• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(4)

October 1, 2020 by dgreca

-(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”–J. F. KENNEDY–

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka

      Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

“Enver Hoxha o tungjatë jeta

            Sa kto male o sa kto shkrepa.

        Emnin shqipes o lart i a ngrite 

          Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë            5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit                              5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit           40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %   
  5. Ish oficerë Sigurimi                                                  15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, NË DEMOKRATURË(4), nga diktatura

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (3)

September 25, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY– SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA-*

Kohët e fundit është diskutuar shumë për një ligj të miratuar nga Këshilli i ministrave mbi një amnisti fiskale për kapitalet shqiptare që aktualisht janë jashtë shtetit. Praktikisht bëhet fjalë për një ligjësim të shumave të mëdha të parave që nuk janë të regjistruara n’asnjë bankë, apo janë në banka fantazma që i shërbejnë veprimtarisë mafioze. Kjo mbulohet me një vello “bamirësie”, për t’i ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve që kanë “kursyer” gjatë jetës së tyre e tani duan të vijnë të investojnë në Shqipëri. Po t’ishte i vërtetë ky motiv nuk do të kishte nevojë për një amnisti, mbasi paratë e fituara me punë të ndershme, janë të depozituara në banka dhe i janë nënështruar taksimit në Vendin ku kanë punuar. Pra shteti shqiptar nuk ka të drejtë tjetër t’i taksojë ato e prandaj nuk ka kuptim të shpallë një amnisti, mbasi është e drejtë e tyre e ligjëshme t’i sjellin nëse dëshirojnë. Kështjella e amnistimit si një përkrahje nga ana e tij për qytetarët e tij që jetojnë jashtë është e ngritur mbi rërë.

E vërteta është se demokratura është e interesuar jo për kursimet e shumicës, të cilët janë simbolike, po të mbahen parasysh kërkesat e familjeve për jetesën e rritjen e shkollimin e fëmijëve. Të gjithë ata që, në këto tridhjetë vite, kanë jetuar e punuar ndershmërisht jashtë Shqipërisë, kudo qoftë, e dinë mirë se sa e vështirë e me sa shumë flijime ka qënë e mundur të vihen kapitale, më së shumti kanë kursyer diçka për të mos i shtrirë dorën bijve të tyre në pleqërinë që ndoshta e ëndërrojnë t’a kalojnë në Vendin ku kanë lindur për mall, për t’u varrosur aty apo për leverdi ekonomike.

Ligji i ri, i miratuar nga qeveria, ka hasur në kundërshtimin e organizmave ekonomikë ndërkombëtarë, që e dijnë mirë se çfarë fshihet mbas tij. Hartuesit e tij mund të thonë, me të drejtë, se veprime të këtilla nuk janë dukuri vetëm shqiptare, se ndodhin edhe gjetkë e janë mënyra të ligjëshme të shtetit për të pasuruar thesarin e tij, nëpërmjet faljes së parregullsisë së disa individëve në këmbim të një takse të kripur që duhet të paguajnë ata. Sidoqoftë janë lëvizje parash, frute të shmangies së pagimit të taksave, e si të tilla, ligjërisht të diskutueshme. Mbas përvojave të financiareve e të parave të drogës masive të kanabizimit, besoj se nuk kemi nevojë për një ligj të mbytjes së tregut financiar shqiptar me kapitale të paligjëshme. Gjithmonë pasojat e këtyre dukurive bien mbi qytetarët e thjeshtë, mbasi ata që i gatuajnë e hedhin vaun pa u lagur. Ndoshta ky ligj synon të verë rregull në paratë që investohen me lehtësi vetëm në Shqipëri, ku mbyllen sy e veshë përsa i përket prejardhjes së tyre. Me siguri nuk është kjo rruga m’e mirë për përparimin e mirëqënien e shqiptarëve.

Zhvillimi i një Vendi arrihet nëpërmjet shfrytëzimit më t’arsyeshëm të mundësive ekonomike që ai premton. Çuditërisht, në gjithë këto vite, pasuritë nëntokësore që dikur ishin nga bazat më të sigurta të ekonomisë, edhe në sajë të punës së papaguar të të dënuarve politikë e jo, janë kthyer në problematika shtetërore e shoqërore, me dukuri të tilla si mungesa e t’ardhurave shtetërore nga taksat e veprimtarive të tyre ekonomike e aq më keq mungesa e pagesave të rrogave të vetë punonjësve, që detyrohen të ushtrojnë trysni mbi shtetin, për të ndërhyrë tek ndërmarrjet konçesionare duke ju kujtuar atyre se duhen paguar rrogat e punonjësve. Është e pakonceptueshme që të ketë konçesione për nxjerrjen e naftës apo mineraleve, që nuk paguajnë asnjë taksë prej 15 vjetësh. Bujari e lashtë e demokraturës shqiptare! Kjo dukuri është tregues i një politike ekonomike krejtësisht të dështuar në dhënien e konçesioneve për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, që mund të kenë luhatjet e veta, por është e papranueshme që të tkurren në zero përsa i përket përfitimit të veprimtarisë ekonomike. Është shëmbull domethënës i papërgjegjshmërisë së klasës drejtuese të demokraturës, në të gjithë përbërëset e saj dhe i trajtimit të pasurisë së përbashkët si pasuri që nuk i përket askujt e në të cilën mund të verë dorë kushdo. Është tregues i diletantizmit marramendës me të cilin mbarështohet ekonomia, e përfaqësuar në organet e saj drejtuese nga njerëz krejtësisht jashtë fushës e kompetencave. Janë dëshmi të kësaj keq-qeverisjeje faktet e heqjes e tani të rivendosjes së kazinove, të marrjes së vendimeve që mbas ankimimeve në organizmat e Drejtësisë evropiane e detyrojnë shtetin shqiptar të paguajë dhjetra  miliona euro si dëmshpërblim për ndërmarrjet apo individët e goditur, faktet e panumurta të dhënies së tënderave për ndërtime rrugësh apo objektesh të tjera shtetërore me një farë çmimi të përcaktuar me marrëveshje e më pas të miratohen çuditërisht të tjera shtesa financiare, krejtësisht të paligjësuara. Të gjitha këto parregullsi që i kushtojnë humbje shtetit e qytetarëve, kalojnë në heshtje ose shumë shumë shkaktojnë ndonjë ndrrim vendi apo shkarkim të ndonjë ministri, pa shpjeguar asnjëherë se ku qëndron e vërteta e shkarkimit e sa janë përgjegjës n’atë të vërtetë kryeministri apo zëvendësi i tij. Në këtë drejtim demokratura përcjell shëmbujt që vijnë nga diktatura, përsa i përket shpërndarjes së përgjegjësisë, edhe se nuk zbaton kriterin e saj sa i takon dënimit të njerëzve.  

Sot i gjithë synimi i strategjisë së zhvillimit të Vendit përqëndrohet te turizmi. Është një synim i arsyeshëm, sepse mbështetet në nismat vetiake e familjare, duke mobilizuar në sendërtimin e tij një sasi banorësh, të cilët me punën e tyre mund t’i japin një vlerë të shtuar vetë përfytyresës së Shqipërisë në fushën e turizmit. Por ky zotim nuk përjashton edhe investimin e kapitalit të madh në destinacione luksoze që mbeten objekte pushimi e dëfrimi të mjerëzve të pasur, të huaj apo vendës, tepër larg nivelit mesatar të përgjithshëm të shoqërisë. Duket se demokratura është mjaft e ndjeshme ndaj kësaj veprimtarie, duke e ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundëshme e duke e quajtur një përparësi të zhvillimit, ndoshta dhe t’interesave të saj lëndore. Kjo fushë e re duhet të synojë t’a kthejë Vendin në një objekt të stërmadh turistik që të jetë tërheqës në të gjitha stinat e vitit, falë shumllojshmërisë së mjediseve natyrore që janë të pranishëm në Shqipëri.

Por turizmi duhet të ketë edhe bazën e furnizimit me produkte ushqimore të kultivuara në vend (agroturizëm) që të vlerësojnë traditën tonë të lashtë, sa i përket larmisë së ushqimeve e të gatimit të tyre, të cilat janë nga përbërësit më të rëndësishëm të vetë veprimtarisë turistike. Ky lidhet me bujqësinë e gjëndjen aspak të kënaqëshme, në të cilën ajo është zhytur në këta tre dhjetëvjeçarë. Ka nisma vetiake të lëvdueshme e përfundime shpresandjellëse n’atë drejtim, por nuk ka një strategji shtetërore që të ndihmojë investitorët dhe punonjësit e bujqësisë në punën e tyre.  

Nga komunizmi trashëguam një bujqësi jo shumë të përparuar, por t’organizuar në ndërmarrje shtetërore e kooperativa bujqësore. Krahas tyre plotësonin kuadrin ndërmarrjet e ujitjes e të bonifikimit, të mekanikave bujqësore e të grumbullimeve të prodhimeve. Në sajë të bashkërendimit të veprimtarive të këtyre formave të organizimit shtetëror, bujqësia ishte njëra nga përbërëset më të rëndësishme të vetë ekonomisë. Nxjerrja jashtë veprimit apo shkrirja e plotë e tyre krijoi një zbrazësirë që ende sot nuk po mbyllet e që nuk po gjen asnjë alternativë të vlefshme për zëvëndësimin e funksionit të tyre në dobi të gjithë ekonomisë bujqësore. Bujqësia bashkëkohore, e aftë të përballohej me tregjet e huaja, mbeti një ëndërr të cilën edhe mbas tridhjetë vitesh po e shohim me sy hapur.

Është për t’ardhur keq, por demokratura shqiptare nuk pati asnjë ide të qartë për të ndihmuar zhvillimin e kësaj pjese t’ekonomisë që, në shekuj, ka qenë baza e jetesës së shqiptarëve. Kjo mungesë idesh vazhdon edhe sot. Është e vërtetë se tjetërsimi i sistemit detyronte kthimin e pronës në duart e fshatarëve, por atyre askush nuk i tha se në fazën e re të marrjes së tokave në zotërim, ishte i domosdoshëm një organizim mbi baza vullnetare të miqësive a të lidhjeve familjare, për të krijuar ekonomi më të mëdha që do t’ishin në gjëndje të ishin, për shumë arsye, konkuruese në treg. Si pasojë e këtij organizimi të ri do të kishte më shumë prodhim, më shumë pasuri për vetë punonjësit e tokës, më pak toka djerrë e më pak njerëz të papunë.

Nëse sot ka në Shqipëri ekonomi bujqësore, blegtorale a të pemtarisë, që janë vepruese e rentabël, kjo i detyrohet krejtësisht nismave të lëvdueshme të vetë fshatarëve shqiptarë, e deri diku edhe përvojës së fituar jashtë, kryesisht në Itali e Greqi, Vëndeve ku më së shumti mërguan shqiptarët, duke përsëritur dukuri të shekujve të shkuar, të viteve të para të pushtimit osman. Por nëse nismave të individëve apo familjeve do t’i ishte përgjigjur një strategji krijuese e bashkëkohore e klasës drejtuese, përfundimet do të kishin qënë shumë më të mira në shumë drejtime. Madje jo vetëm kjo strategji është e paqënë, por në të kundërt ka tregues që dëshmojnë mungesën e plotë të organeve qeveritare në gjithë këto vite, për t’i ardhur në ndihmë kësaj dege të rëndësishme t’ekonomisë. Është i paligjërueshëm fakti i çmimeve shumë të larta të naftës që zbatohen në Shqipëri. Nafta është një nga përbërësit kryesorë të kostos së një veprimtarie ekonomike, për më tepër bujqësore. Dihet se çmimi  i shitjes të saj, më shumë se sa vlera e blerjes varet nga sasia e taksave që ngrenë në qiell atë. Janë demagogji e pastër premtimet e ndryshme të kastave drejtuese për të ulur taksat nëse nuk ndërhyhet në ato të tërthortat, që janë TVSH apo taksat e naftës.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, ne demokrature 3, nga diktatura

SI I SHEH EUROPA ZGJEDHJET NË SHBA

September 15, 2020 by dgreca

VOTA NË SHTETET E BASHKUARA DHE AMERIKA QË I DUHET EVROPËS–

Nga Angelo Panebianco*-

 E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika* –   

Në zgjedhjet, përfundimi i të cilave do të ndikojë fatet e botës për shumë vite që vijnë, asgjë nuk duket më e paparashikueshme dora dorës që shkon përpara fushata zgjedhore. Kandidati demokrat Joe Biden është ende më përpara (duke qëndruar tek hulumtimet) por presidenti në fuqi Donald Trump është duke marrë veten. Ndoshta, së paku pjesërisht, sepse kryengritjet qytetare të këtyre muajve kanë tmerruar shumë njerëz. Për të patur të qartë se cila është rëndësia e dukurisë duhen mbajtur parasysh dy parakushte. I pari është që një evropian, i vënë përballë votimeve amerkane, duhej vetëm të pyeste se cili do t’ishte për ne evropianët, përfundimi më i mirë. Nuk e kuptojnë në Kontinentin e Vjetër, as ata që përkrahin Trump-in sepse ndjehen ideologjikish afër tij, as ata që parapëlqejnë Biden-in për të njëjtën arsye. Parakushti i dytë është që ai që vlerëson rendin liberal (demokracinë përfaqësuese, ekonominë e tregut, liritë qytetare) që është i pranishëm në botën perëndimore që nga fundi i luftës së Dytë botërore, duhet të dijë se ai rend mund të vazhdojë vetëm nëse mbeten disa kushte kulturorë, shoqërorë, ekonomikë.  Por edhe gjeopolitike: vendimet e ardhëshme të Shteteve të Bashkuara do të ndikojnë fatet e rendit liberal perëndimor, do t’i japin ndihmesën e tyre vazhdimit apo shkërmoqjes së tij. Dikush thotë me të drejtë  se, në kundërshtim me atë që shumë pohojnë, politika e jashtëme e Trump-it (e vetmja me të cilën merrem) nuk është në tërësi një shumë gabimesh. Ka fusha në të cilat Trump-i ka ndrequr gabimet e para-ardhësit të tij Barak Obama. Për shëmbull, ballafaqimi i ashpër i Trump-it me një Kinë që për shumë kohë ka luajtur në shfrytëzimin (e vazhdon të luajë ende sot) e dobësive të botës perëndimore, nuk meriton të trajtohet me mospërfillje: në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës ka një problem të vërtetë e Trump-i ka meritën t’a ketë ngritur e të ketë vepruar rrjedhimisht. Gjithënjë në meritë të Trump-it mund të përmëndet kthesa në Lindjen e Mesme mbi një krifë tejet të brishtë: pozicionimi i ri i Shteteve të Bashkuara (në të vërtetë një kthim në të hershmin) sa i përket ndarjes mes myslimanëve sunitë e shiitë. Dy para-ardhësit e tij – Bushi me luftën në Irak që shliroi shumicën shiite nga tirania e një pakice sunite, e Obama me traktatin bërthamor me Iranin – kishin zgjedhur të bisedonin me shiitët në dëm të aleancës më të hershme e tradicionale me botën sunite. E vlerësuar në distancë, kjo përmbysje aleancash nuk duket se ka pjellë të mirat që priteshin, nuk ka shërbyer për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri rajonit dhe as për të nxjerrë përfundimisht jashtë loje xhihadizmin sunit. As nuk ka pakësuar kërcënimet kundrejt qënies së Izraelit. Ndërsa, politika e Trump-it duket se ka dhënë disa frute të rëndësishme: më i rëndësishmi ka të bëjë me ndihmesën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve arabe (të cilave tani u është shtuar edhe Bahrejni), një ndodhi që mund t’i prijë afrimeve të mëtejshme ndërmjet Izraelit dhe fuqive sunite (me përjashtim të Turqisë). As njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Trump-it, që shkandulloi aq shumë në kohën e vet evropianët, ka penguar këtë shtjelli dobiprurëse.

Nëse duam t’i japim Trump-it atë që është e Trump-it duhet të pranojmë se këto vështrime të politikës së tij meslindore – njësoj sikurse politika e tij kundrejt Kinës – janë ndjellamira e nuk meritojnë përçmimin që u kushtojnë atyre shumë prej kundërshtarëve të tij. Duhet shpresuar që një Administratë e mundëshme Biden të mos kushtëzohet nga humoret kundër-izraeliane të krahut më të majtë të Partisë demokratike e të mos punojë  për të ndaluar ato zhvillime. Gjithënjë në lidhje me zhvillimet në Lindjet e Afërta e të Mesme, mbasi thuhet se politika e Trump-it nuk ka shkëlqyer – madje ka dështuar: të mbahet parasysh egërsia me të cilën i ka kthyerkurrizin kurdëve – në Siri, ashtu si dhe Libisë, duhet t’i njohim faktorët lehtësues: Trump-i nuk arriti të ndreqë gabimet e rënda të kryera, në lidhje me Sirinë e Libinë nga para-arshësi Obama. Mbas kësaj duhet të shtojmë se meritat dhe lehtësimet mbarojnë këtu. Mbrapa fillon lista e gjatë e veprimeve të padenja (nga pikpamja e interesit perëndimor). Trump-i, me një stil të ndryshëm nga Obama, por në thelb të njëjtë me Obamën, nuk ka reshtur t’i bëjë të njohur botës se Amerika është zotuar t’a zvogëlojë rolin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë ka hapur orekset e fuqive të tjera të mëdha (Rusia, Kina) e të fuqive rajonale (si Turqia e Erdoganit). Me që ra fjala, shpejt a vonë, SHBA duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me Turqinë, njëherësh antare të NATO-s e tashmë armike të botës perëndimore. A do t’i a lenë vetëm Francës të përballojë synimet perandorake të Erdoganit?

Duke vazhduar padinë e listës së vështrimeve negative, duhet kujtuar se kanë mbetur të errëta (pra të rrezikëshme) marrëdhëniet ndërmjet Trump-it dhe Rusisë së Putinit. Si për Lindjen e Afërt apo të Mesme apo marrëdhëniet me Rusinë, flitet për gjëra që prekin interesat e ne evropianëve. Ashtu sikurse na përket, duke na destabilizuar, kombëtarizmi trampian, me pasojat e tij rrënuese: ndeshja me Gjermaninë, armiqësia kundrejt Bashkimit evropian, polemikat mbi rolin e NATO-s, më në përgjithësi sulmi kundrejt institucioneve shumëkahëshe të krijuara nga Shtetet e Bashkuara mbas vitit 1945.

Të hamendësojmë se faktikisht politika e jashtëme e Trump-it është vërtetimi më i pakundërshtueshëm se koha e mbisundimit ndërkombëtar të Amerikës të ketë mbaruar, cilido t’i fitojë zgjedhjet e ardhëshme presidenciale, që rënia (relative) e Shteteve të Bashkuara tashmë është e pakthyeshme. Është shumë e mundur. Por pyetja atëherë shtrohet: rënia amerikane, vjetrimi i NATO-s, e të tjera mund të vijnë pa prekur rendin liberal tek ne n’Evropë?

Me të vërtetë ka ndonjë që beson se Bashkimi evropian do të mundë në kohë të shkurtëra, të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, të bëhet një digë e fuqishme dhe e pavarur e atij rendi liberal të mbështetur deri pak kohë më parë nga fuqia amerikane? Ndoshta një Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk do t’ishte i aftë rë riqepë marrëdhëniet me evropianët, t’i rijapë fuqi e vrull rendit liberal perëndimor. Është e mundur. Por ajo që me Biden-in është një mundësi, kthehet në një siguri në rastin e rizgjedhjes së Trump-it. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë u leverdis evropianëve.

*“Corriere della Sera”, 13 shtator 2020      E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Opinion Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Zgjedhjet ne SHBA

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(2)

September 15, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY–

NGA EUGJEN MERLIKA*-

Fitorja e vitit 2005 i dha rastin PD të rifillonte një tjetër rrugëtim në drejtimin e shtetit, duke patur mundësi që “të ndreqte” përfytyresën e cënuar nga firmat rentiere e rrëmujat e vitit të “mbrapshtë” 1997. Para së gjithsh asaj i duhej vetëdijesimi për gabimet e legjislaturës së parë, duke ndrequr shumë shtrembërime në veprimtarinë e saj, filluar nga qëndrimi kundrejt shtresës së ish të përndjekurve politikë, të cilët kishin humbur me kohë edhe ndonjë përfaqësi formale që kishin patur në strukturat qeverisëse. Por gjëja m’e rëndësishme ishte fakti që, megjithëse Kuvendi i parë me shumicë demokrate kishte miratuar një ligj për dëmshpërblimin e punës së papaguar në kampet e çfarosjes (Tepelenë) e të punës së detyruar, në terrenin konkret nuk ishte bërë asgjë për sendërtimin e tij. Është e vërtetë se PS, nën drejtimin e Fatos Nanos, e pezulloi plotësisht atë proçes, por ardhja në fuqi e PD dhe Aleancës së djathtë duhej t’a kishte vënë menjëherë në rrugën e zgjidhjes.

Por të tjera ishin përparësitë e forcave politike n’ata vite. Synimi kryesor ishte fuqizimi i pozitave zotëruese në pushtet, që ishte sinonim jo vetëm i aftësisë vendim-marrëse në të gjithë drejtimet, por edhe i fitimeve lëndore që, në mendësinë e klasës politike, ishin kthyer në normalitetin e sundimit, pra ky nuk mund të përfytyrohej i ndarë nga pasurimi i kastës. Këtij synimi i shërbente e gjithë veprimtaria qeveritare, por dhe ajo opozitare. Kjo prirje ishte në përputhje me projektin e demokraturës, që vazhdonte të merrte formë në mëndjet e drejtuesve të dy partive kryesore, të kryeministrit Berisha e të kryetarit të ri të socialistëve, Rama, t’ardhur në udhëheqje të partisë, mbas dorëheqjes së Fatos Nanos. Ky i fundit ndoshta pati një ndriçim “hyjnor” në mëndje, duke vendosur atë akt, mbas gjithë mashtrimeve, nëpërmjet të cilëve e fitoi pushtetin dhe e mbajti për disa vite me rradhë. Ndër ta nuk duhet harruar tjetërsimi i përfundimit të votimit në referendumin për rivendosjen e mbretërisë, e cila me shumë gjasë, kishte fituar me vota, por Komisioni zgjedhor komunikoi humbjen e saj. Ndoshta n’atë rast, nuk ishte vetëm nisma e Nanos për të ndryshuar në tavolinë përfundimin e votimit, por edhe “këshillat”që ai mori n’atë drejtim nga Evropa e ndokush tjetër, që nuk e dëshironin një ndryshim të tillë në Shqipëri.  

Një nga hapat më të fuqishëm drejt demokraturës qe marrëveshja e tetorit 2008 për ndryshimet kushtetuese, e hartuar nga grupet e punës së qeverisë e t’Opozitës, të frymëzuar nga Berisha e Rama dhe e miratuar nga shumica e deputetëve. Kjo marrëveshje ndryshonte sistemin zgjedhor, duke i hequr votuesve mundësinë e zgjedhjes së deputetëve e duke i shtuar kompetencat e sekretarëve apo të kryetarëve të partive, si dikur në socializëm. Duket se kushtrimi i të parëve vazhdonte t’u bënte jehonë si ish sekretarit të partisë, ashtu edhe “rebelit” antikomunist të orëve të para, të cilëve mbas kaq vitesh thirrjeje për vlerat e demokracisë perëndimore, në të cilën ishin “konvertuar”, me marrëveshjen e tyre mbillnin farën e autoritarizmit partiak, që kishin jetuar në rininë e tyre.

Deri atëherë Shqipëria kishte patur një ligj zgjedhor, ndër më të mirët n’Evropë, që siguronte qeverishmërinë dhe përfaqësimin, një përzierje, mjaft të zgjuar të maxhoritarit me proporcionalin. Njëqind deputetë zgjidheshin drejt për së drejti nga ballafaqimi i votave, që merrnin qoftë edhe me zgjedhje të dyta, simbas modelit francez. Kjo i jepte mundësi votuesve të vendosnin emërimin e deputetit të tyre me votë të drejtpërdrejtë e të hapur. Por nga ana tjetër, për të ruajtur praninë e disa drejtuesve të partive në Kuvend, ligji parashikonte edhe emërimin e 40 deputetëve me ligjin proporcional në të cilin njerëzit vinin kryqin mbi simbolet e partive. Kjo gjë shmangëte të papritura të bujshme si fitorja e një inxhinjeri nga Shkodra kundër Ramiz Alisë në votimet e para. Nuk besoj se ishte i dobishëm ai ndryshim për demokracinë shqiptare. Sistemi që e zëvëndësoi i shërbente më së miri demokraturës.

Proporcionali rajonal me lista të mbyllura i jepte tw drejtwn e padiskutueshme kryetarwve tw partive të vendosnin vetë mbi përbërjen e Kuvendit, të mbanin shtrënguar frerët e partisë duke kërcënuar me mos kandidim cilindo që nuk do t’i qëndronte ngushtësisht shijeve e prirjeve të kryetarit, duke përqëndruar në duart e tij të gjithë pushtetin që mund të ushtronte partia. Ndoshta një dukuri e këtillë do të kishte patur përfundime të mira nëse në krye të partive do të ishin njerëz të zgjedhur, që vërtetonin teorinë e Platonit mbi “mëndjet e ndritura”, të paracaktuara për të drejtuar tufën. Por nuk ishte ky rasti i politikës shqiptare, në të cilën mbizotëronte jo shqetësimi për të zgjidhur problemet e Vendit, por etja e pashuar për pushtet a pasuri, që është kthyer në alfën e omegën e mendimit politik shtetëror.

Demokracitë më të rrënjosura, si ato angleze, gjermane, amerikane, franceze, austriake, zvicerane etj. kanë modele zgjedhore prej dhjetra e qindra vjetësh e nuk kanë ndjerë nevojën për t’i ndryshuar sa herë këmbehen partitë e ndryshme në pushtet. Nëse është marrë si model praktike sistemi italian nuk më duket se është një zgjedhje e mirë. Ligji zgjedhor nuk duhet të shohë interesat e menjëherëshme të atyre që kanë shumicën, por të jetë i palëvizshëm e i barabartë për të gjithë, përfshirë dhe forcat e reja që mund të dalin n’arenën politike. 

Pasojat e marrëveshjes së 2008 qenë gjithënjë e më tepër rrënuese: u shtuan me tepri kundërshtitë që ndikuan në ndërprerjen e shpeshtë të vetë veprimtarisë shtetërore. Dalja nga Kuvendi u bë një metodë e zakonshme, me pasojë pezullimin e jetës ligjvënëse, e cila nga një detyrë parësore e secilit të zgjedhur kundrejt institucionit e vetë shtetit, kthehej në një mundësi vetiake të tij apo të kryetarit, simbas humorit, për t’a ushtruar apo mos e ushtruar atë. Kjo mendësi shtrembëruese e vetë parimeve më të thjeshta të jetës demokratike në Shqipëri ka marrë përmasa me të vërtetë shqetësuese. Kaq e thellë dhe e gjërë është kriza e sistemit shqiptar, sa që nuk ka asnjë organ kontrolli ligjëshmërie që të ushtrojë të drejtën e tij mbi “të zgjedhurit e popullit”, për t’u kujtuar atyre se vota që kanë marrë nuk është leje për të livadhisur lart e poshtë, simbas qejfit, por zotim tërësor për t’i shërbyer në çdo çast interesve kombëtare në çdo rrethanë e pavarësisht nga çdo lloj pakënaqësie që mund t’u lindë. Madje mendoj se duhet miratuar një ligj i veçantë, që t’i detyrojë deputetët apo të zgjedhurit në çfarëdo instancë të pushtetit, të sigurojnë praninë e tyre gjithmonë në forumet në të cilët marrin pjesë, me përjashtim të rasteve të detyrave shtetërore, të rasteve të jashtzakonëshme apo shëndetësore. Në të kundërt e në raste të përsëritura, ata duhet të përjashtohen nga pjesëmarrja në jetën politike, të mos kenë të drejtë kandidimi e të vazhdojnë jetën e qytetarëve të thjeshtë, të ndërgjegjësuar se besimi i marrë nga populli nuk duhet të shpërdorohet simbas dëshirës, se detyra e përfaqësuesit të popullit nuk është një privilegj i këndshëm, por një barrë e rëndë, një zotim i patjetërsueshëm. 

Kjo metodë u bë e njohur historikisht n’Itali në vitin 1924, mbas vrasjes së deputetit socialist Matteotti nga fashistët, por mbeti në histori si një dukuri që nuk solli asnjë dobi, veç dobësimit të Opozitës demokratike kundër fashiste. Zbatimi tek neve në vitet kur PS mëtonte hapjen e kutive të votimit, u pasua nga dukuri të mëvonëshme, gjithmonë të Opozitave të secilës ngjyrë, duke arritur majën me vitin 2019, në të cilën Opozita PD – LSI, së bashku me parti të tjera të spektrit të djathtë, vendosën njëzëri daljen jashtë sistemit e protestat popullore në rrugët e Tiranës për muaj me rradhë. Rezultati i këtyre vendimeve qe një prishje e plotë barazpeshash institucionale në dobi të PS e kryeministrit Rama, që nuk u tund nga “istikami”, por në mungesë kundërshtarësh institucionalë që ishin kthyer në qytetarë të thjeshtë, pa asnjë farë peshe ligjore, mori në dorë të gjitha levat e shtetit. Marrëzia e asaj politike çoroditi edhe kryetarin e shtetit e i dha mundësi shumicës në pushtet të merrte gjithë pushtetin lokal, mbasi u braktisën zgjedhjet në afatin kushtetues. Madje pati edhe përpjekje qesharake të presidentit për të caktuar datë tjetër e cila kaloi si një ditë e zakonshme kalendarike.

Ndërkaq kryeministri dhe partia e tij, që u paditën hapur madje nga një e përditëshme e njohur e shtypit gjerman për tjetërsimin e përfundimit të votimeve kuvendore të vitit 2017 e për ato vendore në Dibër, duke vazhduar ecjen drejt demokraturës, njohën si të ligjshëm një votim kombëtar për autoritetet vendore, në të cilin votuan zyrtarisht vetëm 18 % e votuesve!!! Nuk besoj të ketë asnjë sistem në botë që të arrijë në të tilla pozita qesharake e poshtëruese si ato në të cilat është zhytur Shqipëria e viteve 2019 – 2020. Rastësia e sjell që, pikërisht në këtë periudhë, Vendi i ynë të ketë kryesinë e rradhës të Organizatës për sigurinë e bashkëpunimin n’Evropë (OSBE). Si e tillë atij i takoi të jetë në vijën e parë si përfaqësues i vullnetit botëror në zgjidhjen e një problemi të ndërlikuar, si ai i tjetërsimit të përfundimit të votimeve presidenciale në Bjellorusi.

Nuk e marr me mënd se me çfarë autoriteti kryeministri i ynë mund të ndërpretojë vullnetin evropian e botëror për respektimin e të drejtave e lirive të bjellorusëve kur në Vendin e tij pranohet nga të gjitjë se votat vidhen sa herë që votohet e që ato quhen të vlefshme edhe atëherë kur më shumë se 80 % e zgjedhësve nuk paraqiten fare para kutive të votimit. Sigurisht përgjegjësia kryesore bie mbi Opozitën që vendosi të bojkotojë zgjedhjet, që në pjesën dërmuese të tyre u zhvilluan me vetëm një kandidat, kthim klasik në të shkuarën enveriste kur ekzistonin vetëm kandidatët e frontit demokratik, kësaj rradhe të partisë socialiste. Por një klasë politike serioze duhet të dijë të shmangë paçavure të tilla e të gjejë rrugën e pranueshme për të nderuar pritmëritë kushtetuese. Fatkeqësisht termi “serioz”është fshirë nga fjalori i botës së sotme politike shqiptare e ky është një nga treguesit më shqetësues me të cilin ballafaqohemi si shoqëri.

Më 5 qershor 2020, mbas më shumë se dy vjet rrahjeje uji në havan nga përfaqësuesit e pushtetit që, jo rastësisht, ka zgjedhur për kryetar një të përfolur të vjedhjeve zgjedhore e atyre të Opozitës “rrugore”e “sheshore” e një parlamentareje me një mbiemër të kumbueshëm në historinë e kronikën e viteve të para pas komuniste, të gjithë të caktuar, edhe me bekimin SHBA – BE, të sillnin “normalitetin” në jetën shqiptare nëpërmjet reformës zgjedhore, u shënua një risi, një marrëveshje e tryezës politike. Por, si vërtetim i mungesës së seriozitetit, që theksova më sipër, kjo marrëveshje u desh të nënëshkruhej në ndërtesën e ambasadës amerikane, mbas disa orësh përpjekjesh të ambasadores për të gjetur një ujdi. 

Shtator 2020                                     

*  VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(2)

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË

September 12, 2020 by dgreca

-(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY-

NGA EUGJEN MERLIKA-

            Para disa ditësh ribotova një shkrim timin të vitit 2004, pra plot gjashtëmbëdhjetë vite më parë. Shkrimi përimtonte një fjalë të Ramiz Alisë, të mbajtur në byronë politike të komitetit qëndror të P.P.Sh., në tetor 1989.

            Dua të saktësoj se, në lidhje me atë fjalë, pavarësisht përhapjes së gjërë në rrjetet sociale, ka patur mendime të ndryshme nga politika shqiptare mbas komuniste, se ajo nuk ishte e vërtetë, ishte e paqënë, se ajo nuk ishte mbajtur kurrë, por ishte një trillim i dikujt në portalet e internetit. Nuk di se sa i saktë është ky argument, por vetë fakti që atëherë nuk pati një qëndrim të përcaktuar zyrtarisht nga PS, pasardhësja e partisë së cilës i përkiste ai dokument, të shtyn të besohet se tema në vetvete parapëlqehet të lihet në heshtje, mbasi rrjedhojat e sendërtimit të saj hamendësojnë një sërë përgjegjësish, të shumta e të ndryshme, të cilat askush nuk është i gatshëm t’i marrë përsipër haptas e pa rezerva.

            Pavarësisht qëndrimit pilatesk të politikës në përgjithësi, mbasi periudha e marrë në shqyrtim nuk e shmang asnjërin nga krahët politikë prej përgjegjësisë, duke i marrë për të mirëqëna zërat mohuese të dukurisë, vazhdoj të mendoj se ajo temë meriton vëmëndjen e duhur, mbasi ka të bëjë jo vetëm me vitin 2004, por edhe me vitet pasardhëse e, ca më shumë, me vitet që kemi përpara.  

            “Nëse nuk është e vërtetë është e shpikur mirë” thotë një fjalë e urtë italiane. Besoj se zbatim më të saktë se në këtë rast, kjo fjalë e urtë nuk ka gjetur asnjëherë. Kjo për faktin se ngjajshmëria ndërmjet pohimeve të fjalimit dhe zhvillimit të ngjarjeve në pesëmbëdhjetë vitet e para të kalesës, i shëmbëllen një filmimi besnik të  së vërtetës. Arsyetimi i mëtejshëm mbi shtjellimin e bisedës duhet të niset pikërisht nga ky fakt.

            Si paraqitet Shqipëria mbas gjashtëmbëdhejë vitesh të kalimit të kohës? Mashtrimi i madh është fuqizuar, është kthyer në edukatë, ka krijuar një trajtë të qëndrueshme në padrejtësinë e tij, duke u kthyer në një sistem që dikush, vite më parë, e pagëzoi me emrin “demokraturë”. Ndoshta, në grumullsinë e saj, i ka tejkaluar edhe parashikimet më ndjellamira të frymëzuesit e konceptuesit të saj që, me gjithë sigurinë e shtjelluar në fjalim, besoj se ka patur dhe ai ndonjë dyshim në vetevete mbi mundësinë e sendërtimit të paradigmës së re në gjirin e NATO-s e të BE.

            Cili ishte tipari i saj kryesor, në vazhdimësi me të shkuarën i projektuar më 1989, në një çast historik kur u kuptua se enverizmi pa Enverin nuk mund të zgjatej në përjetësi? Përpjekja për të rifituar pushtetin politik, të braktisur më 1992, si pasojë e nevojës për të lënë të “qetësoheshin gjakrat” e pakënaqësisë së përgjithëshme të shkaktuar nga mjerimi shëmbullor në të cilin e kishte çuar Vendin e popullsinë enverizmi e vazhduesi i tij, ramizizmi. Ngitja në skenën e pushtetit të PD ishte “gjethja e fikut”, për të mbuluar travajën e pashmangëshme të ripërtëritjes së komunistëve, që ndërruan emrin për t’u futur në rradhët e Ndërkombëtares socialiste, duke fituar një farë ligjësimi në Evropën pas komuniste, në të cilën ishin tashmë tepër të vonuar.

            Duke i lënë në dorë partisë demokratike, në gjirin e së cilës kishin hyrë mjaft elementë të rinj e jo të gjithë me prejardhje nga regjimi, një Vend në pikën më t’ulët të rrënimit të tij e të shoqërisë, komunistët mendonin të kalonin purgatorin e tyre, pa njohur ata vetë mundimet e ferrit, të cilin e kishin krijuar e mbajtur më këmbë për gati gjysmë qindvjeti. Kështu ata pranuan “ndëshkimet e vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste”, të cilat i shumfishuan në propagandën e tyre, sidomos për të huajtë, nëpërmjet intervistave ku dilnin si flamurtarë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të parimeve të demokracisë perëndimore edhe se për gjysëm shekulli e kishin quajtur atë, “imperialiste”, “fashiste”, “shtypëse të të drejtave të puntorëve” etj, etj.

            Më kujtohet një e tillë e zonjës së parë të regjimit, Nexhmije Xhuglini – Hoxha, me një gazetar italian, Riccardo Orizio, të së përjavëshmes  “Panorama”, në të cilën ajo shprehej: “Oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet”. Edhe sot ka mjaft shqiptarë, që shkruajnë në internet, në këtë fushë prrallore të zhvillimit shkencor, në të cilën, si asnjëherë në historinë e njerëzimit, marrëzia njerëzore, në të gjitha format e saj, ka gjetur të drejtë qytetarie, se ata janë të një mendimi me opinionin e gruas së Enver Hoxhës. Çuditërisht, kjo lloj propagande gjente idhtarë në organet e të majtave prokomuniste t’Evropës, që përpiqeshin të ushtronin ndikim në “zbutjen”e masave kundër komuniste të Qeverisë Meksi, sado të vogla ishin ato. 

            Megjithë vullnetin e mirë të të parit kryeministër të shtetit demokratik, Shqipëria, me një mijë probleme, nuk i lejonte asaj qeverie mundësi bindëse për rimëkëmbjen e shpejtë të Vendit. Mungesa e përvojës qeverisëse, në ballafaqimin me vështirësitë tejet të mëdha, sillte edhe gabime në rrugën e saj. Një nga këta gabime, ndoshta më dëmprurësi për fatet e Vendit e të vetë qeverisë, qe lejimi  i piramidave financiare, që e vunë Shqipërinë në qëndër të vëmëndjes së FMN e çoroditën plotësisht popullin që u përkund për disa vite, në mashtrime tepër të rrezikëshme, si ai i parave që trefishoheshin brënda tre muajve, mjaft që t’i dorëzoheshin Sudes apo ndonjë kolegu të saj, duke siguruar kështu një jetë të qetë e pa asnjë farë mundimi. Ai gabim doli  kobzi edhe për qeverisjen demokratike. Socialistët, që kishin fuqizuar bazën e tyre, nëpërmjet pasurimit të saj, duke u nisur nga shtënia në dorë e pothuaj gjithë pasurisë shtetërore nëpërmjet privatizimeve krejtësisht të favorshme për ta, shfrytëzuan me shumë mjeshtëri pakënaqësinë popullore për humbjet e parave në firmat rentiere, mbas dështimit e mbylljes së tyre. Ata sabotuan planin e kryeministrit për t’u kthyer qytetarëve një pjesë të mirë të kapitalit që kishin humbur, por organizuan kryengritjen e kallashnikovëve, duke e kthyer Vendin vite mbrapa e duke vënë në lojë vetë besueshmërinë në aftësinë shtetformuese të vetë shqiptarëve.

            Më parë ata kishin goditur fort institucionin e zgjedhjeve kuvendore, duke u tërhequr nga pjesëmarrja pikërisht në ditën e caktuar e duke hapur shtegun ogurzi të shpërdorimeve të proçeseve zgjedhore, dukuri e shfaqur mjaftueshëm në të gjithë votimet e mëvonëshme. Strategjia rrënuese e socialistëve dha frutet e saj në hapjet e depove t’armëve, në ndarjen e Vendit në dy pjesë, në shkatërrimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Kjo gjëndje shkatërruese çoi në një shqeverim të plotë, të pasuar nga rreth 20 mijë të vrarë e qindra mijë të shpërngulurish nga Shqipëria. Mbas “qetësimit” disi t’atmosferës, si pasojë e ndërhyrjes së Evropës e misionit të saj të kryesuar nga kryeministrat e Italisë dhe Austrisë, jo rastësisht qeveritarët e Vendeve që mbështetën më 1912 pavarësinë shqiptare, socialistët e kryesuar nga Fatos Nano, kanakari i Nexhmije Hoxhës në institutin e studimeve marksiste – leniniste, dolën para shqiptarëve me premtimin e bujshëm të kthimit të gjithë parave të investuara tek Vefa, firma m’e madhe e më e organizuar rentiere në Shqipëri. Shqiptarët, të dëshpëruar nga humbjet e pësuara, jo rrallë të gjithë pasurisë që zotëronin, mbasi kryetari i shtetit të tyre i siguronte se “paratë e tyre ishin më të sigurtat në botë”, ndërsa po dilnin më të pasigurtat në dorë të gjithfarë batakçinjsh që livadhisnin pa asnjë farë freri, i besuan premtimit dhe i sollën premtuesit në pushtet në verën e vitit 1997.

            Qe fitorja më amorale e të gjithë kalesës shqiptare mbas komuniste, mbasi u bazua mbi një premtim të pambajtur, aq shumë të trumbetuar gjatë fushatës zgjedhore. Jo vetëm paratë nuk u kthyen, por askush nuk e mori vesh se ku përfunduan megjithëse ishin të bllokuara, e nuk ishin pak, por më shumë se një miliard dollarë. Me gjasë ato përfunduan në xhepat e fituesve të zgjedhjeve e bashkëpuntorëve të tyre, u grabitën paturpësisht në dritë të diellit, siç ishin përvehtësuar paratë e të tjerë shqiptarëve, gjysëm shekulli më parë, nga dhuna e parardhësve të tyre, të tjerëve fitues të luftës së dytë botërore. Qarkullonin atëherë zëra se kryeministri Nano  harxhonte edhe 200 mijë dollarë në një seancë bixhozi në kazinotë e Evropës… nuk dij sa është e vërtetë.

            Që këtu filloi revani drejt “demokraturës”, që erdhi gjithënjë e më shumë duke u përsosur në formë dhe përmbajtje. U ballafaqua në vitet e para me ndasitë e kundërshtitë brënda species, mbasi kundërshtari kishte pësuar një gotije të fortë e ishte ende i trumhasur. Doli në skenë një brez i ri politikanësh socialistë, që u përpoqën të nxjerrin në pension etërit e tyre, n’emër rë “ripërtëritjes” së partisë e “vlerave demokratike”. Ishin thjesht karieristë që mendonin se kishte ardhur koha të fitonin skenën duke nxjerrë anash Nanon e bashkëpuntorët e tij. Meta, Rama, Majko ishin emrat më në dukje të kësaj vale të re ndryshime emrash në kupolën e re të PS. Barazpeshat e reja brënda klanit i vunë në provë në pozita të ndryshme duke filluar nga ministri të rëndësishme e duke përfunduar si kryetarë qeverie, pa treguar asnjë farë merite të veçantë veç aftësisë për të luajtur rreptë në fushën e lojës nëpërmjet intrigash e mjetesh të tjera të ngjitjes politike. 

            Socialistët, mbas tre ndërrimesh kryeministrash, në vitet 2001 – 2005, si pasojë e prirjes së Ilir Metës për të patur një rol vendimtar në barazpeshat e politikës shqiptare, humbën zgjedhjet e vitit 2005, duke u vënë përsëri në udhën e “kapërcimit të shkretëtirës”. Ajo qe një odise e gjatë që u përshkua nga partia për të ardhur përsëri në pushtet, por që u desh të bëjë llogaritë gjithënjë me Ilir Metën që mbeti për më shumë se njëzet vite njëri ndër personazhet më të përfolur, por edhe më të fuqishmit e demokraturës.

                Shtator 2020 -VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Demokratura, diktatura, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT