• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZH TAIVANIT NGA XI: “RIBASHKIMI I PASHMANGËSHËM”

October 22, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI/

Ribashkimi i Taivanit Kinës “është historikisht I pashmangëshëm e do të sendërtohet”. Fjalë të Xi Jinping-ut, që është kthyer mbi çështjen në një fjalim të mbajtur në Sallën e Madhe të Popullit të Tienanmenit mbasi kishte lëshuar në fillim të tetorit turma aeroplanësh  lufte përqark ishullit që ende nuk pranon t’i nënështrohet “pashmangshmërisë”.

Që kur është në fuqi, nga 2012, Xi ka folur shumë herë mbi çështjen taivaneze, duke ndërsjellë tone paqtuese me kërcënime për përdorimin e fuqisë. Në këtë rast ai ka zgjedhur vijën më të matur kur ka pohuar se “ribashkimi nëpërmjet mjeteve paqësore është ai më i miri për interesat e kombit kinez, përfshirë edhe bashkatdhetarët taivanezë”. Por ka shtuar se “ata që harrojnë zanafillën e tyre, tradhëtojnë mëmëdhenë e kërkojnë të ndajnë Vendin nuk do të kenë një fund të mirë, do të përçmohen nga populli e do të dënohen nga historia”.

Në të shkuarën Xi e ka shpallur “mision historik” dhe “zotim të paluajtëshëm” risjelljen nën kontrollin e qeverisë komuniste ishullin, ku më 1949 u strehuan kombëtaristët Gomindan të Çan Kai Shi-së, të mundur në luftën civile nga Ushtria e kuqe e Maos. Në 2019 ka shpalosur hapur hijen e veprimit ushtarak duke thënë se nuk donte e nuk mund të bënte “asnjë premtim të heqjes dorë nga përdorimi i fuqisë, mbajmë mundësinë e sendërtimit të çfarëdo mase të nevojshme”.

Këtë herë Xi i bëri thirrje historisë dhe pashmangshmërisë së synimit që bën pjesë në premtimin e tij për “ripërtëritjen e kombit kinez”. Politologët e botës së globalizuar, nga Taipei në Washington , u vunë shpejt në punë për të deshifruar fjalimin e Xi Jinping-ut. Duhet të mbajmë parasysh se është mbajtur në kremtimin e 110-vjetorit të revolucionit të frymëzuar nga doktor Sun Jat-sen-i, që më 1911 përmbysi të fundmin perandor të dinastisë Çin, duke themeluar Republikën e Kinës. Bëhet fjalë për një ditë të krenarisë kombëtare në të dy anët e ngushticës: Taipei do t’a kremtojë nesër. Xi ka përvehtësuar trashëgiminë të të parit udhëheqës revolucionar, Sun Jat-Senit, që themeloi Gomindanin, e ky mund të lexohet si një shenjë respekti kundrejt Taivanit ku u tërhoq Gomindani i përzënë nga pjesa tjetër e Kinës, vëren historiani i njohur Rana Mitter, doçent i politikës kineze në Oxford. “Në muajt e fundit Pekini ka përdorur pothuaj të njëjtën gjuhë kërcënuese kundrejt Taivanit dhe kjo fjalë e Xi-së mund të jetë një orvatje për të këshilluar një rrugë paqësore”, thotë profesori. Një ndërpretim i hollë, por duhet kujtuar se Xi ka premtuar shumë herë se zgjidhja e çështjes taivaneze nuk mund t’u lihet më brezave t’ardhshëm, siç është bërë për shtatëdhjetë vite, nga dhjetori i 1949, kur Çan Kai Shi-ja zbarkoi mbi ishull dhe u ngujua aty. Që atëherë Taivani është vetëqeverisur, duke u kthyer nga diktaturë me ligje lufte deri në vitet 80, në një demokraci të pjekur, e në një fuqi ekonomike.

Kur thotë se çështja taivaneze nuk mund t’i kalohet pa zgjidhje brezit pasardhës, Xi-ja zbulon synimin e tij: do të jetë ai përbashkuesi i madh. Ka ende shumë vite përpara për të kryer misionin, sepse ka bërë të ndryshohet Kushtetuta për të qënë një president pa kufizim kohe e vitin e ardhshëm Kongresi i Partisë komuniste do t’i japë një tjetër pesëvjeçar si Sekretar i përgjithshëm. Por për të çuar në fund misionin “e pashmangshëm” të ribashkimit me Taivanin ai i ka lënë vetes pak opcione. Karta m’e mirë ishte ajo “Një Vënd dy sisteme”, e përdorur për të fituar kthimin e Hong Kongut nga kolonizuesit britanikë. Por në Taipei kanë vërejtur mirë se si u mbyll çështja hongkongase në muajt e fundit dhe një hipotezë ribashkimi n’atë model tashmë është e vdekur.

Këtë javë ministri i Mbrojtjes taivaneze ka dhënë piskamën mbi përgatitjet e sulmit kinez, duke paralajmëruar se më 2025 Pekini do të ketë aftësinë për të provuar mësymjen; presidenteja Tsai Ing-wen i ka bërë një thirrje bashkësisë ndërkombëtare me qëllim që të shmangë “katastrofën e rënies së Taivanit në duar kineze”.

Sot përgjigja e Taipeit fjalimit të Xi-së është hartuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Kinën: 23 milionë banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin t’ardhmen dhe zhvillimin e Taivanit; modeli Një vënd e dy Sisteme është treguar i gabuar. Të djelën, më 10 tetor, do të flasë presidentja Tsai Ing-wen, në ditën të cilën Taivani ka zgjedhur për të kremtuar Festën kombëtare për revolucionin republikan të Sun Jat-sen-it. Përpara pallatit presidencial të Taipeit do të zhvillohet një paradë ushtarake me raketa dhe do të shigjetojnë aeroplanët për t’i lajmëruar Pekinit vullnetin e qëndresës.

“Corriere della Sera”, 9 tetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

FMN: “LUFTË” GJEORGJEVËS, NË HESHTJEN EVROPIANE

October 18, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI

Duke pranuar se ai në të cilin jemi të pranishëm është agimi I një lufte të ftohtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – siç pohon historiani Niall Ferguson – në këtë  javë terreni I belegut do të jetë Washingtoni: në ndërtesën e Fondit monetar ndërkombëtar që mban nga dje deri të hënën takimet e tij vjetore. Drejtoresha e përgjithëshme e Fmn, bullgarja Kristalina Gjeorgjeva, është e paditur se ka favorizuar në mënyrë jo korrekte Kinën më 2018. N’atë kohë ishte në drejtimin e Bankës botërore dhe paska ndërhyrë mbi stafin e institucionit që të tjetërsonte të dhënat e klasifikimit të aftësisë konkuruese (“Doing Business”) në dobi të Pekinit. 

Doing Business është një instrument pushteti mjaft i prekshëm, sepse mijra shumëkombëshe çdo vit vendosin se ku do t’i drejtojnë investimet e tyre edhe në bazë t’atij shkallëzimi. Dyshimi se është fallsifikuar për arsye politike është rrënues dhe kthehet në një pikë të re të shemërisë që kundërvë, gjithënjë e më hapur SHBA e Kinën. Nga administrata amerikane kanë ardhur sinjale të qarta që Gjeorgjeva të dorëhiqet, gjë që tregon se besueshmëria e saj quhet e humbur. 

Japonia është rrjeshtuar haptas me Shtëpinë e Bardhë, edhe në kah kundër-kinez. Por zyrtarisht drejtuesja bullgare do t’ishte e shtrënguar të linte postin vetëm atëherë kur aksionistët e Fmn në përfaqësi të 50 % do t’i a kërkonin, duke bërë vendimtar qëndrimin e qeverive evropiane. Drejtorët ekzekutivë të Gjermanisë, Francës e Italisë nuk ndjekin Washingtonin: për çastin, vazhdojnë t’a mbrojnë Gjeorgjevën edhe se e dijnë se tashmë ajo është e mbaruar.

Megjithatë ne evropianët nuk marrim qëndrim në këtë agim të luftës së ftohtë. Kemi shumë për të humbur nga ana tregtare për një harbutëri kundrejt Pekinit e, nga ana tjetër, ndruhemi se nuk kemi ende një kandidat të gatshëm për të zëvendësuar bullgaren. Presim që realiteti të vendosë për ne. Pa ne. Pashmangmërisht, së fundi kundër nesh.

“Corriere della Sera”, 11 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

EVROPA – SHBA, ATLLANTIKU MË I GJËRË

October 17, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI/

Kundërveprimi i tepruar i Parisit ndaj lajmërimit të paktit detar ndërmjet Washingtonit, Londrës dhe Kanberrës për të pajisur Australinë me nëndetse me mbushje bërthamore ka patur efektin boomerang për të stërzmadhuar poshtërimin e pësuar nga Franca. Por çështja e nëndetëseve është erëpritësja e një çështjeje shumë më të gjërë, që ka të bëjë edhe me Italinë, sepse prek marrëdhëniet transatllantike dhe dobësimin paralel të drejtimit amerikan dhe atij evropian, duke filluar nga Gjermania. Makroni, që është mjaft i vetëdijshëm se gjindet në fushatë zgjedhore për presidencialet e prillit, ka rrahur grushtin mbi tryezë jo vetëm për humbjen e një kontrate prej pesëdhjetë miliard dollarësh që Parisi mendonte se e kishte në xhep, por edhe e veçanërisht sepse është ndierë ai dhe Franca si qënie të nëpërkëmbura, si aleatë të rangut të dytë apo të tretë, përballë të cilit nuk duhet shumë kujdes, nëse n’anën tjetër të peshores është përparësia e Biden-it: ndalimi i Kinës. 

Në këtë pikë Evropa do të duhej të fillonte të kuptonte. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk e ka quajtur të dobishëm këshillimin ose, së paku, lajmërimin me kohë të një Vëndi të madh evropian, të ndërlikuar deri një ditë më parë në çështjen e frikësuesit australian në funksion kundër kinez, është shkujdesja  e njerëzishme por e vendosur amerikane kundrejt tërësisë së Evropës që gjen një tjetër ballafaqim të nesërmen e tërheqjes kaotike nga Afganistani.

Është ky problemi i vërtetë, përtej brrylave franko – amerikane që janë në rrugën e kapërcimit formal. Nëse dy presidentë të Shteteve të Bashkuara, njëri mbas tjetrit e mjaft të ndryshëm mes tyre, shprehin nëpërmjet fakteve (Trump-i edhe nëpërmjet fjalëve) një konsideratë të pakët për aleatët, NATO-n, Evropën, duhet të shënohet pashmangshmëria befasuese e një qëndrimi të tillë. Që nuk do të ndryshojë në t’ardhmen, sepse Shtetet e Bashkuara ankohen për zotimin e pakët të evropianëve në luftën e tyre me Kinën për sipëraninë e përgjithëshme (gjeopolitike, teknologjike, tregëtare), sepse vlerësimet e fuqisë të palidhura me interesa të sakta kombëtare amerikane nuk janë më të mbështetura nga opinioni publik amerikan, sepse Amerika është bërë eksportuese energjie. Ky ndryshim ishte filluar prej kohësh, por evropianët, të pavëmendshëm si gjithmonë për gjërat e botës, janë gënjyer kur kanë dëgjuar Biden-in të shpallte “America is back”.

Tani koha e iluzioneve po mbaron. Duhet tani ajo përsiatje strategjike evropiane, për të cilën shumë diskutohet, që të fillohet të kuptohet se zgjerimi i Atllantikut ngre çështjen thjesht të mbijetesës së Evropës, edhe asaj çalamane të sotme. Bëhet e nevojshme dhe e ngutëshme për Evropën përcaktimi i një misioni të përshtatur kohëve të reja e të frutshëm,

 si qe mbas luftës ai i mënjanimit të luftërave t’ardhme frëngo-gjermane e të ndihmesës për përballimin e Bashkimit Sovjetik jo më aleat.

Çfarë duhet bërë? Disa hamendësojnë role strategjike të ndryshme, me një pol evropian e NATO në funksion kundër-rus e një tjetër të aleancave indo-paqësore për të ndalur Kinën. Një nismë e tillë është e mundur, por vetëm në sallat e gjeopolitikës amerikane, jo n’ato evropiane nëse ato ekzistojnë. Mbi Rusinë çarja evropiane mbetet e thellë, megjithë qëndrime të përbashkëta mbi mos respektimin e të drejtave njerëzore dhe lirive politike. Evropa e hershme perëndimore voton edhe ajo çdo gjashtë muaj sanksionet kundër aneksimit të Krimesë, por don të bisedojë me Moskën dhe në caqe të drejta të bëjë allishverishe me Rusinë. Ndërsa  Evropa e re e Lindjes është ende atdheu i kombëtarizmave kundër-ruse (me pak përjashtime), i trëmbet aventurizmit të Kremlinit, don ushtarë amerikanë në kufijtë sepse nuk i beson më mbrojtjes së siguruar nga Neni 5 i NATO-s dhe ka votuar në tërësi kundër kur Merkeli e Makroni kanë propozuar të hapen linja të reja të “dialogut kritik” me Putinin. Jo, nëse ky do t’ishte misioni i saj Evropa do të thërmohej në kohë jo shumë të largëta. A e kupton këtë Biden-i? Deri ku i është e qartë atij se Perëndimi o është një i tërë ose nuk është fare?

Pa përjashtuar që në brendësi të një kornize të vetme (por më përpara duhet t’i jepet një hov i ri NATO-s) aleanca evro-amerikane ndaj së cilës askush nuk është mohues, mund të projektohet n’Evropë apo n’Azi  simbas nevojës, mbetet mbi qilim çështja e mos ashpërsimit, për rehatinë amerikane, të ndarjeve të thella që përshkojnë tashmë Evropën e duke u  orvatur të pakësohen ato në një vështrim gjeopolitik të ndërlidhur.

Por kush mund të arrijë deri aty, kush njeh në thellësi Amerikën dhe është një evropianist i bindur, kush mund të parandalojë çarje të tjera? Jo Gjermania që për muaj do të jetë jashtë loje e duhet të mësohet me një drejtim të ri politik. As shumë radikali Makron, nëse rizgjidhet. Sigurisht jo Xhonsoni , mbas Brexit. Përgjigja është e ka të bëjë me më pak ambiciozen Itali. Sepse Mario Draghi, veçanërisht mbas votimeve gjermane, zotëron autorësinë dhe njohjen për të folur, siç bëri në Parlament nga pozita e një evropeisti të bindur e të një atllantisti po aq të bindur. Italia, pothuajse pa e kuptuarr, vihet në qëndër të skenës pikërisht nga dasitë transatllantike dhe nga nevoja evropiane për të gjetur një zgjidhje.

“Corriere della Sera”, 6 tetor 2021     Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

FRYMA QË KËRKON EVROPA

October 17, 2021 by s p

Nga PAOLO LEPRI

Të drejta dhe detyra. Rreth këtyre dy koncepteve luhet ndeshja në vazhdim ndërmjet BE dhe antarëve të tij rebelë, e para ndër të gjitha, Polonia. Belegut sovranist të Gjykatës kushtetuese të Varshavës, që u shpreh rreth mbizotërimit të ligjeve kombëtare mbi ata të bashkësisë, i u shtua – si një tjetër goditje, pikërisht ndërsa Evropa është në veprim për të kapërcyer katastrofën e pandemisë – letra me të cilën dymbëdhjetë Vënde kanë kërkuar financime për të mbrojtur kufijtë e tyre, duke gjuajtur mbi politikën e imigrimit (që duhet t’a themi se nuk është bërë kurrë një realitet i efektëshëm dhe i bashkëndarë) të njëjtët gurë me të cilët do të dëshironin të ndërtonin muret e tyre. Fjalia kyçe e ndeshjes me pushtetin kombëtar-konservator polak është e Ursula von der Leyen: “Përparësia e jonë është të sigurojmë që të drejtt e qytetarëve polakë të jenë të mbrojtura e të gëzojnë të mirat e përkatësisë në BE”. Nëse do të donim t’a personalizonim, do të thonim se po përballohen dy gra: njëra kryetare e Komisionit që drejton “një bashkësi ligjesh e vlerash” (parim i të shkruarit “mbi çdo faqe që është e bardhë”, si fjala liri në poezinë e Eluar-it) dhe një mbi-gjykatëseje, Julia Przylebska, që ka mbrojtur me pallë zhveshur masat iliberale kundër pavarësisë së gjykatësve, duke u shtyrë pastaj deri tek vendimi i 7 tetorit. Nuk bëhet fjalë për një “legal thriller”. Është një çast domethënës për historinë evropiane. Deklarata e Ursula von der Leyen it është e rëndësishme sepse i beson fjalës “të drejta” një kuptim tërësor. Detyra e BE nuk është vetëm ajo – tashmë themelore – e mbtrojtjes së vlerave, sot të kërcënuara, që janë në bazën e qënies së tij (e që kanë sjellë paqë, harmoni e mirëqënie në dhjetëvjeçarët e shkuar) por edhe të sigurojë që qytetarët evropianë mos të jenë të dëmtuar nga vija skajore e qeverive të tyre. Kryeministri polak Mateush Moraviecki, mbas të cilit vepron i forti Jarosllav Kaçinski, nuk mund të “luajë me zjarrin”, siç vërejti – ndërmjet shumë kundërveprimeve johenike ndaj veprimit të Gjykatës – ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn. Të mbahet një këmbë jashtë e një tjetër brënda shtëpisë së përbashkët evropiane është një ushtrim që po bëhet më shumë i papërgjegjshëm se sa bezdisës. Konflikti i gjatë mes Polonisë dhe institucioneve të Brukselit (i ngjajshëm me atë të Hungarisë së Orbanit, që jo rastësisht u nxitua të rrjeshtohet nga ana e gjykatësve qeveritarë të Varshavës) me gjasë i përgjigjet logjikave të dialektikës së brëndëshme, mobilizon pjesët më pak bashkëkohore të trupit zgjedhor, por po krijon një gjëndje që do të bënte tashmë të domosdoshëm një provim të thelluar të ndërgjegjes. Është vërtetë e mundur të mendohet se mund të merret pa respektuar rregullat? Është vërtetë e mundur të vihen në rrezik – duke hyrë në konkretësinë e numërave – ndihma për 36 miliard eurosh, 23,9 prej të cilëve falas? Do t’ishte e drejtë të ketë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve. Përtej thirrjeve propagandistike dhe papërkorësive gojore, si ato me të cilat na ka mësuar, për shembull, ministri i Drejtësisë Zbignjev Zobro, i paditur se ka përdorur për qëllime zgjedhore para të mbledhur për viktimat e krimeve. Ngrirja e kuotës polake të Recovery Plan dhe e fondeve strukturore të bilancit shumëvjeçar të BE janë armë trysnie që duhet të përdoren me vendosmëri. Duke shpresuar natyrisht të mos arrihet në pasojat skajore. Por nëse vijnë ndërrime mendimi, siç ka ndodhur në disa raste, nuk duhet të jenë vetëm për sy e faqe. Më në përgjithësi, ndërsa ka filluar të hamendësohet një “Polexit” ( në mënyrë përfrikësuese edhe nga ana e disa përfaqësuesve të vetë qeverisë së Varshavës, që parapëlqen më shumë mundësinë e minimit nga brënda të themeleve evropiane), është e dobishme të theksohet në këtë çast të vështirë, që historia e Bashkimit është ajo e përfshirjes dhe vlerat e qëndrimit së bashku, me të gjitha ndryshimet, janë të pakthyeshme në një kuadër që mund të shprehë nivele të ndryshme të integrimit. Të tjerë skenarë përjashtohen: të penduarit e zgjerimit (të dalë përsëri në skenë për të mbyllur dyert e Shteteve të Ballkanit perëndimor) duhet t’a mbledhin mëndjen, jo vetëm sepse Traktatet nuk parashikojnë asnjë proçedurë përjashtimi. Në Poloni, e cila ka votuar kompakte më 2003 për hyrjen në BE, ka një shumicë që beson n’Evropën e ka për të një përfytyresë pohenike, siç tregojnë qartë hulumtimet. Manifestimet e mëdha të së djelës, 10 tetor janë vërtetimi i një Vëndi që nuk i dorëzohet kombëtarizmit kundër baskësisë. Kjo duhet të jetë pika e rinisjes. Sferës së të drejtave, që rasti polak vë në plan të parë, i bashkëngjitet ajo e detyrave, të ngritur nga qëndrimi i të Dymbëdhjetëve (Austria, Qipro, Danimarka, Greqia, Lituania, Polonia, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia dhe Sllovakia) mbi “mjetet për të mbrojtur kufijtë edhe me financimet për rrethime të reja e për ledhe”: një qëndrim që duket një pengesë e rrezikshme në rrugën e vështirë që Evropa po përshkon. Cilat janë këto detyra? Të presim në mënyrë të kujdesëshme e të kontrolluar, siç e kuptoi me shumë kthjelltësi kançelaria Angela Merkel gjatë viteve të saj të gjata në udhëheqje të Gjermanisë, por edhe duke mos lënë të tjerët të përballojnë të vetëm goditjen e fatzijve të botës. Letra kundër imigrantëve është një kapitull i keq i një libri që, për fat të keq, nuk është shkruar kurrë, libri i një politike të përbashkët mbi imigracionin. Përtej simboleve dhe pasojave historike, që nuk janë të parëndësishme, problemi sigurisht ekziston. Por duhet përballuar në mënyrë të përgjithëshme. Me një frymë që nuk është e paracaktuar të zhduket përgjithmonë: kush ka në zemër Evropën e sheh të mbetet në logjikën e gjërave, në hartën e raportit të forcave të kësaj bote të ndërlikuar. Duhet t’a rigjejmë.“Corriere della Sera”, 11 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

“CANCEL CULTURE”, MË SË FUNDI NJË KUNDËRVEPRIM

October 14, 2021 by s p

Nga GIOVANNI BELARDELLI

Vetë pavarësia qënkërka kërkuar më 1776 për të mbrojtur regjimin skllavëror, sepse të bardhët për shkak të whiteness (bardhësisë) së tyre nuk mund të jenë veçse racistë. Kjo është teza që tashmë është e përhapur në mjediset e cancel culture të SHBA e që, më së fundi, i është nënështruar kritikës së Bell-it në New York Review of Books.Të merremi vesh, është një kritikë tejet e matur, që synon të fshihet mbas vlerësimit të librit të shqyrtuar; por në thelb e shkërmoq atë. Maturia skajore e recensorit të kujton “shtirjen e ndershme” të Torquato Accetto-s, që Croce e tregoi gjatë fashizmit si udhërrëfyese për të siguruar hapësira lirie; e kjo tregon shumë mbi klimën e frikës që zotëron në botën akademike amerikane.  Por shpresojmë që reçensioni të jetë një shenjë e parë e kundërveprimit, ndoshta e ndihmuar nga fakti se cancel culture, duke damkosur të gjithë të bardhët për whiteness të tyre ka kaluar cakun , duke u ankoruar në fakt në qëndrime raciste.

“Corriere della Sera”, 6 tetor 2011  Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT