shtjellimi i dukurisë në përmasat e saj të vërteta të zhyt në një mosbesim të thellë, duke hequr çdo shpresë. Mosbesimi deri në mohje të plotë përligjet jo vetëm nga fakti se të gjithë “marsianët” e rinj të fushës së Drejtësisë vijnë nga strukturat e vjetra të saj e hijet që përcjell vetë proçesi i Vettingut krijojnë mëdyshje të forta në ecurinë e tij, por edhe nga faktet e pakta që, deri tani, na kanë paraqitur prokurorët e reformës.

            Dosjet mbi mashtrimet zgjedhore duhej t’ishin më të parat e më të lehtat që duheshin hetuar, por heqja dorë nga SPAK-u prej tyre nuk jep asnjë siguri se ata rrogtarë drejtësie do të kenë guximin, aftësitë, mundësitë e vullnetin e mirë për t’arritur rezultatet e kolegëve të tyre të njohur kroatë e rumunë kundër korrupsionit të lartë në organet shtetërore, për të mbetur në përvojat ballkanike që shëmbëllejnë më shumë me tonat.  Shpresa se ato gra e burra të organeve të reja të dala nga Vettingu e t’emëruar nga politika, do të jenë në gjëndje të hyjnë në mekanizmin e ndërlikuar të demokraturës shqiptare e t’a zbërthejnë atë, mendoj se është një argument që le shumë për të dëshiruar.

            Vjet para zgjedhjeve vendore Kryetari i shtetit mori një vendim për të pezulluar shkuarjen në kutinë e votimit, jo vetëm si pasojë e braktisjes së saj nga Opozita, por më shumë për shkakun e një rreziku “për të djegur parlamentin”, siç u shpreh ai vetë. Madje më shumë se njëri e krahasuan atë gjëndje me djegien e Reichstagut në Gjermani më 1933, pa u marrë vesh nëse ishte me ironi apo me seriozitet. Çuditërisht askush, me sa dihet, as SPAKU që duhet t’a kishte si detyrë të parë, mbasi kishte të bënte me ruajtjen e rendit demokratik, nuk hetoi për atë dukuri. Mendoj se zbardhja e saj ishte e detyrueshme n’atë kohë, apo më pas, sepse nuk mund të konceptohet një shtet normal, në të cilin kryetari flet publikisht për rrezikun e një atentati të rëndë kundër rendit dhe qeveria e organet e Drejtësisë e lënë të kalojë pa asnjë farë kundërveprimi. Apo ndoshta ata e kanë bërë punën e tyre në heshtje, por e kanë kaluar në fashikuj të sekretuar si shumë të tjerë. Besoj se shqiptarët kanë të drejtë të dijnë ku qëndron e vërteta: cilët janë “atentatorët e kuvendit”, a janë të sakta të dhënat e shërbimeve të fshehta, apo presidenti ka hamendësuar rrezikun për arsyet e tij. Nuk duhet t’ekzistojë asnjë sekret shtetëror që të mbulojë dukuri të tilla, madje kjo nuk mund të kalonte pa asgjë. Kjo mungesë tejpamejeje në veprimet e organeve shtetërore është njëra nga karakteristikat më të zakonshme të demokraturës, ndoshta ajo që e afron më shumë me diktaturën.

            Jo shumë kohë më parë, drejtori i përgjithshëm i kadastrës, z. Artan Lame, pohonte në televizion se e gjithë toka shqiptare dilte se ishte pronë e ligjësuar me dokumenta. Është një lajm që nga një anë të shkakton një ndiesi kënaqësie e nga ana tjetër të shkakton habi e mosbesim. Kënaqësia rrjedh nga ideja se të gjithë ish pronarët, shtresa më e goditur nga rrebeshi gjysmë shekullor komunist, duhet të kenë marrë pronat e tyre. Është një hamendësim logjik i sendërtimit të një dukurie që duhej të kishte qënë detyrë e dorës së parë të shtetit demokratik, ajo e kthimit të pronave të grabitura padrejtësisht nga para-ardhësi i tij komunist. Kjo do të kishte qënë një arritje për t’u vënë në kornizë e për t’u trumbetuar me të madhe. Edhe në rastin e këtij hamendësimi tepër ndjellamirë ka diçka që ngec n’arsyetim: shteti në kohën e mbretërisë, kur prona vetiake e familiare ishte e mbrojtur me ligj, ishte pronari më i madh i tokave. Pra, sikur të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin rimarrë pronat e të parëve të tyre, të vërtetuara me dokumenta noterialë apo shtetërorë, gjë që nuk është e vërtetë, mbasi i nënëshkruari ka më se dhjetë vite që kërkon rikthimin apo kompensimin e një trualli prej 1330 m.katror, pa as më të voglin rezultat, e jam i bindur se nuk është i vetmi me këtë problematikë, do të mbetej përsëri në zotërim të shtetit një sasi e madhe pronësie.

            Kryetari Lame thotë se shteti i sotëm nuk zotëron asgjë. Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se ajo pjesë e pronës shtetërore është përvehtësuar e ndarë ndërmjet qytetarëve, ose në rastin më të mirë, u është shitur atyre. Vetëm të mendohet me mëndje të ftohtë ky pështjellim dridhen duart. Hyrja në mekanizmin e kësaj dukurie i shëmbëllen një fantazie të papërftueshme.  Por është një fakt që, në një mënyrë apo në një tjetër, tashmë e gjithë ajo pasuri është e shënuar në dokumentat shtetërorë si pronë vetiake. Me sa di un, mund të jem i gabuar, pronat e të huajve në këtë operacion marramendës, nuk janë të konsiderueshme. Shumica dërmuese i përket disa shqiptarëve që, sigurisht nuk janë njerëz të thjeshtë, të cilët kanë pak dynymë tokë bujqësore të punueshme për të mbajtur frymën gjallë. Ata përbëjnë shtresën e re të pronarëve pushtetarë apo idhtarë të politikës që demokratura, nëpërmjet alkimive të saj mafioze, ka krijuar në shtetin më të varfër t’Evropës. Asnjëherë në historinë e saj mijëvjeçare kjo tokë ku kanë pasuar njëri tjetrin pellazgë, ilirë, arbër, shqiptarë, në shekuj nënshtrimi ndaj Romës, Bizantit, Turqisë, nuk ka patur kaqë ndryshime të theksuara pasurore ndërmjet banorëve të saj. N’asnjë periudhë historike brënda tridhjetë vitesh nuk është krijuar një klasë e tillë me pasuri të pallogaritëshme si në Shqipërinë e demokraturës, ndërsa pjesa m’e madhe e popullsisë jeton duke blerë ushqimet me listë…

            Mbrapa atyre pasurive të papërfytyrueshme për standartin mesatar të jetesës në Vendin tonë, në shumicën dërmuese fshihen paligjësi, trafiqe, madje edhe krime, përkrahje të politikës e të Drejtësisë, grabitje të pasurisë së shtetit e të individëve, lidhje e allishverishe të njerëzve të veshur me pushtet vendor apo qëndror me ata të krimit të zakonshëm apo t’organizuar e gjykatësve të korruptuar. Duhet një plugim qilizmë i realitetit shqiptar për të nxjerrë të vërtetën mbi korrupsionin që zotëron i patrazuar, duke i marrë frymën shoqërisë e shumicës së saj të varfër. Sepse demokratura e ndihmon haptas pasurinë e madhe, ajo i fton investuesit shumë milionerë që ngrenë hotelet me pesë yje të mos paguajnë taksa për dhjetë vite, deri sa të majmen mirë e nga dhjami i tyre të marrë pjesën e vet politika.

            A do të ketë shërim kjo sëmundje e rëndë që nuk është vetëm shqiptare, por e përbotëshme, që nuk është e përkohëshme apo e kësaj kohe, por e përjetëshme e për të gjitha shoqëritë? Duke shkruar këto rradhë erdhi lajmi se Steve Bannon, ish organizator i fushatës së Trump-it më 2016, ish këshilltari për sigurinë kombëtare, është arrestuar për përfitim të një pjese të parave të dhuruara on-line nga qytetarët amerikanë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën. Edhe teoricieni i “sovranizmit botëror” është joshur nga paraja, çfarë duhet të bëjnë fshatarët shqiptarë që mbjellin hashashin për të nxjerrë një kothere më shumë, duke majmur trafikantët e ata që qëndrojnë mbi ta në institucionet e shtetit?

            “Mos bëni keq dhe e keqja nuk do të ekzistojë” thonte Leon Tolstoi, në një thjeshtëzim moralist të jetës, që mbetet shprehje e besimit në veprimin ripërtëritës të vlerave morale e shpirtërore të njerëzve.

            “Të këqijat vijnë me fletë dhe ikin duke çaluar” thonte Voltaire, më shumë se treqind vjet të shkuara. Problemet njerëzore përsëriten edhe se në forma e në ngjyrime të ndryshme, n’epoka të ndryshme por ruajnë gjithmonë thelbin që është një luftë e gjatë e pasosur ndërmjet fuqive të së mirës e atyre të së keqes, fatkeqësisht me epërsinë e këtyre të fundit, në më të shumtën e rasteve. Tingëllon tepër keqandjellës ky pohim, mbasi ve në dyshim përparimin e botës drejt synimesh të larta, por përvoja e 80 viteve të fundit të historisë sonë nuk të frymëzon ndjellamirë. Të këqijat vijnë tek ne në krahët e pandershmërisë, të mos respektimit të rregullave morale e njerëzore, të mungesës së kontrollit të shtetit në shumë raste e në kontrollin e tepërt të tij në raste të tjera, të pajtimit të mbuluar të tij me bartësit e së keqes, të një fashitje të përgjithëshme, pasojë e lodhjes, e zhgënjimeve, e mosbesimit kundrejt politikës, e humbjes së shpresës. Kjo e fundit është më e dëmshmja, sepse çon në mosveprim, në apati, në amulli mendore, në nënështrimin kundrejt së keqes. Ndërsa neve na duhet kundërveprimi që do t’i jepte goditje së keqes e do t’a detyronte të “ikte duke çaluar”….

                *Shtator 2020- VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika-Nga Diktatura, ne demokrature 3

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT