• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PYETJE RETORIKE

February 21, 2014 by dgreca

– për t’u arratisur nga e kaluara me Visar Zhitin përballë… /

Nga Eugjen MERLIKA/

 Para pak muajsh, duke lexuar në të përjavëshmen MAPO që boton përgjigjet e pyetësorit të Prustit, nga personazhe të ndryshëm të jetës kulturore të Vendit, ishte rradha e shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti dhe më bëri shumë përshtypje një përgjigje e tij. Pyetjes se çfarë i kishte mbetur peng në jetë, ai iu përgjigj me një fjalë të prerë : “arratisja”.Termi në vetvete më ktheu shumë mbrapa në kohë , në vitet “e ndritura” të regjimit komunist kur shumë shqiptarë rrezikonin jetën e lirinë  e tyre dhe të familjeve të tyre, për të braktisur “parajsën” socialiste e për të kërkuar një tjetër jetë në “botën e kapitalit”.  Me këtë koncept lidheshin edhe dhjetra  fytyra bashkëvuajtësish, që ishin dënuar herë herë me 15 apo 20 vjet burg, qoftë vetëm për “bisedë arratisje”.

Nuk e di nëse i sillte nëpër mend fytyrat e tyre shkrimtari më prodhues e më cilësor i Panteonit të nëndheshëm, kur ka dhënë atë përgjigje, mbasi mendimi i tij atë çast nuk lidhej me atë kohë, por me një të mëvonëshme, atë të tjetërsimit të sistemit. Në këta më shumë se njëzet vite të pluralizmit demokratik, Visar Zhiti, në sajë të talentit e të punës së tij ngulmuese në fushën e krijimit, u bë shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare mbas diktatoriale, duke dhënë vepra të nivelit shumë të lartë artistik e, njëkohësisht, dëshmitë më besnike, krahas veprës së At Zef Pllumbit, të një realiteti të zi që njëjtësohej me një periudhë gati gjysëm shekullore të historisë sonë, me një vështrim disi të përqëndruar në dy dhjetëvjeçarët e fundit të saj.

Por veprimtaria e tij, në këta njëzet vjet kalese, nuk qe vetëm ajo e shkrimtarit e poetit të “rrugëve të ferrit” enverian për të e për shumë të tjerë. Ai qe deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe lajmëtari kulturor i Shqipërisë në rradhët e diplomacisë. Si ministër këshilltar në Romë dha një ndihmesë të çmuar në shpalosjen e vlerave të kulturës shqiptare në Vendin fqinjë. 15 vjet të shkuara, më 4 korrik 1999, një juri italiane ku bënin pjesë personalitete të kulturës italiane si Dacia Maraini, Gian Paolo Cresci, Elisabetta Granzotto apo Enzo Biagi i dha poetit Visar Zhiti  çmimin  ndërkombëtar “Kultura e detit” për poezi për triptikun e tij “Vetëvrasja e Atdheut”.  Ishte njëri nga episodet e vlerësimit ndërkombëtar të poetit në të cilin pata fatin të marr pjesë. Shkrimin që botova n’atë rast e titullova “Krenari dhe dhimbje”. Krenaria ishte e vetvetishme si bashkëqytetar e bashkëvuajtës i poetit që vlerësohej në Vendin simbol të poezisë e dhimbja shkaktohej nga fakti se ai, me urdhër të qeverisë socialiste që kishte fituar zgjedhjet, nuk do të ishte më përfaqësues i kulturës shqiptare në Romë.

Mbas pesëmbëdhjetë vitesh të atij trasferimi, Visar Zhiti, që në fund të qeverisjes demokratike, mbas largimit të LSI-së nga bashkëpunimi me Berishën, u emërua për pak muaj ministër i kulturës, sot përballohet me papunësinë. Do ta quaja një lluks të pashëmbullt të një shoqërie faktin që mund të lerë pa punë një njeri me një vlerë e një ndihmesë aq të madhe në jetën kulturore të kombit të tij. Burokracia e politika shqiptare mund të ndihen shumë të përkëdhelura nga fati që mund t’i lejojnë vetes vendime që nuk do të guxonte t’i merrte asnjë administratë në çdo Vend të botës.

Kur kompromisi i pushtetit PD – LSI, si pasojë e llogarive të së majtës u shkërmoq, nevoja për imazh politik e njerëzor e PD-së bëri që Visar Zhiti të emërohej Ministër i Kulturës. Zgjedhjet e 23 qershorit e arkivuan qeverisjen e demokratëve, bashkë me shkarkimin e përfaqësuesit më në zë të kulturës shqiptare në territorin e republikës. Logjika do të donte që ai të vazhdonte të bënte pjesë në organigramën e përherëshme të PD-së, si i vetmi ish i burgosur politik në nomenklaturën e saj të zyrtarëve të lartë. Për gabim llogarie apo për një projekt të sofistikuar llogaritës ish Ministri i Kulturës u caktua i trembëdhjeti në listën e mbyllur të PD-së për Tiranën. Udhëheqja e saj parapëlqeu të siguronte vëndet në Kuvend për deputetët e PS-së, që nuk ishin në një mëndje me kryetarin e tyre, se sa të kishte n’ata vende shkrimtarin e mirënjohur. Përfundimi është ai i ditëve tona, kur Visar Zhiti është një i papunë i thjeshtë, i lënë mënjanë nga Shteti shqiptar, të cilin ai e kishte përfaqësuar me dinjitet në shumë salla të botës, n’atë fushë të veprimtarisë që është më e mangëta në historinë e në shoqërinë tonë, n’atë të kulturës.

Qeveria e majtë, në shkulmin revolucionar të ndërrimit t’administratës, nuk duhet ta trajtojë Visar Zhitin si një nëpunës të thjeshtë, pa marrë parasysh një detyrim ligjor, se me të drejtë atij i takon, së paku, të kthehet n’atë vend pune që kishte para se të thirrej për të marrë detyrën e Ministrit të Kulturës. Shembujt e Çuk Hagelit apo Bernard Kushnerit, përkatësisht ministra te mbrojtjes e të punëve të jashtëme të SHBA-ës e të Francës, në kabinete kundërshtarësh politikë, duket se nuk i thonë asgjë politikës së majtë shqiptare. Mbase “oshëtima e të parëve” mbetet ende një ngasje e fuqishme.. Kështu, si “për çudi”, Zhiti mbetet i vetmi ministër i qeverisë së fundit, në gjëndje papunësie.

“Demokratura” i bën të paguajë faktin se ai “i theu” rregullat e kodit deontologjik të klasës drejtuese të Ramiz Alisë, që porosiste prerë se asnjë “ish armik” nuk duhet të kishte poste drejtuese n’administratën demokratike të Shqipërisë “evropiane” e antare të NATO-s. Visar Zhiti është një nga shëmbujt e shumtë të zallamahisë shoqërore që kalon sot Shqipëria, ndoshta më emblematiku, sepse bëhet fjalë për një njeri, të cilit shoqëria, shteti, kultura kombëtare i detyrohen shumë për dobinë që kanë patur nga penda e tij. Ja sepse fjala “arratisje”, në pyetësorin e Prustit, merr nuanca e përmasa dramatike, jo vetëm për personin, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ajo përkon me një dështim të asaj shoqërie në rrugën e përparimit, mbasi segmentë të fuqishëm të saj i kuptojnë ndryshimet ende me mendësinë e viteve 80-të, kur “reformat” mjaftoheshin me “tufëzat e arëzat” e kujtesës ramiziane e me caktimin e kandidaturave “pluraliste” nga organizatat që, zyrtarisht, quheshin leva të partisë.

Problemi i vendosjes së  rregullave e i zbatimit të tyre mbetet i hapur edhe mbas njëqind vjetësh të shtetit të pavarur, edhe mbas një çerek shekulli të rrëzimit të “Murit të Berlinit”. Këto rregulla duhet të përcaktojnë prerë se administrata shtetërore mund të jetë funksion i ndryshueshëm i përfundimeve zgjedhore dhe i vullnetit të “sovranit” në nivele nga kryetarë degash në ministritë e lart. Për të tjerët, që janë shumica dërmuese e nëpunësve shtetërorë, asnjë qeveri nuk duhet të ketë kompetenca largimesh nga puna apo zëvendësimesh pa kriteret që përcaktohen me ligj e që duhet të jenë ata të meritës e të shtatit moral e juridik. Kështu krijohet shtylla kurrizore e shtetit, që duhet të jetë apolitike dhe e aftë nga ana profesionale, me njerëz të pregatitur e të ndershëm, e jo interpretues  të interesave të partive politike e puthadorë të shefave të tyre. Në këtë mënyrë politika nuk është e plotfuqishme kundrejt jetëve të qytetarëve dhe këta të fundit nuk do të jetonin me ankthin e mbijetesës sa herë bëhen zgjedhjet politike. Ky është parimi themelor i ndërtimit të shtetit demokratik që, për fat të keq, ne akoma nuk e kemi përvetësuar sepse mbetemi bij shpirtërorë të komunizmit.

Një shoqëri që nuk është në gjëndje të vlerësojë pjestarët e saj e një shtet që nuk ka vullnetin t’i besojë meritës funksionet e tij, janë të paracaktuar të mbeten gjithmonë të fundit në garën për mbijetesë në botën e soçme. Një administratë që largon nga rradhët e saj njerëzit e pregatitur e të ndershëm, për t’i zëvendësuar me besnikët e partive që kanë pushtetin, nuk mund të ketë besueshmërinë dhe as rendimentin e duhur në punën e saj. Kjo praktikë, e cila është kthyer në metodë pune e të gjithë jetës politike e administrative të Shqipërisë paskomuniste, është treguesi më negativ, që së bashku me korrupsionin, paragjykojnë ashpërsisht t’ardhmen e saj.          Ku mund t’i varim shpresat se këto metoda të trashëguara, nuk do të jenë bashkudhëtare të përherëshme të rrugës sonë, kur edhe brezi i ri i t’ashtuquajturve politikanë, nuk bën tjetër veçse t’i përsosë ?Deri kur shqiptarët do t’evokojnë termin “arratisje”  për të projektuar jetën e tyre e të fëmijëve të tyre ?

Vlerat e Kombit, të hershme e të vona, nuk duhet të mbeten n’errësirë e kundërvlerat, të shkuara e të sotme, të vihen në piedistal e të kenë privilegjin e sundimit. Pse ndodh dhe kështu?

Janë vetëm disa prej pyetjeve që më vijnë ndërmënd, pa gjetur përgjigje, duke vrojtuar ngjarjet e përditëshme të Vendit tonë.

Shkurt 2014                                                         Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen merlike, Pyetje retorike, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT