• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MËSIM NGA BRIGJET E BOSFORIT

June 16, 2013 by dgreca

“ Në sheshet e në rrugët kryhet një provim pjekurie për qeverinë turke që duhet të  vërtetojë se mbron opinionet e të gjithë përbërësve të shoqërisë.”-  EMA BONINO (Ministre e jashtëme e Italisë)/

Shkruan: Eugjen Merlika/ Itali/

Parku Gezi, me 600 drunjtë dhe florën e tij, përbën “mushkërinë e gjelbër” të një qyteti të madh, të lashtë e bashkëkohor, me një histori mijra vjeçare e famën e njërit ndër qytetet më të bukura të Mesdheut, Stambollit.

Dhjetë vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i vrullshëm i Turqisë, që renditet sot në rradhët e para të shteteve të zhvilluara, me tregues ekonomikë e financiarë për t’u patur zili, në një kohë kur Evropa dhe Amerika lëkunden mes krizash të pazakonta, e kanë kthyer edhe Stambollin në kantiere të fuqishme ndërtimi. Ky bum ndërtimesh, në të cilin ndërthuren interesa nga më të ndryshmet, dha një vendim ekzekutimi edhe për parkun Gezi, sepse në vendin e tij duhej të ndërtohej një mbitreg i madh dhe një xhami, në një metropol në të cilin në vitin 2007 ishin aktive 2944 të tilla. Por organizatat e ndryshme (rreth tetëdhjetë) mjedisore e të tjera, kur panë se filluan të priten drujtë e të vetmit park të madh të qytetit të tyre, u muarën vesh me njëra tjetrën për të kundërshtuar këtë vendim të shtetit. Më 31 maj qytetarët, kryesisht të rinj, mbushën sheshin Taksim, për t’i bërë të ditur autoriteteve se, për qytetarët e Stambollit, parku Gezi është i paprekshëm, i padhunueshëm, është oazi i çlodhjes dhe freskisë, prodhuesi i oksigjenit aq i domosdoshëm për milionat që jetojnë në atë qytet.

Manifestimi nuk u prit mirë nga Qeveria turke dhe Kryetari i saj, Rexhep Tajip Erdogan. Nuk u kërkua një ballafaqim i qetë argumentash me përfaqësuesit e protestuesve, nuk u mbajt parasysh fakti se ajo protestë ishte nisur nga një nevojë jetike e qytetarëve, nga mbrojtja e mjedisit që sot është kthyer edhe për papërgjegjshmërinë e shumë administratave në botë, në një nga problemet më të mprehta të shoqërisë njerëzore. Qeveria zgjodhi rrugën e përballtjes, të shpërndarjes me forcë të demostruesve e vuri në dispozicion të këtij projekti repartet e policisë, të pajisura me mjetet më të ndryshme, që nga shkopinjtë e gomës,tek pompat e ujit dhe bombat me gaz lotsjellës.

Përfundimet e përleshjeve gjatë disa ditëve qenë mbi 500 të plagosur, katër të vdekur, qindra të arrestuar, një tabllo që e vuri në një dritë të keqe imazhin e Turqisë, kryesisht të drejtuesve të saj aktualë, me në krye dorëfortin Erdogan. Sukseset në qeverisje arrijnë të zbehin arsyen, deliri i madhështisë errëson vizionet deri në absurditet që i kthen vartësit në numura, që duhet të zbatojnë pa asnjë lloj diskutimi urdhërat e Kryetarit, sepse vetëm ai di, “i njeh problemet”, i shërben “interesave të atdheut e të popullit”. Kjo mendësi çoi në “tolerancën zero”, në ultimatumet për të zbrazur parkun apo sheshin Taksim, në evokimin e “komploteve të jashtëme”, për të destabilizuar Turqinë, në etiketimin e demostruesve si “terroristë”, në qindra arrestime njerëzish të paarmatosur. Madje kulmi u arrit me arrestimet e 70 avokatëve të të ndaluarvet, jo në sheshet e demostratave por në hapësirat e gjykatave, ku kryenin detyrën e tyre. Besoj se kjo masë nuk ka asnjë rast të ngjajshëm në të gjithë botën perëndimore, përfshirë këtu dhe sistemet e saj autoritare në kohë të ndryshme.

Vëzhguesi i paanshëm pyet me kërshëri : si ka mundësi që një udhëheqës apo një udhëheqje që, në vitet e fundit, kanë patur merita të padiskutueshme në zhvillimin dhe modernizimin e Vendit të tyre, të rrëshqasin mbi një lëkurë bananeje e të arrijnë në një shkelje kaqë të shëmtuar të të drejtave të qytetarëve të tyre ? Spjegimi, veç motiveve vetiake apo kolektive që burojnë nga qëndrimi i gjatë në pushtet, i cili, për vetë natyrën e tij brejtëse, ka prirjen të ndryshojë personalitetin e pushtetarëve, nuk përjashton edhe mundësinë e ndërthurjes së interesave të mëdha financiare që lidhen me persona t’afërt të Kryeministrit. Në këtë vështrim shtypi i huaj flet për interesa të lidhura me emrin e dhëndërrit të tij.

Këto pohime kanë nevojë të vërtetohen, për t’u marrë si argumenta të mirëqëna, por nuk mund të hidhen poshtë a priori. Ndërthurja e interesave të pushteteve me ekonomitë, në Vende ku sistemet e kontrollit e të kundërpeshave lënë për të dëshëruar, krijojnë një lëmsh që i ngjet një mine lëvizëse, e cila mund të shpërthejë, me pasoja herë herë shkatërrimtare, nga një çast në tjetrin.

Politologu i njohur italian Sergio Romano i ve në të njëjtin plan Kryeministrin turk dhe Presidentin e Rusisë, duke analizuar pikat e kontaktit që bashkojnë përvojat e tyre në drejtimin e shteteve :

“Parabola e Putinit është shumë e ngjajshme me atë të udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan. Kanë patur gjithmonë një stil autoritar, por familjariteti i gjatë me pushtetin i ka bërë të dy përbuzës dhe të padurueshëm ndaj çdo pengese që shfaqet në rrugën e tyre. Të dy janë të bindur se identiteti kombëtar është dhe identitet fetar dhe Putin po shlirohet nga kundështia liberal – demokrate në të njëjtën mënyrë, me të cilën Erdogani ka shkrehur ledhin laik të shtetit të themeluar nga Qemal Ataturku.”

Mbas disa ditësh përleshjesh e dhune nga ana e policisë, mbasi Kryeministri lëshoi mbi turmat e demostruesve “rrufetë e Zeusit”, duke marrë mbi vete kërkesat për dorëheqje të Opozitës dhe qortimet, jo shumë miqësore të aleatëve të jashtëm amerikanë, evropianë, apo të organizmave ndërkombëtare, një ndryshim i menjëhershëm solli një sqarim që premton mjaft në brigjet e Bosforit. Qeveria pezulloi prerjen e pemëve në parkun Gezi dhe premtoi se do t’i a kalonte çështjen vendimit të një gjykate dhe më pas një referendumi në ish kryeqytetin e perandorive Bizantine e Otomane.

Shpresojmë që kjo të jetë një zgjidhje e drejtë e një problemi që, për logjikën normale, nuk duhej as të ekzistonte. E them këtë mbasi një vendim si ai për parkun Gezi fyen dhe arsyen më të thjeshtë, sepse në një demokraci të arrirë nuk mund e nuk duhet të merret pa një miratim paraprak të popullsisë, mbasi është i lidhur drejtpërdrejt me jetën e saj, me shëndetin, me mënyrën e jetesës, me të shkuarën dhe t’ardhmen e saj. Në këtë kontekst dhe n’atë të marrëdhënieve të mira me republikën e Turqisë, duam të shohim n’atë Vend përfytyresën e një shoqërie e të një shteti në të cilët të jenë të siguruara e të respektuara të gjitha vlerat e demokracive të përparuara.

Përvoja e këtyre ditëve plot trazira në Anadollin e largët na sjell dy mësime të rëndësishme, që mendoj se duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe t’ardhmen tonë. I pari i përket klasës politike, që duhet të dijë të ruajë jo vetëm barazpeshat e saj e të pushtetit, por dhe respektimin e parimeve themelore të demokracisë, ndër të cilët më kryesori është vullneti i lirë i shoqërisë civile. Në këtë drejtim duhet shmangur pushtetomania me çdo kusht e dehja prej saj, shpërdorimi i pushtetit në dobi të interesave vetiake, të kastave, të tarafeve, të klientelave, të partive, duke mbjellur e kultivuar korrupsionin. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të jetë në gjendje të plotësojë imazhin e saj të domosdoshëm për të sendërtuar projektin e saj historik, atë të bashkimit me Evropën.

Mësimi i dytë i drejtohet qytetarëve shqiptarë, që duhet të ndërgjegjësohen t’a shohin pushtetin me sy kritik e jo të hipnotizuar, sepse kur ai bëhet autokrat e merr vendime në kundërshtim me të drejtat e tyre të ligjëshme e të natyrshme, duhet të kenë guximin t’i mbrojnë ato të drejta, duke paguar edhe çmimin e nevojshëm. Qëndrimi kritik ndaj pushtetit, i çfarëdo ngjyre qoftë, mospajtimi me degjenerimin e tij të çfarëdo forme, është kura më e mirë parandaluese e sëmundjes së tij të mundëshme. Ai qëndrim na jep neve atë dinjitet e prestigj që, së bashku me dëshirën dhe mundin tonë për të shkuar në rrugën e zhvillimit, do të ishin kartat tona të kreditit në bashkimin me kontinentin.

Itali, Qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: e Bosforit, Eugjen Merlika, mesim nga brigjet, Taip Erdogan

KUJTIMIT TË NJË “LULEJE”- Manjola Mirakaj qe u nda nga jeta me 31 maj 2013

June 1, 2013 by dgreca

“Doje dritë o  qiell, more dritën time

Dhe m’a mbushe jetën plot me hidhërime”/

Nga Eugjen Merlika/

Këta vargje na vijnë ndërmënd instiktivisht, kur përballohemi me humbje të mëdha njerëzore, në rrafshin vetiak, kur ndahemi nga njerëzit e zemrës, me të cilët na bashkon lidhja e gjakut, familja, por edhe miqësia, shoqëria. Përdora shprehjen “humbjet e mëdha”, ndoshta jo shumë të motivuar, sepse largimet nga kjo jetë, edhe pse përbëjnë dukuritë më të zakonshme e më të sigurta të vetë qënies njerëzore, i përjetojmë gjithmonë me dhimbje e trishtim. Por edhe vetë vdekjet, në tërësinë e tyre të pashmangëshme si dukurí, kanë ndarjet e dallimet e tyre. Në këtë vështrim, ato mund të jenë më shumë apo më pak të dhimbëshme, goditëse, traumatike, me pasoja. Dhimbja që shkakton vdekja e një njeriu në moshë të madhe, mbas një jete të kaluar në caqet e natyrshme të një ekzistence të qetë, nuk mund të jetë e barabartë me atë të një tjetre që vjen aksidentalisht apo si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme që ndajnë nga gjiri i familjes njerëz në dhjetëvjeçarët e parë të jetës. Është kjo logjika parake e një dukurie, bashkëshoqëruese e parë e historisë së njerëzimit.

Ky arsyetim më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetë të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.

Si të gjithë shoqet e shokët e saj, fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj.

Por fëminia e atyre fëmijëve ishte një kalvar i gjatë dhimbjesh e mundimi, që duhet të rëndojë jo vetëm mbi ndërgjegjet e krimbura të atyre që ndërtuan “socializmin” në Shqipëri. Ata fëmijë u privuan nga gjithshka që sillte gaz në fytyrat e tyre të njoma, që nga lodrat e deri tek studimet. Në moshën dhjetëvjeçare Manjolës i mungoi babai, që duhej të plotësonte numurin e skllevërve të dënuar për të nxjerrë mineral në minierën e Spaçit e jeta i ktheu faqen e saj t’errët, të dhunës, të padrejtësisë, të krimit. Është një krim, madje tepër i shëmtuar, të shkëputet me forcë nga krahët e një fëmije babai i pafajshëm, edhe mbas 35 vjetësh të mbarimit të luftës së dytë botërore, në emër të “luftës së klasave”. Për këtë krim, në gjithë Evropën, ishin t’aftë vetëm komunistët shqiptarë. Çfarë lavdie!

Sot Manjola ka pushuar së luftuari…. Një jetë lufte, me guximin e një heroine, vajza e Gradishtit e kishte filluar që fëmijë e fati desh t’a vazhdonte dhe atje, në botën e ëndrrave, në New Yorkun e demokracisë së madhe. Këtu si fëmijë, e rritur me ushqimet e racionuara, mbi të cilat duhej të kursente për t’i a çuar babit në burg, i duhej të luftonte me padrejtësinë, me të cilën ballafaqohej çdo ditë, duke ndjerë mbi krye ndonjë dorë përkëdhelëse të njerëzve të familjes e duke ëndërruar kthimin e babit në shtëpi, ashtu sikurse shumë shoqe e shokë të saj, të cilëve “shteti i proletarëve” u vrau fëmijërinë me burgosjen e baballarëve. Kur babai u kthye në shtëpi, Manjola qe një adoleshente plot hir që fillonte t’ëndërronte në vetvete një tjetër jetë nga ajo e barakave të Gradishtit.

E kërkoi atë jetë, së bashku me familjen, jashtë Atdheut, që për ta qe njëjtësuar me baltërat e Myzeqesë e me fytyrat e policëve. Familja shkoi në Itali e, më pas, n’Amerikë. Filloi nga zeroja, si mijra familje shqiptare, rrugën e saj, por lirija i dha flatra Manjolës që studjoi, punoi, arriti një mirëqënie e krijoi një familje. Krijoi një familje, në bazë të së cilës ishte jo thjesht dashuria, por adhurimi i ndërsjelltë, me një bashkëshort bashkatdhetar, por që fatmirësisht nuk kishte patur një fëmini “ të djegur”. Nga kjo dashuri lindën Ana dhe Ema, dy engjëllushe që i dhanë jetës një kuptim të ri.

Atëherë kur jeta dukej se kishte hyrë në hullinë e saj të normalitetit, madje të mirëqënies në një shoqëri të lirë, “sëmundja e shekullit” do të trokiste në derën e dy motrave. Ndoshta eterniti, që mbulonte barakat e fëminisë së tyre, shtrinte dorën e tij të  zezë edhe atje larg, në New Yorkun e Statujës së Lirisë. Filloi një tjetër betejë, këtë herë jo me shtetin kriminal, por me sëmundjen kriminale. Shtatë vjet betejash me përbindëshin modern të padukshëm, ku vullneti për t’a mposhtur atë nuk u mpak deri në çastin e fundit, treguan brumin prej të cilit ishte formuar Manjola. Shtatë vjet luftë me sëmundjen, për të dalë fituese, që vajzat të rriteshin e “të mbanin mënd fytyrën e nënës”, kur ajo një ditë do të fluturonte në qiell.

Kjo ide, sa e madhërishme në vetvete aqë dhe prekëse në madhështinë e saj, u bë lejtmotivi i betejës së saj të jashtzakonëshme për jetën. Për fat të keq, jo të gjitha betejat për jetën njerëzore fitohen, pra të gjithë duhet të jemi të pregatitur edhe për humbjen. Por edhe humbja ka pjesën e saj të fitores dhe është mënyra si humbet. Manjola nuk qe një humbëse, në luftën e saj të pabarabartë me të keqen. Ajo nuk u ligështua, nuk hoqi dorë nga ëndrrat, nga projektet për jetën, e sfidoi vdekjen deri në çastin kur qelizat e trupit nuk riprodhoheshin më, fitoi moralisht mbi të. Në këtë betejë të gjatë ajo pati gjithmonë pranë familjen e saj, bashkëshortin, fëmijët, prindërit, familjet e vëllait e të motrës, kushërinjtë e njerëzit e afërm. Ajo pati në anën e saj lutjet e shumë njerëzve, bashkudhëtarë të rrugës së mundimeve të së shkuarës, shokë, miq të familjes, që i dhanë kurajo e forcë në këta shtatë vite të gjata lufte me të keqen. Pati edhe fjalën e fundit të shkencës, sa i përket ndërhyrjeve kirurgjikale e mjekimeve, por të gjitha këto nuk mjaftuan për të evituar tragjedinë, sepse e tillë duhet të quhet ndarja nga jeta e një gruaje 44 vjeçe, me një familje të re, me dy vajza të vogla, me një dëshirë të pafund për të jetuar, me…

Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ata që shoqëruan edhe me mendim e shqetësim kudo travajën e Manjolës, është një ditë trishtimi të zi, që na sjell ndërmënd vargjet e mrekullueshme të Çajupit, sepse Manjola me hirin, virtutet, e gjallërinë e portretit të saj, rrezatonte dritë, shpresë e mirësi. Ato do të mbeten të skalitura në kujtesat e atyre që e njohën, që ndanë me të një pjesë të jetës, dhimbjet, luftën, shpresat, lutjet.

Kjo është jeta njerëzore, me misteret e të panjohurat e saj, ku logjika normale nuk arrin të depërtojë, ku e vërteta absolute përmblidhet në një koncept, në dukje të thjeshtë : “Njeriu lind, jeton dhe vdes – kjo është me pak fjalë historia e njerëzimit”.

Duhet të përpiqemi t’a pranojmë të gjithë këtë ligj të botës sonë, edhe atëherë kur vdekja ka një fytyrë përbindëshi si në rastin e Manjolës. Është shumë e vështirë t’u a bëjmë të njohur e të pranishme këtë të vërtetë rrënqethëse dy krijesave të vogla, Anës dhe Emës, që sot përcollën në qiell mamin e tyre. Ndoshta sot ky është misioni i vërtetë i atyre që do të përcjellin në banesën e fundit luftëtaren e pamposhtur …..

Itali, 1 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, Kujtimit te nje lulelje, Manjola Mirakaj

NË KËRKIM TË ESHTRAVE TË BABAIT

May 14, 2013 by dgreca

“Siç e di, me të gjitha forcat e mija, po mundohem të sjell eshtrat e tim’eti në Atdhe”/
“Sa herë që kërkoj shpjegime përgjigjet janë rrëshqitëse dhe pa përfundim.”/
“Deri sa të kem jetë do të vazhdoj t’a kërkoj…. ose do të bëhen gërmimet ose duhet të më thonë se nuk duan të ndërhyjnë, por nuk duhet të tallen me mua.”/
Nga Eugjen Merlika/
Shkëputa këto pak fjalë nga një e-mail, i marrë para disa ditësh nga Aldo Renato Terrusi, autori i romanit “Brenga ime shqiptare”, i botuar vjet edhe në Shqipëri. E pata njohur fizikantin Terrusi në një paraqitje të librit të tij në Asti, të Piemontit, të organizuar nga ANCIFRA, Shoqata e italianëve të riatdhesuar nga Shqipëria.
Drama e tij është prekëse e na kthen mbrapa në kohë, në vitet e para të regjimit komunist në Vendin tonë, që qenë sinonim i terrorit më të egër në të gjitha shfaqjet e tij. Historia e tij është mjaft e njohur për shumë lexues shqiptarë e nuk besoj të jetë nevoja t’a ftilloj me hollësi. Por drama e tij lidhet ngushtë, jo vetëm me tragjedinë e babait në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por dhe me përfytyresën e këtij Vendi sot. Në një farë mënyre ajo është një njësi matëse, një provim që i bëhet institucioneve të shtetit të sotëm shqiptar, të demokracisë apo të “demokraturës”, siç i pëlqen Predrag Matvejeviçit t’i emërojë sistemet paskomuniste ballkanike.
Aldo Renato Terrusi, qytetar italian i lindur në Shqipëri, ka njëzet vjet që përpiqet të gjejë eshtrat e babait të tij, Giuseppe Terrusi, ish drejtor i bankës së Vlorës, i arrestuar e dënuar nga gjykata shqiptare me 10 vjet privim lirije, i vdekur në burgun famëkeq të Burrelit më 1952. Ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve kompetente shqiptare, së fundi, para një muaji deri tek zv.ministri Ristani, kryetari i Task Forcës për gjetjen e eshtrave të viktimave të terrorit komunist. Përgjigjet e këtyre institucioneve, në njëzet vitet e kërkimeve, pra të qeverive blu apo rozë, mund të kuptohen qartë në frazat e e-mail-it të mësipërm.
Është bërë proverbiale ngadalësia e institucioneve të Shqipërisë pas komuniste për të njohur dhe kthyer detyrimet ndaj qytetarëve, sidomos t’atyre që janë përndjekur nga regjimi i mëparshëm. Kështu ndodhi me pasuritë e paluajtëshme si pronat, truajet apo shtëpitë e shtetëzuara, me dëmshpërblimet e punës së papaguar të mijra njerëzve të dënuar për motive politike në gjysëm shekullin e diktaturës, me inkuadrimin tepër të vështirë në institucionet shtetërore apo në jetën politike të bijve të ish të përndjekurve, edhe se të diplomuar jashtë shtetit, etj. etj. Shpjegimi i këtyre dukurive nuk është i vështirë të kuptohet : me përjashtime të rralla, klasa politike shqiptare, në thellësi të saj, ruan një ndjenjë armiqësie ndaj kundërshtarëve të komunizmit. Për pasojë, edhe problemet e tyre janë gjithmonë objekt konsumi demagogjik, por asnjëherë nuk ka një prirje të sinqertë për t’u vënë në rrugën e zgjidhjes. Por nëse e gjithë kjo mund të gjejë shpjegim në frazën e famshme të romakëve Vae victis (Mjerë të mundurit), ende sot aktuale në Shqipërinë “evropiane” të shekullit 21, rasti i një qytetari të huaj që, prej 20 vitesh, kërkon pa asnjë rezultat, jo pasuri të rrëmbyera dhe as dëmshpërblim për humbjen e babait dhe traumën psikologjike të rritjes si jetim, por thjesht vetëm eshtrat e atij babai, është një akt që , besoj, bën të skuqet nga turpi çdo shqiptar të ndershëm.
Para gjysëm shekulli qeveria shqiptare i dha mundësi gjeneralit italian të kërkonte e të mblidhte eshtrat e oficerëve dhe ushtarëve italianë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore, edhe se ishin eshtrat e një ushtrie pushtuese. Po ashtu, në vitet e fundit, Greqia ka mundur të kërkojë eshtrat e ushtarëve grekë të mbetur në tokën tonë, dhe ato të një ushtrie pushtuese. Në të dyja rastet Shteti shqiptar ka vepruar drejt e në përputhje me normat ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim nuk ka asnjë justifikim qëndrimi mospërfillës kundrejt qytetarit italian Terrusi. Ai qëndrim bie ndesh me traditën e lashtë të mikpritjes shqiptare, simbas së cilës miku, edhe kur ka qënë hasëm, është vënë në krye të vatrës. Edhe shkrimtari italian është një mik i nderuar, jo vetëm sepse ka lindur në Vendin tonë e ushqen për shqiptarët ndjenjat më të mira, por edhe e, mbi të gjitha, sepse Shteti shqiptar i është borxhli për jetën e babait të tij. Ky i fundit qe një viktimë e pafajshme e një intrige t’ulët, t’orkestruar nga Enver Hoxha, për “të marrë hak” ndaj mospranimit të dashurisë së tij nga një vajzë 16-vjeçare italiane, që u bë më vonë bashkëshorte e viktimës.
Është i pakonceptueshëm cinizmi i autoriteteve të ngarkuara me detyrën e posaçme, që sorollasin për njëzet vjet, në kundërshtim me të gjitha ligjet e shkruara e të pashkruara të bashkëjetesës së qytetëruar, një njeri, për më tepër të huaj, që kërkon të çojë në Atdhe eshtrat e babait të tij, të vdekur në burgun e Burrelit, i dënuar pa asnjë faj. Nuk është i pranueshëm asnjë argument justifikues si mungesat e dokumentave, e njoftimeve për vendin e varrit, e fondeve, apo çdo lloj tjetër që burokracia mund të sjellë si një gjethe fiku për të mbuluar këtë skandal të turpshëm. Shpjegimi i vetëm është mungesa e vullnetit dhe e qëllimit për të nxjerrë nga burgu i përjetshëm, nga toka e kuqe e Burrelit ato eshtra, duke varrosur edhe kujtimin sot në një indiferentizëm vrasës.
Nuk duhet të kishte asnjë pengesë për të gërmuar në pak qindra m² tokë të ish oborrit të burgut të Burrelit, që duket se ka qenë varreza e fshehtë e shifrave të larta të të vdekurve, brënda atyre mureve. Do të ishte dashur të gërmohej me shumë kujdes për t’i nxjerrë ato eshtra sa më saktësisht, sikur të ishin një pasuri e vyer arkeologjike, për t’i sistemuar e, në bazë të ADN-së për të gjetur emrat e për t’u a dorëzuar familjeve. Kjo vlen për Terrusin, ashtu sikurse për qindra të tjerë, viktima të shkëlqyera t’atij burgu famëkeq, ndër të cilët dua të veçoj Ministrin e Arsimit të Shqipërisë etnike, profesorin e nderuar Xhevat Korça, ish Kryeministrin Koço Kota, ish Ministrin e parë të Arsimit të Shqipërisë komuniste, Gjergj Kokoshi, ish Kryetarin e nderuar të Vatrës, Arqile Tasi etj.
Kështu duhej të kishte vepruar një Shqipëri demokratike, e qytetëruar, e dekomunistizuar, e respektuese e traditave shekullore të popullit të saj. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu e pasojat janë jo vetëm “brenga shqiptare” e Aldo Terrusit dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, por edhe përkeqësimi i Imazhit të Vendit, që nuk ka kurajon të shkëputet ende idealisht nga e shkuara e turpëshme e kriminale e tij, së cilës i trashëgon mendësinë duke përsosur metodat e mashtrimit dhe të hipokrizisë.
Një popull që ka nxjerrë nga gjiri i tij një Nënë Terezë e Burra shteti, t’aftë të shpëtojnë qindra jetë hebrenjsh në luftën e dytë botërore, mendoj se nuk e meriton një Imazh të tillë. I takon klasës së tij politike të reflektojë thellë mbi vetveten sepse Shqipëria e sotme nuk është diktatura e Enver Hoxhës, por nuk është as demokracia që ëndërrohej e që, në 23 vjet, duhej të kishte patur fizionominë e saj të qartë. Demokracia, ajo e vërteta nuk matet vetëm me numurin e pallateve, bizneseve, partive politike apo rrugëve të shtruara, por, mbi të gjitha me shërimin e plagëve të pafund të diktaturës në të gjitha fushat, në mendësi e në kulturë, në respektim ligjesh e të drejtash themelore, në dëmshpërblimin e gjithanshëm të viktimave të mbijetuara sikurse në respektimin e sinqertë të kujtimit të atyre që ajo u mori jetën. Në këtë drejtim, besoj se gjetja dhe kthimi i eshtrave familjeve të atyre që nuk patën as një varr të tyre, së bashku me nderimin e duhur, është detyrë e parë e Shtetit, tregues qytetërimi dhe shenjë e prekëshme e vullnetit për të prerë kërthizën që na mban akoma të lidhur me të shkuarën tonë të afërt.
Maj 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Aldo Renato Terrusi, Eugjen Merlika, Ne kerkim te eshtrave te babait

“ PËRTEJ DETIT, ATY KU LIND DIELLI”

May 9, 2013 by dgreca

“Përsiatje rreth romanit “Brenga ime shqiptare” të shkrimtarit italian Aldo Renato Terrusi/
Nga Eugjen Merlika/
Ka periudha në historinë e Njerëzimit, në të cilat fati i individëve gërshetohet në mënyrë të pazgjidhëshme me atë të bashkësive, të popujve, të kombeve. Janë periudha në të cilat ngjarjet dalin jashtë rrjedhës së zakonëshme, duke përmbysur individët që kthehen në numura të thjeshtë e që, gjithënjë e më shumë i ngjajnë gjetheve të verdha të rëna nga pemët, të çuara nga era andej këndej.
Një nga këto periudha gjindet në romanin e shkrimtarit Aldo Renato Terrusi. “Brenga ime shqiptare” nuk mjaftohet me rrëfimin e udhëtimit të një njeriu në kërkim të dashurisë atërore, të humbur pothuajse gjysëm shekulli më parë. Nëpërmjet këtij rrëfimi autori gjen rastin të tregojë historinë e një familjeje që, në një farë mënyre, kthehet në emblemë të një shoqërie e, më gjërë, të një kombi në një farë periudhe të historisë së tij.
Periudha e shqyrtuar është ajo e shekullit të njëzetë, duke u përqëndruar kryesisht në gjysmën e parë të tij. Është ndoshta më e pështjelluara e gjithë historisë evropiane, me dy luftëra botërore dhe dhjetra milionë të vdekur, me shëmbëlltyra shtetesh të shpërbëra e të rikrijuara, sisteme diktatoriale që arrijnë maja dhune e kriminaliteti, nëpërmjet masakrash masive, kampesh çfarosjeje e gulagë të përjetshëm, liri vetiake të ndaluara, jetë njerëzore të përlara pa mëshirë. Skena e ngjarjeve është gadishulli ballkanik, “fuçia e barutit e Evropës” e veçanërisht Shqipëria. Në këtë kuadër shtjellohet historia e familjes Poselli, që i ngjet asaj të shumë familjeve italiane të cilat, në Italinë e fundit të viteve 800 e fillim vitesh 900, mërguan në kërkim të fatit jashtë, në Vende të zhvilluara ose jo, por gjithkund të shpërblyer me sistemime të lakmueshme, mirëkuptim e respekt, në sajë të zgjuarsisë, vullnetit dhe seriozitetit në punë.
Mbas disa përvojash në Egjypt, Turqi e Greqi Posellët ngulen në Shqipëri dhe ky Vend, që do të jetë vëndlindja e autorit, në të mirë e në të keqe, do të bëhet bartës i fateve të tyre. Këtu lind dashuria ndërmjet Aurelia Poselli-t dhe Giuseppe Terrusi-t, këtu trupëzohet ëndrra e familjes. Në këtë Vend daja Giaccomo do të bëhet i njohur, në sajë të pjesëmarrjes në skuadrën kombëtare të futbollit si portier. Autori, në rrëfimin e tij, na përshkruan tri Shqipëri, që janë i njëjti Vend, por në tri faza të ndryshme të historisë së saj. E para është ajo e Mbretit Zog dhe luftës së dytë botërore, e dyta ajo e regjimit komunist dhe e treta ajo e sotmja pas komuniste. E para është Shqipëria normale, një Vend i prapambetur që, prej pak dhjetëvjeçarësh, për herë të parë në historinë e saj, ka mundur të krijojë një shtet të bashkuar, edhe se të gjymtuar e të përgjysmuar në territoret e saj nga vendime të padrejta të Fuqive të mëdha. Kjo Shqipëri, me gjithë njëmijë problemet e saj, është një Vend normal, ku secili, simbas mundësive, mund të ndërtojë një jetë, mund të bëjë projekte, mund të sendërtojë ëndërra, mund të kërkojë fatin jashtë shtetit, mund të shpresojë në një t’ardhme më të mirë. Në këtë Shqipëri jeta e italianëve rrjedh normalisht, edhe se mes vështirësive të kuptueshme për një Vend të prapambetur.
Në këtë kuadër shtjellohet nga autori historia e marredhënieve njerëzore, pak të ngatërruara, ndërmjet Aurelia Poselli-t dhe Enver Hoxhës. Ky i fundit u dashurua me vajzën e bukur 16-vjeçare italiane, kërkoi me ngulm të fitonte zemrën e saj, madje i dhuroi edhe një libër me një kushtim që vërteton plotësisht karakterin mashtrues të tij. Firmon si “student në mjekësi”. Është një gënjeshtër, ashtu sikurse janë të rreme të dhënat mbi studimet e Enver Hoxhës. Diktatori i ardhshëm nuk qe në gjëndje të marrë provimet në universitetin e Montpellier-it, ku shteti shqiptar, në sajë të rekomandimeve të njerëzve me pozita të larta, i kishte dhënë një bursë studimi, të cilën ministri Ivanaj i a pezulloi për atë arsye.
Aurelia nuk pranoi propozimin e dashuriusë së këtij djali, së bashku me teoritë e tij të revolucionit komunist. Këtu zë fill fatkeqësia e saj që trupëzohet në Shqipërinë e dytë, n’atë që lindi në 29 nëndor 1944. Ajo ditë, e quajtur e çlirimit, nuk qe tjetër veçse ajo e pushtimit të Vendit nga ana e një sistemi që u njëjtësua me vdekjen, mjerimin, prapambetjen, mungesën e lirisë, terrorin për gati gjysëm shekulli, veçimin e plotë nga bota Perëndimore. Ky sistem dhe arkitekti i tij, Enver Hoxha, qenë përgjegjës të tragjedive të pafundme njerëzore.
Shifrat e shtypjes komuniste në Shqipëri janë rrënqethëse : ekzekutime të 5577 meshkujve e të 450 femrave, dënime me punë të detyruar për 26768 meshkuj e 7367 femra, të vdekur në burgje 1065 vetë, vite burgu për “krime” të opinionit gjithsej 914.000, vite internimi gjithsej 256.146. Këto shifra i përkasin një popullsie prej një milion banorësh.
Në këto shifra hyn dhe fundi i parakohshëm dhe tragjik i bashkëshortit të Aurelias. Me këtë Shqiperi patën të bëjnë edhe italianët e mbetur në këtë Vend mbas marrëveshjes famëkeqe Hoxha – Palermo të vitit 1954. I nënëshkruari ka paguar një çmim shumë të lartë këtij rendi gjërash. Kishte një nënë italiane, e laureuar me 110 e lavdërim në universitetin e Napolit, që regjimi komunist e detyroi të mbante drutë në shpinë çdo ditë në malet e Tepelenës, ose të punonte tokën për pjesën tjetër të jetës së saj të punës. Un dhe autori i romanit jemi bashkëmoshatarë, duke patur disa muaj ndryshim. Ai, nga njëra anë , ka qënë më fatlum, sepse është rritur në një Vend të lirë. Nga ana tjetër kam qenë un më fatlum, sepse kam patur mundësinë të jetoj me tim’atë, mbasi ai kishte kryer dënimin prej 15 vitesh në burgun e Burrelit.
Duke lexuar këtë libër më erdhën ndër mënd pamjet e shumë njerëzve të përmendur në raste të ndryshme, të njohur në një jetë të kaluar krejtësisht në fushat e internimit e në burgjet e komunizmit shqiptar. Kam njohur kolonelin Mario Verde dhe kapitenin Luigi Tagliani, që u riatdhesuan më 1956, duke u nisur nga Pluku i Lushnjes, ku banonim edhe ne e ku banonte Atë Gardini, një shëmbull i shkëlqyer i shërbyesit të Kishës katolike. Kam qenë në Spaç së bashku me Petrit Velon, më 1980, gjatë burgimit të dytë të tij. Ishte një burrë zotni shoku i qelisë i Giuseppe Terrusi-t, dhe miqësisht i them të birit se përshtypja e përftuar mbas bisedës me të, besoj se është e gabuar.
E falënderoj nga zemra Aldo Terrusi-n që, nëpërmjet këtij libri, ndihmon për t’i bërë të njohur shoqërisë italiane të vërtetën e hidhur të popullit shqiptar, martirizimin e tij të gjatë e të dhimshëm.
Shqipëria e tretë është ajo ku lëvizin autori dhe daja i tij, heroi i ballkaniatës, në kthimin e tyre në Vendin e Shqipeve. Është Vendi që, zyrtarisht ka zëvendësuar komunizmin me demokracinë. Fatkeqësisht, është një demokraci e rreme, bijë e një antikomunizmi të rremë, që nuk don të njohë seriozisht e të dëmshpërblejë dëmet e diktaturës kundrejt viktimave të saj, ashtu sikurse duhej të dëmshpërblente e t’i kërkonte falje dhe autorit të këtij libri për dënimin e padrejtë e të pajustifikuar të babait të tij.
Aldo Terrusi ka meritën e madhe t’a ketë bërë të pavdekëshme, nëpërmjet romanit të tij, përvojën e dhimbëshme, madje tragjike, të jetuar në vetë të parë nga prindërit e tij. Trauma njerëzore e një fëmije, të cilit i është hequr dashuria dhe prania e babait në jetën e tij, për shkak të një regjimi mizor e çnjerëzor që dënon pa asnjë arsye të shëndoshë, është një padrejtësi që normalisht duhej të thërriste për hakmarrje apo drejtësi. Në sajë të bujarisë dhe maturisë së autorit ajo bie në plan të dytë. Duket se shkrimtari don t’i kursejë lexuesit peshën e tragjedisë që ka shënuar jetën e tij dhe ka bërë të detyrueshëm një synim, sa njerëzor aq dhe të drejtë e moral : gjetjen e eshtrave të babait, kthimin e tyre në tokën e lindjes, në një kthinë varri me një pllakë të bukur, me një fotografi të hijshme në dukje, një vazo lulesh dhe një qiri gjithmonë i ndezur ; një vënd ku shkohet për të sjellë ndër mënd kujtime pikëlluese, ata të babait përtej hekurave dhe të fëmijës në krahët e nënës, që kërkon me lotë në sy daljen nga ai ferr ; një vënd ku të shkohet për t’u lutur, për të mos harruar, mbi të gjitha për të mos harruar.
Ndoshta shkrimtari ka bërë të vetin mësimin e një Pape të madh, Gjon Pali i II që, në të njëjtin vit, e ka vizituar Vendin e Shqipeve, duke e quajtur “Tokë e fshikulluar nga përndjekjet”, duke kërkuar për të ndihmën dhe kujdesin e botës me shprehjen e famëshme : “Evropë mos harro!”. Martirizimi i atij populli, veçanërisht i pjesës katolike, nuk ka patur krahasim në Evropën komuniste. Nëpërmjet heshtjes së tij, nënështrimit dinjitoz kundrejt fatit, dhimbjes së tij të thellë e të matur, autori nderon të vërtetën rrënqethëse të një populli mik e bujar, me të cilin ndihet i lidhur jo vetëm si vëndi i lindjes, por kryesisht për tragjedinë e tij. Autori nuk është vetëm njeriu i misionit, që pret një jetë për të patur eshtrat e t’atit. Ai është dhe një vëzhgues i vëmëndshëm i një realiteti, deri pak kohë më parë, i mbështjellë në të panjohurën, në të papërshkueshmen.
Në këtë realitet i bëjnë përshtypje gjëra të ndryshme : bunkerët, 700.000 që kanë pushtuar gjithë truallin e këtij Vendi, shëmbulli më i qartë e më shprehës i një marramëndjeje politike dhe një marrëzie njerëzore pa kufij, që ndihmoi në mënyrë përcaktuese varfërimin deri në skajet e mbijetesës të një populli të tërë ; antenat e televizorëve mbi çatitë e mbi ballkonet e pallateve të rrënuara, një tjetër shëmbull, këtë herë pozitiv, i një qëndrese pasive, gandiane, pa fytyrë i të njëjtit popull kundrejt një diktature që përpiqej me të gjitha mjetet që zotëronte, t’i mbushte mëndjen çdo ditë me dogmat e komunizmit më të keq. Shteti e detyronte, nëpërmjet ligjeve të terrorit, të jetonte në padije, të mos kishte asnjë kontakt, të asnjë tipi, me botën rreth e përqark, veçanërisht me Italinë që, për shumicën e shqiptarëve ishte “toka e premtuar”, sinonim i lirisë, i kulturës, i mirëqënies, i bujarisë. Ato antena ishin mjeti që u lejonte të njihnin atë botë, edhe se vetëm nëpërmjet televizionit që, nga ana e tij, nuk ndihmonte shumë për informacionin e paanshëm, duke krijuar një opinion më shumë të stisur se sa të vërtetë t’atij realiteti.
Varfëria, në shfaqjet e saj të ndryshme, e befason autorin dhe e bën të përsiasë mbi arsyet dhe motivet, që kanë të gjithë të njëjtin burim, sistemin komunist dhe udhëheqësin e tij më të lartë, Enver Hoxhën. Ky është emblema e këtij sistemi, diktatori, njeriu i plotfuqishëm që bën dhe zhbën gjithshka simbas tekave të tij, vullnetit të tij të mbrapshtë, kriminal. Një përbindësh që synon të asgjësojë gjithshka të mirë, bujare, fisnike kishte karakteri dhe natyra e shqiptarit. E kupton këtë Aurelia, personazhi diellor i romanit, kur “shpresonte të mund të takonte Enverin personalisht për t’i kërkuar faljen për burrin në emër të miqësisë së vjetër, por ai u justifikua duke thënë se arsyet shtetërore e ndalonin të ishte shpirtmadh : po të kishte bërë lëshime hierarkitë do t’i mbetej hatri. Aurelia u thirr në vazhdim shumë herë nga njëri prej sejmenëve të Enverit që i bëri vetëm propozime të papërsëritëshme në shkëmbim të një lirimi të mundshëm të burrit.”
Ky argument meriton një përthellim, mbasi hedh dritë mbi një nga anët më të këqija të karakterit të Enver Hoxhës, një natyrë hakmarrëse skajore, veçanërisht me femrat që nuk kishin pranuar propozimet e tij. Është shumë e mundëshme që instikti shtazarak i hakmarrjes kundrejt Aurelias për “fyerjen” e pësuar vite më parë të ketë përcaktuar edhe fatin e Giuseppe Terrusi-t që, në një tjetër kuadër, do të ishte liruar e, ndoshta, as nuk do të ishte arrestuar. I njëjti fat u takoi dhe vëllezërve të Musine Kokkalarit, një nga vajzat më të shquara e më të kulturuara të kohës së saj, një shkrimtare gjirokastrite që kishte refuzuar propozimet e udhëheqësit t’ardhshëm të Shqipërisë. Dy vëllezërit paguan me jetë dhe vetë Musineja me 15 vjet burgim. Në vetë të parë pagoi talljen me diktatorin e ardhshëm, një nga femrat më në pah të shoqërisë shqiptare, një shkencëtare e laureuar në Itali, edhe ajo bashkëqytetare e përbindëshit, Sabiha Kasimati. Ajo u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq më 1951 me rastin e bombës së hedhur në oborrin e ambasadës sovjetike.
Autori i romanit, duke kërkuar të vërtetën mbi vdekjen e t’atit, arrin të gjejë dy ish shokë të burgut, zotërinjtë Petrit Velaj dhe Engjëll Kokoshi. Ata kishin ndarë të njëjtin fat me drejtorin e bankës, birucat, urinë, mizorinë e rojeve, ndoshta edhe shpresën për të dalë nga ai vend. Është shumë prekës tregimi i Velajt mbi parashikimin e Giuseppes kiromant, rreth një vizite të të birit për të kërkuar të dhëna mbi të. Duket një gjë e pamundur, por jam i sigurtë se Velaj nuk gënjen : e ka ruajtur për dhjetëvjeçarë në kujtesë këtë profeci që vërtetohet. Nga tregimi i tij del qartë personaliteti i një njeriu dinjitoz, për miqësinë e të cilit cilido do të ishte i nderuar, aq më tepër si familjar apo baba.
Biseda me Engjëll Kokoshin është një nga pikat qëndrore të romanit, një copë për antologji sa i përket përmbajtjes së jashtzakonëshme. “Tregimi i Engjëllit të ngjeth mishtë ; e tija kishte qënë një tragjedi e vërtetë. U pamë sy në sy e përballë atyre ngjarjeve u ndjemë të gjithë shumë të vegjël dhe u zhytëm në kolltukët tanë, sikur të donim të fshiheshim.” rrëfen autori. E bën më të çmueshme dëshminë e Engjëllit shtati i tij moral e njerëzor, beteja e një jete të tërë në mbrojtje të një dinjiteti të fuqishëm e të padiskutueshëm, të parimeve fisnike, të larta e të pakundërshtueshme. “Për të më bërë të firmosnja padinë kundra shokëve të mij, më bënë të gërmoj tri herë varrin tim, por nuk pranova kurrë.”
Është një realitet, ndoshta i pakonceptueshëm për botën e sotme, larg mendësisë së përhapur në një pjesë të mirë të shoqërisë, që nuk tërhiqet përpara asnjë motivi të rendit moral për të patur me çdo kusht para, pushtet, lehtësi, qejfe. Në këtë drejtim, nga kjo pikpamje, një mësim ndershmërie e respekti të vlerave njerëzore duhet të merret nga ajo pjesë e shoqërisë shqiptare që u vu në kryq nga barbaria komuniste. Mund të siguroj nga përvoja ime e dretpërdrejtë se shumë bashkëvuajtës të burgjeve politike kishin pranuar me vetëdije dënimin me dhjetë vjet burg, duke mohuar një jetë në liri, por me njollën e padive ndaj shokëve apo të afërmëve.
Faleminderit zoti Terusi, njëmijë herë faleminderit, sepse ke vënë në pah, nëpërmjet faqeve të këtij romani, pjesë të një realiteti të virtutshëm, që meriton të jetë i nënvizuar dhe i njohur edhe nga shoqëria italiane edhe nga një botë që, çdo ditë, na jep shëmbuj të rënies vertikale të vlerave më të shtrenjta njerëzore. Opinioni i Engjëllit, një përfaqësues i Atdheut qëndrestar ndaj së keqes, i Vendit fisnik, për mikun Terrusi, është një dëshmi e së vërtetës madhore dhe fjalët e tij janë shpërblimi më i madh për një bir që ka humbur babanë në moshë të njomë, pa patur fatin as t’a njihte atë mirë.
“Babai yt nuk shkonte në kampet e punës së detyruar, por kur ktheheshim, duke na parë n’atë gjëndje, na ndihmonte sa mundëte, dhe ndante me ne ushqimet e tij. Sigurisht e ke njohur tët’atë nëpërmjet tregimeve të nënës tënde dhe të dajës, por natyra e vërtetë e tij ishte ajo e jetuar mes nesh, në vitet e tmerrshme të burgimit, kur na trajtonin si armiq të popullit e kriminelë të luftës. Më vjen keq të të tregoj gjëra që për ty janë të dhimbëshme por, mik i dashur, duhet të jesh krenar për babanë tënd, që nuk u përkul kurrë ndaj sfilitjeve shnjerëzore që ata të mallkuar, të kthyer në bisha të ideologjisë marksiste, na shkaktonin.”
Që një bir të ndihet krenar për babanë e tij është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund të ketë një njeri në jetën e tij. Udhëtimi në Vendin e Shqipeve i vërtetoi autorit përfytyresën e babait të krijuar nga kujtimet e nënës, por ajo mori të tjera përmasa në rrëfimin e sinqertë të bashkëvuajtësve të tij, u rrethua nga një aureolë drite që jep vetëm bindja se provat e vështira, të përballuara me dinjitet, kurorëzojnë si të tillë qënien njerëzore.
Vizita në ish burgun e Burrelit është pjesa më e rëndësishme e udhëtimit. Fjalët e Kokoshit në përshkrimin e torturave e mizorinë e papëshkrueshme të një aparati policor pa krahasim, dëshmojnë në sytë e t’ardhurve fytyrën e vërtetë t’asaj bote të tmerrit që qe komunizmi shqiptar. “Të heshtur, me tmerrin, mëshirën dhe përbuzjen të skalitura në fytyrat tona, me zemrën e mufatur nga ngashërimi, u nisëm për të dalë nga burgu.”
Përgëzime autorit që ka shprehur me pak fjalë, me një aftësi përmbledhëse për t’u patur zili, një gjëndje shpirtërore të veçantë, jo vetëm nga pozita e një biri që ka humbur babanë mes këtyre mureve të lemerishme, por edhe nga ajo e një qytetari të një shoqërie që, shumë rrallë është kujtuar të njohë tragjeditë e bijve të saj, të dënuar e të vdekur nga dora e një regjimi me të cilin është flertuar për shumë kohë.
Aldo Renato Terrusi ka guximin të padisë, nga faqet e romanit të tij, një të vërtetë që, fatkeqësisht edhe në ditët tona, pranohet me shumë vështirësi. Përse Evropa demokratike nuk i ka quajtur kurrë të barabarta viktimat e dy tipave të diktaturave të kontinentit gjatë shekullit të shkuar ? Përse viktimat e komunizmit janë ende të kategorisë së dytë, ndërsa ata të Shoah, me të drejtë, përkujtohen në nivelet më të larta të jetës politike, administrative e kulturore të shoqërive tona ? Autori nuk i shtron drejt për drejt këto pyetje, por ato lindin vetvetiu në përsiatjet e lexuesit që ndjek temat e kujtesës historike. Por ai, i tronditur thellë në vetëdijen e tij si një qytetar i një Vendi demokratik, përballë realitetit mizor me të cilin përballohet në këto pak ditë të qëndrimit “Përtej detit, aty ku lind dielli”, merr një zotim që tejkalon shumë detyrën e tij si bir, për të sjellë në tokën e tij eshtrat e babait.
“Në të vërtetë do të desha të bënja diçka më shumë. Ende nuk e di se si, por do të më pëlqente të ngrija një pllakë të madhe, ose të vendosnja një targë në kujtim të të vdekurve të përbashkët, italianë e shqiptarë, në burgun e Burrelit.”.
Është vërtetimi i ndërgjegjësimit se e keqja, që e ka goditur atë në ndjenjat më intime, zbulohet si një e tillë e përgjithëshme me përmasa të papërfytyrueshme, një dukuri që ka bluajtur male jetësh njerëzore, të bashkuara në fatkeqësinë e përbashkët. Si të tillë ata meritojnë njohjen dhe nderimin e gjithë shoqërisë, të gjithë brezave, madje të gjithë kombeve. Ai zotim e nderon atë dhe i jep një dritë të posaçme veprës së tij.
“Të ngrihej një pllakë…” duhej të kishte qënë mendimi i parë, zotimi i parë i Shqipërisë demokratike në rrugën e saj. Fatkeqësisht, edhe sot, mbas një mijë premtimesh hipokrite në Shqipërinë tonë nuk ka asnjë monument, kushtuar viktimave të pafajshme të diktaturës, dhe të mbijetuarit duhet të kënaqen me thërrimet që politikanët e sotëm, bij ligjorë e jo ligjorë, lëndorë e shpirtërorë të atyre të të djeshmëve, vendosin herë mbas here t’u hedhin atyre, mbasi janë bërë zotër të gjithshkaje : të ekonomisë, të politikës, të shtypit, të mediave, madje dhe të miqve të botës së lirë. Prandaj premtimi i mikut Topallaj, për të sendërtuar “idenë fisnike”, nuk besoj se do të ketë vazhdim mbasi, në të pavetëdijshmen e tij dhe të shokëve të tij, ato viktima janë ende “armiq të klasës”.
Këto ishin disa nga përsiatjet që lindin nga leximi i romanit “Brenga ime Shqiptare”, që meriton një lavdërim të madh e të sinqertë për temën e trajtuar me objektivitet, me stil të rrjedhshëm e të pëlqyeshëm, për personazhet që nguliten në kujtesë e për mesazhin përfundimtar që përciell.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aldo Renato Terrusi, Brenga ime shqiptare, Eugjen Merlika

MARGARET THATCHER – SIMBOLI I SË DJATHTËS POLITIKE

April 14, 2013 by dgreca

“Në politikë, nëse do që të thuhet diçka kërkoja një burri, por nëse do që ajo të bëhet, kërkoja një gruaje.”  M.Thatcher/

SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA/

Më 17 prill, në kishën Saint Paul të Londrës, në prani të 2000 të ftuarve nga e gjithë bota, zhvillohet ceremonia përshpirtëse e përcjelljes së “Zonjës së Hekurt”, Margaret Thatcher, ish Kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar (1979 – 1990), që ndrroi jetë më 8 prill në banesën e saj në Londër, e goditur nga një iktus, mbas disa vitesh gjëndjeje shëndetësore jo të mirë, si pasojë e një sëmundjeje të sistemit nervor.

“Është me të vërtetë një ditë e trishtuar për Vendin tonë. Kemi humbur një udhëheqëse të madhe, një kryeministre të madhe dhe një britanike të madhe. Besoj se do të quhet kryetari më i madh i qeverisë që Vendi ka patur.” Kështu u shpreh kryeministri i sotëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron, duke i u referuar një gruaje që kishte qeverisur një Vend që kishte patur si Kryetarë qeverije njerëz si Gladstoni, Disraeli, Lloyd George, Winston Churcill, Toni Blair etj. Janë fjalë që rihapin një diskutim që ka filluar në të largëtin vit 1975, kur 49-vjeçarja Margaret Roberts Thatcher, u ngjit në postin e kryetares së partisë konservatore angleze. Fakti që ende sot vazhdojnë diskutimet mbi rolin e asaj gruaje në historinë e Anglisë e të botës, është tregues i një personaliteti të jashtzakonshëm në jetën politike Perëndimore, në një periudhë ndryshimesh epokale, si ajo e viteve 80 të shekullit të shkuar.

Kjo “revolucionare” konservatore që, në ndryshim nga të gjithë shtetarët bashkëkohës, pati aftësinë t’i japë një epoke emrin e saj, kishte lindur në një familje të thjeshtë të një bakalli që tregëtonte mallrat koloniale. Kishte studjuar kimi dhe ishte futur në moshën 23 vjeçare në jetën politike. Trashëgoi edukatën serioze të një familje që hyn në numurin e atyre që përbëjnë shtyllën kurrizore të një kombi e, për të cilën, disa vlera marrin rëndësi absolute e nuk mund të jenë subjekte relativizmi. Në moshën 33-vjeçare zgjidhet deputete në Westminster e fillon kariera e saj shtetërore në kabinetet e Macmillan-it, Alex Douglas-Houme e të Edward Heath-it, në këtë të fundit në dikasterin e arsimit. Por Meggi kishte synime më të larta, jo të një kariere vetiake, por të një ndryshimi rrënjësor të filozofisë politike të Vendit të saj e madje edhe të vetë atij. Në këtë synim madhor ajo ka një kurajë të rrallë që t’i bëjë Vendit të saj një diagnozë shkencore e të pamëshirshme, të cilën asnjë koleg politikan nuk e kishte bërë : Anglia e kishte fituar luftën, por fitorja nuk ndryshonte shumë nga humbja. Më 1945, e varfëruar dhe e drobitur, ajo kishte pushuar së qëni një fuqi e madhe, duhej të bëhej diçka tjetër.

Kjo diçka tjetër ishte shprehje e një tjetër mendësie, e të tjera parimeve, e të tjera kritereve të përballimit të problemeve. Kjo tërësi ndryshimesh në botkuptimin e saj, që do të bëhej me shumë mundim edhe botkuptimi i një partie, i një Vendi, i një epoke që u quajt “liberizëm” dhe vetë kjo e fundit “teçerizëm”. Për kohën ishte një ideologji revolucionare që u fut në trupin e një partie të mësuar me një tradicionalizëm, që bazohej në mirëkuptimin dhe në miratimin. “Teçerizmi ishte, para së gjithash, një ideologji e liberalizmit, donte të zvogëlonte rolin e Shtetit në shoqëri dhe në ekonomi e të përforconte rolin e tregjeve e të individëve. Por ishte dhe ideologjia e mundësive, e vetë-sendërtimit, e meritokracisë.” Kështu e përcakton politologu i njohur Bill Emmoth mendimin zotërues të Margaret Thatcher. Me këtë bagazh ideor ajo fitoi zgjedhjet në majin e vitit 1979, duke u ngarkuar me detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjeti një Vend në prag të falimentimit, me plehrat që mbushnin rrugët, me korentin elektrik të racionuar, me një papunësi të jashtzakonëshme, me një javë pune të katandisur në tri ditë. Britania dilte nga një dimër tensionesh shoqërore, me një popull të lodhur nga grevat pa kufi, nga bllokimi i shërbimeve, nga plotfuqia e Tred Unions-eve që bënin ligjin, me një sistem ndihmash shtetërore që kishin asfiksuar financat e kultivuar parazitizmin, duke zbehur vullnetin për punë të qytetarëve. Ishin të gjitha këto pasoja të qeverisjes laburiste simbas mendësisë stataliste, për të cilin individët dhe nismat e tyre duhet të njëjtësoheshin me planet e Qeverisë dhe faktorin shoqëror.

Për shtetaren as pesëdhjetëvjeçare, që merrte mbi supe drejtimin e ish perandorisë më të madhe të botës, kjo gjëndje ishte e papranueshme. Nga mësimet e Shën Françeskut huazoi një koncept, të cilin e ktheu në një projekt, që bëhet lejt-motiv i punës së saj. “Aty ku është gabimi të sillet e vërteta, ku është dyshimi të sillet besimi, ku është dëshpërimi të sillet shpresa. Forcat e gabimit, të dyshimit e të dëshpërimit janë kaq të fuqizuara në shoqërinë britanike, sa që thyerja e tyre nuk do të jetë e mundur pa disa masa mospajtimi.”

          Zaret ishin hedhur dhe ajo, në mbledhjen e parë të Qeverisë, bën të njohur planin e saj të ndryshimeve. Përballë kishte një përkrahës dhe 17 kundërshtarë, që “revolucionin” e saj e quanin të pasendërtueshëm e, madje, të dëmshëm. Vërejtjeve të tyre i u përgjigj me një frazë lapidare : “Zonja nuk kthehet mbrapsht!”

          “Iluzioni i fundit që ndërhyrja e Shtetit do të kishte sjellë harmoninë dhe solidaritetin shoqëror, apo në gjuhën e konservatorëve “një komb të bashkuar”, u shemb në një klimë të përgjithëshme pakënaqësie, në të cilën të vdekurit mbeteshin pa u varrosur, të sëmurë rëndë nuk pranoheshin nga spitalet sepse nuk i lejonin rojet e sindikatave, dhe humori shoqëror mbizotërues ishte i një zilie sherrtare e i një armiqësie pa shkak. Të shërohej sëmundja e Anglisë me socializmin ishte sikur të kërkohej të shërohej leuçemia nëpërmjet shushunjave.” Shkruan Ajo në librin e saj “Vitet e Dawning Street”. Me një vullnet dhe energji të pashoqe punoi  për zbatimin e projektit tepër ambicioz, atë të ndryshimit të Mbretërisë së Bashkuar, në bazë të të cilit ishte parimi “të tërhiqeshin kufijtë e Shtetit”, duke u mbështetur në dy shtylla kryesore të mendimit të ri : privatizimet dhe liberalizimet.

Deri atëherë në politikën botërore termi privatizim ishte i panjohur, me Margaret Thatcher u bë politikë për t’u zbatuar në Britaninë e Madhe e, më pas, për t’u eksportuar në çdo kontinent. Gjatë viteve 80 qeveria angleze privatizoi trasportet, industrinë e çelikut, gazin, telefoninë, ujin, industrinë e naftës e dhjetra ndërmarrje të kontrolluara nga Shteti u shitën. U hap kështu epoka globale e privatizimeve, që përfshiu Indinë, Amerikën Latine, Evropën Perëndimore e, mbas 1989, edhe atë Lindore së bashku me Rusinë. Në këtë proçes të madh revolucionarizimi të Shtetit u zhvillua edhe ndeshja me Trade-Unions, që ishin fortesat më të fuqishme të statalizmit, një ndeshje që përfundoi me fitoren e rendit të ri që ishte shprehje e nismës së lirë të individëve, e rentabilitetit ekonomik, e një shoqërie në të cilën Shteti duhet të bënte vetëm atë që nuk ishte në gjëndje t’a kryente qytetari i vetëm. Në betejën e gjatë të Kryeministres me Sindikatat mbeti proverbiale një shprehje e saj : “Të kesh mundur nazistët për t’u mundur nga Sindikatat është jo vetëm marrëzi, por diçka qesharake.” Në atë vazhdë u ndërprenë pagesat për ndërmarrjet në humbje, me falimentimin e industrisë automobilistike, që u përtëri nëpërmjet kapitaleve të huaja që hynë në Angli. Në këtë kuadër lindi dhe tregu financiar  ndërkombëtar në Londër, i famshmi City. Liberalizimit të tij mjaft ekonomistë e shtetarë të së majtës sot i veshin përgjegjësinë e krizës ekonomike të viteve të fundit, nuk di sa mund të jetë i bazuar ky gjykim.

Një tjetër fushë e veprimit të qeverisë ishte shkurtimi i shpenzimeve të Shtetit. Kështu vetëm në administratën shtetërore, nëpërmjet këtyre shifrave, mund të kuptohet prirja për të patur një Shtet të lehtë e funksional. Më 1961 numuri i nëpunësve ishte 640000 (më i ulti i mbas luftës. Më 1979, mbas qeverisjes së Kallaghan-it kishte arritur në 732000. Në vitin 1983 zbriti në 630000. Një tjetër tregues i suksesit të politikës qeveritare vërehet në numurin e orëve të grevave : 30 milion më 1979, 2 milion më 1986.Reformat kishin mjaft kundërshtime, por anglezët e kuptuan se ishin rruga më e mirë për të siguruar zhvillimin e Vendit e prandaj i dhanë votbesimin tri herë rradhazi Qeverisë Thatcher

Personaliteti i Zonjës Thatcher spikati edhe në politikën  ndërkombëtare. E nderuar më shumë në SH.B.A. e në ish Commonwealth-in britanik e më pak në Evropën kontinentale, për prirjet e saj nacionaliste e qëndrimin e vendosur antikomunist e jo shumë miqësor ndaj institucioneve të Bashkimit (“Evropa është dera nga hyhet në socializëm”), Kryeministreja angleze shpaloste profilin e një shtetari, për të cilën nuk reshtën kurrë vlerësimet në të gjitha nivelet, si politike ashtu edhe mediatike. Ronald Reagani e quante “burri më i mirë i Anglisë”, Henry Kissinger “një drejtuese me bindje të forta e një personalitet të jashtzakonshëm”, James Bakeri “Meggi ka ndryshuar rrjedhën e historisë”, ndërsa Gorbaçovi shprehet për Të : “Ka qenë një politikane e madhe dhe një njeri i shkëlqyer. Fjala e saj kishte një peshë të madhe.” Nancy Reagan, bashkëshortja e Presidentit të SH.B.A. i cilëson kështu marredhëniet Reagan-Thetcher : “…Politikisht ishin dy zemra binjake, të përkushtuara për lirinë e për t’i dhënë fund komunizmit.” Në lidhje me këtë vështrim të veprimtarisë politike të Zonjës Thatcher po sjell një bisedë të Saj me ish Kryeministrin sovjetik Aleksej Kosigin, në një ndalim në Moskë të aeroplanit , që e çonte në Tokio në mbledhjen e G7, në vitin 1982. Kosigini, që ishte në një mbledhje me kryeministrat e Vendeve socialiste, ndërpreu takimin dhe shkoi në aeroportin Vnukovo për të pritur kolegen angleze. Ndërmjet argumentave të bisedimit Zonja e hekurt ngriti problemin e qindra mijra vietnamitëve të jugut që largoheshin me varka për të arritur në brigjet e Vëndeve të tjera aziatike jo komuniste. Shumë prej tyre vdisnin në det dhe Anglia kishte mobilizuar flotën për të shpëtuar mjaft prej tyre e për t’i zbarkuar në Singapor apo Hongkong. Ja si përcjell bisedën vetë Kryeministreja e Britanisë së madhe :

“ I vura në dukje Kosiginit se Vietnami ishte një Vend komunist dhe një aleat besnik i B.S. dhe që ai vetë kishte një ndikim të madh mbi Qeverinë vietnamite. Kjo që po ndodhte ishte një katastrofë e një çnderim, jo vetëm për regjimin vietnamez, por për gjithë komunizmin. A s’mund të bënte asgjë për të ndaluar dukurinë. Fjalët e tij m’u përkthyen : “Mirë,  janë të gjithë të droguar ose kriminelë”.  Nuk shkoi më tutje. Çfarë? Pyeta. “Një milion njerëz ? Komunizmi është një e keqe e tillë në të cilën një milion njerëz duhet të drogohen apo të vjedhin për të jetuar ?”

          Nuk arrita të ndaloj lumin e mërgimtarëve të përndjekur, por munda të kundërshtoj, siç do të bëj gjithmonë, gënjeshtrat me të cilat komunistët justifikonin përndjekjet e tyre…..”

Ishte ky një nga përballimet e Margaret Thatcher-it me krerët e komunizmit në një mënyrë të guximshme e jo hipokrite e ky qëndrim nuk ishte ai i të gjithë drejtuesve të demokracive Perëndimore, që shpesh mbyllnin një sy, siç bëjnë edhe sot me Kinën, para shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në ata Vende. Shqiptarët i mbajnë mënd mirë ende tufat me lule të ndonjerit prej përfaqësuesve të demokracive Perëndimore mbi varrin e Enver Hoxhës.

Këtyre vlerësimeve dua t’i shtoj edhe atë të një kundërshtari të vendosur të Zonjës Thatcher, Ken Livingston, Kryetar i bashkisë së Londrës, që Ajo e quante “një tiran komunist” : “E admiroj dhe e respektoj për pasionin e bindjeve të saj”, duke shtuar më poshtë : “Tragjedia për këtë Vend ishte se gjithshka në të cilën besonte ishte e gabuar.”

Koha vërtetoi se idetë dhe besimi i ish Kryeministres angleze ishin të drejta dhe e kryen funksionin e tyre. Një tjetër koleg i saj i së majtës, Toni Blair, e quante veten “bir të saj” sa i përket koncepteve të qeverisjes e të ekonomisë, ndërsa kujtimin e saj e nderojnë sot edhe persnalitetet më të mëdha të së majtës Perëndimore, si Barack Obama apo Francois Hollande.

Ne, shqiptarët, nuk kemi patur asnjë lidhje me këtë Zonjë të madhe. Duke vlerësuar e nderuar figurën, në filozofinë njerëzore e shtetdrejtuese të Saj mund të gjejmë pika takimi, edhe se në gjithë kujtimet e saj, nuk haset asnjëherë emri i Vendit tonë. Nacionalizmi, antikomunizmi e liberizmi janë koncepte e vlera në të cilat, një pjesë e mirë e shqiptarëve mund të gjejnë veten e përbëjnë një pasuri të vlefshme, për të gatuar fizionominë e një të djathte të vërtetë, për të cilën ka nevojë shoqëria shqiptare.

Një mësim të vlefshëm mund të nxjerrim edhe nga përfundimi i historianit, diplomatit e politologut italian Sergio Romano në lidhje me karjerën dhe përfundimin e Margaret Thatcher-it : “Na mëson se demokracitë e mira dijnë  t’i japin hapësirë reformatorëve të mëdhenj dhe dijnë t’i çojnë në shtëpi, kur bëhen më pak të dobishëm për Vendin.”

Më duket se është një mësim që duhet të marrë një vlerë, pothuaj ungjillore, për jetën tonë politike e aktorët e saj.

Prill 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, Margaret Thacer, simbol i se djathtes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT