• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“REVOLUCIONI” I SË DREJTËS N’EVROPË

November 15, 2021 by s p

Nga ANDREA MANZELLA

“Corriere della Sera”, 6 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Kundërshtia polake kundrejt “parësisë” së të drejtës evropiane mbi atë kombëtare cek mjaft nga afër atë që Gjykata kushtetuese italiane e ka përcaktuar si “kyçi i kthesës” në Kushtetutën tonë dhe në historinë e zanafillës së saj. Kjo histori është në Manifestin, që pikërisht tetëdhjetë vite më parë, qytetarë të përjashtuar nga liria vetiake shkruan në Ventotene. Ai nuk qe vetëm një akt Qëndrese kundër “modelit” të Shtetit totalitar, atëherë mbizotëronjës n’Evropë (pra jo vetëm kundër atij fashist). Qe mbi të gjitha një akt i natyrës “revolucionare”, për arsye të mospranimit rrënjësor të dogmës së sovranitetit shtetëror absolut. 

Qe e para Kushtetuta italiane e vitit 1948 që e shndërroi këtë program në një formulë juridike. Është neni 11: “Italia lejon kufizimet e sovranitetit të nevojshme për një rend që siguron paqe dhe drejtësi ndërmjet Kombeve”. Kufizimi i sovranitetit shtetëror nuk ishte vetëm një “revolucion” kushtetues italian: ishte një përmbysje e të gjithë koncepteve zotëruese të kushtetueshmërisë evropiane. Një vit më pas Kushtetuta e Bonnit do të vihet në të njëjtën hulli; pastaj Shtetet e zgjerimeve të mëtejshme, siç është historia. 

Ay kusht i “kufizimeve” të sovranitetit do të bëhet pra modeli i inkrustimit të Kushtetutave kombëtare me një rend mbishtetëror:  nga ata “kufizime” rridhte pikërisht “parësia” e saj. Në atë gërshetim të ndërsjelltë rendesh sendërtohet kështu, simbas kompetencave, një “bashkësi në ndryshueshmëri”. Nga një anë , një “kuadër institucional i vetëm” që lidh Shtetet që kanë marrë pjesë. Nga tjetra, trupëzimi në të drejtën e Bashkimit të “traditave kushtetuese të përbashkëta për Shtetet antarë” dhe “respekti i identitetit kombëtar” (për të cilat flasin nenet 4 dhe 6 të Traktatit evropian).

Por ç’është “identiteti kombëtar”? Deri tani ka qënë e arsyeshme të mendohej se në të hyjnë institute e proçedura të lidhura me historinë shoqërore të Shteteve, si për shëmbull lënda e së drejtës së familjes. Nuk është menduar kurrë se me të do të mund të fshiheshin siguri themelore për një shtet demokratik, si pavarësia e gjykatësve ose liria e votës. Edhe sepse, thjesht ato siguri janë kërkuar si kusht për t’u pranuar në Bashkim. Prej kësaj është e drejtë e Gjykatës evropiane për të vërtetuar mbajtjen e tij.

Profetik, në 1941, Manifesti mbështeste ligjëshmërisë e së drejtës së ndërhyrjes së rendit mbishtetëror në jetën institucionale të Shteteve antarë. “Është absurd parimi simbas të cilit çdo popull duhet lënë i lirë  t’i japë vetes një qeveri despotike që beson më mirë në të, a thua se Kushtetuta e brëndëshme e secilit Shtet nuk përbën një interes jetik për të gjithë Vëndet e tjera evropiane”.

Në Bruksel Merkeli ka përdorur pak fjalë: “Kush ka hyrë në Bashkim i njeh traktatet që ka firmosur”. Ka pohuar kështu urtësisht mungesën e trajtimit të parësisë të së drejtës evropiane, që çfarëdo “pajtimi” nuk mund t’a përgënjeshtrojë. Sa na takon ne italianëve, nuk bëhet fjalë për të qënë pro ose kundër sovranizmit polak. Bëhet fjalë për të qënë apo jo nga ana e Kushtetutës sonë dhe historisë së saj.

“Corriere della Sera”, 6 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

NUMËRAT E TAIVANIT A BËJNË NJË VËND?

November 9, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika/

Duket se Administrata Biden ka vendosur të ndihmojë Taivanin të dalë nga pozita e parias ndërkombëtare në të cilën është i lidhur prej katër dhjetëvjeçarësh. Të martën e shkuar sekretari i Shtetit amerikan Antony Blinken ka lëshuar një komunikatë në të cilën thotë se përjashtimi i Taipeit nga puna në shumë agjensi të Kombeve të Bashkuara “minon punën e rëndësishme të OKB e të organizmave të saj, të cilët të gjithë do të përfitonin shumë nga ndihmesat  e tij”.

Kjo mbasi vetë Joe Biden kishte thënë se ishte i gatshëm të mbronte Taivanin në rastin kur t’ishte i sulmuar nga Pekini. Gjë që ngre disa pyetje.

A ka ardhur vallë çasti në të cilin Washingtoni të deklarojë se Kina nuk është një, siç ka pranuar të pohojë pesëdhjetë vite më parë, por që janë dy? A po i afrohemi fundit të “dykuptimësisë strategjike”, në bazë të së cilës Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë kurrë të qartë nëse do të kundërvepronin ndaj ripushtimit të ishullit nga ana e Pekinit? A po i avitemi vërtetë njohjes së Taivanit si Vënd tashmë i pavarur, mbasi u shkëput nga mëmëdheu kur komunistët morën fuqinë më 1949?

Taivani ka një territor; ka një popullsi që, në shumicën dërmuese, dëshëron të mbetet e pavarur; ka një sistem ligjor e një sistem politik demokratik prej tre dhjetëvjeçarësh. Për më tepër është, megjithëse ka vetëm 23,5 milion banorë, një fuqi ekonomike e teknologjike. Më 1951, kur Vëndi ishte në fakt i varur nga ndihmat amerikane, PPI për frymë ishte 154 dollarë. Në 2020 ka kaluar 28 mijë dollarët e nëse e masim në termat e fuqisë blerëse jemi në 55 mijë dollarë në 2019 (të dhëna të Fondit monetar ndërkombëtar) . Gjithënjë në terma të fuqisë blerëse, ajo e Taivanit është e njëzeta ekonomi e planetit.

Nga pikëpamja teknologjike, Taivani ka prodhime të domosdoshme në shkallë globale: në veçanti farkëton 63 % të mikroçipëve që përdoren në botë, të nevojshme në rreth njëmijë sektorë, nga kompiuterët tek autot, tek Mbrojtja. Me gjithë këto e megjithë shkencëtarët e tij Taivani nuk mund të jetë pjesë e OKB dhe as e shumë prej agjensive të saj. Të kërkohet që t’i hapen së paku disa dyer, siç duket të jetë prirja e Washingtonit, shpërthen kundërshtinë e ashpër e Pekinit: e quan një hap drejt sovraniteti të Taivanit.

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

BASHKËSIA DUHET TË SHMANGË HUMBJEN E POLONISË

November 8, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 29 tetor 2021       E përktheu: Eugjen Merlika     

Mos t’a humbasim Poloninë. E mos t’a nënvleftësojmë. Që kur ka hyrë në BE – në majin 2004 së bashku me Vëndet e tjera, një kohë në orbitën e perandorisë sovjetike – e kemi lënë mbas dore, madje e kemi shpërfillur: a thua se ai që arrinte në klubin e pasur të Perëndimit nga një përvojë diktature dramatike kishte më pak tituj për t’u vlerësuar në tryezën e Brukselit e në dhomat e kançelarive evropiane. Sot, papritmas, e gjejmë në qëndër të interest të parlamentit, të Komisionit, të Këshillit evropian, të qeverive, të mediave.

Polonia është protagoniste e një krize të re në BE. Të ndëshkohet Varshava apo të bisedohet, është alternativa mbi të cilën po ndahen të Njëzeteshtatët. Përpara është një shteg i ngushtë. Grindja është e njohur. Qeveria kombëtariste polake është paditur se ka minuar pavarësinë e sistemit ligjor, se nuk respekton Shtetin e së drejtës, pra është jashtë rregullave t’atyre që kanë hyrë në BE. Si përgjigje Gjykata Kushtetuese e Varshavës ka pohuar mbizotërimin e normave kombëtare mbi ato të bashkësisë. Si pasojë Gjykata e Drejtësisë e BE ka gjobitur me një milion në ditë Poloninë, ndërsa shumica e Parlamentit evropian dhe disa qeveri propozojnë të sanksionohet: proçedurë shkeljeje për dhunim të Shtetit të së drejtës dhe pezullim të fondeve evropiane, përfshirë ndoshta edhe 36 miliardë të Recovery Fund, deri sa masat të quajtura iliberale të tërhiqen. Angela Merkel dhe të tjerë drejtues ndërkaq ftojnë për të biseduar, për të kërkuar një ndërmjetësim. Kançelarja gjermane ka thënë se ligji i BE duhet respektuar, por duhet kuptuar “shumë mirë” çështja e identitetit kombëtar për një Vënd që ka jetuar nën diktaturën komuniste të fqinjit sovjetik për dyzet vite. E që në histori – duhet të kujtohet – ka parë të ndryshohet gjeografinë e saj nëpërmjet dorës së armatosur – dhe për marrëveshje pak a shumë të fshehta – nga Moska e Berlini. 

Që demokracia dhe pavarësia e gjykatësve duhen respektuar nga ata që hyjnë në BE është një rregull themelore. Përveç se juridike, çështja është politike: duhet të parashikohen se cilat do të ishin pasojat e masave të dënimit kundër Varshavës, të pazbatuara ndonjëherë më parë. Disa vëzhgues flasin për rrezik “Polexit”, pra të hapjes së një udhe që mund të çonte në daljen e Polonisë nga BE. Jo me gjasë, por as për t’u përjashtuar nëse gjëndja do të rrëshqiste nga duart (edhe për mungesën jo të parëndësishme në Këshillat e Evropës të ndërmjetëses Merkel, në dalje mbas pak javësh). Vënia me shpatulla mbas muri të qeverisë së Varshavës – “na bëni kërkesa me një revole të mbështetur mbi kokën tonë”, ka thënë kryeministri polak Moraviecki – do të krijonte një prishje të një kohe të gjatë, dramatike jo vetëm për Poloninë: do të kthente përmbys një pjesë të madhe të Lindjes evropiane dhe do të ndryshonte edhe pjesë të ADN së BE.

Politika kombëtariste dhe iliberale nuk janë çuar përpara vetëm nga qeveria polake: edhe Hungaria e Viktor Orbanit dhe Sllovenia e Janez Janša-s lëvizin në drejtime të ngjajshme, madje dhe Rumania është nën vëzhgim në Bruksel. Në përgjithësi, në Lindjen e Evropës bindjet demokratike të Perëndimit të kontinentit janë më pak të rrënjosura në disa pjesë të popullsisë. Edhe në Gjermani, në Landert lindorë pjesë të bllokut sovjetik deri më 1989, e djathta skajore e Alternativës për Gjermaninë gjen miratime mbi 20 % e në disa zona është partia m’e madhe. Me fjalë të tjera ka një çështje të Lindjes evropiane, që për vite të tëra është fshehur nën qilim, e së cilës kriza polake mund t’i japë një përmasë politike dhe aktualiteti. Kjo është pjesërisht e shpjegueshme me të kaluarën që përmend Merkeli, me vitet e diktaturës të pësuar nga vepra e Moskës. Zgjerimi i BE në 2004 qe pak “i përzemërt” kundrejt këtyre Vëndeve, pothuajse të pranuar sepse nuk mund të bëhej ndryshe, por kurrë të vlerësuar me të vërtetë e pak të dëgjuar. Janë mjaft qytetarët evropianë lindorë që mendojnë se kanë kaluar nga perandoria sovjetike tek ajo e BE. Nuk është e vërtetë por kështu përceptohet: një Perde Hekuri jo lëndore por shoqkulturore  e pa rënë kurrë.

Këtë ndjenjë ndoshta e ka shpjeguar më mirë se kushdo tjetër Ivan Krastev, kryetari i Qëndrës për strategjitë liberale të Sofies. Simbas tij, nga Vitet Nëntëdhjetë e mbrapa, banorëve të Lindjes u është thënë vetëm të imitojnë Perëndimin, me përfundimin që t’i bëjnë të jetojnë në një gjëndje pa-aftësie dhe prapambetjeje. “imituesit nuk janë kurrë njerëz të lumtur – ka shkruar – Nuk zotërojnë kurrë suksesin e tyre, zotërojnë vetëm dështimet e tyre”. Ka pra, mbas krizës së Varshavës, një gjëndje pakënaqësie më të gjërë, një përfshirje të Vëndeve të Lindjes që Evropa me tërheqje perëndimore i ka ndihmuar pak, shpesh duke menduar vetëm për shtimin e fondeve evropianë, të cilët nuk janë gjë e pakët por nuk janë gjithshka. Është një ripohim i asaj praktike fakti që sot mendohet të çohet ligjshmëria evropiane në Poloni  duke e kërcënuar me përjashtimin e atyre fondeve. 

Mënyra se si qeveritë evropiane do t’a përballojnë “çështjen Varshava” e do                                                                                    orvaten t’a zgjidhin, për të mos e humbur Poloninë, do të ketë pasoja të thella për bashkësinë e BE, për marrëdhëniet ndërmjet Lindjes e Perëndimit e për të matur aftësinë përfshirëse që do të duhej të qëndronte në ADN e Bashkimit. Në të gjithë krizat ka edhe një voli.

“Corriere della Sera”, 29 tetor 2021       E përktheu: Eugjen Merlika                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SFIDAT E G20: DEMOKRACITË NË PROVË, AVANTAZHET E REGJIMEVE

November 7, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika      

Të shumtë e të koklavitur problemet për një takim të vetëm të nivelit të lartë. Në takimin e G20 që u mbyll sot në Romë, ndërmjet bisedave zyrtare e private, u diskutua për Covid, klimë, energji, por edhe për Afganistanin, Mesdheun, bërthamoren iraniane, Afrikën. 

Përtej deklaratave e ndonjë marrëveshjeje (global minimum tax) ajo që vlen më shumë është të treguarit opinionit publik botëror se disa Vënde, veçanërisht demokracitë perëndimore, janë ende në gjëndje të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, edhe se dasitë mbeten. Shumë më tepër nuk mund të mëtohej. Mjafton të mendohet se presidenti Joe Biden ka mbërritur në Romë me një plan investimesh mbi welfare e kalesën ekologjike mbi të cilët nuk ka ende miratimin e Kongresit. Ose të mendohet se, në të gjitha temat, duke filluar nga klima dhe energjia, janë në lojë kundërshti interesash, edhe t’ashpra. E sa peshon shemëria ndërmjet fuqive të mëdha. 

Takimi është edhe një rast për të përsiatur mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracive dhe fuqive autoritare, të mëdha (Kina, Rusia) ose të mmesme që të jenë. Në kohën e Luftës së ftohtë demokracitë perëndimore jetonin në një botë “të thjeshtë”: ne këndej, ata andej. Atëherë perëndimorët, për t’i u kundërvënë BRSS, mund të mbështesnin (dhe e kanë bërë, posi) qeveri autoritare në Amerikën Latine, n’Azi ose n’Afrikë. Ajo mbështetje, në sytë e tyre, ishte e ligjëruar qoftë edhe me keqardhje, nga Realpolitika, ose më mirë nga fakti që duheshin ndërtuar diga për të ndaluar vërshimin e komunizmit sovjetik. Sot bota për perëndimorët është shumë më e ndërlikuar, siç tregojnë marrëdhëniet e vështira e të dyshimta që si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe evropianët mbajnë me fuqitë autoritare, me të cilat duhet të bashkëpunojnë për t’i mbajtur nën fre. Liaisons dangereuses, lidhje të rrezikshme.  

Ndryshimet institucionale, politike e shoqërore tregojnë pikat e forcës por edhe të dobësisë së demokracive kundrejt fuqive autokratike. Demokracitë janë të lidhura nga respektimi i të drejtave të qytetarëve të tyre. Autokracitë duhet të ruhen nga revoltat periodike popullore. Qeveritë e demokracive janë të kushtëzuara nga humori dhe vullneti i zgjedhësve. Regjimet autoritare kanë mjetet për të përpunuar zgjedhjet (kur të jenë nëse do të jenë). Demokracitë shartohen në shoqëri relativisht të hapura, ku ndërmarrjet dhe shoqatat e çdo lloji veprojnë, brënda e jashtë kufijve kombëtarë, duke përsuar vetëm një kontroll të butë qeveritar. Regjimet autokratike ushtrojnë kontrollin politik, së paku në vijë të parimeve, mbi çdo vështrim të jetës ekonomike e sociale të Vëndeve të tyre. Këta ndryshime pasqyrohen në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Demokracitë kanë dy pika të mëdhaja force. Kur një demokraci është në rrezik, kur gjidet në luftë me fuqi autoritare, dhe në rrezik mësymjeje, ajo tregon një aftësi mobilizimi të qytetarëve për mbrojtjen e Vëndit, eprore në krahasim me atë që mund të shfaqin fuqitë autoritare të sipërpërmendura: në provat dramatike qytetarët (e demokracisë) janë të gatshëm të durojnë vetvetiu sakrifica më të mëdha se sa ato që durojnë, për shtrëngesë, shpesh të demoralizuar nënështetësit e autokracive. Pika e dytë e forcës është se shoqëritë e hapura (demokratike dhe perëndimore) kanë treguar aftësi të krijojnë lidhje ndërkombëtare – i ashtuquajturi globalizim – që shoqëritë autokratike nuk do të mundeshin kurrë të prodhonin (edhe nëse mund, shiko Kinën, të shfrytëzonin dobitë). Edhe G20 është bir i Perëndimit e prirjes së tij të hapur dhe përfshirës, përfaqëson një zhvillim të zanafillës G7. Ndoshta nuk është rastësi që dy fuqitë më të mëdha autokratike (Kina e Rusia) kanë marrë pjesë në takimin e Romës vetëm në videokonferencë.

Por janë edhe pikat e dobësisë. Demokracitë, siç thonte një vëzhgues i Tetëqindit, Alexis de Tocqueville, janë më pak të pajisura nga regjimet autoritare për të drejtuar me efektshmëri punët e tyre të jashtëme. Janë përjetësisht në mëdyshje ndërmjet kërkesave të detyruara nga shemëria e fuqisë dhe nyjeve të brëndëshme, nevojës për t’i u përgjigjur trupave zgjedhore të paqëndrueshëm. Autokratët, pa patur nyje të brëndëshme të fuqishme, mund të planifikojnë lëvizjet e tyre të politikës së jashtëme edhe afatmesme. Qeveritë demokratike lëvizin në horizonte kohore të ngushta, të përcaktuara nga kohët e afateve zgjedhore (dhe nga humoret popullore të zbuluar nga hulumtimet). Që këtej vjnë aq pasiguri e mëdyshje. Siç janë treguar nga tërheqja rrënuese amerikane nga Kabuli dhe pa-aftësia më e përgjithëshme e amerikanëve dhe evropianëve, për të përcaktuar vija të qarta veprimi kur duhet të përballojnë sulmshmërinë e regjimeve autoritare. Shkon mëndja tek vështirësitë për të përcaktuar disa lëvizje të despotit turk Erdogan, kryetar i një Vendi anëtar të NATO-s por edhe armik i Perëndimit. Ose si të ruhet aleanca strategjike, qenësore në Lindjen e Mesme me Arabinë Saudite, pa shkaktuar mospranimin e vetë opinioneve publike të tyre, nëse ai që e qeveris do të vendoste të vriste në mënyrë të padëgjuar – madje edhe në vetë Perëndimin – ndonjë tjetër kundërshtar (siç bëri në një konsullatë në Stamboll, viktimë gazetari Xhemal Kashogi). Ose si mund të bëhet front i përbashkët përballë politikës së re të fuqisë kineze që tashmë ushtrohet në shumë mënyra e në shumë tryeza. Qse si mund të ndalohet rish-imperializmi rus. Me që ra fjala: Putin-i e njeh historinë e modeli i tij është cari Pjetër i Madh (i jetuar në kapërcyellin e shekujve XVII e XVIII) me projektet e tij perandorake. Perëndimi e ka fshirë historinë, jeton vetëm me të sotmen e nuk din asgjë.

Në kohët e shkurtëra autokratët janë të favorizuar. Të shihet shpejtësia me të cilën Kina dhe Rusia kanë rritur ndikimin e tyre n’Afrikë. Mbas ndarjes evropiane të Tetëqindit, “përndarja” e ardhëshme e Afrikës do të jetë mes rusëve e kinezëve? Në kohët afat-mesme dhe afat-gjata pikat e forcës të demokracive mund t’i ndihmojnë ato. Veçanërisht mund t’i ndihmojë prirja e tyre për hapje (që megjithatë, për çastin, i nxjerr në pah në ndërhyrje të vazhdueshme e dashakeqe) e për përfshirje. Hapje e përfshirje që tregon edhe G20. Të hamendësohen mund të jetë, simbas dëshirës, frut i një optimizmi të tepruar ose të një realizmi jo krejtësisht të pathemeltë.

“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

TURQIA, DY USHTRITË E ERDOGANIT

November 2, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

Një ushtri turke, i dyti në NATO mbas atij të SHBA, jeton nëpër gazerma. Një tjetër, më pak e fuqishme por e fortë gjithmonë prej njëzetmijë vetësh, jeton nëpër burgje, në vëndbanime të detyrueshme, në çnderim e në varfëri.

Tre ditë më parë prokurorët e veçantë kanë urdhëruar arrestimin e 158 ndërmjet studentëve të akademive ushtarake, ushtarëve e oficerëve. Për të gjithë, nga korriku 2016 kur disa reparte tentuan një grusht shteti kundër Erdoganit, padia është e njëjta: përkatësi në një “rrjet” të predikuesit Fetullah Gulen, ish mik dhe bashkëpuntor i Erdoganit por sot i mërguar në SHBA. Nuk mjafton.

Disa proçese nuk kanë përfunduar ende e vazhdimisht zbulohen “grupe subversive” të rinj, ushtarakë e civilë, gjithësej 150.000 vetë. Dikush mund të mendojë se Erdogani është vetëm një njeri që nuk harron. Por pikërisht në këto ditë është patur e sata provë alarmuese e faktit që “grushtshtetasit” dhe “kundërshtarët” tashmë janë sinonime. Erdogani ka kërcënuar përzënien e dhjetë ambasadorëve perëndimorë sepse diplomatët kishin kërkuar lirimin e Osman Kavalës, Navalnit turk, botues dhe kundërshtar i njohur, i burgosur prej katër vitesh pa proçes. Trajtim i njëjtë, jo rastësisht, si ai që i rezervohet miqve të hamendësuar të grushtshtetasve.

Protestat fillojnë të ndihen edhe në Parlament, por Erdogani përgjigjet me nisma të reja të depërtimit ushtarak dhe ekonomik. Nga SHBA (që as ëndërrojnë të dorëzojnë Fetullah Gulenin), Sulltani i Ankarasë don së paku dyzet F-16 për të kompensuar humbjen e F-35 të ndaluara nga Amerika mbasi Turqia kishte blerë raketat ruse. Ndërkaq, jo i kënaqur nga prania e bollshme e tij në Libi, Somali dhe në Mesdheun lindor, Erdogani synon Sahelin dhe vjen vërdallë nëpër Afrikë për të shitur dronet e tij tepër të kërkuara. Por shpejt a vonë, ndonjëri do t’i bëjë të kuptojë se me të tilla synime është mirë të ketë vetëm një ushtri?

“Corriere della Sera”, 22 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT